Velaja dhe berraja në Islam

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Profeti Muhamed (a.s) thotë: “Çdo fëmijë lind në natyrën njerëzore”. Të gjithë njerëzit i dinë kufijtë e tyre në marrëdhëniet dhe kontaktet, që kanë me njëri tjetrin dhe i praktikojnë këto marrëdhënie në mënyrë të natyrshme dhe më një zemërgjerësi të natyrshme. Feja Islame erdhi, për të strukturuar më mirë këtë rrjet të lidhjeve njerëzore dhe jo për t’i ndaluar apo ndërprerë ato. Feja Islame e përforcoi më shumë rëndësinë e kësaj çështjeje, duke i cilësuar të humbur ata, që nuk mbajnë lidhje me të tjerët dhe lidhja e gjakut nuk është vlerësuar asnjëherë si gabim apo mëkat. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Sa për ata që shkelin besëlidhjen me Allahun, pasi janë zotuar për atë e që këpusin lidhjet (familjare) që ka urdhëruar Allahu të ruhen dhe bëjnë çrregullime në Tokë – mbi ta rëndon mallkimi dhe përfundimi i keq[1]

Të duash të afërmin, shokun, bashkëshorten, vatanin dhe farefisin është ndjenjë shumë e natyrshme dhe është vela (dashuri) e përgjithshme. Kjo dashuri nuk është asnjëherë në kundërshtim me dashurinë fetare (velanë islame). Brezat e parë të myslimanëve kishin një natyrshmëri për tu admiruar në marrëdhëniet dhe lidhjet me të tjerët. Ata silleshin pa komplekse, në ndryshim të plotë me ndërlikimin, që shumë nga bashkëkohësit tanë i bëjnë kësaj çështjeje në kohët e sotme. Ky fiksim ka krijuar në mendjen e këtyre njerëzve një çorbë konceptesh të gabuara, që i çon në ekstrem ose në neglizhencë.

Me vela kemi për qëllim besnikërinë, dashurinë dhe ndjekjen e besimtarëve, duke ju afruar atyre e duke i dashur ata. Fjala vela nënkupton vëllazërinë mes besimtarëve, ndihmesën e tyre dhe përkrahjen e tyre.

Ekzistenca e umetit mysliman është e lidhur me praninë e kësaj lidhje shpirtërore mes besimtarëve. Allahu i Madhëruar thotë në Kuranin e shenjtë: “Në të vërtetë besimtarët janë vëllezër…[2] Allahu i Madhëruar thotë gjithashtu në Kuran: “Miqtë dhe mbrojtësit tuaj janë vetëm Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët që falin namazin dhe japin zeqatin, duke qenë të përulur (në adhurim) ndaj Allahut[3]. Vëreni thënien e profetit Muhamed (a.s) për të njohur më mirë konceptin e dashurisë, ndihmesës dhe ndjeshmërisë: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë e tyre dhe mëshirën mes tyre është si shembulli i një trupi të vetëm. Në rast se një pjesë e tij ndjen shqetësim, i gjithë trupi do të ketë dhimbje dhe temperaturë“.

Kjo vela mes besimtarëve dhe berra (urrejtje) për armiqtë është pjesë e Teuhidit. Velaja është ndjenjë e brendshme shpirtërore, që karakterizohet nga dashuria, mëshira dhe dashamirësia. Po ashtu është pjesë e jetës praktike të përditshme, që dallohet me mbështetje, përkrahje dhe ndihmë. Ndihmë në të vërtetën, duke e përkrahur atë dhe ndihmë edhe kur gabon, duke e këshilluar dhe e orientuar tjetrin drejt së vërtetës. Profeti Muhamed (a.s) ka thënë në hadithin për të padrejtin “ta ndihmosh atë”. Lidhja e velasë është lidhje fetare jo racore. Nga veçoritë e lidhjes fetare është, se kjo lidhje bazohet në parime dhe baza, para se të ketë lidhje me persona dhe individë. Në rast se ndonjë individ kundërshton këtë parim, atëherë është pjesë e velasë, që ne ta udhëzojmë dhe ta këshillojmë atë dhe jo ta pasojmë, apo ta anashkalojmë thjesht për përkatësinë e tij etnike apo farefisnore. E drejta dhe e vërteta janë mbi individin.

Berraja (urrejtja) në fe është largimi dhe mospranimi i shirkut, kufrit, padrejtësisë, armiqësisë dhe tiranisë. Ajo është distancimi i plotë nga ata, që kryejnë padrejtësi dhe ftojnë në to.

Zoti thotë në suren Kafirun. “Thuaj:“O ju mosbesimtarë! Unë nuk adhuroj çfarë ju adhuroni! Dhe ju nuk jeni adhurues të Atij që unë  adhuroj! Unë nuk do të jem kurrë adhurues i atyre që ju adhuroni! Dhe as ju nuk do të jeni adhurues të Atij që unë adhuroj! Ju keni fenë tuaj, ndërsa unë kam fenë time!”[4]

Koncepti i berrasë është sinqeriteti i dashurisë për këtë fe pa kushtëzuar çrrënjosjen e  ndjenjës së dashurisë të natyrshme dhe marrëdhëniet korrekte me të tjerët. Komunikimi i mirë dhe bashkëjetesa në paqe është baza e marrëdhënieve me ata, që nuk të luftojnë dhe nuk armiqësohen. Ky është dhe udhëzimi Hyjnor në Kuranin Fisnik.

Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre, që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët“. (El-Mumtehine 8)

Pra në këtë ajet Zoti na mëson, që mirësia, bujaria e drejtësia duhet të jenë moralet karakterizuese me të tjerët. Le të mundohet myslimani, të jetë i drejtë në marrëdhëniet më të tjerët, sepse ndryshimi i besimit nuk duhet të sjellë padrejtësi dhe mirësia ndaj tjetrit është pjesë e fesë sonë.

Popujt ndryshojnë mes tyre nga këndvështrimet që kanë ndaj myslimanëve dhe fesë islame. Ndryshojnë në pozicionimin e tyre ndaj nesh me drejtësinë apo ekstremizmin që kanë. Edhe në besimin e tyre ata nuk janë në një nivel. Zoti thotë në Kuran: “Ata (ithtarët e librit) nuk janë të njëjtë. Nga ithtarët e librit ka që janë në rrugë të drejtë, gjatë natës lexojnë ajetet e Allahut duke u lutur“. (Ali Imran 113).

Me rëndësi në çështjen e berrasë është, që të mos e duash jomyslimanin për akiden e tij, ose për fenë që pason. Kjo është pika, që e shkatërron konceptin e berrasë. Ky veprim ndryshe kuptohet si dhënie prioritet i një feje tjetër ndaj Islamit. Besimtari, që ka pranuar këtë fe dhe është pasues i saj, nuk mund ta kryejë këtë veprim. “Nuk gjen njerëz, që besojnë në Allahun dhe ditën e gjykimit, që të ushqejnë dashuri ndaj atyre, të cilët e  kundërshtojnë Allahun dhe të dërguarin e Tij, edhe sikur të jenë ata (kundërshtarët) prindërit e tyre, ose fëmijët e tyre, ose vëllezërit e tyre, ose farefisi i tyre. Allahu  ka skalitur besimin në zemrat e tyre dhe i ka fuqizuar ata me shpalljen e Vet. Ai do t’i shpjerë ata në xhenete, në të cilët rrjedhin lumenj e ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu ua ka pëlqyer punën e tyre dhe ata janë të kënaqur me shpërblimin e Tij. Ata janë pala e Allahut, dhe vërtet që pala e Allahut do të jetë fituese[5]

Në këtë ajet flitet për ata, që kundërshtojnë dhe luftojnë Allahun, të Dërguarin e Tij dhe besimtarët. Ky është komentimi që i kanë bërë Taberiu, Ibn Atije e të tjerët këtij ajeti.

Të gjithë ajetet që kanë ardhur për të ndaluar besnikërinë dhe pasimin e jobesimtarëve, kanë pasur si qëllim muharib (ata që ta luftojnë dhe kanë armiqësi ndaj besimtarëve).

O ju që besuat, mos i bëni miq armiqtë e Mi dhe armiqtë tuaj, duke shprehur ndaj tyre dashuri, kur dihet se ata mohuan të vërtetën që u erdhi juve dhe kanë dëbuar Të dërguarin dhe ju, vetëm se besoni në Allahun, Zotin tuaj…[6]

Allahu i Madhëruar ka ndaluar bindjen, të pasuarit dhe besnikërinë ndaj tyre, përderisa ata janë armiq dhe luftojnë besimtarët. Miqësia e besimtarit me ta mund të jetë shkak për të mësuar sekretet e luftës dhe për të na shkatërruar. Allahu i Madhëruar e shpjegon edhe këtë në ajetin e mësipërm.

Me urrejtje ndaj të tjerëve kuptojmë: urrejtja e mohuesit, akides së tij, padrejtësisë, armiqësisë dhe berra (largim, braktisje) e udhëheqësve të luftës, gjakderdhësve dhe vrasësve të njerëzve të pafajshëm. Berra nga çdo lloj praktike të padrejtë të dhunshme, që i shton të padrejtit forcën dhe shkatërrimin dhe e dobëson të pafuqishmin. Feja Islame ka ardhur, për të ndihmuar të pafajshmit, kur u bëhet padrejtësi dhe për të udhëzuar të padrejtët, që mos bëjnë padrejtësi.

Për sa i përket dashurisë së të afërmit nga gjaku, siç është dashuria e jobesimtarit si individ, apo për lidhjen farefisnore duke pasur kontakte me të dhe duke u sjellë mirë ndaj tyre, apo duke pasur shoqëri me ta, nuk ka asnjë të keqe dhe nuk është e ndaluar. Kjo është pjesë e dashurisë të natyrshme (fitra), që ka çdo njeri dhe që e ka lejuar Allahu. Feja Islame ka urdhëruar për shoqërimin dhe respektimin e prindërve edhe nëse janë jobesimtarë. Allahu ka lejuar martesën me pasueset e Librave Hyjnorë (të krishterë, hebre..) edhe pse ka thënë në Kuranin Fisnik : “dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë[7]  dhe kur themi, se Allahu ka sjellë mes tyre dashuri, do të thotë që të dy bashkëshortët do të shkëmbejnë me njëri – tjetrin ndjenjat e dashurisë dhe mëshirës. Profeti Muhamed (a.s) është porositur nga Zoti i Madhëruar:”Vërtet ti (Muhamed) nuk mund të udhëzosh kë të duash, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dëshirojë[8]Ky ajet flet për Ebu Talibin. Mos harrojmë që profeti Muhamed (a.s) e donte Ebu Talibin dhe kjo dashuri nuk është e ndaluar apo në kundërshtim me konceptin e velasë në Islam. Të duash të tjerët, nuk është e ndaluar dhe nëpërmjet kësaj dashurie ne kuptojmë konceptet e larta dhe të bukura që ka sjellë feja jonë.

Imam Buhariu thotë në librin Edeb El- Mufred, se Ibn Abazi ka thënë: “Nëse do të më thoshte Faraoni: “Zoti të bekoftë”, do t’i thosha: “Edhe ty gjithashtu”, sepse morali Islam na nxit për t’ia kthyer përshëndetjen të tjerëve ashtu siç na përshëndesin, dhe shpërblimi i një të mire është veçse me të mirë”.

Allahu thotë në Kuranin Fisnik: “Ja, ju i doni, por ata nuk ju duan juve dhe ju i besoni të gjitha librave (ndërsa ata jo)”[9]. Ajeti i Kuranit na tregon për besimtarët, që i duan jobesimtarët dhe i qortoi ata, se ua japin dashurinë e tyre atyre, që nuk shkëmbejnë me ta të njëjtat ndjenja: dhe tolerojnë e mëshirojnë ata, që i luftojnë dhe shpifin ndaj tyre. Dashuria e ndërsjellë nuk është pjesë e së ndaluarës në Islam. Marrëdhëniet e natyrshme, që janë ngritur mbi mirëkuptim, tolerancë, vëllazëri etj, janë vlerësuar gjithmonë nga feja Islame. Parimet e kësaj feje nxisin për të rritur këto vlera dhe myslimani duhet t’i ruajë e t’i përhapë këto vlera, për të ftuar të tjerët në fenë e tij dhe për të qenë shembull i mirë për të tjerët. Përçarja, armiqësia e të tjerëve nuk duhet të jetë në axhendën e myslimanit. Ndonjëri mund të thotë: “Shiko ajetin kuranor, ku Zoti tregon për historinë e Ibrahimit a.s: “Ju e keni shembullin më të mirë te Ibrahimi dhe te ata që ishin me të, kur i thanë popullit të vet: “Ne tërhiqemi prej jush dhe prej asaj që adhuroni përveç Allahut, ne ju mohojmë, prandaj ndërmjet nesh e jush është e hapët armiqësia e urrejtja derisa të besoni te Allahu Një dhe të Vetëm“. Përjashtim (Nga ky shembull) bën fjala e Ibrahimit për të atin: “Unë do të kërkoj falje për ty, por nuk kam kurrfarë mundësie për të të mbrojtur para Allahut.  O Zoti ynë, tek Ti mbështetemi, Ty të drejtohemi dhe tek Ti do të kthehemi[10] Është e qartë, që në këtë rast flitet për një armiqësi të hapur të shfaqur ndaj Ibrahimit (a.s): “Prandaj ndërmjet nesh e jush është e hapët armiqësia“. Armiqësinë në këtë rast nuk e filloi Ibrahimi (a.s). Ai erdhi te populli i tij, për t’i ftuar në rrugën e drejtë në sinqeritet dhe në Islam, por kur ata i shfaqën armiqësinë dhe ligësitë  e tyre, ai ishte i obliguar që t`u përgjigjej në atë mënyrë dhe të vepronte me atë gjuhë dhe kjo ishte për të ruajtur besimin e tij dhe për të mos u shkrirë dhe humbur në idhujtarinë e tyre. “Edhe lutja e Ibrahimit për babanë e vet nuk ishte tjetër, pos për shkak të një premtimi që ia pat premtuar atij, e kur iu bë e qartë se ai është armik i Allahut, u largua prej tij. S’ka dyshim, Ibrahimi ishte shumë i ndjeshëm dhe i butë[11]

Ibrahimi mori atë vendim, pasi i ati e shprehu hapur armiqësinë dhe kundërshtimin e tij ndaj Zotit dhe fesë.

Feja Islame ka ardhur mes njerëzve, për të plotësuar dhe orientuar virtytet e përgjithshme dhe të natyrshme që ka njeriu dhe në bazë të këtyre virtyteve myslimani mund të bashkojë mes velasë së natyrshme (fitra) për popullin e tij, identitetin e tij, kombin e tij etj…dhe velasë që është më e rëndësishme për besimin e tij dhe fenë e tij. Velaja e dytë është plotësuese për velanë e parë. Profeti Muhamed (a.s) thotë: “Jam dërguar për të plotësuar moralet e larta”.

Autor: Selman Aude

[1] – Sure Ra’d: 25.

[2] – Sure Huxhurat: 10.

[3] – Sure Maide:

[4] – Sure Kafirun: 1 – 6.

[5] – Sure Muxhadele:

[6] – Sure Mumtehine: 1.

[7] – Sure Rum: 21.

[8] – Sure Kasas: 56.

[9] – Sure Ali Imran: 119.

[10] – Sure Mumtehine: 4.

[11] – Sure Taha: 114.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.