Veprat varen sipas nijetit (qëllimit)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Prijësi i besimtarëve, Omer ibn Hatabi (r.a) thotë: “Kam dëgjuar Profetin (a.s) të thotë: “Me të vërtetë veprat varen sipas nijetit.Çdokujt i takon ajo që ka pasur për nijet. Ai, i cili ka emigruar për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, emigrimi i tij konsiderohet për Allahun dhe të Dërguarin e Tij,ndërsa kush ka emigruar për të fituar diçka të kësaj bote, apo për t`u martuar mendonjë grua,ai përfiton nga emigrimi i tij vetëm atë që ka pasur për qëllim”[1].

Shpjegimi i hadithit:

Hadithi i mësipërm na fton që të mendojmë dhe të meditojmë rreth tij. Ky hadith profetik përcakton orientimin e saktë të fjalëve dhe veprimeve të muslimanit. Në strukturën e tij, ky hadith përbëhet nga katër fjali:

Fjalia e parë: “Me të vërtetë veprat varen sipas nijetit”. Kjo fjali përbën një prej rregullave të përgjithshme të Islamit.

Veprat,që njeriu i kryen gjatë gjithë jetës së tij, duhet të shoqërohen me nijet të pastër.

Në këtë fjali, fjala “nijet”është përmendur në numrin njëjës, sepse nijeti buron nga një vend i vetëm që është zemra, kurse fjala “veprat” janë përdorur në numrin shumës, sepse ato janë të shumta dhe të shumëllojshme.

Fjalia e dytë: “Çdokujt i takon ajo që ka pasur për nijet” do të thotë, se çdo njeri është përgjegjës për veprimet e tij. Kjo fjali është plotësuese dhe sqaruese e rregullit të parë, që veprat varen nga qëllimet. Njeriu e merr shpërblimin e veprës së tij në varësi të nijetit që ka pasur për qëllim, i mirë apo i keq qoftë ai.

Fjalia e tretë: “Ai, i cili ka emigruar për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, emigrimi i tij konsiderohet për Allahun dhe të Dërguarin e Tij” nënkupton, se ai i cili emigron për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të shpërblehet për nijetin e tij.

Fjalia e katërt: “Ndërsa kush ka emigruar për të fituar diçka të kësaj bote, apo për t`u martuar mendonjë grua, ai përfiton nga emigrimi i tij vetëm atë që ka pasur për qëllim”.Profeti (a.s) e ka thënë këtë hadith, për shkak se në atë kohë, një njeri emigroi nga Meka në Medine, për t’u martuar me një grua që quhej Ummu Kajs dhe për këtë ai u quajt “Emigranti i Umu Kajsit”([2]).

Nëpërmjet kësaj, Profeti (a.s) dëshiron të na tregojë, se çështja nuk ka të bëjë me një ndodhi që ka ndodhur në një vend dhe kohë të caktuar, por i drejtohet çdo njeriu, cilido qoftë ai, që kur të kryejë një punë, të bëjë kujdes me nijetin e tij.

Orientimi i saktë që na jep feja – se muslimani duhet ta shoqërojë çdo fjalë dhe vepër me nijetin e mirë – tregohet edhe në hadithe të tjera, siç është edhe fjala e Profetit (a.s): “Njerëzit do të ringjallen, sipas nijeteve që kanë pasur”[3].

Mësimet e nxjerra nga hadithi:

1 – Vlera dhe Rëndësia e nijetit.

2 – Sferat e hadithit të nijetit.

3 –Lidhja e ngushtë e nijetit me veprat, si dhe gjurma që nijeti lë tek veprat.

4 – Sinqeriteti në adhurime.

5 – Nijeti i pastër, syfaqësia dhe pranimi i punës.

6 – Shenjat dalluese të sinqeritetit.

7 – Në shoqëri me njerëzit e sinqertë.

8 – Ftesa për të bërë atë që është më e dobishme.

9 – Vlera e Hixhretit.

10 – Motivimi për të bërë vepra të mira dhe frenimi nga kryerja e veprave të këqija.

1 – Vlera dhe rëndësia e nijetit:  

Ky hadith profetik flet qartë për vlerën dhe rëndësinë e nijetit. Dijetarët kanë thënë: “Ky hadith përbën 1/3 e fesë islame”.Disa dijetarë kanë thënë, se shprehja: “Me të vërtetë veprat varen sipas nijetit” nënkupton dy gjëra:

  1. a) Se vepra duhet të jetë e pastër vetëm për hir të Allahut të Lartësuar duke mos patur përzierje të idhujtarisë,
  2. b) Se vepra duhet të jetë në përputhje me traditën profetike.

Gjithashtu po në këtë kontekst dijetarët thonë se  njeriut në Ditën e Kijametit për çdo vepër që ka kryer do t’i drejtohen dy pyetje: Pyetja e parë: Për kë ka qenë kjo punë? A ka qenë për hir të Allahut apo për syfaqësi? Dhe pyetja e dytë: A e ke kryer atë në përputhje me traditën profetike apo jo?

Kurse dijetari i shquar Ibn Kajim duke folur për lidhjen midis nijetit dhe veprës thotë: [Shembulli i një vepre që kryhet pa nijet dhe duke mos qenë në përputhje me traditën profetike i ngjan shembullit të udhëtarit i cili e mbush torbën me rërë. Padyshim kjo torbë është e rëndë dhe nuk i bën atij aspak dobi.] [4]

Nijeti i pastër ka qenë një cilësi dalluese e profetëve të Zotit. Një cilësi të tillë për profetët Allahu i Lartësuar e përshkruan mjaft mirë në Kuranin Fisnik. Në lidhje me Jusufin (a.s) Allahu i Lartësuar thotë: “Ajo e dëshiroi atë; por edhe Jusufi do ta kishte dëshiruar atë, sikur mos të kishte parë provën e Zotit të vet.  Kështu e larguam nga e keqja dhe vepra e shëmtuar, sepse ai në të vërtetë, ishte nga robërit Tanë të sinqertë.”[5] Në lidhje me Musain (a.s), Allahu i Lartësuar thotë: “Trego në Libër edhe për Musain! Njëmend, ai ishte i sinqertë, i dërguar dhe profet.”[6] Në lidhje me Ibrahimin, Is’hakun dhe Jakubin, Allahu i Lartësuar ka thënë: “Kujto robërit Tanë, Ibrahimin, Is’hakun dhe Jakubin, të fortë në besim dhe largpamës. Ne i përzgjodhëm ato me një detyrë të sinqertë, me përkujtim ndaj botës tjetër.”[7]

Nijeti dhe besimi i pastër janë si pema që i ka rrënjat e thella në tokë. Degët e kësaj peme janë veprat e mira kurse frutat e saj janë jeta e mirë në këtë botë dhe lumturia e përhershme në botën tjetër. Ashtu sikurse frutat e Xhenetit nuk mbarojnë kurrë dhe nuk janë të ndaluara po ashtu edhe frutat e nijetit dhe besimit të pastër nuk shterojnë kurrë në këtë botë. Në krahun e kundërt janë idhujtaria dhe syfaqësia të cilat janë pema që kanë zënë rrënjë në zemër. Frutat e saj në dynja janë frika, paniku dhe stresi. Kurse frutat e saj në ahiret janë ndëshkimi i përhershëm. Këto dy pemë, Allahu i Lartësuar i ka përmendur në suren Ibrahim me këto fjalë: “Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e përqas fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli. Me lejen e Zotit të saj, pema jep fruta në çdo kohë. Allahu u tregon shembuj njerëzve, që t’ua vënë veshin. Fjala e keqe është si pema e keqe me rrënjë të shkulura, e paqëndrueshme për ekzistencë.”[8]

Nijeti i pastër për zemrën është si uji i cili gjallëron çdo qelizë të jetës. Ashtu sikurse njeriu nuk mund të jetojë pa ujë ashtu edhe zemra nuk mund të jetë e pastër nëse mungon nijeti i mirë dhe i sinqertë. Nijeti i mirë e pastron zemrën nga sëmundjet e këqija si vetëpëlqimi, syfaqësia, hipokrizia, zilia, inati dhe urrejtja. Profeti (a.s) ka thënë: “Janë tre gjëra ndaj të cilave zemra e muslimanit nuk mbart urrejtje: që ta bëjë një vepër me sinqeritet për hir të Allahut, t’i këshillojë prijësit e muslimanëve dhe të bashkangjitet me xhematin (e muslimanëve), sepse vërtet lutja e tyre i përfshin edhe ata që janë pas tyre.”[9]

Nijeti është mjaft i rëndësishëm në çdo vepër të mirë, që muslimani e kryen, sepse nëpërmjet nijetit ai fiton kënaqësinë e Allahut të Lartësuar. Allahu i Lartësuar thotë: “Do të mbahet larg tij (zjarrit) më i devotshmi që e jep pasurinë e tij, duke pastruar veten dhe duke mos pritur shpërblim prej dikujt tjetër për këtë, por vetëm për të kërkuar Fytyrën (kënaqësinë) e Zotit të tij, më të Lartit. Dhe ai me siguri do të jetë i kënaqur.”[10]

Besimtari i sinqertë në adhurimin ndaj Zotit e meriton të jetë nën vëmendjen dhe kujdesin e profetëve të Zotit. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe qëndro me ata që i luten Zotit të vet mëngjes duke dëshiruar Fytyrën (kënaqësinë) e Tij dhe mos i shmang sytë nga ata (tek të tjerët), duke dashur stolitë e shkëlqimin e kësaj jete. Mos dëgjo atë zemrën e të cilit ia kemi lënë mospërfillëse ndaj përmendjes Sonë, e që shkon pas dëshirave të veta, duke shkelur çdo kufi në veprimet e veta.”[11]

Nijeti i pastër dhe i sinqertë do të thotë shpëtim nga të gjitha llojet e prangave të vendosura në këtë botë. Me nijetin e pastër, zemra e njeriut bëhet udhëheqëse pasi më parë ka qenë e burgosur. Njeriu në këtë botë ose do të jetë rob i Allahut ose rob i diçkaje tjetër. Sa kuptimplote janë fjalët e sahabijut të nderuar Rib’ij ibn Amirit kur i është përgjigjur pyetjes së komandantit pers, Rustemit: Përse keni ardhur? Ai tha: Allahu na ka dërguar për t’i nxjerrë njerëzit nga adhurimi i njerëzve për tek adhurimi i Allahut, nga ngushticat e dynjasë në gjerësitë e saj dhe nga padrejtësitë e feve për tek drejtësia e Islamit.

Ajo vepër e mirë që është kryer me nijet të pastër është shkak ndërmjetsimi për njeriun tek Allahu i Lartësuar. Shembulli më i mirë për këtë rast wshtw shembulli i atyre tre njerëzve të cilët kur futen në një shpellë, një shkëmb i madh ua zë hyrjen e shpellës. Ata mundohen ta largojnë shkëmbin por nuk munden. Pasi i humbën shpresat vendosën që të kujtonin një vepër të mirë të kryer me sinqeritet për t’iu lutur Allahut që t’i shpëtonte nga kjo fatkeqësi. Pasi e përmendën veprën e mirë ata iu lutën Allahut të Lartësuar që të shpëtonin e Ai ia largoi atyre shkëmbin nga hyrja e shpellës.

Shejtani i mallkuar nuk ka pushtet dhe forcë kundër robërve të sinqertë. Këtë fakt e ka pohuar Allahu i Lartësuar në Kuran duke thënë: “Iblisi tha: Zoti im, për shkak se më çove në humbje, unë do t’ju zbukuroj atyre rrugën e gabuar në Tokë dhe të gjithë do t’i shpie në mashtrim, përveç robërve të Tu të sinqertë. Allahu tha: Kjo është rruga Ime e drejtë. Në të vërtetë, ti nuk do të kesh pushtet mbi robërit e Mi, përveçse mbi të humburit, që të pasojnë ty.”[12]

Nijeti i pastër bën që njeriu të shmanget nga fëlliqësia dhe imoraliteti. Në një ajet, Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet që namazi të ruan nga shthurrja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe vërtet që përmendja e Allahut është më e madhe.”[13] Kështu pra nëpërmjet namazit njeriu shmanget nga e keqja që janë veprat e shëmtuara dhe në të njëjtën kohë bën një vepër të mirë që është përmendja e Allahut. Nuk ka dyshim se kryerja e një vepre të mirë është më e mirë se kryerja e një vepre të shëmtuar. Shembulli më i mirë se njeriu i sinqertë është i ruajtur nga veprat e shëmtuara është shembulli i Profetit Jusuf (a.s), një djalë i ri dhe i pashëm, por mbi të gjitha një njeri i sinqertë me Allahun e Lartësuar. Kur gruaja e të plotfuqishmit të Egjiptit e thirri që të kryente imoralitet, por Allahu i Lartësuar e ruajti atë nga kjo vepër e shëmtuar për shkak të sinqeritetit të tij. Në lidhje me Jusufin (a.s), Allahu i Lartësuar thotë: “Kështu e larguam nga e keqja dhe vepra e shëmtuar, sepse ai në të vërtetë, ishte nga robërit Tanë të sinqertë.”[14]

Nijeti i pastër është shkak që njeriut t’i falen mëkatet dhe si rrjedhojë të hyjë në Xhenet. Allahu i Lartësuar thotë: “Sigurisht, ju do ta provoni dënimin e dhembshëm dhe do të shpërbleheni vetëm sipas asaj që keni bërë! Kurse robërit e sinqertë të Allahut do të kenë mirësi të caktuara dhe fruta të ndryshme e do të jenë të respektuar në Xhenetet e lumturisë.”[15]

2 – Sferat e hadithit të nijetit:

Hadithi “Me të vërtetë veprat varen sipas nijetit…”është shumë i rëndësishëm, pasi ai përfshin të gjitha sferat e jetës, atë të besimit, adhurimit, moralit… etj. Më poshtë po përmend disa prej sferave, ku bën pjesë ky hadith:

Sfera e besimit:

Hadithi “Me të vërtetë veprat varen sipas nijetit…” pohon një fakt shumë të rëndësishëm: veprat duhet të shoqërohen domosdoshmërisht me nijet të pastër, në mënyrë qëtë pranohen. Allahu i Lartësuar thotë: “E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e të pastër (të Ibrahimit) si dhe të falnin namazin e të jepnin zekatin. Kjo është feja e drejtë”[16]. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Andaj adhuro Allahun me përkushtim të çiltër për Të! Vetëm Allahut i takon adhurimi i vërtetë”[17].

Në të njëjtën kohë, hadithi “Me të vërtetë veprat varen sipas nijetit…” na këshillon, që të ruhemi nga disa sëmundje të zemrës, që janë shumë të rrezikshme, si për shembull:

1 – Vetëpëlqimi: kjo gjë e prish punën e mirë.

2 – Syfaqësia: kur njeriu bën një vepër të mirë, mund të ndodhë që ai dëshiron të fitojë kënaqësinë e njerëzve, ose të fitojë kënaqësinë e Allahut të Lartësuar dhe të njerëzve në të njëjtën kohë. Mirëpo, në të dyja rastet, vepra e tij nuk pranohet. Allahu i Lartësuar thotë: “Mjerë për ata, të cilët kur falen janë të pakujdesshëm për namazet, të cilët duan vetëm që të duken”[18],ndërsa në një ajet tjetër Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Mos i çoni dëm lëmoshat tuaja, duke ua kujtuar ato (atyre që u keni dhënë) dhe duke fyer, siç vepron ai që e shpenzon pasurinë e vet për sy e faqe të botës dhe nuk beson në Allahun dhe Ditën e Fundit. Ai shëmbëllen me një gur të lëmuar me dhe, mbi të cilin bie shiu me rrebesh, duke e lënë të zhveshur. Ata nuk kanë kurrfarë dobie nga veprat që kanë bërë, se Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë popullin mohues”[19].

Allahu i Lartësuar e ka krijuar njeriun në dynja me qëllim që ai ta adhurojë atë. Ai i cili e beson dhe adhuron Allahun e Lartësuar – në Ditën e Kijametit – do të hyjnë në Xhenetin ku do të jetojë përgjithmonë dhe kush e ka mohuar Allahun e Lartësuar apo i ka shoqëruar dikënd tjetër në adhurim – në Ditën e Kijametit – do të hyjë në Zjarrin e Xhehenemit ku do të jetojë përgjithmonë. Me të drejtë këtu lind një pyetje: Si është e mundur që njeriu të shpërblehet me përjetsi duke hyrë në Xhenet, apo ndëshkohet pëjetësisht në Xhehenem ndërkohë që ai në këtë botë ka jetuar përkohësisht? Përgjigja e kësaj pyetje ka lidhje të ngushtë me nijetin e njeriut, që do të thotë se besimtari vdes me nijetin që ai edhe sikur të jetojë përjetësisht do ta adhurojë Allahun e Lartësuar, prandaj edhe do të shpërblehet përjetësisht në Xhenet. Kurse nga ana tjetër, mosbesimtari vdes me nijetin se do ta mohojë Allahun e Lartësuar edhe sikur të jetojë përjetësisht, prandaj ai e meriton të ndëshkohet përjetësisht në Xhehenem.

Një pyetje tjetër që lind në këtë kontekst ka lidhje me atë njeri jobesimtar i cili ka kontribuar dhe ka dhënë shumë për shoqërinë në këtë botë, ndërkohë që në botën tjetër ai nuk do të hyjë në Xhenet, ndërkohë që në këtë botë ka jetuar një besimtar i cili nuk ka dhënë asnjë lloj kontributi në shoqëri, mirëpo në botën tjetër do të hyjë në Xhenet. A është e drejtë një gjë e tillë. Përgjigja e kësaj pyetje ka lidhje me nijetin e gjithsekujt prej tyre. Jobesimtari ka pasë për nijet që të përfitojë nga të mirat materiale të kësaj bote, kurse besimtari ka pasë për nijet që të përfitojë nga të mirat e kësaj bote dhe botës tjetër. E secilit prej tyre i është dhënë ajo që ka pasë për nijet dhe ajo që ka kërkuar. Allahu i Lartësuar ka thënë: “ Ka disa prej njerëzve që thonë: Zoti ynë, na jep Ti neve në këtë botë. Për të nuk ka asgjë në botën tjetër. E ka prej tyre asish që thotë: Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, në botën tjetër dhe na ruaj prej dënimit të Zjarrit. Të tillët e kanë shpërblimin nga ajo që e fituan. Allahu është i shpejtë në llogari.”[20]

Sfera sociale:

Fjala e Profetit (a.s) “Çdokujt”është shumë e saktë dhe në vendin e duhur, sepse ajo nënkupton edhe mashkullin edhe femrën. Sheriati Islam nuk ka bërë dallim ndërmjet mashkullit dhe femrës, pasi secili prej tyre është i barabartë tek Allahu i Lartësuar, i Cili thotë në një ajet kuranor: “Dhe kushdo që bën vepra të mira, qoftë ai mashkull ose femër, duke qenë besimtar, do të hyjë në Xhenet dhe nuk do t’i bëhet asnjë padrejtësi”[21],ndërsa në një ajet tjetër, Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë që për muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të bindurit ndaj Allahut dhe të bindurat ndaj Allahut, të drejtët (të sinqertët) dhe të drejtat (të sinqertat), duruesit dhe durueset, të përulurit dhe të përulurat, mirëbërësit dhe mirëbëreset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh”[22].

Vetëm Sheriati Islam i ka dhënë femrës vlerën dhe pozitën që i takon, ndërkohë që të gjitha shoqëritë e tjera joislame e kanë zhvlerësuar pozitën e saj. Në periudhën e injorancës paraislame, femra për arabët ishte një mall tregtie,ndërsa tek hindusët, epidemia, vdekja, zjarri, helmi dhe gjarpërinjtë janë më të mira se femra. Në sistemin socialist, femra është mjaft e përvuajtur, duke punuar punët më të rënda. Një gjë e tillë ndodh edhe në sistemin kapitalist, madje në këtë të fundit nderi i saj nëpërkëmbet akoma më tepër.

Sfera juridike:

Është fakt mëse i vërtetë, se veprat gjykohen sipas nijetit. Mirëpo ky parim ka të bëjë me llogarinë, që njeriu do të japë tek Allahu i Lartësuar, ndërsa gjykatësi nuk i gjykon njerëzit në varësi të nijetit të tyre, por në varësi të fakteve dhe argumenteve që i paraqiten. Në lidhje me gjykimin e gjykatësit në bazë të fakteve dhe argumenteve që i paraqiten, Profeti (a.s) ka thënë:“Unë jam njeri dhe ju mund të akuzoni njëri-tjetrin tek unë. Ndoshta dikush prej jush është më i fortë se pala tjetër në paraqitjen e argumenteve dhe unë gjykoj në varësi të asaj që dëgjoj. Prandaj nëse unë gjykoj në favor të palës që nuk ka të drejtë ndaj palës tjetër, atëherë kjo palë që nuk ka të drejtë, nuk duhet t’ia marrë të drejtën palës tjetër, ose përndryshe ajo palë ka përgatitur për vete hyrjen në zjarr”[23].

Sfera e ftesës dhe ftuesve në rrugë të Allahut:

Ftesa në rrugë të Allahut të Lartësuar është prej detyrave më fisnike të muslimanit sepse ajo është detyra e profetëve të Allahut të Lartësuar. Ftuesi në rrugë të Allahut të Lartësuar nuk kërkon shpërblim për ftesën që bën. Kjo ka qenë motoja e çdo profeti që i është drejtuar poppullit të tij me fjalët: “Unë e pres shpërblimin vetën nga Zoti i botrave.” Ftuesi në rrugë të Allahut të Lartësuar nëpërmjet ftesës së tij ka si për qëllim që të fitojë vetëm kënaqësinë e Allahut të Lartësuar. Ai kurrsesi nuk ka si për qëllim që nëpërmjet ftesës së tij të fitojë pozitë, famë në mesin e njerëzve dhe as ndonjë përfitim material të kësaj bote. Rruga e ftesës isalme është e gjatë dhe me pengesa, prandaj është shumë e domosdoshme që ftuesi herë pas here ta rifreskojë nijetin e tij, sepse nëse ai nuk e bën një gjë të tillë, atëherë mund të ndodhë që ai të rrëzohet e mos të ngrihet më. Ftuesi në rrugë të Allahut të Lartësuar ka nevojë shumë të madhe për qetësi, forcë e motivim. Nuk ka dyshim se sinqeriteti i dhuron atij qetësi, forcë dhe motivim për vazhduar misionin e tij fisnik. Ftuesi në rrugë të Allahut të Lartësuar duhet që të bëjë sa më shumë “Dhikër” sepse “dhikri” e ndihmon atë që të jetë sa më i sinqertë në përmbushjen e misionit të tij.

Ashtu sikurse ftuesi në rrugë të Allahut të Lartësuar duhet të jetë i sinqertë me Allahun e Lartësuar, po ashtu  ai duhet t’i nxisë njerëzit të cilët ai i fton të besojnë, që të jenë të sinqertë në punët e tyre, si dhe t’ua sqarojë rolin dhe rëndësinë e madhe që luan nijeti në veprat e njeriut. Ndoshta njeriu nuk arrin ta përfundojë një punë, por ai e merr shpërblimin e asaj pune për shkak të nijetit që ka për atë punë. Allahu i Lartësuar thotë: “Nuk është gjynah të mos shkojnë në luftë të dobëtit, të sëmurët e as ata që nuk mund të sigurojnë shpenzimet, nëse janë të sinqertë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Nuk ka vend për vërejtje ndaj punëmirëve. Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë”[24]. Në lidhje me komentimin e ajetit, në të cilin Allahu i Lartësuar thotë: “…e as ata që nuk mund të sigurojnë shpenzimet…”, imam Sa`di ka thënë: “Ajeti flet për ata, të cilët nuk kanë as ushqim e as kafshë për të përballuar udhëtimin. Për ta nuk ka asnjë lloj problemi, që tëmos marrin pjesë në luftë, me kusht që të jenë të sinqertë në nijetin e tyre, por nëse do të kishin mundësi për të përballuar udhëtimin, ata do të merrnin pjesë në luftë”[25]. Argument për këtë është edhe fjala, me të cilën Profeti (a.s) u drejtohet shokëve: “Në Medine ka njerëz të cilët janë me ju në çdo hap që hidhni, nëçdo shpenzim që bëni dhe nëçdo shteg që kapërceni”.“O i Dërguari i Allahut! Si janë ata me ne, ndërkohë që ata janë në Medine?”- e pyetën sahabët. Profeti (a.s) tha: “Ata nuk janë me ju, për shkak se ishin të justifikuar”[26].

Sfera e rregullave dhe dispozitave fetare:

Nëpërmjet nijetit bëhet dallimi ndërmjet veprave. Një vepër që kryen njeriu mund të ketë një formë, por për shkak të nijetit ajo ka gjykim të ndryshëm. Si për shembull: Një njeri mund të dëshmojë shehadetin me gjithë zemër. Ky është besimtar i vërtetë. Kurse një njeri tjetër mund të dëshmojë shehadetin, por ai është munafik.

Nëpërmjet nijetit bëhet dallimi midis veprave; nëse konsiderohen adhurim apo jo. Si për shembull: Gusuli mund të merret për t`u pastruar nga xhunubllëku, por mund të merret edhe thjesht për të larguar papastërtitë e trupit. Njeriu mund të japë para për të dhënë zekatin, por mund që t’i japë ato si dhuratë. Njeriu mund të presë një dele duke pasur si nijet ritualin e kurbanit, por mund të presë një dele duke pasur si nijet që të ushqejë familjen.

Nëpërmjet nijetit bëhet dallimi nga adhurimi në adhurim. Si për shembull: Nëpërmjet nijetit bëhet dallimi ndërmjet namazit të Ylesë apo Iqindisë.  Po ashtu , nijeti bën dallimin midis suneteve të Sabahut nga farzet e Sabahut. Nijeti bën dallimin nëse je duke agjëruar agjërim farz apo vullnetar. Gusuli mund të merret se është obligim, por mund të merret edhepër shkakun se është Sunet në ditën e Xhuma.

Nëpërmjet nijetit bëhet dallimi nëse njeriu veprën po e kryen për vete apo për dikënd tjetër. Si për shembull: kur njeriu kyren ritualin e haxhit, ai është duke e kryer këtë ritual për veten e tij ose është duke e kryer këtë adhurim si bedel. Këtë dallim e bën nijeti.

Nijeti ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë tek vepra, sepse në varësi të nijetit vepra mund të jetë hallall ose haram. Si për shembull dhurata është hallall, kurse ryshfeti është haram.

Mund të ndodhë që për një veprim të caktuar njeriu të bëjë disa nijete dhe njëkohësisht të shpërblehet për secilën prej nijeteve që ka bërë. Si për shembull: Muslimani i cili qëndron në xhami; ai është vizitor në shtëpinë e Allahut të Lartësuar, prandaj bën këtë nijet; ai ulet në xhami për të pritur namazin dhe si rrjedhojë bën edhe këtë gjë nijet; me qëndrimin e tij në xhami bën nijet për itikaf; me qëndrimin e tij në xhami, muslimani bën nijet për të bërë dhikër, duke qëndruar në xhami, ai bën nijet që mos të bëjë mëkate.. e kështu pra duke qëndruar në xhami ai bën një sërë nijetesh dhe shpërblehet për këtë. Një shembull tjetër është edhe parfumosja me erë të mirë; njeriu mund të parfumoset për të ndjekur Sunetin e Profetit (a.s); parfumoset për të respektuar engjëjt, parfumoset që kur të hyjë në xhami, njerëzit të ndjejnë një aromë të mirë prej tij; përse jo të bëjë nijet që duke u parfumosur, ai me këtë veprim shmang përgojimin e njerëzve ndaj tij nëse atij i vjen erë e keqe nga rrobat apo trupi.

3 – Lidhja e ngushtë e nijetit me veprat, si dhe gjurma që nijeti lë tek veprat:

Feja Islame ka vlera, që nuk i ka asnjë fe tjetër qiellore. Një prej këtyre vlerave të patjetërsueshme është lidhja e ngushtë e veprave me nijetin, sepse çdo vepër shpërblehet në varësi të nijetit. Kjo do të thotë, se një punë apo vepër e meriton shpërblimin, vetëm nëse është bërë për hir të Allahut të Lartësuar. Po ashtu me vepra të mira nënkuptojmë ato vepra, që janë në përputhje me legjislacionin Islam, ndërsa veprat që nuk janë në përputhje me legjislacionin Islam, edhe nëse janë bërë me nijet të mirë, nuk shpërblehen.

Veprimet që ndërmerr njeriu janë tre: veprime që konsiderohen adhurim; veprime që konsiderohen mubah dhe veprime që konsiderohen mëkat. Nuk ka dyshim se nijeti luan një rol të rëndësishëm për secilën prej këtyre veprime.

Në lidhje me veprimet që konsiderohen adhurime nijeti ndikon tek saktësia; kur njeriu kryen një adhurim duhet të bëjë nijet që po e bën atë për hir të Allahut të Lartësuar, mirëpo nëse ai e bën këtë për syfaqësi atëherë kjo konsiderohet mëkat. Gjithashtu nijeti tek adhurimet vlen edhe si shumëfishim i veprave të mira, ku besimtari për një vepër mund të bëjë shumë nijeti, ashtu sikurse e kemi cekur më lart kur njeriu është në xhami dhe bën një sërë nijetesh dhe si rrjedhojë shpërblimi i shumëfishohet.

Përsa i përket veprave që janë të lejueshme (mubah) për t’u vepruar, njeriu as nuk shpërblehet dhe as nuk ndëshkohet, por nëse ai i shoqëron ato me nijet të mirë, atëherë shpërblehet. Si për shembull: ngrënia e ushqimit konsiderohet mubah (e lejuar), por nëse njeriu ha ushqim, me qëllim që të jetë i fortë dhe i shëndetshëm në kryerjen e adhurimeve, atëherë ai shpërblehetpër këtë nijet. Përsa i përket veprave të lejuara (mubah) ato janë të shumta,  ç’ka do to të thotë se besimtari duhet të shfrytëzojë ato për t’u afruar tek Allahu i Lartësuar nëpërmjet nijetit të tij. Ashtu sikurse vepra e lejuar (mubah) për shkak të nijetit konsiderohet vepër e mirë për të cilën njeriu shpërblehet, mund të ndodhë që një vepër e lejuar (mubah) mund të konsiderohet haram për shkak të nijetit, si për shembull në rastin kur njeriu parfumoset me parfum dhe vesh rroba të shtrenjta me nijetin për t’u krekosur dhe për t’u treguar mëndjemadh me pasurinë e tij.

Vërejtje: Ndodh që tek veprat të cilat konsiderohen mubah, muslimani i cili dëshiron të fitojë sevape me anë të nijetit të tij thotë për shembull: Vendosa që të ha ushqim për hir të Allahut. Ky nijet i vendosur prej tij është i mangët dhe nuk është ai i duhuri. Është e vërtetë që ai këtë po e bën për hir të Zotit, por është e domosdoshme që ai ta shoqërojë këtë nijet me një qëllim të caktuar si për shembull të thotë: Vendosa që të ha ushqim me qëllim që të jem i fortë dhe i shëndetshëm për të qenë sa më i përkushtuar në adhurimet që do të kryej për Allahun e Lartësuar.

Në lidhje me veprat e ndaluara apo që konsiderohen mëkate, këto vepra nuk mund të shndërrohen e të konsiderohen vepra të mira megjithëse nijeti është i mirë. Si për shembull kur ushqen një të varfër me pasurinë e dikujt tjetër që nuk të ka dhënë leje që ta përdorësh pasurinë e tij. Apo të ndërtosh një xhami me pare të fituara haram. Në këtë kontekst është mëse e nevojshme që të sqarojmë se njeriu i cili kryen një vepër të ndaluar, peshoja e veprave të këqija i rëndohet, megjithëse ai pretendon se nuk pasë nijet për ta kryer atë, si për shembull: pi alkol me vetëdije plotë dhe thotë që unë nuk kam ndonjë nijet të keq. Apo si shembulli atij të riu i cili i shikon vajzat që i kalojnë përpara dhe thotë nuk kam ndonjë qëllim të keq kur i shikoj ato. Në këto dy raste si dhe në raste të tjera, njeriu është totalisht përgjegjës për mëkatin e kryer pavarësisht nijetit. Përjashtim nga kjo pikë bëjnë ato raste kur njeriu e bën një mëkat duke qenë i imponuar, siç është rasti i Amar ibn Jasirit (r.a) i cili e mohoi Muhamedin (a.s) duke qenë i imponuar. Apo rastet kur sekretari i partisë – në kohën e Enver Hoxhës – shkonte tek një njeri që agjëronte dhe e provokonte duke i dhënë diçka për të ngrënë me qëllim që ta kuptonte nëse personi i synuar agjëronte apo jo. Madje në këto raste si dhe shumë të tjera të ngjashme si këto, nijeti luan një rol mjaft të rëndësishëm, sepse kur Profeti (a.s) e pyeti Amarin (r.a) se çfarë ndjente në zemër, Amari u përgjigj: Të mbushur me besim tek Allahu dhe i Dërguari i Tij. Atëherë Profeti (a.s) i tha: Nëse ata i kthehen vuajtjeve dhe torturave ti vepro ashtu sikurse veprove në fillim.

4 – Sinqeriteti në adhurime:

Detyrë e muslimanit në këtë botë është që ta adhurojë Allahun e Lartësuar. Të gjitha adhurimet që ai i kryen duhet të shoqërohen me nijet të pastër e të sinqertë me qëllim që adhurimet që kryen të jenë të pranuara tek Allahu i Lartësuar. Të shumta janë ato ajete kuranore dhe hadithe profetike që nxisin muslimanin për të qenë i sinqertë në adhurimin ndaj Zotit. Më poshtë po përmendim disa prej këtyre ajeteve apo haditheve:

Sinqeriteti në adhurimin e një Zoti:

Allahu i Lartësuar thotë: “Dëgjojeni këtë shembull që ka sjellë Allahu! Janë dy njerëz; njëri ka shumë bashkëpronarë që e kundërshtojnë njëri-tjetrin, ndërsa tjetri ka vetëm një pronar, të cilit i përkushtohet. A janë të njëjta ata në krahasim?! Lavdëruar qoftë Allahu, por shumica e tyre nuk e dinë këtë!”[27] “Padyshim që hipokritët do të jenë në thellësinë më të madhe të Xhehenemit dhe ti kurrsesi nuk do t’u gjesh atyre ndihmës. Por ata që pendohen, përmirësohen, mbështeten fort tek Allahu dhe që besimin e tyre e kanë sinqerisht vetëm për Allahun, do të jenë me besimtarët e vërtetë. Allahu do t’u japë shpërblim të madh besimtarëve.”[28]

Sinqeriteti në mbështjetjen tek Allahu i Lartësuar:

Shembulli më i mirë që tregon për këtë është shembulli i Profetëve. Kur idhujtarët e hodhën Ibrahimin (a.s) në zjarr, në këto momente të vështira Ibrahimi (a.s) iu mbështetet vetëm Allahut të Lartësuar dhe nuk kërkoi ndihmë nga askush. Kur Musai (a.s) bashkë me popullin e tij u gjend përpara detit dhe pas tij po vinte ushtria e Faraonit për ta sulmuar, në këto momente të vështira, Musai (a.s) iu mbështet vetëm Zotit, i Cili e shpëtoi atë dhe popullin e tij dhe duke bërë që Faraoni dhe ushtria e tij të mbyteshin në det. Madje edhe Haxherja, nëna e Ismailit, iu mbështet vetëm Zotit kur Ibrahimi (a.s) e la vetëm atë dhe foshnjen në shkretëtirë.

Sinqeriteti në dashurinë për Allahun dhe të Dërguarin e Tij:

Profeti (a.s) ka thënë: “Kushdo që ka në vetvete këto tri cilësi do të shijojë ëmbëlsinë e besimit: Ai për të cilin Allahu dhe i dërguari i Tij bëhen më të dashur se çdo gjë tjetër; ai i cili e do një njeri shumë dhe e do atë vetëm për hir të Allahut; ai i cili urren të kthyerit në mosbesim ashtu siç urren të hidhet në zjarr.”[29]

Sinqeriteti në namaz:

Profeti (a.s) ka thënë: “Kushdo prej jush që merr abdes në formën më të mirë (të plotë) dhe pastaj falë dy rekate namaz duke qenë i përqendruar me gjithë zemër dhe fytyrë (gjymtyrë), hyrja në Xhenet për të është e detyruar dhe atij i falen gabimet.”[30]

Sinqeriteti në namazin e teravive:

Profeti (a.s) ka thënë: “Kushdo që bën nijet dhe fal namaz nafile gjatë netëve të Ramazanit nga çiltërsia dhe thellësia e besimit të tij dhe me shpresën për të fituar shpërblimet e Allahut (e jo për t’u dukur) atëherë atij do t’i falen gjithë ç’kanë kaluar nga gjynahet e tij (që ka bërë më parë).”[31]

Sinqeriteti kur këndohet ezani:

Profeti (a.s) ka thënë: “Kur muezini thërret: Allahu ekber, Allahu ekber, përsëritni edhe ju duke thënë Allahu ekber, Allahu ekber. Kur ai thërret: Esh’hedu en la ilahe il lallah, përsëritni edhe ju duke thënë: Esh’hedu en la ilahe il lallah. Kur ai thërret: Esh’hedu en ne Muhameden resulullah, përsëritni edhe ju duke thënë: Esh’hedu en ne Muhameden resulullah. Kur ai thërret: Haj je ales salah, thoni: la haule ue la ku’ute il la bil lah. Kur ai thërret: Haj je alel felah, thoni: la haule ue la ku’uete il la bil lah. Kur ai thërret: Allahu ekber, Allahu ekber, përsëritni edhe ju duke thënë Allahu ekber, Allahu ekber. E kur ai thërret: la ilahe il lallah përsëritni edhe ju duke thënë: la ilahe il lallah. Kush i përsërit (fjalët e muezinit) me gjithë zemër do të hyjë në Xhenet.”[32]

Sinqeriteti në agjërim:

Profeti (a.s) ka thënë: “Kushdo që e mban agjërimin gjatë muajit të Ramazanit me besim të sinqertë dhe me shpresë për të fituar shpërblimet e Allahut (e jo për tu dukur), atëherë atij do t’i falen të gjitha gjynahet e tij të kaluara.”[33]

Në një hadith tjetër Profeti (a.s) ka thënë: “Kushdo që agjëron një ditë (vullnetar) për hir të Allahut, Allahu ka për t’ia larguar atij fytyrën nga zjarri për 70 – të vjet.”[34]

Sinqeriteti në dhënien e zekatit dhe sadekasë:

Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, i shëmbëllejnë atij që mbjell një kokërr nga e cila dalin shtatë kallinj, ku secili kalli ka nga njëqind kokrra. Allahu ia shton shpërblimin edhe më tepër kujt të dëshirojë. Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.”[35]

Sinqeriteti në haxh:

Profeti (a.s) është lutur me këto fjalë: “O Allah, bëje këtë haxh të sinqertë larg syfaqësisë dhe famës”[36]

Sinqeriteti për të rënë dëshmor në rrugë të Allahut:

Profeti (a.s) ka thënë: “Kush kërkon nga Allahu me gjithë zemër dhe sinqeritet që të bie dëshmor, Allahu ka për t’ia dhënë këtë gradë edhe nëse vdes në shtratin e tij.”[37]

Sinqeriteti për të qenë fjala e Allahut më e larta:

Dikush e pyeti të Dërguarin e Allahut (a.s): “Cili person lufton në rrugë të Allahut: ai person që lufton për (të treguar) trimëri, ai që lufton nga fanatizmi, apo aiperson që lufton për syfaqësi?” I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Vetëm ai person, i cili lufton (me armikun), me qëllim që fjala e Allahut (feja e Tij – Islami) të jetë më e larta, është (po lufton)në rrugëne Allahut”([38]).

Sinqeriteti gjatë kërkimit të istigfarit:

Profeti (a.s) ka thënë: “Forma më e mirë e istigfarit është që robi të thotë: [O Allah! Ti je Zoti im. Askush nuk e meriton të adhurohet përveç Teje. Ti më krijove dhe unë jam robi Yt. Unë do t’i qëndroj besnik besës dhe premtimit që kam dhënë, sa të mundem. Kërkoj që të më mbrosh nga e keqja që vjen si pasojë e asaj që kam bërë! Të jam mirënjohës për të gjitha mirësitë që më ke bërë dhe i pranoj gjynahet e mia, prandaj më fal, sepse në të vërtetë gjynahet nuk i fal askush tjetër përveç Teje.] Kushdo që e thotë këtë lutje kur gdhihet, duke qenë i bindur në të dhe vdes në këtë ditë, ai hyn në Xhenet dhe kushdo që e thotë kur ngryset, duke qenë i bindur në të dhe vdes në këtë natë, ai hyn në Xhenet.”[39]

Sinqeriteti në modesti:

Profeti (a.s) ka thënë: “Kush tregohet modest për hir të Allahut, Allahu ka për ta ngritur atë në gradë të larta.”[40]

Sinqeriteti për të bërë durim:

Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që durojnë për të fituar kënaqësinë e Zotit të tyre, që falin namazin, që ndajnë fshehurazi dhe haptazi nga ajo që u kemi dhënë Ne dhe, që të keqen, e kthejnë me të mirë. Këtyre u takon shpërblimi në Shtëpinë e fundit; Xheneti i Adnit, në të cilin do të hyjnë ata dhe besimtarët e ndershëm prej prindërve të tyre, grave dhe pasardhësve të tyre. Dhe engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë e Xhenetit. (e do t’u thonë): Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar. Sa vendbanim i bukur që është ky!”[41]

Sinqeriteti për të ndërtuar një xhami:

Profeti (a.s) ka thënë: “Kushdo që ndërton një xhami për hir të Allahut, Allahu do t’i ndërtojë një shtëpi të madhe në Xhenet.”[42]

Sinqeriteti në lutje:

Allahu i Lartësuar thotë: “Luteni Zotin tuaj të përulur e në heshtje, pse ai nuk i do ata që e teprojnë.”[43] Kurse Profeti (a.s) ka thënë: “Luteni Allahun duke qenë të bindur se Ai do t’i përgjigjet lutjes tuaj! Dijeni se Allahu nuk i përgjigjet asaj lutje që bëhet nga një zemër e shkujdesur dhe e pavëmendshme.”[44]

Sinqeriteti në kërkimin e dijes:

Profeti (a.s) ka thënë: “Kushdo që vjen në xhaminë time me të vetmin qëllim për të mësuar vetë apo të tjerët, ai është në gradën e luftëtarit në rrugë të Allahut. Ndërsa kushdo që vjen për ndonjë qëllim tjetër, ai është në gradën e atij njeriu që shikon mallin e të tjerëve.”[45]

5 – Nijeti i pastër, syfaqësia dhe pranimi i veprës së mirë:

Një kusht i domosdoshëm për pranimin e veprës së mirë tek Allahu i Lartësuar është që ajo të jetë e pastër dhe të bëhet për hir të Allahut. Mirëpo jo gjithmonë ndodh që njeriu ta kryejë  një vepër 100% për hir të Allahut për shkak të një lloj përzierje midis nijetit të pastër, syfaqësisë dhe vetëpëlqimit. Ngandonjëherë njeriu mund të kryejë një vepër të mirë duke patur për nijet që t’i hyjë në zemër njerëzve, apo për famë që njerëzit ta lavdërojnë e mos ta shajnë, apo për shkak të ndonjë interesi ndaj dikujt apo shkaqe pa fund. Me të drejtë këtu lind një pyejte nëse vepra e mirë pranohet apo nuk pranohet. Në lidhje me këtë temë përgjigja e kësaj pyetje nuk mund të jetë një po apo jo e thjeshtë, sepse ajo është shumë e ndërlikuar dhe e koklavitur. Prandaj është shumë e domosdoshme që kjo temë të trajtohet me të gjitha detajet e saj në mënyrë të atillë që muslimani të jetë shumë i qartë. Nuk ka dyshim se dijetëarët kanë folur gjerë e gjatë rreth kësaj teme, siç është rasti i imam Gazaliut apo imam Ibn Rexhepit. Prandaj në këto rrjeshta do të mundohem të hedh sadopak dritë reth pranimit  apo jo të veprës së mirë kur ajo përzihet me diç tjetër.

Duke hedhur një vështrim rreth veprave që njeriu kryen dalim në përfundimin se ato janë disa llojesh:

Lloji i Parë: Janë ato vepra të cilat njeriu i kryen 100% për hir të Allahut duke mos i përzier me asnjë shenjë të syfaqësisë, vetëpëlqimi apo ndonjë përfitimi material të kësaj bote. Allahu i Lartësuar thotë: “Ju edhe në kafshët keni mësim. Ne nga një pjesë e asaj që e kanë barqet e tyre mes ushqimit të tyre dhe gjakut, ju japim të pini qumësht të pastër, të lehtë për t’u pirë.”[46] Ky ajet kuranor tregon në mënyrë krejt të qartë se qumështi të cilin e pimë është 100% i pastër dhe nuk përzihet aspak me ushqim apo gjak. Po kështu është edhe çështja e veprave të mira, ato duhet të jenë krejtësisht të pastra dhe të sinqerta vetëm për hir të Allahut të Lartësuar, pa u përzier me asgjë. Nuk ka dyshim se kjo vepër është e pranuar tek Allahu i Lartësuar, madje ajo edhe shumëfishohet.

Lloji i Dytë: Janë ato vepra të cilat njeriu i kryen krejtësisht sa për sy e faqe të njerëzve, si shembulli i munafikëve. Allahu i Lartësuar thotë: “Në të vërtetë, munafikët përpiqen të mashtrojnë Allahun, por është Ai që i mbizotëron dinakëritë e tyre. Kur ata ngrihen për të falur namazin, ngrihen me përtesë, vetëm sa për t’u dukur  para botës dhe Allahun e përmendin fare pak.[47]Një shembull tjetër i ngjashëm është edhe ai i mosbesimtarëve të cilët bëjnë vepra të mira sa për sy e faqe të njerëzve. Allahu i Lartësuar thotë: “Mos u bëni si ata (jobesimtarët) e Mekës që dolën nga shtëpitë e tyre me mëndjemadhësi e për sy e faqe të botës, duke dashur t’i pengojnë njerëzit nga rruga e Allahut. Allahu e di mirë çfarë punojnë ata.”[48] Kjo lloj syfaqësie është e pamundur që të shfaqet në rastin e namazit apo agjërimit farz tek besimtari. Por nuk përjashtohet mundësia që syfaqësia të shfaqet në rastin e dhënies së zekatit, haxhit apo veprave të tjera që janë të dukshme. Nuk ka asnjë dyshim se ato vepra të cilat bëhen krejtësisht sa për sy e faqe të njerëzve janë të prapranueshme. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: A doni t’ju lajmëroj për ata që, më së shumti, humbasin nga punët e veta, për ata, përpjekja e të cilëve ka qenë e kotë në jetën e kësaj bote, ndërkohë që mendonin se po bënin vepra të mira. Këta janë ata, që nuk kanë besuar në shpalljet e Zotit të tyre dhe në takimin me Të. Punët e tyre do të fshihen, andaj ne nuk do të vëmë kurrfarë peshe për ta (për veprat e tyre) në Ditën e Kiametit.”[49] “Dhe Ne do t’u qasemi veprave që kanë bërë ata dhe do t’i shndërrojmë në pluhur e hi.”[50]

Lloji i Tretë: Janë ato vepra të cilat përzihen nga një dozë sinqeriteti dhe nga një dozë syfaqësie, vetëpëlqimi apo interes material të kësaj bote.

Imam Gazali thotë:

[Në pamje të parë të gjitha argumentet – nga Kurani dhe Suneti – tregojnë se këto vepra nuk pranohen dhe si rrjedhojë njeriu nuk shpërblehet. Megjithatë, ne duhet të shkojmë tek motivimi.

Nëse doza e sinqeritetit për të kryer një vepër të mirë është e njëjtë me dozën e syfaqësisë apo interesit material të kësaj bote, atëherë themi se njeriu nuk merr shpërblim por as edhe nuk ndëshkohet.

Nëse doza e syfaqësisë apo interesit material të kësaj bote është më e madhe se doza e sinqeritetit, atëherë njeriu meriton të ndëshkohet për këtë, megjithëse nuk mund të ndëshkohet aq sa mund të ndëshkohet për një vepër të cilën e ka bërë 100% për sy e faqe të njerëzve.

Nëse doza e sinqeritetit për ta kryer këtë vepër të mirë është më e madhe se doza e syfaqësisë apo interesit material të kësaj bote, atëherë njeriu do të shpërblehet por jo shpërblimi i tij do të jetë i mangët dhe jo i plotë. Argument për këtë janë ajetet kuranore: “E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë.”[51] S’ka dyshim se Allahu nuk bën padrejtësi as sa grimca, e nëse ajo është vepër e mirë, Ai e shumëfishon atë dhe Vetë Ai i jep shpërblim të madh.”[52]][53]

Kurse imam Ibn Rexhepi, në lidhje me këtë temë, ka një këndvështrim ndryshe:

[Ngadonjëherë vepra mund të kryhet në emër të Allahut, me një dozë të caktuar të syfaqësisë, dhe nëse kjo syfaqësi hyn në esencën e veprës, që do të thotë se e përcejll qysh nga fillimi, atëherë kjo vepër është e dështuar dhe e kotë.

Nëse dikush nijetin e vet të xhihadit nuk e përzien me syfaqësi, por e përzien me diç tjetër, si për shembull të marrë për këtë kompesim për kohën dhe mundin e shpenzuar, ose të marrë hisen e presë së luftës, ose këtë ta shfrytëzojë për tregti, kjo pa dyshim do t’ia pakësojë shpërblimin për xhihad, por nuk do t’i dështojë tërësisht vepra. Euzai thotë: “Nëse nijeti i luftëtarit është lufta dhe jo paga, ai mund ta marrë pagën kur ajo i afrohet.”Ky rregull vlen edhe për ata që paguhen për ta kryer haxhin vetë apo bedel.

Nëse një vepër në esencë është bërë për Allahun, e pastaj në të shfaqet syfaqësia, kjo nuk do ta dëmtojë atë, nëse njeriu e largon atë. Mirëpo problemi qëndron nëse syfaqësia i vërtitet përreth gjatë gjithë veprës. Në këtë pikë juristët nuk ndajnë të njëjtin mendim. Disa janë të mendimit se vepra nuk zhvlerësohet. Kurse disa të tjerë janë të mendimit se njeriu e ka për detyrë ta rifreskojë nijetin e tij.

Kur një vepër kryhet sinqerisht në emër të Allahut, e Allahu në zemrat e besimtarëve hedh mendimin e mirë për njeriun që e ka kryer atë vepër të mirë,  e ai që e ka kryer veprën e mirë gëzohet, e gjitha kjo nuk ia dëmton veprën.][54]

Shembuj të përzierjes së veprës së mirë me shenja të syfaqësisë:

Duke hedhur një vështrim në disa prej veprave të mira të cilat ne i kryejmë në aktualitetin e ditëve të sotme do të vërejmë se këto vepra të mira përzihen me doza të syfaqësisë, vetëpëlqimit, apo të ndonjë përfitimi nga të mirat e kësaj bote. Më poshtë po përmend disa shembuj:

Shembulli i parë: Nëpërmjet veprave të mira, muslimani mundohet të afrohet tek Allahu i Lartësuar. Ai është gjithmonë i përpiktë që ta falë namazin në xhami dhe jo vetëm kaq por edhe shkon gjithmonë përpara të tjerëve me qëllim që të jetë në rrjeshtin e parë dhe të fitojë sa më shumë sevape. Kjo është një gjë e mirë. Mirëpo ngandonjëherë, muslimani – në lidhje me këtë veprim – me vete thotë: “Askush përveç meje nuk vjen herët në xhami dhe dashje pa dashje atij fillon t’i pëlqejë vetja duke harruar nijetin fillestar që është ardhja në xhami për t’u falur në rrjeshtin e parë. Në një rast tjetër, muslimani lexon Kuran para dhe pas namazit ndërkohë që shumë të tjerë shkojnë për të pirë kafe. Këtu atij fillon t’i pëlqejë vetja, sepse askush si ai nuk lexon Kuran. Apo në një rast tjetër, muslimani e përkujton Allahun e Lartësuar me dhikër ndryshe nga shumë të tjerë dhe fillon t’i pëlqejë vetja për veprimin që bën. Apo në një rast tjetër ai agjëron agjërim vullnetar të hënë dhe të enjte, ndërkohë që shumë të tjerë nuk agjërojnë agjërime vullnetare. Edhe në këtë rast – ashtu si në rastet e sipërpërmendura –  atij fillon t’i pëlqejë vetja, për shkak se është shumë i rregullt në agjërimin e ditëve nafile. Raste të tilla ka plot dhe në të gjitha këto raste nijeti fillestar përzihet me doza të vetëpëlqimit dhe vetëkënaqësisë, ç’ka bën që vepra e mirë mos të jetë e pastër 100%. Në të gjitha këto raste, muslimani duhet të bëjë shumë kujdes, të rikujtojë gjithmonë se cili është nijeti fillestar dhe duhet t’i thotë jo ngacmimeve të shejtanit dhe të nefsit të tij, me qëllim që vepra e mirë të jetë e pastër vetëm për hir të Allahut të Lartësuar.

Shembulli i dytë: Në ditët e sotme, një hapësirë të madhe të përditshmërisë sonë zë përdorimi i “facebookut” dhe “instagramit”. Kur dikush poston një informacion apo fotografi në “facebook” apo instagram” pret nga “followersit” e tij që t’i bëjnë “like” për shkak të postimit që ka bërë. Kjo nuk përbën ndonjë problem sepse mënyra se si funksionojnë “facebooku” dhe “instagrami” e lejon një gjë të tillë. Mirëpo në disa raste, përdorimi i “facebookut” dhe “instagramit” mund të jetë një rrezik evident për ta përzier veprën e mirë që muslimani kryen. Si në rastin kur dikush shkon për të falë namazin e natës në xhami gjatë netëve të Ramazanit dhe pastaj e poston në “facebook” apo “instagram” prezencën e tij në xhami. Ose dikush shkon për të bërë haxhin apo umren dhe nuk ngurron që ta postojë. Apo dikush tjetër poston një informacion që ka lidhje me fenë dhe pastaj pret që nga ky postim të marrë sa më shumë “like” dhe kur nuk merr “like” mërzitet. Madje ngandonjëherë të duket sikur muslimanët garojnë me njëri-tjetrin se kush e kush  të marrë sa më shumë “like” për postimin që ka bërë. Në lidhje me këtë shembull, unë nuk e kam tagrin që të ndërhyjë në nijetet e njerëzve, sepse çfarë fsheh njeriu në zemër është midis tij dhe Zotit, dhe nuk flas në emra të përveçëm, por flas në mënyrë përgjithësuese, pasi në të tilla raste nuk mund të themi se vepra e mirë është 100% e pastër. Dhe arsyeja është shumë e qartë, sepse e gjithë vëmendja përqendrohet tek numri i madh i “like” dhe jo tek ajo që është postuar. Prandaj unë këshilloj veten time në rradhë të parë dhe të gjithë muslimanët që të bëjnë kujdes që nijeti i tyre të jetë i pastër e të mos përzihet me “like” që pret nga “follwersit” Nuk është e rëndësishme se sa “like” ke marrë, por e rëndësishme është informacioni që ke dashur me përcjell tek të tjerët. Kurse përsa i përket postimit të namazit të natës apo kryerjes së haxhit, do të preferoja që ajo të ishte diçka e fshehtë mes teje dhe Zotit.

Shembulli i tretë: Një shembull tjetër klasik të cilët dijetarët e përmendin është shembulli i atij njeriu që shkon në Mekë për të kryer ritualin e haxhit dhe njëkohësisht merret edhe me tregti.  Rreth këtij shembulli dhe shembuj të tjerë të ngashëm si ky, dijetarët kanë folur gjatë dhe me argumente. Dijetarët thonë se haxhi është pranuar, por shpërblimi nuk është i plotë.

Shembulli i katërt: Kushdo që ka punuar në një shoqatë e di mjaft mirë se çdo aktivitet i kryer duhet me patjetër që të pasqyrohet me fotografi. Puna e fotografive është aq e theksuar saqë aktivitetet (bamirësia) janë kthyer në një rutinë, pse jo vrastare të nijetit të mirë. Që të shmangësh bërjen e fotografive është një pretendim i kotë, por këshilla ime për këdo që punon në një shoqatë është që  për çdo aktivitet bamirësie të rifreskojë nijetin e tij.

Shembulli i Pestë: Në ditët e sotme, një ndër punët më fisknike është të qënurit imam xhamie. Nuk ka dyshim se roli i imamit të xhamisë është shumë i rëndësishëm, sepse mbi supe ai mbart shumë përgjegjësi si: të falë namazet në xhami, të japë mësime në xhami, të orientojë xhematin, të kujdeset për xhaminë e përgjegjësi të tjera. Si rrjedhojë e këtyre detyrave dhe përgjegjësive ai merr një rrogë mujore nga instuticioni përkatës, ose ngandonjëherë ndonjë pjestar i xhamisë mund edhe t’i japë diçka për shkak të detyrës së tij fisnike. Me të drejtë këtu lind pyetja: A ia prish niejtin imamit marrja e rrogës apo dhuratat nga xhemati? Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje nuk mund të nxitohemi duke thënë një po ose jo të menjëhershme. Imami i xhamisë, siç e ka për detyrë që të kujdeset për xhaminë dhe xhematin, po ashtu e ka për detyrë që të kujdeset edhe për familjen. Ai e ka për detyrë që t’i sigurojë familjes ushqimin dhe veshmbathjen. Nëse ai i shërben xhamisë përgjatë gjithë ditës, ai e ka të pamundur që të shkojë dhe punojë gjëkundi, prandaj dhe për shërbimin tepër fisnik që ai bën paguhet nga institucioni përkatës. Shembulli më i mirë për këtë që po themi është shembulli i Ebu Bekër Sidikut i cili kur u zgjodh si halife i muslimanëve shkoi në treg për të kërkuar riskun. Gjatë rrugës, Ebu Bekri takohet me Omerin dhe Ebu Ubejden të cilët i thanë se nuk ishte e nevojshme që ai të merrej me tregti sepse përgjegjësia me të cilën ishte ngarkuar ishte më e madhe, kurse përsa i përket shqetësimit të tij për të ushqyer familjen ata vendosën që t’i jepnin atij një shumë të hollash vjetore nga “Bejtul Mal”. Dhe Ebu Bekri e miratoi vendimin e tyre dhe në asnjë moment të vetëm ky vendim nuk ia prishi nijetin e mirë për t’u shmanguar nga përgjegjësitë që kishte. Po kështu është edhe puna e imamit të xhamisë. Vetëm se imami duhet të bëjë shumë kujdes që shqetësimi i tij kryesor nuk duhet të jetë marrja e rrogës apo shpërblimet që i jep xhemati, por kryerja e detyrës që i është ngarkuar në formën më të mirë.

Shembulli i gjashtë: Zilia dhe smira zënë fill qysh në momentin kur shejtani i mallkuar refuzoi që të zbatonte urdhrin e Allahut të Lartësuar për të rënë sexhde. Zilinë dhe smirën e shfaqën edhe vëllezërit e Jusufit kur vendosën që ta hidhnin në pus. Smira është një ves shumë i shëmtuar e cila përhapet si murtaja që nuk lë njeri pa prekur, pavarësisht faktit se dikënd e prek më pak dhe një tjetër e prek më shumë. Në shumicën e rasteve smira prek ata njerëz të cilët ushtrojnë të njëjtin profesion e zanat, si për shembull: mjeku ka smirë ndaj kolegut të tij që është mjek; inxhineri ka smirë ndaj kolegut të tij që është inxhinier, hidrauliku ka smirë ndaj kolegut të tij që është  hidraulik e kështu me radhë. Sëmundjes së zilisë e smirës nuk i kanë shpëtuar as disa hoxhallarë, imamllarë dhe thirrësa në rrugë të Allahut të Lartësuar. Kur ndonjëri prej hoxhallarëve shikon se një kolegu i tij ka më shumë xhemat, përkrahës e ndjekës, fillon që ta ketë zili kolegun e tij dhe në disa raste ai e shfaq zilinë e tij haptazi, si për shembull kur mundohet gjejë ndonjë të metë të tij..etj. Nuk ka dyshim se zilia e prish nijetin e pastër, sepse qëllimi final është që çdo hoxhë, imam e thirrës të përpiqet maksimalisht që t’i shërbejë fesë së Allahut të Lartësuar, sepse ai për këtë do të shpërblehet. Përkundrazi hoxhës, imamit dhe thirrësit duhet t’i bëhet qejfi kur shikon se feja e Allahut të Lartësuar ka gjetur shtrirje tek njerëzit, pavarësisht se kush e përhap atë.

Shembulli i shtatë: Detyrë e prindërve është që të kujdesen ndaj fëmijëve të tyre. Ata duhet që t’i sigurojnë fëmijëve ushqimin veshëmbathjen, t’i shkollojnë e t’i edukojnë me moralet më të mira. Një detyrë tjetër e rëndësishme është që t’i edukojnë ata edhe me parimet e rregullat e fesë islame. Një dëshirë e madhe e prindërve është që fëmijët të mësojnë të falin namazin dhe ta falin atë rregullisht pesë herë në ditë. Sa janë të vegjël, fëmijët e falin namazin bashkë me prindërit e tyre. Mirëpo sa vjen mosha e adoleshencës, fillon një lloj dembelizmi nga ana e tyre dhe si rrjedhojë janë neglizhent ndaj faljes së namazeve. Kurse nga ana tjetër, prindërit vazhdojnë t’i këshillojnë fëmijët për të faluar namazin. Këtu fillon edhe konflikti, nga njëra anë fëmija për dembelizëm nuk dëshiron të falet, kurse nga ana tjetër prindi e detyron fëmijën që të falet qoftë edhe duke bërë shamatë. Ngandonjëherë fëmija për mos të dëgjuar të sharat dhe të bërtiturat e prindërve  gënjen duke thënë se e ka falur namazin dhe ngandonjëherë e fal namazin sa për sy e faqe të prindërve dhe jo se është urdhër nga Zoti. E njëjta dukuri shfaqet edhe në medrese; në programin e medresesë është fakti se nxënësit duhet të falin namazin e drekës. Pas orës së prindërit, mësuesit i marrin nxënësit që të falin namazin dhe nuk përjashtohet që një numër i konsiderueshëm i nxënësve mundohen t’i bëjnë bisht faljes së namazit kurse të tjerë falen sa për sy e faqe të mësuesve. Ky është një problem serioz që ka nevojë të zgjidhet me shumë delikatesë dhe ka nevojë për shumë durim. Megjithatë unë do të këshilloja që prindërit as edhe njëherë të vetme nuk duhet ta ndërpresin këshillën që fëmijët e tyre ta falin namazin e tyre, sepse edhe nëse në këtë situatë ata falen sa për sy e faqe, kur të rriten do ta kuptojnë se namazi falet për Zotin.

Shembulli i tetë: Prej detyrimeve që muslimani ka ndaj vëllait të tij musliman është që t’ia përcjellë dhe t’ia falë xhenazen. E gjithë proçedura e përcjelljes së xhenazes e përcaktuar nga Profeti (a.s)  është shumë e thjeshtë. Mirëpo, njerëzit – në ditët e sotme –  proçedurën e përcjelljes së xhenazes e kanë komplikuar me lloj- lloj risishë e bidatesh.  Për shembull dikush mendon dhe thotë se unë nuk shkoj tek xhenazja e dikujt që i ka vdekur babai sepse ai nuk erdhi tek xhenazja e babait tim. Apo një fenomen tjetër i shfaqur është se kur njerëzit vijnë për ngushëllim dhe lënë qokën, dikush nga të afërmit e të ndjerit, ngarkohet me shkruajten e emrave të gjithsekujt që ka ardhur për ngushëllim dhe se sa lekë ka lënë, sepse ky është një borxh që duhet kthyer. Subhanallah, i gjithë shqetësimi kryesor i njerëzve është kthyer më erdhi apo jo në xhenaze, më erdhi apo jo për qokë dhe e gjithë kjo procedurë është kthyerë në një “boomerang” që përkthehet me shlyerje të një borxhi. Ndërkohë që llogaria është shumë thjeshtë, do e përcjell dhe do e fal xhenazen sepse Allahu i Lartësuar e ka urdhëruar, do e bëj një gjë të tillë sepse ka qenë praktikë e Profetit (a.s), do e bëj një gjë të tillë sepse është rasti më i mirë për të fituar dy male me sevape.

Shembulli i nëntë: I ngjashëm me rastin e sipërpërmendur është edhe rasti i vizitave dhe qokave, ku një pjesë e mirë e njerëzve mendon dhe thotë do t’i shkoj filanit për vizitë e qokë, sepse ai më ka ardhur kur kam qenë i sëmurë apo një sebep. Ndërkohë që muslimani e ka për detyrë që ta pastrojë nijetin e tij duke vënë theksin se vizitat tek muslimanët janë prej detyrimëve që ka ndaj vëllezërve të tij muslimanë.

Shembulli i dhjetë: Nga ndonjëherë ndodh që një i afërmi apo miku yt të kërkon që t’i bësh një nder apo ta ndihmosh që t’i zgjidhësh një hall. Ti nuk dëshiron që ta ndihmosh, mirëpo i detyruar nga fakti se nuk dëshiron t’i prishësh marrdhëniet me të, shkon dhe e ndihmon. Në këtë rast, vërtet bën një punë të mirë, por e bën i detyruar nga rrethanat dhe jo me dëshirë. Ndërkohë që në të tilla raste është shumë e domosdoshme që të reflektosh me veten dhe të bësh nijetin se unë po i vij në ndihmë vëllait tim që t’ia zgjidh një brengë prej brengave të kësaj bote me qëllim që Allahu i Lartësuar të më zgjidhë një brengë prej brengave në Ditën e Kijametit.

Vepra që në pamje të parë duken sikur bëhen për syfaqësi por që nuk konsiderohen të tilla:

Ashtu siç e kemi cekur dhe më lart, qëllimi final i besimtarit është që ta adhurojë Allahun e Lartësuar duke u përpjekur që adhurimi i tij karshi Zotit të jetë i pastër dhe i sinqertë. Muslimani e di mjaft mirë se adhurimi që kryen nuk duhet të përzihet me doza të syfaqësisë, vetëpëlqimi..etj, dhe si rrjedhojë e kësaj ai i shmanget këtyre lloj adhurimeve. Mirëpo nga ndonjëherë muslimani shmanget nga kryerja e disa veprave të mira duke kujtuar e menduar se ato vepra janë të papranueshme sepse në pamje të parë ato të japin përshtypjen sikur po bëhen për syfaqësi, ndërkohë që e vërteta është krejt ndryshe. Më poshtë po përmend disa raste ku veprat e mira nuk konsiderohen syfaqësi.

Rasti i parë: Jo rrallherë ndodh që muslimani bën një vepër të mirë duke kërkuar shpërblimin vetëm tek Allahu i Lartësuar, mirëpo për këtë vepër njerëzit e lavdërojnë, si për shembull kur shikon që një pengesë i ka zënë rrugën njerëzve, ai shkon e largon pengesën sepse e di mjaft mirë shpërblimin e madh që merr ai i cili e heq një pengesë nga rruga. Pasi e heq pengesën, njerëzit fillojnë e lavdërojë për veprimin e mirë që ai bëri. Ky rast dhe raste të tjera të ngjashme nuk ka të bëjë fare me syfaqësi, sepse muslimani ka patur për qëllim që Allahu i Lartësuar të jetë i kënaqur me të dhe jo që njerëzit ta lavdërojnë.  Dikush i ka pyetur Profetin (a.s): O i Dërguar i Allahut, Si është puna me atë njeri që bën një vepër të mirë dhe më pas njerëzit e lavdërojnë? Profeti (a.s) ka thënë: “Kjo është një myzhde e parakohshme për besimtarin.”[55]

Rasti i dytë: Mund të ndodhë që kur muslimani është vetëm në shtëpi mund të neglizhojë dhe nuk i fal sunetet e namazit. Mirëpo nëse ai shkon në xhami apo falet në shtëpi kur prezent ka muslimanë të tjerë, ai i fal sunetet. Në pamje të parë, ky veprim të lë përshtypjen sikur është syfaqësi, por nuk është e vërtetë sepse prezenca e të tjerëve e shtyn atë që të jetë më i përkushtuar në adhurim. Në lidhje më këtë Profeti (a.s) ka thënë: “Qëndroni të lidhur në bashkësi (xhemat), sepse ujku nga kopeja ha delen e veçuar.”[56]

Rasti i tretë: Është ai rast kur njeriu kërkon një post për të cilin ai është i aftë ta drejtojë atë, siç është rast i Jusufit (a.s) i cili tha: “Më cakto mua përgjegjës të depove të vendit, unë jam besnik i dijshëm.”[57] Kjo është kërkesa që Jusufi (a.s) ia kërkon mbretit të Egjiptit, sepse ai e ndjen veten të aftë për të menaxhuar situatën e vështirë me të cilën do të përballej Egjipti në shtatë vitet e zisë. Kjo kërkesë e Jusufit (a.s) në asnjë rast nuk ka lidhje me syfaqësinë.

Rasti i katërt: Është rasti kur njeriu fiton famë në mesin e njerëzve, por që ai vetë nuk e ka pasë për qëllim një gjë të tillë, por vetë vepra e tij e mirë ka bërë që njerëzit të flasin për të. Në këtë rast kjo nuk konsiderohet syfaqësi, vetëm se njeriu që ka fituar famë duhet të bëjë shumë kujdes që fama që ka fituar mos ta shpie në vetëpëlqim.

6 – Shenjat dalluese të sinqeritetit:

Njeriu i sinqertë dhe i përkushtuar në adhurimin ndaj Allahut të Lartësuar karakterizohet me disa shenja që janë tipari dallues i robërve të sinqertë të Allahut të Lartësuar.

Njeriu i sinqertë dhe i përkushtuar në adhurimin ndaj Allahut të Lartësuar gjithmonë mundohet që veprat e mira[58] t’i kryejë në fshehtësi larg syve të njerëzve. Njeriu i sinqertë dhe i përkushtuar në adhurimin ndaj Allahut të Lartësuar nëpërmjet veprave të tij nuk ka si qëllim famën dhe që të shquhet në mesin e njerëzve. Allahu i mëshiroftë ata njerëz të sinqertë “të cilët nxitojnë të bëjnë vepra të mira dhe për këto punë janë të parët”[59] që veprat e tyre mos t’i dijë askush përveç Allahut të Lartësuar. Njeriu i sinqertë dhe i përkushtuar në adhurimin ndaj Allahut të Lartësuar e fal namazin e natës pa e ditur njerëzit se ai po falet. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne. Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata në jetën tjetër, si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.”[60]Njeriu i sinqertë dhe i përkushtuar ndaj adhurimit të Allahut të Lartësuar jep sadeka haptazi dhe në fshehtësi. Allahu i Lartësuar thotë: “T’i jepni lëmoshat haptazi është gjë e mirë, por t’ua jepni ato të varfërve fshehurazi është edhe më e mirë dhe ju shlyhen disa nga gjynahet tuaja. Allahu e njeh mirë çdo vepër që ju bëni.”[61] Njeriu i sinqertë dhe i përkushtuar në adhurimin ndaj Allahut të Lartësuar agjëron agjërime vullnetare dhe nuk ka pse t’u tregojë të tjerëve se ai agjëron. Ibrahin ibn Ed’hemi ka thënë: “Mos e pyet vëllain tënd në agjëron apo jo, sepse nëse ai thotë po, atëherë ndjen kënaqësi dhe vetëpëlqim e nëse thotë jo ndjen dëshpërim. Që të dyja këto raste konsideron prej syfaqësisë.”[62] Njeriu i sinqertë dhe i përkushtuar në adhurimin ndaj Allahut të Lartësuar u vjen në ndihmë njerëzve dhe nuk e publikon ndihmën e dhënë. Talha ibn Ubejdulla tregon: “Në një natë të errët, Omeri (r.a) hyri në një shtëpi dhe pastaj doli. Të nesërmen në të gdhirë unë shkova tek shtëpia që kishte hyrë Omeri. Brenda në shtëpi pashë një grua plakë të verbër dhe të shtrirë në shtrat e sëmurë. Unë e pyeta atë: Si është puna e këtij burri që të vjen. Ajo tha: Ai ka ardhur tek unë  prej kohësh, kujdeset për mua dhe m’i largon mbeturinat.  Unë thashë me vete: Mbettë nëna pa ty o Talha. Apo kontrollon veprimet e Omerit?!”[63]

Një shenjë dalluese e njeriut të sinqertë dhe të përkushtuar ndaj adhurimit të Allahut të Lartësuar është fakti se ajo ç’ka ai ndjen përbrenda është në përputhje të plotë me atë që duket në aparencë, që do të thotë se një vepër të mirë ti e kryen njëlloj si në mes të njerëzve ashtu edhe kur je vetëm. Kjo është një tipar dallues tek njerëzit e sinqertë sepse ata veprojnë atë që thonë, ndryshe nga munafikët, hipokritët e ata njerëz të cilët i bëjnë veprat sa për sy e faqe të njerëzve, për të cilët Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ata thonë me gjuhët e tyre atë që nuk e kanë në zemrat e tyre.”[64]

Një shenjë tjetër dalluese e njeriut të sinqertë dhe të përkushtuar në adhurimin ndaj Allahut të Lartësuar është fakti se ai nuk ndryshon fytyrë kur e lavdërojnë apo e qortojnë. Nëse ti ndihmon dikënd që është nevojë nëse të lavdëron  ki kujdes nga vetëpëlqmi. E nëse ai që ke ndihmuar  të shan e të ofendon  ndonjëherë mos u ndrydh në shpirt, sepse ti e ke ndihmuar atë për të fituar kënaqësinë e Allahut të Lartësuar. Disa dijetarë kanë thënë: “Nëse ti i bën dikujt një të mirë, mos kërko prej tij të lutet për ty, sepse kështu duket sikur ti po kërkon shpërblim prej tij për të mirën që i ke bërë, ndërkohë që është më mirë për ty që ta presësh shpërblimin nga Allahu i Lartësuar.” Dhe kjo gjë vërtet ndosh shpeshherë në jetën tonë të përditshme, mund të ndodhë që ti t’i bësh dikujt një të mirë dhe ai as nuk të falenderon e as të thotë  “Allahu ta shpërbleftë” e ti mërzitesh pse nuk të falenderoi apo të bëri dua. Nëse e ke ndihmuar për hir të Allahut të Lartësuar atëherë është mirë që shpërblimin ta kërkosh vetëm tek Ai.

Njeriu i sinqertë dhe i përkushtuar në adhurimin ndaj Allahut të Lartësuar nuk kërkon dëshmitarë të veprës së mirë që ka bërë. Kjo do të thotë se ai nuk i thotë njerëzve: Unë bëra këtë e atë vepër të mirë, apo të presë që ata t’i thonë: Allahu ta shpërbleftë me të mira. Madje edhe nëse njerëzit mblidhen për t’i bërë një të keqe, ai nuk e përmend veprën e mirë. Në të tilla raste ai thotë: Më mjafton Allahu i Lartësuar si dëshmitari i veprës së mirë që kam bërë dhe unë pres shpërblimin vetëm tek Ai.

Njeriu i sinqertë dhe i përkushtuar në adhurimin ndaj Allahut të Lartësuar  është në konflikt të përhershëm me egon dhe unin e tij. Ai nuk i bindet egos dhe unit të tij por ai gjithmonë ndjek të vërtetën. Padyshim që kundërshtimi i unit konsiderohet prej gjërave më të vështira për njeriun.  Prandaj shpërblimi i atij që e lufton egon dhe unin e tij është Xheneti e këtë gradë nuk e arrijnë vetëm se njerëzit e sinqertë. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin.”[65]

Mekanizmat që ndihmojnë për të qenë i sinqertë:

Ashtu siç e cekëm edhe më lart, ngandonjëherë vepra e mirë mund të përzihet me doza të syfaqësisë, ç’ka bën që vepra mos të pranohet në tërësi apo shpërblimi të mos jetë i plotë. Ndërkohë që muslimani e ka për detyrë që ta adhurojë Allahun e Lartësuar me përkushtim të sinqertë. E që ai t’ia arrijë këtij qëllimi duhet që të përdorë disa mekanizma të cilat e ndihmojnë që veprat e tij mos të përzihen me doza të syfaqësisë.

Në rradhë të parë muslimani duhet t’i kërkojë ndihmë Allahut të Lartësuar me qëllim që veprat që kryen të jenë të sinqerta. Një ndër armët më të fuqishme që muslimani posedon është lutja. Ai vazhdimisht duhet ta lusë Allahun e Lartësuar që t’ia pastrojë zemrën nga hipokrizia, syfaqësia e t’i japë sinqeritet në çdo fjalë dhe vepër të mirë. Profeti (a.s) e luste Allahun e Lartësuar me këto fjalë: “O Zot unë kërkoj mbrotje prej teje nga idhujtaria për të cilën unë jam në dijeni, dhe kërkoj falje prej Teje nga ajo që nuk jam në dijeni”[66]

Përpara se muslimani të kryejë një vepër të mirë duhet që të ndalet pak me veten dhe ta pyesë atë: Kush është motivi i vërtetë që unë po e kryej këtë vepër? Nëse motivi është vetëm për hir të Allahut të Lartësuar atëherë le ta kryejë atë. E nëse motivi është diçka tjetër përveç Allahut të Lartësuar atëherë muslimani duhet të ndalet dhe të reflektojë: A mos vallë me këtë vepër duhet të fitojë kënaqësinë e robërve e jo atë të Allahut të Lartësuar?! A mos vallë duhet të pres që njerëzit të më falenderojnë në vend që të pres falenderimin nga Allahu i Lartësuar?! A mos vallë duhet të pres shpërblim nga ata të cilët nuk kanë gjë në dorë dhe të mos pres të marrë shpërblim nga Ai që e ka në dorë shpërblimin?! A mos vallë duhet që nga kjo vepër e mirë të fitoj një kënaqësi të përkoshme ntë këtë botë, në vend që të të fitoj një shpërblim të madh në botën tjetër?! Muslimani duhet të reflektojë me veten duke thënë se që një vepër e mirë të pranohet duhet të jetë e sinqertë vetëm për hir të Allahut të Lartësuar dhe se ai duhet të kërkojë vetëm kënaqësinë e Tij. Në një ajet, Allahu i Lartësuar thotë: “Jepja të drejtën e tij të afërmit, edhe të varfrit, edhe udhëtarit! Kjo është më e mirë për ata që e duan kënaqësinë e Allahut. Pikërisht ata do të jenë të fituarit.”[67]

Nisur nga ajo që thamë më sipër, muslimani nuk duhet të presë shpërblim edhe lëvdata nga njerëzit për veprën e mirë. Ja se si i përshkruan Allahu i Lartësuar robërit e tij të sinqertë në Kuranin Fisnik: “Ata e zbatojnë premtimin dhe i frikësohen Ditës së Kiametit, tmerri i së cilës përhapet gjithkund. Ata i ushqejnë të varfërit, jetimët dhe të zënët rob edhe pse janë nevojtarë, duke thënë: Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Zotit. Për këtë nuk duam shpërblim e as falenderim. Ne i frikësohemi Zotit tonë në një Ditë të ashpër, që do t’i bëjë fytyrat të jenë të vrenjtura. Por Allahu do t’i ruajë ata nga tmerret e asaj Dite e do t’u japë shkëlqim dhe gëzim dhe, për durimin e tyre, Ai do t’i shpërblejë me Xhenet dhe petka të mëndafshta.”[68] Muslimani nuk ka përse të mërzitet nëse njerëzit nuk e falenderojnë apo ta lavdërojnë për veprën e mirë që ka bërë ndaj tyre, sepse nijeti kryesor i tij ka qenë që të fitojë kënaqësinë e Zotit. Ai gjithmonë duhet të ketë parasysh thënien e Allahut të Lartësuar në Kuran: “Sa për atë që dëshiron botën tjetër dhe përpiqet për të me gjithë shpirt e duke qenë besimtar, përpjekja e tij do të shpërblehet.”[69]

Mund të ndodhë që muslimani nis një vepër të mirë dhe gjatë kryerjes së kësaj vepre të mirë mund të shfaqet ndonjë shenjë syfaqësie apo nëpërmjet kësaj vepre, ai dëshiron të tërheqë vëmendjen e njerëzve e kështu më rradhë. Prandaj është shumë e domosdoshme që muslimani gjatë kryerjes së një vepre të mirë ta rifreskojë nijetin e tij disa herë.

Muslimani nuk duhet që të nënvleftësojë kryerjen e një vepre të mirë sado e vogël që të jetë ajo nëse motivi kryesor është fitimi i kënaqësisë së Allahut të Lartësuar. Profeti (a.s) ka thënë: “Asnjë punë të mirë mos e nënçmo, madje edhe kur të takohesh me vëllain (mikun) tënd takoje me fytyrë të buzëqeshur.”[70] E në një hadith tjetër Profeti (a.s) ka thënë: “Teksa një njeri po ecte rrugës pa një degë ferre dhe e largoi atë nga rruga.  Allahu u kënaq me veprën e tij dhe e fali atë.”[71]

Ngandonjëherë muslimani nuk mund ta kryejë një vepër të mirë për shkak të ndonjë arsye të justifikuar, por Allahu i Lartësuar e shpërblen atë për shkak të nijetit të mirë që ka patur. Shembulli më i mirë për këtë është shembulli i atyre besimtarëve të cilët nuk morën pjesë në betejën e Tebukut, për shkak të pamundësisë, por që Allahu i Lartësuar i shpërbleu për nijetin e mirë që kishin.

Një element i rëndësishëm që e ndihmon muslimanin që të jetë i sinqertë në adhurimin ndaj Allahut të Lartësuar është kryerja e disa veprave në fshehtësi, veçanërisht e atyrë veprave që janë vullnetare, si në rastin e faljes së namazeve vullnetare, agjërimeve vullnetare apo dhënies së sadekasë, Tregohet se dikur një njeri i devotshëm për vite me rradhë – në fshehtësi të plotë – kishte ndihmuar një familje me të holla (para) dhe njerëzit nuk e morën vesh se kush e kishte bërë këtë bamirësi vetëm se pas vdekjes së tij. Mirëpo kur muslimani e kryen një vepër të mirë në fshehtësi, shejtani e ngacmon atë që këtë vepër të kryer në fshehtësi t’ua tregojë njerëzve. Këtë gjë shejtani e bën për një qëllim të vetëm: që muslimani mos ta marrë shpërblimin e plotë.

Një sëmundje mjaft e rrezikshme që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në prishjen e veprës së mirë është vetëpëlqimi. Muslimani bën një vepër të mirë dhe i pëlqen vetja që e e ka bërë  atë dhe e krahason veten e tij me të tjetër. Në këto momente ai e shikon veten e tij mbi të tjetër. Prandaj për t’u mbrojtur nga kjo sëmundje dhe për të marrë shpërblimin e plotë, Allahu i Lartësuar thotë: “Mos e lavdëroni veten tuaj, sepse Ai e di se kush është më i devotshëm.”[72] Prandaj pas faljes së namazit dhe kryerjes së çdo vepre të mirë është e pëlqyeshme që muslimani të thotë “Estagfirullah”

Një element tjetër që ndihmon që vepra e mirë të jetë e pastër dhe e sinqertë vetëm për hir të Allahut të Lartësuar është frika që ndjen muslimani se mos vepra e mirë që ka kryer nuk pranohet tek Allahu i Lartësuar. Tregohet për një njeri të devotshëm që po kryente haxhin se kur ishte në Arafat ai po i lutej Allahut të Lartësuar me këto fjalë: “O Zot nëse ti nuk e pranon haxhin, mundin dhe sakrificën time, të përgjërohem që mos të më privosh për të më shpërblyer ndaj kësaj fatkeqësie (mospranimi i haxhit) që më ka rënë”

7 – Në shoqëri me njerëzit e sinqertë:

Profetët:

Njerëzit më të sinqertë dhe më të përkushtuar ndaj Allahut të Lartësuar kanë qenë Profetët dhe të Dërguarit e Tij. Sinqeriteti i Profetëve dhe të Dërguarve të Allahut manifestohet shumë qartë në besimin e palëkundur tek Allahu i Lartësuar, mbështetjen dhe strehimin vetëm tek Ai, kërkimin ndihmë vetëm tek Ai, në dashurinë dhe miqësinë vetëm për Të, në bindjen dhe nënshtrimin vetëm ndaj Tij, në përmushjen e misionit të ngarkuar prej Tij, në durimin vetëm për hir të Tij, në kërkimin e shpërblimit vetëm prej Tij, në moralin, dlirësinë, modestinë ndaj Tij si dhe në çdo gjë tjetër. Nuhu (a.s) do ta thirrte popullin e tij 950 vjet për të besuar Allahun e Lartësuar dhe për të braktisur adhurimin e idhujve. Nuhu (a.s), Hudi (a.s), Salihu dhe të gjithë profetët e tjerë e përmbushën me sukses këtë mision dhe nuk kërkuan shpërblim nga populli i tyre por vetëm nga Allahu i Lartësuar. Ibrahimin (a.s) populli i tij e hodhi në zjarr dhe ai (a.s) iu mbështet vetëm Allahut të Lartësuar. Në sprovën e therrjes së djalit të tij si kurba, Ibrahimi (a.s) vërtetoi dashurinë dhe miqësinë vetëm për Allahun e Lartësuar. Po ashtu, ai (a.s) bashkë me djalin e tij Ismailin (a.s) rindërtuan qaben mbi themelet e saj duke kërkuar prej Allahut të Lartësuar që t’i falte dhe t’ia pranonte këtë vepër të mirë. Jakubi (a.s) dhimbjen dhe pikëllimin e tij ia paraqiti vetëm Allahut të Lartësuar. Jusufi (a.s) dlirësinë e tij e ruajti vetëm për hir të Zotit. Musai (a.s) me bindje të plotë dhe të sigurtë tek ndihma e Allahut të Lartësuar nuk u step kur u gjend përpara detit i ndjekur nga Faraoni dhe ushtria e tij. Daudi (a.s) dhe djali i tij Sulejmani (a.s) mbretëruan me ligjet dhe rregullat e përcaktuara nga Allahu i Lartësuar. Ejubi (a.s) i cili u sprovua me humbjen e fëmijëve, pasurisë dhe shëndetit, duroi me bindje tek Allahu i Lartësuar ndaj këtyre sprovave. Zekerijai (a.s) iu lut me përgjërim Allahut të Lartësuar që t’i jepte një fëmijë megjithëse ishte në moshë të thyer. Isai (a.s) ashtu sikurse edhe profetët e tjerë dëshmoi përpara Benu Israilëve se ishte rob dhe i dërguar i Allahut të Lartësuar. E nuk ka dyshim që kësaj liste nuk i mungon emri i Profetit Muhamed(a.s) të cilin Allahu i Lartësuar e urdhëroi: “Thuaj: Vetëm Allahun e adhuroj, sinqerisht ndaj Tij e bëj adhurimin tim.”[73]

Banorët e shpellës:

Allahu i Lartësuar thotë: “Ata ishin djelmosha që besonin në Zotin e tyre dhe Ne i forcuam në rrugën e drejtë. Ne i forcuam zemrat e tyre, kur u ngritën e thanë: Zoti ynë është Zoti i qiejve dhe i Tokës. Ne nuk do t’i lutemi asnjë zoti tjetër, përveç Tij, sepse atëherë do të thoshim një gënjeshtër të madhe.”[74]

Historia e banorëve të shpellës është një histori që nga fillimi deri në fund tregon për sinqeritetin dhe sakrificën e madhe të disa djelmoshave  në mbrojtje të besimit. Banorët e shpellës ishin disa djelmosha të rinj të cilët dëshmuan se nuk ka zot tjetër përveç Allahut të Lartësuar. Për shkak të këtij besimi të palëkunduar, Allahu i Lartësuar i forcoi ata në besimin, sinqeritetin dhe sakrificën e tyre në rrugë të drejtë. Komentuesit e Kuranit tregojnë se këta djelmosha e shprehën haptazi besimin e tyre përpara mbretit të asaj kohe i cili bashkë me popullin e tij adhuronte idhujt. Njëzëri ata deklaruan përpara mbretit dhe popullit të tyre se ata besonin vetëm tek Zoti i qiejve dhe i tokës dhe se ata nuk i nënshtroheshin asnjë zoti tjetër përveç Tij. Nëse ata do t’i përuleshin idhujve e statujave do thonin gënjeshtrën më të madhe, sepse askush tjetër përveç Allahut nuk e meriton që t’i përulemi dhe ta adhurojmë.

Besimtari nga familja e Faraonit:

Ky njeri e ka shfaqur besimin e tij të pastër në mesin e një shoqërie që e mohonte haptazi besimin tek Allahu i Lartësuar. Këtë njeri e ka cilësuar me dy epitete: burrë dhe besimtar. Ne nuk e dimë emrin e këtij njeriu, emri i të cilit nuk është i rëndësishëm, por besimi i tij i pastër është përmendur në Kuranin Famëlartë dhe do të jetojë deri në Ditën e Kijametit. Allahu i Lartësuar thotë: “Por një burrë besimtar nga të afërmit e Faraonit, i cili e fshihte besimin e vet tha: Vallë, a do të vrisni një njeri vetëm se thotë: Allahu është Zoti im. Ndërkohë që ai ju ka sjellë shenja të qarta prej Zotit tuaj… Vërtet Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë atë që e tepron me të këqija dhe që është gënjeshtar…O populli im, sot juve ju përket pushteti i Tokës, por kush do të na mbrojë nga dënimi i Allahut, kur ai të na bjerë neve…O populli im, unë i druhem vërtet Ditës, kur do të thërrisni njëri-tjetrin, Ditës kur nga frika do të ikni prapa, pa pasur askënd që t’ju mbrojë nga dënimi i Allahut. Atë që Allahu e shpie në humbje, nuk mund ta udhëzojë kush…Ata që i kundërshtojnë shpalljet e Allahut pa pasur asnjë provë, janë të urryer në sytë e Allahut dhe në sytë e atyre që besojnë. Kështu, Allahu ia vulos zemrën çdo mëndjemadhi e dhunuesi…O populli im, më pasoni, që unë t’ju udhëzoj në rrugën e drejtë…O populli im, në të vërtetë, jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi e përkohshme, ndërsa jeta tjetër është Shtëpia e përhershme…O populli im, ç’është kjo, unë ju thërras në shpëtim, ndërsa ju më thërrisni në zjarr, ju më thërrisni që të mohoj Allahun dhe t’i shoqëroj Atij në adhurim zota të tjerë, për të cilët nuk di asgjë, ndërsa unë ju bëj thirrje që të adhuroni të Plotfuqishmin, Falësin e Madh. Pa dyshim, zotave drejt të cilëve më ftoni ju, nuk mund t’u lutesh, as në këtë botë, as në tjetrën; kthimi ynë është tek Allahu…Ju së shpejti do ta kujtoni atë që po ju them. Unë çështjen time ia lë Allahut, sepse Ai i sheh vërtet robërit e Vet. Dhe Allahu e ruajti atë prej të këqijave dhe kurtheve të tyre.”[75]

Ebu Bekri:

“Një natë Profeti (a.s) doli kur pa Ebu Bekër Sadikun i cili po falej me zë të ulët. Pastaj pa Omerin i cili po falej me zë të lartë. Kur ata të dy u takuan me Profetin (a.s) ai  u tha: O Ebu Bekër, kalova pranë teje dhe vura re që ti po faleshe me zë të ulët. Ebu Bekri u përgjigj: O i Dërguar i Allahut, U fala me zë të ulët sepse Ai të cilit po i drejtohesha më dëgjon. Pastaj Profeti (a.s) i tha Omerit: O Omer, kur kalova pranë teje vura re se ti po faleshe me zë të lartë. Omeri u përgjigj:  O i Dërguar i Allahut, po falesha me zë të lartë me qëllim për të zgjuar ata të cilët akoma nuk i ka zënë gjumi i thellë si dhe për të përzënë shejtanin. Më pas Profeti (a.s) tha: O Ebu Bekër, ngrije zërin pak, kurse ti o Omer ule pak atë.”[76]

Seid ibn Amir El Xhumehi:

Në kohën kur prijësi i besimtarëve Omer ibn Hatabi e largoi Muauijen nga posti i guvernatorit në qytetin e Himsit e zëvendësoi atë me Seid ibn Amirin. Omeri e thirri Seidin dhe i ofroi postin e guvernatorit të Himsit. Seidi e refuzoi postin dhe i tha: Aman mos më dërgo atje, sepse marrja e postit është përgjegjësi dhe fitne. Por Omeri i tha: Pasha Allahun nuk do të lejoj që të më tradhtosh. Vallë barrën e besimit dhe të kalifatit po e lë mbi shpinën time duke refuzuar postin?!” Nga këto fjalë Seidi e kuptoi se nuk duhet t’ia linte Omerit të gjithë barrën e kalifatit Omerit, prandaj edhe pranoi.

Kur Seidi bashkë me gruan e tij të sapomartuar shkoi në Siri me vete kishin një shumë të hollash që ua kishte dhënë prijësi i besimtarëve, Omeri. Gruaja e tij dëshironte që të hollat t’i shpenzonte për të blerë rroba, stoli dhe gjëra të tjera. Seidi tha: Unë kam një ide më të mirë. Duke qenë se ne jemi në një vend ku ai cili bën tregti fiton shumë unë mendoj që të hollat t’ia japim një tregtari. Gruaja ra dakord. Me një pjesë të të hollave, Seidi bleu gjërat më të domosdoshme për nevojat familjare, kurse të gjithë pjesën e mbetur ua shpërndau fukarenjve. Herë pas here gruaja e pyeste për investimin që ai kishte bërë dhe ai përgjigjej se tregtia ishte e garantuar. Derisa një ditë tek shtëpia e Seidit ishte një i afërm i tij, të cilit Seidi i kishte dhënë sadaka nga pasuria që kishte shpërndarë. Kur gruaja e Seidit e pyeti rreth pasurisë që kishte investuar, Seidi i dha të njëjtën përgjigje si zakonisht. I afërmi i Seidit buzëqeshi, buzëqeshje që e bëri gruan e Seidit të këmbëngulte për të ditur të vërtetën. Kur ajo e mori vesh të vërtetën u dëshpërua, mirëpo Seidi e qetësoi.

Njëherë kur prijësi i besimtarëve, Omeri vizitoi Himsin, disa banorë të tij iu ankuan Omerit për Seidin. Ata thanë: Ankohemi prej tij për katër gjëra: 1 – Ai nuk del tek ne vetëm pasiqë dielli të jetë ngritur lart në qiell, 2 – Natën asnjëherë nuk rri me ne, 3 – Një herë në muaj nuk del dhe 4 – Ka raste që atij i bien të fikët kur është në mesin tonë. Omeri e thirri Seidin dhe e pyeti nëse kishte përgjigje rreth ankesave. Seidi tha: E vërteta qëndron se unë jam i detyruar që t’i jap përgjigje këtyre pyetjeve, megjithëse nuk kam dëshirë që të përgjigjem. Përsa i përket ankesës së parë unë nuk kam shërbëtor në shtëpi, prandaj e ndihmoj gruan duke përgatitur bukën, falem dhe pastaj dal tek ta. Përsa i përket ankesës së dytë gjatë ditës rri me njerëzit, kurse gjatë natës rri me Zotin, përsa i përket ankesës së tretë, unë kam vetëm një palë rroba, të cilat i laj dhe pres derisa ato të thahen, kurse përsa i përket ankesës së katërt, unë kam marrë pjesë kur kurejshët e kanë varur Hubejbin dhe sa herë që më kujtohet ajo skenë më bie të fikët ngaqë nuk munda të bëj gjë për ta shpëtuar atë. Kur Omeri i dëgjoi këto fjalë tha: Shyqyr Zotit që nuk më zhgënjeve.

Ebu Damireh ibn Ajs:

Kur zbriti ajeti kuranor: “Me përjashtim të meshkujve të pafuqishëm, grave dhe fëmijëve, të cilët nuk kanë fuqi..”[77]Ebu Damireh ka qenë në Mekë. Ai tha: Unë kam pasuri dhe fuqi. Ai u përgatit për udhëtim dhe u nis të emigrojë në Medine për tek Profeti (a.s). Mirëpo ai vdiq rrugës përpara se të shkonte në Medine. Allahu i Lartësuar do të shpallte ajetin kuranor: “Kush lë shtëpinë e vet, duke u shpërngulur për tek Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe ndodh që t’i vijë vdekja, Allahu me siguri do ta shpërblejë. Se Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.”[78]

Omer ibn Abdulazizi:

Kur prijësi i besimtarëve Omer ibn Abdulazizi vdiq, vendin e tij e zuri Jezid ibn Abdulmeliku. Një burrë shkoi tek Jezidi dhe i tha: O prijës i besimtarëve, ky hipokrit (kishte për qëllim Omerin) që vdiq dje, ka marrë aq sa ka mundur nga perlat e çmuara dhe i ka futur në dy shtëpi. Jezidi dërgoi dikënd për tek motra e tij Fatimja dhe e pyeti. Ajo tha: Pasha Allahun, Omeri nuk ka lënë vetëm përveç këtyre rrobave që janë në këtë shami. Kur Jezidi e hapi shaminë gjeti një këmishë dhe një mantel. Jezidi tha: Nuk të pyes për këtë, por për shtëpinë e kyçur. Fatimja i tha: Unë nuk kam hyrë në atë shtëpi qysh kur Omeri erdhi në pushtet, sepse kjo nuk i pëlqente atij. Megjithatë ja ku i ke çelësat dhe shiko, nëse ka ndonjë gjë që nuk shkon, merre pasurinë dhe kaloje në “Bejtul Mal”. Jezidi, burri që e kishte akuzuar Omerin dhe të tjerë shkuan dhe e hapën shtëpinë. Në të gjetën një karrige prej lëkure, katër tulla të shtrira dhe një shishe gjysëm të mbushur me ujë. Burri që e kishte akuzuar Omerin tha: Allahu më faltë. Kur hapën shtëpinë e dytë gjetën disa rrogoze të shtrira në dysheme që shërbenin për t’u falur dhe një zinxhirme të cilin Omeri lidhej për mos ta zënë kotja kur falej. Omeri shkonte shpeshherë në atë shtëpi natën dhe falej deri në mëngjes. Jezidi u mallëngjye nga ajo që pa dhe filloi të qante, kurse burri që e kishte akuzuar padrejtësisht i kërkonte falje Allahut vazhdimisht.

Abdullah ibn Mubarek dhe historia e skllavit të zi:

Abdullah ibn Mubarek tregon: Njëherë Mekën e kishte kapluar thatësira. Njerëzit shkuan në Qabe për t’u lutur që të binte shi. Ata u lutën por shiu nuk zbriti. Në krahun tim ishte një njeri me ngjyrë të zezë të këputur. Ai u lut me këto fjalë: “O Zot ata t’u lutën por ti nuk u përgjigje. Unë betohem në emrin tënd që të bjerë shi.” Pasi e bëri këtë lutje, menjëherë filloi të zbriste shi. Njeriu u largua unë e ndoqa nga pas derisa u fut në një shtëpi në një zonë të cilën unë e njihja. Të nesërmen në mëngjes, mora me vete disa dinarë dhe shkova tek shtëpia ku kishte hyrë njeriu të cilit Allahu i ishte përgjigjur lutjes së tij. Trokita në derë. Derën e hapi pronari i cili më pyeti se përse kisha ardhur. I thashë se kë kërkoja. Pasi e pashë njeriun që kërkoja rashë dakord me pronarin e tij që të ma shiste për 14 dinarë. Unë e mora skllavin e zi i cili gjatë rrugës më pyeti: Zotëri, çfarë do të bësh me mua që jam i sëmurë dhe i këputur? T’ju tregoj njerëzve se çfarë pash dje – u përgjigja. Ai u mbështet tek një mur dhe u lut: “O Zot mos më zbulo dhe merrma shpirtin.” Sa e bëri këtë lutje, atij i erdhi vdekja.

Historia e ushtarit që gërmoi tunelin:

Njëherë e një kohë, ushtria muslimane kishte rrethuar një kala të bizantëve. Komandant i kësaj ushtrie ishte Mesleme ibn Abdulmelik. Rrethimi kishte zgjatur shumë ditë dhe muslimanët nuk kishin mundur të depërtojnë brenda në kala, sepse kishin hasur në një qëndresë shumë të fortë nga ana e bizantëve. Një natë, njëri prej ushtarëve në mënyrë të fshehtë pa e parë askush shkoi pranë portës së kalasë dhe filloi të gërmonte një tunel. Pasi e përfundoi tunelin u largua. Të nesërmen kur filloi lufta, ushtari që kishte gërmuar tunelin, u fut në të, doli nga ana tjetër e portës dhe e hapi atë. Kur ushtria muslimane pa se dera ishte hapur hyri menjëherë në kala dhe arritën që ta fitonin luftën.

Pas betejës, Mesleme i mblodhi të gjithë ushtarët dhe u tha: Kush është ushtari i cili gërmoi tunelin sepse dua që ta shpërblej? Askush nuk doli. Ai e përsëriti pyetjen disa herë, por askush nuk doli. Atëherë Mesleme tha: Ushtari i cili gërmoi tunelin, le të vijë në tendën time kur të dëshirojë, në mëngjes apo në mbrëmje. Natën vonë në tendën e Meslemes hyri një ushtar me fytyrë të mbuluar. Ai i tha Meslemes: Unë do të të tregoj se kush është ushtari i cili e gërmoi tunelin, por përpara se të tregoj se kush është ai kam tre kushte: 1 – Mos të pyesësh rreth emrit të tij, 2 – Mos t’ia shikosh fytyrën dhe 3 – Mos ta shpërblesh! Mesleme tha: Pranoj. Ushtari tha: Unë jam ai person dhe menjëherë u largua nga tenda.

Pas kësaj ngjarje, Mesleme sa herë që falej, lutej me këto fjalë: “O Zot më rinjgall me ushtarin që gërmoi tunelin”

8 – Ftesa për të bërë atë që është me e dobishme:

Kjo nënkuptohet nga fjalët e Profetit (a.s), i cili duke folur për rëndësinë e nijetit dhe për ta rrënjosur në mendje këtë koncept, thotë: “Çdokujt i takon ajo që ka pasur për nijet”. Pra ftuesi në rrugë të Allahut të Lartësuar duhet të karakterizohet me këtë cilësi, duke i orientuar dhe duke i udhëhequr njerëzit në atë që është më e dobishme për ta. Profeti (a.s) ka qenë shembulli dhe modeli më i mirë. Ai (a.s) e orientoi pupullin e tij tek ajo që është më e dobishme për ta, siç është rasti konkret i hadithit të lartpërmendur, ku i jepet një rëndësi e veçantë nijetit, i cili duhet të jetë i pastër vetëm për Allahun e Lartësuar.

9 – Vlera e Hixhretit:

Hixhreti zë një vend të lartë në fenë Islame, sepse në kohën kur ndodhi ai, filloi të ndihej era e ndryshimit përsa i përket ftesës Islame. Hixhreti ka qenë argument i besimit të sinqertë dhe pasimit të rrugës së Profetit (a.s), sepse muhaxhirët braktisën shtëpitë, pasurinë dhe gjithçka kishin, vetëm për të përkrahur fenë e Allahut të Lartësuar., ata duruan vështirësi dhe tortura nga më të ndryshmet, me qëllim që të përhapnin fenë e Allahut të Lartësuar. Prandaj është e këshillueshme, që muslimanët të lëvizin nëpër tokë, për të mbajtur mbi supet e tyre përgjegjësinë e transmetimit të mesazhit hyjnor. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar ka folur mirë për ata, të cilët bënë Hixhret për të përhapur fenë dhe për të mbrojtur Profetin (a.s) Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që besojnë, mërgojnë e luftojnë për çështjen e Allahut dhe ata që u japin strehim atyre e i ndihmojnë, pa dyshim ata janë besimtarë të vërtetë; për ta ka falje dhe shpërblim bujar”.[79]Imam Ibn Kethiri thotë: “Në shumë ajete kuranore,Allahu i Lartësuar ka folur për vlerat dhe cilësitë e muhaxhirëve dhe ensarëve:Sa u përket besimtarëve të parë prej muhaxhirëve dhe ensarëve, Allahu është i kënaqur me ta dhe me gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim; edhe ata janë të kënaqur me Atë. Allahu për ta ka përgatitur kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të jetojnë përgjithmonë. Kjo është fitorja madhështore”.[80]“Pa dyshim, Allahu e pranoi pendimin e të Dërguarit, të muhaxhirëve dhe ensarëve, të cilët shkuan pas atij nëçastin e vështirësisë”.[81]Ajeti më madhështor, që flet për vlerat e tyre,është: Të cilët në zemrat e tyre nuk ndihen ngushtë, për atë që u është dhënë atyre”[82]. Kjo do të thotë, se ata nuk kanë smirë ndaj atyre, të cilët Allahu i Lartësuar i begatoi duke iu mundësuar që të bëjnë Hixhretit. Ajetet dëshmojnë qartë, se vlera e muhaxhirëve është më e madhe tek Allahu i Lartësuar sesa vlera e ensarëve”[83].

Për shkak të pozitës të lartë që zë Hixhreti, Allahu i Lartësuar i ka vlerësuar muhaxhirët më tepër se ensarët, sepse ata braktisën shtëpitë, familjet dhe pasurinë e tyre për të bërë Hixhret në Medine, duke kërkuar shpërblimin tek Allahu i Lartësuar dhe duke iu bindur urdhërit tëProfetit (a.s).

Llojet e Hixhretit janë të shumta, por më i larti është Hixhreti, që bëhet për të braktisur vendin, ku mbizotëron mosbesimi dhe për të shkuar në atë vend, ku mbizotëron besimi.

Dijetarët kanë thënë se llojet e Hixhretit janë gjashtë:

Lloji i Parë: Emigrimi nga një vend joislam për tek një vend islam. Ky emigrim është i vazhdueshëm deri në Ditën e Kijametit.

Lloji i Dytë: Emigrimi nga ai vend, ku risitë janë mjaft të përhapura. Imam Maliku ka thënë: “Nuk i lejohet askujt të qëndrojënë atë vend, ku shahen të parët e muslimanëve”[84]. Jo vetëm kaq, por Hixhret konsiderohet edhe braktisja e mëkateve. Muslimani duhet të braktisë çdo vepër të keqe,që e ka ndaluar Allahu dhe Profetii Tij.Profeti (a.s) ka thënë: “Musliman i mirë është ai,nga dora dhe gjuha e të cilit janë të qetë muslimanët. Muhaxhir i mirë është ai, i cili i braktis veprat e këqija, për të cilat Allahu na ka ndaluar për t’i vepruar”[85].

Lloji i Tretë: Emigrimi nga një vend, ku më së tepërmi mbizotëron harami, sepse kërkimi i hallallit është obligim për muslimanin. Dijetarët kanë thënë: “Nëse muslimani nuk mund t`i kryejë ritet fetare në vendin e tij, atëherë ai e ka për obligim që të emigrojë në një vend tjetër islam, ku mund t`i kryejëlirisht ato”.

Lloji i Katërt: Emigrimi nga vendi ku ka sëmundje vdekjeprurëse, drejt një vendi më të sigurtë.

Lloji i Pestë: Emigrimi në rastin kur muslimanit i kërcënohet pasuria, sepse edhe pasuria – ashtu si feja -ështëe shtrenjtë për të.

Lloji i Gjashtë: Emigrimi për të përfituar nga të mirat materiale të kësaj bote.

10 – Motivimi për të bërë vepra të mira dhe frenimi nga kryerja e veprave të këqija:

Një prej metodave efikase të thirrësit në rrugë të Allahut të Lartësuar, është motivimi i të tjerëve për të bërë vepra të mira. Profeti (a.s) na ka nxitur, që nijeti ynë të jetë i pastër vetëm për hir të Allahut të Lartësuar,madje ai (a.s) e ka kontrektizuar këtë gjë me një shembull praktik, duke thënë: “Ai, i cili ka emigruar për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, emigrimi i tij konsiderohet për Allahun dhe të Dërguarin e Tij”. Kjo është një nxitje, që punët të kryhen duke i shoqëruar me nijet të mirë. Për këtë arsye muslimani duhet të bëjë kujdes, nëse puna e tij nuk bashkëshoqërohet nga nijeti. Prandaj, thirrësi duhet të ketë parasysh, që në ftesën e tij të përgëzojë e jo të qortojë. Kjo do të thotë, se në rradhë të parë ai duhet të ftojë dhe të motivojë të tjerët, që veprat e tyre t’i bashkëshoqërojnë me nijet dhe vetëm më pas t’u flasë atyre, që të kenë kujdes nga syfaqësia. Ai duhet t’i nxisë të tjerët, që të mësojnë dijen, përpara se t’iu tërheqë vëmendjen që të kenë kujdes e të mos e fshehin atë. Ai duhet t’i nxisë të tjerët, që ta falin namazin në kohën e duhur, përpara se t’u flasë atyre për ndëshkimin e atij personi, i cili e lë namazin pa e falur e kështu me rradhë. Në fakt, metodologjia e motivimit dhe nxitjes është më efikase në shumicën e rasteve. Mirëpo kjo nuk do të thotë, që thirrësi të neglizhojë ftesën e të tjerëve, për t`u ruajtur nga veprat e këqija. Pra mbi të gjitha, thirrësi duhet të jetë përgëzues e jo qortues. Këtë metodologji ka përdorur Allahu i Lartësuar nëKuran dhe Profeti (a.s) në Sunet. Allahu i Lartësuar thotë: “Njoftoji robërit e Mi, se Unë jam Falësi, Mëshiruesi. Por dhe se ndëshkimi Im është i dhembshëm”[86].“Falësit të gjynaheve dhe Pranuesit të pendimit, që dënon ashpër, si dhe Zotëruesit të mirave. Nuk ka zot tjetër përveç Tij dhe tek Ai do të kthehen të gjithë”[87].

Kurani i thërret njerëzit që të besojnë, duke i përgëzuar për shpërblimin që i pret:“O ju ithtarë të Librit që keni besuar në Musain dhe Isain, kini frikë Allahun dhe besoni në të Dërguarin e Tij, sepse Ai do t’ju dhurojëpjesë të dyfishtë nga mëshira e Vet, do t’ju japë dritë, me ndihmën e së cilës do të ecni dhe do t’ju falë. Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë”[88]. Motivimi për të besuar, për të bërë vepra të mira dhe për të përfituar nga të mirat e kësaj bote është mëse i domosdoshëm, sepse natyra njerëzore është gatuar në mënyrë të tillë, që të lakmojë më të mirën. Për këtë arsye, Profeti (a.s) i nxit njerëzit, për të bërë sa më shumë vepra të mira. Një ditë ai (a.s) iu drejtua shokëve të tij me këto fjalë: “Nëse dikush prej jush lahet pesë herë në ditë tek lumi që kalon përpara portës së tij, a do tëmbetej i papastër?”“Patjetër që jo”,- u përgjigjënsahabët. “Po kështu është shembulli i pesë namazeve, nëpërmjet tyre Allahu i fshin mëkatet”,-tha ai (a.s)[89].

Një detyrë e rëndësishme e thirrësit është, që t’i njohë mirë njerëzit që i thërret. Ai nuk duhet të frikësojë askënd, sepse shejtani e ngacmon me vesveset e tij një pjesëtë mirë të njerëzve, që janë larg besimit dhe veprave të mira, duke ju thënë se nëse ata i përkushtohen rrugës së fesë, liria e tyre kufizohet dhe se nuk mund të shijojnë asgjë nga kjo botë. Me të tillë njerëz nuk vlen metoda e frikësimit, por më parësore është, që njerëzve t’u flitet për depot e mirësisë dhe bereqetit të pashtershëm, që ka Allahu i Lartësuar.

Argumentet dhe dobitë e hadithit:

1 – Veprat duhet të shoqërohen me nijet, në mënyrë që njeriu të shpërblehet.

2 – Që një vepër të jetë e pranuar tek Allahu, ajo duhet të bëhet vetëm për hir të Tij.

3 – Çdo vepër e mirë që shoqërohet me nijet të pastër vetëm për hir të Allahut, konsiderohet adhurim.

4 – Nijeti bëhet me zemër dhe jo me gojë.

5 – Njeriu, i cili bën nijet për të bërë një vepër të mirë, por për arsye të justifikueshme nga Sheriati nuk e kryen atë, do të shpërblehet për nijetin e tij.

6 – Muslimani duhet të bëjë kujdes nga syfaqësia, sepse ajo i prish veprat e njeriut.

Epilog:

Në epilogun e këtij hadithi po citojmë disa thënie të të parëve tanë në lidhje me nijetin:

– Jakub ibn El Mekfuf thotë: “Njeri i sinqertë është ai, i cili i fsheh veprat e mira, ashtu siç fsheh gjynahet”[90].

– Dikush ka thënë: “Unë parapëlqej që çdo gjë ta shoqëroj me nijet, kur ha, kur pi, kur fle, kur hyj në banjo..etj”[91].

– Kur Sehli është pyetur rreth asaj gjëje që është më e vështirë për njeriun, ai është përgjigjur me fjalët: “Të jesh i sinqertë”[92].

– Mutarif ibn Abdullah ka thënë: “Përmirësimi i zemrës vjen si rezultat i punës së mirë, ndërsa puna e mirë bazohet tek nijeti”[93].

Ibn Mubareku thotë: “Ka mundësi që nijeti ta zmadhojë një punë të vogël, ashtu siç ka mundësi që nijeti ta zvogëlojë një punë të madhe”[94].

Autor: Elton Harxhi

[1] – Buhariu (1) dhe Muslimi (1907).

[2] – Një ndodhi e tillë dëgjohet të thuhet shpesh nga njerëzit, por kjo ndodhi nuk është e saktë. Shih “Nur Es Sari fi Sher’h Sahih El Buhari”, fq:  1/28.

[3] – Ahmedi (9090). Hadithi është Sahih li gajrihi

[4] – “Aromatizimi I shpirtrave nga hadithi i Ihlasit” i Doktor Sejjid ibn Husejn Afanit, fq: 103.

[5] – Sure Jusuf: 24.

[6] – Sure Merjem: 51.

[7] – Sure Sad: 45-46.

[8] – Sure Ibrahim: 24-26.

[9] – Tirmidhiu (2657). Hadithi është Sahih.

[10] – Sure Lejl: 17-21.

[11] – Sure Kehf: 28.

[12] – Sure Hixhr: 39-41.

[13] – Sure Ankebut: 45.

[14] – Sure Jusuf: 24.

[15] – Sure Saffat: 38-43.

[16] – Sure  Bejine: 5.

[17] – Sure Zumer: 2-3.

[18] – Sure Maun: 4-6.

[19] – Sure Bekare: 264.

[20] – Sure Bekare: 200-202.

[21] – Sure Nisa: 124.

[22] – Sure Ahzab: 35.

[23] – Buhariu (7169) dhe Muslimi (1713).

[24] – Sure  Teube: 91.

[25] -“Tefsiri i Sa’dit”  i  Abdurrahman Sa’dit, fq: 325.

[26] –  Buhariu (4433) dhe Ebu Daudi (2508) me tekstin në fjalë.

[27] – Sure Zumer: 29.

[28] – Sure Nisa: 145 – 146.

[29] – Buhariu (16).

[30] – Ahmedi (17393). Hadithi është Sahih.

[31] – Buhariu (37).

[32] – Muslimi (385).

[33] – Buhariu (38).

[34] – Nesai (2242). Hadithi është Hasen.

[35] – Sure Bekare: 261.

[36] – Nesai (2890). Hadithi është Sahih.

[37] – Tirmidhiu (1653). Hadithi është Sahih.

[38] – Buhariu (7458)  dhe Muslimi (1904)

[39] – Buhariu (6306).

[40] – Musnedi Shihabit (320). Hadithi është Hasen.

[41] – Sure Ra’d: 22 – 24.

[42] – Ahmedi (27612). Hadithi është Sahih li gajrihi.

[43] – Sure A’raf: 55.

[44] – Tirmidhiu (3479). Hadithi është Hasen.

[45] – Ibn Maxheh (227). Hadithi është Sahih.

[46] – Sure Nahl: 66.

[47] – Sure Nisa: 142.

[48] – Sure Enfal: 47.

[49] – Sure Kehf: 103 – 105

[50] – Sure Furkan: 23.

[51] – Sure Zelzele: 7-8.

[52] – Sure Nisa: 40.

[53] – “Nijeti dhe Sinqeriteti” i doktor Jusuf Kardavit, fq: 43.

[54] – “Enciklopedia e Dijenisë dhe Urtësië” i Ibn Rexhepit, fq: 21-23, me përshtatje. Versioni shqip.

[55] – Muslimi (2642).

[56] – Ebu Daudi (547). Hadithi është Hasen li gajrihi.

[57] – Sure Jusuf: 55.

[58]Vërejtje: Këtu bëhet fjalë për ato vepra që janë vullnetare dhe jo për ritualet madhore si namazi, agjërimi, zekati..etj.

[59] – Sure Mu’minun: 61.

[60] – Sure Sexhde: 16-17.

[61] – Sure Bekare: 271.

[62] – “Ta’tir enfas” I doctor Sejjid ibn Husejn el Afani, fq: 206.

[63] – “Omer ibn Hatabi” i doctor Muhamed Ali Salabit, fq: 162.

[64] – Sure Fet’h: 11.

[65] – Sure Naziat: 40-41.

[66] – Musned Ebi Ja’la (58). Hadithi është i dobët.

[67] – Sure Rum: 38.

[68] – Sure Insan: 7-12.

[69] – Sure Isra: 19.

[70] – Muslimi (2626).

[71] – Buhariu (652).

[72] – Sure Nexhm: 32.

[73] – Sure Zumer: 14.

[74] – Sure Kehf: 13-14.

[75] – Sure Gafir: 28-45.

[76] – Ebu Daud (1359). Hadithi është Sahih.

[77] – Sure Nisa: 98.

[78] – Sure Nisa: 100.              `

[79] – Sure Enfal: 74.

[80] – Sure Teube: 100

[81] – Sure  Teube: 117.

[82] – Sure Hashr: 9

[83] – “Tefsiri i Ibn Kethirit”, fq:  4/99 .

[84] -“Shpjegimi i Rijadus Salihin”  i Doktor Husni Hashim, fq: 5.

[85] – Buhariu (6484).

[86] – Sure  Hixhr: 49-50

[87] – Sure Gafir: 3.

[88] – Sure  Hadid: 28.

[89] – Buhariu  (528) dhe Muslimi (667).

[90] -“Meuidhatul mu’minin”  i  Xhemaludin  Kasimit, fq: 443

[91] -“Muhtasar Minhaxhul kasidin”  i Ibn Kudame Makdisit, fq: 322.

[92] -“Muhtasar Minhaxhul kasidin” i Ibn Kudame Makdisit, fq: 322.

[93]-“Xhamiul Ulumi uel hikem”  i Ibn Rexhepit, fq: 71.

[94] -“Xhamiul Ulumi uel Hikem”  i Ibn Rexhepit, fq: 71.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *