Po ashtu ajo ç’ka tërheq vëmendjen në këtë kontekst, është refuzimi i Sunetit dhe haditheve të sakta për shkak të keqkuptimit që është shfaqur në mendjen e njerëzve që nuk janë ekspertë dhe kompetentë. Kjo na shtyn drejt domosdoshmërisë për të qenë të vetëpërmbajtur, të vëmendshëm e të kujdesshëm për të kuptuar Sunetin, të kthehemi tek burimi dhe ekspertët e tij. Pikërisht kjo është ajo që do të trajtojmë në rreshtat në vijim.
Refuzimi i haditheve të sakta për shkak të keqkuptimit të tyre:
Një prej fatkeqësive me të cilat përballet Suneti është fakti se në ditët e sotme, disa njerëz të rrëmbyer e kanë konceptuar atë sipas kuptimit dhe interpretimit që i kanë dhënë vetë ata. Duke u nisur nga kjo, ata kanë thënë se ajo ç’ka hadithi nënkupton është i papranueshëm, dhe si rrjedhojë janë ngutur në vendim duke e refuzuar hadithin totalisht.
Nëse ata do të ishin më objektivë, më të matur dhe më hulumtues do da dinin se kuptimi i hadithit nuk është ashtu siç e kanë kuptuar ata dhe se as Kurani, as Suneti, as gjuha arabe dhe as ndonjë dijetar përpara tij nuk kanë folur për një kuptimi të tillë.
Hadithi i Aishes “Kur isha me të përmuajshmet, profeti (a.s) më urdhëronte të vishja fund e më pas më ledhatonte e përqafonte”
Një prej haditheve të refuzuara është hadithi që imam Buhariu dhe imamllarë të tjerë kanë transmetuar prej Aishes (r.a) se ajo ka thënë: “Kur isha me të përmuajshmet, I Dërguari i Allahut më urdhëronte të vishja fund e më pas më ledhatonte dhe më përqafonte.”[1]
Këtë hadith – qysh para tridhjetë vitessh afërsisht – e ka refuzuar një shkrimtar i revistës kuvajtjane “El Arabij”. Në artikullin që shkruajti, ai tha se ky hadith bie ndesh me Kuranin, më saktësisht me ajetin kuranor: “Të pyesin ty (o Muhamed) për të përmuajshmet e femrave. Thuaju: Ajo është gjendje e dëmshme. Prandaj gjatë kësaj kohe, mos iu afroni atyre (për marrdhënie) derisa të pastrohen.”[2]
Autori citon sa më poshtë: [Kurani ka urdhëruar se ne nuk duhet t’i afrohemi grave kur ato janë me të përmuajshmet. Kurse hadithi (i Aishes) tregon se I Dërguari i Allahut (a.s) kreu marrdhënie intime me bashkëshorten e tij, Aishen, sipër fundit.]
Në atë kohë, ndaj këtij artikulli jam përgjigjur me detaje në gazeta, revista dhe e kam shkruajtur në librin “Fetva bashkëkohore” në vëllimin e parë. Thelbi i kundërpërgjigjes time ishte: se hadithi nuk bie ndesh me ajetin kuranor, ashtu siç e ka kuptuar ai shkrimtar. Madje përkundrazi, hadithi e ka komentuar ajetin kuranor dhe e ka sqaruar domethënien e urdhrit “Mos iu afroni”. Kutpimi i gjithë kësaj nuk është se duhet të largohemi totalisht nga bashkëshortja kur ajo është me të përmuajshmet, ashtu sikurse veprojnë hebrenjtë të cilët nuk flenë me bashkëshortet e tyre. Kuptimi i urdhrit “Mos ju afroni” është që mos të kryehen marrëdhënie intime me bashkëshorten. E përsa i përket ledhatimeve dhe përqafimeve, ato nuk konsiderohet veprime të ndaluara.[3]
Hadithi “O Zot më mundëso të jetoj si varfanjak..”
Disa prej atyre të cilët e refuzojnë hadithin, hadithin që ka transmetuar Ibn Maxhe nga Ebu Seid Hudrij dhe nga Tabaraniju prej Ubadeh ibn Samit: “O Zot, më mundëso të jetoj si varfanjak, më mundëso të vdes si varfanjak dhe më mundëso të ringjallem me varfanjakët.”[4] e kanë kuptuar se me varfanjak nënkuptohet ai që nuk ka para dhe ka nevojë që njerëzit t’i japin. Mirëpo ky kuptim, bie në kundërshtim me hadithin që Profeti (a.s) ka kërkuar mbrotje nga sprova e varfërisë[5], hadithin që ai (a.s) i është lutur Allahut t’i japë dëlirësi e pavarësi[6], hadithin që i ka thënë Sa’dit:“Vërtet, Allahu e do robin e pasur, të devotshëm e të fshehtë që nuk i publikon adhurimet”[7] hadithin që i ka thënë Amër ibn Asit: “Sa pasuri e mirë është ajo që është në dorën e njeriut të mirë”[8]
Për shkak se ata prej hadithit ai[9] ka kuptuar se bëhet fjalë për të varfërit, e ka hedhur poshtë dhe e ka refuzuar këtë hadith. E vërteta qëndron se në këtë kontekst nuk bëhet fjalë për varfërinë në para, e si mund të bëhet fjalë për një gjë të tillë, kur ai (a.s) ka kërkuar prej Allahut që ta mbrojë nga varfëria dhe në të njëjtën kohë edhe nga mosbesimi. Ai (a.s) është lutur me këto fjalë: “Zoti im, unë kërkoj prej Teje të më mbrosh nga mosbesimi dhe varfëria.”[10] E si mund të flitet në hadith për varfërinë, teksa Allahu me bujarinë e Tij e ka bërë atë që mos t’ia ketë nevojën askujt. Allahu i Lartësuar thotë: “A nuk ishe nevojtar e të bëri që mos t’ia kesh nevojën askujt?”[11]
Në këtë kontekst, hadithi nënkupton modestinë dhe thjeshtësinë. Dijetari i madh Ibn Ethiri ka thënë: [Me këtë lutje ai (a.s) ka pasur për qëllim modestinë dhe përulësinë e njeriut larg arrogancës dhe mëndjemadhësisë]
E Profeti (a.s) nuk ka jetuar si mëndjemadh e as arrogant, madje as në aparencë e formë. Ai (a.s) është ulur njëlloj siç janë ulur skllevërit dhe të varfërit dhe ka ngrënë siç ka ngrënë ata. Kur ndonjë i huaj vinte – që nuk e njihte – nuk arrinte ta dallonte atë nga mesi i shokëve të tij sepse ai ishtë njësh me ta. Kur ai (a.s) ishte në shtëpi, ndreqte këpucët, arnonte rrobat, milte delen dhe bluante në mulli bashkë me shërbëtorët.
Kur dikush hyri tek ai (a.s) u tremb dhe u dridh. Ai (a.s) i tha atij: Qetësohu! Unë nuk jam mbret. Unë jam biri i një gruaje nga kurejshët që hante pastërma në Mekë.
Hadithi i ripërtëritjes së fesë për çdo njëqind vjet:
Disa prej tyre kanë lexuar hadithin të cilin e kanë transmetuar Ebu Daudi, Hakimi dhe të tjerë, nga Ebu Hurejra se Profeti (a.s) ka thënë: “Vërtet, Allahu, i dërgon këtij Umeti, në krye të çdo 100 – të viteve dikënd që ua ripërtërit fenë.”[12]
Nga ky hadith, ata kanë kuptuar se me ripërtëritje të fesë nënkuptohet progresi dhe ndryshimi i fesë në përshtatje me kohën që jetojmë. Ata thanë: Feja nuk ripërtërihet, sepse ajo është e pandryshueshme. Misioni i fesë nuk është që të përshtatet me progresin, por progresi duhet të përshtatet me fenë.
Pretendimi se feja ripërtërihet nënkupton se për çdo epokë kemi një variant të ri të saj, të rishikuar në parimet dhe mësimet e tij, për të plotësuar nevojat e njerëzve dhe për të qenë në përputhje me progresin. Kjo konsiderohet shtrembërim i realitetit, prandaj ne e refuzojmë këtë hadith.
Ajo ç’ka thotë ky njeri do të ishte e saktë nëse me ripërtëritje nënkuptohet ajo çfarë ai ka komentuar.
Mirëpo me ripërtëritje nëkuptohet – ashtu siç e kam shpjeguar në një studim timin – ripërtëritje për të kuptuar fenë, ripërtëritje e besimit dhe praktikimit të tij. Me ripërtëritje të një çështjeje nënkuptohet përpjekja për ta kthyer atë çështje ashtu siç ka qenë më parë, në momentin kur është shfaqur për herë të parë. Për shkak se ajo çështje ka ekzistuar shumë kohë më parë, pas ripërtëritjes duket sikur është e re. Që ajo çështje të ripërtëritet duhet që të fortikifikohet, të meremetohet e të ujdiset derisa të kthehet pothuajse në gjendjen fillestare.
Kështu pra, me ripërtëritje nuk nënkuptohet transformim i variantit të vjetër, apo këmbimi i saj me diçka të re e moderne. Nuk është ky qëllimi.
Le të marrim një shembull konkret. Nëse duam të restaurojmë një ndërtesë të lashtë. Me restaurim të saj nënkuptojmë se themelet, strukturën, kollonat dhe çdo gjë tjetër që është karekteristikë e saj duhet t’i ruajmë e mos t’i prekim. Ajo që ne duhet të bëjmë është të meremetojmë atë që është gërryer, të rregullojmë portat e saj të mundësojmë rrugët që të shpien për tek ajo, të mundësojmë identifikimin e saj…etj. Restaurim nuk do të thotë që ne ta shembim ndërtesën dhe në vend të saj të ndërtojmë një ndërtesë madhështore e të re.
Po kështu edhe përsa i përket ripërtëritjes së fesë, me ripërtëritje të saj nuk nënkuptohet një variant i ri i saj, por rikthimi i saj siç ka qenë në kohën e Profeit (a.s), sahabëve dhe tabi’inëve.[13]
Kështu pra me ripërtëritje të fesë nënkuptohet rigjenerimi i zellit, rikthimi tek burimet e saj, çlirimi nga pasiviteti e imitimi dhe këqyrja e trashëgimisë me syrin krikik me qëllim që të përfitohet prej pozitivitetit të tij dhe për të shmangur mangësitë e saj. Përkrah kësaj ripërtëritje ideore ka dhe një ripërtëritje tjetër që është rinovimi i besimit nëpërmjet praktikimit të fesë, kapjes fort pas vlerave e parimeve të tij dhe përcaktimi i apelimit për tek ai në përputhje me kërkesat e kohës e të rrethanave, ashtu sikurse është thënë në hadithin: “Vërtet – në brendinë tuaj – besimi bëhet copë e çikë ashtu sikurse bëhet rroba, prandaj luteni Allahun e Lartësuar që t’jua ripërtërisë besimin në zemrat e juaja.”[14]
Hadithi: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla”
Ndër gjërat më të çuditshme që kam dëgjuar në kohën e sotme në lidhje me refuzimin e hadithit për shkak të kuptimit të mangët është se disa muslimanë kanë refuzuar hadithin më të njohur të cilin e dinë të gjithë muslimanët, të mëdhjenjtë dhe të vegjlit, njerëzit e thjeshtë dhe dijetarët. Bëhet fjalë për hadithin që transmeton Ibn Omeri dhe të tjerë se Profeti (a.s) ka thënë: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguar i Tij, falja e namazit, dhënia e zekati, agjërimi i Ramazanit dhe haxhi një herë në jetë për atë që ka mundësi ta kryejë.”
Ky njeri mëndjelehtë e kaq i guximshëm e argumenton këtë me faktin se në këtë hadith nuk është përmendur xhihadi, që zë një vend mjaft të rëndësishëm në fenë islame. E si rrjedhojë e kësaj, hadithi është i trilluar.
Mirëpo ky njeri a nuk e di faktin se xhihadi është obligim për disa individë e për të tjerë nuk është obligim, se ai nuk është obligim individual[15]përveçse se në disa raste specifike, ndryshe nga këto pesë shtylla në të cilat përfshihen të gjithë njerëzit.
Nëse arsyetimi i këtij njeriu do të ishte i drejtë, atëherë ai duhet të refuzojë edhe ajetet kuranore që përshkruajnë besimtarët, njerëzit e devotshëm, robërit e Mëshiruesit, të mirët, bamirësit, të mençurit e shumë të tjerë të cilët Allahu i Lartësuar i ka lavdëruar në Librin e Tij dhe ju ka premtuar një shpërblim të madh. Në përshkrimet që ka bërë për kategoritë e lartpërmendura, Allahu nuk ka folur për çështjen e xhihadit. Lexo karekteristikat e njerëzve të devotshëm në fillim të sures Bekare[16], njerëzve të mirë dhe bamirësve në ajetet e mirësisë[17], e besimtarëve në fillim të sures Enfalë[18], e atyre që kuptojnë në suren Ra’d[19], e besimtarëve që do të trashëgojnë Firdeusin në fillim të sures Mu’minun[20], e robërve të Mëshiruesit në fundin e sures Furkan[21], e njerëzve të devotshëm e bamirës në suren Dharijat[22] dhe atyre që janë të nderuar me Xhenet në suren Mearixh[23]. Kështu pra të gjitha këto ajete dhe të tjera që janë përmendur në Kuranin Fisnik nuk kanë folur për xhihadin. A është e mundur që ky njeri ipacipë dhe injorant të refuzojë të gjitha këto ajete nga Kurani Fisnik.
Dijetari i shquar Ibn Tejmije (r.a) e ka trajtuar shkakun se përse Islami është përkufizuar vetëm në këto pesë shtylla dhe se përse nuk janë përmendur obligimet e tjera madhore siç janë: xhihadi, sjellja e mirë me prindërit, mbajtja e lidhjeve farefisnore e të tjera. Ai ka thënë: [Një pyetje që bëhet shpesh është: Duke qenë se Allahu ka bërë obligim vepra të tjera madhore – të dukshme – më tepër se këto pesë shtylla, atëherë përse Profeti (a.s) ka thënë se Islami ndërtohet mbi këto pesë shtylla? Disa dijetarë janë përgjigjur duke thënë se këto të pesta janë adhurimet më të dukshme dhe më madhore. Nëse robi i kryen ato e ka plotësuar fenë, e nëse ai nuk i kryen ato, ajo që ndjen është sikur po e shtrëngojnë fort me pranga.
Si konstatim, themi se Profeti (a.s) e ka përmendur fenë që është nënshtrimi i robit ndaj Zotit pa kufizim. Feja është adhurim i pastër ndaj Allahut në formë obligative për çdo individ. Çdo person i cili konsiderohet i aftë e ka për obligim ta adhurojë Allahun me një adhurim të sinqertë. E këto të pesta i përkasin kësaj kategorie. Kurse përsa i përket adhurimeve të tjera, ato janë obligative për shkak të dobisë dhe në të njëjtën kohë ato nuk i përfshijnë të gjithë njerëzit.
Përkundrejt kësaj, ato mund të jenë obligim kolektiv[24]si për shembull xhihadi, urdhërimi për mirë dhe ndalimi nga e keqja, përzgjedhja e prijësit, qeverisja, fetvadhënia, investigimi, kallëzimi..etj.
Ose ato mund të jenë obligative për shkak të ndonjë të drejte ndaj njerëzve, detyrim që duhet të shlyhet ndaj dikujt. E ky obligim mund të përfundojë kur ajo e drejtë është marrë ose kur ajo është dëmshpërblyer apo njeriu është shpallur i pafajshëm. Të drejtat, si kthimi i borxhit, kthimi i pronës së uzurpuar, huadhëniet, depozitat, vendosja e drejtësisë: së gjakut, pasurisë dhe nderit konsiderohen të drejtat ndaj njerëzve. E nëse deklarohett pafajësia ndaj tyre atëherë nuk ka as detyrime. Megjithatë, kthimi i të drejtës tek i zoti është obligim vetëm për disa njerëz e jo të tjerë, sepse jo të gjithë njerëzit kanë detyrime ndaj njëri-tjetrit. Në disa rrethana kanë të drejta ndaj njëri-tjetrit e në të të tjera nuk kanë. Kthimi i të drejtave nuk është adhurim obligativ ndaj Allahut për çdo njeri të aftë në aspektin juridiko – fetar. Prandaj tek kjo pikë përfshihen muslimanët, hebrenjtë dhe të krishterët, ndryshe nga këto të pesta që janë vetëm për muslimanët dhe askënd tjetër.[25]
Gjithashtu obligime si mbajtja e lidhjeve farefsinore, të drejtat e bashkëshortëve, të drejtat ndaj fëmijëve, të drejtat ndaj komshinjve, të drejtat ndaj ortakëve, të drejtat ndaj fukarenjve, dhënia e dëshmisë, dhënia e fetvadhënieve, gjykimi, përzgjedhja e prijësit, urdhërimi për mirë, ndalimi nga e keqja dhe xhihadi, të gjitha këto janë obligim për disa njërëz e jo të tërë për shkak të arsyeve – të brendshme dhe të jashtme, për të përfituar apo për të larguar ndonjë gjë të dëmshme. Nëse këto sigurohen pa pjesëmarrjen aktive të njeriut, atëherë ato nuk janë obligim. Nëse ato janë të përbashkëta atëherë ato janë obligime kolektive. Nëse janë vetëm për njerëz të caktuar, atëherë ato janë vetëm për ta dhe jo të tjerët. Asnjë adhurim nuk është obligim për çdo individ që është i aftë, përveç këtyre të pestave. Bashkëshortja dhe të afërmit e një “X” personi nuk mund të jenë kurrsesi bashkëshortja dhe të afërmit e një “Y” njeriu. Prandaj obligimet që ka “X” nuk janë të njëjtat obligime si të “Y”. Kurse agjërimi i Ramazanit, haxhi, pesë namazet dhe zekati janë obligime të njëllojta për të gjithë. Zekati, megjithëse është e drejtë e pasurisë, ajo është obligim ndaj Allahut dhe ndaj tetë kategorive të njerëzve. Prandaj, për kryerjen e tij është obligim bërja e nijetit dhe askujt nuk i lejohet ta bëjë atë në vend të tij pa lejen e tij. Po ashtu, mosbesimtari nuk e ka për detyrë ta nxjerrë atë. Kurse përsa i përket të drejtave që duhet të shlyhen midis njerëzve nuk kanë si kusht bërjen e nijetit. E nëse ato i shlyen një palë e tretë në vend të tij qoftë edhe pa lejen e tij atëherë ai është i pafajshëm. Gjithashtu përmbushja e të drejtave është detyrë edhe e mosbesimtarëve.][26]
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Buhariu (300) dhe Muslimi (293).
[2] – Sure Bekare: 232.
[3] – Për më tepër shih fetvanë që kemi dhënë për mbrojtjen ndaj Sahihu Buhariut në librin “Fetva bashkëkohore”, vëllimi i parë.
[4] – Sahihul Xhamius Sagir (1261). Disa njerëz kanë pretenduar se haditithi është i dobët. Në fakt, ky hadith është i dobët nga vargu që është transmetuar nga Aishja dhe jo nga vargu i Ebu Seidit dhe Ubades.
[5] – Buhariu dhe Muslimi nga Aishja. Shih “Sahihul Xhamius Sagir” (1266).
[6] – Muslimi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh nga Ibn Mes’udi. Shih “Sahihul Xhamius Sagir” (1275).
[7] – Muslimi dhe Ahmedi nga Sa’d ibn Ebu Uekasi. Shih “Sahihul Xhamius Sagir” (1882).
[8] – Ahmedi, Hakimi që e ka saktësuar dhe imam Dhehebiju ka dhënë përlqimin e tij. Shih: hadithin e parë të verifikuar tek libri “Mushkiletul Fakri” të autorit.
[9] – Në këtë kontekst vërehet qartë që doktori në fillim flet në numrin shumës kur thotë: “Disa prej atyre” dhe pastaj kalon në numrin njëjës. Ndoshta, kjo nënkupton se personi që e keqintepreton hadithin është një, prandaj dhe flet në numrin njëjës, kurse të tjerët ndjekin çfarë ka thënë ai, prandaj flet në numrin shumës. Ky është një kuptim i kontekstit të fjalisë, ose doktori ka për qëllim me numrin shumës të gjithë ata persona që e kanë keqinterpretuar hadithin dhe me numrin njëjës vetëm atë që e ka keqinterpretuar hadithin në fjalë. Sh.p.k.
[10] – Hakimi dhe Bejhakiu në kapitullin e “Lutjes” nga Enesi. Shih “Sahihul Xhamius Sagir” (1285).
[11] – Sure Duha: 8.
[12] – Ebu Daudi (4270), Hakimi (4/522), Bejhakiu dhe të tjerë. Iraki dhe Sujuti e kanë saktësuar këtë hadith ashtu sikurse përmendet në librin “Fajdul Kadir”, fq: 2/282.
[13] – Për më tepër shih studimin tonë: “Përtëritja e fesë nën hijen e Sunetit” e publikuar në numrin 2 të revistës së qendrës së “kërkimeve shkencore rreth Sunetit dhe Sires” në Katar, fq: 29. Gjithashtu ky studim është botuar edhe në librin tim “Min Exhli Sahuetin Rashideh”, shtëpia botuese “Mektebetul Islamije” në Bejrut.
[14] – Tabarani dhe Hakimi nga Ibn Omeri. Shih “Sahihul Xhamius Sagiri” (1590).
[15] – Obligimi individual ose thënë ndryshe “Farz ajn” është ai obligim të cilin Ligjvënësi (Allahu) e kërkon kryerjen e veprimit prej secilit individ veç e veç dhe nuk lejohet që dikush ta kryejë atë për një tjetër. Sh.pk.
[16] – Allahu i Lartësuar thotë: “Elif, Lam, Mim. Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrrëfyes për të devotshmit, të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne, dhe pë rata që besojnë në atë që të është shpallur ty, në atë që është shpallur përpara teje dhe që me bindje i besojnë botës tjetër. Ata janë të udhëzuar në rrugë të drejtë nga Zoti i tyre dhe pikërisht ata janë të shpëtuarit.” Sure Bekare: 1 – 5. Sh. pk.
[17] – Allahu i Lartësuar thotë: “Mirësia nuk është në të kthyerit e fytyrës nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, engjëjt, Librin dhe profetët, e atij që me vullnet jep nga pasuria e vet dhe për të afërmit, jetimët, të varfrit, udhëtarët e mbetur rrugës, lypësit dhe për lirimin e të robëruarve, e atij që fal namazin dhe e jep zeqatin; dhe atyre që i plotësojnë premtimet, kur marrin përsipër diçka; e atyre që durojnë në kohë skamjeje, sëmundje dhe lufte. Këta janë besimtarët e vërtetë dhe këta janë ata që e kanë frikë Allahun.” Sure Bekare: 177. Sh.pk.
[18] – Allahu i Lartësuar thotë: “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu fërgëllojnë dhe kur u lexohen shpalljet e tij, u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten, ata që falin namazin dhe japin prej asaj që Ne u kemi dhënë. Njëmend ata janë besimtarë të vërtetë. Ata do të kenë shkallë përnderimi te Zoti I tyre, falje dhe furnizim bujar (në Xhenet). Sure Enfalë: 2 – 4.
[19] – Allahu i Lartësuar thotë: “Vallë, ai që di se ajo që të është shpallur ty nga Zoti yt është e vërteta, a është njësoj me atë që është i verbër. Vetëm njerëzit që kuptojnë ia vënë veshit kësaj. Këta janë ata që i përmbahen besëlidhjes me Allahun dhe nuk e prishin premtimin; dhe ata që mbajnë lidhjet familjare që ka urdhëruar Allahu të mbahen, që kanë frikë Zotin e tyre ie frikësohen llogarisë së rëndë. Dhe ata që durojnë për të fituar dashurinë e Zotit të tyre, që falin namazin, që ndajnë në fshehurazi dhe haptazi nga ajo që ua kemi dhënë Ne dhe, që të keqen e kthejnë me të mirë. Këtyre u takon shpërblimi në Shtëpinë e Fundit. Xheneti i Adnit, në të cilin hyjnë ata dhe besimtarët e ndershëm prej prindërve të tyre, grave dhe pasardhësve të tyre.” Sure Enfalë: 19-23. Sh.pk.
[20] – Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre, të cilët shmangen nga fjalët e kota, të cilët japin zeqatin, të cilët e ruajnë nderin e tyre, përveçse, me gratë e tyre ose me skllavet që kanë në zotërim – dhe për këtë, nuk janë fajtorë, ndërsa ata që kërkojnë përtej kësaj, pikërisht ata janë shkelës, të cilët u përmbahen amaneteve dhe detyrimeve të marra dhe të cilët i kryejnë rregullisht faljet. Pikërisht ata do të jenë trashigmtarët, që do të trashëgojnë Firdeusin, ku do të qëndrojnë përjetësisht.” Sure Mu’minun: 1 – 11. Sh.pk.
[21] – Allahu i Lartësuar thotë: “Robërit e të Gjithmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër Tokë dhe kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: Paqe qoftë. Dhe ata që e kalojnë natën duke iu falur Zotit të tyre në sexhde dhe në këmbë dhe ata që thonë: O Zoti ynë, largoje prej nesh ndëshkimin e Xhehenemit, sepse, me të vërtetë, dënimi i tij është i përjetshëm. E ai është vendbanim dhe vendstrehim i keq. Dhe ata që, kur shpenzojnë, nuk janë as dorëshpuar, as dorështrënguar, por i përmbahen të mesmes; dhe ata që pos Allahut nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto do të marrë gjynahe. Ndëshkimi do t’i dyfishohet në Ditën e Kijametit dhe ai do të qëndrojë përherë në këtë fatkeqësi i poshtëruar. Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë. Ndërsa ai që pendohet dhe bën vepra të mira, është i kthyer krejtësisht nga Allahu. Kështu janë edhe ata që nuk dëshmojnë në mënyrë të gënjeshtërt e, kur kalojnë pranë kotësive, kalojnë me dinjitet. Edhe ata, që, kur paralajmërohen nga shpalljet e Zotit të tyre, nuk bëhen as të shurdhër, as të verbër. Edhe ata që thonë: Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashigmtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët. Njerëz të tillë do të shpërblehen me Xhenet të lartë për durimin e tyre dhe do të mirëpriten e do të gjejnë paqe. Aty do të qëndrojnë përherë, sa vendbanim dhe vendstrehim i mrekullueshëm që është ai.” Sure Furkan: 63 – 76. Sh.pk.
[22] – Allahu i Lartësuar thotë: “Padyshim, ata që i frikësohen Allahut do të jenë në kopshte dhe burime, duke marrë atë që u ka dhuruar Zoti i tyre, meqë më parë ata kanë qenë punëmbarë. Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje nga Allahu. Në pasuritë e tyre kanë pjesë për lypësit dhe nevojtarët.” Sure Dharijat: 15-19. Sh.pk.
[23] – Allahu i Lartësuar thotë: “Përveç atyre që falen, të cilët janë të rregullt në faljen e namazit të tyre. Dhe ata që në pasurinë e vet kanë ndarë një pjesë të caktuar për lypësin dhe nevojtarin që nuk lyp. Edhe ata qe besojnë bindshëm ditën e gjykimit. Edhe ata që i frikësohen dënimit të Zotit të tyre, sepse është e vërtetë që nuk ka shpëtim prej dënimit të Zotit të tyre. Edhe ata që janë ruajtur prej punëve të ndyra. Me përjashtim të grave të veta dhe ndaj robëreshave që i kanë në posedim, ata nuk qortohen për to. E kush kërkon përveç tyre, të tillët janë të shfrenuar. Edhe ata që janë besnikë ndaj amanetit që u është besuar dhe ndaj premtimit të dhënë. Edhe ata që dëshminë e vet e zbatojnë. Edhe ata që janë të kujdesshëm ndaj rregullave të namazit të tyre. Të tillët janë në Xhenete dhe të nderuar.” Sure Mearixh: 22-35. Sh.pk.
[24] – Obligim kolektiv ose thënë ndryshe “Farz kifaje” është ai obligim që kërkohet që të kryhet nga një grup përgjegjësish juridik, e si rjedhojë të tjerët lirohen nga përgjegjësia. Sh.pk.
[25] – Në ditët e sotme dikush prej këtyre njerëzve ka thënë se përse nuk është përmendur morali në hadithin e pesë shtyllave, prandaj edhe ka refuzuar këtë hadith. Përgjigja ndaj këtij dyshimi, është ajo që ka cituar shejh Ibn Tejmije se morali përfshin muslimanët, hebrenjtë, të krishterët e të tjerë. Kurse përsa i përketi pesë shtyllave, ajo është specifikë vetëm e muslimanëve. Sh.p.k.
[26] – “Mexhmu’ul Fetaua” i Ibn Tejmijes, fq: 7/314 – 316. Kapitulli i “besimit”



















