Thirrja e Nuhut (a.s)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Historia e thirrjes islame fillon me thirrjen që profeti i Allahut, Nuhu (a.s) i bëri popullit të tij. Nuhu (a.s) e thirri popullin e tij të besonte në njëshmërinë e Allahut. Të njëjtën gjë vepruan edhe të gjithë profetët e tjerë, të cilët erdhën pas tij.

Nuhu (a.s) është një prej pesë profetëve të vendosur. Madje ai është i pari i tyre. Allahu i Madhëruar thotë në Kuranin Fisnik: “Ai ju përcaktoi për fe atë që ia pat përcaktuar Nuhut, dhe atë që Ne ta shpallëm ty dhe me atë ç’ka e patëm porositur Ibrahimin, Musain dhe Isain. I porositëm ta praktikoni fenë e drejtë e mos u përçani në të. Për idhujtarët është e rëndë kjo në çka ju i thirrni ata. Allahu veçon për të (besimin e drejtë) atë që do dhe e udhëzon në të atë që i drejtohet Atij.”[1]

Allahu i Madhëruar e ka lëvduar Profetin Nuh (a. s) në Kuranin Fisnik duke thënë: “Ju jeni pasardhës të atyre që i mbartëm me Nuhun! Ai ka qenë vërtet një rob mirënjohës.”[2]

Gjithashtu një sure e tërë në Kuranin Fisnik titullohet me emrin e këtij profeti të nderuar.

Nuhu (a.s) paralajmërues i popullit të tij:

Historia dëshmon se populli i Nuhut (a.s) kishte devijuar nga rruga e drejtë dhe në vend që të adhuronte Allahun e Madhëruar kishte filluar të adhuronte idhujt. Në mesin e tyre kanë pasë jetuar disa njerëz të mirë, të cilëve – pas vdekjes së tyre – njerëzit u kishin ngritur përmendore dhe statuja. Me kalimin e viteve shejtani i mashtroi pak e nga pak deri aty sa filluan t’i adhuronin ato në vend të Allahut të Madhëruar. Ibn Abasi ka thënë: “Njerëzit filluan të bënin statuja të disa njerëzve të mirë, emrat e të cilëve ishin Ued, Suua, Jeguth, Jeuk dhe Nesr. Në fillim njerëzit ndërtuan statuja, por nuk i adhuronin. Kur brezi që kishte ndërtuar statujat vdiq, brezi i ri filloi të adhuronte statujat.”[3]

Më pas Allahu i Madhëruar do të dërgonte në mesin e tyre Nuhun (a.s) me misionin e thirrjes së besimit vetëm tek Allahu. Allahu i Madhëruar thotë në Kuranin Fisnik: “Ne e dërguam Nuhun te populli i tij dhe i thamë: Paralajmëroje popullin tënd para se t’i vijë një dënim i dhembshëm. Ai tha: O populli im, unë jam i dërguar i qartë. Adhurojeni Allahun, kini frikë prej Tij dhe mua më dëgjoni. Ai ju fal juve nga mëkatet tuaja dhe ua vazhdon jetën deri në një afat të caktuar, e kur të vijë afati i caktuar prej Allahut, ai nuk shtyhet për më vonë, nëse jeni që e dini.”[4]

Misioni i Nuhut (a.s) dhe të gjithë profetëve të tjerë të cilët u dërguan në popujt e tyre ishte: “Adhurojeni Allahun! Ju nuk keni të adhuruar tjetër përveç Tij.”[5] Gjithashtu Nuhu (a.s) dhe të gjithë profetët e tjerë i kanë paralajmëruar popujt e tyre për ardhjen e Dexhalit. Omer ibn Hatab (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut u ngrit mes njerëzve dhe filloi të lavdëronte Allahun ashtu siç i takon madhështisë së Tij. Më pas ai foli për Dexhalin. Ai tha: Unë po ju paralajmëroj për ardhjen e Dexhalit. Për ardhjen e tij ka paralajmëruar çdo profet popullin e tij. Nuhu e pat paralajmëruar popullin e tij për ardhjen e tij. Unë do t’ju tregoj për një cilësi të Dexhalit, cilësi të cilën profetët e mëparshëm nuk ia kanë treguar popujve të tyre: Dijeni se ai është i verbuar në një sy dhe Zoti juaj nuk është i verbuar.”[6]

Nuhu (a.s) shembull dhe model i thirrjes:

Kushdo që i thërret njerëzit në rrugë të Allahut të Madhëruar, pikë së pari duhet të jetë shembull dhe model i mirë i asaj në të cilën ai thërret. Nuk ka dyshim se shembulli dhe modeli më i mirë i thirrjes janë të Dërguarit e Allahut, ku njëri prej tyre është edhe Nuhu (a.s).

Allahu i Madhëruar e përshkruan Nuhun (a.s) me cilësinë “abd – rob” që nënkupton shkallën më të lartë të pëkushtimit dhe nënshtrimit ndaj Allahut. Allahu i Madhëruar thotë: “Populli i Nuhut që ishte para tyre përgënjeshtroi (të Dërguarin); dhe ata e mohuan robin Tonë.”[7]

Gjithashtu Allahu i Madhëruar e përshkruan Nuhun (a.s) me cilësinë “punëmirë”. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne kështu i shpërblejmë punëmirët, Ai (Nuhu) është vërtet nga robërit Tanë besimtarë.”[8]

  • Nuhu (a.s) shembull dhe model në besim:

Nuhu (a.s) beson se Allahu është Krijuesi. Allahu i Madhëruar thotë: “Ç’është kështu me ju, që nuk e madhëroni Allahun siç duhet, ndërkohë që Ai ju ka krijuar në etapa. A nuk e shihni se si Allahu ka krijuar shtatë qiej njëri mbi tjetrin dhe në të e ka bërë Hënën dritëm, kurse Diellin e ka bërë fener.”[9]

Nuhu (a.s) beson se Allahu është i Gjithëdijshëm. Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu e di më mirë se ç’ka në shpirtrat e tyre.”[10]

Nuhu (a.s) beson se Allahu është Falës dhe Mëshirplotë. Allahu i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë, Zoti im është Falës dhe Mëshirplotë.”[11]

Nuhu (a.s) beson se shpërblimi dhe risku vjen vetëm nga Allahu. Allahu i Madhëruar thotë: “Unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi; mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i botëve.”[12]

Nuhu (a.s) beson në premtimin e Allahut. Allahu i Madhëruar thotë: “Premtimi Yt është i vërtetë.”[13]

Nuhu (a.s) u mbështet tek Allahu. Allahu i Madhëruar thotë: “O populli im, nëse për ju është e rëndë prania ime midis jush dhe që t’ju përkujtoj shenjat e Allahut, dijeni se unë jam mbështetur vetëm tek Allahu.”[14]

Nuhu (a.s) beson në ringjallje. Allahu i Madhëruar thotë: “Llogaria e tyre është vetëm te Zoti im.”[15]

  • Nuhu (a.s) shembull dhe model në fjalë:

Nuhu (a.s) e falendeon Allahun. Allahu i Madhëruar thotë: “Pasardhës të atyre që i bartëm së bashku me Nuhun. Vërtet ai ishte rob shumë falenderues.”[16]

Nuhu (a.s) kërkon mbrojtje prej Allahut. Allahu i Madhëruar thotë: “(Nuhu) tha: O Zoti im, kërkoj mbrojtje prej Teje që mos të kërkoj prej Teje atë për ç’ka nuk kam njohuri.”[17]

Nuhu (a.s) i drejtohet Allahut me lutje. Allahu i Madhëruar thotë: “E ai iu drejtua me lutje Zotit të vet: Unë jam i mundur, prandaj më ndihmo!”[18]

Nuhu (a.s) tregon se anija lundron me emrin e Allahut. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe ai tha: Hipni në të, me emrin e Allahut ajo lundron dhe ndalet.”[19]

  • Nuhu (a.s) shembull dhe model në moral dhe sjellje:

Nuhu (a.s) është prej robërve të mirë. Allahu i Madhëruar thotë: “Atyre që mohuan Allahu ua sjell shembull gruan e Nuhut dhe gruan e Lutit. Ato të dyja ishin në kurorë të dy robërve të mirë nga robërit tanë.”[20]

Nuhu (a.s) është besnik i amanetit që i ishte ngarkuar prej Allahut. Allahu i Madhëruar thotë: “Unë jam për ju pejgamber besnik.”[21]

Nuhu (a.s) është një njeri i dëlirë dhe me norma. Allahu i Madhëruar thotë: “O populli im, unë nuk kërkoj prej jush ndonjë pasuri.”[22]

Nuhu (a.s) është i sjellshëm me prindërit e tij dhe kjo vërehet qartë kur ai lutet për ta me fjalët: “Zoti im më fal mua dhe prindërit e mi.”[23]

  • Nuhu (a.s) shembull dhe model në zbatimin e urdhërit të Allahut të Madhëruar:

Allahu i Madhëruar e urdhëroi Nuhun (a.s)  ta thirrte popullin e tij për tek Allahu, e ai e zbatoi me përpikëri amanetin që iu ngarkua. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne e dërguam Nuhun te populli i tij dhe i thamë: Paralajmëroje popullin tënd para se t’i vijë një dënim i dhembshëm. Ai tha: O populli im, unë jam i dërguar i qartë. Adhurojeni Allahun, kini frikë prej Tij dhe mua më dëgjoni. Ai ju fal juve nga mëkatet tuaja dhe ua vazhdon derën në një afat të caktuar, e kur të vijë afati i caktuar prej Allahut, ai nuk shtyhet për më vonë, nëse jeni që e dini.”[24]

Allahu i Madhëruar e urdhëroi Nuhun (a.s) që të ndërtonte anijen, e ai e zbatoi urdhrin e Tij. Allahu i Madhëruar thotë: “E ndërtoje anijen nën mbikqyrjen Tonë dhe me mësimin Tonë, e mos m’u drejto Mua për ata që mohuan, ata gjithëqysh janë të përmbytur. Dhe ai ndërtonte anijen..”[25]

Metodat dhe format që Nuhu (a.s) përdori në thirrjen e tij:

Allahu i Madhëruar na tregon në Kuranin Fisnik se Nuhu (a.s) përdori një sërë mekanizmash dhe metodash me popullin e tij.

Nuhu (a.s) ishte i qartë në thirrjen e tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne e patëm dërguar Nuhun te populli i vet që t’u thotë: Unë ju tërheq vërejtjen haptazi që të mos adhuroni tjetërkënd përveç Allahut.”[26]

Ligjërimi i Nuhut (a.s) është plot mirsjellje, xhentilesë dhe elokuencë. Ai gjithmonë i drejtohet popullit të tij me fjalët “o populli im” ç’ka nënkupton se ai është prej tyre dhe jo një njeri i huaj.

Nuhu (a.s) e thërret popullin e tij që të meditojë dhe reflekojë rreth krijesave, sepse meditimi e shpie njeriun tek adhurimi i Krijuesit të tyre. Allahu i Madhëruar thotë: “Ç’është me ju që Allahut nuk i shprehni madhërinë që e meriton kur Ai ju krijoi në disa etapa? A nuk e keni parë se si Allahu krijoi shtatë palë qiej. Dhe në ta hënën e bëri dritë, diellin e bëri ndriçues. Dhe Allahu ju shpiku juve prej tokës si bimë. Pastaj ju kthen në të, padyshim ju nxjerr sërish Allahu jua bëri tokën të sheshtë që nëpër të të ecni rrugëve të gjera.”[27]

Nuhu (a.s) ka përdorur metodën e motivimit ashtu sikurse thotë Allahu i Madhëruar: “Adhurojeni Allahun, kini frikë prej Tij dhe mua më dëgjoni, që Ai t’ju falë juve nga gjynahet tuaja dhe t’ju japë afat deri në një kohë të caktuar.”[28] Ai i motivioi me bereqetin që Allahu i jep kujtdo që i kërkon falje Atij, ashtu sikurse thotë Allahu i Madhëruar: “Unë i thashë: Kërkoni falje Zotit tuaj se ai vërtet është që fal shumë, ju lëshon nga qielli shi me bollëk, ju shumon pasurinë dhe fëmijët dhe ju jep kopshte dhe lumenj.”[29]

Nuhu (a.s) e ka paralajmëruar popullin e vet edhe për atë që e pret nëse ata nuk i përgjigjen thirrjes së tij për të adhuruar Allahun dhe për të braktisur adhurimin e idhujve. Allahu i Madhëruar thotë: “Unë kam frikë për ju dënimin e një Dite të dhembshme.”[30]

Nuhu (a.s) e lajmëron poullin e tij se gjithka që ai i thotë të popullit të tij është prej dijes që i ka dhënë Allahu. Allahu i Madhëruar thotë: “Unë di nga Allahu atë që ju nuk e dini.”[31]

Nuhu (a.s) e thirri popullin e tij gjatë ditës. Dhe jo vetëm kaq por ai e thirri atë edhe natën. Gjithashtu ai i thirri ata në publik ashtu sikurse i thirri edhe veç e veç. Në shumë raste ka ngritur edhe zërin. Kjo tregon se ai (a.s) nuk la mjet dhe mënyrë pa përdorur që ta përcillte mesazhin hyjnor tek të gjithë njerëzit. Allahu i Madhëruar thotë: “O Zoti im, unë e thirra vërtet popullin tim natë e ditë.. sa herë që i thirrja për t’i falur ata.. i thirra me zë të lartë.. më pas unë thirrjen ua drejtoja atyre haptazi edhe fshehurazi.”[32]

Reagimi i popullit ndaj thirrjes së Nuhut (a.s):

Allahu i Madhëruar tregon se pjesa dërrmuese e popullit të Nuhut (a.s) e përgënjeshtruan dhe nuk besuan në thirrjen e tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Edhe populli i Nuhut i përgënjeshtroi të dërguarit.”[33]

Allahu i Madhëruar tregon se populli i Nuhut (a.s) solli një sërë argumentesh boshe dhe të pakuptimta si justifikim për mosbesimin e tyre. Ata i thanë Nuhut (a.s): “Ti je një njeri si ne.”  “Ju nuk jeni më të mirë se ne.” “Ti kërkon të jesh mbi ne.” “Një gjë të tillë nuk e kemi dëgjuar ta kenë thënë baballarët tanë.” “Po të donte Allahu do të zbriste engjëj.” “Pasuesit e tu janë njerëz të rëndomtë.”

Allahu i Madhëruar tregon se populli i Nuhut (a.s) shpifi ndaj tij dhe besimtarëve. Ata i thanë Nuhut (a.s): “Ti je në humbje të qartë.” “Ti je i çmendur.” “Ju jeni gënjeshtarë.”

Allahu i Madhëruar tregon se reagimi i popullit të Nuhut (a.s) ndaj thirrjes së tij ishte shumë vulgar dhe i paskrupullt. Kur Nuhu (a.s) i thirri në besim ata i vendosnin gishtat e tyre në vesh për mos ta dëgjuar atë. Dhe jo vetëm kaq, por vulgariteti i tyre arriti deri aty saqë i mbulonin fytyrat e tyre me rroba sepse nuk dëshironin ta shihnin atë. Ata i thanë Nuhut (a.s) se nëse nuk heshtte edhe do ta godisnin.

Aq shumë ishte mërzitur populli me Nuhun (a.s) saqë i tha që ai mos të fliste më. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata i thanë: O Nuh, ti polemizove me ne dhe e zgjate polemikën.”[34]

Populli i Nuhut (a.s) nuk u mjaftua vetëm me faktin se vetë ata nuk ishin besimtarë. Por përveç kësaj paria e vendit porosiste njerëzit që mos ta brakstisnin adhurimim e idhujve dhe thurrën kurthe shumë të mëdha si e si që t’i pengonin njerëzit që ta pranonin thirrjen e Nuhut (a.s). Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe ata (pasanikët) iu kurdisën atyre kurthe shumë të mëdha. Dhe iu thanë: Mos braktisni zotat tuaj kurrsesi, mos braktisnin Uedan, as Suuan, as Jeguthin, Jeukën e Nesrin. Dhe ata i bënë të humbur shumë sish.”[35]

Nga ana tjetër populli, në vend që të dëgjonin dhe t’i bindeshin fjalëve të Nuhut (a.s) dëgjuan dhe ju bindën fjalëve të parisë. Allahu i Madhëruar thotë: “Nuhu tha: Zoti im, ata më kundërshtuan, ata shkuan pas atyre (parisë), të cilëve pasuria dhe fëmijët e tyre vetëm ua shtuan dëshpërimin.”[36]

Me kalimin e viteve njerëzit filluan të porositnin edhe fëmijët dhe pasardhërsit e tyre që mos ta dëgjonin Nuhun (a.s) dhe mos t’i bindeshin thirrjes së tij. Kështu që sa herë që lindte apo vinte një brez i ri ata ishin të destinuar për mos të besuar në thirrjen e tij. Allahu i Madhëruar thotë: “ Zoti im, mos lër mbi tokë anjë jobesimtar, sepse nëse Ti i lë ata, robërit e Tu do t’i humbin dhe prej tyre nuk lind tjetër vetëm të prishur e jobesimtarë.”[37]

Në këtë konteskt vlen të përmendim se një ndikim negativ tek populli ka pasë edhe paria të cilën Allahu i Madhëruar e ka përmendur në shumë ajete kuranore kur ka folur për historinë e Nuhut (a.s).

Po cilat ishin arsyet kryesore që populli i Nuhut (a.s) e mohoi thirrjen e tij?

Allahu i Madhëruar na tregon se ata ishin popull i verbër[38], zullumqar[39], i keq[40], përgënjeshtrues[41], i prishur[42], mëndjemadh[43], imitues të së kotës[44] dhe rebel[45].

Reagimi i Nuhut (a.s) ndaj popullit të tij:

Populli i Nuhut (a.s) hodhi një mori akuzash e shpifjesh kundrejt Nuhut (a.s), të cilave Nuhu (a.s) ju përgjigj me qetësi, qartësi, urtësi dhe mençuri.

Kur ata i thanë Nuhut (a.s) se ti nuk je vetëm se një njeri si ne, ai u përgjigj: “O Populli im, më thuani nëse unë jam i mbështetur në argument të qartë nga Zoti im dhe Ai më dha mëshirë nga ana e Tij, e cila është fshehur nga sytë tuaj, a mund t’ju bëjmë ta pranoni me detyrim (besimin) ndërkohë që ju e urreni atë aq shumë?!”[46]

Kur populli pretendoi se Nuhu (a.s) duhet të ishte engjëll, ai u përgjigj: “Unë nuk po ju them se jam engjëll.”[47] “Unë jam i dërguar prej Zotit të botëve. Unë ua kumtoj juve shpalljet e Zotit.”[48]

Kur populli e akuzoi Nuhun (a.s) se ai ishte në humbje të qartë, ai tha: “O populli im! Unë nuk jam në kurrfarë humbje, por jam i dërguar nga ana e Zotit të gjithësisë.”[49]

Nga konteksti kuranor nënkuptohet se populli e akuzoi Nuhun (a.s) se ai kërkonte prej tyre para, prandaj edhe Nuhu (a.s) tha: “O populli im, unë për këtë nuk kërkoj prej jush ndonjë pasuri, shpërblimi im është vetëm tek Allahu.”[50]

Populli kërkoi prej Nuhut (a.s) që t’i pëzinte besimtarët sepse ata ishin njerëz të rëndomtë. Mirëpo Nuhu (a.s) nuk e pranoi një gjë të tillë. Ja se cila ishte përgjigja e Nuhut (a.s): “Dhe unë kurrësesi nuk i largoj ata që besuan, ata janë afër Zotit të tyre, por unë ju shikoj si një popull që nuk dini e nuk kuptoni. O populli im, a nuk po mendoni se nëse unë i përzë, ata kush do të më mbrojë mua nga Allahu.. Unë nuk ju them atyre, të cilët sytë tuaj i nënçmojnë se Allahu nuk do t’ju japë kurrfarë të mire. Allahu e di më mirë se ç’ka në shpritrat e tyre. Atëherë, sigurisht që do të isha prej të padrejtëve.”[51]

Populli e akuzoi Nuhun (a.s) se ai me thirrjen që po ju bënte atyre dëshironte të ishte më lartë se ta, e thënë ndryshe e akuzuan për mëndjemadh. Por e vërteta qëndron krejt ndryshe, sepse Nuhu (a.s) gjatë gjithë kohës është treguar një njeri i thjeshtë, modest dhe shumë me edukatë.

Populli me qesëndi e shpoti i tha Nuhut (a.s) se duke qenë se ta vazhdimisht po na kundërshton, atëherë le të na godasë ajo që na kërcënon, nëse thua të vërtetën. Kurse Nuhu (a.s) me qetësi iu përgjigj: “Vetëm Allahu do t’jua sjellë atë, nëse dëshiron; e ju Atij nuk mund t’i ikni. Këshilla ime nuk do t’ju bëjë dobi edhe sikur doja t’ju këshilloja, nëse vullneti i Allahut është që t’ju shkatërrojë. Ai është Zotij juaj dhe jut e Ai do të ktheheni.”[52]

Kur populli dhe paria e kërcënoi Nuhun (a.s) se nëse nuk heshtte së polemizuari, do ta godisnin, Nuhu (a.s) me besim dhe bindje të plotë tek Allahu i Madhëruar i sfidoi. Allahu i Madhëruar thotë: Tregoju atyre historinë e Nuhut, kur i tha popullit të vet:O populli im, nëse për ju është e rëndë prania ime midis jush dhe që t’ju përkujtoj shenjat e Allahut, (dijeni se) unë jam mbështetur vetëm tek Allahu! Prandaj, bashkë me idhujt tuaj, vendosni si do të veproni dhe vendimi juaj le të mos fshihet; zbatojeni kundër meje e mos më jepni kohë! – Unë u sfidoj që të përgatiteni me gjithë arsenalin që keni dhe pa hezituar të më vrisni.”[53] Por paria dhe populli nuk e pranuan këtë sfidë, duke e konsideruar si një të marrë. Pas kësaj, do të kalojnë qindra vite, pa besuar në Nuhun (a.s) asnjë nga populli i tij. Çdo brez që vinte ishte më i lig se brezi i mëparshëm. Edhe pse Nuhu (a.s) vazhdonte t’u flasë dhe t’i ftojë, asnjë nuk i besonte dhe nuk i bashkëngjitej karvanit të besimtarëve dhe itharëve të tij. Në një situatë të tillë, Nuhut (a.s) i vjen Xhibrili (a.s) dhe i përcjell një urdhër. Allahu i Madhëruar thotë: Dhe Nuhut iu shpall: Nga populli yt askush nuk do të besojë, përveç atyre që tashmë kanë besuar, andaj mos u pikëllo për atë që bëjnë ata!”[54] Pastaj Allahu i Madhëruar e urdhëron Nuhun (a.s) të ndërtojë anijen.

Kur Nuhu (a.s) filloi të ndërtonte anijen – sipas urdhërit të Allahut – njerëzit filluan ta tallnin dhe ta përqeshnin me lloj-lloj fjalësh. Nuhu (a.s) reagoi ndaj tyre me këto fjalë: “Nëse ju talleni me ne edhe ne do të tallemi me ju, ashtu si po talleni ju dhe, së shpejti, me siguri do ta merrni vesh, kë do ta gjejë dënimi i përhershëm.”[55]

Vetëm pasi Allahu i Madhëruar e lajmëroi Nuhun (a.s) se askush nga populli i tij nuk do të besonte në thirrjen e tij, ai iu lut Atij ta shkatërronte popullin zullumqar. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe Nuhu tha: O Zoti im, mos lër mbi tokë asnjë femohues, sepse nëse Ti i lë, ata do t’i shpien në humbje robërit e Tu dhe do të lindin vetëm kriminelë dhe jobesimtarë.”[56] Në këtë kontkest vlen të përmendim se Nuhu (a.s) iu lut Allahut të Madhëruar ta shkatërronte popullin e tij vetëm pas 950 vitesh mund e përpjekje. Dhe nuk ka asnjë dyshim se ai do ta vazhdonte thirrjen e tij nëse nuk do të ishte njoftuar për vazhdimësinë e mosbesimit të tyre. Po ashtu Nuhu (a.s) e tregon edhe arsyen e vërtetë se përse populli duhej të shkatërrohej: “ata do t’i shpien në humbje robërit e Tu dhe do të lindin vetëm kriminelë dhe jobesimtarë.”

Si i trajtoi Nuhu (a.s) besimtarët?

Të paktë ishin ata njerëz të cilët besuan në thirrjen e Nuhut (a.s). Allahu i Madhëruar thotë: “Por shumë të paktë ishin ata që i kishin besuar atij.”[57]

Nuhu (a.s) i mbajti pranë besimtarët, nuk i largoi nga vetja e tij dhe jo vetëm kaq por ai i motivoi për shpërblimin që Allahu do t’u jepte atyre. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe unë kurrësesi nuk i largoj ata që besuan, ata janë afër Zotit të tyre.. O populli im, a nuk po mendoni se nëse unë i përzë, ata kush do të më mbrojë mua nga Allahu.. Unë nuk ju them atyre, të cilët sytë tuaj i nënçmojnë se Allahu nuk do t’ju japë kurrfarë të mire. Allahu e di më mirë se ç’ka në shpritrat e tyre. Atëherë, sigurisht që do të isha prej të padrejtëve.”[58]

Nuhu (a.s) u lut për besimtarët. Allahu i Madhëruar thotë: “O Zoti im, falmë mua dhe prindërit e mi, si dhe çdo besimtar, që kërkon strehim në shtëpinë time. Fali të gjithë besimtarët e besimtaret.”[59] “Ai tha: O Zoti im, populli im më pandeh gënjeshtar. Pra Ti me drejtësinë Tënde gjyko ndërmjet meje dhe atyre dhe më shpëto mua dhe besimtarët që janë me mua.”[60]

Me urdhër nga Allahu i Madhëruar, Nuhu (a.s) i futi ata pak besimtarë që ishin në anije. Allahu i Madhëruar thotë: “Kur arriti urdhri Ynë, e uji nisi të gufojë nga sipërfaqja e tokës, ne i thamë: Ngarko në anije nga çdo lloj gjallese nga një çift, familjen tënd – përveç atyre kundër të cilëve ka qenë fjala e dënimit – dhe besimtarët..Ai tha: hipni në anije me emrin e Allahut ajo lundron dhe ndalet. Me të vërtetë, Zoti im është Falës dhe Mëshirplotë.”[61]

Familja e Nuhut (a.s):

Nuk ka dyshim se Nuhu (a.s) e thirri edhe familjen e tij në besim. Ne nuk e dimë me saktësi se sa fëmijë kishte Nuhu (a.s), pavarësisht se historianët thonë se ai ka pasë katër djem: Kenanin, Hamin, Samin dhe Jafithin. Ashtu sikurse nuk mund të themi se kush prej familjarëve ka qenë besimtar dhe kush jo, përveç nëpërmjet shpalljes.

Prindërit e Nuhut (a.s) ishin besimtarë, sepse Nuhu (a.s) e luti Allahun që t’i falte prindërit e tij dhe profeti nuk kërkon falje vetëm se për besimtarët. Allahu i Madhëruar thotë: “O Zoti im, falmë mua dhe prindërit e mi..”[62]

Kurse bashkëshortja e Nuhut (a.s) nuk ka besuar në thirrjen e tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu ka dhënë si shembull për ata që nuk besojnë, gruan e Nuhut dhe gruan e Lutit. Ato ishin të martuara me dy nga robtë Tanë të ndershëm dhe i tradhtuan ata. Prandaj ata nuk mund t’i mbrojnë aspak nga Allahu (Ditën e Gjykimit) e atyre të dyjave do t’u thuhet: Hyni në zjarr, me ata që po hyjnë!”[63]

Po ashtu njëri prej djemve të Nuhut (a.s) nuk ishte besimtar. Ai nuk hipi në anije. Kur Nuhu (a.s) e pa atë jashtë anijes e thirri që të hipte në të, mirëpo ai refuzoi dhe djali i tij u mbyt me të tjerët. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe ajo (anija) lundronte me ata nëpër valët e mëdha të larta sa malet, ndërsa Nuhu thërriste birin e vet, i cili ishte ndarë veç: O biri im, hip me ne e mos u bëj me mohuesit! I biri tha: Unë do të strehohem në një mal i cili do të më ruajë nga uji. Nuhu iu përgjigj: Sot askush nuk do të kursehet nga dënimi i Allahut, përveç atij që e mëshiron Ai. Një valë mes tyre i ndau dhe ai u fundos..Pastaj Nuhu iu lut Zotit dhe i tha: O Zoti im, biri im është nga familja ime. Premtimi Yt është i vërtetë dhe Ti je Gjykatësi më i drejtë. (Allahu) tha: O Nuh, ai nuk është nga familja jote, ai ka bërë punë të keqe. Mos më pyet për atë që ti nuk e di. Unë të këshilloj që të mos bëhesh nga të paditurit.”[64]

Fëmijët e Nuhut (a.s) që jetuan pas tufanit ishin besimtarë sepse Allahu i Madhëruar thotë: “Ju jeni pasardhës të atyre që i mbartëm me Nuhun! Ai ka qenë vërtet një rob mirënjohës.”[65]

Qëndrueshmëria e Nuhut (a.s):

Nuhu (a.s) e thirri popullin e tij në besim ditën dhe natën pa shkëputje për plot 950 vite. Në këtë kontekst vlen të përmendim se 950 vite nuk janë 950 sekonda, as 950 minuta, as 950 orë e ditë, por janë rreth 346 750 ditë. Allahu i Madhëruar thotë: “Ai tha: O Zoti im, unë e thirra popullin tim natën e ditën, por thirrja ime vetëm ua shtoi largimin.”[66] “Ne e dërguam Nuhun te populli i vet, e ai qëndroi tek ta një mijë pa pesëdhjetë vjet.”[67]Kushdo që mediton sadopak rreth thirrjes së Nuhut për më tepër se treqind mijë ditë duke mos lënë metodë e mënyrë pa përdorur, ditën dhe natën arrin të kuptojë qëndrueshmërinë e madhe të Nuhut (a.s) ashtu sikur arrin të kuptojë durimim e tij ndaj lëndimeve dhe shpifjeve që i bëri populli. Allahu i Madhëruar thotë: “Ti (o Muhamed) duro, ashtu sikurse duruan të dërguarit e vendosur.”[68]

Pas përfundimit të ajeteve që flasin për historinë e Nuhut (a.s), Allahu i Madhëruar i drejtohet profetit Muhamed (a.s) me fjalët: “Këto janë disa në rrëfimet e panjohura (për ty), që po t’i shpallim, që para këtij (Kurani) nuk e ke ditur. Pra të jesh i durueshëm, se përfundimi (i lavdishëm) është për të devotshmit.”[69]

Autor: Elton Harxhi

 

[1] – Sure Shura: 13.

[2] – Sure Isra: 3.

[3] – Buhariu.

[4] – Sure Nuh: 1-4.

[5] – Sure Hud: 84.

[6] – Buhariu (3057) dhe Muslimi (196).

[7] – Sure Kamer: 9.

[8] – Sure Safat: 80-81.

[9] – Sure Nuh: 13-16.

[10] – Sure Hud: 31.

[11] – Sure Hud: 41.

[12] – Sure Shuara: 109.

[13] – Sure Hud: 45.

[14] – Sure Junus: 71.

[15] – Sure Shuara: 113.

[16] – Sure Isra: 3.

[17] – Sure Hud: 47.

[18] – Sure Kamer: 10.

[19] – Sure Hud: 41.

[20] – Sure Tahrim: 10.

[21] – Sure Shuara: 107.

[22] – Sure Hud: 29.

[23] – Sure Nuh: 28.

[24] – Sure Nuh: 1-4.

[25] – Sure Hud: 37-38.

[26] – Sure Hud: 25-26.

[27] – Sure Nuh: 13-20.

[28] – Sure Nuh: 3 – 4.

[29] – Sure Nuh: 10-12.

[30] – Sure Hud: 26.

[31] – Sure A’raf: 61.

[32] – Sure Nuh: 5-9.

[33] – Sure Shuara: 105.

[34] – Sure Hud: 32.

[35] – Sure Nuh: 22-24.

[36] – Sure Nuh: 21.

[37] – Sure Nuh: 26-27.

[38] – “Vërtet ata ishin popull i verbër.” Sure A’raf: 64.

[39] – “Allahu nuk u bëri atyre të padrejtë, por ata ia bënë vetes.” Sure Teube: 70.

[40] – “Vërtet ai ishte popull i keq.” Sure Enbija: 77.

[41] – “Populli i Nuhut që ishte para tyre përgënjeshtroi robin Tonë.” Sure Kamer: 9.

[42] – “Ai ishte një popull i prishur.” Sure Dharijat: 46.

[43] – “Duke këmbëngulur me mëndjemadhësi.” Sure Nuh: 7.

[44] – “Dhe i shkuan pas atij që pasuria dhe fëmijët e të cilit nuk i shtojnë gjë veçse humbje.” Sure Nuh: 27.

[45] – “Si dhe popullin e Nuhut, më parë, sepse qe më i padrejtë dhe rebel.” Sure Nexhm: 52.

[46] – Sure Hud: 28.

[47] – Sure Hud: 31.

[48] – Sure A’raf: 61-62.

[49] – Sure A’raf: 61.

[50] – Sure Hud: 29.

[51] – Sure Hud: 29-31.

[52] – Sure Hud: 33-34.

[53] – Sure Junus: 71.

[54] – Sure Hud: 36.

[55] – Sure Hud: 38-39.

[56] – Sure Nuh: 26-27.

[57] – Sure Hud: 40.

[58] – Sure Hud: 29-31.

[59] – Sure Nuh: 28.

[60] – Sure Shuara: 117-118.

[61] – Sure Hud: 40-41

[62] – Sure Nuh: 28.

[63] – Sure Tahrim: 10.

[64] – Sure Hud: 44-46.

[65] – Sure Isra: 3.

[66] – Sure Nuh 5-6.

[67] – Sure Ankebut: 14.

[68] – Sure Muhamed: 35.

[69] – Sure Hud: 49.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.