Fjalët e një babai kur mori vesh për vdekjen e djalit të tij ditën që i prenë këmbën

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Familjet tona në Palestinë po i mësojnë Umetit  një mësim të paharrueshëm: forcën e besimit, qëndrueshmërisë dhe durimit. Ka prej atyre njerëzve të cilët kanë humbur të gjithë familjarët e të tjerë që kanë humbur disa prej tyre. Tashmë disa prej tyre janë invalidë, disa të tjerë kanë humbur shtëpitë e tyre e shumë të tjerë nuk kanë ushqim për të ngrënë. Vuajtjet që populli palestinez po përjeton janë aq të mëdha saqë është e vështirë t’i përshkruajë dikush. Në këto ditë të vështira për popullin palestinez, ti mund të shikosh fëmijë të cilët kanë humbur gjymtyrët apo njërën prej shqisave, apo fëmijë të tjerë të cilët me orë të tëra janë nën rrënojat e shtëpive të tyre për shkak të bombardimeve. Fëmijë të tjerë të cilët dëgjojnë zhurmën e aeroplanëve, raketave, bombave dhe plumbave. Fëmijë të cilët jetojnë me frikë sepse nuk ndihen të sigurtë në vendin e tyre. E fëmijë të tjerë të cilët kanë humbur shokët dhe fqinjët e tyre. Pavarësisht gjithë këtyre vuajtjeve që po kalojnë, ata vazhdojnë të jenë të qëndrueshëm dhe janë të bindur se Allahu do t’i ndihmojë. Fuqia e tyre shtohet dita ditës dhe kjo vërehet shumë qartë tek të gjithë; tek të mëdhenjtë dhe tek të vegjëlit. Kush është me Allahun, Allahu është me të. Lehtësisht ti shikon se  ata në çdo moment, për çdo gjë që ndodh thërrasin: “Allahu Ekber”. Nocioni i jetës dhe vdekjes tek ta është krejt ndryshe nga ajo që mund të kuptojnë të tjerët. Ata nuk e shikojnë vdekjen si mbarim të gjithçkaje por e konsiderojnë atë si jetë. Ata jetojnë me ajetin kuranor: “Mos kujtoni se ata të cilët janë vrarë në rrugë të Allahut kanë vdekur. Përkundrazi ata janë të gjallë tek Zoti i tyre duke u furnizuar.” Ata vazhdojnë të jenë të qëndrueshëm derisa të realizohet synimi i tyre kryesor: Çlirmi i Aksasë.

Modeli i tyre është Profeti Muhamed (a.s) i cili megjithëse humbi shumë prej të afërmëve dhe shokëve nuk e ndërpreu për asnjë çast thirrjen dhe mesazhin e islamit. Para se të lindte ai humbi babain dhe kur ishte i vogël edhe të jëmën. Pas profetësisë humbi xhaxhain, Ebu Talibin dhe bashkëshorten Hatixhen. Kur ishte në Mekë i vdiqën tre djemtë e në Medine Ibrahimi. Në betejën e Uhudit humbi xhaxhain e tij Hamzën. Në betejën e Mu’tes humbi djalin e xhaxhait, Xhafer ibn Ebi Talibin. Në betejën e Ahzabit humbi zotërinë e ensarëve, Sa’d ibn Muadhin. Ky është i Dërguari i Allahut, njeriu më i mirë që ka parë historia e njerëzimit. Sa herë që vinte vdekja do të merrte prej tij njeriun më të dashur, megjithatë për asnjë moment ai nuk u dorëzua, por e përçoi mesazhin hyjnor tek njerëzit.

Ngushëllimi më i mirë për një njeri që përballet me një fatkeqësi është atëherë kur ai shikon që edhe njerëz të tjerë janë përballur me të njëjtën fatkeqësi ose shumë herë më të rëndë se fatkeqësia e tij. Personave që ju ka ndodhur e njëjta fatkeqësi janë ngushëlluesit më të mirë për njëri-tjetrin. Në një proverb arab thuhet: “Vdekja në masë është më e lehtë” Kjo nënkupton se nëse në një fatkeqësi përfshihen sa më shumë njerëz, atëherë dhimbja është më e lehtë për t’u përballuar. Një ngushëllim tjetër për vëllezërve tanë në Palesintë është fakti se ata kërkojnë të shpërblehen tek Allahu nga kjo fatkeqësi. Ata e shikojnë Dynjanë si një stacion për të shkuar në Ahiret. Allahu është Ai i Cili me mëshirën dhe drejtësinë e Tij i dhuron dhe i merr jetën çdo njeriu.

Të njëjtën ndjenjë ka përjetuar edhe tabiini i nderuar, një prej shtatë juristëve të Medines, djali i Zubejr ibn Auamit, Ur’ue ibn Zubejr. Ur’uen e goditi një sëmundje dhe si rrjedhojë e saj ia prenë këmbën. Në të njëjtën ditë atij i vdiq njëri prej shtatë djemve nga goditja e kalit. Në këto çaste, Ur’ue tha: “O Zot! Ty të takon Lavdi dhe Falenderimi. Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi. Allahu më dha shtatë djem dhe njërin ma ka marrë. Më dha katër gjymtyrë dhe njërin ma ka marrë. Aq sa Ai sprovon aq edhe jep shëndet dhe aq sa merr po aq edhe jep. Unë e lus Allahun  të më bashkojë me ato të dy në Xhenet.”

Kështu pra, me këtë sy e shikon besimtari sprovën e cila i bie. Ai bën durim, kërkon shpërblim të madh tek Allahu dhe e di se e gjithë e mira është tek përzgjedhja e Allahut për të.

Vëllezërit dhe motra tona në Palestinë jetojnë me këto nocione në vendin e sprovës. Ata janë të fortë me focën që u ka dhënë Allahu dhe të qëndrueshëm me madhështinë që u jep Allahu.

O Allah! Ndihmoji, bëji të qëndrueshëm dhe forcoji vëllezërit dhe motrat tanë në Palestinë. Porosia jonë për vëllezërit dhe motrat tanë janë fjalët e Ur’ues: “Aq sa Ai sprovon aq edhe jep shëndet dhe aq sa merr po aq edhe jep”. E me leje të Zotit, shumë shpejt kemi për të qenë dëshmitarë të dhuntive dhe mirësive të Allahut për popullin e Palestinës.

Autor: Xhasim Mutaua

Përktheu: Elton Harxhi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.