Mendjemadhësia është një lëngatë epidemike, e cila ka prekur shumë njerëz dhe ka infektuar edhe disa aktivistë të veprimtarisë islame. Aktivistët muslimanë duhet të përpiqen fort, që të ruhen dhe të mbrohen prej kësaj lëngate, ashtu siç duhet ta kurojnë e ta çlirojnë veten, në rastet kur preken prej saj. Në mënyrë që kjo temë të jetë sa më e qartë dhe gjithëpërfshirëse, do ta trajtojmë atë si në vijim.
I – Kuptimi gjuhësor dhe terminologjik i fjalës “Et-Tekebbur – Mendjemadhësi”.
a) Kuptimi gjuhësor i fjalës “Et-Tekebbur – Mendjemadhësi”.
Në arabisht, fjala “التكبر – Et-Tekebbur” nënkupton madhështinë apo të mbajturit me të madh, pra mendjemadhësinë. Autori i fjalorit “Lisânu`l-Arab” thotë: “Fjalët “Et-Tekebbur” dhe “ElIstikbâr” kanë kuptimin: “madhështi”, siç kuptohet nga ajeti kuranor: “Do t`i largoj prej shenjave të Mia ata që sillen me mendjemadhësi në Tokë”, pra, ata që mendojnë se janë krijesat më të mira dhe se vetëm ata kanë të drejtë e askush tjetër”
b) Kuptimi terminologjik i fjalës “Mendjemadhësi”
Në kontekst të temës që po trajtohet, me termin “Mendjemadhësi” nënkuptohet: “Reklamimi që aktivisti i bën vetes së tij, në atë mënyrë që përçmon të tjerët dhe ata e kuptojnë se po përçmohen prej tij, cenon të tjerët dhe tregon arrogancë duke mos e pranuar të vërtetën prej tyre”.
I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Nuk do të futet në Xhenet ai, i cili ka në zemrën e vet qoftë edhe një grimcë mendjemadhësie”. Një burrë pyeti: “Ç`mund të thuhet për dikë, që është i fiksuar pas bukurisë së rrobave dhe këpucëve”. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Jo, kjo nuk është mendjemadhësi, pasi Allahu është i Bukur dhe e do të bukurën. Mendjemadhësi është mohimi i të vërtetës dhe nënçmimi i njerëzve”
II – Gjykimi sheriatik për mendjemadhësinë
Mendjemadhësia është një nga mëkatet më të mëdha. Mendjemadhësia është ves djallëzor dhe lëngatë shkatërruese. Allahu i Madhëruar thotë: “Do t`i largoj prej shenjave të Mia ata që sillen me mendjemadhësi në Tokë“Kështu, Allahu ia vulos zemrën çdo mendjemadhi e dhunuesi.Me të drejtë, Ai nuk i do mendjemëdhenjtë”.
I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:
“Nuk do të futet në Xhenet ai person, i cili ka në zemrën e tij qoftë edhe një grimcë mendjemadhësie”.
“Mendjemëdhenjtë do të ringjallen në Ditën e Kijametit me pamje njeriu por me trup milingone (apo sa një thërrmijë). Poshtërimi i përfshin ata nga katër anët. Më pas tërhiqen për tek një burg të Xhehenemit, i cili quhet “Bules”. Ata i përfshin zemra e flakëve dhe u jepet për të pirë lëngjet që kanë rrjedhë nga trupat e banorëve të Xhehenemit”
“A t`iu tregoj për banorët e Xhehenemit?! Në të do të jetë cilido që është i ashpër, që krekoset
(apo që është maniak seksual) dhe që është mendjemadh”
“Kush vdes duke qenë i pastër nga mendjemadhësia, nga tradhtia dhe nga borxhi do të futet në Xhenet”.
III – Simptomat e mendjemadhësisë
1 – Krekosja në ecje
Një nga simptomat e mendjemadhësisë është të ecurit me kreksoje, mburrja dhe nënçmimi i njerëzve. Allahu i Madhëruar thotë:
“Ata e kthejnë mënjanë kokën (nga mendjemadhësia), që të largojnë të tjerët nga rruga e Allahut”
“Allahu nuk i do kryelartët mburravecë”.
“Mos i trajto njerëzit me nënçmim dhe mos ec në tokë me mendjemadhësi, se Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë e mburracakët”
2 – Kryerja e të këqijava sapo t`i jepet mundësia
Një simptomë tjetër e mendjemadhësisë është kryerja e të këqijava, sapo të jepet mundësia, duke refuzuar këshillën dhe duke përbuzur të vërtetën. Allahu i Madhëruar thotë: “Ka ndonjë njeri (hipokrit), fjalët e të cilit në jetën e kësaj bote ta bëjnë qejfin dhe që betohet në Allahun për atë që mban në zemër, por që në të vërtetë është kundërshtari (yt) më i betuar. E kur largohet, përpiqet të bëjë të këqija në tokë, duke shkatërruar të mbjellat dhe bagëtinë. Por Allahu nuk e do shkatërrimin. Kur atij i thuhet “Kije frikë Allahun”!, ai mburret dhe bën më shumë të këqija”.
3 – Përdredhja e fjalëve
Një tjetër simptomë e mendjemadhësisë është përdredhja e fjalëve apo manipulimi i të tjerëve nëpërmjet fjalëve. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Allahu i Madhëruar e urren atë njeri elokuent mes njerëzve, i cili e përdredh gjuhën, njësoj siç e mbështjell lopa barin me gjuhën e saj”. Ai (a.s ) ka thënë gjithashtu: “A t`iu tregoj për më të këqinjtë në mesin tuaj? Ata janë thashethemaxhinjtë dhe ata që stërmundohen në përzgjedhjen e fjalëve pompoze…”
4 – Krekosja me veshjen
Një tjetër simptomë e mendjemadhësisë është krekosja me veshjen. Një person i tillë vesh rroba (që i bien deri në tokë), për të shitur mend para njerëzve dhe duke u mbajtur me të madh. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Allahu nuk do ta shikojë atë person, i cili e tërheq zvarrë rrobën e tij me mendjemadhësi”. Ebu Bekri (r.a) i tha: “O i Dërguari i Allahut! Izari (rroba ime) nuk më rri dhe më bie, nëse nuk e lidh”. Ai (a.s) ia ktheu: “Ti nuk je nga ata që e bën këtë gjë për mendjemadhësi”.
5 – Dëshira për të qenë në qendër të vëmendjes
Një tjetër simptomë e mendjemadhësisë është dëshira për të qenë në qëndër të vëmendjes, apo dëshira për të qenë pikë reference për të tjerët. Kur dikush futet në një ambient të caktuar, ka dëshirë që njerëzit të ngrihen në këmbë për të (në shenjë respekti), sapo ta shikojnë. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush dëshiron që të tjerët t`i ngrihen në këmbë, le të përgatisë ndenjësen e tij prej zjarrit të Xhehenemit”.
6 – Dëshira për të qenë kryesues
Një tjetër simptomë e mendjemadhësisë është dëshira për të qenë kryesues dhe para të tjerëve si:në ecje, në kuvendim, në diskutim, etj.
IV – Dallimi mes mendjemadhësisë dhe krenarisë
Dallimi mes mendjemadhësisë dhe krenarisë është i dukshëm, pasi mendjmadhësia është kreksoja dhe kapardisja me të pavërtetën, ndërsa krenaria është mburrja me të vërtetën dhe të drejtën. Mendjemadhësi është refuzimi i mirësive dhe mohimi i tyre, ndërsa krenaria është njohja e mirësive dhe ekspozimi i tyre. Ky koncept për mendjemadhësinë buron nga hadithi i lartpërmendur.
V – Shkaqet e mendjemadhësisë
Duke ditur se mendjemadhësia është mahnitja në ekstrem me veten, gjë që çon në nënvlerësimin e njerëzve dhe madhështimin para tyre, shkaqet e infektimit me këtë lëngatë janë të njëjta me ato që çojnë në infektimin me vetëpëlqimin dhe vetëmashtrimin. Kjo lëngatë duhet të kurohet qysh në fillimet e saj, në mënyrë që të çrrënjoset. Përveç shkaqeve që janë përmendur tek trajtimi i lëngatës së vetëpëlqimit dhe vetëmashtrimit, do të përmenden edhe disa shkaqe të tjera.
1 – Thjeshtësia e tepruar e njerëzve
Një nga shkaqet apo nxitësit e mendjemadhësisë është thjeshtësia e tepruar e disa njerëzve, të cilët tregohen modestë më shumë se sa duhet, duke braktisur veshjen e bukur, zbukurimet normale etj, apo duke u treguar pasivë në dhënien e mendimeve për një çështje të caktuar, apo duke treguar një lloj pasiviteti për të marrë përsipër përgjegjësi, për të mbajtur amanetin etj.
Kur një person shikon tipa të tillë dhe nuk e kupton siç duhet realitetin e tyre, i fryn në vesh shejtani, duke i thënë se pasiviteti i të tjerëve vjen si pasojë e paaftësië dhe pamundësisë së tyre për të bërë punë të mira. Këto cytje, hamendësime dhe dyshime fillojnë dhe shtresëzohen në veten e tij, duke e rrethuar nga të katër anët, aq sa ai fillon t`i shikojë të tjerët me sy përçmues dhe tallës, ndërsa veten e shikon me syrin e madhështisë dhe krekosjes. Jo vetëm kaq, por ai mundohet ta shfaqë sqimën e tij në çdo rast që i jepet dhe në çdo çast që i mundësohet. Në të vërtetë kjo është mendjemadhësia.
Kurani fisnik dhe Suneti profetik na tërheqin vëmendjen që të ruhemi nga ky shkak, në mënyrë që të mos biem në kurthin e mendjemadhësisë. Kurani dhe Suneti na ftojnë, që t`i tregojmë të tjerëve të mirat e Allahut të Madhëruar, i Cili thotë: “Dhe tregoji dhuntitë (mirësitë) e Zotit tënd”
I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Allahu është i Bukur dhe e do bukurinë” Ai (a.s) lutej me fjalët: “O Allah! Na bëj falënderues për mirësitë e Tua, na bëj të të lavdërojmë për dhuntitë e Tua. Ne i pranojmë ato, prandaj na i plotëso”.
Malik ibn Nadle Xhushemiu tregon: “Shkova tek i Dërguari i Allahut (a.s) dhe kisha veshur një rrobë të zhubrosur. I Dërguari i Allahut (a.s) më pyeti: “A ke pasuri”? Unë iu përgjigja: “Po”. Ai (a.s) më pyeti: “Ç`lloj pasurie ke”? Unë iu përgjigja: “Allahu i Madhëruar më ka dhënë deve, dele, kuaj dhe robër”. Ai (a.s) më tha: “Përderisa Allahu të ka dhënë pasuri, Ai dëshiron që gjurmët e mirësisë dhe bujarisë së Tij të shfaqen edhe tek ti”
Selefët e kanë kuptuar mirë këtë gjë, prandaj i kanë nxitur muslimanët, që t`iu tregojnë të tjerëve për mirësitë që Allahu ka derdhur mbi ta, duke kritikuar njëkohësisht atë që nuk e bën një gjë të tillë. Hasan ibn Aliu (r.a) ka thënë: “Kur të fitosh një mirësi (pasuri), apo kur bën një punë të mirë, tregoja atij që i zë besë – prej vëllezërve të tu”. Bekr ibn Abdullah Muzeniu ka thënë: “Kujt i është dhënë një mirësi dhe ai nuk e reflekton në jetën e tij, konsiderohet i urryer nga Allahu dhe refuzues i mirësive të Tij”.
2 – Kriteret e gabuara në vlerësimin e njerëzve
Një shkak tjetër që çon në mendjemadhësi, është përdorimi i kritereve të gabuara në vlerësimin e njerëzve. Mund të ndodhë, që injoranca të mbizotërojë tek disa njerëz, aq sa të prishë kriteret e vlerësimit të tyre. Kështu, pjesa më e madhe e njerëzve vlerësojnë atë person, i cili ka pasuri, duke i dhënë përparësi atij edhe kur është mëkatar, apo larg fesë së Allahut. Njëkohësisht ata nënvlerësojnë dhe përbuzin fukarain nevojtar, të cilit pasuria ia ka kthyer shpinën, edhe nëse ky nevojtar e adhuron Allahun dhe i përmbahet udhëzimit të Tij. Kush jeton në një ambient të tillë, nuk ka dyshim se do të ndikohet prej tij, përveç atyre që Allahu i përfshin me mëshirën e Tij.
Kurani Fisnik dhe Suneti profetik na kanë tërhequr vëmendjen për rrezikun e këtij shkaku dhe kanë refuzuar në mënyrë kategorike këto kritere vlerësimi, duke dhënë si alternativë kriterin e vërtetë të vlerësimit. Allahu i Madhëruar thotë:
– “A mos mendojnë ata, që Ne, duke u ardhur në ndihmë me pasuri dhe djem, po nxitojmë drejt tyre me të mira?! Kurrsesi, por ata nuk janë të vetëdijshëm (për këtë)”. – “Dhe thanë: “Ne kemi më shumë pasuri dhe fëmijë, prandaj ne nuk do të jemi të dënuar”. Thuaju: “Pa dyshim, Zoti im ia shton riskun ose ia pakëson kujt të dojë, por shumica e njerëzve nuk e dinë këtë”. As pasuria juaj, as fëmijët tuaj nuk do t`ju afrojnë më shumë te Ne, por vetëm ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira (e meritojnë këtë). Ata do të kenë shpërblim të shumëfishtë për atë që kanë bërë dhe do të jenë të sigurtë në banesa të larta (në Xhenet)”.
Kur një burrë kaloi në rrugë, i Dërguari i Allahut (a.s) i pyeti sahabët: “Çfarë thoni për këtë burrin që kaloi”? Ata thanë: “Ne biem dakord me atë që thua edhe ti,por ne mendojmë se ky është nga njerëzit më të fisshëm. Nëse kërkon nuse, e meriton t`ia japim. Nëse hyn për të ndërmjetësuar, ia pranojmë ndërmjetësimin. Nëse flet, duhet dëgjuar fjala e tij”. I Dërguari i Allahut (a.s) heshti. Më pas aty kaloi një burrë tjetër. I Dërguari i Allahut (a.s) i pyeti sahabët: “Çfarë thoni për këtë”? Të pranishmit i thanë: “O i Dërguari i Allahut! Betohemi në Allahun, se ne mendojmë, që ky është nga të varfërit e muslimanëve. Nëse kërkon nuse, nuk ia jep kush, nëse ndërmjetëson, nuk e pranon kush, nëse thotë një fjalë, nuk ia vë veshin kush”. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Ky (i dyti) është më i mirë se e gjithë toka, nëse ajo do të ishte e mbushur me njerëz si ai i pari”
3 – Vetëmashtrimi me pasurinë
Një shkak tjetër që çon në mendjemadhësi, është vetëmashtrimi me pasurinë që dikush ka në krahasim me të tjerët, mirëpo duke harruar Mirëbërësin e vërtetë. Ka njerëz, të cilëve Allahu i Madhëruar – me urtësinë e Tij – u ka dhënë mirësi të shumta, ashtu siç ka privuar shumë të tjerë. Kështu, disave Ai u jep shëndet, bashkëshorte, fëmijë, pasuri, pozitë, pozicion lakmues, dituri, oratori, aftësi në të shkruar dhe në të publikuar, aftësi për të qenë ndikues tek të tjerët, ka ndjekës dhe pasues të shumtë, etj. Duke qenë nën vezullimin dhe ndikimin e këtyre të mirave, ata harrojnë Mirëbërësin e vërtetë, Allahun e Madhëruar. Kështu njerëz të tillë lavdërohen me pasurinë që kanë, përçmojnë pasurinë e të tjerëve, i konsiderojnë të paaftë sepse – sipas tyre – ata nuk i meritojnë këto mirësi, madje i tallin duke i përbuzur dhe nënvlerësuar. Në të vërtetë kjo është mendjemadhësia.
Kurani fisnik na tërheq vënmendjen, që të ruhemi nga ky shkak, kur na tregon për rrëfimin e pronarit të dy kopshteve: “Dhe jepu atyre si shembull ndodhinë e dy njerëzve. Njërit prej tyre Ne i kishim dhënë dy kopshte vreshtash, që i kishim rrethuar me hurma e midis tyre kishim bërë fusha drithi. Të dy kopshtet jepnin frutet e veta, pa u munguar asgjë dhe bëmë që midis tyre të rridhte një lumë. Ai pati prodhim të bollshëm dhe i tha shokut të vet, duke biseduar me të: “Unë kam më shumë pasuri se ti dhe kam rreth më të fortë”!
4 – Hamendësimi se mirësitë nuk zhduken
Një tjetër shkak që çon në mendjemadhësi, është hamendësimi i dikujt, se të mirat që ka nuk do të mbarojnë kurrë dhe se nuk do të privohet prej tyre. Dikujt mund t`i jepet pasuri e madhe dhe nën efektin dhe vezullimin e saj mendon, se kjo pasuri do të jetë e vazhdueshme dhe se nuk ka shanse që të privohet prej saj. Një hamendësim i tillë mund ta çojë njeriun, që të bëhet lakmiqar, të krekoset dhe të përbuzë robërit e Allahut. Kurani na jep shembullin e pronarit të kopshtit, i cili me krekosje tha: “Unë nuk mendoj se kjo do të shkatërrohet ndonjëherë dhe nuk mendoj se do të arrijë ndonjëherë Ora (e Kiametit). Por, edhe nëse do të më kthejnë te Zoti im, sigurisht që do të gjej një vend më të mirë se ky (kopësht)”!
Allahu i Madhëruar na e shpjegon qartë gjendjen e njerëzve të tillë: “Nëse pas fatkeqësisë, Ne i japim atij që të shijojë nga mirësitë Tona, ai me siguri, do të thotë: “Këtë e meritoj! Unë nuk besoj se do të vijë Ora (e Kiametit), por, edhe nëse kthehem te Zoti im, sigurisht që Ai do të më japë shpërblimin më të mirë”.
5 – Zotërimi i një vlere
Një shkak tjetër që çon në mendjemadhësi, është zotërimi i një apo disa vlerave, si: dituria, ftesa në rrugë të Allahut, Xhihadi, edukimi i mirë, etj. Disa njerëz privilegjohen me një vlerë në një fushë të punës së mirë, duke qenë nismëtarë në të. Kjo gjë i bën ata që të ndihen superiorë ndaj të tjerëve dhe fillojnë t`i shikojnë të tjerët me përbuzje e nënvlerësim. Gjendja e tyre shpirtërore pasqyrohet me fjalët ironike: “Kush janë ata, që po punojnë tani? Kur ne kemi filluar, nuk kanë ekzistuar, apo nuk janë ndjerë aspak, apo atëherë kur ne ecnim përmes ferrave, përballonim vështirësitë e rrugës, e tashmë kanë gjetur të gjitha gati vetë ata por edhe të tjerët”! Allahu i Madhëruar na tërheq vëmendjen ndaj këtij shkaku, duke na treguar se të jesh nismëtar për diçka,nuk ka asnjë vlerë dhe as nuk merret në konsideratë, nëse nuk shoqërohet me sinqeritet dhe vërtetësi. Allahu i Madhëruar thotë:
“Sa u përket besimtarëve të parë, prej muhaxhirëve dhe ensarëve, Allahu është i kënaqur me ata dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim; edhe ata janë të kënaqur me Atë. Allahu ka përgatitur për ata kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të jetojnë përgjithmonë. Kjo është fitorja madhështore”.
“Një pjesë e plaçkës i takon edhe mërgimtarëve të varfër, të cilët u përzunë nga vendlindja dhe pasuritë e tyre, duke kërkuar mirësinë dhe kënaqësinë e Allahut dhe duke përkrahur Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Pikërisht ata janë besimtarët e sinqertë. Ndërsa ata që banojnë në Medinë dhe që e kanë pranuar besimin qysh më parë, i duan mërgimtarët që vijnë në Medinë dhe në zemrat e tyre nuk ndjejnë kurrfarë rëndimi, për atë, që u është dhënë atyre, por duan t`u bëjnë më mirë mërgimtarëve sesa vetes, megjithëse vetë janë nevojtarë. Kushdo që ruhet nga lakmia e vetvetes, me siguri që do të jetë fitues. Edhe ata që erdhën pas tyre, thonë: “O Zoti ynë, na fal ne dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë”
Allahu i Madhëruar nuk i ka kushtuar rëndësi thjesht faktit të nismës për të kryer një punë, por e ka marrë në konsideratë këtë fakt, kur ky person ka sjellë argumente për sinqeritetin e tij dhe qëndrueshmërinë në të vërtetën, si: emigrimi (Hixhreti), ofrimi i mbrojtjes, ndjekja e rrugës së besimtarëve, lidhja korrekte me Allahun e Madhëruar, mirënjohjen ndaj atyre që kanë vlera, etj.
Kështu, Islami skaliti në memorien e muslimanëve parimin: “Nuk ka vlerë kush e filloi një punë, por ai që e vërtetoi atë”. Allahu i Madhëruar thotë: “Midis besimtarëve ka të atillë, që e kanë mbajtur besëlidhjen me Allahun. Disa prej tyre kanë vdekur, kurse të tjerët presin pa ndryshuar asgjë nga besnikëria e tyre”.
6 – Neglizhimi i pasojave të mendjemadhësisë
Një shkak tjetër që çon në mendjemadhësi, është neglizhimi i pasojave të rrezikshme dhe shkatërrimtare që sjell vetë mendjemadhësia. Kush tregohet i pavëmendshëm dhe i shkujdesur ndaj këtyre pasojave të dëmshme, nuk ka dyshim se do të preket nga kjo lëngatë, e cila do të lëshojë rrënjë tek individi dhe kur ai ta kuptojë që po lëngon, tashmë do të jetë shumë vonë, ndërsa mjekimi dhe shërimi i plotë nga kjo lëngatë, do të jetë shumë i vështirë.
VI – Pasojat e mendjemadhësisë
Nuk ka dyshim, se mendjemadhësia ka pasoja të rënda dhe fund të keq, si për aktivistët muslimanë, ashtu edhe për punën islame.
a) Pasojat për aktivistët muslimanë
1 – Privimi nga meditimi dhe përfitimi
Pasoja e parë që lë mendjemadhësia tek aktivistët e punës islame, është privimi nga meditimi dhe përfitimi. Ai që është mendjemadh, tregohet arrogant dhe kryelartë ndaj robërve të Allahut, aq sa me vetëdije apo pa vetëdije i jep vetes status hyjnor, mirëpo kjo ndjenjë meriton të ndëshkohet patjetër. Ndëshkimi i parë është privimi i mendjemadhit nga hulumtimi dhe përfitimi. Ai i shpërfill argumentet dhe faktet e Allahut të Madhëruar – që gjenden në veten e tij dhe në univers -, duke mos u kushtuar aspak vëmendje. Allahu i Madhëruar thotë: “Eh, sa shumë shenja ka në qiej dhe në Tokë, pranë të cilave ata kalojnë pa ua vënë veshin”.
Kush privohet nga hulumtimi dhe përfitimi ka fund të keq e humbje të qartë, pasi do të mbetet peng i gabimeve dhe të metave të veta, i zhytur në këtë gjendje derisa në vdekje. Kur i Dërguari i Allahut (a.s) lexoi ajetet: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për të mençurit, për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë): “O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto, lartësuar qofsh (nga çdo e metë)! Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit”, tha: “Mjerë për atë, që i lexon këto ajete dhe nuk mediton në to”
Allahu i Madhëruar na e ka treguar në mënyrë të drejtpërdrejtë këtë pasojë me fjalët: “Do t`i largoj prej shenjave të Mia ata që sillen me arrogancë në Tokë, kështu që edhe kur të shohin çfarëdo shenje, nuk do ta besojnë atë”
2 – Paqëndrueshmëria psikologjike
Pasoja e dytë e mendjemadhësisë tek aktivistët muslimanë është paqëndrueshmëria emocionale dhe psikologjike. Ai që është mendjemadh, dëshiron – për të përmbushur vesin e madhështisë dhe kapardisjes – që njerëzit të përkulen para tij dhe të jenë gjithmonë pas tij. Ai harron, se krenaria dhe fisnikëria e njerëzve e refuzon një gjë të tillë, madje njerëzit nuk janë kurrë të gatshëm për të përmbushur atë që do mendjemadhi. Kjo e bën atë që të zhgënjehet, gjë që pasqyrohet me paqëndrueshmëri dhe shqetësime psikologjike.
Kësaj i shtojmë edhe faktin se mendjemadhi – me sjelljen e tij – privohet nga njohja e duhur e Allahut të Madhëruar dhe përmendja e Tij (dhikri). Një gjë e tillë ka ndëshkim të rëndë në këtë botë dhe në Ahiret. Ndëshkimi minimal në dunja është: paqëndrueshmëria psikologjike dhe emocionale. Allahu i Madhëruar thotë: “Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar”; si dhe: “Por këdo që largohet nga këshillat e Zotit të tij, Ai do ta hedhë në një dënim të ashpër”
3 – Konsolidimi i të metave
Pasoja e tretë e mendjemadhësisë është varësia nga të metat dhe gjynahet. Mendjemadhi mendon se është i përkryer në çdo gjë dhe se është njeri i realizuar plotësisht, prandaj nuk e kontrollon më veten, në mënyrë që të njohë dimensionet dhe kufijtë e saj, që të përmirësojë dhe rregullojë atë që ka nevojë të rregullohet. Mendjemadhi nuk pranon këshillë, as orientim dhe drejtim nga të tjerët. Një person i tillë mbetet i zhytur e i mbytur në të metat e tij dhe nuk shkëputet dot prej tyre gjatë gjithë jetës, duke u futur kështu në Zjarr me ata që e meritojnë Xhehenemin. Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: “A doni t`ju lajmëroj për ata, që më së shumti humbasin nga punët e veta, për ata, përpjekja e të cilëve ka qenë e kotë në jetën e kësaj bote, ndërkohë që mendonin se po bënin vepra të mira”; “Nuk është kështu si thoni ju! Ata që bëjnë vepra të këqija dhe mbulohen nga fajet e veta, do të jenë banorë të Zjarrit (të Xhehenemit), ku do të qëndrojnë përgjithmonë”.
4 – Privimi nga Xheneti
Një nga pasojat e rënda të mendjemadhësisë për aktivistët muslimanë është privimi nga hyrja në Xhenet. Në të vërtetë, kjo është një pasojë e natyrshme, pasi kushdo që cenon apo synon pozitën e madhështisë, duke insistuar me këmbëngulje në kryerjen e mëkateve, do ta mbyllë jetën me to. Ai që vuan nga kjo lëngatë nuk bën punë të mira, të cilat meritojnë të shpërblehen apo të kompesohen me mirësitë e Xhenetit. Kështu, mendjemadhi privohet përjetësisht apo përkohësisht nga hyrja në Xhenet.
Allahu i Madhëruar dhe i Dërguari i Tij (a.s) kanë thënë të vërtetën në lidhje me këtë fakt., Allahu i Madhëruar thotë në një hadith kudsij: “Kryelartësia është rroba Ime dhe madhështimi është veshja Ime. Kushdo që më konkurron në to, do ta hedh në zjarr të Xhehenemit”
I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nuk do të futet në Xhenet ai person, i cili ka në zemrën e tij qoftë edhe një grimcë mendjemadhësie” Ai (a.s) ka thënë gjithashtu: “A t`iu tregoj për banorët e Xhehenemit? Ata janë: i dhunshmi, arroganti, i përdali dhe mendjemadhi”.
b) Pasojat për punën islame
1 – Përçarja dhe përkrahësit e paktë
Pasoja e parë, që lë mendjemadhësia në punën islame është mungesa e përkrahësve – apo pakësimi i tyre – dhe përçarja e rradhëve të aktivistëve muslimanë. Njerëzit për nga natyra e tyre i duan ata, të cilët tregohen të butë, të dhembshur dhe të mirësjellshëm, i duan ata që u qëndrojnë afër dhe jo ata që i shikojnë nga lart. Përsa i përket mendjemëdhenjve, që i përçmojnë njerëzit, që i përbuzin dhe i cenojnë të tjerët, zemrat e njerëzve i urrejnë ata, madje përpiqen me të gjitha mënyrat, që të largohen sa më shumë prej tyre.
Aktivistë të tillë (mendjemëdhenj) do të mbeten pa përkrahës dhe mes tyre do të ndodhin përçarje dhe ndasi. Ditën kur puna islame nuk do të ketë më përkahës nga jashtë dhe do të ketë përçarje të thellë nga brenda, ajo do të goditet me lehtësi, ose do të dështojë në misionin e saj. Pas kësaj, nevojitet kohë e gjatë dhe përgatitje të mëdha, që puna të japë përsëri frytet e saj. Kurani Fisnik na tërheq vëmendjen nga rreziku i kësaj pasoje, teksa flet për hipokritët. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata tundin kokat e tyre dhe i sheh ata të kthehen me mendjemadhësi”
I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Allahu i Madhëruar më ka shpallur: jini të thjeshtë. Askush të mos mburret ndaj tjetrit dhe askush të mos i kapërcejë kufijtë ndaj tjetrit”
2 – Privimi nga ndihma hyjnore
Pasoja e dytë që lë mendjemadhësia në punën islame është privimi nga ndihma dhe përkrahja hyjnore. Një nga ligjet hyjnore të pandryshueshme është: “Allahu i Madhëruar i garanton përkrahje dhe ndihmë vetëm atyre, të cilët i kryejnë punët vetëm për hir të Tij, duke mos lënë asnjë hise për shejtanin apo për egon (njerëzore)”.
Nga ana tjetër, mendjemëdhenjtë dhe arrogantët janë njerëz që kanë mashtruar vetet e tyre, duke kujtuar se janë të mëdhenj, mirëop dihet se kush e ka një cilësi të tillë, nuk e meriton ndihmën dhe përkrahjen e Allahut të Madhëruar.
Nga këtu kuptohet më mirë edhe koncepti, që buron nga fjala e Allahut të Madhëruar: “Allahu ju ndihmoi në Bedër, kur ishit të pafuqishëm” Allahu i Madhëruar e ka kushtëzuar ndihmën e Tij me gjendjen e tyre, pra me: dobësi, nevojë, thjeshtësi dhe vetëmohim. Nëse kjo gjendje nuk ekziston apo mungon, atëherë nuk ofrohet ndihma dhe përkrahja hyjnore.
VII – Kurimi i mendjemadhësisë
Njohja e mirë e kësaj lëngate dhe e gjykimit islam për të, evidentimi i simptomave të saj, njohja e shkaqeve dhe pasojave të rrezikshme të mendjemadhësisë, si për aktivistët muslimanë ashtu edhe për punën islame, e bëjnë më të lehtë mënyrën e kurimit nga kjo lëngatë. Kurimi arrihet, duke ndjekur hapat e mëposhtëm.
1 – Përkujtimi i pasojave negative të mendjemadhësisë
Aktivisti musliman, që është prekur nga lëngata e mendjemadhësisë, duhet të sjellë ndërmend pasojat që lë mendjemadhësia, pa marrë parasysh nëse janë individuale, apo kanë lidhje me punën islame, nëse janë në këtë jetë apo në botën tjetër, siç u sqarua edhe më lart. Ndoshta duke kujtuar këto pasoja negative, aktivistit mund t`i gjallërohet shpirti nga brenda, prandaj nxiton që të pendohet, në mënyrë që të shpëtojë prej saj, para se t`i ikë jeta dhe të jetë tepër vonë.
2 – Zbutja e zemrës
Një tjetër mënyrë për kurimin e vetes nga mendjemadhësia është: vizita e të sëmurëve, qëndrimi afër njerëzve që janë në agoninë e vdekjes, meditimi në gjendjen e njerëzve të sprovuar, përcjellja e të vdekurve, vizita e varreve, etj. Këto gjëra ia zbusin zemrën mendjemadhit dhe ndikojnë, që ai të kthehet me përgjërim e thjeshtësi tek Allahu i Madhëruar.
3 – Largimi nga shoqëria e mendjemëdhenjve
Një tjetër metodë për ta kuruar nga mendjemadhësia është shkëputja nga shoqëria e mendjemëdhenjve, si dhe shoqërimi dhe qëndrimi me njerëz të thjeshtë dhe të modestë. Me kalimin e ditëve, shoqërimi me njerëz të mirë do të pasqyrohet në sjelljen e aktivistit, atij do t`i kthehet drita e besimit dhe shkëlqimi i natyrshëm, njësoj siç e ka pasur ditën që është lindur.
4 – Qëndrimi me njerëzit e thjeshtë dhe të sprovuar
Një nga hapat që duhet ndjekur për të kuruar mendjemadhësinë, është qëndrimi me njerëzit e pafuqishëm, të varfër dhe të sprovuar me sprova të ndryshme, si dhe ngrënia dhe pirja me ta, siç ka vepuar i Dërguari i Allahut (a.s), shokët e tij dhe brezat e parë të muslimanëve të përkushtuar. Një veprim i tillë e edukon shpirtin dhe e largon nga ajo që e devijon, duke e kthyer atë në rrugë të drejtë.
5 – Meditimi në veten, universin dhe mirësitë
Një nga metodat më të mira për t`u kuruar nga kjo lëngatë është meditimi në veten, në univers dhe në mirësitë e panumërta që e rrethojnë ngado njeriun. Aktivisti musliman duhet t`i bëjë vetes këto pyetje: “Kush është burimi i të gjithë këtyre të mirave? Kush është Ai, i Cili garanton vazhdimësinë e tyre? Çfarë kanë bërë njerëzit, për t`i merituar këto mirësi? Si do të jetë gjendja e njeriut, nëse privohet nga një e mirë – qoftë edhe përkohësisht -, pa pyetur për të tjerat…? Nëse muslimani mediton me seriozitet në veten, në univers dhe në mirësi, do t`i gjallërohet shpirti, do ta kuptojë rrezikun që i kanoset, do të motivohet që të pendohet dhe të kthehet menjëherë tek Krijuesi i tij.
6 – Studimi i biografisë së mendjemëdhenjve
Studimi i biografisë së njerëzve mendjemëdhenj dhe meditimi në ngjarjet e tyre ndikon në shërimin nga kjo lëngatë. Muslimani aktivist i sprovuar me këtë lëngatë duhet të pyesë veten: “Si kanë jetuar këta mendjemëdhenj? Ku kanë përfunduar ata? Ku kanë përfunduar Iblisi (shejtani), Nemrudi, Faraoni, Hamani, Karuni, Ebu Xhehli, Ubej ibn Khalefi? Ku kanë përfunduar të gjithë despotët, arrogantët dhe kriminelët e të gjitha kohërave dhe vendeve?! Studimi i rasteve të tyre e frikëson shpirtin, e nxit të pendohet dhe të shkëputet nga kjo lëngatë, nga frika se mos përfundon njësoj si ata. Libri i Allahut të Madhëruar, Suneti i të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të), librat që kanë regjistruar ngjarjet historike dhe biografitë e njerëzve janë ndihmuesit më të mirë në këtë çështje.
7 – Pjesëmarrja në kuvendet e diturisë
Pjesëmarrja në kuvendet e diturisë, të cilat organizohen nga dijetarë të besueshëm – sidomos në kuvendet kur flitet për përkujtimin dhe dëlirësimin e shpritit – ndihmon në kurimin nga kjo lëngatë. Këto kuvende diturie, përkujtimi dhe dëlirësimi ndikojnë tek zemra, e zbusin dhe e bëjnë të dhembshur atë, duke ia kthyer edhe një herë gjallërinë.
8 – Obligimi i vetes me punë të rëndomta
Një nga metodat për shkuljen e mendjemadhësisë është edhe detyrimi i vetes që të bëjë disa punë, të cilat shumë njerëz nuk i bëjnë, apo ndihen të ofenduar nëse i bëjnë. Këtu bëhet fjalë për punë legjitime (të lejuara). Për shembull: një aktivist që vuan nga mendjemadhësia, shkon në treg dhe blen ushqim e pije, apo gjëra të përditshmërisë, duke u kujdesur që t`i mbartë vetë dhe duke kaluar mes njerëzve – edhe në rastet kur ka një ndihmës (shërbëtor), ashtu siç vepronte i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të), sahabët dhe brezi i parë i muslimanëve të përkushtuar. Një praktikë e tillë ndihmon në disiplinimin e vetes dhe edukimin e saj, duke e kthyer kështu në natyrën e saj fillestare (fitra), larg nga devijimet dhe shtrembërimet, larg nga mendjemadhësia dhe arroganca.
9 – Kërkimi i faljes
Aktivisti musliman i sprovuar me këtë lëngatë duhet t`iu kërkojë ndjesë atyre, ndaj të cilëve ka shfaqur mendjemadhësi dhe i ka tallur apo përbuzur, pasi kjo është një nga metodat më të mira për t`u kuruar nga kjo lëngatë. Në mënyrë që pendimi i tij të jetë i sinqertë, aktivisti duhet të pranojë barazinë në ndëshkim. Si shembull konkret për këtë është rasti, kur Ebu Dherri (r.a) e përbuzi Bilalin (r.a), duke i thënë se ishte biri i një zezakeje. I Dërguari i Allahut (a.s) e qortoi Ebu Dherrin (r.a) për këtë gjë. Për ta shlyer fajin, Ebu Dherri (r.a) vendosi faqen e tij përdhè, në mënyrë që Bilali (r.a) ta shkelte. Bilali (r.a) nuk pranoi ta bënte një veprim të tillë, por e fali dhe e përqafoi.
10 – Ekspozimi i mirësive të Allahut para mendjemadhit
Përkujtimi i mendjemëdhenjve për mirësitë që u ka dhënë Allahut, apo diskutimi për to në prezencë të tyre bëhen shkak që ata t`i kthehen të drejtës dhe të vërtetës, e t`i thërrasin mendjes së tyre. Kjo mund t`i nxisë ata, që të pendohen dhe të kthehen tek Zoti i tyre, para se të vijë caktimi përfundimtar i Allahut për ta (vdekja).
11 – Rikujtimi i kritereve të vlerësimit në Islam
Aktivisti i sprovuar me lëngatë e mendjemadhësisë duhet të kujtojë gjithmonë kriteret që Islami ka vendosur për vlerësimin e njerëzve. Allahu i Madhëruar thotë: “Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai, që i frikësohet më shumë Atij” I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Të gjithë ju jeni bijtë e Ademit dhe Ademi është krijuar nga dheu. Nëse ata që mburren me prindërit e tyre, nuk tërhiqen nga ky veprim, do të kenë vlerë më të ulët tek Allahu, sesa bubrreci (që shtyn kokrrat e plehut me hundë)”
12 – Vazhdimësia në adhurime
Nëse adhurimet bëhen rregullisht, bëhen në formën më të mirë dhe vetëm për hir të Allahut, atëherë nuk ka dyshim, se shpirti pastrohet nga të gjitha veset, lartësohet dhe dëlirësohet tek Zoti i gjithësisë, i Cili ka thënë: “Çdo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur”. Hasan Basriu ka thënë: “Sexhdja e largon mendjemadhësinë dhe teuhidi e largon syfaqësinë”.
13 – Kërkimi i vazhdueshëm i llogarisë ndaj vetes
Duke i kërkuar llogari vetes vazhdimisht, aktivisti nxjerr në pah se sa i prekur është nga lëngata e mendjemadhësisë, kupton shkaqet e saj dhe mënyrat apo metodat se si të kurohet nga kjo lëngatë. Duke ndjekur këto metoda, ai arrin të shërohet nga mendjemadhësia dhe të krijojë imunitet ndaj saj.
14 – Kërkim i ndihmës nga Allahu i Madhëruar
Kërkimi i ndihmës nga Allahu i Madhëruar është një nga ilaçet më efikase për t`u kuruar nga kjo lëngatë. Nuk ka dyshim, se kush i kërkon ndihmë Allahu të Madhëruar Ai do ta ndihmojë, pasi Ai i përgjigjet lutjes së nevojtarit dhe atij që e kanë mbytur hallet. Allahu i Madhëruar thotë: “A ka më të mirë se Ai, i Cili i vjen në ndihmë nevojtarit të këputur, kur i lutet Atij, i Cili jua largon të keqen dhe ju bën juve trashëgimtarë në tokë?! Vallë, a ka zot tjetër krahas Allahut?! Sa pak që reflektoni”.
Autor: Sejjid Muhamed Nuh
Përktheu: Rushit Musallari