A i ka bërë “WhatsApp”-i fëmijët tanë jetimë?

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Të shumtë janë ato artikuj që në të kaluarën e afërt janë shkruajtur rreth faktit që me edukimin e fëmijëve duhet të merren shërbëtorët, sidomos pasi prezenca e tyre në shtëpitë tona u bë fenomen[1]. Po ashtu më herët, të tjerë artikuj janë shkruar rreth angazhimit të gruas në punë dhe largimin e saj nga edukimi i fëmijëve, apo për mungesën e përkujdesjes prindërore për shkak të angazhimit të babait.
Sot, ne nuk flasim më për shërbëtorët, as për punën dhe neglizhencën në edukim, por vëmendja e prindërve është fokusuar tek rrjetet sociale, duke bërë që ata të shpërfillin fëmijët dhe të mos i edukojnë apo të japin orientimet e duhura.

Shumë prindër janë zhytur në përdorimin e aplikacioneve të komunikimit falas si (Whats App, Tango, Viber, Skype) apo rrjeteve sociale si (Instagram, Twitter, Keek, Facebook). Ndoshta, nga rrjetet sociale më të përdorurit sot nga prindërit janë WhatsApp-i dhe Instagram-i, saqë kjo gjeneratë është cilësuar si “gjenerata e qafës së përkulur”, për shkak të përkuljes së vazhdueshme të kokës tek telefonët celularë.

WhatsApp-i sot po menaxhon kohën tonë, saqë kemi humbur ndjesinë e shijimit të jetës, meditimin rreth natyrës, reflektimin mbi ngjarjet, fokusimin tek objektivat dhe vazhdimësinë për të arritur suksesin.

Kështu që, sot shqetësimi i secilit prej nesh është më shumë për të shpërndarë lajme dhe ngjarje që ndodhin rreth tij, sesa për të bashkëvepruar me vetë ngjarjen. Nëse dikush sheh një aksident mes dy makinave, mendimi i parë i tij është ta postojë lajmin, para se të mendojë apo të nxitojë për të ndihmuar të plagosurit.

Madje, mund të gjesh dikë ulur në repartin e kujdesit intensiv, pranë babait apo nënës së tij në momentet e fundit të jetës, e megjithatë ai është më i zënë me postimin e lajmeve në WhatsApp apo Instagram sesa me lutje apo përkujdesje ndaj tyre.

Po ashtu, mund të shohësh fëmijë duke vrapuar e duke luajtur pa asnjë drejtim apo edukim në shtëpi, ndërsa nëna e tyre është në dhomën e gjumit duke dërguar foto apo video në WhatsApp, dhe babai është i zënë me dërgimin e barcaletave dhe shakave për miqtë e tij në WhatsApp!

Disa prindër ankohen për faktin që fëmijët e tyre janë të zënë me teknologjinë, por po të vëzhgonin veten e tyre, do të vërenin se janë më të përfshirë me postime në WhatsApp apo në Instagram sesa vetë fëmijët e tyre. Kemi arritur në një kohë kur me plot të drejtë mund t’i quajmë fëmijët tanë “jetimë të teknologjisë”.

Varësia e tepruar nga telefonat inteligjent është bërë tipari dallues i këtij shekulli. Më kujtohet një ditë, një grua më tha: “Dëshira ime në jetë është të bëhem një telefon inteligjent, që burri dhe fëmijët e mi të më mbajnë në duar gjatë gjithë ditës.” Buzëqesha nga ky përshkrim, sepse shprehte me saktësi gjendjen që po përjetojmë sot.

Një burrë, para dy ditësh, më ankohej për mënyrën se si gruaja e tij ishte tepër e lidhur me mikeshat në WhatsApp dhe me postimet në Instagram, dhe se gjithë kjo ndodhte në kurriz të përkujdesjes së saj për shtëpinë, edukimit të fëmijëve dhe ndjekjes së mësimeve të tyre.

Ngaqë prindërit janë lidhur kaq shumë me teknologjinë e shpejtë dhe telefonat inteligjent, ata tashmë duan t’i zgjidhin edhe problemet e tyre edukative me të njëjtin ritëm të shpejtë si teknologjia. Mendojnë se problemet e edukimit zgjidhen shpejt, njësoj sikur  të ngrohësh ushqimin në mikrovalë — me një seancë apo një këshillë të vetme.

Por ky “edukim me mikrovalë” është i pamundur, sepse njeriu nuk është makinë apo pajisje teknologjike. Edukimi i tij kërkon durim, këshilla të vazhdueshme, ndjekje të kujdesshme dhe fleksibilitet në qasjen ndaj tij, në mënyrë që të drejtohet sjellja dhe të arrihet një edukim i mirë.

Sot, prindërit kanë humbur kontrollin mbi edukimin e fëmijëve të tyre – qoftë në ushqim, në veshje, në moral apo në zhvillimin e aftësive – për shkak të angazhimit të tepërt me vetveten dhe teknologjinë që kanë në duar. Fëmijët po vuajnë nga mbipesha, ushqyerja e keqe, mungesa e oreksit, sëmundje të ndryshme psikologjike dhe rritja e dhunës, e gjitha kjo si pasojë e shpërfilljes nga ana e prindërve që janë zhytur në botën e WhatsApp-it, i cili çdo ditë qarkullon më shumë se 27 miliardë mesazhe.

WhatsApp-i është kthyer në një vend të përshtatshëm për përhapjen e skandaleve, zbulimin e sekreteve, kërcënimeve, divorceve dhe shikimin e pamjeve të pahijshme.

Dy ditë më parë, fola me ndjekësit në platformën Keek rreth një teme me titull: “Mami dhe babi online”, shumica e ndjekësve ishin të rinj dhe vajza. U thashë atyre: Prindërit sot janë online me shoqërinë dhe marrëdhëniet e tyre më shumë se me fëmijët e tyre. Pastaj, me humor shtova: Ndërsa me fëmijët e tyre janë “offline”.

Brenda pak orësh, kjo temë mori më shumë se 4000 pëlqime (like) dhe mbi 100 komente nga djem e vajza. Ajo që më tërhoqi vëmendjen ishin disa komente si:

Njëri tha: “Na thoshin ne të lëmë telefonat, tani janë bërë si ne.”

Tjetri tha: “Edhe shërbëtorët tanë janë si prindërit tanë.”

Një vajzë shkroi: “Mami la pas emisionet e saj televizive dhe tani është 24 orë në WhatsApp.”

Një tjetër tha: “Babi ka mike dhe lidhje, është i varur nga WhatsApp-i.”

Një koment tjetër: “Mami është e zënë me WhatsApp-in dhe babi me udhëtimet e tij me shoqërinë.”

Një vajzë tha: “Nëse dua diçka nga babi, i dërgoj mesazh në WhatsApp dhe më kthen përgjigje pas një ore, ndërsa kur i shkruajnë shokët, i kthen menjëherë.”

Një nënë shkroi: “Sa herë që marr telefonin, djali im i vogël afrohet, mbulon ekranin me dorën e tij dhe më shikon sikur po më thotë: ‘Unë jam më i rëndësishëm’.”

Këto janë disa reagime rreth varësisë së prindërve nga WhatsApp-i dhe rrjetet sociale, dhe nga kjo mostër e vogël shihet qartë përmasat e problemit që po përjetojmë në familjet tona. Prindërit janë larguar nga qëllimi kryesor i martesës dhe krijimit të familjes, që është edukimi i fëmijëve.

Ne nuk jemi kundër përdorimit të rrjeteve sociale apo teknologjisë së komunikimit, por jemi pro përcaktimit të prioriteteve në jetën shoqërore. Prioriteti më i madh është ndërtimi i një familjeje të qëndrueshme, të lumtur dhe me baza të shëndosha, dhe ky qëllim nuk arrihet veçse përmes kujdesit edukativ, dialogut dhe përhapjes së dashurisë. Ky trinom kërkon kohë derisa të ndërtojë një familje të qëndrueshme.

Këtë artikull po e  mbyll me komentin e një babai, i cili sugjeroi për familjen e tij që një ditë, askush nga anëtarët e familjes mos të përdornin telefonat inteligjent. Ai shprehet se ka pasur sukses në realizimin e kësaj eksperience, por  në momentet ku secili prej nesh përdor WhatsApp – in, ai nuk duhet të jetë më më i rëndësishëm se fëmijët tanë.

Autor: Xhasim Mutava

Përktheu: Elton Harxhi

Top of Form

Bottom of Form

[1] – Një fenomen i tillë ka qenë i përhapur në shoqërinë kuvajtjane. Sh.pk.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *