Tërmeti moment reflektimi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Autor: Elton Harxhi

Tërmeti është fenomen i cili shkaktohet nga çlirimi i papritur i energjisë së grumbulluar, i cili shkakton krijimin e valëve sizmike. Në sipërfaqen e tokës, tërmeti shfaqet në dridhjet ose zhvendosjet e tokës (truallit) dhe nganjëherë edhe në krijimin e dallgëve detare, tsunami. Në të gjitha këto raste, tërmeti mund të shkaktojë dëmtime të mëdha njerëzore dhe materiale.[1]

Zakonisht kur bie tërmet, themi se ai është ndëshkim prej Allahut. Por – në realitet –  ne nuk mund të jemi të sigurtë 100 % se është apo jo ndëshkim prej Allahut, kështu që nuk kemi pse të flasim e të komentojmë për një çështje që nuk është në kompetencën tonë. Megjithatë për disa të vërteta rreth këtij fenomeni, ne mund të flasim me siguri.

Tërmeti është një dukuri natyrore që nuk ndodh rastësisht, por ai ndodh me caktimin e Allahut të Madhëruar, të Gjithdijshmit për çdo hollësi. Allahu i Madhëruar thotë: “Nuk ndodh asnjë fatkeqësi në tokë e as në trupin tuaj e që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfudh), para se të ngjajë ajo, e kjo për Allahun është e lehtë.”[2]

Tërmeti është një shenjë që tregon për forcën dhe fuqinë e Allahut të Madhëruar dhe njëkohësisht tregon dobësinë dhe pafuqinë e njerëzve. Pavarësisht faktit se tërmeti sjell dëme të mëdha në njerëz dhe në materiale, ai mund të jetë edhe një moment reflektimi për të gjallët ashtu sikurse thotë Allahu i Madhëruar në Kuran: “Dhe, Ne do të bëjmë që ata të shijojmë një dënimin më të lehtë (në Dynja) para dënimit të madh (në Ahiret), me qëllim që të kthehen në rrugë të drejtë.”[3]

Tërmeti – padyshim – është një sprovë e madhe që godet të gjithë njerëzit, besimtarë  qofshin ata apo jo. Dhe duke qenë i tillë, ai musliman që vdes për shkak të tij konsiderohet shehid (dëshmor), ai musliman që dëmtohet fizikisht apo materialisht bën durim dhe ngritet në gradë të larta dhe kush shpëton shëndoshë e mirë falenderon Allahun e Madhëruar dhe reflekton.

Tërmeti është një moment reflektimi që tregon se jeta dhe vdekja është në dorën e Allahut të Madhëruar. Njeriu nuk posedon asgjë, gjithçka është pronë e Allahut të Madhëruar. Lum ai njeri që e kalon jetën e tij të mbushur me din dhe iman. Allahu i Madhëruar thotë: “Qoftë i lartësuar Ai, në dorën e të Cilit është pushteti suprem dhe që është i Fuqishëm të bëjë çdo gjë. Ai ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë. Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i madh.”[4]

Tërmeti në këtë botë është një moment reflektimi për besimtarin sepse ai as që mund të krahasohet me atë që do të ndodhë në Ditën e Gjykimit. Allahu i Madhëruar thotë: “Kur të dridhet Toka me dridhjen e saj të fundit, kur të nxjerrë barrët nga brendia e saj, e njeriu të thotë: Ç’po i ndodh asaj? Atë Ditë ajo do të tregojë lajmet e saj, sepse Zoti yt e ka frymëzuar atë.”[5]

Tërmeti është një moment reflektimi për muslimanin i cili falenderon Allahun e Madhëruar që e ka bërë tokën stabile e të qëndrueshme, përndryshe jeta në tokë do të ishte tejet e vështirë. Allahu i Madhëruar thotë: “A nuk jua kemi bërë tokën si shtrat e malet si shtylla.”[6]

Pas tërmetit, tek njerëzit zgjohet ndjenja e solidaritetit, gjithsekush sipas mundësisë. Dikush angazhohet me shpëtimin e të mbijetuarve. E Allahu i Madhëruar thotë:“Kush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e të gjithë njerëzve.”[7]Një tjetër angazhohet duke strehuar të pastrehët, një i tretë duke dhënë sadeka, një i katërt me dua e lutje dhe një i pestë me diçka tjetër. Profeti Muhamed (a.s) ka thënë: “Allahu e ndihmon robin e Tij përderisa ai i vjen në ndihmë vëllaut të tij.”[8]

Pas tërmetit, besimtari i drejtohet Allahut të Madhëruar me lutje e përgjërim. I lutet Allahut të Madhëruar që t’i ketë mëshiruar viktimat, t’ia lehtësojë vuajtjet dhe dhimbjet të gjithë të prekurve prej tij. Besimtari pendohet me gjithë zemër, kthehet tek Allahu dhe e shton sa më shumë istigfarin.

O Zot! Mëshiroji viktimat e tërmetit dhe falua mëkatet. O Zot! Lehtësoja dhimbjet dhe vuajtjet familjarëve të viktimave. O Zot! Strehoji të pastrehët dhe ushqeji të pangrënët. O Zot! Na fal neve, prindërit tanë dhe të gjithë besimtarët e besimtaret në Ditën e Kijametit.

Amin.

[1] – Ky informacion është marrë nga “Wikipedia”

[2] – Sure Hadid: 22.

[3] – Sure Sexhde: 21.

[4] – Sure Mulk: 1-2.

[5] – Sure Zelzele: 1-5.

[6] – Sure Nebe’: 6-7.

[7] – Sure Maide: 32.

[8] – Muslimi.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.