Reformë apo legalizim i padrejtësisë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Nga dukuritë më të rrezikshme që janë përhapur në realitetin tonë islam dhe nga më mashtrueset për njerëzit, është thirrja e parullës së pajtimit, jo për të vendosur drejtësinë, por për të varrosur të drejtën; që t’i kërkohet të shtypurit, të varfrit apo të dobëtit të heqë dorë nga e drejta e tij “në emër të reformës”, ndërkohë që shtypësi, i pasuri apo i fuqishmi lihet pa llogaridhënie dhe pa kosto, sikur pajtimi të mos plotësohej veçse duke u thyer më i dobëti, duke heshtur i shtypuri dhe duke gëlltitur dhimbjen e tij në emër të urtësisë. Kështu, paqja shndërrohet në një pamje të rreme, e ndërtuar mbi një dhembje të mbytur.

Pasha Allahun, kjo nuk është reformë e urdhëruar nga Kurani dhe as moral i sjellë nga Islami; përkundrazi, është padrejtësi e madhe dhe shtrembërim i rëndë i kuptimit të ajetit. Kur Kurani thotë: “Pajtojini dy  vëllezërit tuaj” nuk ka thënë: lehtësoni të fuqishmin; nuk ka thënë: heshteni të dobëtin; dhe nuk e ka bërë pajtimin një rrugë të shkurtër për ta mbrojtur shtypësin nga pasojat e veprës së tij.

Përkundrazi, e ka bërë reformën të ngritur mbi drejtësinë së pari, sepse pajtimi i ndërtuar mbi padrejtësi nuk është pajtim, por një armëpushim i rremë që grumbullon shpërthimin dhe e shtyn drejtësinë derisa zemrat të shpërthejnë.

Allahu i Lartësuar nuk ka urdhëruar:

1 – Që konflikti të shuhet duke shtypur atë që i është bërë padrejtësi;

2 – As që paqja të kërkohet duke thyer një të pafajshëm;

3 – Dhe as që përçarja të ndalet duke poshtëruar atë që është shtypur.

Islami nuk e shëron një plagë me një plagë më të madhe, nuk e ndërton paqen në kurriz të një njeriu të vetëm dhe nuk i kërkon të thyerit ta plotësojë figurën e pajtimit ndërsa ai ende gjakoset.

T’i kërkosh të shtypurit të heqë dorë para se t’i kthehet e drejta, t’i kërkosh të varfrit durim ndërsa i pasuri amnistohet, t’i kërkosh të dobëtit heshtje ndërsa zbukurohet imazhi i të fortit, është përmbysje e peshores që Allahu e ka zbritur dhe shndërrim i reformës nga një adhurim i madh në një mjet të butë shtypjeje: që e hesht dhimbjen, por nuk e zhduk shkakun e saj; që kënaq pushtetin, por nuk e vendos të drejtën.

Islami nuk i kërkon të shtypurit të sakrifikojë për të kënaqur shoqërinë, nuk e detyron të dobëtin të paguajë çmimin e “qetësisë së përgjithshme” dhe nuk e ndërton paqen shoqërore mbi shkatërrimin e një pale të vetme. Përkundrazi, e ka përcaktuar qartë se drejtësia i paraprin pajtimit, se e drejta kthehet para se të kërkohet falja dhe se heqja dorë – nëse ndodh – është: virtyt, jo detyrim; bujari, jo imponim; zgjedhje e lirë, jo kusht i detyruar.

Ajo që praktikohet sot në shumë forma të “pajtimit” nuk ka lidhje me këtë parim; feja përdoret për t’i kërkuar të shtypurit atë që nuk i kërkohet shtypësit, dhe barrën e mbylljes së plagës e mban ai që është plagosur, ndërsa lirohet nga përgjegjësia ai që e hapi plagën që në fillim…

Sikur Allahu të kishte urdhëruar shuarjen e zjarrit duke djegur të shtypurin; sikur qetësia të arrihej vetëm me çmimin që e paguan i dobëti.

Këtu qëndron tradhtia më e madhe ndaj kuptimit të reformës:

1 – Kur pajtimi shndërrohet në mjet për të përjetësuar pabarazitë;

2 – Kur të dobëtit detyrohen të paguajnë çmimin e një stabiliteti që nuk e kanë krijuar;

3 – Kur shoqëria bindet se “heqja dorë është virtyt” vetëm nëse vjen nga pala e pambrojtur, ndërsa këmbëngulja e të fortit në të drejtat e tij quhet “urtësi” dhe “realizëm”.

Kjo nuk është reformë, por

një aleancë shoqërore kundër drejtësisë;

një religjiozitet i shtrembëruar që kënaq të fuqishmit dhe tradhton të dobëtit;

që e vesh padrejtësinë me petkun e urtësisë;

që e vendos heshtjen mbi të drejtën;

 qetësinë mbi drejtësinë;

dhe fasadën mbi thelbin.

Pajtimi që nuk e përkrah të shtypurin, që nuk ia ngarkon shtypësit koston e gabimit të tij,
që nuk e kthen të drejtën në vendin e saj, është një pajtim i refuzuar, sado të shumtë të jenë ata që thërrasin për të dhe sado fjalime të bukura të mbahen për ta zbukuruar, sepse Allahu i Lartësuar nuk e bekon një paqe të ndërtuar mbi një thyerje të heshtur.

“Pajtojini dy vëllezërit tuaj” nuk do të thotë: heshteni zërin e të shtypurit; nuk do të thotë: zbukuroni fytyrën e shtypësit; nuk do të thotë: vendoseni qetësinë mbi drejtësinë; por do të thotë – ashtu siç e ka dashur Allahu i Lartësuar – vendoseni drejtësinë që të qetësohet konflikti; ktheni të drejtat që të qetësohen zemrat; dhe mos i kërkoni të thyerit ta plotësojë figurën e paqes ndërsa ende gjakoset.

Kush nuk e kupton këtë, do të vazhdojë të “rregullojë” shumë në dukje… dhe të prishë edhe më shumë në të vërtetë.

Autor: Durejd Ibrahim El Mosuli

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.