Njeriu gjysmë: çekiç shkatërrimi për civilizimin

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Njeriu është burimi dhe ndërtuesi i qytetërimit, nuk ka qytetërim pa njeriun. Qytetërimi rritet dhe lulëzon me praninë e tij dhe ndërveprimin e tij me të, dhe zbehet e shuhet kur njeriu tërhiqet ose dështon. Është njeriu ai që e ndërton dhe e zhvillon atë, por njëkohësisht ai ka fuqinë ta kërcënojë dhe ta shkatërrojë. Qytetërimi nuk është një realitet i ndarë nga njeriu, por është pasqyrë që pasqyron lëvizjen e tij përmes kohës. Pikërisht njeriu është ai që formëson këtë pamje që e quajmë qytetërim, dhe ai po ashtu mund ta shkatërrojë atë.

Filozofi i qytetërimit, profesor Malik ibn Nebij (r.h) prapambetjen e myslimanëve dhe shembjen e qytetërimit të tyre  e lidh me shfaqjen e asaj që ai e quajti “njeriu gjysmak” në shoqërinë islame. Malik ibn Nebij e përshkruan këtë lloj njeriu si një person që ndjek vetëm të drejtat e tij, pa u përkujdesur për përmbushjen e përgjegjësive që i takojnë. Kjo dukuri shfaqet në forma të ndryshme, si për shembull studenti që shkon në universitet jo për të fituar më shumë dije, por vetëm për të përgatitur lëndët për provim, pa u shqetësuar për të kuptuar lëndët apo për të thelluar njohuritë në dije të dobishme.

Po ashtu, edhe punonjësi që kalon orët e punës në mënyrë të çrregullt, pa krijimtari apo inovacion, i preokupuar vetëm me kalimin e kohës derisa të kthehet në jetën e tij dhe të marrë rrogën. Ky “njeri gjysmak” nuk i përmbush detyrimet si student, nuk arrin performancën e kërkuar si punonjës dhe nuk kontribuon në krijimtari apo arritje në fushën e vet. Megjithatë, ai ngul këmbë në kërkimin e të drejtave të tij, pa përmbushur as detyrat më të thjeshta që i takojnë.

“Njeriu gjysmak” është mishërimi i atyre individëve që kapen vetëm pas njërës anë të ekuacionit të të drejtave dhe detyrimeve. Ata përqendrohen kryesisht në përfitimin e interesave personale, duke injoruar kërkesat dhe nevojat e shoqërisë. Ai është individi që vendos interesin e vet personal në qendër të vëmendjes, edhe nëse kjo bëhet në dëm të interesit kolektiv. E tepron në përqendrimin tek vetja dhe përfitimet e tij personale, duke i bërë ato motivin kryesor të veprimeve të tij, pa u shqetësuar nëse bien ndesh me interesat e të tjerëve.

Për këtë arsye, vlera si: durimi, sakrifica, bujaria dhe zemërgjerësia, mbeten koncepte të largëta nga realiteti i tij. Ndjenja e tepruar e privatësisë e bën të mendojë se individualizmi është e vetmja rrugë drejt suksesit dhe përfitimit, larg bashkësisë.

Kur kërkesa për të drejta shtohet para përmbushjes së detyrimeve dhe respektimit të të drejtave të të tjerëve, atëherë ndjenja e përgjegjësisë zbehet dhe motivimi për të bërë të mirën dobësohet. Kjo sepse e drejta jote është një detyrim për të tjerët, dhe detyrimi yt është një e drejtë për ta. Nëse çdo individ pret të marrë të drejtat e veta para se të përmbushë detyrimet, të drejtat do të humbasin. Por nëse secili njeri përkushtohet të përmbushë detyrën e tij, të drejtat e të tjerëve do të realizohen në mënyrë të natyrshme, duke krijuar një ekuilibër mes të drejtave dhe detyrimeve. Siç thotë profesori Abbas el-Akkad: “Përmbushu me detyrën, dhe lëri të drejtat të të vijnë pa mundim.”

Njeriu që neglizhon në kryerjen e detyrave të tij dhe tregohet dembel për t’i përmbushur ato, nuk ka të drejtë të kërkojë ndonjë të drejtë. Ai që mbizotërohet nga egoizmi dhe e vendos interesin personal mbi atë të shoqërisë, nuk ka të drejtë të kërkojë gjë. Këmbëngulja për të drejta pa kryer detyrimet, apo duke i neglizhuar ato, pasqyron një shpirt të ulët dhe të mjerë. Nëse kjo sjellje përhapet në shoqëri dhe bëhet e zakonshme, ajo bëhet tregues i rënies dhe shkatërrimit të qytetërimit.

Autor: Abdulkadir Behush

Përktheu: Elton Harxhi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *