Ebu Hurejre (r.a) transmeton se profeti (a.s) ka thënë: “Çdo vepër e mirë që kryen i biri i Ademit shumëfishohet nga dhjetëfish deri në shtatëqind fish. Allahu i Lartësuar thotë: Përveç agjërimit, ai është për Mua dhe vetëm Unë e jap shpërblimin për të, sepse ai që agjëron, është privuar nga dëshirat dhe ushqimi vetëm për Mua. Agjëruesi ka dy gëzime: Gëzimi i parë kur e çel agjërimin dhe gëzimi i dytë kur të takohet me Zotin. Era e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu sesa era e miskut”.[1]
Shpjegimi i hadithit:
Ky hadith flet për vlerën e agjërimit dhe pozitën e lartë, që ky adhurim ka tek Allahu i Lartësuar. Ky hadith flet për katër prej vlerave të agjërimit.
Vlera e Parë: Shpërblimi i agjëruesve është i pakufishëm. Të gjithë veprat e mira që kryen njeriu, shpërblehen nga dhjetë fish deri në shtatëqind fish, përveç agjërimit, i cili nuk e ka këtë lloj shpërblimi. Shumëfishimi është shumë herë më i madh dhe vetëm Allahu shpërblen për të. Në të vërtetë agjërimi është pjesë e durimit, ndërkohë që Allahu i Lartësuar në lidhje me durimin ka thënë: “Me të vërtetë shpërblimi i durimtarëve është i pakufishëm.”[2] Në komentimin e këtij ajeti, imam El Euzai ka thënë: “I pakufishëm do të thotë se për shpërblimin e durimit nuk ka peshore”.
Vlera e Dytë: Allahu i Lartësuar e ka konsideruar agjërimin të Tijin, ndërkohë që asnjë vepër tjetër të mirë nuk e ka konsideruar kështu. Nuk ka mirësi më të madhe sesa kjo gjë. E gjitha kjo mirësi shpërblehet më mënyrë të tillë, sepse agjëruesi gjatë gjithë ditës privohet nga dëshirat e tij vetëm për hir të Allahut. Agjërimi gjatë ditës ka shumë vështirësi, sidomos gjatë ditëve të gjata e të nxehta të verës. Privimi nga dëshirat për hir të Allahut është adhurimi i kërkuar, për të cilin njeriu shpërblehet. Njeriu shpërblehet, sepse agjërimi është çështje fshehtësie mes njeriut dhe Allahut, që askush përveç Allahut nuk e di, nëse njeriu agjëron apo jo.
Vlera e Tretë: Agjëruesi lumturohet dhe gëzohet në ditën që do të takohet me Allahun, pasi në atë ditë ai do marrë shpërblimin e merituar.
Gëzimi tjetër në vaktin e çeljes së Iftarit, ndodh për shkak se adhurimi i tij tashmë ka përfunduar me sukses; ka përfunduar me adhurim dhe larg mëkateve e gjynaheve. Ky gëzim është mëse normal. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: Me mirësinë dhe mëshirën e Allahut, vetëm me këto le të gëzohen. Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë”.[3]
Vlera e Katërt: Era e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu se era e miskut dhe parfumit. Kjo e mirë do të ndodhë në Ditën e Gjykimit, në ditën në të cilën agjëruesit do të shikojnë shpërblimin e veprës së tyre të mirë. Prandaj, në një transmetim tjetër profeti (a.s) thotë: “Është më e mirë tek Allahu në Ditën e Gjykimit”.[4]
Gjithashtu kjo mirësi ka vlerë edhe në këtë botë, pasi ajo vjen si rrjedhojë e kryerjes së një adhurimi, ashtu siç mund të lexojmë në një transmetim tjetër: “Era e gojës së agjëruesit që vjen nga braktisja e ushqimit është më e mirë tek Allahu se era e miskut”.[5] Megjithëse Era e gojës së agjëruesit është e papëlqyeshme tek njerëzit, ajo tek Allahu është më e mirë se era e miskut dhe parfumit, sepse ajo buron nga një adhurim madhështor, që është agjërimi. Imam Ibn Hibani thotë: “Slogani i besimtarëve në Ditën e Gjykimit janë shenjat e marrjes së abdesit, që kanë marrë në dynja. Ky do jetë dallimi midis tyre dhe popujve të tjerë. Slogani i besimtarëve në Ditën e Gjykimit do të jetë era e gojës së tyre, që është më e mirë tek Allahu se era e miskut. Në atë Ditë ata do të njihen në mesin e atij grumbulli të madh njerëzish vetëm nëpërmjet këtij adhurimi. E lusim Allahun që të na dhurojë të mirën e asaj dite”.
Një vlerë tjetër e agjërimit është fakti, se Allahu i Lartësuar ka përgatitur për agjëruesit një derë të veçantë për të hyrë në Xhenet, në të cilën do të hyjnë vetëm ata dhe askush tjetër. Profeti (a.s) thotë: “Në Xhenet ka një derë që quhet Er Rejan. Në Ditën e Gjykimit tek ajo derë do të hyjnë vetëm agjëruesit dhe askush tjetër përveç tyre. Kur nga ajo derë do të hyjnë të gjithë, ajo do të mbyllet dhe askush tjetër nuk do të hyjë nga ajo. Ai i cili do të hyjë do të pijë nga pija e Xhenetit dhe asnjëherë nuk ka për të ndjerë etje”.[6]
Që agjëruesi të përfitojë nga këto vlera, duhet që të jetë i sinqertë në adhurimin e tij. Ai duhet të agjërojë, duke braktisur ushqimin, pijen dhe marrëdhëniet intime. Duhet të braktisë ato shikime, dëgjime dhe riskun që janë të ndaluara. Pra edhe shqisat e tij agjërojnë nga mëkatet; gjuha nga gënjeshtra dhe fjalët e pahijshme e të rreme. Nuk ka dyshim se ky lloj agjërimi ka shpërblim mjaft të madh. Profeti (a.s) thotë: “Ai i cili nuk e braktis fjalën e rreme dhe të punuarit me të, Allahu nuk ka nevojë që ai të braktisë ushqimin dhe pijen”.[7] Ndërsa në një hadith tjetër profeti (a.s) thotë: “Ndoshta ka prej atyre që agjërojnë dhe nuk përfitojnë nga agjërimi asgjë tjetër veç privimit nga ushqimi dhe pija. Dhe ndoshta ka prej atyre të cilët falen natën,por nuk përfitojnë nga namazi i tyre asgjë tjetër vetëm lodhjes”. [8]
Përktheu: Elton Harxhi
[1] Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.
[2] Sure Ez Zumer: 10
[3] Sure Junus: 58.
[4] Transmetim nga imam Muslimi.
[5] Transmetim nga imam Ibnu Hibani. Zinxhiri i transmetimit është i saktë.
[6] Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi. Një pjesë e këtij hadithi është transmetuar edhe nga imam Ibnu Huzejme në librin e tij të haditheve.
[7] Hadithi është i saktë.
[8] Transmetojnë imam Ahmedi dhe imam Ibnu Maxheh. Zinxhiri i transmetimit është i saktë.
One Response
Elhamdulilah!
Allahu ju shperblefte per kete informacion shume te vlershem