Pyetje: Një grua ka monedha ari të ruajtura si kursim për të ardhmen, por i ka kthyer ato në byzylykë. A duhet ta mbajë atë? Dhe a është e detyruar të japë zekatin për të?
Përgjigja: Stolitë prej ari ose argjendi që një grua zotëron mund të përdoren për veshje dhe zbukurim. Në këtë rast, ajo nuk është e detyruar të japë zekat për to, edhe nëse ato arrijnë vlerën e nisabit dhe mbushet një vit hënor, sipas mendimit të preferuar në fetva.
Por, nëse qëllimi i saj është ruajtja për kursim, tregti ose fitim, atëherë nuk ka mosmarrëveshje mes dijetarëve për detyrimin e zekatit të tyre, nëse arrijnë nisabin e përcaktuar nga sheriati, që është ekuivalent me 85 gramë 21 karatësh, dhe nëse ka kaluar një vit hënor i plotë. Zekati që duhet dhënë është 2.5% e vlerës totale, e cila llogaritet sipas çmimit aktual të arit, sipas medhhebit Hanefi.
Në rastin e përmendur në pyetje, gruaja ka pasur monedha ari të cilat i kishte ruajtur si kursim dhe më pas i ka shndërruar në byzylykë. Ajo nuk është e detyruar ta mbajë atë, por ka zgjedhje të lirë për ta përdorur apo jo për zbukurim. Megjithatë, për detyrimin e zekatit merret parasysh qëllimi i saj. Nëse qëllimi i saj është përdorimi si stoli, atëherë nuk e ka për detyrë të japë zekatin. Por, nëse qëllimi është kursimi, atëherë zekati është i detyrueshëm sapo të arrijë nisabin, bazuar në hadithin e Profetit (a.s): “Veprat janë sipas qëllimeve dhe çdo njeri do të shpërblehet sipas asaj që ka pasur për qëllim.”[1]
Në konfirmim të këtij parimi, qëllimi është vendimtar në çështjen e zekatit për stolitë, siç thekson imam Ibn Kudame në librin “El-Mugni”: “Nëse një grua e ka një stoli për zbukurim, por më pas e ndryshon qëllimin duke synuar tregtinë, zekati bëhet i detyrueshëm mbi të nga momenti që e ka pasur këtë qëllim, sepse obligimi i zekatit është parësor, por është përjashtuar për shkak të përdorimit si zbukurim. Me ndryshimin e qëllimit, kthehet në obligim, njësoj sikurse nëse dikush ndryshon qëllimin e një malli nga tregti në përdorim personal, atëherë ai nuk e ka për detyrë me dhënë zekat.”
Allahu i Lartësuar e di më së miri.
Fetvadhënësi: Sheuki Ibrahim Alam
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Buhariu dhe Muslimi.