Veçoritë e Kuranit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Nuk ka libër në botë – qoftë fetar apo jofetar – që të jetë ruajtur nga ndryshimet dhe shtrembërimet siç është ruajtuar Kurani, aq sa nuk është e mundur assesi të shtohet apo të pakësohet (hiqet) qoftë edhe një grimë (shkronjë) e vetme. Nuk ka libër në botë, të cilin ta ketë mësuar dikush, siç kanë mësuar Kuranin, i cili qëndron në zemrat dhe mendjet e miliona njerëzve. Kurani gëzon veçori, që e dallojnë atë nga librat e tjerë, sepse është libër hyjnor, libër i mrekullisë, libër I qartë dhe i lehtë, libër i ruajtur dhe autentik, libër i fesë dhe i kohës, por edhe libër i mbarë njerëzimit.

Disa nga veçoritë dalluese të Kuranit janë:

1 – Kurani, libër hyjnor: Kurani është absolutisht libër hyjnor me formën dhe përmbajtjen e tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Elif Lám Râ. Ky është një Libër, vargjet e të cilit janë radhitur mrekullueshëm dhe janë parashtruar me hollësi nga ana e Një të Urti të Gjithëdijshëm.”[1] Allahu i Madhëruar i drejtohet të Dërguarit të Tij me fjalët: “Në të vërtetë, ty (o Muhamed) po të shpallet Kurani nga ana e një të Urti të Gjithëdijshëm”[2]  Allahu i Madhëruar thotë: “Ne e kemi shpallur Kuranin me të vërtetën dhe ai ka zbritur me të vërtetën. Ne të kemi dërguar ty (Muhamed) vetëm si përgëzues dhe paralajmërues”[3] Origjinën hyjnore të Kuranit e pohon vetë Allahu i Madhëruar: “Hâ, Mîm. Betohem në Librin e qartë! Në të vërtetë, Ne e kemi shpallur Kuranin në gjuhën arabe, për ta kuptuar ju, e ai është te Ne, në Librin kryesor (Leuhi-mahfûdh), i lartësuar dhe plot urtësi”[4] Allahu I Madhëruar thotë në një ajet tjetër: “Se ky është vërtet një Kuran i nderuar, në Librin e ruajtur. Atë (Kuranin) e prekin vetëm të pastërtit. Ai është Shpallje prej Zotit të botëve”[5]

Ibn Kajimi thotë: “Medito rreth mesazhit kuranor dhe do të konstatosh se ka një Sundues, të Cilit i takon tërë sundimi dhe falënderimi. Cdo çështje është në Dorën e Tij, prej Tij burojnë dhe te Ai kthehen. Ai është Madhështor mbi Arsh, asgjë, qoftë edhe më e vogla nuk i shpëton nga mbikëqyrja. Ai e di mire çdo çështje të krijesave, të fshehtat dhe të dukshmet e tyre. Ai e drejton Vetë çdo gjë në sundimin e Tij. Ai dëgjon e shikon, jep dhe ndalon, shpërblen dhe ndëshkon, nderon dhe poshtëron, krijon dhe furnizon, merr jetë e jep jetë, cakton dhe vendos. Ai i drejton të gjitha çështjet – nga më të voglat deri tek ato më të mëdhatë -, të cilat prej Tij burojnë dhe tek Ai përfundon çdo gjë. Asgjë nuk lëviz pa vullnetin e Tij dhe asnjë gjeth nuk bie pa lejen e Tij. Medito pra se si Allahu e lavdëron dhe falenderon Veten, se si i këshillon robërit e Tij, duke ua treguar rrugën e lumturisë dhe shpëtimit, se si i këshillon të rrinë larg asaj që i çon në vuajtje dhe mundim, se si u është shfaqur robërve nëpërmjet emrave dhe cilësive të Tij, nëpërmjet mirësive dhe begative të Tij, se si ua kujton njerëzve këto mirësi, duke i porositur të punojnë për ta merituar çdo mirësi dhe të ruhen nga pasionet e tyre, se si i kujton ata për premtimin që u dha (Xhenetin) – nëse i binden Atij – dhe për ndëshkimin që i pret (Xhehenemin) – nëse e kundërshtojnë – se si i lavdëron të dashurit e Tij për punët e mira që bëjnë dhe cilësitë e këndshme që gëzojnë, se si i qorton dhe ndëshkon armiqtë e Tij për veset e ulëta e të poshtra, se si i sjell shembujt, argumetet dhe faktet, se si u përgjigjet dyshimeve të armiqve të besimit me më të mirat dhe më të paimagjinueshmet e përgjigjeve, se si e vërteton të sinqertin dhe si e hedh poshtë gënjeshtarin. Ai thotë të vërtetën dhe rrëfen rrugën e duhur, fton për në strehën e paqes dhe bën të qartë çdo veçori të Tij, me lumturinë dhe bukurinë që e karakterizon Atë, tërheq vëmendjen që të ruhemi nga rrëshqitja në vendet e vuajtjeve, duke ua kujtuar ndëshkimet në to. Ai u kujton robërve të Tij, se sa nevojë kanë për Të, sa të varfër janë para Tij, se nuk mund të bëjnë pa Të as edhe për një moment dhe se sa i panevojshëm është Ai vetë për krijesat apo për çdo lloj ekzistence, se Ai është i Pasuri dhe i Panevojshmi, ndërsa çdo gjë ia ka nevojën Atij”

2 – Kurani, libër i ruajtur: Eshtë fakt, se edhe sot – kur kanë kaluar 14 shekuj nga shpallja e Kuranit -, asgjë nuk ka ndryshuar në të dhe Kurani vazhdon të jetë ashtu siç e ka shpallur Allahu i Madhëruar, i përcjellë pa më të voglin cenim që nga i Dërguari i Allahut (a.s), shokët e tij të nderuar (sahabët), pasardhësit e tyre brez pas brezi, të cilët e kanë ruajtur atë në zemrat dhe mendjet e tyre, duke e mësuar atë përmendësh dhe duke e shkruar nëpër mus`hafe. Sot miliona njerëz e dinë Kuranin përmendësh, nga fëmijët e deri te më të moshuarit, madje edhe joarabët që nuk e njohin fare gjuhën e Kuranit. Allahu i Madhëruar thotë: “Sigurisht, Ne me madhështinë Tonë e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne me madhështinë Tonë do ta ruajmë atë”[6] Allahu i Madhëruar i ka mundësuar të gjitha kushtet për ruajtjen e Kuranit në përmbushje të premtimit për ta ruajur atë, në mënyrë që Kurani të mbetet hyjnor siç u shpall, e që të mos i afrohen duart e liga.

Ibn Tejmije ka thënë: “Umeti islam nuk është si popujt e mëparshëm të itharëve të Librit, të cilët nuk e ruajnë librin e tyre në zemra (nuk e kanë të mësuar përmendësh). Sot, sikur të mos ekzistonte asnjë kopje e Kuranit, përsëri do ta kishim të sigurtë Librin e Allahut, pasi ai ruhet në zemrat e muslimanëve”

3 – Kurani, libër mrekullish: Kurani është mrekullia më e madhe që iu shpall të Dërguarit Allahut (a.s). Arabët nuk mundën ta sfidonin këtë mrekulli (Kuranin), megjithëse ai ishte zbritur në gjuhën e tyre.

Tre janë kushtet e mrekullisë:

1) Të ekzistojë sfida në të, sepse kështu mund të provohet efekti ndaj kundërshtarit, ndryshe askush nuk do t`i kushtonte vëmendje.

2) Sfidanti duhet të ketë një shkak për të kundërshtuar, siç mund të jetë mbrojtja e bindjeve që ka, tradita që ka trashëguar nga të parët, sistemi shoqëror me të cilin është rritur, ligjet dhe rregullat në adhurime dhe marrëdhënie reciproke etj. Kështu, kushdo që pretendon t`i dalë përballë gjithë kësaj, ta hedhë poshtë dhe ta konsiderojë humbje dhe mashtrim, domosdo do të ndeshet me shkaqe që çojnë në reagim dhe mospajtim nga pala kundërshtare.

3) Të mos ketë pengesa në shfaqjen e kundërshtimit. Këto tre kushte janë përmbushur në mrekullinë kuranore. Mesazhi i Muhamedit (a.s) është vula e mesazheve, prandaj Allahu i Madhëruar e përforcoi atë me argumente dhe mrekulli të gjalla për sa të jenë qiejt dhe toka, që të mbetet për

mbarë botën argument i gjallë dhe i përhershëm, komunikues me mendjet, sfidues për kundërshtarët. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Çdo profeti i janë dhënë mrekulli, aq sa t`i bindin njerëzit që të besojnë, ndërsa ajo që më është dhënë mua është shpallje të cilën Allahu ma shpalli. Në ditën e Kijametit, unë shpresoj të jem profeti me më shumë pasues se çdokush tjetër”[7]

4 – Kurani, libër i lehtë për tu kuptuar dhe i qartë: Kurani është libri udhëzues, që komunikon me njeriun. Ai komunikon me mendjen dhe zemrën e njeriut, me shqisat e tij si dhe me vetë ekzistencën, duke ndriçuar mendjen, duke gjallëruar zemrën, duke ngacmuar ndjenjën dhe aspiratat, duke e bërë njeriun të jetë i gjallë dhe aktiv. Kurani komunikon me të gjitha shtresat e njerëzve në stilet më të perceptueshme. Kurani mbetet i lehtë për secilin që dëshiron ta kuptojë e që përpiqet ta perceptojë. Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, Ne e kemi bërë Kuranin të lehtë për t’u kuptuar dhe kujtuar, prandaj, a ka ndonjë që të marrë këshillë”[8] dhe “Ne e kemi bërë të lehtë Kuranin në gjuhën tënde, që ata të mund të marrin këshilla”[9] Në Kuran nuk ka fshehtësi specifike, nuk ka gjëra të izoluara nga njerëzit, as gjëra që u zbulohen personave të veçantë, të cilët pretendojnë se janë të dalluar nga pjesa tjetër e njerëzve dhe se vetëm atyre u zbulohen gjërat e fshehta apo të kuptuarit e gjërave.(57)

5 – Kurani, libër i fesë dhe besimit: Kurani është i tëri libri i fesë, themeli i besimit dhe shpirti i ekzistencës islame. Nga aty fillon besimi, nga aty ngrihet adhurimi, aty e ka burimin morali dhe bazat e dispozitave dhe ligjeve të Islamit. Kush dëshiron ta njohë doktrinën islame të pastër e të panjollosur, të qartë e të pangatërruar, të gjallë dhe jo të heshtur, komunikuese si me zemrat ashtu edhe me mendjet, atëherë le ta njohë këtë vetëm nëpërmjet Kuranit. Kurani është libër që ngre fakte mbi ekzistencën e Allahut, i Cili e krijoi ekzistencën dhe vetë njeriun, ndërsa kundërshtuesit i rrëzoi me fakte dhe baza. Kurani paraqet argumente mbi doktrinën e njësimit të Allahut, që është ajka e besimit islam. Nëpërmjet njësimit të Allahut në Qenien e Tij, Zoti Një, Kurani arrin të argumentojë se Allahu është i Vetmi, i Cili meriton adhurimin, i Cili dërgoi profetët dhe shpalli librat hyjnorë. Nëpërmjet rrëfimeve mbi profetët, Kurani tregon se të gjithë ata ishin ftues në njësimin e Allahut të Madhëruar, si dhe tregon qëndresën e tyre ndaj idhujtarisë dhe politeizmit, që kishin goditur mendjet njerëzore dhe kishin shthurur jetën e tyre. Kurani ngre fakte të pakundërshtueshme mbi vërtetësinë e profetësisë së Muhamedit (a.s), sikurse është dëshmia e Allahut për sinqeritetin e tij (a.s), mbështetja e profetësisë me shenja e fakte të qarta, apo dëshmia e të diturve nga ithtarët e librit si Abdullah ibn Selami (r.a), etj. Kurani paraqet edhe çështjen mbi jetën e përtejme, shpërblimin dhe ndëshkimin në të, duke hedhur njëkohësisht poshtë çdo kotësi që mund të jetë mveshur nga besimet e tjera. Kurani është burimi i parë për ligjin islam, sepse Islami është besim që kërkon vepra. Doktrina shpreh besimin, ndërsa ligji shpreh punën, pa marrë parasysh nëse kjo punë ka të bëjë me lidhjen e njeriut me Zotin e tij (adhurimet), me marrëdhëniet e njeriut në familje, apo me marrëdhëniet publike, financiare, politike, ndërkombëtare etj.

Ashtu siç Kurani trajton besimin dhe ligjet, po ashtu ai trajton edhe moralin, qoftë ai moral hyjnor si: devotshmëria, çiltërsia, sinqeriteti, shpresa, frika, mbështetja në Allahun, etj, qoftë moral njerëzor si: besnikëria, mirëbesimi, bujaria, trimëria, thjeshtësia, droja, pastërtia morale, butësia, durimi, etj. Kurani i shikon këto dy lloje moralesh si plotësim të besimit dhe devotshmëri. Në rrëfimet e Kuranit do të vërejmë përkujdesjen e të gjithë profetëve për kultivimin e vlerave, luftimin e veseve të ulëta, e shoqëruar kjo me thirrjen për njësimin e Allahut të Madhëruar dhe adhurimin e Tij. Kurani nuk i jep vetëm moralit vendin që i takon, por po kaq vend të veçantë i jep edhe mendjes, zemrës dhe trupit.

Shkurtimisht: Mesazhi islam i ofroi njeriut besimin e vërtetë, por pa e privuar atë nga dituria, i dhuroi konceptin e drejtë për fenë, por pa ia ndaluar të mirat e kësaj bote, e lidhi njeriun me qiellin, por pa e ndaluar të ndërtonte jetën në tokë, i dhuroi dritën e shpalljes hyjnore, por pa ia shuar dritën e mendjes, i dha mundësinë të forcojë lidhjen me Krijuesin, por pa e shkëputur nga lidhja me krijesat që e rrethojnë.

6 – Kurani, libër i të gjitha kohërave: Ky pohim do të thotë, se Kurani është libër i përjetësisë dhe jo libër i një epoke të caktuar apo i një brezi të veçantë. Islami është mesazhi i fundit hynor, Muhamedi (a.s) është profeti i fundit, Kurani është libri i fundit hyjnor që përmban fjalët udhëzuese të Allahut për mbarë njerëzimin, është fjala e fundit e Allahut, prandaj nuk mund të kufizohet në kohë, por do të mbetet deri kur të vijë dita që mbi faqe të dheut të mos ketë më asnjë njeri (musliman). Kurani nuk duhet trajtuar si një kulturë e një epoke të caktuar, apo si një ide e një brezi të veçantë, pasi kulturat ndryshojnë, idetë përparojnë, brezat ia lënë vendin njëri-tjetrit dhe kohët gjithashtu ndryshojnë, ndërsa Libri i Allahut mbetet ashtu siç e shpalli Allahu i Madhëruar. Në asnjë mënyrë nuk lejohet të thuhet, se ligjet e Kuranit ishin vetëm për kohën kur u shpall, apo vetëm për epokën e brezave të pare të muslimanëve, ndërsa në epokën tonë dhe në vijim ato ligje nuk janë më të detyrueshme për t`u zbatuar. Muslimanët duhet të luftojnë fort kundër këtyre përpjekjeve djallëzore ndaj Allahut dhe fesë së Tij, që duan t`ia zhveshin Kuranit veçorinë e përjetësisë dhe ligjet e tij duan t`i shohin si të përkoshme.

7 – Kurani, libër për mbarë njerëzimin: Allahu i Madhëruar e ka bërë Kuranin udhëzim për njerëzimin dhe mbarë botën e ekzistencave. Allahu i Madhëruar thotë: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja).” dhe “I lartësuar qoftë Ai që i ka zbritur Dalluesin (Kuranin) robit të Vet, që të jetë paralajmërues për botët”. Kurani nuk është një libër për një shtresë të caktuar shoqërore, apo për një ngjyrë (racë) të veçantë, apo për një krahinë, apo për një kategori njerëzish. Kurani nuk është shpallur thjesht për të zgjuarit, duke përjashtuar njerëzit e thjeshtë, apo për egoistët, apo për idealtistët, apo për aluduesit, apo për shtetarët, apo për të pasurit, apo vetëm për burrat etj. Kurani është libër për të gjithë, Ligj për të gjithë dhe është shpallje e Zotit për të gjithë. Allahu nuk e shpalli Kuranin thjesht si qartësues dhe udhëzues për besimin apo adhurimet, që të mbetej thjesht libër fetar apo orientues për vlerat dhe virtytet, duke mbetur thjesht libër moral, apo orientues i ligjeve dhe sistemeve organizative, duke mbetur thjesht një kushtetutë. Përkundrazi, ai është Libri, në të cilin të gjitha këto përfshihen së bashku me një stil unik dhe sistem të arrirë. Kurani nuk komunikon vetëm me një grup njerëzish që kanë një orientim logjik të caktuar, duke ua mbyllur portën çdo grupi tjetër. Kurani komunikon me çdo grup dhe tip, duke ushqyer me barazi çdonjërin nga grupet me një barazpeshë që nuk e jep askush tjetër veç Allahut të Madhëruar. Ai që kërkon të vërtetën logjike, në Kuran do të vërejë atë që e kënaq logjikën e tij. Krahas kësaj, Kurani i kërkon mendjes që të hedhë poshtë aludimin, dyshimin dhe paragjykimin, shkuarjen pas pasionit dhe imitimin e verbër. Ai që kërkon të vërtetën shpirtërore, në Kuran do të gjejë gjithçka që e kënaq shijen e tij, që ushqen qenien e tij dhe që ngop dëshirat e tij për të parë drejt horizonteve të shpirtit. Ai që kërkon besimin, në Kuran do të gjejë orientuesin e besimit logjik në Allah, në mesazhin e Tij, në takimin me Të, në llogarinë, në shpërblimin dhe ndëshkimin, duke larguar dyshimet, kundërshtimet, si dhe dyfytyrësinë, do të gjejë argumente bindëse për: ekzistencën e Allahut, Njësimin e Tij, madhështinë e fuqisë së Tij, urtësinë dhe mëshirën e pakufishme të Tij, shpalljet e të Dërguarve, si dhe drejtësinë absolute të llogarisë në jetën tjetër. Ai që kërkon vlerat morale, në Kuran do të gjejë atë që e ka humbur dhe që po e kërkon. Nëse temë e moralit është mirësia, Kurani të orienton tek ajo, madje të mirën e sheh si mënyrë shpëtimi. Allahu i Madhëruar thotë: “Bëni vepra të mira për të arritur shpëtimin” Ai që pëlqen vlerat e bukurisë, në Kuran do të gjejë atë që e ushqen ndjenjën e tij për artin. Kurani nxit, që shikimet tona të kthehen drejt bukurisë së krijimit: “Ne kemi krijuar yjësi në qiell dhe e kemi zbukuruar atë për shikuesin”

Shkurtimisht: Kurani është kushtetuta e muslimanëve, është burimi bazë i dispozitave, është rruga e krenarisë dhe fisnikërisë së muslimanëve, është themeli i qytetërimit islam, përparimit dhe zhvillimit të muslimanëve. Kënaqësia e Allahut dhe Xheneti i Tij fitohen, duke zbatuar Kuranin.

Autor: Rushit Musallari

[1] – Sure Hud: 1.

[2] – Sure Neml: 6.

[3] – Sure Isra: 105.

[4] – Sure Zuhruf: 1 – 4.

[5] – Sure Uakia: 77 – 80.

[6] – Sure Hixhr: 5.

[7] – Buhariu dhe Muslimi.

[8] – Sure Kamer: 17.

[9] – Sure Duhan: 58.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *