Allahu i Madhëruar e ka përshkruar Librin e Tij me shumë emra dhe cilësi. Emërtimi me emra të shumtë është tregues për vlerën dhe përsosmërinë që ka i emërtuari në të gjitha aspektet. Pikërisht kjo është edhe urtësia e përmendjes së këtyre emrave dhe cilësive për Kuranin. A nuk e shikon, se emrat e shumtë të luanit (në gjuhën arabe) janë tregues për forcën e tij?! Emrat e shumtë të ditës së Kijametit janë tregues për tmerrin dhe vështirësinë e saj. Emrat e shumtë të mençurisë janë tregues për kthjelltësinë dhe urtësinë e saj. Kur ka kaq urtësi për gjëra të tilla, a nuk mendon njeriu, se emrat e Allahut janë tregues për përsosmërinë absolute dhe madhështinë e Tij?! Po ashtu, emrat e shumtë të të Dërguarit të Allahut (a.s) janë tregues për pozitën e lartë të tij. Të njëjtën gjë e themi edhe për emrat e shumtë të Kuranit, të cilët tregojnë vlerat dhe madhështinë e këtij libri.
Emrat dhe cilësitë e Kuranit kanë të përbashkët faktin, se janë emra dhe cilësi të të njëjtit libër por njëkohësisht dallojnë nga njëri – tjetri, sepse tregojnë kuptime dhe sfera të posaçme e të rëndësishme të Kuranit fisnik. Një fjalë mund të jetë edhe emër për Kuranin, por edhe tregues dhe cilësi e tij.
E tillë është fjala nûr, ku në ajetin: “Prandaj besoni në Allahun, në të Dërguarin e Tij dhe në Dritën (nûr), që ju kemi zbritur. Allahu e di mirë çdo gjë që bëni ju” kjo fjalë është emër i Kuranit, ndërsa në ajetin: “O njerëz! Me të vërtetë, juve ju ka ardhur një provë bindëse (Muhamedi a.s) nga Zoti juaj dhe ju është zbritur një Dritë (nûr) e dukshme (Kurani)” fjala nûr është cilësi e tij.
Për shembull: Kurani quhet “hudâ – udhëzues” dhe ky emër tregon, se njeriu e gjen udhëzimin në Kuran.
Gjithashtu Kurani quhet: “tedhkira – përkujtues” dheky emër tregon, se njeriu e gjen përkujtimin në Kuran për çdo gjë që i nevojitet.
Dijetarët kanë mendime të ndryshme për numrin e emrave të Kuranit. Fejruz Abadi thotë, se Kurani ka 100 emra, disa të tjerë thonë se Kurani ka 46 emra. Gjithsesi, Kurani nuk duhet të emërtohet me emra, të cilët nuk janë përmendur në të, apo që nuk i ka përmendur i Dërguari i Allahut (a.s).
Disa nga emrat e Kuranit
1 – Kurân: Allahu i Madhëruar thotë: “Në të vërtetë, ky Kuran (Kur`ân) udhëzon drejt asaj që është më e mira”[1] si dhe: “Kâf. Betohem në Kuranin (Kur`ân) e lavdishëm”[2]
2 – Kitâb (Libër): Allahu i Madhëruar thotë: “Ky është Libri (kitâb), në të cilin nuk ka dyshim”[3]
3 – Furkân (Dallues): Allahu i Madhëruar thotë: “I lartësuar qoftë Ai, që i ka zbritur Dalluesin (Furkân) robit të Tij, që të jetë paralajmërues për botët”[4]
4 – Dhikr (Përkujtues): Allahu i Madhëruar thotë: “Ndërsa ty (o Muhamed) të zbritëm Përkujtuesin (dhikr), me qëllim që t’iu shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur dhe që ata të mendojnë”[5]
5 – Nûr (Dritë): Allahu i Madhëruar thotë: “Prandaj besoni në Allahun, në të Dërguarin e Tij dhe në Dritën ( nûr), që ju kemi zbritur. Allahu e di mirë çdo gjë që bëni ju”[6]
6 – Hudâ (Udhëzim): Allahu i Madhëruar thotë: “Edhe sikur t’i thërrasësh për tek udhëzimi (hudâ), ata nuk do të dëgjojnë”[7]
7 – Hak (I vërtetë): Allahu i Madhëruar thotë: “Por populli yt e quan të gënjeshtërt atë (Kuranin), ndonëse ai është i vërtetë (Hak). Thuaj: “Unë nuk jamrojtari juaj”[8]
8 – Kelâmullâh (Fjalë e Allahut): Allahu i Madhëruar thotë: “Nëse ndonjë nga idhujtarët kërkon mbrojtje nga ti (Muhamed), mbroje, në mënyrë që të dëgjojë fjalën e Allahut (kelâmullâh), e pastaj përcille në vendin e tij të sigurt”[9]
9 – Hablullâh (Litar i Allahut): Allahu i Madhëruar thotë: “Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (hablullâh) dhe mos u përçani”[10]
10 – Ahsenu`l-Hadîth (Fjala më e bukur): Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu ka shpallur Fjalën më të bukur (ahsenu`l-hadîth) në formën e një libri, pjesët e të cilit i ngjasojnë njëra-tjetrës dhe përsëriten”[11]
Disa nga cilësitë e Kuranit
1 – Nûr (Dritë): Allahu i Madhëruar thotë: “O njerëz! Me të vërtetë, juve ju ka ardhur një provë bindëse (Muhamedi a.s) nga Zoti juaj dhe ju është zbritur një Dritë (nûr) e dukshme (Kurani)”[12]
2 – Meuidha, shifâ, hudâ, rahmeh (Këshillë, shërim, udhëzim dhe mëshirë): Allahu i Madhëruar thotë: “O njerëz, ju ka ardhur këshillë (meuidha) nga Zoti juaj, shërim (shifâ) për zemrat tuaja, udhëzim(hudâ) dhe mëshirë (rahmeh) për besimtarët”[13]
3 – Azîz (I madhërueshëm): Allahu i Madhëruar thotë: “Ai është vërtet një Libër i madhërueshëm (azîz)”[14]
4 – Mexhîd (I lavdishëm): Allahu i Madhëruar thotë: “Në të vërtetë, ai është një Kuran i lavdishëm (mexhîd)”[15]
5 – Kerîm (I nderuar): Allahu i Madhëruar thotë: “Se ky është vërtet një Kuran i nderuar (kerîm)”[16]
6 – Mubârek (I bekuar): Allahu i Madhëruar thotë: “Ky (Kuran) është një Libër i bekuar (mubarek)”[17]
7 – Bejân (Të qarta): Allahu i Madhëruar thotë: “Këto janë lajme të qarta (bejân) dhe udhërrëfyese për të devotshmit”[18]
8 – Beshîr, nedhîr (Përgëzues dhe paraljamërues): Allahu i Madhëruar thotë: “Ai sjell lajme të mira (beshîr) dhe paralajmërime (nedhîr)”[19]
9 – Rûh (Shpirt): Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe kështu, Ne të shpallëm ty shpirt (rûh) me urdhrin dhe vullnetin Tonë”[20]
10 – Muhejmin (Mbrojtës): Allahu i Madhëruar thotë: “Ne të kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin me të vërtetën, si përmbushës të shkrimeve të mëparshme dhe mbrojtës (muhejmin) të tyre”[21]
Autor: Rushit Musallari
[1] – Sure Isra: 9.
[2] – Sure Kaf: 1 – 2.
[3] – Sure Bekare: 2.
[4] – Sure Furkan: 1.
[5] – Sure Nahl: 44.
[6] – Sure Tegabun: 8.
[7] – Sure A’raf: 198.
[8] – Sure En’am: 66.
[9] – Sure Teube: 6.
[10] – Sure Ali Imran: 103.
[11] – Sure Zumer: 23.
[12] – Sure Nisa: 103.
[13] – Sure Junus: 57.
[14] – Sure Fussilet: 41.
[15] – Sure Buruxh: 21.
[16] – Sure Uakia: 77.
[17] – Sure En’am: 92.
[18] – Sure Ali Imran: 138.
[19] – Sure Fussilet: 4.
[20] – Sure Shura: 52.
[21] – Sure Maide: 48.