Tefsiri tematik i sures Ali Imran (3/8): Boshti kryesor i sures Ali Imran

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Duke qenë se sureja Ali Imran është një nga suret më të gjata të Kuranit, ajo përfshin një gamë të gjerë temash. Megjithatë, pas një leximi të thelluar, mund të konstatojmë se boshti kryesor i kësaj sureje është:

“Qëndrueshmëria në fe, e cila lidhet ngushtë me njësimin e Allahut të Madhëruar, si dhe pohimi se feja e vetme e pranuar nga Allahu është Islami.”

Në fakt, njësimi i Allahut është një temë që përshkon të gjitha suret e Kuranit, por në suren Ali Imran kjo tematikë del në pah në mënyrë të veçantë, sidomos në ajetet e mëposhtme:

Allahu i Madhëruar thotë: “Elif Lam Mim. Allahu është Një, nuk ka të adhuruar me të drejtë pos Tij. Ai është i Përjetshmi, Mbajtësi i gjithçkaje.”[1]

Allahu i Madhëruar thotë: “S’ka të adhuruar me të drejtë pos Tij, Ai është Fuqiploti, më i Urti.”[2]

Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu dëshmoi se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Tij, e dëshmuan edhe engjëjt edhe dijetarët dhe se Ai është Zbatues i drejtësisë. Nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Tij, Fuqiplotit, më të Urtit.”[3]

Allahu i Madhëruar thotë: “Nuk ka asnjë të adhuruar tjetër me të drejtë pos Allahut. Vërtet Allahu është Ai i Plotfuqishmi, më i Urti.”[4]

Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: O ithtarë të Librit ejani të bashkohemi te një fjalë që është e njëjtë mes nesh dhe mes jush: të mos adhurojmë, pos Allahut, të mos i bëjmë Atij asnjë send shok, të mos e konsiderojmë njëri-tjetrin zotër pos Allahut. E nëse ata refuzojnë, ju thoni: Dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë (besuam në një Zot).”[5]

Ngjashëm me ajetet e njësimit të Allahut, surja Ali Imran thekson se feja e pranuar tek Allahu është vetëm feja islame dhe se njeriu duhet të jetojë si mysliman. Më poshtë po citojmë disa ajete nga kjo sure:

Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, feja e vetme e pranuar tek Allahu është Islami.”[6]

Allahu i Madhëruar thotë: “E nëse ata polemizojnë me ty, ti thuaj: Unë me tërë qënien time i jam dorëzuar Allahut, e edhe ithtarët e mi. E thuaju edhe atyre që, që iu është dhënë Libri dhe injorantëve: A pranuat fenë Islame? Nëse e pranuan Islamin, atëherë e keni gjetur të Vërtetën, e nëse e refuzojnë, ti e ke për detyrim vetëm t’ua komunikosh. Alahu është Gjithëvëzhgues i robërve.”[7]

Allahu i Madhëruar thotë: “Havarijunët thanë: Ne jemi ndihmëtarë të fesë së Allahut, ne i besuam Allahut, e ti dëshmo për ne se jemi muslimanë.”[8]

Allahu i Madhëruar thotë: “E nëse ata refuzojnë, ju thoni: Dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë (besuam në një Zot).”[9]

Allahu i Madhëruar thotë: “Ibrahimi nuk ka qenë as jehudi, as i krishterë, por ishte larg besimeve të kota, ishte musliman dhe nuk ishte prej idhujtarëve.”[10]

Allahu i Madhëruar thotë: “Vallë, a ju urdhëroi ai (profeti) juve mosbesimin pasi që ju jeni muslimanë?!”[11]

Allahu i Madhëruar thotë: “A mos kërkojnë ata (ithtarët e Librit) fe, pos fesë së shpallur nga Allahu? E Atij i është dorëzuar gjithçka ka në qiej e në tokë, me dashje e pa dashje dhe tek Ai kthehen.”[12]

Allahu i Madhëruar thotë: “E kush kërkon fe tjetër përveç Fesë Islame, atij kurrsesi nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër është prej të humburve.”[13]

Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që besuat, kini frikë Allahun me një frikë të vërtetë dhe mos vdisni, pos duke qenë muslimanë.”[14]

Në suren Bekare, Allahu i Madhëruar na udhëzon për metodën që duhet të ndjekim, ndërsa në suren Ali Imran, Allahu i Madhëruar na tregon rrugët që na ndihmojnë të qëndrojmë të palëkundur në këtë metodë. Të gjithë besimtarët kanë nevojë për qëndrueshmëri në rrugën e drejtë, që të mos bien në përgjumje (përtaci), të mos frikësohen nga shmangia apo devijimi.

Përmes leximit të ajetëve të sures Ali Imran, ku boshti kryesor është qëndrueshmëria në fe, do të vërejmë se ajetet nga 1 deri në 120 na orientojnë se si duhet të jemi të qëndrueshëm në aspektin ideor, kur përballemi me ide të huaja që synojnë të na shmangin nga feja e vërtetë. Ndërsa ajetet nga 121 deri në 200 na orientojnë drejt qëndrueshmërisë brenda vetes dhe rrethit tonë si myslimanë.

Kështu, ndërsa lexojmë këtë sure, ne ndeshim dy ngjarje të rëndësishme që janë të lidhura me ç’ka kemi përmendur më lart:

Ngjarja e parë: Ka të bëjë me delegacionin e të krishterëve nga Nexhrani, një ngjarje që përfaqëson dialogun e parë ndërfetar në histori. Kjo ngjarje na mëson si të qëndrojmë të fortë dhe të palëkundur ndaj ideve të huaja që mund të ndikojnë në besimin tonë, gjithashtu na udhëzon se si të zhvillojmë një dialog të ndershëm me ithtarët e Librit.

Ngjarja e dytë: Është beteja e Uhudit, që na mëson si të jemi të qëndrueshëm dhe të palëkundur në praktikë.

Fillimi dhe fundi i sures tregojnë se e Vërteta është me myslimanët dhe se ne duhet të mbahemi fort pas saj.

Në fillim të sures, Allahu i Madhëruar thotë: “Ai (Allahu) është që ta zbriti Librin ty me të vërtetën, si vërtetues i librave të mëparshëm.”[15]  Kurse në fund të sures thotë: “O ju që besuat, bëni durim, jini të qëndrueshëm, qëndroni të gatshëm dhe kini frikë Allahun që të shpëtoni.”[16]

Barrierat në rrugën drejt qëndrueshmërisë

Surj Ali Imran paralajmëron për gjërat që e humbasin qëndrueshmërinë dhe që janë barrierë në rrugën drejt saj, si në rastet e mëposhtme:

1 – Kënaqësitë e kësaj bote, Allahu i Madhëruar thotë: “Burrave u është hijeshuar dashuria për gjërat e dëshiruara, për gratë, fëmijët, arin argjendin e grumbulluar, kuajt e bukur, bagëtitë dhe arat e lëruara. Këto janë kënaqësitë e kësaj jete, por shumë më i mirë është kthimi tek Allahu.”[17]

2 – Cytjet e shejtanit, Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet ata që u zmbrapsën prej jush ditën e ndeshjes së dy grupeve, ata vetëm shejtani i shtyu të rrëshqasin me disa punë të tyre që i bënë, po Allahu ua fali atyre gabimin. Allahu është Mëkatfalës i madh dhe shumë i Butë.”[18]

3 – Mosbindja ndaj urdhërave, Allahu i Madhëruar thotë: “E kur juve ju goditi një dështim (në Uhud), e që ju ia patët dhënë atë dyfish (në Bedër), thatë: Prej nga na erdhi kjo? Thuaj ajo është nga vetë ju. S’ka dyshim se Allahu është i Plotfuqishëm për çdo send.”[19]

Faktorët e qëndrueshmërisë

1 – Strehimi tek Allahu. Të shumta janë ajetet në këtë sure që dëshmojnë se besimtari kërkon strehim tek Allahu i Madhëruar duke iu lurur Atij me përgjërim. Allahu i Madhëruar thotë: “Zoti ynë, mos na shmang zemrat tona pasi na ke udhëzuar dhe na jep mëshirën Tënde! Vërtet, Ti je Dhuruesi i Madh!”[20] E në fund të sures, i Madhëruari thotë: “Zoti ynë, atë që Ti e fut në Zjarr, me të vërtetë e ke poshtëruar. Dhe për keqbërësit nuk ka ndihmues. Zoti ynë, ne dëgjuam një thirrës që thërriste në besim: ‘Besoni në Zotin tuaj!’ – dhe ne besuam. Zoti ynë, na i fal mëkatet, na mbulo të këqijat tona dhe na bëj të vdesim me të drejtët. Zoti ynë, na jep atë që na premtove përmes të Dërguarve Tu dhe mos na turpëro Ditën e Kiametit. Vërtet, Ti nuk e thyen premtimin.”[21]

2 – Adhurimi i Allahut. Në këtë sure ka plot shembuj që tregojnë për adhurimin e njerëzve të mirë, si për shembull në rastin e adhurimit të Merjemes, Allahu i Madhëruar thotë: “Zoti i saj e pranoi atë me pranimin më të mirë, e rriti me një rritje të bukur dhe ia besoi kujdesin Zakarias. Sa herë që Zakaria hynte në faltore për ta parë, gjente pranë saj ushqim. Ai tha: “O Merjeme, nga të erdhi kjo?” Ajo tha: “Është nga Allahu. Allahu i furnizon kë të dojë pa masë.”[22] Apo si rasti i adhurimit që kryente Profeti i Allahut, Zekerijai (a.s). Allahu i Madhëruar thotë: “Atëherë engjëjt e thirrën ndërsa ai (Zekerijai) po lutej në faltore: “Allahu të jep lajmin e mirë për Jahjanë, që do të vërtetojë një fjalë nga Allahu, do të jetë udhëheqës, i përmbajtur dhe profet nga të drejtët.”[23]

3 – Ftesa në rrugë të Allahut që është një prej faktorëve kryesorë të qëndrueshmërisë. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe le të ketë prej jush një grup që thërret për mirë, urdhëron për të drejtën dhe ndalon nga e keqja. Këta janë të shpëtuarit.”[24] “Ju jeni populli më i mirë që është nxjerrë për njerëzimin: urdhëroni për të drejtën, ndaloni nga e keqja dhe besoni në Allahun.”[25]

4 – Qartësia e objektivit. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që e përmendin Allahun në këmbë, ulur dhe të shtrirë, dhe meditojnë për krijimin e qiejve dhe tokës, duke thënë: “Zoti ynë, Ti nuk e ke krijuar këtë kot. I Lartësuar je Ti! Na ruaj nga ndëshkimi i Zjarrit.”[26]

5 – Vëllazëria. Kjo sure i ka kushtuar një rëndësi të veçantë vëllazërisë në Islam për hatër të Zotit. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe kapuni të gjithë fort pas litarit të Allahut dhe mos u përçani! Përkujtoni mirësinë e Allahut ndaj jush, kur ishit armiq dhe Ai bashkoi zemrat tuaja, dhe u bëtë vëllezër me mëshirën e Tij. Dhe ishit në buzë të greminës së zjarrit dhe Ai ju shpëtoi prej tij. Kështu Allahu jua shpjegon shpalljet e Tij që të udhëzoheni.”[27] “Mos u bëni si ata që u përçanë dhe u ndanë pasi u erdhën shenjat e qarta. Ata do të kenë dënim të madh.”[28]

Si i bën të qëndrueshëm (në besim) sureja Ali Imran besimtarët?

1 – Forcimi i besimit të myslimanëve para debatit. Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu dëshmon se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Tij, dhe po kështu edhe engjëjt dhe ata që kanë dijeni. Ai qëndron gjithmonë me drejtësi. Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Tij, të Plotfuqishmit, të Urtit. Feja e vetme e pranuar te Allahu është Islami. Ata që u është dhënë Libri, pas dijes që u erdhi, patën zili mes tyre. Kush nuk beson në shpalljet e Allahut, ta dijë se Allahu është i shpejtë në llogari. Nëse ata polemizojnë me ty, thuaj: “Unë ia kam përkushtuar vetveten Allahut, dhe ata që më ndjekin gjithashtu.” Dhe thuaju atyre që u është dhënë Libri dhe analfabetëve: “A keni pranuar Islamin?” Nëse e pranojnë, atëherë janë udhëzuar, por nëse kthejnë shpinën, ty të takon vetëm komunikimi. Allahu i sheh robërit e Tij.”[29]

2 – Gjetja e pikave të përbashkëta midis myslimanëve dhe ithtarëve të Librit. Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: O ithtarë të Librit! Ejani te një fjalë e përbashkët mes nesh e jush: që të mos adhurojmë askënd përveç Allahut, të mos i bëjmë Atij shok dhe që të mos marrim njëri-tjetrin për zotër, në vend të Allahut. Nëse ata kthehen, thuaj: Dëshmoni se ne jemi myslimanë.”[30] “Thuaj: “Ne i besojmë Allahut, asaj që na është shpallur neve dhe asaj që iu shpall Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe pasardhësve të tij, dhe asaj që iu dha Musait, Isait dhe profetëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë dallim mes tyre dhe Ne jemi të dorëzuar ndaj Tij.”[31]

3 – Argumentet dhe dëshmitë janë mjet i Kuranit për qëndrueshmërinë e besimtarit në rrugën e drejtë. Ndër bazat e dialogut dhe diskutimit, pas asaj që u përmend më parë, është vendosja e argumenteve logjike dhe mendore për të bindur ata me të cilët diskutojmë. Allahu i Madhëruar thotë: “Shembulli i Isait para Allahut është si shembulli i Ademit. Ai e krijoi nga dheu, pastaj i tha: “Bëhu!” – dhe ai u bë.”[32] “O ithtarë të Librit! Pse polemizoni për Ibrahimin, ndërkohë që Teurati dhe Inxhili nuk ishin zbritur ende? A nuk kuptoni? Ju jeni ata që polemizonit për atë që keni dijeni, por pse polemizoni për atë që nuk keni dijeni? Allahu e di, e ju nuk e dini.”[33]

4 – Drejtësia në mënyrën se si duhet me i trajtuar ithtarët e Librit. Allahu i Madhëruar: “Ndër ithtarët e Librit ka nga ata që, nëse u beson një pasuri të madhe, ta kthejnë me besnikëri. Por ka edhe të tillë që, nëse u beson një dinar, nuk ta kthejnë veçse nëse qëndron mbi ta. Kjo, sepse ata thonë: Ne nuk kemi përgjegjësi për ata që nuk janë hebrenj. Por ata flasin gënjeshtra për Allahun me vetëdije.”[34] “Jo të gjithë janë njësoj. Nga ithtarët e Librit ka një grup që është i drejtë, që lexon shpalljet e Allahut natën dhe bien në sexhde.”[35]

5 – Lavdërimi i profetëve që u janë dërguar hebrenjve dhe të krishterëve. Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu zgjodhi Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit dhe familjen e Imranit mbi gjithë njerëzit”[36]

Një fakt tejet i rëndësishëm që ne e hasim në këtë sure është krahasimi midis aspektit sipërfaqësor të çështjeve dhe realitetit apo thelbit të tyre.

Ndoshta ajeti kuranor: “Ai është që ta zbriti ty Librin e që në të ka ajete të qarta dhe ato janë bazë e Librit, e ka të tjerë që nuk janë krejtësisht të qartë”[37] është tregues i boshtit të lartpërmendur.

Këtë fakt të sures ne hasim shpeshherë, si në rastet e mëposhtme:

Në këtë sure është Allahu i Madhëruar ka treguar se një pjesë e ajeteve të Kuranit janë krejtësisht të paqarta, kurse një pjesë e tyre janë nuk janë krejtëisht të paqarta. Ata të cilët janë zemrat e tyre priren për nga e pavërteta rendin pas ajeteve të paqarta. Kurse ata që janë të thelluar në dijeni besojnë se të gjitha ajetet janë të shpallura nga Allahu.[38]

Mosbesimtarët i kushtojnë rëndësi të madhe grumbullimit të shumtë të pasurisë dhe që të kenë sa më shumë fëmijë, sakaq, e vërteta është se këto nuk vlejnë tek Allahu në Ditën e Kijametit.[39]

Faraoni u mbështet tek forca, pushteti dhe autoritet i tij, sakaq, e vërteta është se e gjithë forca dhe i gjithë pushteti është vetëm i Allahut të Madhëruar.[40]

Burrat janë të dhënë pas bukurive të kësaj bote; prej grave, fëmijëve, arit, argjendit, kuajve të bukur, bagëtive dhe arave të lëruara, sakaq e vërteta është se ajo ç’ka Allahu i Madhëruar ka përgatitur për besimtarët në Xhenet është shumë herë më e mirë.[41]

Njerëzit janë të lidhur fort pas shkaqeve sipërfaqësore të pushtetit dhe krenarisë, sakaq e vërteta është se Allahu i Madhëruar ia je ato të dyja kujt të dojë dhe ia heq kujt të dojë.[42]

Gruaja e Imranit dëshironte shumë që fëmija që mbarte të ishte djalë (kjo në aspektin sipërfaqësor), sakaq, e vërteta është se fëmija që lindi ishte vajzë, një ndër gratë – absolutisht – më të mira se të gjithë gratë e tjera që ka parë historia e njerëzimit.[43]

Në dukje, Zekerija (r.a) nuk mund të lindte fëmijë për shkak se ai ishte i thyer në moshë dhe gruaja e tij ishte shterpë, mirëpo në realitet, Allahu i Madhëruar i dhuroi Atij një fëmijë, gjë e cila dëshmon se Allahu me vullnetin e Tij bën çfarë të dojë.[44]

Duke qenë se Allahu i Madhëruar e krijoi Isain (a.s) pa baba, të krishterët besuan se ai është biri i Zotit, vetë Zoti ose besuan në trinitet, mirëpo e vërteta qëndron krej ndryshe sepse Isai (a.s) është njeri, që ha dhe pi si gjithë të tjerët.[45]

Në fillim të betejës së Uhudit muslimanët kujtuan se triumfuan, por e vërteta qëndron se ndihma vjen prej Allahut të Madhëruar.[46]

Të krishterët – në lidhje me Profetin Isa (a.s) – krijuan raport të zhdrejtë duke e konsideruar  atë zot, kurse Allahu i Madhëruar i urdhëron muslimanët të krijojnë një raport të drejtë në lidhje me Profetin Muhamed (a.s) duke e konsideruar atë si profet i Zotit.[47]

Hebrenjtë janë shumë të lidhur pas jetës së kësaj bote, ndërkohë që jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër vetëm se një përjetim mashtrues.[48]

E duke qenë se njerëzit – për nga natyra – janë të lidhur me gjërat sipërfaqësore që janë të prekshme, atëherë Allahu i Madhëruar i orienton ata që të meditojnë rreth krijesave të Tij, meditim i cili i nxit drejt besimit dhe të vërtetës. Allahu i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës dhe të ditës, ka shenja për ata që kanë arsye, për ata që e përmendin Allahun duke qëndrua në këmbë, ndjenjur ose shtrirë dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë): O Zoti ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto, i lartësuar qofsh nga çdo e metë. Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i Zjarrit.”[49]

Autor: Elton Harxhi

[1] – Sure Ali Imran: 1 – 2.

[2] – Sure Ali Imran: 6.

[3] – Sure Ali Imran: 18.

[4] – Sure Ali Imran: 62.

[5] – Sure Ali Imran: 64.

[6] – Sure Ali Imran: 19.

[7] – Sure Ali Imran: 20.

[8] – Sure Ali Imran: 52.

[9] – Sure Ali Imran: 64.

[10] – Sure Ali Imran: 67.

[11] – Sure Ali Imran: 80.

[12] – Sure Ali Imran: 83.

[13] – Sure Ali Imran: 85.

[14] – Sure Ali Imran: 102.

[15] – Sure Ali Imran: 3.

[16] – Sure Ali Imran: 200.

[17] – Sure Ali Imran: 14.

[18] – Sure Ali Imran: 155.

[19] – Sure Ali Imran: 165.

[20] – Sure Ali Imran: 8.

[21] – Sure Ali Imran: 192 – 194.

[22] – Sure Ali Imran: 37.

[23] – Sure Ali Imran: 39.

[24] – Sure Ali Imran: 104.

[25] – Sure Ali Imran: 110.

[26] – Sure Ali Imran: 191.

[27] – Sure Ali Imran: 103.

[28] – Sure Ali Imran: 105.

[29] – Sure Ali Imran: 18 – 20.

[30] – Sure Ali Imran: 64.

[31] – Sure Ali Imran: 84.

[32] – Sure Ali Imran: 59.

[33] – Sure Ali Imran: 65-66.

[34] – Sure Ali Imran: 75.

[35] – Sure Ali Imran: 113.

[36] – Sure Ali Imran: 33.

[37] – Sure Ali Imran: 7.

[38] – Sure Ali Imran: 7.

[39] – Sure Ali Imran: 10.

[40] – Sure Ali Imran: 11.

[41] – Sure Ali Imran: 14.

[42] – Sure Ali Imran: 26.

[43] – Sure Ali Imran: 36.

[44] – Sure Ali Imran: 40.

[45] – Sure Ali Imran: 55.

[46] – Sure Ali Imran: 126.

[47] – Sure Ali Imran: 144.

[48] – Sure Ali Imran: 185.

[49] – Sure Ali Imran: 190 – 191.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.