Kurani dhe Suneti i Profetit (a.s) janë burimet kryesore të tekstit sheriatik.
Përkufizimi i Kuranit:
Kurani është fjala e Allahut të Lartësuar, që i është shpallur Profetit Muhamed (a.s) në gjuhën e qartë dhe të pastër arabe – me shqiptim dhe kuptim – nëpërmjet engjëllit Xhibril (a.s). Ai është transmetuar në formën “muteuatir”([1]). Leximi i tij është adhurim. Kurani është mrekullia e Allahut, i Cili ka sfiduar xhindët dhe njerëzit, që të bëjnë një të ngjashëm si ai – qoftë edhe një sure të shkurtër . Kurani fillon me suren El Fatiha dhe mbaron me suren En Nas.
Përkufizimi i Sunetit të Profetit (a.s):
Në lidhje me Sunetin e Profetit (a.s), dijetarët kanë dhënë një sërë përkufizimesh në varësi të shkencës që merret me studimin e saj. Përkufizimi i Sunetit – në varësi të temës për të cilën po flasim – është: “Sunet është çdo fjalë, veprim apo miratim i Profetit (a.s)“.
Ky përkufizim përkon me fikhun e tekstit sheriatik dhe ka lidhje me kryerjen apo jo të mëkatit. Kjo shikohet në varësi të interpretimit dhe bashkëveprimit me tekstin sheriatik, si dhe të qënurit apo jo korrekt me rregullat e kuptimit të këtij teksti, prandaj interpretimi i tekstit mund të anojë nga radikalizmi (ekstremizmi) dhe si rrjedhojë ndikon për keq.
I tillë është shembulli i Hauarixhëve, të cilët – në lidhje me fjalën e Profetit (a.s): “Në momentin kur njeriu kryen imoralitet nuk është besimtar. Në momentin kur njeriu vjedh nuk është besimtar. Në momentin kur njeriu pi alkol nuk është besimtar.”([2]) – kanë thënë: “Nuk është besimtar, ai që kryen një mëkat të madh”, duke e konsideruar jobesimtar atë që bën një mëkat të madh. Po kështu janë shprehur edhe në lidhje me thënien e Profetit (a.s): “Të shash muslimanin është shthurje dhe ta vrasësh atë është kufër.”([3])
Në krahun e kundërt të radikalëve – përsa i përket kuptimit të tekstit sheriatik – qëndrojnë “Murxhiet – liberalët”, të cilët – me thënien e Profetit (a.s): “Kush vdes dhe e di se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, do të hyjë në Xhenet.”([4]) – kanë kuptuar, se vepra është e shkëputur nga besimi. Ata kanë thënë, se përderisa njeriu thotë: “La ilahe il-la llah”, ai do të hyjë në Xhenet dhe Allahu është i kënaqur me të, pavarësisht se ai mund të bëjë gjëra, që mund të bien në kundërshtim me këtë shprehje.([5])
Suneti i Profetit (a.s) është argument që duhet të merret për bazë:
Ashtu sikurse Kurani është argument, po ashtu Suneti autentik i Profetit (a.s) është argument. Fjala e atyre njerëzve – të cilët thonë se vetëm Kurani është argument, ndërsa Suneti i Profetit (a.s) nuk merret për bazë – është një gabim shumë i madh në raport me tekstin sheriatik dhe padyshim që të shpie drejt kryerjes së mëkatit.
Suneti i Profetit (a.s) sqaron në mënyrë të detajuar shumë prej obligimeve fetare që janë përmendur në Kuran. Suneti i Profetit (a.s) përcakton të papërcaktuarën([6]), sqaron atë që është konçize([7]) dhe specifikon atë që është e përgjithshme.([8])
Të gjithë dilemat e mohuesve të Sunetit të Profetit (a.s) janë devijime të asaj që në të vërtetë nënkupton teksti sheriatik. Persona të tillë i kanë përdorur këto tekste jo në vendin e duhur, siç është rasti i keqinterpretimit të ajetit kuranor: “Ne ta zbritën ty Librin, si shpjegim për çdo ështje, si udhërrëfyes, si mëshirë dhe si lajm të mirë për muslimanët.”[9] apo të ajetit tjetër: “Ne nuk kemi harruar asgjë në Librin Tonë. Pastaj të gjithë do të tubohen para Zotit të tyre.”[10]
Në lidhje me këtë argumentim, shejh Sheltuti ka thënë: “Ky argument nuk ka vlerë përballë faktit se qysh nga koha e Profetit (a.s) e deri në ditët e sotme, myslimanët janë bazuar tek transmetimet profetike për të dhënë gjykimin rreth çështjeve të fesë”.
Suneti i Profetit (a.s) është refuzuar, mohuar, madje në fund nuk është marrë fare për bazë si burim i tekstit sheriatik në nxjerrjen e dispozitave fetare në të gjitha fushat e jetës. Po ashtu edhe për tekstin kuranor janë bërë përpjekje, për ta ndryshuar apo për ta bërë jofunksional atë, duke bërë që kjo të reflektojë negativisht në jetën e shoqërisë islame.
Duke qenë se Kurani është ruajtur në mendjet e njerëzve përpara se të ruhet në rreshta (fletë) – sepse Allahu e ka garantuar ruajtjen e tij – është e pamundur që ai të ketë devijime në shqiptim – edhe nëse ka përpjekje për ta bërë atë jofunksional, ndërsa përsa i përket domethënies së tekstit kuranor, ka tentativa për t’i dhënë atij një kuptim të devijuar.
Nga ana tjetër, ka tentativa për ta devijuar Sunetin e Profetit (a.s), si në shqiptim ashtu edhe në kuptim. Kjo gjë na shtyn që të sqarojmë se kush është programi i Islamit për shpjegimin (komentimin) e tekstit sheriatik.
Autor: Xhemaludin Muhamed Salih
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Transmetim nga një numër i madh transmetuesish – brez pas brezi – që nuk lë hapësira për gënjeshtër.
([2] – Buhariu (2475) dheMuslimi (57)
[3] – Buhariu (48).
[4] – Muslimi (26).
[5] – Si radikalët ashtu edhe liberalët nuk e kanë kuptuar drejt tekstin sheriatik. Kuptimi i vërtetë është, se kush bën mëkate – të vogla apo të mëdha – konsiderohet besimtar dhe besimi i vërtetë është me zemër, fjalë dhe vepra. (sh.p).
[6] – Po japim një shembull për ilustrim: Allahu thotë në Kuran: “Hajdutit dhe hajdutes pritjani dorën” Në këtë kontekst, termi “dora” tregon diçka të papërcaktuar, pra nuk tregon nëse duhet të pritet e gjithë dora, apo një pjesë e saj, nëse duhet të pritet e majta apo e djathta. Mirëpo Suneti i Profetit (a.s) e përcakton këtë, duke thënë se pritet dora e djathtë deri në kyç. (sh. p)
[7] Po japim një shembull për ilustrim: Në Kuran Allahu na urdhëron që të falim namazin dhe të japim zekatin. Suneti i Profetit (a.s) sqaron me hollësi, se si duhet të falemi dhe po ashtu sqaron edhe çështjet që lidhen me zekatin. (sh.p).
[8] – Po japim një shembull për ilustrim: Allahu thotë në Kuran: “O ju që keni besuar! Jepni nga më e mira e asaj që keni fituar” Ky ajet kuranor flet në mënyrë të përgjithshme, se besimtari e ka obligim që të japë nga ajo që ka fituar, qoftë ajo pak apo shumë. Mirëpo Suneti i Profetit (a.s) specifikon rastet, kur besimtari duhet të japë nga pasuria e tij. Ai nuk e ka obligim të japë, nëse ka më pak se 5 eusuk. Një eusuk = 130, 56 kg, kurse 5 eusuk = 652.8 kg. (sh.p).
[9] – Sure Nahl: 89. Mohuesit e Sunetit të Profetit (a.s) e përdorin këtë ajet, për të argumentuar se përderisa Kurani ka shpjeguar gjithçka, atëherë Suneti I Profetit (a.s) nuk ka se çfarë të shpjegojë më. Mirëpo ky lloj argumentimi nuk ka bazë dhe ajeti nuk është përdorur në kontekstin e duhur. (sh. p).
[10] – Sure El En’am: 38. Po ashtu edhe ky ajet – si i mësipërmi – nuk është përdorur në kontekstin e duhur dhe nuk vlen si argument për mohuesit e Sunetit (sh.p).