Veç fuqinë e Zotit nuk kanë llogaritur

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Në lojën e madhe të politikës dhe luftës, Izraeli ka bërë llogaritë e tij me saktësi matematikore, si: fuqia ushtarake, mbështetja e aleatëve ndërkombëtarë, heshtja dhe servilizmi i shumë vendeve arabe, kontrolli i narrativës globale dhe arroganca e një sigurie të mbështetur mbi teknologji dhe diplomaci.

Por në gjithë këtë kalkulim, ka harruar një gjë thelbësore, fuqinë e Zotit, e cila nuk matet me statistika, nuk përkufizohet nga armët dhe nuk ndalet nga asnjë kufi.

Nga ana tjetër, shumë liderë arabë kanë bërë edhe ata llogaritë e tyre, si: frikën nga USA, spiunazhin dhe ndërhyrjen e Mosadit, ruajtjen e pushtetit të tyre të brishtë, dhe sidomos mosprishjen e rehatisë personale. Kanë rënë në një servilizëm të turpshëm, duke u bërë më shumë mbrojtës të Izraelit sesa të popujve të tyre.

Mirëpo, kanë harruar të vetmen frikë që duhej t’i udhëhiqte, frikën nga Zoti.

Kjo harresë kolektive nuk është thjesht gabim strategjik, më shumë është një devijim moral. Sepse kur një popull ose një udhëheqje harron që mbi çdo fuqi njerëzore qëndron një Fuqi Absolute, atëherë ka nisur rënien e tij.

Historia e ka treguar me shembuj të panumërt se kur njerëzit i kthejnë shpinën Zotit dhe shpresën ia varin veç vetes, dështimi nuk është çështje “nëse”, por “kur”.

E vërteta është e qartë: “Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj padrejtësive”. Ai nuk fle. Dhe kur vjen ora e Tij, asnjë fuqi nuk mund të qëndrojë përballë. E kur vjen ora e drejtësisë hyjnore, nuk do të ndihmojnë as armët, as paratë, as aleatët, vetëm qëndrimi i sinqertë dhe frika ndaj Zotit do të kenë vlerë.

Sot, më shumë se kurrë, bota ka nevojë të rizgjojë këtë vetëdije: se ekziston një Zot që sheh, dëgjon dhe vepron. Dhe se çdo padrejtësi, çdo dhunë ndaj të pafajshmëve, çdo tradhti ndaj kauzave të drejta, ka për të pasur një fund, sepse Fuqia e Zotit nuk harron.

Autor: Behar Kaçeli

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.