101 (07) – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Zjarri është i fshehur me epshe, kurse Xheneti është i fshehur me gjëra të pakëndshme.”[1]
Në transmetimin e imam Muslimit thuhet: “është i rrethuar” në vend të fjalës “i fshehur”. Dhe kuptimi i tij është: “Mes tij dhe saj ndodhet kjo pengesë (ose kjo mbulesë); nëse e bën atë, hyn në të.
102 (08) – Ebu Abdulla, Hudhejfe ibn Jemani (r.a) ka thënë: “Një natë u fala bashkë me Profetin (a.s). Faljen e namazit e filloi me këndimin e sures Bekare. (Me vete thashë): ka për të rënë në ruku pasi të këndojë njëqind ajete. Mirëpo pas këndimit të njëqind ajeteve, ai (a.s) vazhdoi më tej. (Me vete thashë): kur të mbarojë së kënduari të gjithë suren do të bjerë në ruku. Ai (a.s) vazhdoi derisa e përfundoi së kënduari atë. (Me vete thashë): tani do të bjerë në ruku. Por, ai (a.s) filloi të këndonte suren Nisa dhe e këndoi të tërën. Pastaj filloi të këndonte suren Ali Imran derisa e përfundoi. Ai (a.s) këndonte me ngadalë dhe me përqendrim: kur këndonte një ajet që përmbante lavdërim, e lavdëronte Allahun, kur këndonte një ajet lutjeje, lutej dhe kur këndonte një ajet që duhet të kërkonte mbrojtje, kërkonte mbrojtje. Më pas ai ra në ruku dhe tha: “Subhane rabbijel adhim” Qëndrimi në ruku ishte pothuajse sa ai në këmbë. Pastaj u çua duke thënë: “Semiallahu limen hamideh. Rabbena ue lekel hamd” Pastaj qëndroi në këmbë pothuajse sa qëndrimi në ruku, pastaj ra në sexhde dhe tha: “Subhane rabbijel A’la” Edhe qëndrimi në sexhde ishte pothuajse sa qëndrimi në këmbë.”[2]
103 (09) – Ibn Mes’udi (r.a) ka thënë: “Një natë u fala bashkë me Profetin (a.s). Ai (a.s) qëndroi gjatë në këmbë saqë mendova të bëj një gjë të pahijshme. Dikush e pyeti: “Çfarë mendove të bësh?” Ai tha: “Mendova të ulesha dhe ta lija.”[3]
104 (10) – Enesi (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Të vdekurin e përcjellin tre gjëra: familja, pasuria dhe puna e tij. Dy prej tyre kthehen mbrapa kurse njëra ngelet me të. Familja dhe pasuria kthehen mbrapa, kurse puna e tij ngelet.”[4]
105 (11) – Ibn Mes’udi (r.a) ka thënë: Profeti (a.s) ka thënë: “Xheneti është pranë ndonjërit prej jush sesa lidhësja e këpucës së tij dhe po ashtu edhe Xhehenemi.”[5]
106 (12) – Ebu Firas, Rebiah ibn Ka’b el Eslemi (r.a), shërbëtori i të Dërguarit të Allahut (a.s), banor i Sufes ka thënë: “Kam pasë fjetur tek i Dërguari i Allahut (a.s). Unë i sillja atij enën me ujë për të marrë abdes dhe gjithçka që ai kishte nevojë. Ai (a.s) më tha: “Kërko prej meje çfarë të dëshirosh!” Unë i thashë: “Dua të të shoqëroj në Xhenet.” Ai (a.s) tha: “Po ndonjë gjë tjetër?” Unë thashë: “Vetëm këtë.” Ai (a.s) tha: “Më premto se do të falesh sa më shumë.”[6]
107 (13) – Ebu Abdulla dhe thuhet Ebu Abdurrahman, Theubani (r.a), shërbëtori i të Dërguarit të Allahut (a.s) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Të rekomandoj që të bësh sa më shumë sexhde, sepse për çdo sexhde që ti e bën për hatër të Allahut, Allahu ka për të ngritur në një gradë të lartë dhe ka për të ta shlyer një gabim (mëkat).”[7]
108 (14) – Ebu Safuan, Abdulla ibn Busr el Eslemi (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Njeriu më i mirë është ai i cili ka jetë të gjatë dhe bën vepra të mira.”[8]
109 (15) – Enesi (r.a) ka thënë: “Xhaxhai im Enes ibn Nadr nuk mori pjesë në betejën e Bedrit. Ai tha: “O i Dërguar i Allahut, unë nuk mora pjesë në betejën e parë, në të cilën ti luftove kundra idhujtarëve. Nëse Allahu më jep mundësinë të marr pjesë në betejë për të luftuar kundra idhujtarëve, Allahu ka për ta parë se çfarë do të bëj.” Kur muslimanët pësuan disfatë gjatë betejës së Uhudit, ai tha: “O Zot, unë kërkoj ndjesë për veprimin e këtyre – duke pasur për qëllim shokët e tij – dhe jam i pafajshëm ndaj Teje prej veprimit të këtyre” – duke pasur për qëllim idhujtarët. Pastaj ai bëri përpara dhe u takua me Sa’d ibn Muadhin. Ai tha: “O Sa’d ibn Muadh, Xheneti për Zotin e Nadrit, unë po e ndjej aromën e tij në Uhud.” Sa’di tha: “O i Dërguar i Allahut nuk pata mundësi ta ndaloj për atë që bëri.” Enesi thotë: “Ne e gjetëm atë (xhaxhain) i cili kishte marrë tetëdhjetë e ca goditje nga shpata, shtiza e shigjeta. E gjetëm atë të vrarë dhe idhujtarët e kishin gjymtuar atë saqë askush nuk e njohu atë përveç motrës së tij nga mollëzat e gishtave.”
Enesi tha: Ne mendonim se ajeti kuranor: “Midis besimtarëve ka të atillë, që e kanë mbajtur besëlidhjen me Allahun.”[9]është shpallur për të dhe të tjerë të ngjashëm si ai.”[10]
Fjala e tij: “Lejurijennell llahu” është transmetuar me damme në shkronjën “ja” dhe me kesre në “ra”, me kuptimin: “Allahu do t’ua shfaqë këtë njerëzve.” Gjithashtu është transmetuar edhe me fet’ha në të dyja shkronjat, dhe kuptimi i saj është i qartë. Allahu e di më së miri.
110 (16) – Ebu Mes’ud, Ukbeh ibn Amër el Ensari El Bedri (r.a) ka thënë: “Kur u shpall ajeti i sadakasë, asokohe ne ishim hamallë. Një njeri erdhi dhe dha shumë sadaka, njerëzit thanë: “Kjo është syfaqësi.” Një njeri tjetër solli një tas (me hurma) si sadaka, njerëzit thanë: “Vërtet, Allahu nuk ka nevojë për tasin e këtij.” Allahu do të shpallte ajetin kuranor: “Sa për ata (hipokritët) që përqeshin besimtarët që japin lëmoshë me vullnet dhe tallen me ata që nuk janë në gjendje të japin gjë përveç fryteve të punës së tyre..”[11]”[12]
“Hamallë” d.m.th. ndonjëri prej nesh barte ngarkesa mbi shpinën e tij me pagesë dhe pastaj e jepte atë (fitim) sadaka.
111 (17) – Seid ibn Abdulaziz, transmeton prej Rebiah ibn Jezidit, transmeton prej Ebu Idriz el Haulanit, trasmeton prej Ebu Dher Xhundub ibn Xhunadeh (r. a) i cili transmeton prej Profetit (a.s) i cili përcjell nga Allahu i Lartësuar se ka thënë: “O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar padrejtësinë Vetes Time dhe e kam bërë atë të ndaluar në mesin tuaj, prandaj mos bëni padrejtësi! O robërit e Mi! Të gjithë ju jeni të humbur përveç atij që e kam udhëzuar, prandaj kërkoni prej Meje udhëzim që t’ju udhëzoj. O robërit e Mi! Të gjithë ju jeni të uritur përveç atij që i jap për të ngrënë, prandaj kërkoni prej Meje ushqim që t’ju ushqej. O robërit e Mi! Të gjithë ju jeni të zhveshur përveç atij që e kam veshur, prandaj kërkoni prej Meje veshje që t’ju vesh. O robërit e Mi! Ju mëkatoni natën dhe ditën, e Unë i fal të gjitha mëkatet, prandaj kërkoni prej Meje falje që t’ju fal. O robërit e Mi! Ju nuk do të arrini të më dëmtoni dhe as të më sillni dobi. O robërit e Mi! Nëse i pari dhe i fundit tuaj, prej njerëzve dhe xhindeve do të ishit të devotshëm si zemra më e devotshme e njërit prej jush, kjo nuk do të shtonte asgjë në sundimin Tim. O robërit e Mi! Nëse i pari dhe fundit tuaj, prej njerëzve dhe xhindeve do të ishit të prishur si zemra e më të prishurit nga ju, kjo nuk do të pakësonte asgjë nga sundimi Im. O robërit e Mi! Nëse i pari dhe i fundit prej jush, prej njerëzve dhe xhindeve do të qëndronte në një vend dhe do të më lutej dhe Unë do t’i përgjigjegjesha lutjes suaj, kjo nuk do të pakësonte asgjë nga ajo që Unë posedoj, ashtu sikur gjilpëra nuk pakëson asgjë kur e fut dhe e nxjerr nga deti. O robërit e Mi! Ato janë punët e juaja, të cilat Unë i regjistroj dhe do t’ju jap shpërblimin e duhur për to. Kush gjen mirë le të falenderojë Allahun dhe kush gjen diç ndryshe, atëherë mos të qortojë vetëm se veten e tij.”[13] Seid ibn Abdulaziz – njëri prej transmetuesve të këtij hadithi – ka thënë: Kur tabi’ini i nderuar, Ebu Idriz el Haulani e transmetonte këtë hadith prej Ebu Dherrit (r.a) ulej në gjunjë. Prej imam Ahmed ibn Hanbelit (r.h) është përcjellur se ka thënë: “Banorët e Shamit nuk kanë transmetuar hadith kaq fisnik e më me vlerë sesa ky hadith.”
12 – Kapitulli “Nixtja për të kryer sa më shumë vepra të mira në fund të jetës”
Allahu (xh.sh) thotë: “Vallë, a nuk jua zgjatëm jetën, aq sa mund të mendohej ai që donte të kujtonte (Allahun)?! Mandej juve ju erdhi dhe paralajmërues.”[14]
Ibn Abasi dhe dijetarët verifikues kanë thënë: kuptimi i saj është: “A nuk ju dhamë jetë deri në gjashtëdhjetë vjet?”, dhe këtë e përforcon hadithi që do ta përmendim, në dashtë Allahu i Madhëruar.
Është thënë gjithashtu se kuptimi është: tetëmbëdhjetë vjet. Është thënë edhe: dyzet vjet. Këtë e kanë thënë el-Hasani, el-Kelbiu dhe Mesruku, dhe kjo është transmetuar edhe nga Ibn Abasi. Ata kanë përcjellë se banorët e Medinës, kur dikush prej tyre arrinte dyzet vjeç, i përkushtohej adhurimit. Është thënë gjithashtu se kuptimi është: arritja e moshës së pjekurisë.
Ndërsa fjala e Allahut të Lartësuar: “dhe ju erdhi paralajmëruesi”, Ibn Abasi dhe shumica e dijetarëve kanë thënë se ai është Profeti (a.s). Është thënë gjithashtu se ka për qëllim thinjat (flokët e bardhë). Këtë e kanë thënë Ikrimeja, Ibn Ujejne dhe të tjerë. Allahu e di më së miri.
Kurse përsa i përket haditheve:
112 (01) – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Allahu nuk do t’ia pranojë shfajësimin askujt, të cilit i është shtyrë exheli (afati i vdekjes) derisa ka mbushur gjashtëdhjetë vjeç .”[15]
Dijetarët kanë thënë: kuptimi i saj është se Allahu nuk i ka lënë më asnjë justifikim, pasi ia zgjati jetën për këtë kohë. Thuhet në gjuhë: “nuk do t’ia pranojë shfajësimin” kur njeriu arrin kufirin maksimal në paraqitjen e justifikimit.
113 (02) – Ibn Abasi (r.a) ka thënë: “Omeri (r.a) më fuste në kuvendin e tij së bashku me njerëzit e moshuar që kishin marrë pjesë në betejën e Bedrit. Disa prej tyre ndiheshin keq (nga prezenca ime). Dikush tha: “Përse e fut këtë në kuvend së bashku me ne, teksa edhe ne kemi fëmijët tanë të ngjashëm me të.” Omeri tha: “Ai është ai që ju e dini.” Një ditë, ai më thirri dhe më futi së bashku me ta. Unë mendova se ai nuk më thirri në atë ditë veçse për t’ju treguar atyre (për vlerën time). Ai tha: “Çfarë mendimi keni për ajetin kuranor: “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi.”[16] Disa prej tyre thanë: “Jemi urdhëruar (nga Zoti) që ta falenderojmë Allahun dhe t’i kërkojmë istigfar Atij kur Ai të na ndihmojë dhe të na vijë çlirimi.” Kurse të tjerët heshtën dhe nuk thanë asgjë. Ai më pyeti: “A kështu mendon (thua) ti o Ibn Abas?” Unë thashë: “Jo.” Ai më tha: “Po ti çfarë thua?” Unë thashë: “Ai është exheli i të Dërguarit të Allahut (a.s), të cilin ia mësoi duke i thënë: “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi” kjo është shenjë se exheli po të afrohet, prandaj: “Ti madhëroje me falenderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai, se vërtet Ai është Pranues i madh i pendimeve.”[17] Omeri (r.a) tha: “Edhe unë nuk di për të (kuptimin e këtij ajeti) vetëm se këtë që di edhe ti.”[18]
114 (03)– Aishja (r.a) ka thënë: “Pasi është shpallur ajeti kuranor “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe Çlirimi”[19] Profeti (a.s) nuk ka pasë falur namaz e mos të thonte: “I lartësuar dhe i lëvduar je o Zoti ynë. O Zot më fal mua.”[20]
Në një transmetim tjetër tek Buhariu dhe Muslimi, transmetohet se ajo (r.a) ka thënë: “Në ruku dhe në sexhde, ai thoshte sa më shumë: “I lartësuar dhe i lëvduar je o Zoti ynë. O Zot më fal mua” duke vepruar porosinë e Kuranit”
Kuptimi i “duke vepruar porosinë e Kuranit” është se ai (a.s) vepronte sipas asaj që ishte urdhëruar në Kuran, në fjalën e Allahut të Madhëruar “Ti madhëroje me falenderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai”[21]
Në një transmetim tek imam Muslimi thuhet se: “I Dërguari i Allahut (a.s) para se të vdiste thoshte sa më shumë: “I lartësuar dhe i lëvduar je o Zoti ynë. Të kërkoj falje dhe pendohem tek Ti.” Aishja tha: unë thashë: “O i Dërguar i Allahut, çfarë janë këto fjalë të reja që po i vërej ti thuash?” Ai tha: “Në umetin tim më është dhënë një shenjë që kur ta shoh, duhet t’i them ato fjalë. E kjo shenjë është “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe Çlirimi” deri në fund të sures.”
Dhe në një transmetim tjetër po tek imam Muslimi thuhet: “I Dërguari i Allahut thonte sa më shumë: “I lartësuar dhe i lëvduar je o Zoti ynë. Të kërkoj falje dhe pendohem tek Ti.” Aishja (r.a) tha: Unë thashë: “O i Dërguar i Allahut, po vërej të thuash sa më shumë “I lartësuar dhe i lëvduar je o Zoti ynë. Të kërkoj falje dhe pendohem tek Ti.” Ai tha: Ai tha: “Zoti im më njoftoi se unë do të shoh një shenjë tek umeti im. E kur ta shikoj atë shenjë duhet të them sa më shumë : “I lartësuar dhe i lëvduar je o Zoti ynë. Të kërkoj falje dhe pendohem tek Ti.” Unë e pashë atë shenjë dhe ajo ishte “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe Çlirimi”, d.m.th. çlirimi i Mekës, “Dhe kur t’i shikosh njerëzit që hyjnë në fenë e Allahut grupe – grupe, atëherë ti madhëroje me falenderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai, se vërtet Ai është Pranues i madh i pendimeve.”
115 (04) – Enesi (r.a) transmeton: “Me të vërtetë, Allahu i Lartmadhëruar, para se i Dërguari i Allahut (a.s) të ndërronte jetë, i shpalli sa më shumë ajete, saqë ajetet që iu shpallën para se të vdiste ishin më të shumta në numër se ato që iu shpallën më parë.”[22]
116 (05) – Xhabiri (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Çdo njeri do të ringjallet ashtu sikur ka vdekur.”[23]
13 – Kapitulli “Sqarimi se rrugët e mirësisë janë të shumta”
Allahu (xh.sh) thotë: “Çfarëdo të mire që bëni, Allahu e di atë.”[24]
Allahu (xh.sh) thotë: “Ndërkaq, çdo vepër të mirë që bëni, Allahu e di.”[25]
Allahu (xh.sh) thotë: “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.”[26]
Allahu (xh.sh) thotë: “Kush bën mirë, e ka për veten e tij.”[27]
Ajetet që flasin për këtë kapitull janë të shumta.
Kurse përsa i përket haditheve ato janë shumë, madje të pakufizuara, megjithatë ne do të përmendim vetëm disa prej tyre:
117 (01) – Ebu Dherr Xhundub ibn Xhunade (r.a) transmeton: “Unë pyeta: “O i Dërguar i Allahut! Kush është puna më e mirë?” Ai (a.s) tha: “Të besosh tek Allahu dhe të luftosh në rrugë të Tij.” Unë pyeta: “Cili është çlirimi më i mirë për skllavin? “Ai (a.s) tha: “Çlirimi i skllavit më të çmuar dhe më të dashur për pronarin e tij.” Unë pyeta: “Po nëse nuk kam mundësi ta bëj atë?” Ai (a.s) tha: “Ndihmoje të dobëtin ose bëji mirë një njeriu i cili nuk ka mundësi të punojë vetë.” Unë pyeta: “O i Dërguar i Allahut! Nëse disa punë nuk kam mundësi t’i bëj?!” Ai (a.s) tha: “Mos i bëj keq njerëzve, sepse kjo është sadaka e jotja për veten tënde.”[28]
“Të dobëtin” do të thotë: ai që ka humbur për shkak të varfërisë, barrës së familjes ose gjërave të ngjashme.
“një njeriu i cili nuk ka mundësi të punojë vetë” do të thotë: ai njeri që nuk zotëron asgjë dhe nuk e bën siç duhet atë që përpiqet të kryejë.
118 (02) – Po ashtu transmetohet prej Ebu Dherrit (r.a) se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Çdo mëngjes për çdo nyje të secilit prej jush ka sadaka. Çdo fjalë “Subhanallah” që thua është sadaka. Çdo fjalë “Elhamdulil lah” që thua është sadaka. Çdo fjalë “La ilahe il lall llah” që thua është sadaka. Çdo fjalë “Allahu Ekber” që thua është sadaka. Të urdhërosh për mirë është sadaka dhe të ndalosh nga e keqja është sadaka. Të gjithë këto i zëvendëson falja e dy rekateve të namazit të duhasë.”[29]
“nyje” do të thotë artikulacion e kyçeve.
119 (03) – Ebu Dherri (r.a) ka thënë: Profeti (a.s) ka thënë: “Mua më janë prezantuar veprat e mira dhe të këqija të Umetit tim. Një vepër të mirë që kam parë (gjetur) është largimi i një pengese nga rruga, kurse një vepër të keqe që kam parë (gjetur) është gëlbaza që është pështyrë në xhami dhe ajo nuk është groposur (pastruar).”[30]
120 (04) – Ebu Dherri (r.a) tregon se disa njerëz thanë: “O i Dërguar i Allahut! Të pasurit na e kanë kaluar me shpërblime. Ata falen ashtu sikur falemi edhe ne, agjërojnë ashtu sikur agjërojmë edhe ne, por ata japin sadaka nga teprica e pasurisë së tyre. Ai (a.s) tha: “A nuk jua ka mundësuar juve Allahu të jepni sadaka?! Vërtet çdo tesbih (Subhanallah) është sadaka, çdo tekbir (Allahu Ekber) është sadaka, çdo tahmid (Elhamdulil lah) është sadaka, çdo tehlil (La ilahe il lall llah) është sadaka, të urdhërosh për mirë është sadaka, të ndalosh nga e keqja është sadaka dhe të kryesh marrëdhënie intime me bashkëshorten është sadaka. Ata (Të pranishtmmit) pyetën: “O i Dërguar i Allahut! Edhe tek epshi të cilin e nxjerrim do të shpërblehemi?!” Ai (a.s) tha: “Nëse epshin e nxjerr në një marrëdhënie ilegale a nuk mëkaton?! Po kështu edhe nëse epshin e nxjerr në një marrëdhënie legale, ai do të shpërblehet.”[31]
“Të pasurit”: ata që zotërojnë pasuri
121 (05) – Ebu Dherri (r.a) ka thënë: Profeti (a.s) më ka thënë: “Mos nënçmo prej punëve të mira asgjë edhe sikur ta takosh vëllain tënd me fytyrë të buzëqeshur.”[32]
122 (06) – Ebu Hurerja (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Në çdo ditë që lind dielli, për çdo nyje të njeriut duhet dhënë sadaka: Të pajtosh midis dy personave konsiderohet sadaka, të ndihmosh një njeri që të hipë në kafshën e tij apo t’ia ngarkosh plaçkën në të konsiderohet sadaka, të thuash një fjalë të mirë konsiderohet sadaka, për çdo hap që hedh për të shkuar në xhami konsiderohet sadaka si dhe të largosh nga rruga një të keqe (që i dëmton njerëzit) konsiderohet sadaka.”[33]
Në një transmetim tjetër tek imam Muslimi përcillet nga Aishja (r.a) se ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Vërtet, çdo njeri prej bijve të Ademit është krijuar me treqind e gjashtëdhjetë nyje. Kushdo që e madhëron Allahun me tekbir, e falenderon me tahmid, thotë “La ilahe il lall llah”, e lavdëron me tesbih, i kërkon falje duke bërë istigfar, largon një pengesë, ferrë, apo kockë nga rruga ku kalojnë njerëzit, urdhëron për mirë apo ndalon nga e keqja dhe (në total)i bën treqind e gjashtëdhjetë të mira, në atë ditë ai do të ngryset dhe e ka shpëtuar veten nga zjarri.”[34]
123 (07) – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a. s) ka thënë: “Kush shkon dhe vjen nga xhamia, Allahu ka përgatitur për të një vend në Xhenet sa herë që vjen dhe shkon.”[35]
“vend”: Ushqimi i domosdoshëm, furnizimi dhe ajo që përgatitet për mysafirin
124 (08) – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “O ju gra muslimane! Asnjëra prej jush nuk duhet ta nënçmojë fqinjën e saj qoftë edhe për një thundër deleje (që ajo ia ka dhuruar).”[36]
El-Xheuheri ka thënë: “El-firsin” i devesë është si thundra te kafsha (d.m.th. si këmba e fortë që prek tokën), dhe ka thënë: ndonjëherë kjo fjalë përdoret edhe në mënyrë të huazuar për delen.”
125 (09) – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Besimi është shtadhjetë e disa pjesë, apo gjashtëdhjetë e disa pjesë. Më e mira është shprehja: Nuk ka zot tjetër përveç Allahut, kurse më e ulëta është të largosh një të keqe nga rruga. E turpi është pjesë e besimit.”[37]
“disa”: nga tre deri në nëntë.
“pjesë”: kategori.
126 (10) – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Një njeri që po ecte në rrugë e kaploi etja. Ai gjeti një pus, zbriti në të, piu dhe pastaj doli prej tij. Ai pa një qen që e nxirrte gjuhën duke ngrënë baltë nga etja. Njeriu tha: “Këtë qen e paska kapluar etja ashtu sikur më kishte kapluar edhe mua.” Ai zbriti në pus, e mbushi këpucën e tij me ujë, e kapi me gojë, u ngjit dhe i dha qenit për të pirë. Allahu e falenderoi dhe e fali atë (për këtë veprim). Njerëzit pyetën: “O i Dërguar i Allahut! A do të shpërblehemi ne edhe për kafshët tona?” Ai (a.s) tha: “Po, për çdo shpërblim ndaj çdo mëlçie të butë (gjallese) ka shpërblim.”[38]
Në transmetimin e imam Buhariut thuhet: “Allahu e falenderoi atë, e fali dhe e futi në Xhenet.”
Dhe në një transmetim tjetër tek imam Buhariu dhe Muslimi thuhet: “Një qen po vërtitej rreth bunarit dhe sa nuk po ngordhte nga etja. Atë e pa një prostitutë prej prostitutave të Benu Israilëve. Ajo hoqi këpucën e saj dhe nëpërmjet saj i dha (qenit) për të pirë. Ajo i dha qenit për të pirë dhe për shkak të këtij veprimi, Allahu e fali.”
“këpucën”: opingën
“vërtitej”: sillej rrotull
“bunar”: pus
127 (11) – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Vërtet kam parë në Xhenet një burrë që po kënaqet (endet) për shkak se kishte prerë një pemë që ishte në rrugë, e cila i pengonte muslimanët.”[39]
Në një transmetim tjetër thuhet: “Një burrë po kalonte kur pa një pemë që kishte zënë rrugën. Ai tha (me vete): “Pasha Allahun, kam për ta larguar këtë pemë (nga rruga) që mos t’i shqetësojë muslimanët.” Për shkak të këtij veprimi ai u fut në Xhenet.”
Dhe në një transmetim tjetër tek imam Buhariu[40] dhe imam Muslimi thuhet: “Teksa një burrë po ecte në rrugë, pa një trung peme me ferra, ai e hoqi atë, Allahu e falenderoi dhe e fali atë.”
128 (12) – Ebu Hurejra (r.a)ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush merr abdes në formën më të mirë, pastaj vjen për të falur xhumanë, dëgjon (hytben) dhe hesht, i falen mëkatet midis dy xhumave, madje edhe tre ditë të tjera. E kush prek guralecët, vërtet ka gabuar.”[41]
129 (13) – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Kur robi musliman apo besimtari merr abdes, në çastin kur lan fytyrën, prej saj me ujin që pikon, ose me pikën e fundit të ujit dalin mëkatet që ai ka parë me sy. Kur lan duart, prej tyre me ujin që pikon ose me pikën e fundit të ujit dalin mëkatet që ai ka kryer me duar. Kur lan këmbët, prej tyre me ujin ose me pikën e fundit të ujit dalin mëkatet që ai ka ecur me këmbë derisa (besimtari) del i pastër nga mëkatet.”[42]
130 (14) – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Midis pesë namazeve, Xhumasë nga Xhumaja dhe Ramazanit nga Ramazani shlyhen mëkatet nëse njeriu i shmanget mëkateve të mëdha.”[43]
131 (15) – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “A dëshironi t’ju tregoj se cilat janë ato gjëra që nëse i veproni Allahu ua fal mëkatet dhe ju ngre në grada të larta?” Ata thanë: “Po o i Dërguar i Allahut kemi dëshirë.” Ai (a.s) tha: “Marrja e abdesit në formë të plotë në situata të pakëndshme, shkuarja e shpeshtë në xhami dhe pritja e namazit tjetër pasi ke falur namazin. Kjo është të sikur të qëndrosh rojë.”[44]
132 (16) – Ebu Musa el Esh’ari (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush e fal namazin e sabahut dhe të iqindisë do të futet në Xhenet.”[45]
133 (17) – Ebu Musa el Esh’ari (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse robi sëmuret apo udhëton (dhe për shkak të sëmundjes apo udhëtimit nuk e kryen një vepër të mirë që e ka pasë zakon ta kryejë) i shkruhet ajo vepër e mirë të cilën ai e ka pasë kryer kur ka qenë rezident e mirë me shëndet.”[46]
134 (18) – Xhabiri (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Çdo e mirë (që e bën) konsiderohet sadaka.”[47] Këtë hadith e ka transmetuar edhe imam Muslimi[48] prej Hudhejfes (r.a).
135 (19) – Xhabiri (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Çdo musliman i cili mbjell një bimë (fidan,etj), prej saj ai merr shpërblim (sadaka) kur ajo konsumohet së ngrëni, vidhet apo humbet.”[49]
Në një transmetim tjetër tek imam Muslimi thuhet: “Çdo gjë që muslimani mbjell dhe prej saj hanë njeriu, gjallesat dhe shpendët ai merr shpërblim (sadaka) deri në Ditën e Kijametit.”
Dhe në një transmetim tjetër të imam Muslimit thuhet: “Çdo fidan apo bimë që mbjell muslimani dhe nga ajo ushqehet një njeri, kafshë, apo çdo gjë tjetër, ai merr shpërblim (sadaka).”
“humbet”: pakësohet
136 (20) – Xhabiri (r.a) ka thënë: “Benu Selime vendosën të transferoheshin pranë xhamisë. Një gjë të tillë e mori vesh i Dërguari i Allahut (a.s). Ai i tha atyre: “Mora vesh se ju dëshironi të transferoheni pranë xhamisë? Ata thanë: “Po, o i Dërguari i Allahut! Dëshironim ta bënim këtë.” Ai (a.s) tha: “O Benu Selime, Qëndroni në shtëpitë tuaja, sepse ju regjistrohen gjurmët (që hidhni për të shkuar në xhami)! Qëndroni në shtëpitë tuaja, sepse ju regjistrohen gjurmët (që hidhni për të shkuar në xhami)!”[50]
Në një transmetim tjetër tek imam Muslimi thuhet: “Për çdo hap që hidhni ngriheni në një gradë.” Këtë hadith e ka transmetuar edhe imam Buhariu[51] me të njëjtën domethënie prej Enesit (r.a).
“Benu Selime”: fis i njohur prej ensarëve (r.a)
“gjurmët”: hapat
137 (21) – Ebu Mundhir, Ubej ibn Ka’bi (r.a) ka thënë: “Një burrë, për të cilin nuk di të ketë dikush tjetër shtëpinë nga xhamia më larg se ai, nuk i kishte ikur asnjëherë falja e namazit me xhemat. Atij i thanë apo unë i thashë: “Sikur të blije një gomar që t’i hypje natën apo kur është vapë e madhe.” Mirëpo ai tha: “Nuk më pëlqen që shtëpinë ta kisha afër xhamisë. Unë kam dëshirë të më regjistrohen hapat që bëj kur shkoj në xhami dhe kur kthehem tek familja.” I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Vërtet, Allahu t’i ka bashkuar ty të gjitha këto.”[52]
Në një transmetim tjetër thuhet: “Ty të takon ajo që ke menduar”.
“vapë e madhe”: bëhet fjalë për tokën që e godet një i nxehtë i madh
138 (22) – Ebu Muhamed, Abdulla ibn Amër ibn el As (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Janë dyzet virtyte të mira, më e larta e tyre është që t’i japësh dikujt një dhi (e ai të pijë qumështin e saj e pastaj të ta kthejë atë.) Kushdo që vepron secilën prej këtyre virtyteve duke shpresuar shpërblimin e saj për të me bindje të plotë se me të vërtetë ai do ta marrë atë shpërblim, atëherë Allahu do ta fusë atë në Xhenet për shkak të saj.”[53]
139 (23) – Adij ibn Hatim (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar Profetin (a.s) të thotë: “Ruajuni prej zjarrit qoftë edhe me një gjysmë hurme (arabe).”[54]
Në një transmetim tjetër, Adij ibn Hatim (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Secilit prej jush, Zoti juaj ka për t’i folur dhe midis jush nuk ka përkthyes. Do të shikojë nga e djathta e tij, e nuk do të shikojë veçse punët e mira që ka bërë. Do të shikojë nga e majta e tij dhe nuk do të shohë veçse punët e këqija që ka bërë. E do të shikojë para vetes, e nuk do të shikojë veçse Zjarrin para fytyrës së tij. Prandaj ruajuni nga Zjarri qoftë edhe me gjysmë hurme (që e jepni sadaka). E kush nuk gjen hurmë, atëherë le të ruhet prej tij duke thënë një fjalë të mirë.”[55]
140 (24) – Enesi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Vërtet, Allahu kënaqet me robin, i cili kur ha ndonjë ushqim e falenderon Atë për ushqimin dhe është i kënaqur me robin, i cili kur pi ndonjë pije e falenderon Atë për pijen.”[56]
“ushqim”: vaktin e mëngjesit ose të darkës
141 (25) – Ebu Musa (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Çdo musliman duhet të japë sadaka.” Dikush pyeti: “Po sikur mos të ketë çfarë të japë?” Ai (a.s) tha: “Punon me duart e tij, i sjell dobi vetes së tij dhe jep sadaka.” Ai pyeti: “Po sikur mos të ketë mundësi?” Ai (a.s) tha: “Le të ndihmojë atë që ka nevojë urgjente.” Ai pyeti: “Po sikur mos të ketë mundësi?” Ai (a.s) tha: “Le të urdhërojë për mirë ose hajër. Ai pyeti: “Po sikur mos ta bëj këtë? “Ai (a.s) tha: “Le të përmbahet nga e keqja, sepse edhe kjo është sadaka.”[57]
14 – Kapitulli “Maturia në adhurim”
Allahu (xh.sh) thotë: “Taha. Ne nuk ta kemi shpallur Kuranin ty (o Muhamed) për të të munduar.”[58]
Allahu (xh.sh) thotë: “Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe që t’jua vështirësojë.”[59]
142 (01) – Aishja (r.a) tregon se Profeti (a.s) hyri në dhomën e saj dhe tek ajo gjeti një grua. Ai (a.s) pyeti: “Kush është kjo?” Ajo tha: “Kjo është filania, e cila përmendet për namazin e shumtë që fal.” Ai (a.s) tha: “Hëm. Faluni aq sa të keni mundësi (mos u stërmundoni në adhurim), sepse Allahu nuk mërzitet (së dhëni shpërblime) derisa ju vetë të lodheni. Punët më të dashura në fe për të (a.s) kanë qenë ato të cilat njeriu i bën në mënyrë të vazhdueshme.”[60]
“Hëm” është fjalë ndalese dhe qortuese.
“Allahu nuk mërzitet”: Allahu nuk jua ndërpret shpërblimin dhe sevapin për veprat tuaja, por ju trajton sikurse ai që lodhet apo mërzitet, derisa ju vetë të lodheni e t’i lini veprat.
Prandaj, ju duhet të merrni përsipër ato vepra që keni mundësi t’i bëni vazhdimisht, në mënyrë që shpërblimi i tyre dhe mirësia e Allahut ndaj jush të jenë të vazhdueshme.
143 (02) – Enesi (r.a) ka thënë: “Tre persona erdhën tek shtëpitë e grave të Profetit (a.s) për të pyetur rreth adhurimit të tij (a.s). Kur u njoftuan (rreth adhurimit të tij), adhurimi që ata bënin iu duk i paktë. Ata thanë: “Ku jemi në krahasim me Profetin (a.s)?!” Atij i janë falur gabimet e kaluara dhe të ardhshme. Njëri prej tyre tha: “Unë do të falem përgjithmonë tërë natën.” Tjetri tha: “Unë do të agjëroj gjithmonë dhe nuk do ta ndërpres asnjëherë agjërimin” dhe i fundit tha: “Unë do të largohem nga gratë dhe nuk do të martohem kurrë.” I Dërguari i Allahut (a.s) erdhi tek ata dhe i tha: “Ju jeni ata që keni thënë këtë e atë? Pasha Allahun! Unë jam njeriu që e kam më shumë frikë Allahun ndër ju dhe jam njeriu më i devotshëm ndër ju, megjithatë unë ka ditë që agjëroj dhe ditë të tjera nuk agjëroj, falem një pjesë të natës dhe në pjesën tjetër shtrihem dhe martohem me gra. Kush refuzon të ndjekë sunetin tim, ai nuk është prej meje.”[61]
144 (03) – Ibn Mes’udi (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Janë shkatërruar ekstremistët” Këtë e tha tre herë.[62]
“ekstremistët”: janë ata që thellohen dhe e teprojnë me ashpërsi e ngurtësi në një çështje për të cilën nuk ka vend për ashpërsi dhe teprim.
145 (04) – Ebu Hurerja (r.a) tansmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Vërtet, kjo fe është e lehtë. Kushdo që shtrëngohet në fe, ajo ka për ta mundur atë. Prandaj drejtohuni, afrojuni, gëzojuni për shpërblimin që do të keni dhe forcohuni duke kryer rregullisht faljen e namazit në mëngjes, mbasdite dhe agut të natës.”[63]
Në një transmetim tjetër thuhet: “Drejtojuni dhe afrojuni, kryejeni rregullisht faljen e mëngjësit, të mbasdites dhe gjatë orëve të fundit të natës! Bëhuni të matur, bëhuni të matur e do t’ia arrini qëllimit!”
“feja” është transmetuar në rasën emërore, si formë ku nuk përmendet kryerësi i veprimit. Është transmetuar edhe në rasën kallëzore si dhe është transmetuar: “Askush nuk do ta ashpërsojë fenë…”
“ajo ka për ta mundur atë”: feja do ta mposhtë atë person, dhe ai që e tepron e rëndon veten në fe nuk do të mund t’i bëjë ballë asaj për shkak të shumësisë së rrugëve dhe detyrimeve të saj.
“mëngjes”: është ecja në fillim të ditës.
“mbasdite”: është ecja në fund të ditës.
“agu i natës”: gjatë orëve të fundit të natës.
Kjo është metaforë dhe përngjasim. Kuptimi është: kërkoni ndihmë për bindjen ndaj Allahut të Lartësuar përmes veprave në kohët kur jeni energjikë dhe zemrat tuaja janë të çliruara, në mënyrë që adhurimin ta kryeni me ëmbëlsi dhe pa u lodhur apo mërzitur, derisa ta arrini synimin tuaj. Kjo ngjan me udhëtarin e zgjuar, i cili ecën në këto kohë dhe pushon bashkë me kafshën e tij në kohët e tjera, duke arritur kështu qëllimin pa lodhje. Allahu e di më së miri.
146 (05) – Enesi (r.a) ka thënë: “Profeti (a.s) hyri në xhami dhe pa një litar të zgjatur (të lidhur) midis dy shtyllave. Ai (a.s) pyeti: “Çfarë është ky litar?” Të pranishmit thanë: “Ky litar është i Zejnebes. Nëse (gjatë faljes) lodhet, ajo mbahet tek ai.” Profeti (a.s) tha: “Zgjidheni atë! Kushdo prej jush që falet le të jetë i aktiv! E nëse lodhet, atëherë le të ulet!”[64]
147 (06) – Aishja (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush kotet ndërkohë që është duke u falur, atëherë le të shtrihet derisa t’i largohet gjumi. Pasiqë kur ndonjëri prej jush kotet ndërkohë që është duke u falur, ndoshta në vend që të kërkojë falje tek Allahu mund të shajë veten e tij.”[65]
148 (07) – Ebu Abdulla, Xhabir ibn Semure (r.a) ka thënë: “Jam faluar bashkë me Profetin (a.s), namazi që ai i falte ishte mesatar, edhe hytbja që mbante ishte mesatare.”[66]
“mesatare”: midis gjatësisë dhe të shkurtrës
149 (08) – Ebu Xhuhajfe, Uehb ibn Abdullahu (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) vëllazëroi midis Selmanit dhe Ebu Dardasë. Njëherë Selmani shkoi të vizitonte Ebu Dardanë në shtëpi dhe pa gruan e tij, Ummu Dardanë të veshur thjeshtë. Ai e pyeti: “Çfarë të ka ngjarë ty?” Ajo u përgjigj: “Vëllai yt, Ebu Dardaja nuk ka ndonjë interes në këtë botë.” (Më vonë) erdhi Ebu Darda dhe i përgatiti atij ushqim. Ai (Ebu Darda) tha: “Ha ti, sepse unë jam agjërueshëm!” Ai tha: “Unë nuk kam për të ngrënë derisa të hash edhe ti,” e ai hëngri. Kur ra nata, Ebu Darda u ngrit për të falur namaz nate, por Selmani i tha: “Fli!” Ebu Darda ra të flejë. Pasi kaloi një kohë, ai tentoi të ngrihej përsëri, por Selmani i tha: “Fli!” Në fund të natës, Selmani i tha: “Tani ngrihu!” dhe ata falën namaz nate së bashku. Pas kësaj, Selmani i tha: “Zoti yt ka të drejtën e tij mbi ty, vetja jote ka të drejtën e saj mbi ty dhe familja jote ka të drejtën e saj mbi ty. Jepi secilit atë që i takon.” Kur Ebu Darda i tregoi Profetit (a.s) për këtë, Profeti (a.s) tha: “Selmani ka thënë të vërtetën.”[67]
150 (09) – Ebu Muhamed, Abdulla ibn Amër ibn El Asi (r.a) ka thënë: (Dikush) e lajmëroi Profetin (a.s) se unë thoja: “Pasha Allahun do të agjëroj ditën dhe do të falem natën sa të jem gjallë.” I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “A ti je që e thua këtë? Unë thashë: “Për nënën dhe babain, unë (vërtet) i kam thënë këto fjalë”, o i Dërguar i Allahut!. Ai tha: “Ti nuk do të kesh mundësi ta bësh këtë, prandaj disa ditë agjëroji dhe të tjera jo, në një pjesë të natës fli gjumë dhe në pjesën tjetër falu! Agjëro vetëm tre ditë në muaj, sepse një e mirë shpërblehet dhjetëfish dhe kështu i bie që të agjërosh gjithmonë! Unë thashë: “Unë kam mundësi të bëj më tepër se kaq.” Ai tha: “Agjëro një ditë dhe dy të tjera mos agjëro! Unë thashë: “Unë kam mundësi të bëj më tepër se kaq.” Ai tha: “Agjëro një ditë dhe ditën tjetër mos agjëro! Ky është agjërimi që bënte Daudi (a.s) dhe ky është agjërimi më i saktë. Në një transmetim tjetër thuhet “agjërimi më i mirë” Unë thashë: Unë kam mundësi të bëj më tepër se kaq. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Nuk ka agjërim më të mirë se ky (i Daudit).” (Më vonë) Abdullahu tha: “Ah sikur ta kisha dëgjuar porosinë e të Dërguarit të Allahut (a.s) që të agjëroja tre ditë për të cilat ai (a.s) tha: “Ato janë më të dashura për mua se familja dhe pasuria.”
Në një transmetim tjetër thuhet: Ai (a.s) tha: “Kam marrë vesh se ti agjëron ditën dhe falesh natën?!” Unë thashë: “Po është e vërtetë o i Dërguari i Allahut.” Ai (a.s) tha: “Mos e bëj! Disa ditë agjëro dhe të tjera jo, në një pjesë të natës fli dhe në tjetrën falu, sepse trupit duhet t’i japësh hakun, syrit duhet t’i japësh hakun, bashkëshortes duhet t’i japësh hakun dhe mysafirëve duhet t’i japësh hakun. Mjafton për ty të agjërosh tre ditë në muaj, sepse një e mirë shpërblehet dhjetëfish dhe kështu i bie të agjërosh gjithmonë.” Unë kërkova stërmundim dhe ajo më ndodhi (siç e kërkova). Unë thashë: “O i Dërguar i Allahut: Unë ndihem i fortë.” Ai (a.s) tha: “Agjëro si agjërimi i profetit të Allahut, Daudit dhe mos shto asgjë tjetër!” Unë e pyeta: E si ishte agjërimi i Daudit? Ai (a.s) më tha: “Gjysmë kohe (një ditë po dhe një ditë jo). Kur Abdullahu u bë i thyer në moshë tha: “Ah sikur ta kisha pranuar lehtësimin e të Dërguarit të Allahut (a.s)?!”
Në një transmetim tjetër thuhet: Ai (a.s) tha: “Kam marrë vesh se ti agjëron gjithë kohës dhe lexon Kuran çdo natë.” Unë thashë: “Po është e vërtetë, o i Dërguar i Allahut. Dhe me këtë që kam bërë nuk dua gjë tjëtër vetëm se mirësi.” Ai (a.s) tha: “Agjëro si agjërimi i profetit të Allahut, Daudit, sepse ai ka qenë adhuruesi më i shumtë ndër njerëz. Lexoje Kuranin përgjatë gjithë muajit! Unë i thashë: “O Profet i Allahut! Unë kam mundësi të bëj më tepër se kaq?!” Ai (a.s) tha: “Lexoje atë përgjatë njëzet ditëve!” Unë i thashë: “O Profet i Allahut! Unë kam mundësi të bëj më tepër se kaq?!” Ai (a.s) tha: “Lexoje atë përgjatë dhjetë ditëve.” Unë i thashë: “O Profet i Allahut! Unë kam mundësi të bëj më tepër se kaq?!” Ai (a.s) tha: “Lexoje atë përgjatë shtatë ditëve dhe mos tento ta bësh për më pak!” Unë kërkova stërmundim dhe ajo më ndodhi (siç e kërkova). Profeti (a.s) më tha: “Ti nuk e di, por ndoshta ke për të jetuar gjatë.” Unë thashë: “Dhe ashtu ndodhi, sikur më tha Profeti (a.s). Kur u bëra i madh në moshë, kisha shumë dëshirë që ta kisha pranuar lehtësimin e Profetit (a.s).”[68]
Në një transmetim tjetër thuhet: “Ti ke detyrim ndaj fëmijës tënd.” Në një transmetim tjetër thuhet se ai (a. s) ka thënë tre herë:“Nuk ka agjëruar ai që agjëron përgjithmonë.” Në një transmetim tjetër thuhet: “Agjërimi më i dashur tek Allahu i Lartësuar është agjërimi i Daudit. Namazi më i dashur tek Allahu i Lartësuar është namazi që ka falur Daudi. Ai flinte deri në gjysmë të natës, falej në një të tretën e saj dhe flinte në një të gjashtën. (po ashtu) Ai një ditë agjëronte dhe ditën tjetër nuk agjëronte. Ai nuk largohej nga fushëbeteja kur haste armikun.
Të gjitha këto transmetime janë të sakta dhe shumica e tyre janë të transmetuara tek Buhariu dhe Muslimi njëkohësisht, kurse vetëm disa prej tyre janë transmetuar në ndonjërin prej tyre.
151 (10) – Handhale ibn Rebi el Usedij (r.a), një prej shkruesve të të Dërguarit të Allahut (a.s) ka thënë: “Më takoi Ebu Bekri (r.a) dhe më tha: S”i je o Handhale?” Unë thashë: “Handhalja është bërë hipokrit.” Ai tha: “Subahanallah, çfarë po thua?” Unë i thashë: “Kur jemi te i Dërguari i Allahut (a.s) dhe ai na flet për Xhenetin dhe Zjarrin, ne na duket sikur i shikojmë ato. E kur largohemi nga ai (a.s) jepemi pas grave, fëmijëve dhe gjërave të tjera saqë harrojmë shumë gjëra të cilat i dëgjuam.” Ebu Bekri tha: “Pasha Allahun! Edhe unë përjetoj të njëjtën gjë.” Unë dhe Ebu Bekri shkuam derisa hymë tek i Dërguari i Allahut (a.s). Unë thashë: “O i Dërguar i Allahut! Handhale është bërë hipokrit.” I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Çfarë ka ndodhur? Unë thashë: “O i Dërguar i Allahut. Kur jemi tek ty dhe ti na flet për Zjarrin dhe Xhenetin sikur e shohim me sy, e kur dalim nga ty jepemi pas grave, fëmijëve dhe gjërave të tjera saqë harrojmë shumë gjëra nga ato që ke thënë?!” I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Betohem në emrin e Atij të Cilit shpirti im është në dorën e Tij, nëse ju do të ishit përherë në të njëjtën gjendje sikur jeni tek unë, atëherë engjëjt do t’ju përqafonin në shtretërit tuaj dhe në rrugët nga kaloni, por një orë këtu e një orë atje o Handhale.”[69]
152 (11) – Ibn Abasi (r.a) ka thënë: “Teksa Profeti (a.s) po mbante hytbe pa një njeri që po qëndronte në këmbë. Ai pyeti për të dhe (të pranishmit) i thanë: “Ai është Ebu Israili i cili është zotuar se do të qëndrojë në diell, nuk do të ulet, nuk do të qëndrojë në hije dhe as nuk do t’i flasë njerëzve dhe do të agjërojë.” Profeti (a.s) tha: “Urdhërojeni atë që t’i flasë njerëzve, të qëndrojë në hije, të ulet dhe le ta plotësojë agjërimin e tij.”[70]
15 – Kapitulli “Tregimi kujdes ndaj kryerjes së veprave të mira”
Allahu (xh.sh) thotë: “A nuk ka ardhur koha për besimtarët e vërtetë, që zemrat e tyre të përulen para këshillave të Allahut dhe para së Vërtetës që Ai ka shpallur e të mos bëhen si ata, që iu është dhënë Libri më parë?! Me kalimin e një kohe të gjatë, zemrat e tyre u ngurtësuan.”[71]
Allahu (xh.sh) thotë: “Pas tyre Ne çuam të dërguar të tjerë, mandej dërguam Isain, të birin e Merjemes. Ne i dhamë atij Ungjillin, kurse në zemrat e pasuesve të tij mbollëm butësi dhe mëshirë. Sa për murgërinë, Ne nuk ua urdhëruam atë, por ata e shpikën vetë për të arritur kënaqësinë e Allahut. E megjithatë ata nuk u kujdesën si duhet për të.”[72]
Allahu (xh.sh) thotë: “Mos u bëni si ajo gruaja që e shprish dhe e bën fije-fije atë që e ka tjerrë fort!”[73]
Allahu (xh.sh) thotë: “Dhe adhuroje Allahun derisa të të vijë vdekja!”[74]
Kurse përsa i përket hditheve mund të përmendim hadithin e lartpërmendur[75] i Aishes, i cili është përmendur në kapitullin e mëparshëm: “Punët më të dashura në fe për të (a.s) kanë qenë ato të cilat njeriu i bën në mënyrë të vazhdueshme.”
153 (01) – Omer ibn Hatabi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Atë të cilin e zë gjumi dhe atë natë nuk e lexon hizbin e Kuranit (që e lexon zakonisht) apo një pjesë të tij, mirëpo e lexon atë pas namazit të Sabahut deri kur të falet namazi i Drekës, atij i shkruhet sikur e ka lexuar atë gjatë natës.”[76]
154 (02) – Abdulla ibn Amër ibn El As (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) më ka thënë: “O Abdullah! Mos i ngjaj filanit, i cili ka pasë qenë falur natën, kurse tani nuk falet më natën!”[77]
155 (03) – Aishja (r.a) ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut (a.s) nuk e falte namazin e natës për shkak të sëmundjes apo për një shkak tjetër, atëherë ai gjatë ditës falte dymbëdhjetë rekate.”[78]
16 – Kapitulli “Respektimi i Sunetit, etikave dhe rregullave të tij”
Allahu (xh.sh) thotë: “Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj!”[79]
Allahu (xh.sh) thotë: “Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është shpallje hyjnore që i vjen vetëm atij.”[80]
Allahu (xh.sh) thotë: “Thuaj (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet.”[81]
Allahu (xh.sh) thotë: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit”[82]
Allahu (xh.sh) thotë: “Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre, e pastaj të mos ndjejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të binden ty plotësisht.”[83]
Allahu (xh.sh) thotë: “Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë, drejtohuni Allahut dhe të Dërguarit!”[84] Dijetarët kanë thënë: d.m.th. tek Kurani dhe Suneti.
Allahu (xh.sh) thotë: “Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut.”[85]
Allahu (xh.sh) thotë: “Ti me të vërtetë, udhëzon në rrugë të drejtë.”[86]
Allahu (xh.sh) thotë: “Le të frikësohen ata që kundërshtojnë urdhrin e tij, që mos t’i arrijë ndonjë sprovë ose që të mos i godasë një dënim i dhembshëm.”[87]
Allahu (xh.sh) thotë: “Mbani mend ato që lexohen në shtëpitë e juaja prej shpalljes së Allahut dhe Urtësisë (profetike)!”[88]
Ajetet që flasin për këtë kapitull janë të shumta.
Kurse përsa i përket haditheve:
156 (01) – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë:“Mos bëni pyetje për atë që unë e kam braktisur, sepse ata që kanë qenë para jush janë shkatërruar për shkak të pyetjve të shumta dhe kundërshtitë që kishin ndaj profetëve të tyre. Nëse ju ndaloj për një gjë, largojuni prej saj! E nëse ju urdhëroj për të vepruar diçka, veprojeni atë aq sa të keni mundësi!”[89]
157 (02) – Ebu Nexhih, Irbad ibn Sarije (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) na dha një këshillë rrënqethëse (që ndikoi shumë tek ne) saqë na u dridhën zemrat dhe na lotuan sytë. Ne thamë: ”O i Dërguar i Allahut, duket sikur kjo këshillë që na dhe është këshillë lamtumire. Çfarë na këshillon të bëjmë!” Ai (a.s) tha: “Ju këshilloj të keni frikë Allahun, të jeni të dëgjuar dhe të bindur (ndaj udhëheqësit) edhe sikur në krye të jetë një skllav abisinian. Ai që do të jetojë prej jush ka për të parë shumë përçarje (ndasi); prandaj kapuni pas sunetit tim dhe sunetit të katër halifëve të drejtë e udhëzues, kapuni fort pas tyre me dhëmballë. Dhe ruajuni nga risitë, sepse çdo bidat është humbje.”[90]
“dhëmballë” dhe është thënë dhëmbët e qenit.
158 (03) – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “I gjithë Umeti im do të hyjë në Xhenet, përveç atij që refuzon. Dikush pyeti: “Kush është ai që refuzon o i Dërguar i Allahut?” Ai tha: “Ai që më bindet mua do të hyjë në Xhenet dhe ai që nuk më bindet është ai që refuzon.”[91]
159 (04) – Ebu Muslimi dhe thuhet Ebu Ijas, Seleme ibn Amër ibn el Ek’ue (r.a) tregon se një njeri ishte duke ngrënë me të dorën e majtë në prani të Dërguarit të Allahut (a.s). Ai (a.s) tha: “Ha me të djathtën!” Ai tha: “Nuk kam mundësi.” Ai (a.s): “Ti nuk do të kesh mundësi.” Atë nuk e pengoi ta ngrinte dorën veçse mëndjemadhësia. Kështu që ai nuk e ngriti atë në gojë.”[92]
160 (05) – Ebu Abdulla, Nu’man ibn Beshir (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “A do t’i drejtoni rrjeshtat apo Allahu do t’ju ndryshojë fytyrat.”[93]
Dhe në transmetimin e imam Muslimit transmetohet si më poshtë: “I Dërguari i Allahut (a.s) i drejtonte rrjeshtat tona ashtu sikur rrjeshtohen gotat derisa vuri re se ne e kuptuam këtë gjë. Një ditë ai doli dhe u çua për të falë namazin dhe ishte gati me dhënë tekbir kur pa një njeri që i kishte dalë gjoksi nga rrjeshti. Ai (a.s) tha: “A do t’i drejtoni rrjeshtat apo Allahu do t’ju ndryshojë fytyrat.”
161 (06) – Ebu Musa el Esh’ari (r.a) ka thënë: “Një shtëpi në Medine u dogj bashkë me familjen natën. Kur të Dërguarit të Allahut (a.s) i thanë për punën e tyre, ai tha: “Vërtet, zjarri është armiku juaj. Kështu që kur të bini për të fjetur, fikeni atë!”[94]
162 (07) – Ebu Musa el Esh’ari (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Shembulli i udhëzimit dhe dijes me të cilën Allahu më ka dërguar është si shembulli i një shiu të bollshëm që bie mbi një tokë. Një pjesë e saj është e mirë (pjellore) e thith ujin dhe prej saj mbijnë shumë bimë dhe bar. Një pjesë tjetër e saj është e fortë, e mban ujin. Nëpërmjet saj Allahu u sjell dobi njerëzve: ata pijnë për vete, për bagëtitë dhe e përdorin për të vaditur. Po ashtu shiu zbret në një pjesë tjetër toke, e cila është djerrë; nuk e mban ujin dhe prej saj nuk mbin asnjë lloj bime. Ky është shembulli i atij (të parit) që e kupton fenë dhe përfiton nga ajo (dija) me të cilën Allahu më dërgoi. Ai mëson për vete dhe i mëson të tjerët. Dhe shembulli i atij (të fundit) personi i cili nuk e ngre kokën dhe që nuk e pranon udhëzimin e Allahut me të cilin u dërgova.”[95]
“që e kupton fenë”: që është i pajisur me kuptim fetar
163 (08) – Xhabiri (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Shembulli im dhe shembulli i juaj është si shembulli i një burri i cili ka ndezur një zjarr. Insektet dhe fluturat (tentojnë) bien në të dhe burri mundohet t’i largojë. Po kështu edhe unë mundohem që t’ju kap nga brezat që mos të bini në Zjarr, por ju më shpëtoni nga duart.”[96]
“insektet” janë insekte si karkalecat dhe fluturat e natës. Ky është kuptimi i njohur, pra insektet që zakonisht bien në zjarr.
“brezat” është shumësi i fjalës “brez” që nënkupton vendin ku lidhet ose shtrëngohet izari (veshja e poshtme) apo pantallonat, pra pjesa e mesit ku mbahet brezi ose lidhësja e rrobës.
164 (09) – Xhabir ibn Abdulla (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka urdhëruar (që gjatë ushqimit) për të lëpirë gishtat dhe enën duke thënë: “Vërtet ju nuk e dini se ku është bereqeti.”[97]
Në një transmetim tjetër të tij thuhet: “Nëse dikujt prej juve i bie kafshata (e ushqimit) në dysheme, atëherë le ta marrë ta pastrojë duke larguar papastërtië dhe le pastaj le ta hajë atë e mos t’ia lejë shejtanit. (Pas përfundimit të ushqimit) mos i fshini duart me leckë pa i lëpirë më parë gishtat, sepse ju nuk e dini se ku është bereqeti.”
Dhe në një transmetim tjetër thuhet: “Shejtani vjen tek secili prej jush në çdo çështje tuajën, madje ai vjen kur njeriu është duke ngrënë. Nëse ndonjërit prej jush i bie kafshata (në dysheme), atëherë le ta heqë papastërtinë tek ajo, le ta hajë dhe mos t’ia lejë shejtanit.”
165 (10) – Ibn Abasi (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) u çua në mesin tonë dhe mbajti një këshillë. Ai tha: “O ju njerëz! Ju do të ringjalleni të zhveshur, këmbëzbathur dhe të parrethprerë: “Ashtu siç e kemi filluar krijimin e parë, do ta përsërisim atë. Ky është një premtim i sigurtë prej Nesh dhe Ne jemi të aftë ta bëjmë këtë.”[98] Me të vërtetë personi i parë i cili do të vishet në Ditën e Kijametit është Ibrahimi (a.s). Disa burra prej Umetit tim do të sillen dhe do të dërgohen për të kaluar nga e majta (për t’u ndëshkuar). Unë do të them: “O Zot, ata janë shokët e mi?!” Mirëpo mua do të më thuhet: “Vërtet, ti nuk e di se çfarë ata kanë vepruar pas teje.” Unë do të them ashtu sikur ka thënë robi i mirë i Allahut: “Unë kam qenë dëshmitar ndaj tyre sa kohë që isha në mesin e tyre. Kur ti më more shpritin, Ti ishe mbikqyrësi ndaj tyre dhe Ti je dëshmitar për çdo gjë.”[99] deri tek thënia e Allahut: “Ti je i Plotfquqishëm, i Urtë.” Dhe mua do të më thuhet: “Ata ta kthyen shpinën vazhdimisht pasi ti u ndave prej tyre (pas vdekjes tënde).”[100]
“të parrethprerë”: të pa bërë synet.
166 (11) – Ebu Seid, Abdulla ibn Mugaffel (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka ndaluar të gjuhet me guralecë duke thënë se: “Nëpërmjet tyre nuk mund të vritet gjahu, as nuk mund të fitohet ndaj armikut, (mirëpo kur godet me guralecë) syri qërrohet dhe dhëmbi thyhet.”[101]
Në një transmetim tjetër thuhet se: një i afërm i ibn Mugaffelit gjuajti me guralecë. Ai (ibn Mugaffeli) e ndaloi atë duke i thënë se: “I Dërguari i Allahut (a.s) ka ndaluar të gjuhet me guralecë. Dhe se ai (a.s) ka thënë: “Nëpërmjet tyre nuk mund të gjuash asnjë lloj gjahu.” Mirëpo ai (i afërmi) gjuajti përsëri me guralecë. Ibn Mugaffeli tha: “Unë po të flas se i Dërguari i Allahut (a.s) ka ndaluar të gjuhet me guralecë dhe ti përsëri vazhdon të gjuash me guralecë. Unë kurrë nuk kam për të të folur.”
167 (12) – Abis ibn Rebia ka thënë: E kam parë Omer ibn Hatabin (r.a) duke puthur gurin e zi dhe ai thoshte: “Unë e di që ti je një gur që nuk sjell dobi dhe as dëmton, por duke qenë se unë e kam parë të Dërguarin e Allahut (a.s) duke të të puthur, prandaj edhe po të puth.”[102]
17 – Kapitulli “Nënshtrimi ndaj urdhërit të Allahut të Madhëruar.” Çfarë duhet të thotë ai person që ftohet tek një gjë e tillë: kur urdhërohet për mirë dhe kur ndalohet nga e keqja.
Allahu (xh.sh) thotë: “Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre, e pastaj të mos ndjejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të binden ty plotësisht.”[103]
Allahu (xh.sh) thotë: “Ndërsa përgjigja e vetme e besimtarëve, kur thirren tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, që ai të gjykojë midis tyre, është: “Dëgjojmë dhe bindemi”. Pikërisht këta janë të shpëtuarit.”[104]
Në të gjenden edhe hadithi i Ebu Hurejrës i përmendur në fillim të kapitullit pararendës (shih hadithin nr. 156), si dhe hadithe të tjera që trajtojnë këtë temë.
168 (01) – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: Kur të Dërguarit të Allahut (a.s) iu shpall ajeti kuranor: “E Allahut është ç’ka ka në qiej e në tokë. Çfarëdo që ju e shprehni haptazi apo e mbani të fshehur, Allahu ka për t’ju marrë në llogari për të.”[105] shokëve të të Dërguarit të Allahut (a.s) u rëndoi (zbritja e këtij ajeti) dhe si rrjedhojë shkuan tek i Dërguari i Allahut (a.s) dhe pastaj iu ulën në gjunjë dhe i thanë: “O i Dërguar i Allahut! Jena obliguar me kryer punë të cilat kemi mundësi t’i veprojmë. Jena obliguar të falim namazin, të luftojmë, të agjërojmë dhe të japim sadaka. Mirëpo (tani) ty të është shpallur ky ajet të cilin e kemi të vështirë ta zbatojmë.” I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “A dëshironi të thoni sikur thanë ithtarët e dy Librave (hebrenjtë dhe të krishterët) më parë: dëgjuam por nuk bindemi?! Ju duhet të thoni: Dëgjuam, do të bindemi, na fal o Zoti ynë dhe tek Ti është e ardhmja.” Dhe ata kështu thanë: “Dëgjuam, do të bindemi, na fal o Zoti ynë dhe tek Ti është e ardhmja. “Kur njerëzit e thanë një gjë të tillë dhe gjuhët e tyre e përsërisnin këtë shprehje, menjëherë pas kësaj Allahu (xh.sh) shpalli ajetin kuranor: “I Dërguari besoi në atë që iu shpall prej Zotit të Tij, po kështu edhe besimtarët. Të gjithë besuan tek Allahu, engjëjt e Tij, Librat e Tij dhe të Dërguarit e Tij duke mos bërë dallim midis asnjërit prej tyre. Ata thanë: Dëgjuam, do të bindemi, na fal o Zoti ynëdhe tek Ti është e ardhmja.” Kur ata e bënë një gjë të tillë, Allahu (xh.sh) e abrogoi atë (ajetin e mëparshëm) dhe shpalli ajetin: “Allahu nuk e obligon dikënd përtej mundësive të tij. çdo njeriu i takon ajo që ka fituar në mënyrë të lejuar dhe atë ç’ka e ka fituar në mënyrë të ndaluar. O Zoti ynë mos na ndëshko për shkak të harresës apo të gabimit.” Ai (a.s) tha: po. “Zoti ynë mos na ngarko me barrë të rëndë ashtu sikur i ke ngarkuar ata të cilët kanë qenë para nesh” Ai (a.s) tha: po “O Zoti unë mos na ngarko me atë që nuk kemi mundësi ta kryejmë.” Ai (a.s) tha: po “Na i fshi mëkatet, na fal dhe na mëshiro. Ti je Ndihmëtari ynë, na ndihmo kundër popullit mosbesimtar.” Ai (a.s) tha: po.”[106]
18 – Kapitulli “Ndalimi i kryerjes së risive dhe çështjeve të reja (të papranueshme nga feja)”
Allahu (xh.sh) thotë: “E çfarë ka pas të vërtetës, përveç humbjes.”[107]
Allahu (xh.sh) thotë: “Ne nuk kemi harruar asgjë në Librin Tonë.”[108]
Allahu (xh.sh) thotë: “Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë, drejtohuni Allahut dhe të Dërguarit!”[109] Dijetarët kanë thënë: d.m.th. tek Kurani dhe Suneti.
Allahu (xh.sh) thotë: “Kjo është rruga Ime e drejtë, prandaj ndiqeni e mos shkoni rrugëve të tjera që t’ju shmangin nga rruga e Tij.”[110]
Allahu (xh.sh) thotë: “Thuaj (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet.”[111]
Ajetet që flasin për këtë kapitull janë të shumta dhe të njohura.
Kurse përsa i përket haditheve janë të shumta dhe të njohura, megjithatë le të përmendim disa prej tyre.
169 (01) – Aishja (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush vjen me diçka të re në çështjen (fenë) tonë, ç’ka nuk është prej saj, ajo gjë e re është e refuzuar.”[112]
E në transemtin e imam Muslimit transmetohet: “Kush vepron një vepër (të re), ç’ka nuk është prej nesh, ajo vepër e re është e refezuar.”
170 (02) – Xhabiri (r.a) ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut (a.s) mbante hytbe (ligjëronte) sytë i skuqeshin, zërin e ngrinte dhe zemërimi i shtohej sikur të ishte një paralajmërues i ushtrisë. Ai (a.s) tha: “Ju ka zënë mëngjesi apo ju ka zënë mbrëmja. Dhe tha: “Unë dhe Çasti (Dita e Kijametit) jemi dërguar si këto të dy” dhe afroi dy gishtat: gishtin tregues dhe të mesëm dhe pastaj tha: “Më pas, Fjala më e mirë është fjala e Allahut dhe udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (a.s). Çështjet më të këqija janë ato të shpikurat, çdo risi është humbje. Dhe pastaj tha: “Unë jam më afër çdo besimtari se vetja e tij. Kush lë pas vetes pasuri, ajo i takon familjes së tij. Por kush le pas vetes borxh apo fëmijë të pafuqishëm (për të jetuar), atëherë ato janë tek unë dhe mbi mua.”[113]
Në këtë kapitull vlen edhe hadithi i Irbadit, i lartpërmendur[114] në kapitullin e tregimit kujdes ndaj kryerjes së veprave të mira
19 – Kapitulli “Kushdo që vjen me një traditë të mirë apo një traditë të keqe”
Allahu (xh.sh) thotë: “Edhe ata që thonë: “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të devotshmit.”[115]
Allahu (xh.sh) thotë: “Ne i bëmë ata udhëheqës që udhëzonin sipas urdhrit Tonë.”[116]
171 (01) – Ebu Amër, Xherir ibn Abdullahu (r.a) ka thënë: “Një mëngjes ishim tek i Dërguari i Allahut (a.s), kur i erdhën disa njerëz këmbëzbathur të cilët kishin veshur rroba të leshta të shqyera ose mantelë që i kishin shtrënguar në mes. Ata ishin të armatosur me shpatë. Shumica e tyre ishin nga fisi Mudar. Madje që të gjithë ata ishin nga fisi Mudar. I Dërguari i Allahut (a.s) kur e pa gjendjen e tyre i ndryshoi fytyra. Hyri e pastaj doli. E thirri Bilalin. Kur ai erdhi, e thirri ezanin e pastaj ikametin. Profeti (a.s) pas kësaj u fal dhe pastaj mbajti një fjalim (hytbe). Mes të tjerash tha: “O njerëz. Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu” duke e cituar ajetin deri në fund “se vërtet Allahu është Mbikqyrës ndaj jush.”[117] Ai (a.s) citoi dhe ajetin e sures Hashr: “O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç ’ka përgatitur për të nesërmen”[118] Njerëzit filluan të japin sadaka në dinarë, dërhemë, rroba, sa’[119] me grurë e hurma (arabe), madje kishte edhe prej atyre që dhanë si sadaka edhe gjysmë hurme. Një burrë nga ensarët erdhi me një deng të plotë, që nuk mund ta mbante në duar, pastaj njerëzit vepruan njëlloj si ai. I kam parë dy pirgje ushqimesh e rrobash, pas së cilës e kam parë fytyrën e të Dërguarit të Allahut (a.s) duke shndritur sikur të ishte prej ari. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Kush vjen në Islam me një traditë të mirë, për të do të shpërblehet dhe po ashtu do të shpërblehet edhe me shpërblimin e atyre që do ta veprojnë pas tij, sakaq atyre nuk do t’ju pakësohet nga shpërblimi i tyre asgjë. Kush vjen në Islam me një traditë të keqe, për të do ketë mëkat dhe ai do të marrë edhe mëkatin e atyre të cilët do ta pasojnë atë traditë pas tij, sakaq atyre nuk do t’u pakësohen nga mëkatet e tyre asgjë.”[120]
“rroba të leshta të shqyera” një mbulesë ose rrobë prej leshi me vija. Kuptimi i shprehjes është: ata që i veshnin këto rroba pasi u kishin hapur vrima në pjesën e kokës për t’i përdorur si veshje.
Fjala arabe “el xheub” do të thotë prerje ose shpim. Prej saj është edhe fjala e Allahut të Lartësuar: “Dhe (kujto) Themudin, të cilët gdhendnin e prisnin shkëmbinjtë në luginë.” Pra, domethënia është se ata i gdhendnin dhe i prisnin shkëmbinjtë.
“i ndryshoi fytyra” pra u shfaqën në të shenjat e pakënaqësisë, shqetësimit ose trishtimit.
“dy pirgje”: dy grumbuj.
“duke shndritur”: nga pastërtia, kthjelltësia dhe ndriçimi (shkëlqimi).
172 (02) – Ibn Mes’udi (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Sa herë që një njeri vritet padrejtësisht, biri i parë i Ademit do të ketë hise nga gjaku i tij, sepse ai është njeriu i parë që ka sjellur risinë e vrasjes.”[121]
20 – Kapitulli “Orientimi për tek rruga e mirë dhe thirrjes për tek udhëzimi ose devijimi”
Allahu (xh.sh) thotë: “Dhe thirr për tek Zoti yt!”[122]
Allahu (xh.sh) thotë: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me men=uri dhe këshillë të bukur!”[123]
Allahu (xh.sh) thotë: “Bashkëpunoni me njëri-tjetrin në punë të mira dhe në devotshmëri!”[124]
Allahu (xh.sh) thotë: “Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë për në mirësi!”[125]
173 (01) – Ebu Mes’ud, Ukbe ibn Amër el Ensari el Bedri (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush i orienton njerëzit për tek një e mirë, ai do të marrë të njëjtin shpërblim të atij që e vepron atë të mirë.”[126]
174 (02) – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush i thërret të tjerët në rrugë të drejtë, ai do të shpërblehet aq sa do të shpërblehet edhe ai që e ndjek (duke vepruar sipas thirrjes së tij), pa u zvogëluar aspak nga shpërblimi i atyre që e kryejnë. Dhe kushdo që thërret në rrugë të shtrembër do të mbart mëkat po aq sa kanë edhe ata që e ndjekin, pa u zvogëluar aspak mëkati i tyre.”[127]
175 (03) – Ebu Abas, Sehl ibn Sa’d es Saidi (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) në betejën e Hajberit ka thënë: “Nesër kam për t’ia dhënë flamurin një njeriu të cilit Allahu ka për t’ia mundësuar fitoren. Ai e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe Allahu dhe i Dërguari i Tij e duan atë.” Njerëzit e kaluan natën duke menduar se kush do të ishte ai që do t’i jepej flamuri. Të nesërmen në mëngjes, njerëzit shkuan tek i Dërguari i Allahut (a.s) duke shpresuar secili prej tyre që t’i jepej flamuri. Ai (a.s) tha: “Ku është Ali ibn Ebi Talibi?” Të pranishmit i thanë: “O i Dërguar i Allahut! Ai po vuan nga sytë.” Ai (a.s) tha: “Thirreni që të vijë!” Kur ai erdhi, i Dërguari i Allahut (a.s) pështyu në sytë e tij dhe u lut për të, dhe ai u shërua sikur të mos kishte pasur fare dhimbje. Pastaj ai (a.s) ia dha atij flamurin. Aliu tha: “O i Dërguar i Allahut! A t’i luftoj ata derisa të jenë si ne?” I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Shko me qetësi derisa të mbërrish në vendin e tyre! Pastaj ftoji në Islam dhe tregoju çfarë detyrimesh kanë ata tek Allahu! Pasha Allahun, nëse Ai të bën sebep që të udhëzohet një njeri i vetëm është më mirë për ty sesa të kesh deve të kuqërremtë.”[128]
176 (04) – Enesi (r.a) transmeton se një djalosh i ri nga fisi Eslem tha: “O i Dërguar i Allahut! Dëshiroj të marr pjesë në luftë, por nuk kam me çfarë të përgatitem?” I Dërguar i Allahut (a.s) tha: “Shko te filani, sepse ai ishte përgatitur për luftë, por është sëmurë (dhe nuk do ta marrë pjesë në luftë)!” Djaloshi i ri shkoi tek ai person dhe i tha: “I Dërguari i Allahut (a.s) të çon selam dhe thotë: “Më jep atë që ti je përgatitur!” Ai tha: “Oj filane (gruaja e tij), jepi atij gjithçka që kam përgatitur dhe mos mbaj asgjë për vete. Pasha Allahun mos mbaj asgjë për vete, sepse ti do të bekohesh për këtë gjë.”[129]
21 – Kapitulli “Bashkëpunimi në të mirë dhe devotshmëri”
Allahu (xh.sh) thotë: “Bashkëpunoni me njëri-tjetrin në punë të mira dhe në devotshmëri!”[130]
Allahu (xh.sh) thotë: “Pasha kohën, me të vërtetë njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë, bëjnë vepra të mira, këshillojnë për tek e Vërteta dhe këshillojnë për të bërë durim.”[131]
Imam Shafi’i (r.h) pak as shumë ka thënë: “Të gjithë njerëzit ose pjesa dërrmuese e tyre tregohen gafilë ndaj reflektimit të kësaj sureje.”
177 (01) – Ebu Abdurrahman, Zejd ibn Halid el Xhuhejni (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush përgatit një luftëtar në rrugë të Allahut edhe ai konsiderohet sikur ka luftuar. E kush kujdeset për familjarët e luftëtarit që të jenë mirë, edhe ai konsiderohet sikur ka luftuar.”[132]
178 (02) – Ebu Seid el Hudri (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) dërgoi një grup ushtarësh nga fisi Hudhejl tek fisi Benu Lahjan (për t’i luftuar). Ai (a.s) tha: “Nga çdo dy burra, njëri prej tyre duhet të shkojë dhe shpërblimi do të ndahet mes të dyve.”[133]
179 (03) – Ibn Abasi (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) u takua në Rauha me një karvan. Ai pyeti: “Kush jeni ju?” Ata thanë: “Ne jemi muslimanë.” Ata pyetën: “Po ti kush je?” Ai tha: “Unë jam i Dërguari i Allahut.” Një grua prej tyre ngriti një fëmijë të vogël dhe tha: “A ka haxh për këtë (fëmijë)?” Ai tha: “Po dhe ti do të shpërblehesh për këtë.”[134]
180 (04) – Ebu Musa el Esh’ari transmeton se Profeti (a.s) ka thënë:“Kujdestari (ruajtësi i pasurisë) musliman i besueshëm i cili e zbaton urdhërin ashtu siç është urdhëruar dhe jep në mënyrë plotë, dhe këtë e bën me zemër të pastër, dhe ia dorëzon (pasurinë) atij të cilit është urdhëruar për t’ia dhënë, ai (kudejstari) është njëri prej dy mirëbërësve.”[135]
Dhe në një transmetim tjetër thuhet: “Ai i cili e jep atë për të cilën është urdhëruar.”
22 – Kapitulli “Këshilla”
Allahu (xh.sh) thotë: “Me të vërtetë, besimtarët janë vëllezër.”[136]
Allahu (xh.sh) na njofton se Nuhu (a.s) ka thënë: “Dhe unë po ju këshilloj juve.”[137]
Po ashtu, Allahu (xh.sh) na njofton se Hudi (a.s) ka thënë: “Unë për ju jam një këshillues besnik.”[138]
Kurse përsa i përket haditheve:
181 (01) – Ebu Rukajje, Temim ibn Eus ed Dari (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Feja është këshillë. Disa pyetën: Për kë është këshillë? Ai (a.s) tha: “Për Allahun, Librin e Tij, për të Dërguarin e Tij, për prijësit e besimtarëve dhe masën e gjerë të tyre.”[139]
182 (02) – Xherir ibn Abdulla (r.a) ka thënë: “I dhashë besën të Dërguarit të Allahut (a.s) për të falur namazin, për të dhënë zekatin dhe për të këshilluar çdo musliman.”[140]
183 (03) – Enesi (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Askush prej jush nuk ka besim (të plotë) derisa të dojë për vëllaun e tij atë që do për veten e vet.”[141]
23 – Kapitulli “Urdhëresës për mirë dhe ndalesës nga e keqja”
Allahu (xh.sh) thotë: “Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë për në mirësi, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara! Këta njerëz do të jenë të shpëtuar”[142]
Allahu (xh.sh) thotë: “Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat…”[143]
Allahu (xh.sh) thotë: “Trego mëshirë, urdhëro vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit!”[144]
Allahu (xh.sh) thotë: “Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin. Ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat.”[145]
Allahu (xh.sh) thotë: “Ata benu israilitë që ishin mohues, u mallkuan me gjuhën e Dautit dhe të Isait, të birit të Merjemes, për shkak se kundërshtonin, shkelnin çdo kufi dhe nuk e ndalonin njëri-tjetrin të bënin vepra të këqija.”[146]
Allahu (xh.sh) thotë: “Dhe thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj. Kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë.”[147]
Allahu (xh.sh) thotë: “Ti prediko haptazi atë që të është urdhëruar!”[148]
Allahu (xh.sh) thotë: “Ne i shpëtuam ata që këshillonin, kurse i ndëshkuam ashpër keqbërësit, për shkak të mosbindjes së tyre.”[149]
Ajetet që flasin për këtë temë janë të shumta dhe të njohura.
Kurse përsa i përket haditheve:
184 (01) – Ebu Seid el Hudri (r.a) ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Kush prej jush vëren një të keqe, atëherë le ta ndryshojë atë me dorë. Nëse nuk ka mundësi, atëherë le ta ndryshojë me gojë. E nëse nuk ka mundësi, atëherë le ta ndryshojë me zemër. E kjo është grada më e ulët e besimit.”[150]
185 (02) – Ibn Mes’udi (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Çdo profet të cilin Allahu e ka dërguar në një popull para meje, nga mesi i popullit (ku është dërguar) ka pasë havarijunë (përkrahës) dhe shokë të cilët kanë ndjekur rrugën e tij dhe kanë zbatuar porositë e tij. Mirëpo pas tyre janë shfaqur gjenerata njerëzish të cilët atë gjë që e kanë thënë nuk e kanë vepruar dhe kanë vepruar ato gjëra për të cilat nuk ishin urdhëruar. Prandaj kushdo që i lufton ata me dorën e tij është besimtar, kushdo që i lufton ata me zemrën e tij është besimtar dhe kushdo që i lufton ata me gjuhën e tij është besimtar. Përtej kësaj nuk mbetet as edhe një grimcë (farë sinapi) e vogël besimi.”[151]
186 (03) – Ebu Uelid, Ubade ibn Samit (r.a) ka thënë: “I kemi dhënë besën të Dërguarit të Allahut (a.s) që do të jemi të dëgjueshëm dhe të bindur (ndaj udhëheqësit) në situatë vështirësie dhe lehtësimi sikur të jemi aktivë apo të lodhur dhe edhe kur të tjerëve u jepet përparësi ndaj nesh në mënyrë të padrejtë. Dhe (kemi dhënë besën) se nuk do t’ua kontestojmë udhëheqjen atyre, përveç nëse ju vëreni nga ana e tyre mosbesim të hapët, për të cilin keni argument nga Allahu i Lartësuar. Dhe i jemi betuar (profetit) se do të flasim vetëm të vërtetën kudo që të jemi dhe se nuk do t’i frikësohemi qortimit të askujt në lidhje me Allahun.”[152]
“situatë vështirësie dhe lehtësimi”: rrethana të vështira dhe rrethana të lehta.
“u jepet përparësë” nënkupton: përvetësimin ekskluziv të diçkaje që në thelb është e përbashkët për të gjithë. Shpjegimi i saj është përmendur më herët.
“të hapët”: haptazi, qartazi dhe në mënyrë të dukshme, pa lënë vend për interpretim ose dykuptimësi.
187 (04) – Nu’man ibn Beshir (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Shembulli i atij personi i cili i respekton kufinjtë e Allahut dhe të atij që nuk i respketon është si shembulli i atyre njerëzve që hedhin short në një anije. Disa prej tyre ju ra shorti që të qëndronin lart, kurse të tjerëve që të qëndronin poshtë. Ata të cilët ju ra shorti për të qëndruar poshtë kishin nevojë për ujë (i cili ishte lart) shkuan tek ata që ishin lart dhe thanë: Sikur të hapim një vrimë në pjesën tonë dhe mos t’i shqetësojmë ata që janë lart?! Nëse ata që janë lart do t’i lejojnë ata që janë poshtë të veprojnë atë që dëshirojnë, atëherë që të gjithë do të shkatërrohen. E nëse i kapin prej dore (duke mos i lejuar të veprojnë siç dëshirojnë), atëherë që të gjithë do të shpëtojnë.”[153]
“i cili i respekton kufinjtë e Allahut dhe të atij që nuk i respketon”: ai që i refuzon (shkelësit e kufinjve të Allahut) dhe që përpiqet t’i pengojë dhe largojë ata
“kufinjtë e Allahut”: gjërat që Allahu i ka ndaluar
“hedhin short”: vendosin me short
188 (05) – Nëna e besimtarëve, Ummu Seleme, Hind bintu Ebi Umeje Hudhejfe (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Mbi ju do të vendosen udhëheqës të cilët për disa veprime të tyre do të jeni të kënaqur dhe për të tjera do t’i urreni. Ai i cili i urren ato veprime është i pafajshëm (nga mëkatet), e kush i refuzon do të shpëtojë. Por (sa keq) për ata të cilët do të jenë të kënaqur (me veprimet e tyre të këqija) dhe do t’i pasojnë. Disa të pranishëm thanë: “O i Dërguar i Allahut! A t’i luftojmë ata (udhëheqësit).” Ai tha: “Jo, përderisa ata falin namazin.”[154]
Kuptimi është: ai që e urren me zemrën e tij dhe nuk ka mundësi ta kundërshtojë me dorë apo me gjuhë, është i pastër nga mëkati dhe e ka kryer detyrën e tij; ndërsa ai që kundërshton sipas mundësisë së tij, shpëton nga kjo mëkati; kurse ai që pajtohet me veprimin e tyre dhe i pason ata, ai është mëkatar.
189 (06) – Nëna e besimtarëve, Ummu Hakem, Zejneb bintu Xhahshin (r.a) transmeton se Profeti (a.s) hyri tek ajo i shqetësuar dhe tha: “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Mjerë për arabët nga e keqja që po ju afrohet. Sot është hapur nga penda e Jexhuxh Me’xhuxhëve një e çarë sa kjo” dhe me gishtin tregues dhe të madh bëri një rrethore. Unë i thashë: “O i Dërguar i Allahut, a do të shkatërrohemi dhe në mesin tonë do të ketë njerëz të devotshëm?!” Ai tha: “Po (kjo ka për të ndodhur) kur degjenerimi të shtohet.”[155]
190 (07) – Ebu Seid el Hudri (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Shmanguni nga ulja në rrugë! Të pranishmit thanë: “O i Dërguar i Allahut, por ne duhet me patjetër që të ulemi e të bisedojmë?!” I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Nëse e refuzoni dhe duhet me patjetër që të uleni, atëherë jepini rrugës hakun që i takon.” Ata thanë: “Dhe cili është haku i rrugës o i Dërguar i Allahut?” Ai tha: “Të ulni shikimin, të mos dëmtoni (kënd) t’ia ktheni përshëndetjen atij që ju përshëndet, të urdhëroni për mirë dhe të ndaloni nga e keqja.”[156]
191 (08) – Ibn Abasi (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) pa në dorën e një burri një unazë floriri. Ai e nxorri, e hodhi poshtë dhe tha: “Ndonjëri prej jush drejtohet për nga (merr) thëngjilli i zjarrit dhe e vendos atë në dorën e vet.” Pasi i Dërguari i Allahut (a.s) iku, disa njerëz i thanë: “Merre unazën tënde dhe përfito prej saj!” Ai tha: “Jo, pasha Allahun nuk do ta marrë atë kurrë përderisa i Dërguari i Allahut (a.s) e ka hedhur atë poshtë.”[157]
192 (09) – Ebu Seid el Hasan el Basri transmeton se Aidh ibn Amër (r.a) hyri tek Ubejdulla ibn Zijad dhe i tha: “Biri im! Unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Vërtet, valiu më i keq është ai që i bën padrejtësi njerëzve.” (Aidhi) tha: “Ruaju që të mos jesh prej tyre!” Ubejdullahi i tha Aidhit: “Ulu se ti je nga shokët e pavlerë të Muhamedit (a.s)!” Ai (Aidhi) tha: “Dhe a ka pasë ai (a.s) shokë të pavlerë? Të pavlerë kanë qenë ata që erdhën pas tij dhe të tjerë.”[158]
193 (10) – Hudhejfe (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Betohem në emër të Atij që shpirti im është në dorën e Ti,j se do të urdhëroni për mirë dhe do të ndaloni nga e keqja, ose përndryshe shumë shpejt do të vijë koha kur Allahu do t’ju dërgojë një ndëshkim prej Tij, ju do të luteni dhe lutja nuk ka për t’ju pranuar.”[159]
194 (11) – Ebu Seid el Hudri (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Xhihadi më i mirë është thënia e fjalës së drejtë para sundimtarit zullumqar.”[160]
195 (12) – Ebu Abdulla, Tarik ibn Shihab el Bexheli el Ahmesij (r.a) transmeton se një burrë i cili e kishte vendosur këmbën e tij në yzengji e ka pyetur Profetin (a.s): “Kush është xhihadi më i mirë?” Ai është përgjigjur: “Fjala e vërtetë që thuhet para sundimtarit zullumqar.”[161]
“yzengji”: është yzengjia e samarit të devesë, kur ajo është e bërë prej lëkure ose prej druri
196 (13) – Ibn Mes’udi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Gjëja e parë që shkaktoi mangësi tek Benu Israilët ishte se një njeri takonte dikënd dhe i thoshte: “O ti, kij frikë Allahun dhe lëre atë që po bën, sepse nuk është e lejuar për ty.” Mirëpo të nesërmen e takonte sërish duke bërë të njëjtën gjë dhe kjo nuk e pengonte atë të hante, të pinte ose të rrinte me të. Kur vepruan kështu, Allahu i bëri zemrat e tyre të ngjashme dhe tha: “Mallkuar qofshin ata që mohuan nga bijtë e Izraelit përmes gjuhës së Daudit dhe Isait, birit të Merjemes. Kjo ndodhi për shkak se ata kundërshtonin dhe i tejkalonin kufinjtë. Nuk e ndalonin njëri – tjetrin nga e keqja që bënin. Ti i sheh shumë prej tyre që miqësohen me ata që mohojnë. E keqe është ajo që shpirtrat e tyre kanë përgatitur për ta.”[162] Më pas Profeti (a.s) tha: “Jo, për Allahun, ju duhet të urdhëroni për të mirë dhe të ndaloni nga e keqja, duhet të ndaloni të padrejtin dhe ta detyroni atë të qëndrojë në të drejtën, përndryshe Allahu do t’i bëjë zemrat e juaja të ngjashme dhe do t’ju mallkojë siç i mallkoi ata.” [163] Ky është transmetimi i Ebu Daudit.
E në transmetimin e Tirmidhiut thuhet se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur Benu Israilët filluan të mëkatonin, dijetarët i ndaluan por ata nuk ndalën së mëkatuari. Më pas ata (dijetarët) u ulën në kuvendet e tyre, hëngrën dhe pinë së bashku. Për këtë, Allahu i bëri zemrat e tyre të ngjashme dhe i mallkoi përmes gjuhës së Daudit dhe Isait, birit të Merjemes për shkak të kryerjes së mëkateve dhe për shkak se e kaluan kufirin. I Dërguari i Allahut (a.s) ishte i mbështetur, u ul dhe tha: Pasha Atë në të cilin shpirti im është në dorën e Tij, ju duhet t’i detyroni ata (të padrejtit) të kthehen në të drejtën.”[164]
“të ndaloni”: t’i përkulni
“ta detyroni”: ta pengoni
197 (14) – Ebu Bekër Siddik (r.a) ka thënë: “O ju njerëz! Ju e lexoni këtë ajet: “O ju të cilët keni besuar! Kujdesuni për veten. Ai që ka humbur nuk ju dëmton juve, kur jeni në rrugë të drejtë.”[165] Por unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Kur njerëzit do të shikojnë nga zullumqari (të veprojë padrejtësisht) dhe nuk e frenojnë atë, atëherë së shpejti, ata do t’i përfshijë një ndëshkim nga Allahu.”[166]
24 – Kapitulli “Ndëshkimi i ashpër për atë që urdhëron për mirë dhe ndalon nga e keqja dhe vepra e tij e kundërshton fjalën e tij”
Allahu (xh.sh) thotë: “Vallë, a i urdhëroni njerëzit që të bëjnë të mira e veten po e harroni, ju që lexoni Shkrimet?! A nuk arsyetoni?”[167]
Allahu (xh.sh) thotë: “O besimtarë, përse thoni atë që nuk e bëni? Është shumë e urryer për Allahun të thoni atë që nuk e bëni!”[168]
Allahu (xh.sh) thotë: “Unë nuk dëshiroj të bëj atë, që ju ndaloj juve.”[169]
198 (01) – Ebu Zejd, Usame ibn Harithe (r.a) ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Në Ditën e Kijametit do të sjellin një njeri dhe do ta hedhin në Zjarr. Zorrët e barkut do t’i dalin jashtë dhe do të rrotullohet së bashku me to, ashtu sikur rrotullohet gomari në rrotulluesen e mullirit. Banorët e Zjarrit do të mblidhen përreth tij dhe do të thonë: “O ti filan! Çfarë ke? A nuk ishe ti që urdhëroje për mirë dhe ndaloje nga e keqja?!” Ai do të thotë: “Po është e vërtetë. Unë kam pasë urdhëruar për mirë, por nuk e veproja të mirën dhe kam pasë ndaluar nga e keqja, por e veproja atë.”[170]
“dalin jashtë”: përjashta
“zorrët e barkut”: organet e brendshme të barkut
25 – Kapitulli “Urdhërimi për të përmbushur amanetin”
Allahu (xh.sh) thotë: “Allahu ju urdhëron që amanetet t’jua ktheni atyre që u përkasin.”[171]
Allahu (xh.sh) thotë: “Ne ua ofruam amanetin qiejve, Tokës dhe maleve, por ata nuk pranuan ta marrin përsipër dhe u frikësuan ta pranojnë atë, kurse njeriu e pranoi. Me të vërtetë, njeriu u tregua i padrejtë me veten dhe i paditur.”[172]
199 (01) – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Shenjat e hipokritit janë tre: Kur flet gënjen, kur jep një premtim nuk e përmbush dhe kur i lihet një amanet tradhton.”[173]
Dhe në një transmetim tjetër thuhet: “edhe nëse ai agjëron, falet dhe pretendon se është musliman.”
200 (02) – Hudhejfe ibn Jemani (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) na tregoi dy tregime, njërin prej të cilëve e kam parë të ndodhë, sakaq po pres që të ndodhë edhe tjetri. Ai (a.s) na tha se “Amaneti është ngulitur në thellësi të zemrave të burrave. Më vonë u shpall Kurani dhe ata e mësuan atë nga Kurani dhe nga Suneti i Profetit (a.s).” Ai (a.s) na foli gjithashtu edhe për humbjen e amanetit duke thënë: “Njeriu do të shkojë të flejë dhe do t’i hiqet amaneti nga zemra, duke i mbetur vetëm gjurmë të vogla. Pastaj ai do të flejë përsëri e do t’i hiqet nga zemra edhe ajo gjurmë e tij, duke i mbetur vetëm një shenjë si ajo flluska e ngritur mbi lëkurë, kur në këmbë bie një prush zjarri. Në të vërtetë, kjo flluskë nuk ka brenda asgjë. Kështu pra, do vijë një ditë kur njerëzit do të bëjnë tregti me njëri-tjetrin, saqë është shumë e vështirë që në mesin e tyre të gjesh ndonjë të besuar. Pastaj do të thuhet se në filan fis është një njeri i besuar, që do të çmohet për zgjuarsinë e tij, për sjellje të mira dhe për forcën e besimit dhe të karakterit që ka, ndonëse në të vërtetë ai nuk do të ketë besim në zemër as sa një farë sinapi.” Pastaj Hudhejfe shton: Unë e mbërrita tashmë kohën kur nuk shqetësohesha se me cilin bëja tregti, sepse nëse ai ishte musliman, feja e tij do ta pengonte të mashtronte. Ndërsa po të ishte i krishterë, apo hebre atëherë sundimtari i tij musliman do ta ndalonte që të mashtronte. Kurse sot unë nuk mund të bëj tregti përveçse me filan fistekun.”[174]
“thellësi”: në rrënjë
“gjurmë të pakta”: të vogla
“flluska”: kallo
“ngritur mbi lëkurë”: sipër
“sundimtari”: valiu
[1] – Buhariu (6487) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2823).
[2] – Muslimi (772).
[3] – Buhariu (1135) dhe Muslimi (773).
[4] – Buhariu (6514) dhe Muslimi (2960).
[5] – Buhariu (6488).
[6] – Muslimi (489).
[7] – Muslimi (488).
[8] – Tirmidhiu (2329). Hadithi është Hasen.
[9] – Sure Ahzab: 23.
[10] – Buhariu (2805) dhe Muslimi (1903).
[11] – Sure Teube: 79.
[12] – Buhariu (1415) dhe Muslimi (1018).
[13] – Muslimi (2577).
[14] – Sure Fatir: 37.
[15] – Buhariu (6419).
[16] – Sure Nasr: 1.
[17] – Sure Nasr: 3.
[18] – Buhariu (4294).
[19] – Sure Nasr: 1.
[20] – Buhariu (4967) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (484).
[21] – Sure Nasr: 3.
[22] – Buhariu (4982) dhe Muslimi (3016).
[23] – Muslimi (2878).
[24] – Sure Bekare: 215.
[25] – Sure Bekare: 197.
[26] – Sure Zelzele: 7.
[27] – Sure Xhathije: 15.
[28] – Buhariu (2518) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (84).
[29] – Muslimi (720).
[30] – Muslimi (553).
[31] – Muslimi (1006).
[32] – Muslimi (2626).
[33] – Buhariu (2989) dhe Muslimi (1009).
[34] – Muslimi (1007).
[35] – Buhariu (662) dhe Muslimi (669).
[36] – Buhariu (2566) dhe Muslimi (1030)
[37] – Buhariu (9) dhe Muslimi (35).
[38] – Buhariu (2363) dhe Muslimi (2244).
[39] – Muslimi (1914).
[40] – Buhariu (652).
[41] – Muslimi (857).
[42] – Muslimi (244).
[43] – Muslimi (233).
[44] – Muslimi (251).
[45] – Buhariu (574) dhe Muslimi (635).
[46] – Buhariu (2996).
[47] – Buhariu (6021).
[48] – Muslimi (1005).
[49] – Muslimi (1552).
[50] – Muslimi (665).
[51] – Buhariu (656)
[52] – Muslimi (663).
[53] – Buhariu (2631).
[54] – Buhariu (1417) dhe Muslimi (1016).
[55] – Buhariu (1413) dhe Muslimi (1016).
[56] – Muslimi (2734).
[57] – Buhariu (6022) dhe Muslimi (1008).
[58] – Sure Taha: 1 – 2.
[59] – Sure Bekare: 185.
[60] – Buhariu (43).
[61] – Buhariu (5063) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1401).
[62] – Muslimi (2670).
[63] – Buhariu (39).
[64] – Buhariu (1150) dhe Muslimi (784).
[65] – Buhariu (212) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (786).
[66] – Muslimi (866).
[67] – Buhariu (1968).
[68] – Buhariu (1976) dhe Muslimi (1159). Të gjitha këto transmetime janë të transmetuara tek Buhariu dhe Muslimi ose tek njëri prej tyre.
[69] – Muslimi (2750).
[70] – Buhariu (6704).
[71] – Sure Hadid: 16.
[72] – Sure Hadid: 27.
[73] – Sure Nahl: 92.
[74] – Sure Hixhr: 99.
[75] – Hadithi 142.
[76] – Muslimi (747).
[77] – Buhariu (1152) dhe Muslimi (1159).
[78] – Muslimi (746).
[79] – Sure Hashr: 7.
[80] – Sure Nexhm: 3 – 4.
[81] – Sure Ali Imran: 31.
[82] – Sure Ahzab: 21.
[83] – Sure Nisa: 65.
[84] – Sure Nisa: 59.
[85] – Sure Nisa: 80.
[86] – Sure Shura: 52.
[87] – Sure Nur: 63.
[88] – Sure Ahzab: 34.
[89] – Buhariu (7288) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1337).
[90] – Ebu Daudi (4607) dhe Tirmidhiu (2676). Hadithi është Hasen Sahih.
[91] – Buhariu (7280).
[92] – Muslimi (2021).
[93] – Buhariu (717) dhe Muslimi (436).
[94] – Buhariu (6294) dhe Muslimi (2016).
[95] – Buhariu (79) dhe Muslimi (2282).
[96] – Muslimi (2285).
[97] – Muslimi (2033).
[98] – Sure Enibija: 103.
[99] – Sure Maide: 117.
[100] – Buhariu (4625) dhe Muslimi (2860).
[101] – Buhariu (6220) dhe Muslimi (1954).
[102] – Buhariu (1597) dhe Muslimi (1270) me tekstin në fjalë.
[103] – Sure Nisa: 65.
[104] – Sure Nur: 51.
[105] – Sure Bekare: 283.
[106] – Muslimi (125).
[107] – Sure Junus: 32.
[108] – Sure En’am: 38.
[109] – Sure Nisa: 59.
[110] – Sure En’am: 153.
[111] – Sure Ali Imran: 31.
[112] – Buhariu (2697) dhe Muslimi (1718).
[113] – Muslimi (867).
[114] – Hadithi nr 157.
[115] – Sure Furkan: 74.
[116] – Sure Enbija: 73.
[117] – Sure Nisa: 1.
[118] – Sure Hashr: 18.
[119] – Njësi matëse e peshës në atë kohë.
[120] – Muslimi (1017).
[121] – Buhariu (7321) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1677).
[122] – Sure Kasas: 87.
[123] – Sure Nahl: 125.
[124] – Sure Maide: 2.
[125] – Sure Ali Imran: 104.
[126] – Muslimi (1893).
[127] – Muslimi (2674).
[128] – Buhariu (4210) dhe Muslimi (2406).
[129] – Muslimi (1894).
[130] – Sure Maide: 2.
[131] – Sure Asr: 1 – 3.
[132] – Buhariu (2843) dhe Muslimi (1895).
[133] – Muslimi (1896).
[134] – Muslimi (1336).
[135] – Buhariu (1438) me pak ndryshim dhe Muslimi (1023)
[136] – Sure Huxhurat: 10.
[137] – Sure A’raf: 62.
[138] – Sure A’raf: 68.
[139] – Muslimi (55).
[140] – Buhariu (57) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (56).
[141] – Buhariu 13 dhe Muslimi (45).
[142] – Sure Ali Imran: 104.
[143] – Sure Ali Imran: 110.
[144] – Sure A’raf: 199.
[145] – Sure Teube: 71.
[146] – Sure Maide: 78 – 79.
[147] – Sure Kehf: 29.
[148] – Sure Hixhr: 94.
[149] – Sure A’raf: 165.
[150] – Muslimi (49).
[151] – Muslimi (50).
[152] – Buhariu (7056) dhe Muslimi (1709).
[153] – Buhariu (2493).
[154] – Muslimi (1854).
[155] – Buhariu (3598) dhe Muslimi (2880).
[156] – Buhariu (2465) dhe Muslimi (2121).
[157] – Muslimi (2090).
[158] – Muslimi (1830).
[159] – Tirmidhiu (2169). Hadithi është Hasen.
[160] – Ebu Daudit (4344) dhe Tirmidhiu (2315). Hadithi është Sahih li gajrihi.
[161] – Nesaiu (4209). Hadithi është Sahih.
[162] – Sure Maide: 78 – 81.
[163] – Ebu Daudi (4336). Hadithi është Daif.
[164] – Tirmidhiu (3047). Hadithi është Daif
[165] – Sure Maide: 105.
[166] – Ebu Daudi (4338), Tirmidhiu (3057), Nesaiu (1157) dhe të tjerë. . Hadithi është Sahih.
[167] – Sure Bekare: 44.
[168] – Sure Saf: 2 – 3.
[169] – Sure Hud: 88.
[170] – Buhariu (3267) dhe Muslimi (2989).
[171] – Sure Nisa; 58.
[172] – Sure Ahzab: 72
[173] – Buhariu (33) dhe Muslimi (59).
[174] – Buhariu (6497) dhe Muslimi (143).



















