Vlera e namazit të sabahut
1 – Xhundub ibn Abdullah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Ai që fal namazin e Sabahut, është nën mbrojtjen e Allahut. Prandaj mos e ngacmoni atë që është në mbrojtjen e Allahut, sepse përndryshe Allahu do ta marrë ngacmuesin e atij që ka falur Sabahun dhe do ta përmbysë në zjarr të Xhehenemit”[1]
2 – Ebu Musa El Eshariu (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush fal “El Berdan”, hyn në Xhenet”[2] Termi “El`Berdan” përfshin namazin e Sabahut dhe të Ikindisë.
3 – Ebu Zuhejr (r.a) tregon, se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) duke thënë: “Nuk e prek zjarri atë njeri, i cili falet para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij”[3]
Ibn Umeri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Namazi më i mirë është namazi i Sabahut të ditës së Xhuma, i cili falet me Xhemat. Kam bindjen, se kushdo që merr pjesë në këtë namaz, është i falur (I falen mëkatet)”[4]
Vlera e namazit të drekës
Abdurrahman ibn Aufi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Namazi i Drekës është nga namazi i natës (në shpërblim)”[5]
Vlera e namazit të ikindisë
Ebu Basrah El Gifari (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) fali namazin e Ikindisë me ne dhe pastaj na tha: “Ky namaz ka qenë farz edhe për popujt e mëparshëm, por ata e humbën (e lanë atë). Kush përkujdeset për këtë namaz (e fal atë), ka shpërblim të dyfishtë”[6]
Vlera e namazit të akshamit
Aishja (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Namazi më i mirë tek Allahu është namazi i Akshamit. Kush fal dy rekate nafile pas tij, i ndërtohet një shtëpi në Xhenet, sa herë që shkon dhe vjen (nga xhamia)”[7]
Vlera e namazit të jacisë
Uthmani (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kush fal namazin e Jacisë me xhemat, shpërblehet sikur të jetë falur gjysmën e natës, ndërsa kush fal namazin e Sabahut me xhemat, shpërblehet sikur të jetë falur gjithë natën”[8]
Vlera e namazit të vitrit
Kharixhe Ibn Hudhafeh (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Me të vërtetë Allahu ua ka ligjëruar (ua ka obliguar) juve një namaz, i cili është më i vlefshëm se të gjitha begatitë”. Dikush e pyeti: “Cili është ai o i Dërguar i Allahut”? Ai (a.s) u përgjigj: “Namazi i Vitrit, i cili falet mes farzit të Jacisë dhe namazit të Sabahut”[9]
Autor: Rushit Musallari
[1] – Muslimi.
[2] – Buhariu dhe Muslimi.
[3] – Muslimi.
[4] – Ebu Nuajmi, Bezari dhe të tjerë. Hadithi është i pranuar.
[5] – Hejthemiu. Hadithi është Daif.
[6] – Muslimi.
[7] – Hejthemiu. Hadithi është Daif.
[8] – Muslimi.
[9] – Ibn Ebi Shejbe. Hadith Sahih.
 
				 
															


















