Nga Amar ibn Ebi Amari transmetohet se Ibn Abasi lexoi këtë ajet: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova ndaj jush mirësinë Time dhe zgjodha për ju Islamin si fe.”[1] Aty pranë ishte një hebre që tha: “Sikur të na ishte zbritur neve ky ajet, do ta kishim bërë atë ditë festë.” Ibn Abasi tha: “Vërtet, ai është shpallur në dy ditë feste: në ditën e xhumasë dhe në ditën e Arafatit.”[2]
Islami është feja e vërtetë e Allahut dhe shpallja përfundimtare qiellore, e vetmja e drejtë. Asnjë sistem tjetër ligjor apo doktrinë tokësore sot nuk është veçse e pavërtetë dhe devijancë. Kjo fe është e përsosur në ligjet e saj, sepse garanton përsosjen e drejtësisë, përsosjen e mëshirës, përsosjen e udhëzimit, nderimit dhe adhurimit të plotë të Allahut, sepse ajo është prej Tij.
Prandaj, nuk gabojmë po të themi se nuk ka drejtësi, nder dhe as siguri në tokë, përveçse me Islamin. Ajo që po përjeton sot njerëzimi – padrejtësi, shtypje dhe korrupsion – është dëshmia më e madhe e vuajtjes së shkaktuar nga largimi nga zbatimi i shpalljes hyjnore.
Njeriu që sundohet nga epshet dhe pasioni për pasuri – si do të ketë mëshirë ndaj nevojtarit, e si do të përmbahet nga grabitja e pasurisë së tjetrit, nëse nuk frikësohet nga ndëshkimi i Xhehenemit për atë që merr padrejtësisht të drejtën e dikujt, dhe nuk shpreson shpërblimin e madh për atë që jep dhe ruhet? Njeriu që e pushton dashuria për dëshirat, si do të përmbahet nga shkelja e nderit dhe shenjtërisë së të tjerëve, po të mos dëgjonte fjalën e Allahut: “Sa për atë që kapërceu kufijtë dhe e parapëlqeu jetën e kësaj bote, strehimi i tij është Xhehenemi.
E sa për atë që i frikësohet qëndrimit para Zotit të vet dhe e pengon veten nga dëshirat, strehimi i tij është Xheneti.”[3]
Islami, si sheriat prej Zotit të botëve, erdhi për të rregulluar çështjet e njeriut në rang individi, shoqërie, ummeti dhe për mbarë njerëzimin. Ligjet e tij janë të detajuara, të sakta dhe të rregulluara në mënyrë të përsosur, të tilla që, nëse zbatohen plotësisht pa ndërthurje me ligje të tjera, garantojnë drejtësi dhe mëshirë për shoqërinë.
Në shoqërinë islame nuk do të gjendet padrejtësi pa ndëshkim për të padrejtin dhe kthim të të drejtës tek i padrejti; Islami erdhi për të mbrojtur gjakun, nderin, pasurinë dhe dinjitetin e njerëzve.
Nga Ebu Bekre transmetohet se i Dërguari i Allahut (a.s) në Haxhin e Lamtumirës, në ditën e Kurbanit në Mina, tha: “Vërtet gjaku juaj, pasuria juaj dhe nderi juaj janë të shenjta për ju, ashtu siç është i shenjtë kjo ditë juaj, në këtë muaj tuajin, në këtë vend tuajin. A e përcolla (mesazhin)?”
Nga Ebu Hurejra (r.a) transmetohet se ai (a.s) ka thënë: “Çdo myslimani i është i ndaluar ndaj myslimanit tjetër: gjaku, nderi dhe pasuria e tij.”
Allahu i Lartësuar thotë në një hadith kudsij: “O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar vetes padrejtësinë dhe e kam bërë atë të ndaluar ndërmjet jush, prandaj mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit.”
Cilësia më e madhe e kësaj feje është se, siç u përmend në fillim, ajo është e vërteta dhe çdo gjë jashtë saj është e pavërtetë. Ajo buron nga Një i Urtë dhe i Dijshëm. Kjo cilësi, bashkë me mbrojtjen hyjnore të fesë nga shtrembërimi dhe ndryshimi, do të thotë se të gjitha ligjet e Islamit janë të drejta dhe të vërteta. Prandaj nuk ka vend për dyshim apo diskutim për vlefshmërinë e tyre, e as për nevojë rinovimi. Nuk ka nevojë për “përditësim” të ndonjë dispozite të kushtetutës islame që nxirret nga katër burimet e legjislacionit: Kurani, Suneti, Ixhmaja e sahabëve dhe Kijasi.
Vetë kjo cilësi është e mjaftueshme për të mbjellë qetësi në zemrat e besimtarëve. Ajo është gjithashtu garanci për t’i vënë kufi arrogancës së sundimtarëve dhe për t’ua prerë rrugën atyre që kërkojnë të legalizojnë korrupsionin apo të shpallin të lejuar atë që duan dhe të ndaluar atë që urrejnë. Kjo për shkak se e lejuara është e qartë dhe e ndaluara është e qartë, dhe nuk ka “zona gri” në ligjet që lidhen me të drejtat e njerëzve dhe me pesë objektivat madhore të Sheriatit.
Së dyti, Islami e bën detyrë për çdo njeri që i përket asaj feje, dhe për çdo shtetas të shtetit islam, që sovraniteti i takon vetëm fesë së Allahut. Kjo është e vërteta që nuk favorizon askënd, kjo është fe e fuqishme që të ndalon të vendosësh diçka tjetër mbi të. Nuk ka autoritet mbi ligjin e Allahut. Në ligjet njerëzore thuhet: “Ligji është mbi të gjithë”, por realiteti tregon të kundërtën në të kaluarën dhe në të tashmen. Nëse në mesin e Benu Israilëve vidhte një i pasur, e linin, e nëse vidhte një njeri i dobët, e ndëshkonin. Por Islami, me gjithë fuqinë dhe drejtësinë e tij, thotë: “Pasha Allahun! Sikur Fatimja, bija e Muhamedit, të vidhte, do t’ia prisja dorën.” Omer ibn Hatabi e ndëshkoi me kamxhik djalin e guvernatorit të Egjiptit, Amr ibn el-Asit, sepse kishte goditur një kopt pa të drejtë.
A po shihni si e vendos Islami sovranitetin vetëm për fenë e Allahut, dhe jo për askënd tjetër qoftë ai edhe biri i një profeti, i kalifit apo i princit?
Sundimtari në Islam nuk është mbret e as president, por një prijës i komunitetit, që mban përgjegjësinë e tij dhe ka me ta një marrëveshje e betim: ata i japin bindje dhe përkushtim në Islam me kusht që ai t’i udhëheqë me drejtësi dhe me sheriatin e Zotit të tyre. Kalifi në Islam është i barabartë me të tjerët, si dhëmbët e krehërit që është një nga parimet themelore të kësaj feje madhështore. Nuk ka dallim e as epërsi veçse në devotshmëri, dhe kjo devotshmëri nuk është meritë e dikujt, sepse askush nuk është i sigurt për pranimin e saj derisa të vdesë.
Kështu Islami e lidh njeriun me botën tjetër dhe e përqendron në qëllimin e vërtetë të ekzistencës: përfaqësimin në tokë. Sundimtari dhe i sunduari janë të dy në një detyrë të madhe, zbatimin e fesë së Allahut, meqë Ai i ka vënë në shërbim për këtë. Hilafeti është një përgjegjësi madhështore dhe pushteti është një sprovë, nga e cila janë shmangur njerëzit e fortë dhe të devotshëm, nga frika se mos pyeten për të nga Allahu. Omer el-Faruku ndërroi jetë duke thënë: “Ah, sikur të shpëtoja prej saj as pa fituar e as pa humbur”.
Këto parime nuk janë thjesht teori apo ide platonike për një qytet ideal që s’ekziston.
Islami është fe për njerëz realë, që gabojnë dhe përmirësohen, dhe është i zbatueshëm në çdo kohë dhe për çdo shoqëri. Ai erdhi me metoda të qarta dhe të detajuara për zbatimin e ligjeve të tij.
Me gjithë madhështinë e Islamit dhe rrezikun e sprovës së pushtetit – që shpesh është portë drejt padrejtësisë – Islami i ndau dispozitat në dy kategori:
1 – Ato që lidhen me vetë sundimtarin: duke e nxitur për shpërblimin e kujdesit të mirë ndaj njerëzve, për mëshirën ndaj tyre, për drejtësinë dhe urtësinë në udhëheqje, si dhe duke e paralajmëruar për pasojat e rënda të padrejtësisë në këtë botë dhe në tjetrën.
2 – Ato që lidhen me të sunduarit: duke i urdhëruar për urdhërimin e së mirës, ndalimin nga e keqja, llogaridhënien e sundimtarëve, këshillimin e tyre dhe detyrimin për të thënë të vërtetën e për t’i detyruar sundimtarët të qëndrojnë në të drejtë.
Dhe mbi të gjitha, frika ndaj Allahut është forca lëvizëse e shoqërisë dhe shpërblimi i madh i atyre që thonë të vërtetën.
Pa dashur që të zgjatemi më tepër themi se: Shteti islam është zbatimi praktik i asaj që Allahu i Lartësuar ka thënë për pejgamberin tonë Muhamedin (a.s): “Ne nuk të kemi dërguar ty përveçse mëshirë për botët.”[4]
Zbatimi i dispozitave të tij është i mjaftueshëm që kjo mëshirë të shfaqet realisht në jetën e umetit, ashtu siç e përjetuan myslimanët e parë në hijen e hilafetit të drejtë të parë.
Ne i lutemi Allahut që të na nderojë me të dytin së shpejti dhe të na bëjë pjesë të tij dhe ndër vepruesit e sinqertë për të.
Autor: Bejan Xhemal
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Maide: 3.
[2] – Tabaraniu në “El-Kebir”.
[3] – Sure Naziat: 37 – 41.
[4] – Sure Enbija: 107.