Thirrja e “Vëllezërve Muslimanë”

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Kështu janë lidhur “Vëllezërit Muslimanë” me Librin e Allahut të Madhëruar, ata e kanë ‎përthithur atë (Kuranin) dhe janë orientuar me të. Ata kanë bindjen e sigurtë se koncepti islam ‎është gjithëpërfshirës, prandaj duhet të mbizotërojë në të gjitha fushat e jetës, të cilat duhet ‎të ngjyrosen vetëm me Islam, duhet të pranojnë gjykimin e tij, si dhe duhet të përshtaten me parimet dhe mësimet e ‎tij. Për këto arsye, Umeti islam duhet ta marrë forcën e tij vetëm nga Islami, nëse dëshiron të jetë Umet islam i ‎kulluar.‎

Në mënyrë që ky koncept të rrënjoset dhe të zbatohet, imam Hasan El-Bena (Allahu e mëshiroftë) ka përcaktuar objektiva, të cilat kanë lidhje me qëllimin final. Këto objektiva janë:

‎1- Reformimi i vetes.

‎2- Formimi i shtëpisë muslimane.

‎3- Orientimi i shoqërisë.

‎4- Thirrja drejtuar qeverisë për të zbatuar ligjin e Allahut me metodat e duhura dhe etikën islame.

5- Thirrja për unitet mes të gjithë muslimanëve.

Mënyrat për konkretizimin e këtyre objektivave janë:

Një: Ftesa islame që kontrollohet nga urtësia dhe këshilla e mirë, debati me mënyrën më të mirë, pa imponuar dhe pa përdorur dhunë. Motoja e kësaj ftese është: “Nuk ka imponim në fe”.

Dy: Edukim islam, baza e të cilit është metoda kuranore dhe Suneti i të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të). Motoja e këtij edukimi është: “Njihe Zotin tënd, fto të tjerët dhe ndërtoje shtetin islam në zemrën tënde”.

Tre: Formimi i familjes muslimane, xhematit dhe më pas qeverisë islame me individët e edukuar, me qëllim që të konkretizohet dhe realizohet qëllimi final, me lejen e Allahut të Madhëruar.

Imam Hasan El-Bena (Allahu e mëshiroftë) ka përcaktuar tre metodologji për të kuptuar drejt Islamin:

1- Metodologjia e besimit: e cila është metodë mesatare, e përzgjedhur nga rruga e selefëve të përkushtuar. Kështu formohen burra, të cilët kanë të rrënjosur në zemrat e tyre tre ndjenja të fuqishme, që janë:

  1. a) ndjenja e madhështisë së mesazhit islam.
  2. b) ndjenja e krenarisë se i përkasin këtij mesazhi.
  3. c) bindja e sigurtë në ndihmën e Allahut të Madhëruar.

2- Metodologjia e adhurimit: e cila bazohet në besimin e pastër dhe pasimin e vërtetë (të Sunetit). Kjo metodologji dallohet për gjithëpërfshirje, universalitet, lartësim, përsosje dhe vazhdimësi. Kjo metodologji nuk bën dallim mes besimit, sheriatit, namazit dhe xhihadit: “Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë i pari i muslimanëve…”.([1]) Kështu konkretizohet gjithëpërfshirja.

Universaliteti konkretizohet në fjalën e Allahut të Madhëruar: “Thuaj (o Muhamed): “O njerëz, unë jam i Dërguari i Allahut për të gjithë ju”.([2])

Përsosmëria konkretizohet në fjalën e Allahut të Madhëruar: “Ne nuk kemi harruar asgjë në Libër”.([3])

Vazhdimësia konkretizohet në fjalën e Allahut të Madhëruar: “Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t`i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur”.([4])

3- Metodologji e lëvizjes: e cila ka në fokus ftuesin musliman me cilësitë thelbësore të tij, si: besnikëria, vërtetësia, sinqeriteti, mëshira, ndërgjegjësimi, kuptimi i drejtë, etj. Kjo metodologji i kushton rëndësi mjeteve të ligjësuara (nga Sheriati), rregullave të përcaktuara (për ftuesin dhe ftesën)([5]) dhe fazave të përshkallëzura, të cilat duhen kaluar, në mënyrë që të pajisemi me dituri në rrugën e kësaj ftese.

Imam Hasan El-Bena nuk ftoi në një Islam të ri, mirëpo ai ripërtëriti atë që ishte e kahershme, pasi njerëzit e kishin harruar. Ai i mëshoi fort veçorive të metodologjisë islame, se ajo nuk është e kufizuar vetëm me çështje besimore, rituale apo lidhje shpirtërore, as me sisteme ekonomike, shoqërore dhe politike, por në tërësi është sistem i tërë jete që harmonizon mes orientimit fisnik dhe ligjit të përpiktë, mes madhështisë së besimit dhe bukurisë së adhurimit, ashtu siç harmonizon mes imamit të xhamisë dhe komandantit të ushtrisë.

Metodologjia islame përfshin çdo aspekt dhe është gjithëpërfshirëse në çdo këndvështrim. Kjo metodologji sistemon lidhjen e individit me veten, familjen dhe shoqërinë. Kjo metodologji sqaron parimet dhe rregullat, mbi të cilat ndërtohet sistemi shoqëror dhe ligjet që rregullojnë mbarëvajtjen e jetës shoqërore sipas këndvështrimit islam për gjithësinë, njeriun dhe jetën.([6])

Këtu nuk ka gjë për t`u habitur, pasi Ai, i Cili e ka vendosur këtë Sheriat, është Allahu i Madhëruar. Në Sheriatin e Krijuesit është mishëruar fuqia dhe përsosmëria e madhështisë së Tij, si dhe gjithëpërfshirja për çdo gjë që ka qenë dhe do të jetë. I Gjithëdituri dhe i Mirënjohuri e ka formuluar Sheriatin në atë mënyrë, që përfshin atë që ndodh dhe atë që do të ndodhë në të ardhmen, pasi dituria e Tij përfshin çdo gjë. Allahu i Madhëruar ka përcaktuar, që ky Sheriat nuk do të mund të ndryshohet apo të zëvendësohet: “S`ka ndryshim në fjalët e Allahut([7]), pasi Sheriati i Tij nuk ka nevojë të ndryshohet apo të zëvendësohet, pa marrë parasysh sesa ndryshojnë vendet, kohët dhe sesa përparon njeriu: “E si të mos dijë Ai, i Cili ka krijuar gjithçka, kur Ai njeh çdo gjë me imtësi dhe është i Gjithëinformuari”?!([8])([9])

Kur ne lexojmë ajetet e Kuranit fisnik dhe hadithet e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të), që kanë  të bëjnë me ndërtimin e shtetit në Islam, nuk gjejmë ndonjë ajet apo hadith që thotë: “O ju që keni besuar! Ndërtojeni shtetin islam, apo përcaktoni një imam dhe qeveritar, i cili do ta zbatojë Kuranin në të gjitha fushat e jetës”, ashtu siç nuk gjejmë ndonjë ajet apo hadith që thotë: “O ju që keni besuar! Thithni ajër për frymëmarrje…”!!

Dikush mund të thotë: “Po pse”?! Përgjigja është e thjeshtë: “Kjo çështje është e natyrshme dhe nuk ka nevojë për urdhër apo ftesë. Islami është fe madhështore dhe fisnike. Islami nuk trajton me imtësi detajet e jetës, sidomos në çështjet që kanë të bëjnë vetëm me jetën shoqërore, por Islami vendos parime të përgjithshme për të gjitha këto çështje dhe i orienton njerëzit, se si t`i zbatojnë ato në praktikë dhe të ecin sipas kufijve të përcaktuar. Kurani dhe hadithet orientojnë për tek struktura e shtetit, kriteret që duhet të përmbushë ai, etikën dhe përgjegjësitë reciproke mes pushtetarit dhe popullit.

Këtë e kuptuan fare mirë shokët e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të) me natyrshmërinë dhe zgjuarsinë e tyre. Si rast për këtë përmendim reagimin e Ebu Bekrit (r.a). Sapo i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ndërroi jetë, në tendën e Benu Sa`ades ndodhi një ngjarje e madhe (zgjedhja e prijësit të muslimanëve). Ebu Bekri (r.a) unifikoi muslimanët dhe u tha: “O njerëz! Kjo çështje ka nevojë për një kryetar që ta udhëheqë”. Të pranishmit thanë: “Të vërtetën ke thënë o Ebu Bekr. Duhet patjetër që të ketë një prijës për muslimanët”.([10])

Uthman ibn Afani (r.a) thotë: “Allahu bën nëpërmjet sulltanit (pushtetit) atë që nuk e bën nëpërmjet Kuranit”.([11]) Aliu (r.a) thotë: “Njerëzit e kanë të domosdoshme udhëheqjen (pushtetin), pa marrë parasysh nëse pushteti është i mirë apo i lig”. Dikush i tha: “O prijësi i besimtarëve! Pushtetin e mirë e dimë, po pse duhet të pranojmë edhe atë që është i lig”? Ai tha: “Një pushtet i tillë zbaton dispozitat ligjore, garanton sigurinë publike, lufton ndaj armikut dhe shpërndan plaçkën e luftës”.([12])

Duhet të ekzistojë patjetër një rend/sistem që qeveris muslimanët dhe sistemon jetën e tyre. Kjo e obligon ekzistencën e xhematit dhe udhëheqësit. Sa të shumta janë hadithet e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të), që flasin për këtë çështje dhe paralajmërojnë ata që e neglizhojnë atë. Imam Maverdi thotë: “Institucioni i Prijësit është përcaktuar për të zëvendësuar misionin profetik, për të mbrojtur fenë dhe për të qeverisur dunjanë”.([13]) I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Dora e Allahut është me xhematin, prandaj kush ndahet prej tij, e ka vendin në zjarr të Xhehenemit”.([14]) Ai (Paqja qoftë mbi të) gjithashtu thotë: “Përmbajuni xhematit”.([15]) Ibn Mesudi (r.a) thotë: “Xhemati është litari i fortë i Allahut, në të cilin ju ka urdhëruar që të kapeni. Ajo që nuk ju pëlqen nga xhemati dhe bindja ndaj udhëheqësit është më e mirë, sesa ajo që ju pëlqen nga mospajtimet dhe përçarjet”.([16]) Aliu (r.a) thotë: “Uji i turbullt i xhematit është më i mirë se uji i kthjellët e individit”.([17])

Kur themi se Islami është besim dhe Sheriat, ne e theksojmë se Sheriati buron nga ky besim: besimi në Teuhidin (njëshmërinë e Allahut), të cilin e kemi të rrënjosur në zemrat tona. Nëse besimi rregullohet dhe përmirësohet, automatikisht përmirësohen sjellet dhe veprimet. Allahu i Madhëruar nuk e pranon Sheriatin (të zbatuar nga dikush), nëse besimi nuk është i rregullt.

Imam Hasan El-Bena thotë: “Jini robër të devotshëm ndaj Krijuesit, para se të jeni prijës, pasi adhurimi do t`ju shpjerë që të udhëhiqni sa më mirë”.([18]) Në fillim duhet t`i kushtohet rëndësi pastrimit dhe dëlirësimit të besimit, pasi besimi i vërtetë është çështje thelbësore. Bazë e këtij besimi është fjala “Lâ ilâhe il-lAll-llâh”, e cila ka zemër dhe formë. Forma e saj është dituria, ndërsa zemra e saj është ndikimi që ka. Ky ka qenë shkaku që i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) është përkujdesur për formimin e duhur të individëve, mbi të cilët ngrihet kjo ndërtesë (Islami). Forca e muslimanëve qëndron në besimin e tyre, besim që nuk bën dallim mes të bardhit dhe të ziut, mes arabit dhe joarabit, mes qytetarit dhe pushtetarit. Përkundrazi, ai i barazon të gjithë, ndërsa diferencimi mes tyre bëhet vetëm me devotshmëri, e cila është peshorja e vlerësimit dhe dallimit mes njerëzve: “Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai, i cili i frikësohet më shumë Atij”.([19])

Në fillim ishte besimi që bashkoi ndjenjat, e më pas u obliguan ritualet që forcuan lidhjen e robit me Zotin e tij. Kështu, ithtarët e një besimi të unifikuar adhurojnë një Zot, kthehen kah një Kible e vetme, mësojnë nga një profet i vetëm (nga Suneti profetik) dhe lexojnë një Libër të vetëm. Në fund zbritën dispozitat ligjore, pra vetëm pasi u konkretizua uniteti i ndjenjave. Kështu është shpallur edhe Kurani, sipas kësaj renditjeje, ndërsa çështjet e dispozitave fetare dhe përvetësimi i tyre ishin të fundit në rradhë, pasi është tepër e thjeshtë të zbatohen ligjet, kur konkretizohet besimi i vërtetë dhe kur ndiqet i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) në urdhëresat e tij.

([1]) – Kurani: Enam, ajeti: 162-163.

([2]) – Kurani: Araf, ajeti: 158.

([3]) – Kurani: Enam, ajeti: 38.

([4]) – Kurani: Ali Imran, ajeti: 85.

([5]) – Për më shumë shiko librin e autorit: “Ed-Da`vetu Kavâidun ue Usûl”, f. 68, botim i “Daru`d-Dava”, Aleksandri, 1999/1419, botimi i katërt.

([6]) – Fet`hi Jeken, “El-Islam Fikra ue harake”, f. 17, me pak ndryshim, botim i “Muesese Er-Risale”, Bejrut, pa vit botimi.

([7]) – Kurani: Junus, ajeti: 64.

([8]) – Kurani: Mulk, ajeti: 14.

([9]) – Abdulkadr Aude në “Et-Teshrîu`-l-Xhinâî fi`l-Islâm”, vëll. I, f. 18, botim i “Daru`l-Kutubi`l-Arabi”, Bejrut, pa vit botimi.

([10]) – Vakidiu në “Kitâbu`rr-Rridde”, f. 30, pa varg transmetimi, botim i “Daru`l-Garbi`l-Islami”, Bejrut, 1990/1410, botimi i parë.

([11]) – Ibn Shebeh, “Târîkhu`l-Medîne”, f. 988; Ibn Ethiri, “Xhâmiu`l-Usûl”, vëll. IV, f. 83-84, nr. (2071).

([12]) – Bejhakiu në “Shuabu`l-Îmân”, (7102).

([13]) – Maverdi, “El-Ahkâmu`s-Sultânije”, f. 15, botim i “Daru`l-Hadith”, Kajro, 2006/1427, botimi i parë.

([14]) – Hadith i vërtetë për shkak të dëshmive përforcuese. Tirmidhiu (2167), Hakimi (395) dhe Taberaniu në “Muxhemu`l-Kebîr”, (13623).

([15]) – Hadith i pranuar për shkak të dëshmive përforcuese. Ahmedi, vëll. V, f. 370 dhe Tirmidhiu (2165).

([16]) – Thënie e vërtetë. Taberiu në “Xhâmiu`l-Bejân”, vëll. V, f. 649, Hakimi (8663) dhe Taberaniu në “Muxhemu`l-Kebîr”, (8973).

([17]) – Xhahidhi në “El-Bejân Ue`l-Tebjîn”, vëll. I, f. 260, por pa ia cilësuar Aliut (r.a), botim i “Mektebetu`l-Khanixhi”, Kajro, 1998/1418, botimi i shtatë.

([18]) –  Xhuma Emin, “El-Ferîdatu`l-Mufterâ Alejhâ”, f. 93, botim i “Daru`d-Dava”, Aleksandri, 1997.

([19]) – Kurani: Huxhurat, ajeti: 13.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.