Tolerohen në vazhdimësi ato që nuk tolerohen në fillim

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Konteksti i këtij rregulli:

Këtë rregull e kanë  përmendur imam Ibn Nuxhejmi në “El Bahru-r Raik”, imam Sujuti në “El Eshbah uen Nadhair” dhe Taxhudin es Subki në “El Eshbah uen Nadhair”. Ata e kanë formuluar këtë rregull juridik pothuajse me formulime të përafërta.

Shpjegimi i këtij rregulli:

Rregulli nënkupton ruajtjen e vazhdimësisë dhe qëndrueshmërisë së një gjendjeje që ka lindur në mënyrë të mëvonshme dhe të rastësishme, duke toleruar dhe duke e kapërcyer atë që nuk do të tolerohej dhe nuk do të kapërcehej në rastin e fillimit dhe të krijimit të saj.

Kjo rregull shpreh dallimin juridiko-fetar ndërmjet kushteve që kërkohen në çastin e fillimit të një veprimi juridik dhe atyre që tolerohen pasi ai të jetë realizuar dhe të ketë hyrë në fuqi. Sipas këtij parimi, një mangësi ose rrethanë e caktuar, e cila do të pengonte vlefshmërinë e veprimit në momentin e themelimit të tij, mund të tolerohet nëse shfaqet më pas, gjatë vazhdimësisë së tij. Kjo tolerancë mbështetet në dallimin ndërmjet krijimit fillestar të një gjendjeje juridike dhe ruajtjes së saj pasi është krijuar në mënyrë të vlefshme. Megjithatë, kjo nuk nënkupton se çdo mangësi që shfaqet më vonë duhet të tolerohet, por vetëm ato për të cilat ekzistojnë arsye juridike që e justifikojnë një trajtim të tillë. Për rrjedhojë, zbatimi i këtij rregulli kërkon shqyrtimin e natyrës së çështjes, të rrethanave shoqëruese dhe të dispozitave përkatëse të Sheriatit. Kështu, rregulli synon të ruajë qëndrueshmërinë e gjendjeve juridike të krijuara në mënyrë të vlefshme, pa cenuar kushtet themelore që Sheriati kërkon për themelimin e tyre.

Argumentet e këtij rregulli:

Ky rregull mbështetet në tërësinë e argumenteve të përgjithshme që dëshmojnë lehtësinë e Sheriatit dhe largimin e vështirësisë së tepruar, pasi tolerimi dhe kapërcimi i disa çështjeve që kanë mbetur në fuqi dhe vazhdojnë të ekzistojnë përbëjnë lehtësim për njerëzit dhe shmangie të dëmit ndaj tyre.

Rregulli mbështetet gjithashtu në argumente të tjera, ndër të cilat përmenden këto:

1 – Fjala e Allahut të Lartësuar: “O ju që keni besuar! Frikësojuni Allahut dhe hiqni dorë nga ajo që ka mbetur nga kamata, nëse jeni besimtarë!”[1]

Thelbi i argumentimit përmes këtij ajeti: Allahu i Lartësuar i urdhëroi besimtarët të hiqnin dorë nga shumat e kamatës që u kishin mbetur për t’u marrë, por nuk i urdhëroi t’i kthenin shumat që i kishin marrë tashmë. Po kështu, gjatë Haxhit të Lamtumirës, Profeti (a.s) anuloi detyrimet e kamatës që vazhdonin të rëndonin mbi debitorët, pa i urdhëruar ata të kthenin shumat e marra më parë. Kjo dëshmon se Sheriati zbaton lehtësim për sa u përket gjendjeve që tashmë janë krijuar dhe vazhdojnë të ekzistojnë, ndryshe nga ato që krijohen rishtazi.

2 – Aishja (r.a) ka thënë: “Unë e parfumosja të Dërguarin e Allahut (a.s) për ihramin e tij, kur hynte në gjendjen e ihramit, si dhe për daljen nga ihrami, para se të kryente tavafin rreth Qabes.”

Thelbi i argumentit përmes këtij hadithi: Parfumosja është ndër veprimet e ndaluara për atë që ndodhet në gjendjen e ihramit. Megjithatë, nëna jonë, Aishja (r.h), e parfumoste Profetin (a.s) para se ai të hynte në gjendjen e ihramit. Kjo dëshmon se lejohet vazhdimi i mbajtjes së parfumit për personin që ndodhet në ihram, ndërsa parfumosja për herë të parë gjatë kësaj gjendjeje nuk tolerohet. Kështu, ky rast dëshmon se ajo që nuk tolerohet në fillim mund të tolerohet në vazhdimësi.

Ibn Kudame (r.h) ka thënë: “Ihrami e ndalon fillimin e parfumosjes dhe veshjen e rrobave të parfumosura, por jo vazhdimin e gjendjes së mëparshme.”

3 – Qëndrimi i dijetarëve ndaj këtij rregulli: Në parim, ky rregull pranohet nga dijetarët e medh’hebeve Hanefi, Shafi’i dhe Hanbeli. Ndërsa në medhhebin Maliki, ai është objekt shqyrtimi dhe hezitimi ndërmjet zbatimit dhe moszbatimit të tij.

Kështu, El-Vensherisi (r.h), autori i veprës “Idah el-Mesalik ile Kava’id el-Imam Malik” e paraqet këtë çështje në formë pyetjeje: “A është vazhdimi i një gjendjeje njësoj si fillimi i saj apo jo?”

Vetë formulimi pyetës dëshmon se autori nuk shpreh një qëndrim përfundimtar, por lë të kuptohet se për këtë çështje ekziston mospajtim brenda medhhebit. Për më tepër, autori paraqet më pas mendimet e ndryshme dhe sqaron se ky rregull zbatohet në disa fusha, por jo në të gjitha.

Shembuj praktik të këtij rregulli:

1 – Nëse periudha e pritjes ligjore (iddeti) fillon për gruan pas lidhjes së martesës, siç ndodh në rastin kur me të kryhet marrëdhënie seksuale nën një dyshim të arsyeshëm juridik, martesa e saj nuk bëhet e pavlefshme. Ndryshe nga kjo, nëse me një grua lidhet kontrata e martesës ndërkohë që ajo ndodhet në periudhën e pritjes ligjore, martesa nuk është e vlefshme.

2 – Bashkëshortja nuk ka të drejtë t’ia falë bashkëshortit mehrin që në çastin e lidhjes së kontratës së martesës. Prandaj, nëse ajo lidh martesën me kushtin që të mos ketë mehr, falja e tij nuk është e vlefshme dhe bëhet detyrim pagimi i mehrit të përshtatshëm (mehr el-mithl). Ndërkaq, nëse ajo ia fal mehrin bashkëshortit pas lidhjes së kontratës së martesës, kjo falje është e vlefshme dhe bashkëshorti lirohet nga detyrimi për ta paguar atë.

3 – Kontratat e vjetra të martesës, të lidhura nëpërmjet propozimit dhe pranimit, me praninë e kujdestarit ligjor (ueliut) dhe të dëshmitarëve, por pa dokument zyrtar — i cili sot përbën një kusht të rregullimit administrativ të njohur juridikisht —, nuk u nënshtrohen sot kërkesave për t’u lidhur përsëri apo për t’u shpallur të pavlefshme. Ndërkaq, aktualisht ndalohet lidhja e një kontrate të re martese pa dokumentin zyrtar.

Autor: Muadh Selum

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Bekare: 278.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *