Vlera e “la ilahe il`lall`llah”

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Fjala e Teuhidit “la ilahe il`lall`llah” ka vlera të mëdha. Kush e thotë këtë fjalë me zemër të sinqertë dhe punon sipas kërkesave të saj, do të ketë lumturi në dunja dhe Ahiret, ndërsa kush e thotë këtë fjalë, duke gënjyer me zemër, trajtohet si musliman në dunja, ndërsa llogaria e tij do të jetë tek Allahu i Madhëruar.

1 – Ebu Hurejrah (r.a) tregon: “I thashë të Dërguarit të Allahut (a.s): “O i Dërguari i Allahut! Kush do të jetë njeriu më fatlum, për të cilin do të ndërmjetësosh në ditën e Kijametit”? I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “O Ebu Hurejrah! Pata shpresuar që askush para teje të mos më pyeste për këtë hadith, sepse e di zellin dhe kujdesin që ke për hadithin. Njeriu më fatlum, për të cilin do të ndërmjetësoj në ditën e Kijametit, është ai që ka thënë: “la ilahe il`lall`llah” me sinqeritet nga zemra dhe shpirti i tij”[1]

2 – Ubadeh ibn Samit (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush dëshmon, se nuk ka Zot tjetër që meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, Allahu ia bën haram Xhehenemin”[2]

3 – Enesi (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) ishte mbi deve dhe pas vetes kishte Muadhin (r.a). I Dërguari i Allahut (a.s) i tha: “O Muadh ibn Xhebel”. Muadhi (r.a) i tha: “Urdhëro o i Dërguari i Allahut, gati më ke”. Ai (a.s) tha: “Kushdo që dëshmon se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, duke e vërtetuar këtë me zemër, Allahu e ruan nga zjarri i Xhehenemit”. Muadhi (r.a) i tha: “O i Dërguari i Allahut! A t`iu tregoj njerëzve dhe t`i përgëzoj me këtë fjalë?”! I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Jo, sepse njerëzit do të mbështeten vetëm në këtë fjalë (dhe nuk do të bëjnë punë të tjera)”. Muadhi (r.a) e tregoi këtë hadith në prag të vdekjes, nga frika se mos vdes si mëkatar (duhe fshehur diturinë)”[3]

4 – Rifa`ah Xhuheniu (r.a) tregon: “Po ecnim me të Dërguarin e Allahut (a.s), derisa shkuam në Kadid. I Dërguari i Allahut (a.s) falenderoi Allahun me fjalët më të mira dhe më pas tha: “Dëshmoj tek Allahu, se çdo rob i cili vdes duke thënë “la ilahe il`lall`llah, muham`medun resulull`llah” me vërtetësi nga zemra (me gjithë zemër) dhe i përmbahet kësaj fjale, ajo fjalë do ta çojë në Xhenet”[4]

5 – Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Atij që ka thënë “la ilahe il`lall`llah”, një ditë do t`i bëjë dobi kjo fjalë, megjithëse e godet dënimi (pra edhe nëse dënohet për njëfarë kohe)”[5]

6 – Ebu Musa (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Musai (a.s) tha: “O Zot! Më mëso diçka, që të të kujtoj dhe të të lutem me të”. Allahu i tha: “Thuaj “la ilahe il`lall`llah”. Musai i tha: “O Zot im! Të gjithë robërit e Tu e thonë këtë fjalë”. Allahu i tha: “Thuaj “la ilahe il`lall`llah”. Musai i tha: “O Zoti im! Dua diçka speciale vetëm për mua”. Allahu tha: “O Musa! Nëse shtatë qiejt dhe shtatë tokat vendosen në një anë të peshores dhe fjala “la ilahe il`lall`llah” vendoset në anën tjetër, fjala “la ilahe il`lall`llah” do të peshojë më shumë”[6]

7 – Xhabiri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s ) ka thënë: “Përmendja (dhikri) më e mirë është fjala “la ilahe il`lall`llah”, ndërsa lutja më e mirë është fjala “el hamdu lil`lah”[7]

8 – Ja`la ibn Shedadi (r.a) tregon fjalën e babait të tij Shedad ibn Eusi (r.a), – të cilën e vërtetoi edhe Ubadeh ibn Samit (r.a): “Ishim tek i Dërguari i Allahut (a.s), kur ai na tha: “A ka në mesin tuaj ndonjë të huaj”? – pra nga çifutët ose krishterët”. I thamë: “Jo, o i Dërguari i Allahut”. I Dërguari i Allahut (a.s) na urdhëroi të mbyllnim derën dhe na tha: “Ngrini duart dhe thoni “la ilahe il`lall`llah”. Ne i ngritëm duart për një çast. Më pas i Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Falenderimi i takon Allahut! O Allahu im! Ti më ke dërguar me këtë fjalë, më ke urdhëruar me të dhe për këtë fjalë më ke premtuar Xhenetin. Nuk ka dyshim, se Ti nuk e thyen premtimin”. Më pas tha: “Përgëzohuni! Allahu ju ka falur të gjithëve”[8]

9 – Ebu Hurejrah (r.a) tregon: “I Dërgari i Allahut (a.s) ka thënë: “Përtërijeni imanin (besimin) tuaj”. Të pranishmit i thanë: “O i Dërguari i Allahut! Si ta përtërijmë besimin tonë?”! I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Thoni sa më shumë fjalën “la ilahe il`lall`llah”[9]

10 – Abdullah ibn Mesudi (r.a) lexoi ajetin “Kushdo që sjell një vepër të mirë” [Neml: 88] dhe e shpjegoi kështu: “Kushdo që del para Allahut me “la ilahe il`lall`llah”, ndërsa për ajetin “Dhe kushdo që sjell një vepër të ligë” (Neml: 89) tha: “Kushdo që bën shirk”[10]

11 – Umer ibn Khatabi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Unë e di një fjalë, të cilën nëse dikush e thotë me të vërtetë nga zemra e tij dhe pas kësaj vdes, do të mbrohet ndaj zjarrit. Kjo fjalë është: “la ilahe il`lall`llah”[11]

12 – Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Thoni sa më shpesh fjalën “la ilahe il`lall`llah”, para se t`ju vijë çasti (vdekja), kur nuk mund ta thoni më”[12]

13 – Muadh ibn Xhebeli (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Fjalët “la ilahe il`lall`llah” janë çelësat e Xhenetit”[13]

14 – Abdullah ibn Umeri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “A t`ju tregoj për porosinë, që Nuhu ia la të birit?! Të pranishmit thanë: “Posi”. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Nuhu e porositi birin e tij, duke i thënë: “Biri im! Të porosis për dy gjëra dhe të ndaloj nga dy të tjera. Të porosis me fjalën “la ilahe il`lall`llah”. Nëse kjo fjalë do të vendosej në një anë të peshores dhe shtatë qiejt dhe toka do të vendoseshin në anën tjetër, kjo fjalë do të peshonte më shumë, madje edhe nëse qielli dhe toka do të ishin sa një rreth (unazë), kjo fjalë përsëri do të peshonte më shumë. Njeriu, i cili e thotë këtë fjalë, është i shpëtuar tek Allahu…”[14]

15 – Abdullah ibn Amr ibn Asi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Lartësimi i Allahut (me fjalët subhanall`llah) është gjysma e peshores, falenderimi i Allahut (me fjalët el hamdu lil`lah) e mbush peshoren, ndërsa fjalën “la ilahe il`lall`llah” nuk e pengon asgjë, derisa të arrijë tek Allahu”[15]

Abdullah ibn Amr ibn Asi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Allahu do të përzgjedhë një person nga Umeti im, duke e nxjerrë para të gjitha krijesave në Ditën e Kijametit”. Para tij hapen 99 regjistra. Çdo regjistër është i madh sa shikimi i syrit. Allahu i thotë robit: “A mohon ndonjë  gjë nga këto?! Mos vallë të kanë bërë padrejtësi engjëjt ruajtës dhe shkruajtës?! Robi thotë: “Jo, o Zot”. Allahu i thotë: “A ke ndonjë shfajësim/justifikim (për atë që ke bërë)?! Robi thotë: “Jo, o Zot”. Allahu i thotë: “Përkundrazi! Ti ke tek Ne vetëm një të mirë. Sot nuk ka padrejtësi për ty”. Nxirret një letër (pusullë), në të cilën ishte shkruar “la ilahe il`lall`llah” . Allahu i thotë: “Eja dhe shiko peshoren tënde”. Robi thotë: “O Zot! Ç`vlerë ka kjo pusullë ndaj gjithë këtyre regjistrave?! Allahu thotë: “Ty nuk do të të bëhet padrejtësi”. Regjistrat vendosen në njërën anë të peshores, ndërsa pusulla (letra) vendoset në anën tjetër të saj. Letra peshoi më shumë, sepse asgjë nuk mund të rëndojë më tepër sesa diçka që ka emrin e Allahut në të”. Me të drejtë ky hadith është quajtur hadith madhështor. Lum për ata që thonë fjalën “la ilahe il`lall`llah”

Autor: Rushit Musallari

[1] – Buhariu (99).

[2] – Muslimi (29).

[3] – Buhariu (7373) dhe Muslimi (30).

[4] – Ahmedi. Hadithi është Sahih.

[5] – Bezzari. Hadithi është Sahih.

[6] – Nesaiu (10602). Hadithi është Sahih.

[7] – Ibn Maxheh (3800). Hadithi është Hasen.

[8] – Ahmedi. Hadithi është Sahih.

[9] – Ahmedi. Hadithi është Sahih.

[10] – Hakimi.

[11] – Hakimi. Hadithi është Sahih.

[12] – Ebu Ja’la. Hadithi është Xhejjid.

[13] – Ahmedi. Hadithi është Daif, por domethënia është e vërtetë.

[14] – Bezari. Hadithi është Sahih.

[15] – Tirmidhiu. Hadithi është Hasen.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *