Tirana gjatë shekujve osman (1385-1912)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Tirana që njohim sot, në krahasim me qytetet e tjera si Durrësi, Shkodra apo Berati, konsiderohet shumë e re dhe i përket mesjetës. Megjithëse përreth saj ka shumë kala dhe vendbanime të hershme që i përkasin periudhave nga ajo ilire e deri te antikiteti i vonë e mesjeta, aty ku sot ndodhet qyteti i Tiranës, nuk ka të dhënë për ndonjë vendbanim apo kështjellë të hershme. Edhe rreth emrit të Tiranës ka shumë rrëfime e gojëdhëna por që asnjëra prej tyre nuk duket bindëse, megjithëse shumë pretendohet se mund të jetë trashëgimtare e kështjellës Tirkanos.[1] Qëllimi ynë në këtë shkrim është që të pasqyrojmë rrugëtimin e Tiranës dhe zonës për rreth saj gjatë shekujve të sundimit osman, të pasqyrojmë themelimin dhe zhvillimin e saj, ndryshimet demografike e kulturore, objektet e kultit, lagjet, shkollat dhe objektet mësimore dhe të gjitha ndryshimet që ajo ka pësuar.

Tirana për herë të parë bie në sundimin osman më 1385, pas betejës së Vjosës dhe kur Karl Topia kaloi në vasalitet ndaj osmanëve. Duke marrë parasysh se Tirana ishte zemra e zotërimeve të Topiajve, kuptohet që ishte nën sundimin osman. Ndoshta nga emri i Karl Topisë, një pjesë e madhe e trevës së Tiranës në dokumentat osmane do figurojë me emërtimin “Karli-ili apo Karli Nahijesi/ zotërimet e Karlit, nahija e Karlit”. Kjo gjendje do të vazhdonte deri në kryengritjen e Skënderbeut ku pellgu i Tiranës pjesërisht do të dilte nga sundimi osman. Pas rënies së Krujës, Tirana do të mbetej nën sundimin osman gjer më 1912.

Në regjistrimin e parë osman të trojeve shqiptare (Defteri i Sanxhaku të Arvanidit) më 1432 zona e Tiranës bën pjesë në Vilajetin e Akçahisarit “Krujës” ndërsa një pjesë e fshatrave në Jug të saj, bëjnë pjesë në Vilajetin e Pavlo Kurtik.[2] Megjithëse në këtë defter përmenden pothuajse të gjithë fshtatrat e pellgut të Tiranës dhe të njëjtat toponime që egzistojnë edhe sot, si: Kamza, Farka, Yrshek, Kashar, Ndroq, Kërraba, etj, emri i Tiranës nuk haset kund. As si fshat, as si mazra’a (çiflik) dhe as si kala apo fortifikim. Prej kësaj date e gjer në gjysmën e parë të shek. XVIII qendra administrative e zonës së Tiranës do të mbetej Kruja “Akçahisari”. Në dokumentet osmane për herë të parë si qendër e kazasë së Akçahisarit, Tirana përmendet më 1137 / 1724, pas kësaj date në vend të Krujës “Akçahisar” fillon e përmendet Tirana.[3] Unë personalisht nuk besoj që në defterin e vitit 1432 emri i Tiranës të mungojë. Arsyeja se përse nuk gjendet besoj se është tek problemet kaligrafike dhe problemet e fonetikës së alfabetit osman. Historiani i madh turk, Halil İnalcık, i cili i ka bërë transkriptin e këtij defteri më 1954, mund t’i ketë shpëtuar ky detaj ose mund ta ketë transliteruar me tjetër formë shqiptimi. Gjithësesi kjo ngelet për tu parë dhe për tu konsultuar me dokumentin edhe një herë tjetër nëse na jepet mundësia në të ardhmen. Gjatë periudhës së kryengritjeve të Skënderbeut, Tirana ka qenë zonë nën influencën e tij: si Tirana e madhe ashtu edhe Tirana e vogël, siç i përmend edhe Biemmi apo Barleti kur përshkruajnë historinë e Skënderbeut.[4] Pas vendosjes së sundimit osman, qetësisë dhe stabilitetit që solli ajo në zonë, filloi një gjallërim ekonomik dhe rritje demografike progresive.

Ajo që na ka rezultuar neve nga studimi që kemi bërë për Tiranën është se Tiranën për herë të parë në dokumentat osmane e kemi hasur në defterin e Sanxhakut të Ohrit[5] të vitit 1519. Në këtë periudhë, Tirana bën pjesë në timarin e Kaja Veledi (i biri) Mehmet dhe është pjesë e nahijes Karli Nahijesi. Në këtë defter Tirana përbëhet nga 1 familje muslimane, 9 të krishtera dhe 1 beqar dhe 1000 akçe të ardhura.[6] Disa vite më vonë, në defterin e vitit 1530 që i përket periudhës së Sulltan Sulejman Kanunit, Tirana përsëri shfaqet me të njëjtat të dhëna dhe nuk ka pësuar ndonjë ndryshim, ajo është pjesë e timarit të zaimit të kalasë së Petrelës dhe përbëhet nga 1 shtëpi muslimane, 9 të krishtera dhe 1 beqar, të ardhura gjithësej 1000 akçe.[7] Në defterin e Sanxhakut të Ohrit të vitit 1583 në zonën e Tiranës janë rregjistruar 110 fshatra me afërsisht 2900 shtëpi,[8] me një popullsi afërsisht 15.000 banorë.  Në vitin 1591 kemi rrëfimin e senatorit venecian Lorenco Bernardo, i cili përshkruan qytetin e Krujës dhe kalanë e Prezës, ndërsa për Tiranën shprehet vetëm gjeografikisht si fusha e Tiranës. Ai thotë: “hymë në fushën e madhe dhe të famshme të Skënderbeut, e quajtur Tiranë dhe e rrethuar me malet e Krujës”.[9] Ai nuk jep të dhëna për ndonjë fshat, qytezë apo kala me emrin e saj në këtë zonë.

Pothuajse pak para zanafillës së themelimit të Tiranës, në regjistrimin e vitit 1613, përmendet Tirana dhe Tirana e vogël, ashtu siç i ka sjellë edhe Barleti kur përshkruan luftërat e Skënderbeut. Të dyja janë pjesë e Nahijes së Petrelës dhe janë regjistruar si: Tirana me 33 shtëpi dhe Tirana e vogël me 13 shtëpi.[10] Kjo ishte përsa i përket Tiranës si fshat, ndërsa pas kësaj periudhe Tirana shndërrohet në një qytet, ku kryqëzoheshin shumë rrugë dhe interesa ekonomike. Tirana ishte stacion pushimi si për rrugët që vinin nga portet e Adriatikut si Shkodra, Lezha, Ishmi, Durrësi, ashtu edhe për rrugët që vinin nga brendatoka e Ballkanit si ato që vinin nëpërmjet Ohrit dhe Elbasanit ashtu edhe ato që vinin nga Shkupi e Prizreni nëpërmjet Dibrës së Madhe.

Përsa i përket zhvillimit demografik dhe islamizimit të zonës, më poshtë do të sjellim disa të dhëna nga defterët osman që na orientojnë drejt një përfytyrimi të zhvillimit demografik dhe procesit të islamizimit të zonës.

Tabelë: Zhvillimi demografik dhe islamizimi i popullsisë së Tiranës sipas defterëve “Tapu Tahrir Defterleri”.

Nahije Viti 1519[11] Viti 1530[12] Viti 1613[13]
Gebran Musliman Gebran Musliman Gebran Musliman
Akçahisar (Rendisht) 881 17 1521 78 682 1071
Bende 1462 10 570 651
Petri Gonime 431 803 419
Kurbin 619 2 1481 1154
Karli ili 1632 11 594 1634
Petrel 105 1217
Gjithsej 5025 40 1521 78 4235 6146

Siç duket edhe në tabelë defterët që ne u referohemi i përkasin viteve 1519, 1530, 1613. Me termin gebran defteri i referohet jo muslimanëve, pa i përcaktuar ata si Katolik apo Ortodoks, për këtë arsye edhe ne e kemi përdorur të njëjtin term. Siç edhe e shohim nga tabela në vitin 1519 kazaja e Krujës ku përfshihej edhe Tirana ishte e ndarë administrativisht në 5 nahije, Kruja, Benda, Petri Gonim, Kurbin dhe Karli ili. Në vitin 1530 defteri nuk i referohet ndarjes administrative, ndëra në vitin 1613 përveç nahijeve të përmendura më parë kemi dhe një nahije të re, atë të Petrelës. Ndërsa popullsia në bazë të përllogaritjeve më 1519 afërsisht 25.000 banorë. Më 1530 afërsisht 8.000 banorë. Në defterin e këtij viti numri i popullsisë është më i vogël, sepse kazaja e Krujës është ndarë në dy pjesë dhe është krijuar një kaza e re, ajo e Ishmit. Kjo ka bërë që popullsia sipas këtij defeteri të përgjysmohet. Ndërsa në atë të vitit 1613 kemi një popullsi të zonës me afërsisht 52.000 banorë. Po ashtu sipas këtij defteri kemi dhe një ndarje të re administrative, nahijen e Petrelës. Siç shihet edhe nga të dhënat e mësipërme vetëm në rregjistrimin e viti 1613 kemi një kapërcim të popullsisë së islamizuar ndaj asaj jo islame. Nëse do të llogarisim nga viti 1432 e deri në vitin 1613, do të thotë që procesi i islamizimit të popullsisë së trevës së Tiranës ka kaluar në një hark kohor më shumë se 200 vjet. Kjo i hedh poshtë të gjitha teoritë e islamizimit me dhunë apo të ngjashme me të. Duket theksuar se në tabelë nuk është përfshirë nahija e Tamadjas (Tumadhesë) me 12 fshatra dhe 799 shtëpi.

Në vitin 1614 Sulejman Pashë Bargjini (Berkinizade) ndërtoi një xhami, hamam dhe një han, duke i shtuar edhe pazarin (çarshën) mori statusin e një kasabaje. Duke qenë një pikë kyçe të rrugëve tregëtare të Ballkanit, ajo shumë shpejt u kthye në një qendër të rëndësishme tregëtare. Tirana më shumë lindi si përgjigje ndaj nevojave ekonomike dhe domografike të zonës, duke marrë parasysh se kalatë përreth e humbën rëndësinë e tyre ushtarake si dhe rritja demografike e zonës bëri që në mes të fushës së gjërë të Tiranës të kishte një qendër ekonomike dhe administrative e cila do iu përgjigjej kërkesave të reja ekonomike dhe politike.

Përshkrimin e parë të qytetit të Tiranës na e jep Evlija Çelebiu, ai e vizitoi Tiranën me 1662 dhe bën një përshkrim të gjallë të saj. Ai mbërriti në Tiranë nëpërmjet Qafë-Krrabës, të cilën e cilëson si një vojvodllëk në varësi të sanxhakut të Ohrit, në të ndodhej selia e një kadiu me një rrogë prej 150 akçe në ditë. Ai thotë: “ Një shehër që ndodhet në një fushë të gjerë, me xhami të panumërta, hane, hamame, rrugë pazari, bahçe dhe kopështe me drurë frutorë. Gjithë ndërtesat bamirëse dhe fetare janë të mbuluara me tjegulla të kuqe”.[14] Për fat të keq, faktin se ndërtesat dhe godinat e Tiranës janë të mbuluara me tjegull të kuqe, shumë studiues ndër ta edhe Machiel Kiel e shprehin si një shenjë dobësie dhe provincialiteti të qytetit. Sepse dihet që në qytetet osmane godinat e rëndësishme mbuloheshin me plumb. Për mendimin tim kjo nuk ka të bëjë me statusin ekonomik të qytetit, më shumë se sa një traditë vendase në arkitekturë dhe ndërtimtari. Qytetet si Tirana, Elbasani, Kavaja dhe Peqini gjithmonë janë shquar për përdorimin e qerpiçit dhe tjegullës së kuqe në ndërtimtari, ashtu si Gjirokastra në përdorimin e gurit dhe të rrasës. Në defterin e timareve të vitit 1654, që përkon edhe me themelimin e qytetit, Tirana është e organizuar në 46 timare me të ardhura 284.501 akçe.[15] Duke parë të ardhurat e timareve nëpër defterë të ndryshëm, Tirana karakterizohet për fshatra dhe timare me të ardhura realivisht të lartë në krahasim me timaret e tjera në Ballkan.[16]

Imareti vakëf që ndërtoi Sulejman Pasha dhe pazari në afërsi të saj shërbeu si bërthamë për qytetin e ri që po formohej, gradualisht me shtimin e popullsisë formoheshin edhe lagje të reja. Pas vdekjes së Sulejman Pashës drejtimin e qytetit do ta merrte djali i tij Ahmet Muhtar Pasha. Ky i fundit nuk është se solli ndonjë ndryshim në qytet, në vitin 1633 ai ndërtoi minaren e xhamisë që kishte ndërtuar babai i tij dhe ndërtoi një shatërvan për abdes. Zgjerimin më të madh Tirana do ta njihte gjatë sundimit nga nipi i themeluesit të saj, djalit të Ahmet Muhtar Pashës, Ibrahim Pasha. Ibrahim Pasha hapi rrugët kryesore të qytetit që edhe sot mbajnë ato emra si: rruga e Shkodrës, e Dibrës, e Elbasanit, e Durrësit, etj. Ai nxiti fshatarët e zonave përreth që të zbresin në Tiranë dhe iu caktonte tokë për ndërtimin e shtëpive dhe vendeve të punës. Vepra më e madhe që ai bëri ishte sjella e dy kanaleve të ujit të pastër nga lumi i Tiranës (Regllata), njëri prej tyre ka funksionuar në anë të rrugës së Dibrës deri në vitet 1940.[17] Nga veprat e Ibrahim Pashës është edhe ndërtimi i murit rrethues të sarajit që kishte ndërtuar Sulejman Pasha buzë Lanës, duke e sjellë atë në formën e një kalaje, fragmente të cilës ekzistojnë edhe sot.[18] Ndryshimet që i solli ai, bënë që gjatë shek. XVII-XVIII, Tirana të ishte një qendër kryesore tregtare dhe sidomos e panaireve fetare. Gjithë këto ndryshime bënë që Tirana të ishte pjesë e lakmive të familjeve të mëdha sunduese, sidomos e Bushatllinjëve të Shkodrës dhe e Kurt Pashës në Berat. Kjo do ti sillte dëmtime të mëdha Tiranës disa herë si pasojë e luftërave për ta sunduar atë. Pas vdekjes së Ibrahim Pashës drejtimin e qytetit e mori i biri i tij Ahmet Pasha, i cili nuk jetoi gjatë dhe la pas vetëm vajza.

Qyteti i Tiranës gjatë shek. XVIII ishte zgjeruar mjaftueshëm, në vitin 1767 ai ishte  i organizuar në 12 lagje me afërsisht 3000 banorë. Ne kemi sjellë një tabelë për ta pasqyruar sa mirë atë.

Tabelë: Tabela është përpiluar në bazë të defterit të nufusëve 1180/1767.[19]

Nr. Lagjaia / Mahalla Gjithësej shtëpi Shtëpi muslimane
1 Muja 60 40
2 Muharrem Bej 19 14
3 Shejh Hysejni 62 51
4 Veli Nashi 33 23
5 Shejh Ali 26 19
6 Baba Hysejni 47 39
7 Mustafa Efendi 16 9
8 Haxhi Hysejni 39 24
9 Mehmet Efendi 19 16
10 Shejh Hasani 20 15
11 Sylejman Efendi 53 46
12 Haxhi Mustafa 63 28

Sipas këtij defteri, në vitin 1767 në Tiranë jetonin 457 famije prej të cilave 320 ishin muslimane, në të njëjtën kohë në Tiranë kishte 7-të imamë, 15-të muezina, 6-të hatibë, 4 kaim, 1 vaiz, 4 shejh, 1 myteveli, 21 spahi.[20] Në bazë të të dhënave mund të thuhet se në këtë kohë në qytetin e Tiranës jetonin afërsish 3000 persona. Duhet theksuar se në defter mungojnë të dhënat për pazarin, numrin e dyqaneve apo punëtorëve në të. Siç dihet këto lajge ishin të organizuar përrreth pazarit të vjetër i cili deri në periudhën komuniste përbënte zemrën e qytetit.

Pas sundimit të familjes Bargjinolli në Tiranë vjen një familje e re sunduese, në Krujë familja e Toptanëve kishte kohë që e lakmonte atë, por Ibrahim Pasha ishte pengesë kryesore. Me vdekjen e tij, për Kapllan Pashë Toptanin nuk kishte pengesë, ai kishte gradën mir-i miran dhe në vitin 1791 ishte emëruar në krye të një fushate ushtarake.[21] Autoriteti dhe lidhjet familjare e ndihmuan atë për të shtier në dorë qytetin.

Në fillim të shek. XIX, Tirana ka pësuar ndryshime në strukturë, këtë e kuptojmë nga të dhënat e defterit të regjistrimit të popullsisë. Në këtë periudhë Tirana kishtë 691 shtëpi me afërsisht 3500 banorë. Duhet theksuar se edhe në këtë defter nuk ka të dhëna për pazarin, nurmin e dyqaneve dhe llojet e tregtisë.

Tabelë: Tabela është marrë në bazë të të dhënave të defterit të nufusëve të vitit 1840.[22]

Nr. Lagjia Shtëpi Nr. i meshkujve Nr. i përgjithshëm
1 Lagjia e re 127 232 635
2 Lagjia Ali Beu 144 255 720
3 Lagjia Ismail Efendi 118 245 590
4 Lagjia e xhamisë 94 195 470
5 Lagjia Abdullah Beu 121 235 605
6 Lagjai e Sulejman Pashës 87 158 435

Pas Tanzimatit u bënë shumë ndryshime në organizimin dhe ndarjen administrative të Perandorisë, ndryshime të cilat u ndien edhe në trojet tona. U krijua vilajeti i Shkodrës me qendër po atë, ndërsa Tirana si kaza iu bashkangjit këtij vilajeti. Duke parë se Tirana, Elbasani dhe e gjitë Shqipëria e mesme kishin të njëjtën strukturë fetare dhe kulturore, u mendua që të bashkoheshin dhe të formohej një sanxhak me qendër Tiranën. Për këtë në vitin 1276/1860 pati një tentative që Tirana dhe Elbasani të formonin një sanxhak më vete dhe në krye të këtij sanxhaku të vendosej Ahmet Aga, i cili konsiderohej si pinjoll i familjes Bargjinolli. Mirëpo në bazë të një raporti të dërguar nga ministria e financave në vitin 1860 kuptohet se për shkak të ndryshimeve të shpeshta të kufinjëve në rajon nuk mund të realizohet.[23]

Për këtë tentativë, kthimin e Tiranës në qendër sanxhaku, ekziston edhe një dokument që mban vulat e 60-të personaliteteve të zgjedhura të Elbasanit dhe Tiranës, si: dijetarë, imamë, ket’hyda, kryetarë lagjesh dhe esnafë të ndryshëm të cilët i drejtoheshin këshillit të ministrave, që Ahmet Behxhet Bej, i cili ishte drejtor i kazasë së Elbasanit të vendosej në krye të këtij sanxhaku të ri që do krijohej.[24] Në vitin 1864 u krijua sanxhaku i Durrësit dhe Tirana u bë pjesë e këtij sanxhaku i cili iu bashkua vilajetit të Shkodrës.[25] Si pasojë e luftrave të vazhdueshem me Serbinë dhe Malin e Zi, Shkodra pësoi ndryshime të shpeshta në statusin e saj, herë si vilajet më vete e herë si sanxhak i vilajetit të Rumelisë. Megjithë ndryshimet e vazhdueshme që pësonte Shkodra në statusin e saj, statusi i Tiranës mbeti i pandryshueshëm si kaza e sanxhakut të Durrësit deri më 1912.[26]

Përsa i përket  fshatrave përrreth Tiranës gjatë shek. XIX ishin të organizuara në dy nahije, nahija e Krujës “Akçahisarit” dhe ajo e Shëngjergjit. Nahija e Krujës nga viti 1857 e deri më 1870 ishte pjesë e kazasë së Tiranës në varësi të sanxhakut të Ohrit,[27] më pas 1870-1872 përsëri e pjesë e kazasë së Tiranës por në varësi të Shkodrës.[28] Në vitin 1874, Kruja bëhet kaza më vete në varësi të sanxhakut të Shkodrës,[29] ndërsa Tirana mbeti kaza e sanxhakut të Durrësit. Ndërsa nahija e Shëngjergjit përbëhej nga fshatrat e malësisë së Tiranës, ajo u krijua në vitin 1907,[30] me qëllim për të lehtësuar funksionin e zyrave të shtetit.[31] Ajo përbëhej nga 23 fshatra[32] dhe drejtues i saj u emërua Zija Efendi, që më parë kishte qenë kajmekam i Pukës.[33] Në vitin 1909, për shkak të terrenit malor dhe popullsisë së lartë u pa e arsyeshme që nahija e Shëngjergjit të ndahej në dy pjesë, kështu u themelua nahija e Bastarit.[34] Për shkak të rrethanave politike dhe mungesës së fondeve, nahija e re e Bastarit zyrtarisht nuk ka funksionuar asnjëherë.[35]

Në aspektin fizik, kazaja e Tiranës në fund të shek. XIX sipas vjetarit të vilajetit të Shkodrës përbëhej nga: 6601 shtëpi, 638 dyqane, 31 hane, 2 hamame, 149 mullinj bloje, 407 mullinj ulliri, 25 furra, 1 kullë sahati, 12 furra tjegullash, 285 kasolle, 1 farmaci, 20 klupe (mejhane), 17 kahvehane, 1 makinë vaj ulliri, 1 gaz-hane (dyqan vajguri), 1 godinë qeveritare, 1 gazermë ushtarake, 1 depo, 1 depo municioni, 1 telegrafhane (postë telegraf), 1 repart stërvitje (talimhane).[36] Në të njëjtën kohë në të ndodheshin 62 xhami, 15 teqe, 32 zavije, 1 medrese, 1 shkollë rushdije, 25 shkolla fillore (iptidaije), 1 shkollë ortodokse, 1 shkollë katolike. Ndërsa qyteti (kasabaja) ka qenë e organizuar në 6 lagje të mëdha dhe në të ndodheshin 6 xhami, 59 mesxhide,[37] 2 kisha ortodokse, 1 kishë katolike. Gjatë kësaj periudhe kasabaja e Tiranës përveçse një qytet, në të njëjtën kohë ajo ishte edhe një qendër fetaro-kulturore tepër e rëndësishme.[38]

Themeluesi i Tiranës Sulejman Pasha

Sulejman Pasha “Barkinizade” sipas vjetarit të vilajetit të Shkodrës “İşkodra Vilajeti Salnamesi” ka lindur në fshatin Mullet në afërsi të Petrelës.[39] Por nëse do të fokusohemi te epiteti i tij, Bargjini-Barkinizade, do të shohim se rrënjë e kësaj fjale mund të jetë emri i fshatit Bargjin, i cili sipas defterit të vitit 1431, është një fshat në afërsi të lumit Rigllata, aty ku sot gjendet lagjia e Medresesë. Këtë tezë e mbron edhe A. Degrand kur ndërton tezën e tij të themelimit të Tiranës.[40] Sipas defterit të sanxhakut Arnvanid, fshati Barkin përbëhet nga 15 shtëpi dhe i ndarë ndërmjet timarit të Junusit, timari Isa dhe timari Osman.[41]

Sulejman Pasha pasi plotëson formimin e tij në medresenë “Enderun” emërohet imrahor-i evvel.[42] Sipas një të dhëne në defterin me nr. 76 “Mühimme Defteri no: 76”, në vitin 1608, ish bejlerbeu i Temshivarit[43] dhe aktualisht sanxhakbeu i Ohrit, Sulejman Pasha urdhërohet që të kthehet dhe në pranverë ti bashkohet ushtrisë e cila ndodhet në Halep.[44] Në vitin 1619, emërohet vali i Damaskut me gradën e vezirit, ku shkarkohet dy vjet më vonë, më 1621.[45] Gjatë periudhës 1622-1634 emërohet bejlerbej i Dijarbakirit,[46] në vitin 1624 emërohet vali i Bagdadit ku edhe ndërron jetë, cilësohej si një personalitet strateg dhe i ekuilibruar.[47] Ai u emërua vali i Bagdadit me qëllim që të shtypte kryengritjen e Bekir Subashit. Bekir Subashi, ish funksionar në kalanë e Bagdadit e refuzoi Sulejman Pashën si vali dhe iu kundërvu atij. Sulejman Pasha edhe pse kishte urdhër që në rast të tillë të priste mbërritjen e Hafiz Ahmed Pashës serdar (kryekomandant) i ushtrisë, ai e filloi luftën ndaj Bekir Subashit pa mbërritur ai, mirëpo u mund dhe u plagos rëndë gjatë luftimeve. Prej këtyre plagëve u sëmur rëndë dhe vdiq.[48] Trupi i tij u soll në Tiranë ku dhe u varros në oborrin e xhamisë që kishte ndërtuar vetë, më 1625.

Autor: Behar Kaçeli

[1] Për më shumë rreth kalave të Tiranës dhe origjinës së emrit “Tirana”, shih: Milan Shuflaj, Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë, Shtëpia Botuese Onufri, Tiranë 2009.

[2] ASA, Instituti i Historisë, Regjistri i Sanxhakut të Arvanidit-1431, Tiranë 2017, f. 199.

[3] Bk. BOA, KK 2876, s. 225-229.

[4] Hasan Kaleshi, “Tiran”, İslam Ansiklopedisi, Milli Eğitim Basımevi, c. 12, İstanbul 1979, s. 374.

[5] Tapu Tahrir Defteri no-81, është mbajtur më 1519 dhe i përket periudhës së Sulltan Selimit I.

[6] BOA. TT. d., 81 v. 102.

[7] BOA. TT. d., 367 v. 414.

[8] Machiel Kiel, “Tiran”, TDV İslam Ansiklopedisi, C. 41, İstanbul 2012, s. 193.

[9] Përgatiti për botim: Uran Butka, Mithat Frashëri, vepra të zgjedhura, v. III, Instituti I Studimeve Historike “Lumo Skendo”, Tiranë 218,  f. 544-545.

[10] BOA. TT. d., 717 v. 672-674.

[11] BOA. TT. d., 81. s. 85-101.

[12] BOA. TT. d., 367. s. 404-407.

[13] BOA. TT. d., 717 s. 571-585.

[14] Machiel Kiel, Arkitektura Osmane në Shqipëri 1385-1912, përktheu: Holta Vrioni, Botim i IRCICA, Stamboll 2012, f. 378.

[15] BOA. TT. d. 786, s. 60-61

[16] Behar Kaçeli, “Osmanlı Döneminde Tiran (XIX. yüzyıl) / Tiran in Ottoman Period (XIX. Century)”, Y.L. Tezi, Dan: Prof. Dr. Mustafa A. Yediyıldız, Bursa Uludağ Üniversitesi / Sosyal Bilimler Enstitüsü / İslam Tarihi ve Sanatları Anabilim Dalı / İslam Tarihi Bilim Dalı, Bursa 2019, s.

[17] Koço Zheku, Tirana ne rrjedhen e shekujve, Botimet Toena, Tirane: 2007, s. 19-20.

[18] Osman Myderrisi, Qyteti i Tiranes, Pergatiti G. Bakiu, Shtypshkronja Erik, Tirane: 1998, s.46

[19] BOA. NFS. d. 5422, s.7

[20] Po aty.

[21] Süreyya, a.g.e, C. IV, s. 62

[22] BOA. NFS. d.,5417. 20.

[23] BOA. MVL. Dosya no:908, Gömlek no: 33, s.1-2.

[24] BOA. MVL. Dosya no 158, Gömlek no: 30, s. 1-3.

[25] BOA. MVL. Dosya no 986, Gömlek no:  18, s. 1-2.

[26] Devlet Salnamesi, 18 defa, H.1280/1863, s. 163.

[27] D. S. 12 defa, H.1274/1858, s.95.

[28] D. S. 23 defa, H.1285/1868, s. 174.

[29] İ. V. S. 1 defa, H.1299/1882, s. 85.

[30] BOA. ŞD. Dosya no:1963, Gömlek no: 7, s. 2.

[31] BOA, DH. TMİK. S. Dosya no: 70, Gömlek no: 6, s. 2.

[32] D. S. 66 defa, R.1327/1911, s. 520

[33] BOA, DH. MKT. Dosya no: 2849, Gömlek no: 26, s. 1.

[34] BOA. BEO. Dosya no: 3582, Gömlek no:268578, s.2

[35] BOA, DH. MKT. Dosya no:2863, Gömlek no:54, s. 1.

[36] İşkodra Vilayet Salnamesi, 3.defa, 1312/1894, s. 124.

[37] Për më shumë informacion rreth xhamive të Tiranës deri me 1967 shih: Roald Hysa, Xhamite e Tiranes, Botuar-Xhamia e Kokonozit, Tirane: 2008

[38] İşkodra Vilayet Salnamesi, po aty, s. 124.

[39] İşkodra Vilayet Salnamesi, po aty, s. 124.

[40] Kristo Frashëri, Historia e Tiranës, v. II, Botimet Toena, Tiranë 2004, f. 55.

[41] ASA, Instituti i Historisë, Regjistri i Sanxhakut të Arvanidit-1431, Tiranë 2017, f. 230-232.

[42] Mehmet Süreyya, Sicilli Osmani, Sebil Yayınevi, İstanbul: 1996. C III, s. 72.

[43] “Timoshoara”, qytet në Rumaninë e sotme.

[44] BOA. A. DVNSMHM. d. 76, s. 104.

[45] Süreyya, a.g.e., s. 72.

[46] İbrahim Yılmazçelik, “Osmanlı Hâkimiyeti Süresince Diyarbakır Eyaleti Valileri (1516-1838)”, F.Ü. Sosyal Bilimler Dergisi, Elaziğ: 2000, s. 245.

[47] Süreyya, a.g.e., s. 72.

[48] Uzunçarşılı, Büyük Osmanlı Tarihi, c.III, a.g.e., s. 153-155.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.