Shkaku i zbritjes së këtij ajeti është se në kohën e injorancës,- përpara se të vinte feja Islame – arabët pasi i therrnin devetë,e lyenin Qaben me gjakun e tyre. Shokët e Profetit (a.s) thanë: “Ne jemi më meritor, për ta bërë një gjë të tillë”. Më pas Allahu do të shpallte këtë ajet kuranor. Profeti (a.s) thotë në një hadith: “Me të vërtetë, Allahu nuk shikon as trupat dhe as pamjen tuaj, por shikon zemrat dhe veprat tuaja”[1].
Ky ajet kuranor i fton sahabët dhe të gjithë besimtarët, që të jenë të sinqertë në adhurimin dhe përkushtimin e tyre ndaj Allahut të Lartësuar.
Po ashtu, nëpërmjet këtij ajeti kuranor, Allahu i Lartësuar i fton besimtarët, që të mos hezitojnë aspak në kryerjen e obligimeve fetare apo në braktisjen e mëkateve. Në ritualin e therjes së kurbanit, besimtari duhet të marrë për shembull bindjen e dy profetëve të Allahut të Lartësuar, Ibrahimit (a.s) dhe Ismailit (a.s), të cilët nuk hezituan për asnjë moment për të përmbushur urdhrin e Allahut të Lartësuar deri në fund.
Rituali i therrjes së kurbanit na bën që:
1- të reflektojmë me vetet tona.
2- të largohemi nga çdo ideologji e gabuar dhe çdo risi.
3- të braktisim çdo gjë të keqe që është mbjellë në zemrat tona.
4- të largohemi nga morali dhe sjelljet e pahijshme.
5- të largohemi nga padrejtësia, mashtrimi, syfaqësia dhe neglizhenca jonë ndaj përgjegjësive, me të cilat jemi ngarkuar.
Nëse arrijmë të shmangemi nga të gjitha këto gjëra, atëherëdo të jemi të lumtur në të dy botët.
Autor: Elton Harxhi
[1]– Muslimi (2564).