Në kuadër të fikhut të trajtimit të provokimeve

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Një prej sekreteve të Kuranit Fisnik është se çdo sure e Kuranit ka një fjalë ose disa fjalë të veçanta që nuk gjenden në asnjë sure tjetër. Për shembull, sureja Keuther është veçuar me fjalën “keuther”, e cila nuk gjendet askund tjetër përveç në këtë sure. Po kështu, sureja Ihlas është veçuar me fjalët “es-Samed”, “kufuen” dhe shprehjen “lem jelid ue lem juled”, të cilat nuk janë përmendur në Kuran përveçse në këtë sure. Kështu ndodh me çdo sure të Kuranit.

Ndër veçoritë e sures Isra është edhe përdorimi i fjalës “istifzaz – provokim” në formën urdhërore dhe në formën e kohës së tashme. Kjo fjalë nuk është përmendur në Kuran përveçse në këtë sure. Ajo është përmendur tri herë:

Herën e parë në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Provokoji (istefziz) dhe nxiti me zërin tënd ata prej tyre që mundesh; mblidh kundër tyre kalorësinë dhe këmbësorinë tënde; bëhu ortak me ta në pasuri dhe në fëmijë; jepu premtime – por shejtani nuk u premton atyre tjetër veçse mashtrim.”[1]

Herën e dytë në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Ata pothuajse të provokuan (le jestefizzu) dhe të shtynë nga toka (vendbanimi yt) për të të dëbuar prej saj; por po të ndodhte kjo, ata nuk do të qëndronin pas teje veçse për një kohë shumë të shkurtër.”[2]

Herën e tretë në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Ai (Faraoni) deshi t’i provokonte (jestefizze) dhe t’i dëbonte nga toka, por Ne e fundosëm atë dhe të gjithë ata që ishin me të.”[3]

Fjala “istefezze” do të thotë: ta nxisësh diçka, ta trazosh, ta shqetësosh ose ta shtysh drejt reagimit të nxituar.

Në ajetin e parë, Kurani flet për mënyrat që përdor Iblisi për t’i devijuar bijtë e Ademit, duke i provokuar dhe nxitur me zërin e tij.

Ibn Kethiri, në komentimin e fjalës së Allahut të Lartësuar “Provokoji (istefziz) dhe nxiti me zërin tënd” ka thënë: është thënë se kjo nënkupton këngën. Muxhahidi ka thënë: me argëtim dhe këngë, domethënë: t’i bësh të lehtësohen dhe t’i joshësh përmes tyre. Ndërsa Ibn Abasi, në komentimin e fjalës ka thënë: “Çdo thirrës që thërret në mëkat ndaj Allahut të Lartësuar.” Këtë mendim e ka përmendur edhe Katade, ndërsa Ibn Xheriri e ka përzgjedhur si mendimin më të saktë.

Në ajetin e dytë, Kurani flet për përpjekjen e jobesimtarëve për ta provokuar të Dërguarin (a,s) që të largohej nga Meka.

Ibn Kethiri thotë se ky ajet ka zbritur për jobesimtarët (Kurejshët), të cilët menduan ta dëbonin të Dërguarin nga mesi i tyre. Allahu i kërcënoi me këtë ajet dhe u bëri të ditur se nëse do ta dëbonin, ata nuk do të qëndronin në Mekë pas tij veçse për një kohë shumë të shkurtër.

Kështu edhe ndodhi: pas emigrimit të tij nga mesi i tyre, pasi e kishin shtuar shumë mundimin dhe armiqësinë ndaj tij, nuk kaloi më shumë se një vit e gjysmë, derisa Allahu i mblodhi ata dhe atë në Bedër, pa ndonjë marrëveshje paraprake. Atëherë Allahu ia mundësoi të triumfonte mbi ta, i vuri nën pushtetin e tij dhe i dha fitore kundër tyre.

E sa i përket ajetit të tretë, ai flet për përpjekjen e Faraonit për ta provokuar dhe dëbuar Musain (a.s) nga toka e Egjiptit; por Allahu e ndëshkoi atë dhe ushtrinë e tij, duke i fundosur të gjithë në ujë.

Në këto tri ajete, folja “provokim” (istifzaz) vjen nga armiqtë e Allahut, qoftë nga Iblisi apo nga jobesimtarët, në të kaluarën dhe në të tashmen. Provokimi është një mënyrë për ta shtyrë njeriun të bëjë një veprim që e dëshiron provokuesi për një qëllim të vetin; dhe shpeshherë ky veprim nuk është në dobi të atij që provokohet. Prandaj, ai është një lloj dinakërie dhe mashtrimi.

Në këtë ka një paralajmërim për besimtarët që të jenë të vetëdijshëm dhe vigjilentë, dhe të mos bien nën ndikimin e veprimeve apo fjalëve të armiqve. Besimtari duhet të jetë i mençur dhe i mprehtë, dhe të mos devijojë nga rruga e tij e përcaktuar për shkak të një nxitjeje, joshjeje apo provokimi nga të tjerët.

Besimtari duhet të ketë një vizion të qartë dhe një kuptim të plotë të natyrës së rrugës që ndjek; sepse përballë tij qëndron një shejtan që e tundon, një mashtrues që përpiqet ta gënjejë dhe një qëllimkeq që synon ta rrëzojë.

Është e rrezikshme që besimtari të veprojë thjesht si reagim ndaj rrethanave të papritura, pa u përgatitur për to dhe pa menduar për pasojat dhe përfundimet e tyre.

Nga rregullat e rëndësishme në shkencën e strategjisë është që njeriu të mos hyjë në një luftë të cilën nuk e përcakton vetë, por që thjesht është një reagim ndaj provokimit të armikut.

Kjo është një nga çështjet më të rrezikshme. Këto ajete përmbajnë një mësim shumë të rëndësishëm: njeriu duhet të përpiqet të mbajë në dorë iniciativën, dhe të mos përfshihet në veprime vetëm për shkak të provokimeve të atyre që nuk ia duan të mirën.

O Allah, na ruaj nga sprovat, qofshin ato të dukshme apo të fshehta. O Allah, ne kërkojmë mbrojtje te Ti nga ngacmimet e shejtanëve dhe kërkojmë mbrojtje te Ti që ata të mos jenë të pranishëm pranë nesh.

Autor: Fehmi Islami

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Isra: 64.

[2] – Sure Isra: 76.

[3] – Sure Isra: 103.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.