Hasedi dhe syri i keq

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Përkufizimi i hasedit (zilisë, smirës)

Ajo është dëshirë e madhe për të pasur a për të arritur atë që ka a që ka arritur dikush tjetër; ndjenjë lakmie a keqdashjeje që na ngjallet kur shohim dikë tjetër më mirë se veten; dëshira që na shoqëron për t’i parë të mirat dhe privilegjet e dikujt t’i shuhen dhe t’i zhduken. Këto të mira dhe privilegje, mund të jenë pasuri e shumtë, poste dhe pushtet, shëndet, fëmijë etj… Ziliqari kërkon dhe uron që këto të mira t’i shuhen, të privilegjuarit dhe personit që ka zili.

Imam El-Xhahidh, nuk mjaftohet me përkufizimin e mësipërm. Përkufizimit të mësipërm, ai i shton dhe fjalët “Ziliqari ndjen dhimbje dhe digjet përbrenda kur konstaton të mirat dhe privilegjet e dikujt.”

Zilia e ndaluar është ajo që shoqërohet me urim dhe dëshirë që të mirat dhe privilegjet e dikujt, t’i shuhen dhe zhduken.

Lind pyetja: A më lejohet mua që të uroj shuarjen dhe zhdukjen e privilegjeve të dikujt që i tejkalon kufinjtë dhe këto të mira i përdor për të ngopur epshet e tij të shthurrura? Përgjigja është “po”, lejohet diçka e tillë. Kushdo, ka të drejtë ta ketë zili një qeveritar dhe udhëheqës i cili shfrytëzon pushtetin, për të nëpërkëmbur të drejtat e popullit, përvetësimin e pasurive të tyre, shtypjen dhe monopolizimin e të gjithë burimeve. Dikush tjetër, mund të jetë një tregtar dhe biznesmen i pasur, por që ka monopolizuar të gjithë burimet e furnizimit me lëndë ushqimore. Një njeri të tillë, mund ta kesh zili dhe të urosh shuarjen e pasurisë dhe privilegjeve të tij, të cilat i shfrytëzon për qëllime të mbrapshta.

Zilia dhe smira e ndaluar, është kundrejt atyre njerëzve të pafajshëm, të cilët Zoti i ka privilegjuar me disa të mira ose talente të veçanta.

Historitë dhe ndodhitë në këtë aspekt, janë të shumta. Në këtë kontekst, ne duhet të bëjmë diferencim mes hasedit dhe syrit të keq, pasi shpesh herë ka lidhje mes të dyve. Jo çdo sykeq është ziliqar. Ka njerëz që janë sykeq ndaj të afërmve, madje dhe ndaj vetes së tyre. Njerëz të tillë duhet të lexojnë sa më shumë Kuran dhe të thonë “Mashallah” kur shohin diçka që u pëlqen.

Një grua vajti të vizitoi komshinë e saj, të cilës i kishin lindur dy binjakë. Me të hyrë në dhomë, asaj i vajtën sytë tek dy binjakët, të cilët dukeshin si dy pika uji. Duke hapur sytë, ajo iu drejtua nënës së dy binjakëve duke i thënë:”Si është e mundur që i dalloni kush është Ahmedi dhe kush Hasani?!” Me të mbaruar këto fjalë, njërit nga pjestarëve të familjes, i derdhet filxhani me çaj të nxehtë mbi krahun e njërit nga binjakët, i cili nuk iu shërua kurrë plotësisht. Ajo që bëri kjo grua është se arriti t’i dallojë dy binjakët, me të djegurën e çajit të nxehtë, si pasojë e syrit të keq.

Për këtë, ne muslimanët jemi të obliguar të themi “Mashallah”, kurdo që shohim diçka të bukur dhe që tërheq vëmendjen tonë.

Duke studiuar fenomenin e zilisë dhe smirës, dijetarët muslimanë kanë arritur në rezultatin se smira dhe zilia, është gjynahu i parë me të cilin u kundërshtua urdhëri i Zotit në qiell dhe në tokë. Ai është gjynahu i parë në qiell, pasi shejtani ndjeu zili dhe smirë ndaj Ademit a.s dhe privilegjeve që Zoti i kishte dhënë. Duke ndjerë zili dhe smirë ndaj Ademit, ai i tha Zotit: “Unë jam më i mirë se ai. Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta”[1] Me këtë, shejtani e kundërshtoi ndarjen e privilegjeve nga ana e Zotit dhe kundërshtoi caktimin e Tij.

Po ashtu, zilia dhe smira është gjynahu i parë me të cilin u kundërshtuan urdhërat e Zotit mbi tokë. Ishin dy djemtë e Ademit a.s, nga një baba dhe nënë, megjithatë zilia dhe smira çoi në vrasjen e vëllait. Smirëkeqi dhe ziliqari mund të arrijë deri atje sa ta eleminojë personin që ka zili. Thotë Zoti në Kuran mbi atë që ndodhi mes dy djemve të Ademit a.s: ”Nëse ti ngre dorë të më vrasësh mua, unë nuk do ta ngre dorën që të të vras, sepse, në të vërtetë, unë i frikësohem Allahut, Zotit të gjithësisë. Unë parapëlqej të marrësh barrën e gjynahut tim dhe të gjynahut tënd e kështu të bëhesh ndër banorët e zjarrit. Ky është ndëshkimi i keqbërësve”. Vetja e tij e nxiti në vrasjen e të vëllait dhe e vrau. Kështu, ai u bë nga të humburit.”[2]

Tani le të kalojmë tek një ndodhi tjetër, të cilën na e ilustron Kurani famëlartë, në formën më të bukur. Ata rridhnin nga e njëjta familje dhe ishin fëmijë të një Profeti. Këtë ndodhi, e përshkruan Kurani me fjalët: ”Vëllezërit e tij thanë: “Jusufi dhe vëllai i tij, janë më të dashur se ne për babanë tonë, ndërkohë që ne jemi një grup i tërë. Babai ynë, me të vërtetë, po gabon rëndë.”[3]

Zilia dhe smira në këtë rast, ndodh si rezultat i një krahasimi mes dashurisë së njërit nga fëmijët dhe të tjerëve. Ndodhia e Jusufit a.s, na mëson që nëse njëri nga fëmijët ka nevojë për një trajtim të veçantë, duhet t’u bëhet e qartë fëmijëve të tjerë, përse bëhet ky trajtim i veçantë për vëllanë apo motrën e tyre. Ata duhet ta ndjejnë se të gjithë duhen njëlloj dhe të mos ketë të privilegjuar, përveçse në raste të veçanta, ku duhet t’u bëhet e qartë të tjerëve.

Zilia dhe smira, arriti deri atje mes vëllezërve të Jusufit, saqë me njëri-tjetrin thanë: “Vriteni Jusufin ose braktiseni në ndonjë vend të largët, se pastaj babai juaj do të kthehet nga ju dhe, pas kësaj, do të bëheni njerëz të mirë”[4]

Një nga shokët e mi, në celularin e tij ka foton e djalit të tij më të madh. Kjo, pasi ai është i dhënë më shumë ndaj djalit më të madh. Unë e këshillova që të mos e bëjë këtë dallim, pasi do të nxisë kureshtjen dhe më vonë dhe zilinë e fëmijëve të tjerë. Përse vetëm fotoja e djalit më të madh, u dashka vënë në celularin e babait? Po ne të tjerët? Shpesh herë, ne ndërmarrim veprime të tilla, të cilat kultivojnë dhe ngulisin thellë në psikologjinë e tyre zilinë dhe smirën, pa e ndjerë dhe pa dashur.

Mbi zilinë, ka mbetur e gjallë një fjalë e urtë, e cila thotë: ”Sa e drejtë është zilia! Ajo vret vetë ziliqarët.”

Kjo fjalë e urtë, ka mbetur nga një histori e këndshme në historinë islame. Ajo përmendet në literaturën e muslimanëve, që nga koha e dinastisë abasite.

Tregon autori i këtij libri:”Një ditë, hyri në këshillin e Halifes Abasit, Elmutesim, një beduin. Ai i foli me fjalë të buta dhe prekëse, duke përmendur meritat dhe moralet e tij të larta. Me këtë, ai fitoi zemrën e Halifes El-Mutesim, i cili nga ana e tij filloi t’a mbajë sa më pranë. Një nga vezirët e Halifes, filloi të ndjejë zili dhe smirë, për këto marrëdhënie të këtij beduini me vetë Halifen. Zilia dhe smira vazhdoi të shtohej, saqë veziri filloi të thurrë plane, për të futur armiqësi mes Halifes dhe beduinit dhe së fundmi për ta hequr atë qafe. Veziri, e ftoi një ditë për drejtë beduinin. Kur beduini vajti, veziri i ofroi ushqim që përmbante shumë hudhra, era e të cilave është e padurueshme. Vetë Profeti a.s ka thënë në një hadith: ”Kush han nga kjo bimë, mos të vijë në xhami.”  Muslimani e ka detyrë që në xhami dhe në ceremoni të ndryshme ku ka njerëz të tjerë, të përfurmoset dhe të mos lëshojë erë të keqe.

Pasi përfunduan nga të ngrënit, veziri iu drejtua beduinit dhe i tha:”Prijësi i muslimanëve, plas nga inati, nëse dikujt i vjen era hudhër nga goja.” Në anën tjetër, veziri vajti tek Halifeja dhe i tha:”Beduini që mban afër dhe që e preferon shumë, ka hapur fjalë në të gjithë pallatin se gojës tënde i vjen erë e padurueshme.” Këto fjalë e çmendën Halifen El-Mutesim. Menjëherë ai i dërgoi fjalë beduinit që të paraqitej para tij. Duke qenë se kishte ngrënë hudhër dhe nuk dëshironte që Halifes t’i arrijë era e saj, beduini mbulonte gojën e tij me krah, teksa fliste. Halifeja, i siguruar tashmë nga ajo që i tha veziri i tij, nxorri një letër dhe pasi shkroi diçka, iu drejtua beduinit dhe i tha:”Merre këtë letër dhe shko me të tek organet ekzekutive të Kalifatit. Në letër, Halifeja kishte shkruar:”Kur të arrijë tek ju mbajtësi i kësaj letre, t’i pritet koka menjëherë.” Me të marrë letrën, beduini doli jashtë, ku takoi vezirin. Me ta parë veziri me letër në dorë, mendoi se Halifeja i ka caktuar ndonjë shumë parash, siç e kishte zakon të shpërblejë miqtë e tij. Kështu, i kërkoi t’ia japë atij letrën, në këmbim të dy mijë derhemëve. Veziri e morri letrën dhe u nis me nxitim drejt organeve ekzekutive, duke shpresuar se do të marrë ndonjë shpërblim të madh. Kur organet ekzekutuese hapën letrën dhe e lexuan, zbatuan porosinë e Halifes dhe i prenë kokën vezirit të shkretë.

Pas disa ditësh, duke ndjerë mungesën e vezirit të tij, Halifeja u interesua për të dhe të pranishmit i thanë se nuk e kanë parë. U interesua dhe për beduinin dhe i thanë se e kishin parë rrugëve të qytetit. Halifeja El-Mutesim e thirri menjëherë beduinin dhe e pyeti mbi atë që kishte ndodhur ditën që i kishte dorëzuar letrën. Beduini i rrëfeu gjithçka dhe pasi El-Mutesim kuptoi atë që kishte ndodhur, tha fjalën e urtë të mësipërme.

Në fshatrat dhe fiset egjyptiane që banojnë në shkretëtirë, është i përhapur fenomeni i zilisë dhe smirës. Një nga këto banorë të shkretëtirës, kishte zili komshinë e tij, i cili kishte arritur ta shtojë kopenë e deleve. Duke ndjerë zilinë që i digjte zemrën dhe e brente çdo ditë, ai vajti tek një njeri që njihej për syrin e tij të keq dhe i kërkoi që të marrë mësysh kopenë e komshiut, në këmbim të një shume. Të dy, dolën jashtë fshatit dhe u ulën në një vend, nga do të kalonte komshiu me kopenë e deleve. Me t’u shfaqur në horizont komshiu me delet e tij, ziliqari dhe smirëkeqi i tha sykeqit:”Shiko! Ja ku është komshiu me delet e tij!” Sykeqi i tha:”Si është e mundur që ti e dallon dhe unë nuk dalloj gjë?!” Në çast, ziliqari humbi shikimin ngaqë u morr mësysh. Me këtë, vërtetohet dhe një herë thënia e urtë:”Kush i hap gropën mikut, bie vetë brenda.”

Shpesh herë ballafaqohemi me persona të cilët e mohojnë syrin e keq dhe ndikimin e tij. Këtyre personave u themi që të lexojnë sa më shumë, të hyjnë në internet dhe të kërkojnë mbi studime të kësaj fushe, studime të cilat përfshihen në shkencat shoqërore dhe psiqike. Studimet në këtë fushë janë të shumta dhe është e papranueshme nga dikush që të flasë gjëra mbi të cilat nuk ka njohuri dhe madje as nuk ka lexuar gjësend.

Unë do të rrëfej një ndodhi tjetër, e cila ka ndodhur në vendin tonë, në Kuvajt. Një grua që i kishte kaluar të pesëdhjetat, shkoi në një dasëm. Duke ditur që në dasma, gratë vishen bukur dhe me rroba të shtrenjta, pasi janë të veçuara nga burrat dhe janë vetëm në prezencën e grave të tjera, edhe kjo grua u vesh dhe u zbukurua siç dëshironte vetë. Me të hyrë mes grave të tjera dhe hoqi rrobat e gjata dhe shaminë, një nga gratë e pa dhe e habitur i tha:”Uau! Qenke veshur si adoleshente!” Pa përfunduar fjalët, gruaja pesëdhjetë vjeçare u shemb përtokë. Menjëherë e transportuan në spital. Atje, fëmijët e saj thirrën një dijetar musliman, me qëllim që t’i lexojë Kuran. Me të arritur i dituri, e pyeti se çfarë kishte ndodhur. E sëmura i tha:”Sa më tha filania:”Uau! Qenke veshur si adoleshente!” unë u shemba përtokë dhe më janë paralizuar duart dhe këmbët. Profeti a.s ka porositur që në raste kur dihet sykeqi, ai duhet që të marrë abdes dhe me ujin e abdesit të tij, të lahet personi që është prekur nga syri i keq. Të afërmit i treguan gruas sykeqe mbi atë që kishte ndodhur dhe i kërkuan të merrte abdes. Ujin e mblodhën në një enë dhe me të u la gruaja e sëmurë. Me t’u larë me ujin e abdesit të sykeqes, ajo u ngrit dhe u largua në shtëpi.

Në një histori tjetër, tregohet për një person që ishte shumë i shkathët. Edhe pse nuk kishte asnjë post në administratën shtetërore, ai ishte në gjendje të zgjidhte çdo hall. Madje, të gjithë njerëzit e tij të afërm, i kërkonin atij të ndërmjetësonte dhe t’i ndihmonte në problemet që kishin me shtetin dhe institucionet e tij. Një ditë, teksa po ndihmonte dikë, e pa një person dhe i habitur tha:”Bah! Mbaroka punë pa qenë as ministër, as zëvendësministër…! Çfarë qenka ky njeri?!” Me të dalë nga institucioni ku ndodhej, ky person filloi t’i merrej goja dhe kishte vështirësi të mëdha në të folur. Vetëm pasi iu këndua Kuran dhe disa lutje të posaçme për raste të tilla, iu kthye goja përsëri.

Autor: Muhamed El Idevij

[1] – Sure A’raf: 12

[2] – Sure Maide: 29-30.

[3] – Sure Jusuf: 8.

[4] – Sure Jusuf: 9.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.