Vlera e dijes

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Një umet që nuk është i interesuar për të përftuar dije dhe një rini që nuk bën kërkime dhe hulumtime shkencore, është e vështirë që të rimëkëmbet dhe të zhvillohet. Të jesh i suksesshëm në fushën shkencore, të përvetësosh dije dhe njohuri të reja, të merresh me zbulime dhe hulumtime shkencore, është diçka themeltare për zhvillimin e çdo populli dhe kombi. Ajo është diçka thelbësore për të ndryshuar veten dhe për të pritur ndryshimin nga Zoti më pas. Ajo bën pjesë në ajetin e Kuranit që thotë: “E ju përgatituni sa të keni mundësi force e kuaj të caktuar për betejë..”[1]

Në fillim, unë dua të sjell disa sondazhe të bëra, të cilat tregojnë hendekun e madh mes nesh dhe perëndimit. Ne e lusim Zotin çdo ditë me përkushtim që ta ndihmojë këtë umet dhe ta nxjerrë nga bataku ku ka rënë. Por një umet i tillë nuk mund të dalë dhe nuk mund të zhvillohet, ndërkohë që përqindja e analfabetizmit është akoma shumë e lartë. Në nivel të vendeve arabe, përqindja e analfabetizmit është 60 %. Nëse popullsia e botës arabe është treqind milionë, afërsisht njëqind e tetëdhjetë milionë prej tyre janë analfabetë, nuk dinë shkrim e këndim. Kjo, ndërkohë që fjalët e para të librit të tyre të shenjtë Kuranit, janë “Lexo”. Ky është një umet që ka thyer fjalën dhe urdhrin e parë të shpallur në Kuranin Famëlartë.

Kjo është gjendja në botën arabe, ndërkohë që Kanadaja deklaroi pak kohë më parë se i ka dhënë fund analfabetizmit të kompjuterit dhe jo të shkrim – leximit. Në Kanada, nuk ka qytetarë që nuk dinë përdorimin e kompjuterit. A e shikon sa i thellë është hendeku mes dy civilizimeve?

Çmimi nobël i jepet studiuesve dhe figurave më të ndritura në fusha të ndryshme të shkencës. Unë kam zgjedhur tre fusha për të treguar diferencën dhe dallimin mes botës arabe dhe atë perëndimore. Kam zgjedhur atë të mjekësisë, fizikës dhe kimisë. Që nga viti 1901 vetëm dy myslimanë kanë fituar çmimin Nobel, njëri është pakistanez kurse tjetër është Ahmed Zuel.

Vetë Amerika ka marrë çmimin nobel në mjekësi 81 herë, Britania 26 herë, kurse Gjermania 15 herë. Shtete të tjera që kanë fituar Nobelin janë Argjentina, Meksika, India, Suedi, Rusia etj…

Nga të gjithë zbulimet dhe shpikjet e shekullit të kaluar, 99 % e tyre nuk i përkasin botësi arabe dhe asaj islame. Tek këto shpikje hyn makina, rryma elektrike, rrota, celulari etj… Ne si myslimanë nuk ekzistojmë fare në hartën e gjithë këtij mali shpikjesh dhe zbulimesh shkencore.

Një fakt tjetër i dhimbshëm është se në çdo supermarket që të hysh në vendet tona, të gjithë prodhimet janë të importuara dhe jo prodhime vendi. Edhe gjërat me të cilat adhurojmë Zotin, si sixhadeja dhe tespihe, nuk janë prodhime tonat, por i importojmë nga të tjerët. Një situatë dhe gjendje e tillë duhet të ndryshojë dhe kjo nuk është e pamundur.

India, edhe pse është shtet i botës së tretë, është shteti që prodhon dhe eksporton më shumë programe kompjuterike në të gjithë botën. Vetëm në vitin 2000, të ardhurat e Indisë nga programet kompjuterikë të eksportuara arrinte në gjashtë miliardë dollarë. Dy vite më vonë, të ardhurat u rritën në tetë miliardë dollarë.

Unë zgjodha të flas për programet e kompjuterit, sepse është gjëja më e thjeshtë që mund të bëjë dikush. Për të prodhuar programe të tillë, nuk të nevojitet veçse një tavolinë, një kompjuter dhe padyshim një mendje e mprehtë.

Gjatë hapjes së panairit më të madh të produkteve kompjuterikë, kancelari gjerman deklaroi haptazi se:”Ambiciet e Gjermanisë në fushën e programimit, janë më të vogla se mundësitë e saj. Prandaj, ne kemi vendosur të japim tridhjetë mijë viza pune për programuesit indianë, me qëllim që të na ndihmojnë në zhvillimin e programeve kompjuterike në vendin tonë.”

Dijet nuk kanë atdhe dhe vatan dhe vetëm me dije dhe informacion mund t’i imponohesh tjetrit. Perëndimi i mban nën kontroll vendet arabe dhe myslimane vetëm me shkencë dhe dije.

Përse na ndodh kjo?

Gjëja e parë është se ne nuk e respektojmë dijen dhe njohuritë, për të mos thënë që e kemi përdhosur dhe nëpërkëmbur. Edhe pse jemi etiketuar më parë si umeti i dijeve, sot dijet nuk kanë asnjë vlerë për ne. Në vend që të lodhemi, hulumtojmë dhe bëjmë studime shkencore, ne jemi mjaftuar me importimin e sendeve të nevojshme.

Harun Reshidi, kalifi mysliman, i shtinte ujë për të larë duart një dijetari mysliman, pasi përfundonte nga ushqimi. Kjo, vetëm se ishte i ditur dhe dijet në atë kohë respektoheshin.

Ne si myslimanë, mburremi me Ahmed Zuel sepse ai është një shkencëtar mysliman dhe që na bëri të ndihemi krenarë.

Një arsye tjetër që na ka çuar në këtë gjendje, është se të rinjtë tanë hyjnë në fakultete dhe studiojnë thjesht për të mbajtur një diplomë në dorë pas katër vitesh. Ata mësojnë dhe studiojnë thjesht për të kaluar dhe nuk kanë ndonjë objektiv tjetër madhor. Nëse do të shkonim ditën e provimeve në shkollat dhe universitetet tona dhe t’i pyesim studentët: Përse ke ardhur në këtë provim? Përgjigja do të ishte: Që të kaloj në vitin tjetër dhe në fund të marr një diplomë. Kam frikë se askush nuk do të përgjigjej: Kam ardhur të mësoj ekonomi, gjeologji, histori etj… me qëllim që t’i shërbej Islamit dhe vendit tim.

Nga një mentalitet i tillë nuk kanë shpëtuar as të rinjtë myslimanë dhe të përkushtuar në besim. Secili prej tyre mëson që të marrë një diplomë, më pas të gjejë një punë, më pas të martohet.

Një japonez vajti të studiojë doktoraturë për mekanikë në Amerikë. Gjatë periudhës së studimit, ai arriti të shpikë një makineri për të cilën Japonia kishte nevojë. Me të shpikur makinerinë, ai e braktisi doktoraturën duke thënë:”Unë erdha në Amerikë vetëm për të zbuluar këtë. Tani nuk kam më nevojë ta çoj gjer në fund doktoraturën. Unë nuk kam nevojë për diplomë.”

Prandaj Japonia është ndër shtetet më të zhvilluara sot. Prindërit japonezë, i edukojnë fëmijët e tyre që dijet dhe shkenca nuk janë thjesht një copë karton që quhet diplomë.

Një shkak tjetër që e ka shkaktuar këtë gjendje tek ne, është se shumica e të rinjve tanë, nuk studiojnë në fushën që u pëlqen dhe që kanë talent. Ata studiojnë në fusha për të cilat nuk kanë prirje dhe e kalojnë jetën duke punuar në atë fushë, me një rendiment shumë të vogël. Vetë prindërit nuk i ndihmojnë fëmijët e tyre të zbulojnë talentet dhe prirjet. Edhe të rinjtë tanë kanë pranuar të kthehen në makineri, të cilat drejtohen nga të tjerët. Asnjë prej tyre nuk e pyet veten dhe nuk interesohet se në ç’fushë mund të jetë i dobishëm.

Një arsye tjetër është dhe të kuptuarit e shtrembër të Islamit. Ne jemi dëshmitarë që disa të rinj të suksesshëm në shkollë, me të filluar të falen bien në mësime, për të mos thënë e braktisin fare shkollën. Të kuptuarit e gabuar të Islamit, e bëri që të mbyllet gjithë ditën në xhami ose në dhomën e tij, duke lexuar Kuran dhe duke u falur. Ai harron se është pjesë e adhurimit edhe përftimi i dijeve dhe rezultatet e larta në shkollë. Jo vetëm që dëmton veten dhe umetin, por ai kthehet në një imazh dhe model të keq për islamin dhe myslimanët.

Obligimet në Islam klasifikohen në obligime individuale (fard ajn) ku çdo individ e ka detyrë ta praktikojë dhe kolektive (fard kifaje) ku nëse e praktikojnë disa, nuk është obligim për të tjerët. Myslimanët konsiderohet të gjithë si gjynahqarë, nëse (qoftë dhe një prej tyre) nuk merren me shpikjen dhe zbulimin e teknologjive të reja. Është e papranueshme për një student që përfundon fakultetin e shkencave dhe ka talent, të lërë fushën e tij dhe të merret me ftesën në rrugë të Zotit. Ai mendon se po bën diçka të mirë, por në fakt ai hyn në gjynah. Vetë Zoti e ka caktuar t’i shërbejë fesë nga pozita e një shkencëtari.

Shumë të rinj të suksesshëm në fushat e tyre, kërkojnë që të studiojnë për fe, pasi të përfundojnë fakultetin. Këtë e bën nga dëshira që ka për t’i ftuar njerëzit në Islam. Ai mund t’i ftojë njerëzit në Islam edhe si shkencëtar, mësues, doktor etj… Nuk është e thënë të përfundosh sheriatin që të jesh ftues. Për të ftuar të tjerët në Islam, të mjaftojnë disa gjëra thelbësore dhe të përgjithshme.

Një arsye tjetër është se ne nuk lexojmë. Ata që kanë kryer një specializim, nuk lexojmë më në fushën e tyre, ata që studiojnë në një fushë të caktuar, nuk i ndjekin zbulimet dhe studimet e fundit të asaj fushe etj… Me zbulimin e internetit janë lehtësuar shumë procedura dhe kërkimi është shumë më i lehtë. Mjafton të dish se çfarë të duhet dhe e gjen menjëherë në internet. Fjalët e para të islamit janë “Lexo”, ndërkohë që ne e kemi shpërfillur këtë urdhër. Kushdo që ka vajtur në Perëndim, ka vërejtur që pothuaj të gjithë pasagjerët që udhëtojnë me metro, janë të angazhuar me leximin e një libri, gjatë udhëtimit ose pritjes së metrosë. Ndërkohë që ne merremi me thashetheme, zgjidhim fjalëkryqe ose nuk bëjmë asgjë. Edhe internetin që në vetvete përbën një mjet të rëndësishëm prej të cilit mund të përfitojmë, të rinjtë tanë e përdorin për të njohur vajza dhe për të biseduar me to. Ndërkohë që nëpunësit e përdorin për të luajtur shah, ose letra gjatë orarit të punës.

Një arsye tjetër është edhe të kopjuarit në provime. Unë u kërkoj të rinjve dhe të rejave myslimane që të mos pranojnë të kopjojnë, edhe nëse do të mbeten. Është më mirë të mbetesh në një provim dhe ta përsërisësh vitin, sesa të kopjosh. Sigurisht problemi nuk qëndron tek një e kopjuar, por qëndron tek mentaliteti që përhapet mes studentëve. Le të jetë kjo temë fillimi i ndryshimit. Le të përpiqet secili të ndryshojë veten, të mos kopjojë në provime dhe ta marrë lëndën me aftësitë e tij.

Një arsye tjetër është se shumë studentë zgjedhin një fakultet të caktuar, pa e njohur natyrën e fushës në të cilën do të studiojë. Ata nuk janë të ndërgjegjshëm dhe të informuar mbi nevojat e umetit. Unë vetë kam studiuar për biznes por nuk e kisha të qartë çfarë do të bëja në të ardhmen, madje ishte një fushë që unë nuk e kisha me pasion. Vetëm pasi e përfundova fakultetin, kuptova që kisha studiuar në fushën e gabuar. Unë i bëj thirrje çdo studenti që studion në një fushë: Nëse nuk e ke me pasion atë fushë, interesohu, pyet një pedagog, një më të ditur etj… dhe zbulo talentin tënd dhe fushën që të përshtatet dhe ku mund të japësh. Mos studio në një fushë thjesht pse të kanë thënë prindërit apo se thuhet se sjell të ardhura.

Një arsye tjetër është edhe mospërdorimi i teknologjisë moderne, e shprehur në rrjetin e internetit dhe mësimin e gjuhëve të huaja. Në kohët e hershme, ishin perëndimorët ata që mësonin arabishten me qëllim që të përkthejnë shkencat dhe dijet në gjuhët perëndimore. Sot, aktualiteti është i tillë që ne të mësojmë gjuhën e tyre, me qëllim që të përfitojmë dhe të zhvillohemi.

Një arsye tjetër është se përzgjedhja e profilit lidhet ngushtë me të ardhurat që siguron ai profil ose për shkak të lehtësisë së tij. Askush nuk studion në një profil duke u bazuar se ai është më i dobishëm për umetin.

Një arsye tjetër është edhe egoizmi dhe mos sinqeriteti, gjë e cila ka të bëjë me anën tonë morale. Sot, shohim që brezat e vjetër nuk u mësojnë gjithçka brezave të reja, nga frika se mos u zënë vendin. Mësuesit në shkolla, nuk ua shpjegojnë gjithçka nxënësve në shkollë, sepse don t’ju japë mësim privatisht dhe të përfitojë të holla.

Një  arsye tjetër ,është se nuk i financojmë studimet dhe kërkimet shkencore. Ka myslimanë të pasur që shkojnë në Haxh çdo vit dhe i ndihmojnë të varfrit pa masë. Por nëse i kërkohet të financojë një projekt për kërkime shkencore, refuzon. Shumë kompani japin donacione për të varfrit, por nëse u kërkohet për kërkime shkencore nuk pranojnë.

Një arsye tjetër është se e kemi të vështirë të punojmë në grupe pune. Edhe nëse e fillojmë një projekt së bashku, pa kaluar shumë kohë fillojnë grindjet, zënkat dhe hatër mbetjet.

Një arsye tjetër është se nuk kemi njerëz të specializuar për vendosjen e strategjive dhe planeve afatgjata. Kjo ka bërë që të mos kemi asnjë strategji dhe plan mbi fushën ku mund t’i përqendrojmë aftësitë tona dhe të dallohemi. India, ka vendosur një strategji dhe plan, sipas të cilit do i kushtohet programeve kompjuterike dhe ia kanë arritur. Kurse ne akoma nuk kemi një vizion të qartë mbi fushën ku do të përqendrohemi.

Ndërkohë që Kanadaja ia ka dhënë fund analfabetizmit në përdorimin e kompjuterit, mes nesh ka akoma 60 % që nuk dinë shkrim dhe lexim. Shumë njerëz, kur dëgjojnë për shifra dhe një aktualitet të tillë, mund të mendojnë se shkaku për këtë është feja islame. Gjithë prapambetjen, analfabetizmin dhe recesionin e vendeve arabe, ata ia adresojnë Islamit.

Por në fakt, a është Islami i tillë? A është ai shkak për prapambetjen e myslimanëve?

Siç e thamë dhe më parë, fjala e parë që Xhibrili (a.s) ia shpalli Profetit Muhamed (a.s) ishte fjala “Lexo”. Po përse kjo fjalë, ndërkohë që të gjithë e dimë se Profeti (a.s) nuk dinte të shkruajë dhe të lexojë?!

Duke i kërkuar të lexojë dhe studiojë, Zoti sikur i thoshte: O Muhamed! Koha në të cilën do të jetosh ti dhe umeti yt, nuk është koha e magjive dhe e mrekullive. Ajo do të jetë koha e dijeve dhe informacionit. Prandaj umeti yt duhet të jetë i mirë arsimuar. Fjalët “Lexo” nuk i drejtohet Profetit (a.s) personalisht, por i drejtohen të gjithë umetit mysliman.

Të gjithë Profetët para Profetit Muhamed (a.s)triumfonin me anë të mrekullive. Musai (a.s) kishte shkopin e tij, Nuhu (a.s) triumfoi nga tufani i cili i shkatërroi armiqtë e tij, Hudi (a.s) triumfoi nga era e fuqishme etj… Kurse umeti i Muhamedit do të triumfojë vetëm me dije dhe arsim. Në jetën e Profetit (a.s) ndodhën disa mrekulli, por ato nuk ishin boshti i ndryshimit, nuk ishin ato që caktonin triumfin dhe fitoren. Ato ishin vetëm për ta mbështetur moralisht Profetin a.s dhe myslimanët.

Ndryshimi dhe triumfi për myslimanët, do të vijë kur ata të lidhen fuqishëm pas fesë së tyre, t’i përkushtohen asaj, të arsimohen dhe t’i vënë në jetë ato dije që kanë marrë.

Surja e dytë që iu shpall Profetit a.s është surja Kalem, e cila edhe ajo përmend penën, mjetin e shkrimit. Vetë emri i sures “Kalem” flet mbi këtë. Thotë Zoti në ajetin e parë të kësaj sureje: “Nun, betohem në penën dhe në atë ç’ka shkruajnë.”[2]

Historia e parë që përmendet në Kuran, është ajo e Ademit (a.s) e cila fillon me fjalët: “E Ai (Zoti) ia mësoi Ademit të gjitha emrat.”[3]

Gjëja e parë që Zoti krijoi në univers, sipas një thënie të Profetit (a.s) është pena.

Vetë fjala “i ditur” përmendet 224 herë në Kuranin famëlartë. Emri i Zotit “i Gjithë ditur” përmendet 185 herë, “dija” përmendet 375 herë, vetëm në hadihet e Buhariut, fjala “dije” përmendet në njëqind e dy hadithe në kapitullin e dijes.

Ti o student që studion në fakultetin e shkencave, dije se vetë melekët të bëjnë hije dhe të respektojnë, nëse e bën për t’i shërbyer umetit. Ky është një nga konceptet e Islamit mbi përftimin e dijes. Një student që nuk përsërit mësimet, por qëndron gjithë ditën në xhami duke u falur dhe duke lexuar Kuran, nuk mund t’i shërbejë umetit. Ne duhet të ndryshojmë mënyrën e të studiuarit, duke mos studiuar vetëm para provimeve sa për të marrë një notë kaluese. Ne duhet të mësojmë dhe studiojmë me qëllim që t’i sjellim dobi dhe të zhvillojmë umetin. Unë e di që statistikat e mësipërme janë shqetësuese dhe e vënë çdo mysliman në siklet kur prezantohet me to. Për Zotin që të gjithë ne jemi përgjegjës për këtë situatë që është krijuar. Të gjithë studentët që studiojnë në fusha të ndryshme, janë përgjegjës për këtë situatë në të cilën ndodhet umeti. Të gjithë profesorët dhe rektorët e universiteteve janë përgjegjës. Ashtu siç janë përgjegjës edhe mësuesit e shkollave fillore, nëntëvjeçare dhe të mesme, për arsye se i mësojnë nxënësit të studiojnë për të marrë një diplomë dhe jo për të zhvilluar umetin e tyre.

Thotë Profeti (a.s): “Kush niset për një rrugë për të nxënë dije, ai konsiderohet në rrugë të Zotit derisa të kthehet.”

Çdo ditë që nisesh për në fakultet, dije se të hapet dera për në Xhenet dhe konsiderohesh sikur je në rrugë të Zotit.

Nëse këto janë tekste të nxjerra nga tradita profetike dhe literatura islame, si është e mundur që umeti mysliman të përjetojë këtë prapambetje të thellë?!

Çdo Profet që është përmendur në Kuran, përmendet, etiketohet si i ditur me dijet e fesë dhe ato që i nevojiten për të përballuar jetën. Për Profetin Jusuf (a.s) thuhet: “Kur Jusufi arriti moshën e pjekurisë, Ne i dhamë aftësinë e të gjykuarit dhe dituri.”[4] “Ai (Jusufi) tha: Më cakto mua përgjegjës të depoëve të vendit, unë jam besnik i dijshëm.”[5]

Për Daudin (a.s) dhe Sulejmanin (a.s) të cilët merreshin me përpunimin e hekurit dhe prodhonin mjete dhe instrumente të ndryshme, thuhet: “Ne i patëm dhënë Davudit dhe  Sulejmanit dituri..”[6]

Profetët që përmenden në Kuran, ishin të suksesshëm në jetë dhe dinin zanate nga më të ndryshmet. Çdo profet që ka dërguar, Zoti e ka pajisur me një zanat të caktuar. Profeti Zekerija (a.s) ishte marangoz shumë i mirë.

Përveç lutjes dhe adhurimit, të rinjtë tanë duhet të thellohen në studime, të ndjekin zbulimet e fundit të fushës për të cilën specializohen, të lexojnë literaturë të shumtë, të mos studiojnë thjesht për të marrë një diplomë, të mos studiojnë thjesht për të pasur një rrogë të majme. Kurse profesorët duhet që kërkimet e tyre shkencore të mos i bëjnë thjesht për t’u ngritur në detyrë dhe për të shtuar të ardhurat. Hulumtimet e tyre duhet të jenë të tilla që t’i shërbejnë umetit dhe zhvillimit të tij. Thotë Zoti në Kuran mbi Talutin: “Allahu e zgjodhi atë sundues tuajin dhe e pajisi me dituri…”[7]

Me qëllim që të formojë një brez dhe umet të arsimuar dhe për të luftuar analfabetizmin, Profeti Muhamed (a.s) ndërmorri një sërë masash. Sot, ne nuk kemi përse të presim që qeveritë të luftojnë dhe zhdukin analfabetizmin. Lufta kundër analfabetizmit është detyrë e secilit prej nesh.

Në betejën e Bedrit, myslimanët kapën shtatëdhjetë mekas robër. Si kusht që të fitojnë lirinë, Profeti (a.s) i kërkoi secilit që t’u mësojë dhjetë myslimanëve shkrimin dhe këndimin. Kështu, shtatëdhjetë robër, do u mësonin shtatëqind myslimanëve shkrimin dhe këndimin. Edhe pse myslimanët kishin nevojë për të holla, Profeti (a.s) nuk u kërkoi të holla në këmbim të lirisë, por u kërkoi t’u mësonin myslimanëve shkrimin dhe leximin.

Nga këta myslimanë që mësuan shkrimi dhe lexim me këtë rast, është Zejd ibnu Thabit, ai që koleksionoi dhe mblodhi Kuranin pas vdekjes së Profetit (a.s). Mësimi i shkrimit dhe leximit nuk ishte vetëm për burrat, por edhe për gratë. Profeti (a.s) i kërkoi Shifa bintu Abdilah që t’ju mësojë edhe grave të tjera shkrim dhe këndim.

Nëse ka gra që thonë që nuk dimë çfarë të bëjmë për umetin, le t’u mësojnë grave të tjera kompjuterin dhe ndonjë gjuhë të huaj.

Përveç mësimit të shkrimit dhe këndimit, Profeti (a.s) i kushtoi një rëndësi të veçantë edhe mësimit të gjuhëve të huaja. Ai e thirri një ditë Zejd ibnu Thabit dhe i tha:”Do të shkosh tek çifutët dhe do të mësosh gjuhën e tyre. Mos kthehesh derisa ta kesh mësuar mirë.”

Tregon Zejd:”Unë e mësova gjuhën e tyre për tetëmbëdhjetë ditë. Më pas u ktheva tek Profeti (a.s) dhe i tregova. Ai më pyeti i habitur:”A e ke mësuar kaq shpejt?!”

Unë iu përgjigja:”Po o i dërguar i Allahut.”

Ai më pyeti:”A e shkruan dot gjuhën e tyre?” ë

Unë iu përgjigja:”Po o i dërguar i Allahut.”

Që atëherë, Profeti (a.s) e dinte se mësimi i gjuhëve të huaja dhe të përkthyerit është diçka thelbësore për zhvillimin e një umeti.

Duke e ditur ndikimin dhe impaktin që kanë besëtytnitë tek njerëzit dhe se ato janë kundër shkencës dhe dijeve, Profeti (a.s) u shpalli atyre luftë që ditët e para. Thotë Profeti a.s me këtë rast: “Na është ndaluar parashikimi i fatit.”

Ditën që vdiq djali i Profetit (a.s), Ibrahimi, ndodhi eklips i diellit. Disa njerëz, thanë se dielli eklipsoi për shkak të vdekjes së Ibrahimit. Por Profeti (a.s) e refuzoi një mendim apo bestytni të tillë.

Me të gjithë këto masa, Profeti (a.s) synonte të formojë mentalitetin shkencor tek myslimanët dhe shokët e tij.

Një hap tjetër të rëndësishëm në këtë fushë, ishte edhe ai i statistikave. Vetë Profeti (a.s) u kërkonte shokëve të tij të bëjnë statistika të ndryshme. Ai u kërkonte të ndërtojnë një bazë të dhënash për gjithçka që e shihte si primare dhe të rëndësishme. Sipas këtyre të dhënave, myslimanët ndërtonin të ardhmen dhe vinin në zbatim strategjitë e tyre.

Që kur arriti në Medine, Profeti (a.s) u kërkoi myslimanëve të shënonin të gjithë ata persona që pranonin Islamin dhe dëshmonin se nuk ka zot tjetër veç Allahut. Veç kësaj, u kërkoi të ndërtonin një bazë të dhënash mbi të gjithë ata që ishin të aftë të luftojnë. Një metodë të tillë pune e përvetësoi mirë Omeri dhe e zbatoi atë gjatë kalifatit të tij.

Një nismë tjetër e Profetit (a.s) ishte se ai i nxiste myslimanët të punojnë në  grupe pune. Këtë ai e kishte përvetësuar nga Kurani Famëlartë, i cili u bën thirrje myslimanëve që të bashkëpunojnë në vepra të mira.

Një ditë, Hasan ibnu Thabit i tha:”O i dërguar i Allahut! Më lejo të shkoj tek kurejshët dhe të thurr vargje kundër tyre.” Profeti (a.s) e lejoi por i tha që vargjet t’I thurrte bashkë me Ebu Bekrin.

Pasi Hasani i thurri vargjet ku satirizonte kurejshët dhe këto vargje u ranë në dorë atyre, e kuptuan menjëherë se pas tyre qëndronte edhe Ebu Bekri. Këto vargje ishin thurrur në bashkëpunim mes Hasanit dhe Ebu Bekrit, pra ishte një grup i vogël pune.

Kur u koleksionuan të gjithë kopjet e Kuranit gjatë kalifatit të Othmanit, u morën tre ekspertë, njëri i  gjuhës arabe, një tjetër që njihte mirë dialektin e kurejshëve dhe Zejd ibnu Thabiti që kishte një kontribut në koleksionimin e Kuranit më parë.

Lidhur me planifikimin afatgjatë, Kurani na ofron një nga shembujt më të përsosur, atë të Profetit Jusuf (a.s). Planifikimin afatgjatë e hasim shpesh edhe në jetëshkrimin e Profetit (a.s) dhe të shokëve të tij.

Një hap tjetër të rëndësishëm që ndërmori Profeti (a.s) ishte refuzimi i çdo lloj shkence dhe dijesh që ishte i pavlefshëm për umetin. Në një hadith, ai thotë: “O Zot unë kërkoj mbrojtjen Tënde nga dija që nuk bën dobi.”

Çfarë dobie ka umeti nga një doktoraturë e mbrojtur, thjesht për t’u ngritur në detyrë dhe për të shtuar të ardhurat personale?!

Një karakteristikë e Profetit (a.s) ishte se ai zbulonte talentet e shokëve të tij dhe i përdorte në ato fusha ku ata mund të jepnin maksimumin. Ai zbuloi që Halid ibn Velidi ishte strateg luftarak dhe e përdori në këtë fushë. Ai zbuloi talentin poetik të Hasan ibn Thabitit dhe e përdori në atë fushë. Ai zbuloi talentin e Ebu Hurejres, të cilin e përdori për regjistrimin dhe mësimin e haditheve të tij. Ishin të gjitha këto, ato që ndërtuan umetin dhe civilizimin islam.

Nëse gratë dhe vajzat duan të japin kontributin e tyre, le të mësojnë një gjuhë të huaj, përdorimin e kompjuterit etj… dhe t’ua mësojnë ato të tjerave. Nëse je student dhe je i lirë gjatë verës, mos rri kot por hyr në një kurs gjuhe të huaj, mëso një program kompjuteri, lexo libra të të profilit tënd. Të gjithë ata që janë arsimuar dhe kanë përftuar dije të thella, le ta japin zekatin e këtyre dijeve, le t’ua mësojnë ato të tjerëve.

Të gjitha këto ishin disa ide mbi atë që mund të bëjë secili. Në fund, secili le të mendojë dhe planifikojë për të ardhmen, ashtu siç e mendon ai. E lusim Zotin të na japë dije dhe të na bëjë të dobishëm në shoqërinë ku jetojmë!

 Autor: Amër Halid

Përktheu: Elmaz Fida

[1] – Sure Enfal: 60.

[2] – Sure Kalem: 1.

[3] – Sure Bekare: 31.

[4] – Sure Jusuf: 21.

[5] – Sure Jusuf: 55.

[6] – Sure Neml: 15.

[7] – Sure Bekare: 247.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.