Dispozita fetare në lidhje me martesën dhe urtësitë e saj

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Lidhja martesore është një ligj hyjnor të cilin Allahu i Madhëruar e ka bërë legjitime për vazhdimsinë e jetës në këtë tokë qysh me krijimin e njeriut të parë Ademit (a.s) deri në Ditën e Kijametit. Allahu i Madhëruar thotë: “O Adem, ti dhe bashkëshortja juaj banoni në Xhenet!”[1] “O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj e prej atyre të dyve u shtuan shumë burra e gra.”[2] “Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), në mënyrë që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.”[3]“Allahu krijoi për ju bashkëshorte nga vetë lloji juaj e prej bashkëshorteve tuaj fëmijë e nipa dhe ju furnizoi me (ushqime) të mira. A besojnë ata të pavërtetën e të mirat, e të mirat e Allahut i mohojnë.”[4]

Në parim, martesa është një veprim i pëlqyer (mustehab). Në lidhje me këtë gjykim bien dakord juristët e katër medh’heve: Hanefi, Maliki, Shafi’i dhe Hanbeli si dhe pjesa dërrmuese e juristëve. Argumentet për këtë gjykim, juristët i kanë nxjerrë nga Kurani dhe Suneti.

Argumentet nga Kurani:

1 – Allahu i Madhëruar thotë: “Martohuni me ato gra që ju pëlqejnë.”[5] Që do të thotë se  urdhëri për t’u martuar ka lidhje me pëlqimin nga ana e njeriut, ç’ka do të thotë se mënyra urdhërore në këtë rast nëkupton se martesa është veprim i pëlqyeshëm dhe jo obligim.

2 – Gjithashtu Allahu i Madhëruar thotë: “E nëse i frikësoheni padrejtësisë (ndaj grave), martojuni vetëm me një, ose ato që i keni nën pushtetin tuaj (robëreshat).”[6] Në këtë ajet kuranor, Allahu i Madhëruar e ka lënë njeriun të lirë për të zgjedhur të martohet me një grua të lirë apo me një robëreshë. Nëse gjykimi fetar për martesën do të kishte qenë obligim (vaxhib), atëherë njeriu nuk do të lihej i lirë për të zgjedhur midis martesës me një grua të lirë dhe robëreshës, sepse nuk ka liri zgjedhjeje midis një çështje që është obligim dhe asaj çështje që është e pëlqyeshme.

Argumentet nga Suneti:

1 – Enesi (r.a) ka thënë: “Tre persona erdhën tek shtëpitë e grave të Profetit (a.s) për të pyetur rreth adhurimit të tij (a.s). Kur u njoftuan iu duk pak. Ata thanë: Ku jemi në krahasim me Profetin (a.s)?! Atij i janë falur gabimet e kaluara dhe të ardhshme. Njëri prej tyre tha: Unë do të falem përgjithmonë tërë natën. Tjetri tha: Unë do të agjëroj gjithmonë dhe nuk e ndërpres asnjëherë dhe i fundit tha: Unë do të largohem nga gratë dhe nuk do të martohem kurrë. I Dërguari i Allahut (a.s) erdhi tek ata dhe i tha: “Ju jeni ata që keni thënë këtë e atë? Pasha Allahun! Unë jam njeriu që e kam më shumë frikë Allahun ndër ju dhe jam njeriu më i devotshëm ndër ju, megjithatë unë ka ditë që agjëroj dhe ditë të tjera nuk agjëroj, falem një pjesë të natës dhe në pjesën tjetër shtrihem dhe martohem me gra. Kush refuzon të ndjekë sunetin tim, ai nuk është prej meje.”[7] Fjala e Profetit (a.s) “martohem me gratë” aludon në faktin se martesa është sunet të cilin vetë Profeti (a.s) e ka pasë praktikuar dhe ne duhet të marrim për shembull modelin e tij, sepse ai (a.s) e refuzoi veprimin e atij njeriu i cili murgërinë e konsideronte adhurim.

2 – Abdulla ibn Mes’udi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “O ju të rinj, ai i cili prej jush ka mundësi të martohet, atëherë le ta bëjë atë, sepse martesa e ruan syrin dhe e mbron epshin (nderin). Ai që nuk ka mundësi të martohet, le të agjërojë sepse agjërimi është mburojë për të.” Fjala profetike “le ta bëjë atë” që vjen në mënyrë urdhërore aludon në atë se martesa është Sunet, sepse shkak i ndryshimit të dispozitës fetare nga obligim (vaxhib) në sunet është ajeti kuranor: “Martohuni me ato gra që ju pëlqejnë.”[8]

Urtësitë e martesës:

1 – Martesa është një prej atyre mundësive që e afron muslimanin dhe muslimanen më shumë me Allahun.

2 – Martesa garanton vazhdimsinë e jetës në tokë nëpërmjet sjelljes në jetë të pasardhësve.

3 – Martesa ruan të pastër racën dhe gjakun e pasardhësve.

4 – Martesa mbron shoqërinë nga degjenerimi, shthurrja dhe sëmundjet infektive.

5 – Martesa ruan nderin e njeriut dhe dlirësinë e tij.

6 – Martesa ruan të drejtat midis bashkëshortëve dhe familjare ndryshe nga lidhjet jashtëmartesore.

7 – Martesa garanton banesë dhe strehë për të gjithë familjarëët.

8 – Martesa nënkupton dashurinë dhe marrëdhënien reciproke midis bashkëshorëtëve me njëri – tjetrin.

9 – Martesa është një bashkëpunim midis bashkëshortëve me njëri – tjetrin në punë të hajrit dhe në devotshmëri në çështjet e Dynjasë dhe Ahiretit.

10 – Martesa krijon lidhje shoqërore nëpërmjet familjarëve të dy bashkëshortëve.

11 – Martesa është sebeb që i jep njeriut të kuptojë se çfarë është më e vlefshme për të dhe mbarë shoqërinë.

Autor: Elton Harxhi

[1] – Sure Bekare: 35.

[2] – Sure Nisa: 1.

[3] – Sure Rum: 21.

[4] – Sure Nahl: 72.

[5] – Sure Nisa: 3.

[6] – Sure Nisa: 3.

[7] – Buhariu (5063) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1401).

[8] – Sure Nisa: 3.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *