Punët e mira që i bëjnë dobi të vdekurit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Dijetarët kanë mendim unanim se të vdekurit i bën dobi sadakaja që jepet për të. Argument për këtë është hadithi i transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi: “Një  burrë erdhi tek Profeti (a.s) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Nëna ime ka ndërruar jetë pa lënë porosi (testament, amanet). Mendoj se po të fliste do të këshillonte të jepej sadaka. A marr sevap nëse unë jap sadaka për të”? Profeti (a.s) tha: “Po”. Fjalët e tekstit janë transmetim i Muslimit. Në shpjegimin e hadithit: “Kur njeriu ndërron jetë i ndërpriten të gjitha veprat, përveç tre veprave…” të cilat konsiderohen sadaka e vazhdueshme, imam Neveviu thotë: “Hadithi tregon qartë se sevapi i lutjeve që bëhen i shkon të vdekurit, po ashtu edhe sadakaja. Për këtë kemi mendim unanim të dijetarëve. Këtë status ka edhe shlyerja e borxhit për të vdekurin”.

Dijetarët kanë mendime të ndryshme rreth dhurimit të sevapit të adhurimeve fizike, siç janë namazi, dhikri dhe leximi i Kuranit për të vdekurit. Dijetarët Maliki dhe dijetarët Shafi`i janë të mendimit se nuk lejohet të dhurohet sevapi i adhurimeve fizike për të vdekurit. Ata janë të mendimit se vetëm adhurimet pasurore si sadakja, lirimi i skllevërve etj, u shkon sevapi të vdekurve. Ata mendojnë se për adhurimet pasurore lejohet të bëhet autorizimi dhe përfaqësimi, ndryshe nga adhurimet fizike.

Dijetarët Hanefi dhe dijetarët Hanbeli janë të mendimit se lejohet të dhurohet sevapi i adhurimmeve fizike për të vdekurit. Ata janë të mendimit se dhurimi i sevapit nuk kufizohet me përfaqësim dhe autorizim. Të dyja grupet sjellin argumentet të shumta për mendimet që përkrahin. Ne mendojmë se më e sakta në këtë çështje është se lejohet të dhurohet sevapi për të gjitha adhurimet, si ato fizike dhe ato pasurore.

Këtij mendimi i kanë dhënë përparësi edhe një grup dijetarësh të mëvonshëm të medhhebit Shafi`i ndër ta edhe imam Neveviu, si dhe Kurtubiu nga dijetarët e medhhebit Maliki, siç shprehet qartë në tefsirin e tij dhe në librin “Et-Tedhkira”. Këtë mendim e përkrah dhe mbron Ibn Ebi El-Iz Hanefiu në shpjegimin që i ka bërë Akides Tahavie dhe ky është edhe  mendimi i shejhul islam Ibn Tejmije. Për sa më sipër, lejohet që të lexosh Kuranin dhe ta bësh nijet për ti marrë sevapin ti dhe prindërit e tu, të kërkosh falje Allahut për vete dhe sevapin e kërkimit të faljes (istigfarit) t’ia dhurosh edhe prindërve të tua. Këtë gjë mund ta bësh për çdo adhurim që bën.

Është  e vërtetë se dijetarët kanë mospajtime mes tyre nëse të vdekurit i bën dobi sevapi i një adhurimi që ti ia dhuron atij, duke pasur parasysh gjithmonë se ka dakordësi mes dijetarëve se lutja, kërkimi i faljes dhe sadakaja i bën dobi të vdekurit. Pjesa më e madhe e dijetarëve janë të mendimit se haxhi farz që bëhet për të vdekurin i bën dobi atij. Ndërsa për haxhin vullnetar që bëhet për të vdekurin, dijetarët kanë mospajtim.

Në të vërtetë, argumentet janë të qarta se të vdekurit i bën dobi edhe haxhi vullnetar. Ebu Daudi dhe Ibn Maxhe trasnmeton se Ibn Abasi (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) dëgjoi një burrë duke bërë nijet për haxh me fjalët: “O Allahu tu përgjigja me Haxh, të cilin po e bëj për Shubrumen”. Profeti (a.s) i tha: “Kush është Shubrume”? Burri i tha: “Një vëlla i imi”, ndoshta tha: “Një i afërmi im”. Profeti (a.s) i tha: “A e ke bërë haxhin për vete”? Burri i tha: “Jo”. Profeti (a.s) i tha: “Bëje për vete, pastaj bëje për Shubruhmen”. Albani e vlerëson hadithin të saktë. Profeti (a.s) nuk e pyeti burrin nëse po e bënte nijetin për haxh farz apo për haxh vullnetar, prandaj teksti duhet të merret ashtu siç është thënë në përgjithësinë e tij.

I Dërguari i Allahut (a.s) i ka thënë Amr ibn Asi (r.a): “Nëse babai yt do ta pranonte fjalën e Teuhidit dhe ti do të agjërojë dhe jepje sadaka për të, ato do ti bënin dobi”. Këtë hadith e transmeton Ahmedi, ndërsa Albani e vlerëson hadith të saktë. Kushti që përcaktoi Profeti (a.s) që të përfitonte i vdekuri nga sevapi i punëve të mira ishte: të jetë nga muslimanët. Në librin e tij “Err-Rruh”, Ibn Kajimi e ka trajtuar me detaje dhe gjerësisht çështjen e dhurimit të sevapit të punëve të mira për të vdekurit. Ai i jep përparësi mendimit të imam Ahmedit dhe shumë dijetarëve të tjerë që përcaktojnë qartë se i vdekuri përfiton nga sevapi i punëve të mira që të tjerët ia dhurojnë, pa marrë parasysh nëse është haxh apo ndonjë punë tjetër.

Përsa i përket sevapit të fëmijëve të vegjël, edhe ata marrin shpërblim për veprat që i kryejnë akoma pa arritur pubertetin. Muslimi transmeton nga Kurejbi se ka thënë: “Një grua ngriti djalin e vogël mbi kokë që ta shihnte Profeti (a.s) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! A ka sevap haxhi që bën ky vocërrak”? Ai (a.s) tha: “Po dhe ti do të kesh shpërblim për këtë”.

Po ashtu, prindërit përfitojnë nga lutja që bëjnë fëmijët për të, nga istigfari që bëjnë fëmijët për të, nga sadakaja që japin për ta, nga leximi i Kuranit që bëhet për ta, nga Haxhi apo Umra që bëhet për ta. Muslimi transmeton nga Ebu Hurejra (r.a) se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur ndërron jetë biri i Ademit i ndëpriten të gjitha veprat që ka bërë përveç tre prej tyre: sadaka e vazhdueshme, dituri prej të cilës përfitohet dhe një fëmijë i mirë që lutet për të”.

Në shpjegimin e këtij hadithi, imam Neveviu ka thënë: “Dijetarët kanë thënë se kuptimi i hadithit është: sapo vdes njeriu i ndërpritet shpërblimi për punët, përveç tre gjërave që sevapi i tyre nuk shkëputet pasi vetë personi është shkak për ta. Dihet se ai është shkak që ka sjellë fëmijën në jetë, po ashtu dituria që ka lënë pas vetes është shkak që t`i sjellë dobi, e gjithashtu sadakaja e rrjedhshme, më konkretisht: vakëfi që ka lënë”.

Në hadithin e mësipërm qëndron: “Një  burrë erdhi tek Profeti (a.s) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Nëna ime ka ndërruar jetë pa lënë porosi (testament, amanet). Mendoj se po të fliste do të këshillonte të jepej sadaka. A marr sevap nëse unë jap sadaka për të”? Profeti (a.s) tha: “Po”.

Disa dijetarë kanë thënë: “Sevapi i çdo pune të mirë që bën fëmija i shkon prindërve edhe nëse fëmija nuk lutet për të. Po ashtu, nëse ka lënë sadaka të rrjedhshme (vakëf) ai e merr sevapin e tij edhe nëse ata që përfitojnë prej vakëfit nuk luten për të, siç përmendet kjo në shpjegimin e Sunenit të Ibn Maxhes nga Sujuti dhe Dehleviu.

Disa dijetarë janë të mendimit se prindërit e marrin sevapin e fëmijëve vetëm nëse puna që bëjnë fëmijët është produkt i edukimit të prindërve. Pra janë prindërit ata që i kanë orientiuar fëmijët, i kanë nxitur ata, i kanë mësuar dhe i kanë këshilluar për këtë punë të mirë. Pra bëhet fjalë për punë ku gjurma e prindërve është e dukshme tek edukimi i fëmijëve dhe ka qenë pikërisht ky shkaku që fëmijët e kanë bërë një punë të tillë. Kështu, këta prindër përfshihen nga kuptimi i fjalëve të Profetit (a.s): “Kush fton për tek udhëzimi do të marrë sevapin e kujtdo që e ndjek në këtë udhëzim”. Transmeton Muslimi. Këta dijetarë thonë se prindërit nuk e marrin sevapin thjesht se fëmija e tyre e ka bërë, pasi bie ndesh me tekstet sheriatike, të cilat përcaktojnë qartë se njeriut meriton vetëm sevapin e punëve që bën. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe se njeriut nuk i takon gjë tjetër vetëm se ajo që ka punuar vetë”. Nexhm: 39.

Përsa i përket prindërve të fëmijës që mëson Kuranin dhe punon me të, ata do të nderohen nga Allahu në Xhenet. Hakimi transmeton nga Burejde (r.a) se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Në ditën e Kijametit, prindërve të atij, i cili e lexon Kuranin, ua mëson të tjerëve dhe punon me të, do t`iu vendoset një kurorë drite, drita e së cilës do të jetë si drita e diellit. Gjithashtu ata do të stolisen me zbukurime, që janë më të vlefshme se e gjithë dunjaja. Prindërit do të thonë: “Si i kemi merituar këto”?! Do t`iu thuhet: “Ju i meritoni këto, për shkak se fëmija (djali/vajza) juaj ka mësuar Kuranin (përmendësh)”. Hakimi thotë: “Ky hadith është i saktë sipas kushteve të Muslimit.

Ahmedi, Ebu Daudi dhe Hakimi transmetojnë nga Muadh ibn Enes Xhuheniu (r.a) se Profeti (a.s) ka thënë: “Në ditën e Kijametit, prindërve të atij, i cili e lexon (mëson) Kuranin dhe punon me të, do t`iu vendoset një kurorë drite, drita e së cilës do të jetë si drita e diellit që ndriçonte shtëpitë tuaja në dunja. Çfarë mendoni për shpërblimin e atij që punon me këtë Kuran”?

Lejohet që të përfshish edhe bashkëshorten në sevapin që bën nga punët e mira, siç përmendet në këtë çështje që po trajtohet dhe sipas mendimit më të drejtë të dijetarëve. Kjo është çështje e njohur dhe pranuar në medhhebin e imam Ahmedit dhe një grupi të dijetarëve. Në librin e tij “El-Furua”, Ibn Muflihu shkruan: “Kapitull: Çdo adhurim që bën muslimani dhe ia dhuron sevapin një muslimani tjetër, ky sevap i bën dobi dhe vetë dhuruesi merr sevap për këtë veprim”.

Në librin “Keshfu`l-Kina an metni`l-Ikna”, autori i tij thotë: “Çdo adhurim që e bën muslimani dhe sevapin e plotë të këtij adhurimi, apo gjysmën, tre çerekun apo dy të tretat ia dhuron një muslimani të gjallë apo të vdekur, le ta dijë se është veprim i lejuar, i bën dobi të vdekurit dhe vetë dhuruesi shpërblehet.

Si mund ta përfshish bashkëshorten në këtë sevap? Ajo përfshihet duke thënë: “O Allah! Bëjë gjysmën, apo çerekun apo tre çerekun e kësaj vepre për bashkëshorten time”. Ose e bën qysh në nijet masën të cilën do t`ia dhurosh bashkëshortes, pa përcaktuar me fjalë masën apo sasinë që do ia dhurosh asaj. Dijetarët kanë përmendur shumë tekste sesi mund të bëhet dhurimi i sevapit të punës së mirë, prandaj nuk është e nevojshme ti përmbahesh një teksti specifik, pas kjo çështje është shumë e gjerë.

Një nga tekstet e përmendura nga dijetarët është edhe teksti i përmendur ngë Behuti në librin e tij “Keshfu`l-Kina an metni`l-Ikna”: “Është e pëlqyeshme që kur ta dhurosh sevapin e punës të mirë të thuash: “O Allah! Jepja sevapin e kësaj vepre filanit”. Ibn Temimi thotë: “Më e mira është që në fillim të kërkojë sevapin nga Allahu dhe më pas t’ia dhurojë atij që ia ka bërë nijet me fjalët: “O Allah! Më jep sevap me mëshirën Tëndë për këtë vepër që kam bërë dhe këtë sevap jepja edhe filanit. Dhuruesi merr kështu edhe sevapin e dhurimit”.

Disa dijetarë kanë thënë: “Sevap marrin si dhuruesi ashtu edhe ai për të cilin është bërë nijet dhurimi, pasi mirësia e Allahut është e gjerë”.

Në librin e tij “El-Furu”, Ibn Muflihu thotë se Kadiu ka thënë: “Duhet patjetër që të thotë: “O Allah! Nëse e ke pranuar prej meje dhe më ke shpërblyer për këtë vepër që kam bërë, ia jap këtë sevap apo një pjesë të tij filanit etj. Kështu duhet thënë sepse askush nuk mund të gjykojë nëse Allahu e ka pranuar apo jo”. Autori i librit “El-Muharar” ka thënë: “Kush kërkon sevapin dhe më pas i dhuron dikujt me fjalët: “O Allah! Më shpërble për këtë vepër që po bëj me sevapin më të mirë dhe dhuroja filanin” ka bërë mirë dhe nuk ka problem nëse nuk e përmend emrin e atij që ia dhuron sevapin, pasi Allahu e di mirë se kë ka ndërmend dhuruesi”.

Në librin e tij “Metalibu Uli`n-Nuha”, dijetari hanbeli Ruhejbani ka thënë: “Çdo adhurim që e bën muslimani dhe me nijet ia dhuron sevapin e të gjithë veprës apo të një pjesë të saj, një muslimani tjetër – ndërsa shqiptimi me fjalë nuk ndryshon asgjë- i vdekur qoftë apo i gjallë, sevapi i shkon atij dhe i bën dobi”.

Kur themi se lejohet që ti dhurohet sevapi të vdekurit apo të gjallit, duhet të dimë se më e mira është që njeriu sevapin e punëve të mira ti mbajë për vete, ndërsa të specifikojë kë të dojë prej muslimanëve me lutje, pasi pikërisht për këtë na ka udhëzuar Profeti (a.s) me fjalët: “Kur ndërron jetë biri i Ademit i ndëpriten të gjitha veprat që ka bërë përveç tre prej tyre: sadaka e vazhdueshme, dituri prej të cilës përfitohet dhe një fëmijë i mirë që lutet për të”, siç e përmend këtë gjë edhe shejh Ibn Uthejmini në fetvatë e tij.

Autor: Ferhan Et Tai

Përktheu: Rushit Musallari

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.