Xhamia Aksa

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Të dashur fëmijë!

Sot, do të flasim rreth xhamisë Aksa, emrave të saj, kur është ndërtuar, vlerën, kush prej profetëve ka jetuar atje, pushtimet që i janë bërë asaj përgjatë historisë, lidhjen e saj me Ditën e Gjykimit si dhe fakte të tjera interesante.

Emrat e xhamisë Aksa:

Xhamia Aksa njihet me disa emra, ku më kryesoret janë:

1 – Xhamia Aksa: Që do të thotë xhamia më e largët.

2 – Bejtul Makdis: Që do të thotë shtëpia e pastrimit.

3 – Xhamia Ilija: Që do të thotë xhamia e qytetit të Ilijasë.

Ndërtimi i xhamisë Aksa:

Xhamia e parë që është ndërtuar në rruzullin tokësor është Qabja dhe dyzet vjet pas saj është ndërtuar xhamia Aksa.

Përgjatë gjithë historisë, xhamia Aksa është rindërtuar disa herë.

Askush nuk e di me saktësi se kush e ka ndërtuar atë në fillim, profeti Adem (a.s) apo profeti Ibrahim (a.s), por  më vonë atë e ka rindërtuar profeti Sulejman (a.s).

Tregohet se profeti Daud (a.s) e filloi rindërtimin e saj, por  nuk arriti ta përfundonte atë, sepse vdiq. Pas tij, erdhi profeti Sulejman (a.s) – i biri i Daudit – i cili e përfundoi ndërtimin e saj.

Xhaminë Aksa e ka rindërtuar edhe Omeri (r.a) – halifi i dytë i muslimanëve – përballë Gurit, në të cilin është falur profeti Musa (a.s).

Gjatë mbretërimit të Abdul Melik ibn Meruanit e tërë ndërtesa u rindërtua.

Në vitin 154 hixhri, në Jeruzalem ra një tërmet i fuqishëm, i cili dëmtoi disa pjesë të xhamisë. Ebu Xhafer El Mensuri dha urdhër për rindërtimin e saj.

Rreth xhamisë Aksa:

I gjithë territori i xhamisë Aksa është 144 000 m2. Ndërtesa e xhamisë Aksa është rreth 35 000 m2 dhe pjesa tjetër është oborr. Në xhami mund të falen deri në 500 000 besimtarë.

Xhamia Aksa përfshin rreth 200 simbole islame, si: xhamitë, faltoret, minaret, kupolat, minberet, medresetë, oborrin e gjerë, portat, muret, portikët, magazinat, puset, burimet. pemët..etj.

Vlera dhe pozita e lartë e xhamisë Aksa:

Xhamia Aksa është ndërtuar në tokën e bekuar që është Palestina.

Xhamia Aksa është një ndër ato tre xhami, në të cilën njeriu mund të ndërmarrë një udhëtim për të shkuar tek ajo për shkak të sevapit të madh.

Kushdo që falet në xhaminë Aksa shpërblehet deri në 250 – të fish.

Xhamia Aksa është kibla e parë, nga e cila janë drejtuar Profeti Muhamed (a.s) dhe sahabët gjatë faljes së tyre.

Xhamia Aksa vendi i Profetëve:

Në tokën e bekuar, Palestinën, ku është edhe xhamia Aksa kanë jetuar shumë profetë, si Ibrahimi, (a.s), Is’haku (a.s), Jakubi (a.s), Musai (a.s), Jusha ibn Nun (a.s), Daudi (a.s), Sulejmani,(a.s) Zekerijai (a.s), Jahjai (a.s), Isai (a.s) dhe shumë të tjerë.

Një specifikë e veçantë e kësaj xhamie është se në këtë xhami janë falur të gjithë profetët nga i pari deri tek i fundit. Imami, i cili u ka prirë profetëve në namaz ka qenë profeti Muhamed (a.s). Kjo ka ndodhur në natën e Israsë dhe Miraxhit.

Në xhami ka jetuar Merjemja, nëna e profetit Isa (a.s)

Xhaminë Aksa e kanë vizituar dhe e kanë parë edhe sahabët, si: Omer ibn Hatabi, Halid ibn Uelidi, Ebu Ubejde ibn Xherahu, Bilal ibn Rebahu, Muadh ibn Xhebeli, Ubade ibn Samit, Temim Ed Dari, Abdullah ibn Selami e shumë të tjerë.

Pushtuesit dhe çlirimet:

Gjatë periudhës mijëra vjeçare të tokës së Palestinës dhe bashkë me të edhe atë të xhamisë Aksa, historia na rrëfen se ajo është pushtuar disa herë.

Në kohën e profetit Musa (a.s), ajo ishte pushtuar nga Amalikët dhe pas vdekjes së profetit Musa (a.s), ajo çlirohet nga profeti Jusha ibn Nun (a.s).

Toka e Palestinës ka qenë e pushtuar nga Xhaluti dhe ushtria e tij. Asokohe, Allahu përzgjodhi si mbret të Benu Israilëve, Talutin, i cili i udhëhoqi ata në luftë kundra Xhalutit dhe ushtrisë së tij. Në këtë betejë, profeti Daud (a.s) e vrau Xhalutin.

Në kohën kur ka qenë gjallë profeti Muhamed (a.s), toka e Palestinës ka qenë e pushtuar nga perandoria Bizantine. Pas vdekjes së Profetit (a.s) dhe të Ebu Bekrit, në krye të shtetit musliman u vendos Omer ibn Hatabi, i cili e çliroi Palestinën.

Në mesjetë, toka e Palestinës u pushtua nga Kryqtorët. Ajo qëndroi 91 vjet e pushtuar derisa erdhi Salahudin Ejubi dhe e çliroi atë nga pushtuesit.

Në vitin 1948, toka e Palestinës është pushtuar nga shteti sionist i Izraelit. Në vitin 1967 është pushtuar një pjesë e xhamisë nga shteti sionist. Ajo vazhdon akoma të jetë e pushtuar deri në ditët e sotme, por me lejen e Allahut do të vijë dita kur do të çlirohet.

Xhamia Aksa dhe Shenjat e Ditës së Gjykimit:

Prej shenjave të Ditës së Gjykimit është se xhamia Aksa do të çlirohet.

Në kohën kur do të shfaqet Dexhali, ai ka për shkuar në të gjithë zonat e krahinat, përveçse në katër vende: në Qabe, në xhaminë e Profetit në Medine, në xhaminë Aksa dhe në malin Tur.

Dexhalin ka për ta vrarë profeti Isa (a.s) në njërën prej portave të xhamisë Aksa.

Xhamia Aksa është toka ku janë përhapur ligjet e Allahut dhe toka ku në Ditën e Gjykimit do të tubohen njerëzit nga aty për në tokën e Shamit .

Të dashur fëmijë!

A e kuptuat përse xhamia Aksa është e rëndësishme për të gjithë muslimanët kudo që ata janë?

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.