Tefsiri tematik i sures Bekare

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Surja Bekare është surja më e gjatë e Kuranit dhe e dyta për nga renditja. Ajo ka 286 ajete dhe është një sure e cila është shpallur në Medine. Tefsirin tematik të sures Bekare do ta trajtoj në disa pika: 1 – Emrat e sures Bekare, 2 – Vlerat e sures Bekare, 3 – Boshti kryesor i sures Bekare, 4 – Objektivat kryesore të sures Bekare, 5 – Tematikat e sures Bekare, 6 – Bashkërendimet e sures Bekare dhe 7 – Orientimet hyjnore në suren Bekare.

1 – Emrat e sures Bekare:

A – Bekare

Emri më i njohur i kësaj sure është “Bekare” që do të thotë “Lopa”, ngase në këtë sure është përmendur ngjarja e lopës, në të cilën Allahu i Madhëruar – nëpërmjet profetit Musa (a.s) – i urdhëroi Benu Israilët të therrnin një lopë.

Me këtë emër e ka emërtuar Profeti (a.s), i cili ka thënë: “Kush lexon në mbrëmje dy ajetet e fundit të sures Bekare do t’i mjaftojnë ato atij.”[1]

B – Zehra

Një emër tjetër me të cilën kjo sure përshkruhet është edhe përshkrimi që i ka bërë Profeti (a.s): “Zehra” që do të thotë “dritë”. Profeti (a.s) ka thënë: “Lexojini dy “Zehratë-dritat”; suren Bekare dhe suren Ali Imran!”

2 – Vlerat e sures Bekare:

A – Nder dhe krenari për lexuesin e saj

 Abasi (r.a) ka thënë: “Në betejën e Hunejnit isha bashkë me të Dërguarin e Allahut (a.s) mbi mushkën, të cilën ia kishte dhuruar El Xhudhami. Kur muslimanët e braktisën fushëbetejën, i Dërguari i Allahut më tha: O Abas! Thirri bartësit e Semuresë dhe bartësit e sures Bekare që të kthehen në fushëbetejë. Unë kisha zë të lartë, prandaj edhe Profeti (a.s) më urdhëroi të thërrisja. E unë fillova të thërras: O bartësit e Semuresë, o bartësit e sures Bekare!”[2]

Ky lloj epiteti “bartës të sures Bekare” vazhdoi të jetë i tillë edhe pas vdekjes së Profetit (a.s). Madje ky lloj epiteti u bë simbol i atyre personave që e dinin këtë sure. Uruete ibn Zubejr ka thënë: “Në betejën që u zhvillua kundër Musejlemesë, motoja e shokëve të Profetit (a.s) ishte “o bartësit e sures Bekare.”[3]

B – Maja dhe kulmi i Kuranit

Profeti (a.s) ka thënë: “Çdo gjë e ka kulmin e saj dhe kulmi (maja) i Kuranit është sure Bekare. Kush e lexon atë, ditën në shtëpinë e tij, shejtani nuk ka për të hyrë në shtëpinë e tij për tre ditë.”[4]

C – Shejtani largohet nga ajo shtëpi në të cilën lexohet sure Bekare

Profeti (a.s) ka thënë: “Mos i ktheni shtëpitë e juaja në varreza! Vërtet shejtani largohet nga ajo shtëpi në të cilën lexohet sure Bekare.”[5]

D – Zbritja e engjëjve

Usejd ibn Hudejri (r.a) tregon se “Një natë kur po lexonte suren Bekare, pranë tij ishte edhe kali që ishte i lidhur. Kur papritur kali filloi të turfullonte rreth e përqark. Usejdi heshti së lexuari dhe kali pushoi. Pastaj ai vazhdoi të lexonte dhe kali filloi të turfullonte rreth e përkark. Usejdi pushoi së lexuari dhe kali pushoi. Pastaj ai vazhdoi të lexonte dhe kali filloi të turfullonte rreth e përqark. Ai e ndali (përfundimisht) leximin dhe shkoi tek djali i tij, Jahja, i cili ishte pranë kalit. Usejdi pati frikë se mos kali e shtypte atë. Kur e mori djalin, çoi kokën lart në qiell dhe pa diçka si ombrellë me ca gjëra ndriçuse si drita, e cila u zhduk dhe ai nuk e pa më. Kur u gdhi dita, ai shkoi te i Dërguari i Allahut (a.s) dhe e njoftoi, e ai (a.s) i tha: “A e di se çfarë ishte ajo?” Jo, o i Dërguar i Allahut – u përgjigj ai. I Dërguari i Allahut tha: Ato ishin engjëjt të cilat ishin afruar për të dëgjuar zërin tënd (të bukur) dhe po të kishe vazhduar të këndoje deri në agim, ajo re do të kishte mbetur atje (në qiell) e njerëzit do ta shikonin, sepse ajo nuk do të largohej prej tyre.”[6]

E – Lexuesi i saj e meriton të jetë drejtues i një bashkësie

Ebu Hurejra (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut dërgoi një grup njerëzish në një ekspeditë. Ai (a.s) filloi t’i pyeste njerëzit se sa dinin nga Kurani. Derisa i erdhi rradha njërit, i cili ishte më i ri ndër ta. I Dërguari i Allahut (a.s) e pyeti: O filan sa di nga Kurani? Ai tha: Di këtë e atë dhe suren Bekare. A e di suren Bekare – e pyeti i Dërguari i Allahut? Po – u përgjigj ai. Nisu! Ti je udhëheqësi i tyre – tha i Dërguari i Allahut.”[7]

F – Mbrojtës në Ditën e Kijametit për lexuesin e saj

Profeti (a.s) ka thënë: “Lexojeni Kuranin, sepse ai është ndërmjetsues për lexuesin e tij në Ditën e Kijametit. Lexojini dy “Zehratë-dritat”; suren Bekare dhe suren Ali Imran, sepse në Ditën e Kijametit këto dy sure do të paraqiten si dy mjegulla, si dy re (për t’ju bërë hije) ose si dy krahët e shpendit për të mbrojtur lexuesit e tyre. Pastaj ai tha: Lexojeni suren Bekare, sepse mësimi i saj përmendësh është begati, lënia e saj është dëshpërim dhe ithtarët e të kotës nuk e dëmtojnë atë.”[8]

G – Emri më madhështor i Allahut gjendet në këtë sure

I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Emri më madhështor i Allahut, nëpërmjet të cili njeriu i drejtohet Allahut në lutje dhe Ai i përgjigjes asaj gjendet në tre sure: Sure Bekare, Sure Ali Imran dhe Sure Taha. E ky emër është “El Hajju – I Përjetshmi” dhe “El Kajjumu – Mbajtësi i gjithçkaje”[9]

H – Lexuesi i saj konsiderohej i rëndësishëm në mesin e sahabëve

Enes ibn Malik (r.a) ka thënë: “Kur dikush lexonte suren Bekare dhe Ali Imran konsiderohej me peshë në mesin tonë.”[10]

I – Mbartësi i saj konsiderohet dijetar

I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Ai njeri i cili i mbart (i di dhe i studion) shtatë suret e para të Kuranit është dijetar.”[11]

3 – Boshti kryesor i sures Bekare:

Megjithëse sure Bekare është surja më e gjatë e Kuranit, boshti kryesor për të cilën flet kjo sure është unik dhe krejtësisht i qartë. Boshti kryesor i sures Bekare është: “Zbatimi i ligjeve të Zotit në tokë midis atyre të cilëve nuk i zbatuan dhe atyre që i zbatuan.”

Ky bosht ka lidhje me të gjitha tematikat të cilat trajtohen në këtë sure.

4 – Objektivat kryesore të sures Bekare:

1 – Rëndësia e madhe që i është kushtuar çështjeve të besimit. Surja Bekare trajton themelet bazë të besimit, argumentet e njësimit të Zotit dhe argumentet e ringjalljes.

2 – Realiteti i Benu Israilëve, qëndrimi i tyre ndaj profetëve të Zotit dhe thirrjes islame në Medine.

3 – Sqarimi i shumë prej rregullave të legjislacionit islam.

5 – Tematikat e sures Bekare:

Në lidhje me tematikat e sures Bekare mund t’i ndajmë në tematika në rrafsh horizontal[12] dhe tematika në rrafsh vertikal[13]:

5.1 – Tematikat në rrafsh horizontal

Kushdo që e studion këtë sure do të vërejë se ligjërimi dhe tematikat për të cilat flet kjo sure përbëhen nga “Parathënia”, “Përmbajtja” dhe “Epilogu”.

A – Parathënia[14]

Parathënia përbëhet nga dy objektiva kryesore të cilat lidhen me njëra-tjetrën:

Objektivi i parë: Në këtë objektiv të parathënies së sures trajtohet fakti se Kurani është Libri i Allahut, të cilin Allahu i Madhëruar ia shpalli Profetit Muhamed (a.s) për t’i udhëzuar njerëzit në rrugën e drejtë. Në lidhje me marrjen për bazë të Kuranit si udhërrëfyes në rrugën e drejtë, njerëzit ndahen në tre kategori: besimtarë, mosbesimtarë dhe munafikë (hipokritë).

Objektivi i dytë: Në këtë objektiv të parathënies së sures trajtohet fakti se njerëzit janë të obliguar për të ndjekur programin (ligjin) hyjnor.

Dhe “Parathënia” e sures mbyllet me historinë e krijimit të Ademit (a.s) si mëkëmbës i Allahut në tokë, misioni i të cilit është të zbatojë ligjet e Allahut në tokë.

B – Përmbajtja[15]

Përmbajtja përbëhet nga dy boshte kryesore:

Boshti i parë:[16] Ligjërimi i drejtohet Benu Israilëve, të cilët nuk iu përmbajtën ligjeve të Zotit dhe si rrjedhojë e humbën të drejtën për të qenë mëkëmbës të Allahut në tokë. Ky bosht përbëhet nga parathënia dhe katër fragmente:

a – parathënia: [17]

Përkujtim dhe qortim për Benu Israilët. Përkujtim për mirësitë e shumta që Allahu i Madhëruar i dha Benu Israilëve dhe qortim për ta për shkak se ata i urdhëruan njerëzit të bënin vepra të mira, sakaq e harruan veten e tyre.

b – fragmenti i parë:[18]

Situatat dhe momentet që Benu Israilët kanë kaluar me Profetin Musa (a.s). Ky fragment flet për Benu Israilët kur ishin në Egjipt dhe pasi dolën prej andej. Mirësinë e Allahut ndaj tyre duke i shpëtuar nga zgjedha e Faraonit. Mirësitë e ndryshme që Allahu i dha atyre kur ishin në shkretëtirë. Në këtë fragmet është trajtuar kundërshtimi i banorëve të Ditës së Shtunë, ashtu sikur është trajtuar edhe historia e lopës: zvarritja e Benu Israilëve për të zbatuar urdhërin e Allahut. Dhe në fund flet për ashpërsinë e zemrave të tyre.

c – fragmeti i dytë:[19]

Qëndrimi i Benu Israilëve ndaj Profetit Muhamed (a.s) dhe muslimanëve. Ky fragment flet për reagimet negative të Benu Israilëve ndaj besimit në profetësinë e Muhamedit (a.s) dhe ndaj besimtarëve. Në shumë ajete kuranore është folur për moralin e tyre të keq: shpifjet dhe smirën e tyre ndaj besimtarëve. Dhe në fund, Benu Israilëve ju bëhet thirrje të besojnë në besimin islam.

d – fragmenti i tretë:[20]

Thirrja e profetit Ibrahim (a.s) dhe mohimi i shpifjes ndaj besimit të tij nga fetë e mëparshme qiellore. Ky fragment flet për prijësinë e Ibrahimit (a.s) dhe se ai nuk ishte veçse musliman, në besimin e pastër dhe nuk ishte idhujtar. Po ashtu Ibrahimi (a.s) i këshilloi pasardhësit  e tij që të ishin me besim të pastër, të mos ishin idhujtarë dhe të ishin muslimanë. Të njëjtën rrugë ndoqën Jakubi (a.s) dhe të gjithë profetët e tjerë pas tij. Po ashtu ky fragment flet edhe për ndërtimin e Qabes si një parapërgatije për ajetet në vijim.

e – fragmenti i katërt:[21]

Zhvendosja e kibles dhe prijësisë në fe nga Benu Israilët tek Umeti musliman. Ky fragment flet për ndryshimin e kiblës. Në fillim Profeti (a.s) dhe sahabët faleshin duke u drejtuar për nga xhamia Aksa, kurse më pas Allahu i Madhëruar – përmes këtij fragmenti – i urdhëron të ndryshojnë drejtim, pikërisht nga Qabja. Ajetet flasin për dyshimet që hodhën Benu Israilët për ndryshimin që ndodhi. E Allahu i Madhëruar i rrëzoi të gjitha këto dyshime duke i forcuar zemrat e muslimanëve. Më pas ajetet vijuese janë parapërgatitje për muslimanët, të cilët duhet të mbartin mbi supe amanetin që iu ngarkua nëpërmjet xhihadit dhe durimit.

Boshti i dytë:[22] Ligjërimi i drejtohet muslimanëve nëpërmjet zbatimit të një sërë rregullave dhe dispozitave fetare dhe kjo është pjesa e dytë e sures. Ky bosht përbëhet nga parathënia dhe shtatë fragmente.

a – parathënia:[23]

Përkujtim për Umetin musliman se Allahu është Ai i cili e meriton të adhurohet. Në këtë parathënie flitet për idhujtarët të cilët adhurojnë idhujt në vend të Allahut, ndërkohë që Allahu i Madhëruar u kujton njerëzve të mirat e shumta që u ka dhënë dhe se vetëm Ai e meriton të adhurohet. Parathënia flet edhe për dënimin në Zjarr të rabinëve të cilët i ndryshuan ligjet e Zotit në Tevrat.

b – fragmenti i parë:[24]

Sqarimi i disa rrugëve të mirësisë. Ky fragment flet se mirësi është të besosh tek Allahu, engjëjt, libri dhe pejgamberët. Mirësi është të japësh nga pasuria që të ka dhënë Allahu. Mirësi është të falësh namazin e të japësh zekatin. Mirësi është t’i përmbahesh rregullave të moralit dhe sjelljes së mirë. Ky është morali i të devotshmëve.

c – fragmenti i dytë:[25]

Sqarimi  dhe obligimi i disa rregullave dhe dispozitave fetare. Ky fragment flet për obligimin e dëmshpërblimit në rast vrasje. Obligimin e lënies së testamentit. Obligimin e agjërimit të muajit të Ramazanit. Kujdesin nga ngrënia e pasurisë së palejuar. Obligimin e luftës dhe disa rregullave të saj. Obligimin e kryerjes së haxhit dhe kryerjen e Umres.

d – fragmenti i tretë:[26]

Modele njerëzore dhe porosi hyjnore. Ky fragment flet për atë kategori njerëzish që bëjnë shkatërrime në tokë ashtu sikur flet për atë kategori njerëzish të cilët për hatër të Zotit flijojnë veten duke synuar kënaqësinë e Tij. Në këtë fragment përmenden edhe ithtarët e Librit, të cilët pasi u erdhi e Vërteta, patën kundërshti mes veti. Disa prej porosive hyjnore të përmendura në këtë fragment: Porosia për të hyrë në Islam tërësisht. Porosia për të dhënë nga pasuria prindërve, të afërmëve, jetimëve, të varfërve, etj. Porosia për të kuptuar se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe. Porosia për dëmin e verës dhe bixhozit.

e – fragmenti i katërt:[27]

Sqarimi i rregullave dhe dispozitave të familjes. Ky fragment flet rreth urdhërit hyjnor për mos t’u martuar me idhujtar/e derisa të besojë në një Zot. Moskryerja e marrëdhënieve intime kur gratë janë në periudhën e të përmuajshmeve. Disa rregulla të betimit. Shkurorëzimi dhe rregullat të cilat duhet të kihen parasysh. Përgjegjësia e prindërve për fëmijët e tyre në periudhën e gjidhënies. Lënia e testamentit, etj.

f – fragmenti i pestë:[28]

Tregime dhe rrëfenja të ndryshme. Ky fragment flet për tregimin e Talutit me Xhalutin, tregimin e Ibrahimit (a.s) me Nemrudin, tregimin e Uzejrit dhe tregimin e Ibrahimit rreth ringjalljes së të vdekurve. Në këtë fragmet ndodhet edhe ajeti kursij.

g – fragmenti i gjashtë:[29]

Shpenzimi në rrugë të Allahut. Ky fragment flet rreth sadakasë e cila duhet të jepet për hatër të Zotit, flet për shpërblimin e atij që e jep, për normat dhe etikat e dhënies së sadakasë.

h – fragmenti i shtatë:[30]

Ruajtja e pasurisë nga harami. Ky fragment flet për kamatën, ndalimin e përdorimit të saj dhe rrezikun e madh që i pret përdoruesit i saj. Në këtë fragment flitet për borxhin dhe normat dhe etikat që duhet të ndiqen. Ajeti 282, ajeti i borxhit është ajeti më i gjatë në Kuran.

C – Epilogu[31]

Surja Bekare përmbyllet me ajetet të cilat flasin për cilësitë e atyre që e meritojnë të jenë mëkëmbësit e Allahut në tokë. Epilogu i sures Bekare mbyllet me ajetet që flasin se gjithçka ka në qiej dhe në tokë është e Allahut. Ata të cilët e meritojnë të jenë mëkëmbës të Allahut në tokë duhet të besojnë tek Allahu, engjëjt, librat dhe profetët e Zotit duke mos bërë dallim në asnjërin prej profetëve. Motoja e tyre është: “Dëgjuam dhe respektuam urdhrin.” I kërkojnë falje Zotit sepse kthimi do të jetë tek Ai. Urdhrat e Zotit për mëkëmbësit e Tij në tokë janë brenda mundësive dhe kapaciteve të tyre, prandaj detyrë e tyre është që t’i respektojnë ato. E mund të ndodhë që ata ndonjëherë edhe mund të gabojnë, por cilësi e tyre kryesore është se ata i drejtohen Allahut me përgjërimin, bindje dhe përulësi që t’i falë, t’i mëshirojë dhe t’i ndihmojë kundra popullit mosbesimtar.

5.2 – Tematikat në rrafsh vertikal

Disa nga tematikat në rrafsh vertikal më të spikatura të sures Bekare janë:

a – Çështjet e besimit:

Padyshim që në këtë sure trajtohen çështjet e besimit: besimi te Allahu, engjëjt, librat, profetët dhe dita e gjykimit. Po ashtu përmendet se Ai që e meriton të adhurohet është vetëm Allahu.

b – Ringjallja e të vdekurve:

Në suren Bekare, Allahu i Madhëruar ka treguar disa raste të ringjalljes në kohë dhe vende të ndryshme.

Allahu na tregon rreth ringjalljes së atyre njerëzve nga Benu Israilët të cilët – me kryeneçësi – kërkuan prej Musait (a.s) për të parë Allahun, e Allahu i ndëshkoi me një shkreptimë rrufeje nga e cila vdiqën dhe më pas Allahu i ringjalli.[32]

Allahu na tregon rreth ringjalljes së personit të vrarë përmes një pjese të lopës së therrur.[33]

Allahu na tregon rreth ringjalljes së mijërave njerëzve të cilët lanë shtëpitë e tyre. Allahu ua mori jetën dhe pastaj i ringjalli.[34]

Allahu na tregon rreth ringjalljes së atij personit (Uzejrit), i cili vdiq dhe Allahu e ringjalli pas 100 vjetësh.[35]

Allahu na tregon rreth ringjalljes së shpendëve, kur Ibrahimi (a.s) kërkoi prej Allahut që t’ia tregonte se si Ai i ringjallte të vdekurit.[36]

c – Tregimet dhe rrëfenjat e ndryshme:

Tregimi i  krijimit të Ademit.

Tregimi i banorëve të ditës së Shtunë.

Tregimi i lopës së Benu Israilëve.

Tregimi i Harutit dhe Marutit.

Ngjarja e ndryshimit të Kibles.

Rrëfenjat e ndryshme të Ibrahimit (a.s): ndërtimi i qabes, porosia që ai i dha djemve, diskutimi me Nemrudin, ringjallja e shpendëve.

Tregimi i Talutit dhe Xhalutit.

Tregimi i Uzejrit.

d – Personazhet:

Të shumtë janë personazhet që janë përmendur në sure, por do të mjaftohem vetëm me përmendjen e më kryesorëve:

Profetët: si Ademi (a.s), Nuhu (a.s), Ibrahimi (a.s), Ismaili (a.s), Is’haku (a.s), Jakubi (a.s), Musai (a.s), Daudi (a.s), Sulejmani (a.s) dhe Isai (a.s).

Engjëjt: Engjëjt në përgjithësi, Xhibrili (a.s), Mikaili[37] (a.s), Haruti (a.s) dhe Maruti (a.s)[38].

Xhindët: Iblisi dhe shejtanët.

Kategoritë e njerëzve: Besimtarët, hipokritët, mosbesimtarët, Benu Israilët, njerëzit e mirë dhe të këqinj, mbretërit, komandantët e ushtrisë.

Gjallesat e tjera: lopa, viçi, mushkonja, zogjtë.

Dukuritë natyrore: bubullima, rrufeja, shiu, jeta, vdekja, krijimi i qiellit.

e – Dhuntitë që Allahu i Madhëruar i dha Benu Israilëve:

Allahu i Madhëruar i shpëtoi Benu Israilët nga mizoria e Faraonit dhe popullit të tij.

Allahu i Madhëruar e ndau përgjysmë detin për Benu Israilët të cilët e përshkuan rrugën shëndoshë e mirë.

Allahu i Madhëruar e pranoi pendimin dhe i fali Benu Israilët të cilët patën adhuruar viçin.

Allahu i Madhëruar i shpalli Musait (a.s) Tevratin në mënyrë që ata të udhëzohen në rrugë të drejtë.

Allahu i Madhëruar i ringjalli ata të cilët vdiqën nga rrufeja.

Allahu i Madhëruar bëri që retë t’u bënin hije Benu Israilëve kur ishin në shkretëtirë.

Allahu i Madhëruar i furnizoi Benu Israilët me rrëshirë dhe shkurtëza kur ishin në shkretëtirë.

Allahu i Madhëruar bëri që nga guri të shpërthenin 12 burime uji kur ata (Benu Israilët) ishin në shkretëtirë.

e – Cilësitë negative të Benu Israilëve:

Allahu i Madhëruar na tregon në Kuranin Fisnik se Benu Israilët kanë qenë populli i përzgjedhur i Allahut. Mirëpo me kalimin e viteve ata e humbën këtë të drejtë për shkak se i thyen dhe i kundërshtuan urdhrat e Allahut të Madhëruar, ku si moto të tyre kishin shprehjen: “Dëgjuam, por kundërshtojmë”. Në suren Bekare, Allahu i Madhëruar na tregon për këtë natyrë mëkatare të tyre. Më poshtë po rendis disa prej cilësive të tyre negative:

1 – Fshehja e të Vërtetës. Allahu i Madhëruar thotë: “Mos e përzieni të vërtetën me të pavërtetën dhe të vërtetën mos e fshihni me vetëdije.”[39]

2 – Atë që e thonin nuk e vepronin. Allahu i Madhëruar thotë: “Vallë a i urdhëroni njerëzit që të bëjnë të mira e veten po e harroni, ju që lexoni Shkrimet?! A nuk arsyetoni?”[40]

3 – Adhurimi i viçit. Allahu i Madhëruar thotë: “Kujtoni kur i caktuam Musait dyzet net për takimin me të, e pastaj ju adhuruat viçin, duke vepruar si keqbërës.”[41]

4 – Guxim i tepruar i shoqëruar me arrogancë. Allahu i Madhëruar thotë: “Kujtoni kur i thatë Musait: O Musa! Ne nuk do të të besojmë ty, derisa të shohim Allahun haptazi!”[42]

5 – Ndryshimi i fjalëve të Zotit. Allahu i Madhëruar thotë: “Kujtoni kur thamë: Hyni në këtë qytet dhe hani ç’të doni dhe sa të dëshironi, por duke hyrë në qytet, përuluni në sexhde dhe thoni: “Falna” që Ne t’jua falim gabimet. Atyre që bëjnë vepra të mira, Ne jua shtojmë shpërblimin. Por keqbërësit e ndryshuan fjalën që iu tha me një fjalë tjetër.”[43]

6 – Mosmirënjohës ndaj mirësive të Allahut. Allahu i Madhëruar thotë: “Kujtoni kur thatë: O Musa! Ne nuk mund të kënaqemi vetëm me një lloj ushqimi, prandaj lutju për ne Zotit tënd të na dhurojë nga ato që jep toka; perime, tranguj, thjerrëza, qepë dhe hudhra.”[44]

7 –  Mohimi dhe vrasja e të Dërguarve të Allahut. Allahu i Madhëruar thotë: “Kjo ndodhi, sepse ata i mohonin shpalljet e Allahut dhe i vrisnin të dërguarit pa kurrfarë të drejte.”[45]

8 – Mosrespektimi i urdhrit të Ditës së Shtunë. Allahu i Madhëruar thotë: “Sigurisht që keni dëgjuar për ata që nuk respektuan urdhrin e Ditës së Shtunë.”[46]

9 – Mosmarrja me seriozitet e urdhrit të Zotit. Allahu i Madhëruar thotë: “Kujtoni kur Musai i tha popullit të vet: Allahu ju urdhëron të therrni një lopë! Ata thanë: A po tallesh me ne?!”[47]

10 – Ngurtësimi i zemrave. Allahu i Madhëruar thotë: “Por, pas kësaj zemrat tuaja u forcuan e u bënë si guri, madje edhe më të forta.”[48]

11 – Shtrembërimi i fjalëve të Allahut. Allahu i Madhëruar thotë: “Mjerë ata që me duart e tyre shkruajnë Librin, e pastaj thonë: Kjo është prej Allahut që për këtë  të kenë një ndonjë dobi të vogël. Mjerë pë rata çfarë kanë shkruar me duart e tyre dhe mjerë ata për çfarë kanë fituar.”[49]

12 – Të folurit pa dijeni. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata thonë: Zjarri do të na prekë vetëm ca ditë të numëruara. Thuaju: A keni marrë për këtë ndonjë zotim prej Allahut, kështu që Ai nuk do ta shkelë kurrë zotimin e vet, apo po shpifni kundër Allahut gjëra që nuk i dini.”[50]

13 – Kthimi i shpinës duke mos iu përmbajtur besëlidhjes. Allahu i Madhëruar thotë: “Kujtoni kur Ne morëm besën tuaj, o Benu Israilë, se do të adhuroni vetëm Allahun, do të silleni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët dhe të varfrit, do t’u thoni fjalë të mira njerëzve, do të falni namazin e do të jepni zeqatin. Mirëpo më pas ju ia kthyet shpinën (besëlidhjes), përveç një pakice prej jush.”[51]

14 – Mohimi i një pjese të Librit. Allahu i Madhëruar thotë: “A e besoni një pjesë të Librit, e tjetrën e mohoni.”[52]

15 – Këmbimi i kësaj bote me botën tjetër. Allahu i Madhëruar thotë: “Këta janë ata që jetën e kësaj bote e kanë blerë me jetën e ardhshme.”[53]

16 – Përgënjeshtrimi i profetëve. Allahu i Madhëruar thotë: “Sa herë që ndonjë i dërguar ju sillte atë që nuk ju pëlqente, ju kapërdiseshit, prandaj disa i quajtët gënjeshtarë e disa i vratë.”[54]

17 – Mohimi i Kuranit. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe, kur një Libër (Kurani) që vërtetonte Shkrimet e tyre, u erdhi atyre nga Allahu, ndonëse përpara luteshin për ndihmë kundër jobesimtarëve, pra, kur u erdhi ajo që e dinin se është e vërtetë, ata e mohuan atë.”[55]

18 – Motoja e tyre ishte: “Dëgjuam, por kundërshtojmë”. Allahu i Madhëruar thotë: “Kur morëm besën tuaj dhe ngritëm mbi ju malin e Turit, thamë: Merreni seriozisht atë që ju kemi dhënë dhe dëgjoni! Ju thatë: Ne dëgjuam, por kundërshtojmë.”[56]

19 – Armiq të engjëjve. Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaju (o Muhamed) atyre që janë armiq të Xhebrailit, se ai ka zbritur Kuranin në zemrën tënde me lejen e Allahut..Kush është armik i Allahut, i engjëjve të Tij, i të dërguarve të Tij, i Xhebrailit dhe Mikailit, ta dijë se Allahu është armik i jobesimtarëve.”[57]

20 – Shpifja ndaj Sulejmanit (a.s). Allahu i Madhëruar thotë: “E ata shkuan pas shpifjes që bënë djajtë kundër mbretërisë së Sulejmanit, E Sulejmani nuk ishte mohues, por djajtë ishin mohues.”[58]

21 – Mosdëshirimi i të mirës për besimtarët. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që mohojnë, si ithtarët e Librit, ashtu edhe paganët, nuk dëshirojnë që t’ju zbresë ndonjë e mirë nga Zoti juaj.”[59]

22 – Nuk janë të kënaqur derisa ti të ndjekësh fenë e tyre. Allahu i Madhëruar thotë: “As hebrenjtë, as të krishterët nuk do të jenë të kënaqur me ty, derisa të pasosh fenë e tyre.”[60]

23 – Zmbrapsja nga lufta. Allahu i Madhëruar thotë: “E kur ata u obliguan me luftë, u zmbrapsën, me përjashtim të një pakice.”[61]

24 – Refuzimi i meritokracisë së Talutit. Allahu i Madhuar thotë: “Profeti i tyre u tha: Allahu ka dërguar Talutin si mbretin tuaj. Ata thanë: Si mund të bëhet ai mbreti ynë, kur ne kemi më tepër merita se ai për të sunduar?!”[62]

25 – Mosdurimi ndaj sprovës. Allahu i Madhëruar thotë: “Kur Taluti u nis për luftë bashkë me ushtrinë, u tha atyre: Allahu do t’ju provojë me një lumë. Kush pi ujë në të, nuk është ushtari im. Ndërsa kush nuk pi ujë në të, ose kënaqet vetëm me një grusht ujë, është ushtari im. Por të gjithë pinë, përveç një pakice.”[63]

26 – Disfatizmi dhe demoralizimi. Allahu i Madhëruar thotë: “Pasi ai me ata (ushtarë) që ishin besimtarë kaluan lumin, shumë prej tyre thanë: Ne sot nuk kemi fuqi të luftojmë  me Xhalutin dhe ushtrinë e tij.”[64]

f – Rregullat dhe dispozitat fetare:

Në suren Bekare trajtohen një sërë rregullash dhe dispozitash fetare. Në këtë sure trajtohen:

Rregullat dhe dispozitat fetare e shpenzimit në rrugë të Allahut të Madhëruar.

Rregullat dhe dispozitat fetare e marrjes së mekamit të Ibrahimit si vendfalje.

Rregullat dhe dispozitat fetare e drejtimit nga Kibla.

Rregullat dhe dispozitat fetare rreth namazit dhe zekatit.

Rregullat dhe dispozitat fetare rreth Safasë dhe Mervasë, të cilat janë prej riteve të Allahut të Madhëruar.

Rregullat dhe dispozitat fetare rreth agjërimit dhe muajit të Ramazanit.

Rregullat dhe dispozitat fetare e thyerjes së premtimit të Allahut.

Rregullat dhe dispozitat fetare të Haxhit dhe Umres.

Rregullat dhe dispozitat fetare të alkolit dhe bixhozit.

Rregullat dhe dispozitat fetare rreth kamatës.

Rregullat dhe dispozitat fetare rreth menstruacioneve.

Rregullat dhe dispozitat fetare rreth jetimëve dhe kujdesit ndaj tyre.

Rregullat dhe dispozitat fetare rreth familjes dhe divorcit.

Rregullat dhe dispozitat fetare se në fe nuk ka imponim.

g – Shembujt:

Në suren Bekare janë përmendur nëntë shembuj:

Shembulli i parë: Allahu i Madhëruar thotë: “Shembulli i tyre është si shembulli i atij që ndez një zjarr dhe posa ai ndriçon vendin përreth tij, Allahu ua shuan dritën atyre dhe i lë në errësira, dhe aty nuk shohin.”[65]

Shembulli i dytë: Allahu i Madhëruar thotë: “Ose shembulli i tyre është si ndonjë shi rrebesh që zbret prej qiellit, i cili shoqërohet me errësirë, bubullimë e vetëtimë. E prej frikës së vdekjes nga rrufeja, ata vendosin gishtat në veshët e tyre. Po Allahu është rrethues i mosbesimtarëve.”[66]

Shembulli i tretë: Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu nuk ngurron të marrë çfarëdo shembulli, qoftë mushkonjë a diçka edhe më e imët se ajo..”[67]

Shembulli i katërt: Allahu i Madhëruar thotë: “Shembulli i thirrësit të atyre që nuk besuan është sikurse i atij bariu që lëshon britmë atyre (bagëtive) që nuk dëgjojnë tjetër vetëm se britmë e zë (e nuk kuptojnë). Ata janë të shurdhër, memecë e të verbër, e ata nuk kuptojnë.”[68]

Shembulli i pestë: Allahu i Madhëruar thotë: “Shembulli i pasurisë së atyre që e japin në rrugën e Allahut është si një kokërr prej të cilës mbijnë shtatë kallinj, ndërsa në secilin kalli ka nga njëqind kokrra. Allahu i shumëfishon (shpërblimin) atij që dëshiron. Allahu është Bujar i Madh, i di qëllimet.”[69]

Shembulli i gjashtë: Allahu i Madhëruar thotë: “Shembulli i tij është si një gur i madh e i lëmuar mbi të cilin ka pak dhe, e kur e godet atë një shi i madh e lë të zhveshur..”[70]

Shembulli i shtatë: Allahu i Madhëruar thotë: “E shembulli i atyre që pasurinë e vet e japin nga bindja e tyre e duke kërkuar kënaqësinë e Allahut, i përngjan një kopshti në një rrafshnaltë që bie shi i madh e ai jep fruta të dyfishtë. Po edhe nëse nuk bie shi i madh, i bie një rigë (që i mjafton). Allahu sheh atë që e veproni.”[71]

Shembulli i tetë: Allahu i Madhëruar thotë: “A dëshiron ndonjëri prej jush ndonjë kopësht me hurma e rrush në të cilin rrjedhin lumenj, në të cilin ka nga të gjitha frutet, e atë (pronarin e kopshtit) ta ketë kapur pleqëria dhe ai të ketë pasardhës të mitur, e atë kopshtin ta godasë ndonjë stuhi me zjarr e ta djegë.”[72]

Shembulli i nëntë: Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që e hanë kamatën nuk ngrihen ndryshe pos siç ngrihet i çmenduri nga të prekurit e djallit..”[73]

6 – Bashkërendimet e sures Bekare:

A – Bashkërendimi midis fillimit dhe fundit të sures:

1 – Në fillim të sures, Allahu i Madhëruar i përshkruan njerëzit e devotshëm se besojnë në botën e fshehtë duke thënë: “.. të cilët besojnë në botën e fshehtë..”[74]. E në fund të sures Allahu i Madhëruar i përshkruan ata si besimtarë duke thënë: “I dërguari beson në atë që i është shpallur dhe po ashtu edhe besimtarët..”[75]

2 – Në fillim të sures, Allahu i Madhëruar lavdëron të devotshmit duke thënë: “..udhëzim për të devotshmit, të cilët besojnë në botën e fshehtë, e falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne.”[76]  Kurse në fund të sures Allahu i Madhëruar tregon se ata të cilët i ka lëvduar në fillim të sures janë umeti musliman. Allahu i Madhëruar thotë: “..po ashtu edhe besimtarët, të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij.. ata thonë: Ne dëgjojmë dhe bindemi..”[77]

3 – Në fillim të sures, Allahu i Madhëruar thotë: “..dhe që me bindje i besojnë jetës tjetër.”[78] kurse në fund të sures, Allahu i Madhëruar thotë: “Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti Ynë dhe te Ti do të kthehemi.”[79]

4 – Në fillim të sures, Allahu i Madhëruar tregon se besimtarët e devotshëm gëzojnë dy cilësi të mira: e falin namazin dhe japin nga ajo që Allahu ju ka dhënë, duke thënë: “e falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne.”[80] Kurse në fund të sures, Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që besojnë dhe kryejnë vepra të mira, falin namazin dhe japin zeqatin, do të kenë shpërblim te Zoti i tyre dhe nuk do të kenë pse të frikësohen apo pikëllohen.”[81]

5 – Në ajetet e para të sures Allahu i Madhëruar ka folur për besimtarët, mosbesimtarët dhe munafikët dhe po ashtu në ajetet e fundit të sures Allahu i Madhëruar thotë: “Ti je Zoti Ynë, prandaj na jep fitore ndaj atyre që nuk besojnë.”[82] Kjo është tregues se beteja midis besimtarëve dhe mosbesimtarëve do të jetë e përhershme.

6 – Në fillim të sures, Allahu i Madhëruar flet për cilësitë e të devotshmëve, kurse në fund të sures flet për lutjen që ata bëjnë kundra mosbesimtarëve. Kjo është tregues i qartë se devotshmëria është shkak prej shkaqeve të ndihmës hyjnore.

B – Bashkërendimi i sures Bekare me suren Fatiha

1 – Në suren Fatiha, lexojmë lutjen e besimtarëve të cilët kërkojnë prej Allahut të Madhëruar që t’i begatojë. Allahu i Madhëruar thotë: “Udhëzona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi..”[83] E Allahu i Madhëruar i është përgjigjur kësaj lutje në suren Bekare. Allahu i Madhëruar thotë: “Që të plotësoj mirësinë Time ndaj jush dhe që ju të shkoni në udhë të drejtë.”[84]

2 – Surja Bekare ka sqaruar atë ç’ka është thënë në suren Fatiha në mënyrë konçize.

a – Në suren Fatiha në mënyrë konçize Allahu i Madhëruar ka thënë: “Çdo lavdërim i përket Allahut”[85] kurse në suren Bekare, në disa ajete, Allahu i Madhëruar ka sqaruar se si besimtarët duhet ta lavdërojnë dhe madhërojnë Atë nëpërmjet lutjes. Allahu i Madhëruar thotë: “Prandaj, më kujtoni Mua që Unë t’ju kujtoj dhe falëndëromëni Mua e mos i mohoni dhuntitë e Mia.”[86] “Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose veprojmë pa qëllim! Zoti ynë mos na ngarko barrë të rëndë, ashtu si i ngarkove para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko me diçka që nuk e bartim! Na i shlyej gjynahet tona, na i fal ato dhe na mëshiro! Ti je Zoti ynë. Prandaj na jep fitore kundër atyre që nuk besojnë.”[87]

b – Në suren Fatiha në mënyrë konçize Allahu i Madhëruar ka thënë: “Zoti i botëve.”[88]kurse në suren Bekare e ka sqaruar këtë duke thënë: “O njerëz! Adhurojeni Zotin tuaj, i Cili ju ka krijuar ju nga dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat, i Cili ka bërë për ju tokën shtresë dhe qiellin ndërtesë, i Cili prej së larti zbret ujë dhe nëpërmjet tij bën që të rriten fruta si ushqim për ju. Prandaj mos sajoni me vetëdije zota të barabartë me Allahun.”[89]

c – Në suren Fatiha në mënyrë konçize Allahu i Madhëruar thotë: “Vetëm ty të adhurojmë”[90] Kurse në suren Bekare janë përmendur një sërë adhurimesh si rregullat e pastërtisë, hajzit, drejtimit nga kibla, namazit, zekatit, agjërimit, itikafit, haxhit, umres, sadakasë, tregtisë, trashëgimisë, testamentit, martesës, divorcit, dëmshpërblimit,etj.

d – Në suren Fatiha në mënyrë konçize Allahu i Madhëruar thotë: “Vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”[91] Kurse në suren Bekare, Allahu i Madhëruar ka folur për pendimin, falenderimin, mbikqyrjen, frikën ndaj Zotit, etj.

e – Në suren Fatiha në mënyrë konçize, Allahu i Madhëruar thotë: “Udhëzona në rrugë të drejtë.”[92] Kurse në suren Bekare në ajete të ndryshme Allahu i Madhëruar ka folur për udhëzimin që është rruga e profetëve dhe e besimtarëve të devotshëm. Në fillim të sures Bekare, Allahu i Madhëruar flet për cilësitë e besimtarëve të devotshëm të cilët janë të udhëzuar. Allahu i Madhëruar thotë: “Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit, të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne; dhe për ata që besojnë në atë që të është shpallur ty (o Muhamed), në atë që është shpallur përpara teje dhe që me bindje i besojnë jetës tjetër. Ata janë udhëzuar në rrugë të drejtë nga Zoti i tyre dhe pikërisht ata janë të shpëtuarit.”[93]

f – Në suren Fatiha në mënyrë konçize Allahu i Madhëruar thotë: “Jo në rrugën e atyre me të cilët Ti je zemëruar”[94]e ata me të cilët Allahu i Madhëruar është zemëruar janë Benu Israilët ku boshti i parë i sures flet në mënyrë të detajuar për shkaqet e zemërimit të Zotit me Benu Israilët.

7 – Orientimet hyjnore

Padyshim që të gjitha ajetet e Kuranit janë udhëzime dhe orientime hyjnore, por unë do të ndalem vetëm tek disa prej tyre:

1 – Kurani është libër udhëzimi. Allahu i Madhëruar thotë: “Udhëzues për të devotshmit.”[95]

2 – Ai që është i sëmurë në zemër ka devijuar nga rruga e drejtë. Allahu i Madhëruar thotë: “Zemrat e tyre janë të sëmura.”[96]

3 – Zjarri është ndëshkimi i atyre që e meritojnë. Allahu i Madhëruar thotë: “E mos e paçit bërë, e as që do ta bëni kurrë, atëherë ruajuni zjarrit, lëndë e të cilit janë njerëzit dhe gurët, që është përgatitur për mosbesimtarët.”[97]

4 – Xheneti është shpërblimi i besimtarëve dhe punëmirëve. Allahu i Madhëruar thotë: “E përgëzoi ata që besuan dhe bënë vepra të mira se ata do të jenë në Xhenete, në të cilët rrjedhin lumenj.”[98]

5 – Rëndësia dhe vlera e dijes. Allahu i Madhëruar thotë: “E Ai (Zoti) ia mësoi Ademit të gjithë emrat e sendeve.”[99]

6 – Mëndjemadhësia është ndër mëkatet më të mëdhaja. Allahu i Madhëruar thotë: “Ai (Iblisi) refuzoi dhe u tregua mëndjemadh.”[100]

7 – Shejtani e nxit njeriun për të rënë në mëkat. Allahu i Madhëruar thotë: “Po shejtani bëri që ata të dy të mashtrohen dhe i nxori nga ajo e mirë që ishin në të.”[101]

8 – Allahu e pranon pendesën e atij që pendohet. Allahu i Madhëruar thotë: “E Ademi prej Zotit të vet pranoi disa lutje, prandaj Ai e fali. S’ka dyshim se Ai është Mëshiruesi, Pendimpranuesi.”[102]

9 – Përkujtimi i të mirave të Zotit. Allahu i Madhëruar thotë: “Kujtoni të mirat e Mia të cilat ua dhurova.”[103]

10 – Është mëndjelehtësi të urdhërosh të tjerët për mirë dhe të harrosh veten. Allahu i Madhëruar thotë: “A po urdhëroni njerëzit për punë të mira, e veten tuaj po e harroni?!”[104]

11 – Shenjë e përkushtimit në namaz është të kujtuarit e takimit me Allahun. Allahu i Madhëruar thotë: “Kërkoni ndihmë me durim dhe namaz, vertetë ajo është e madhe për atë që kanë frikë Zotin. Të cilët janë të bindur se do të takojnë Zotin e vet.”[105]

12 – Në Ditën e Kijametit nuk të bën dobi vetëm se vepra jote e mirë. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe frikësojuni Ditës kur askush nuk do të mund të bëjë asgjë për askënd.”[106]

13 – Serioziteti është një prej shkaqeve të suksesit. Allahu i Madhëruar thotë: “Merreni seriozisht atë që ju dhamë!”[107]

14 – Të tallesh me të tjerët është injorancë, veprim të cilin të mençurit nuk e veprojnë. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata thanë: A do të tallesh me ne? Allahut i mbështetem  të më ruaj e të mos bëhem nga injorantët.”[108]

15 – Zemra e njeriut mund të ndryshojë nga çasti në në çast, prandaj është shumë e domosdoshme lutja drejtuar Allahut për të na ruajtur në fenë e Tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Edhe pas (fakteve të qarta) zemrat tuaja u bënë të forta si guri, e edhe më të forta, sepse ka nga gurët prej të cilëve gufojnë lumenj, e ka disa prej tyre që çahen dhe prej tyre buron ujë, madje ka prej tyre që nga frika ndaj Zotit rrokullisen tatëpjetë. Allahu nuk është i pakujdesshëm ndaj asaj që ju veproni.”[109]

16 – Çdo mëkat buron nga një farë e mbjellur në zemër. Allahu i Madhëruar thotë: “Për shkak të mohimit, atyre u ishte rrënjosur në zemra dashuria për adhurimin e viçit.”[110]

17 – Smira dhe zilia është shkak i shkatërrimit të ziliqarit në Dynja dhe Ahiret. Allahu i Madhëruar thotë: “Shumë nga ithtarët e Librit, prej zilisë që kanë në vete, dëshirojnë që t’ju kthejnë nga besimi në mosbesim.”[111]

18 – Të jesh shembull dhe model për njerëzimin është dhuratë hyjnore. Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu i tha (Ibrahimit): Unë do të bëj ty imam (prijës) të njerëzve.”[112]

19 – Të mbështeturit fort te Allahu është burim force dhe qetësie. Allahu i Madhëruar thotë: “Por Allahu të mjafton ty kundër atyre.”[113]

20 – Disa nevoja kryhen edhe nëse nuk flet, e rëndësishme është të flasë zemra. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne të pamë ty që vazhdimisht drejtoje shikimin nga qielli. Mirë pra, Ne do të kthejmë ty nga kibla që të kënaq ty.”[114]

21 – Sado i aftë që të jesh, ti gjithmonë ke nevojë për ndihmën e Allahut, i Cili të ka dhënë çelësin e ndihmës. Allahu i Madhëruar thotë: “O besimtarë! Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit!”[115]

22 – Sprova është ligj hyjnor që vjen në forma të ndryshme. Allahu i Madhëruar thotë: “Sigurisht që Ne do t’ju sprovojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave.”[116]

23 – Durimi është veprimi i duhur gjatë sprovës. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe përgëzoji besimtarët!”[117]

24 – Njeriu duhet të jetë i kënaqur me atë që ka caktuar Allahu në rast sprove. Allahu i Madhëruar thotë: “të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: Të Allahut jemi dhe te Ai do të kthehemi.”[118]

25 – Fshehja e dijes është një prej krimeve më të shëmtuara. Allahu i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë ata që fshehin shpalljet Tona të qarta, pasi ua kemi shpjeguar njerëzve në Libër, do të mallkohen nga Allahu dhe ata që janë të ngarkuar për t’i mallkuar.”[119]

26 – Jo domosdoshmërisht parardhësit janë në të drejtë. E drejta qëndron tek ato fjalë dhe veprime që janë në përputhje me sheriatin. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata (idhujtarët) thonë: Jo, ne ndjekim atë rrugë në të cilën i gjetëm prindërit tanë! Edhe sikur prindërit e tyre të mos kenë kuptuar dhe mos të jenë të udhëzuar në rrugë të drejtë.”[120]

27 – Falenderimi është adhurim. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe falenderoni Allahun, nëse jeni që vetëm Atë e adhuroni.”[121]

28 – Kryerja e obligimeve nuk do të thotë lodhje dhe stërmundim. Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësi për ju.”[122]

29 – Pyet, sepse pyetja është nëna e diturisë. Allahu i Madhëruar thotë: “Të pyesin për ty për hënën e  re.”[123]
30 – Furnizoju për këtë botë, por mos harro furnizimin e vërtetë. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe përgatituni me furnizim për rrugë, e furnizimi është devotshmëria.”[124]

31 – Mospranimi i këshillës është shenjë e mëndjemadhësisë. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe kur i thuhet atij: Ki frikë Allahun! Atë e kap euforia për punë mëkati.”[125]

32 – Fitimi i kënaqësisë së Allahut është synimi kryesor. Allahu i Madhëruar thotë: “Ka nga njerëzit, i cili për hir të Allahut flijon veten për hir të Allahut duke synuar kënaqësinë e Tij.”[126]

33 – Jo çdo ndryshim është i lëvduar. Allahu i Madhëruar thotë: “E kush ndryshon të mirën e Allahut pasi t’i ketë ardhur ajo, s’ka dyshim se ndëshkimi i Allahut është i ashpër.”[127]

34 – Të qënurit e mosbesimtarëve mbi besimtarët në këtë dynja nuk është kriter vlerësimi. Allahu i Madhëruar thotë: “Atyre që nuk besuan iu është bërë e hijshme jeta e kësaj bote dhe tallen me ata që besuan. Por ata që u ruajtën (besimtarët) do të jenë më lart se ata në Ditën e Kijametit.”[128]

35 – Rrugën për në Xhenet e kanë ndjekur edhe të tjerët para nesh, prandaj ne duhet të dimë rrugën që ata ndoqën. Allahu i Madhëruar thotë: “Po ju menduat se do të hynit në Xhenet pa u provuar edhe ju me shembullin e atyre që ishin para jush, të cilët i patën goditur skamjet e vuajtjet dhe qenë tronditur.”[129]

36 – Dhurata më e madhe është të fitosh mëshirën e Allahut. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që besuan, u shpërngulën dhe luftuan në rrugën e Allahut, ata meritojnë të shpresojnë në mëshirën e Tij.”[130]

37 – Njeriu duhet të tregohet me moral dhe sjellje të mirë edhe në rast grindje dhe konflikti. Allahu i Madhëruar thotë: “Ose jetë e njerëzishme ose shkurorëzim me mirëkuptim.”[131]

38 – Shenjë e devotshmërisë është mbrojtja e të drejtës së të tjerëve, veçanërisht ndaj të pafuqishmëve dhe të dobtëve. Allahu i Madhëruar thotë: “Për të devotshmit  është detyrim që edhe gratë e lëshuara të bëjnë një furnizim të zakonshëm.”[132]

39 – Pasuria nuk është gjithçka dhe nuk është kriter vlerësimi. Allahu i Madhëruar thotë: “Si mund të jetë ai sunduesi ynë, kur ne kemi më shumë merita se ai për sundim, madje ai edhe nuk është i pasur. Ai (profeti) tha: “Allahu e zgjodhi atë sunduesin tuajin dhe e pajisni me dituri të gjerë e me fuqi trupore.”[133]

40 – Lutja është arma e besimtarit në momentet më të vështira, madje edhe në fushëbetejë. Allahu i Madhëruar thotë: “E kur i dualën përballë Xhalutit dhe ushtrisë së tij thanë: Zoti ynë! Na dhuro durim! Na i përforco këmbët tona dhe na ndihmo kundër jobesimtarëve.”[134]

41 – Ligji i përplasjes midis të vërtetës dhe të kotës është shkak për ndërprerjen e shkatërrimit në tokë. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe sikur Allahu të mos i mbronte njerëzit me disa prej të tjerëve, do të shkatërrohej toka..”[135]

42 – Shansi që të jepet për të bërë një punë të mirë duhet shfrytëzuar sepse ai nuk kthehet mbrapa. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që keni besuar! Jepni nga ajo me ç’ka Ne ju kemi furnizuar para se të vijë një ditë kur nuk do të ketë as shitblerje, as miqësi e as ndërmjetsim.”[136]

43 – Vepra e mirë rrezikon të prishet nëse nuk jepet ashtu siç duhet. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju të cilët keni besuar! Mos i prishni lëmoshat tuaja duke ua kujtuar ato (atyre që ua keni dhënë) dhe duke vepruar..”[137]

44 – Frika nga varfëria e pengon njeriun të japë lëmoshë, gjë të cilën shejtani e shfrytëzon. Allahu i Madhëruar thotë: “Djalli ju frikëson me skamje e varfëri..”[138]

45 – Nuk është pasuria gjithëçka, ka gjëra të tjera edhe më të vlefshme se ajo. Allahu i Madhëruar thotë: “Ai i jep urtësinë (të kuptuarit e Kuranit) kujt të dojë. Cilitdo që i është dhënë urtësia, vërtet që i është dhënë një mirësi e madhe.”[139]

46 – Ngadonjëherë është më e arsyeshme që puna e mirë të jetë e dukshme. Allahu i Madhëruar thotë: “T’i jepni lëmoshat haptazi, është gjë e mirë.”[140]

47 – Ti ke përgjegjësi t’i thërrasësh njerëzit në besim dhe jo t’i udhëzosh ata. Allahu i Madhëruar thotë: “Ti (Muhamed) nuk e ke për detyrë t’i udhëzosh ata në rrugë të drejtë, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dojë në rrugë të drejtë..”[141]

48 – Bereqeti është më i mirë se përfitimi material. Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu ia heq çdo përfitim kamatës, kurse e rrit përfitimin e bamirësisë.”[142]

49 – Çfarëdo që të bësh, ti do të marrësh shpërblimin e duhur për atë që ke vepruar. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe ruajuni asaj Dite që do të ktheheni tek Allahu, kur çdokujt do t’i jepet ajo që ka fituar  dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.”[143]

50 – Që të drejtat midis njerëzve të mbrohen duhet të vendosen ligjet. Allahu i Madhëruar thotë: “O besimtarë! Shkruajeni huanë që ia jepni njëri-tjetrit për një afat të caktuar..”[144]

51 – Motoja e besimtarit është bindja dhe nënshtrimi ndaj Allahut. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata (besimtarët) thonë: “Ne dëgjojmë dhe bindemi. Faljen Tënde kërkojmë o Zoti ynë dhe te Ti do të kthehemi.”[145]

52 – Besimtari vazhdimisht i drejtohet Allahut me lutje. Allahu i Madhëruar thotë: “Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë, ose veprojmë pa qëllim. Zoti ynë, mos na ngarko barrë të rëndë, ashtu si i ngarkove ata para nesh. Zoti ynë mos na ngarko me diçka që nuk mund ta bartim! Na i shlyej gjynahet tona, na i fal ato dhe na mëshiro! Ti je Zoti ynë! Prandaj na jep fitore kundër atyre që nuk besojnë.”[146]

Autor: Elton Harxhi

[1] – Buharit (4753) dhe Muslimi (807).

[2] – Ibn Ebi Hatem (10232).

[3] – Seid ibn Mensur (2908), Ibn Ebi Shejbe në “Mussanef” (33572) dhe Abdur Rezaku në “Mussanef” (9465). Hadithi është Sahih.

[4] – Ibn Hibani (2/109), Ebu Ja’la (13/465) dhe Bejhakiu në “Shuab” (2/453). Zinxhiri i transmetimit është Hasen.

[5] – Muslimi (780).

[6] – Buhariu (5018).

[7] – Sahih Ibn Huzejme (1509), Ibn Hibani (2126), Hakimi (1622) dhe Tirmidhiu (2876). Tirmidhiu ka thënë: Ky hadith është Hasen Garib.

[8] – Muslimi (804).

[9] – Hakimi (1867) dhe Ibn Maxheh (3856). Transmetuesit e këtij hadithi janë të besueshëm.

[10] – Ahmedi. Hadithi është Sahih.

[11] – Hakimi (2070). Transmetuesit e këtij hadithi janë të saktë.

[12] – Me tematikat në rrafsh horizontal kam për qëllim tematikat të cilat trajtohen një e nga një sipas renditjes së ajeteve kuranore nga fillimi deri në fund.

[13] – Me tematikat në rrafsh vertikal kam për qëllim tematikat e përgjithshme që trajtohen në sure por jo sipas renditjes së ajeteve kuranore.

[14] – Nga ajeti 1-39.

[15] – Nga ajeti 40-283.

[16] – Nga ajeti 40-162.

[17] – Nga ajeti 40-48.

[18] – Nga ajeti 49-74.

[19] – Nga ajeti 75-123.

[20] – Nga ajeti 124-141.

[21] – Nga ajeti 142-162.

[22] – Nga ajeti: 163-283.

[23] – Nga ajeti 163-176

[24] – Ajeti 177.

[25] – Nga ajeti 178-203.

[26] – Nga ajeti 204-220.

[27] – Nga ajeti 221-242.

[28] – Nga ajeti 243-260.

[29] – Nga ajeti 261-274.

[30] – Nga ajeti: 275-283.

[31] – Nga ajeti 284-286.

[32] – Ajetet: 55-56.

[33] – Ajeti: 73.

[34] – Ajeti: 243.

[35] – Ajeti: 259.

[36] – Ajeti: 260.

[37] – Xhibrili (a.s) dhe Mikaili (a.s) janë përmendur në ajetin 98.

[38] – Haruti dhe Maruti (a.s) janë përmendur në ajetin 102.

[39] – Ajeti: 42.

[40] – Ajeti: 44.

[41] – Ajeti: 51.

[42] – Ajeti: 55.

[43] – Ajetet: 58-59.

[44] – Ajeti: 61.

[45] – Ajeti: 61.

[46] – Ajeti: 65.

[47] – Ajeti: 67.

[48] – Ajeti: 74.

[49] – Ajeti: 79.

[50] – Ajeti: 80.

[51] – Ajeti: 83.

[52] – Ajeti: 85.

[53] – Ajeti: 86.

[54] – Ajeti: 87.

[55] – Ajeti: 89.

[56] – Ajeti: 93.

[57] – Ajetet 97-98.

[58] – Ajeti: 102.

[59] – Ajeti: 105.

[60] – Ajeti: 120.

[61] – Ajeti: 246.

[62] – Ajeti: 247.

[63] – Ajeti: 249.

[64] – Ajeti: 249.

[65] – Ajeti: 17.

[66] – Ajeti: 19.

[67] – Ajeti: 26.

[68] – Ajeti 171.

[69] – Ajeti 261.

[70] – Ajeti: 264.

[71] – Ajeti: 265.

[72] – Ajeti: 266.

[73] – Ajeti: 275.

[74] – Ajeti: 3.

[75] – Ajeti: 285.

[76] – Ajetet:  2-3.

[77] – Ajeti: 285.

[78] – Ajeti: 4.

[79] – Ajeti: 285.

[80] – Ajetet:  2-3.

[81] – Ajeti: 277.

[82] – Ajeti: 286.

[83] – Fatiha: 6-7.

[84] – Ajeti: 150.

[85] – Fatiha: 1.

[86] – Ajeti: 152.

[87] – Ajeti: 256.

[88] – Fatiha: 1.

[89] – Ajetet: 21-22.

[90] – Fatiha: 5.

[91] – Fatiha: 5.

[92] – Fatiha: 6.

[93] – Ajetet: 1-5.

[94] – Fatiha: 7.

[95] – Ajeti: 2.

[96] – Ajeti: 10.

[97] – Ajeti: 24.

[98] – Ajeti: 25.

[99] – Ajeti: 31.

[100] – Ajeti: 34.

[101] – Ajeti: 36.

[102] – Ajeti: 37.

[103] – Ajeti: 40.

[104] – Ajeti: 44.

[105] – Ajeti: 45-46.

[106] – Ajeti: 48.

[107] – Ajeti: 63.

[108] – Ajeti: 67.

[109] – Ajeti: 74.

[110] – Ajeti: 93.

[111] – Ajeti: 109.

[112] – Ajeti: 124.

[113] – Ajeti: 137.

[114] – Ajeti: 144.

[115] – Ajeti: 153.

[116] – Ajeti: 155.

[117] – Ajeti: 155.

[118] – Ajeti: 156.

[119] – Ajeti: 159.

[120] – Ajeti: 170.

[121] – Ajeti: 172.

[122] – Ajeti: 185.

[123] – Ajeti: 189.

[124] – Ajeti: 197.

[125] – Ajeti: 206.

[126] – Ajeti: 207.

[127] – Ajeti: 211.

[128] – Ajeti: 212.

[129] – Ajeti: 214.

[130] – Aejti: 218.

[131] – Aejti: 229.

[132] – Ajeti: 242.

[133] – Ajeti: 247.

[134] – Ajeti: 250.

[135] – Ajeti: 251.

[136] – Ajeti: 254.

[137] – Ajeti: 264.

[138] – Ajeti: 268.

[139] – Ajeti: 269.

[140] – Ajeti: 271.

[141] – Ajeti: 272.

[142] – Ajeti: 276.

[143] – Ajeti: 281.

[144] – Ajeti: 282.

[145] – Ajeti: 285.

[146] – Ajeti: 286.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *