Vendosja e parimeve të shëndosha të hallallit dhe haramit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Njerëzit paraislamë ishin të humbur në çështjet e hallallit dhe haramit, ashtu siç ishin të humbur edhe në çështjet e tjera, madje kishin devijuar aq shumë saqë e kishin lejuar haramin e keq, ndërsa e kishin ndaluar hallallin e mirë. Kështu kishin vepruar si idhujtarët ashtu edhe ithtarët e librave të shpallur.

Kjo humbje ka qenë ekstremiste dhe devijuese,  e të djathtës ekstreme apo të majtës ekstreme.

Në të djathtën ekstreme ishin brahamizmi i vrazhdë Indian, murgëria e krishterë dhe doktrinat e tjera që mortifikonin trupin, e ndalonin ushqimin e mirë dhe të mirat që i ka krijuar Zoti për robërit e Vet. Monasticizmi i krishterë e përjetoi kulmin në Mesjetë ngase mijëra murgj i ndalonin të mirat, madje aq larg kishin shkuar saqë disa prej tyre larjen e këmbëve e kishin konsideruar mëkat, kurse hyrjen në banjo mjerim dhe humbje.

Në të majtën ekstreme ishte doktrina e Mezdekut Persian, cili predikonte lirinë absolute, eventualisht i lejonte njerëzit të marrin çdo gjë, të lejojnë çdo gjë, madje edhe atë që në mënyrë të natyrshme ishte e shenjtë për njerëzit.

Arabët para periudhës islame ishin shembull konkret i destabilizimit kaotik të kritereve të hallallit dhe haramit. Ata kishin lejuar alkolin, kamatën e shumëfishtë, torturimin e femrave etj. Kishin shkuar aq larg saqë djajtë e njerëzve dhe xhindeve ua kishin hijeshuar vrasjen e fëmijëve të tyre dhe përkulja para tyre ua kishte zhdukur ndjenjat prindërore. Në këtë kontekst, Allahu i Madhëruar thotë: “Kështu shumicës së idhujtarëve, idhujt ua hijeshuan atyre vrasjen e fëmijëve të vet, për t’i shkatërruar dhe për t’ua ngatërruar fenë e tyre.”[1]

Këta “shoqërues” përdornin mënyra të ndryshme për t’ua hijeshuar vrasjen e fëmijëve prindërve të tyre si p.sh. frika nga varfëria aktuale apo e mundshme, frika nga turpi në rast se fëmija ishte vajzë, afrimi ndaj zotave nëpërmjet therrjes së fëmijëve si kurban etj.

Është për t’u habitur se ata të cilët e pranonin vrasjen e fëmijëve me therrje apo me varrosjen e tyre për së gjalli, ia kishin ndaluar vetes shumë gjëra të mira nga kafshët, bimët e ndryshme, madje edhe më interesant se kjo,  ata këto vepra i konsideroni si rregulla të fesë dhe ia mvishnin Zotit. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe sipas shijeve të tyre, ata thonë se këto bagëti e ato drithëra janë të ndaluara dhe askush nuk duhet t’i hajë, përveç atyre që i lejojmë ne. Thonë edhe se ka disa kafshë që ndalohen të përdoren për ngarkesë apo punë tjetër, si edhe bagëti mbi të cilat nuk përmendet emri i Allahut, duke shpifur ndaj Tij. Ai do t’i ndëshkojë ata për atë që shpifën.”[2]

Kurani e ka sqaruar humbjen e atyre që e lejuan atë që duhet të ndalohet apo që e ndaluan atë që duhet të lejohet, duke thënë: “Vërtet që të humbur janë ata që kanë vrarë fëmijët e tyre nga marrëzia dhe padija dhe kanë ndaluar ato gjëra me të cilat i ka furnizuar Allahu, duke shpifur kështu gënjeshtra ndaj Allahut. Vërtet që ata kanë gabuar e humbur tepër larg dhe nuk kanë qenë të udhëzuar.”[3]

Kur u shpall Islami, e gjeti këtë konfuzion e devijim në çështjen e hallallit dhe haramit, dhe që në fillim u desht ta përmirësojë këtë aspekt vital të ligjit duke i caktuar parimet legjislative, të cilat do të jenë bazë e hallallit dhe haramit. Kështu i rivlerësoi gjërat, caktoi parime të shëndosha, riktheu drejtësinë dhe vendosi kritere. Për këtë shkak, umeti islam ndodhet në mes të humburve dhe të devijuarve, qoftë djathtas apo majtas, është populli mesatar, dhe ashtu siç e përshkruan Kurani është populli më i mirë ndër mbarë njerëzimin.

Autor: Jusuf Kardavi

Përktheu: Mustafa Muhamed

[1] – Sure En’am: 137.

[2] – Sure En’am: 138.

[3] – Sure En’am: 140.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.