Kush jam unë? Përcaktimi i identitetit dhe përkatësisë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Hapësirat e mendimit dhe meditimit janë shumë të gjera e pa kufi. Marrja e tyre nga Libri i Allahut i jep njeriut thellësi në mendim. Libri i Allahut është referenca e domosdoshme, ku njeriu mëson rregullat elementare të detyrimit moral, e ruan tokën të pastër dhe e mbron atë nga shthurrja dhe degjenerimi i shfrenuar.

Një prej thelbeve të mendimit është edhe prezenca e disa kushteve të domosdoshme. Plotësimi i këtyre kushteve ndihmon dhe e formon njeriun në aspektin edukativ, kulturor, si dhe i jep atij gjykim e mendje të shëndoshë. Këto kushte duhet të vihen në zbatim, qysh kur njeriu të fillojë të kuptojë e të jetë i vetëdijshëm për atë që vepron, d.m.th. këto kushte duhet të vihen në zbatim qysh në fëmijërinë e hershme. Ndoshta tek shumë prej nesh nuk është formuar një ide e qartë, kështu që ne kemi nevojë për një rikthim të vlerësimit të veteve tona, pasi mungesa e saj krijon tek ne shumë boshllëqe e të çara në formimin dhe edukimin e fëmijëve tanë.

Këto kushte për të cilat do të flasim i japin njeriut ekuilibrim dhe stabilitet në jetë, këto kushte e bëjnë njeriun të kuptojë se disa koncepte e nocione të gabuara që në këndvështrimin e parë duken si të përshtatshme, por që në të vërtetë, përqafojnë ide dhe forma devijuese nga parimet themelore të edukimit moral, nga të gjitha këto koncepte të gabuara njeriu arrin të kuptojë se ato e largojnë njeriun nga vlerësimi i duhur edukativ. Atëherë cilat janë këto kushte?

Kushti i Parë: Përcaktimi i identitetit: Kush jam unë?

Kontaktet e para të njeriut ose të fëmijës me anbientin ku ai jeton, i përshkruajnë tipare, karakteristika e veçori dalluese, i japin ekuilibrim dhe stabilitet në hapat e para të komunikimit me të tjerët, sido qofshin këto tipare, tipare të një njeriu të mirë apo të keq, shpirtbutë apo shpirtlig, të zgjuar e me talent apo të një naivi, tipare të një trimi apo frikacaku. Për këtë arsye kujdestari i fëmijës qysh në hapat e para duhet të kujdesohet për të, duke i dhënë arsimin, duke i mësuar sjelljen dhe moralin e mirë, duke e këshilluar gjithmonë që të largohet nga shoqëria e keqe.

Ky edukim i cili i ka shumë anë pozitive, do t’i japë fëmijës stabilitet e qëndrueshmëri deri në fund të jetës së tij. Profeti (a.s.) thotë në lidhje me këtë çështje: “Çdo njeri lind me natyrë të pastër.” Pra, fëmija lind jo i djallëzuar, por ambienti përreth e shoqëria ku jeton, ndikojnë dhe infuencojnë tek ai për mirë ose për keq.

Shumë probleme që shfaqen e ndodhin ndërmjet prindërve dhe fëmijëve, burojnë nga humbja e njohjes së identitetit të vërtetë. Ndonjëherë, vërejmë se prindërit në hapat e para të jetës së tyre familjare, psh janë të shfrenuar, kështu që ata ndikojnë keq tek identiteti i fëmijës. Kur fëmija arrin në moshën më delikate të jetës së tij, pikërisht në etapën e adoleshencës, gradualisht prindërit kthehen në rrugën e drejtë, por pas kësaj ata hasin mjaft vështirësi për ta edukuar dhe bindur fëmijën e tyre. E gjitha kjo nuk është gjë tjetër, vetëm se rezultat i identitetit të kultivuar tek fëmija, që qysh në fillim ishte negativ. Tashmë, ndryshimi është krejtësisht i pamundur për të mos thënë që është i parealizueshëm, përveç rasteve kur përdoren metodat e bindjes së forcës, ose duke marrë përvojë nga metoda e eksperienca të veçanta, të cilat kanë dhënë rezultat pozitiv.

Identiteti që merret që në fillim të jetës, lë gjurmë shumë të thella tek fëmija. Ndikimi për mirë apo për keq rrënjos në zemrën dhe mendjen e tij një identitet të përcaktuar. Kjo çështje është shumë e rëndësishme dhe paraqitet mjaft e rrezikshme. Prandaj, duhet patur shumë kujdes.

Kushti i Dytë: Harmonia e brendshme ose pranimi i vetes:

Njeriu mendon gjithmonë për formimin, zhvillimin kulturor dhe për edukimin e tij, duke synuar shkallën më të lartë të përsosmërisë. Në qoftë se në mendjen e tij krijohen bindje të thella për diçka ta caktuar, atëherë këto i bindje i japin qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e duhur zhvillimit të të mëtejshëm të tij. Në rastin e kundërt, ata njerëz të cilët janë të paqëndrueshëm dhe të pastabilizuar, duke ndërruar vazhduimisht mendimet dhe idetë e tyre, pasi kalon një periudhë kohe, tek këta njerëz krijohet problemi i mos harmonizimit të brendshëm. Në qoftë se ky lloj mos harmonizimi nuk e shpie njeriun drejt humbjes, të paktën do t’i shkaktojë stres të vazhdueshëm.

Disa ide bashkëkohore, duke u fshehur nën petkun e objektivitetit ose kërkimit të të vërtetës, japin ide, nocione e koncepte (që mund të jeën edhe të qëllimshme) krejtësisht të gabuara e të shtrembëruara, të cilat paraqiten si mjaft të rrezikshme. Rezultati është i ditur dhe i njohur qysh në fillim: shkatërrim dhe çoroditje të mendjes së njeriut, duke e lënë atë gjithmonë në mëdyshje e pasiguri. Rrezikshmëria paraqitet akoma më e madhe, kur objekti i shkatërrimit është një masë e madhe njerëzish. Ndërsa tek një grup i vogël, rreziku nuk është i dukshëm, përveç disa individëve të caktuar. E gjithë çështja ka lidhje me kriterin bazë që duhet të ndjekë njeriu. Ky kriter do t’i japë atij mundësi që të dijë të vlerësojë veten e tij, si dhe të dijë që të jetë sa më efektiv në komunikimin me të tjerët. Kurani i Madhërishëm e shpreh mjaft qartë kriterin bazë të vlerësimit të çdo pune të brendshme ose të jashtme. Allahu i Lartësuar thotë: O ju njerëz! Ne ju kemi krijuar prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi tek ju është ai që më tepër ruhet e largohet nga veset e këqia. Allahu është i Gjithdijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë”.

Pranimi i rrugës që të shpie drejt devotshmërisë, ekziston dhe është i mjaftueshëm, atëherë kur mirësia mbizotëron tek të gjithë. Ndërsa ideologjitë, doktrinat e principet, të cilat i kushtojnë vëmendje e i japin rëndësi individualizmit autokrat, kolektivizimit të shturrur, opurtunizmit apo egoizmit, të gjitha këto shpien drejt shkatërrimit të individit dhe shoqërisë.

Shumica e anëve negative dhe ato ndjenja agresive e armiqësore që gjenden tek fëmijët, formohen në ditët e para të fëmijërisë, si rezultat i ushtrimit të presionit e dhunës mbi fëmijën. Tek ai fëmijë, mbi të cilin ushtrohet dhuna e forca, rrënjoset tendenca e agresivitetit dhe shfaqen shenja egërsie. Ai tashmë ka mësuar, se njerëzit njerëzit kanë tendenca e prirje për nga e mira, ashtu siç kanë edhe prirje për të anuar nga e keqja. Por i gjithë problemi qëndron në faktin, se natyra e tij fëminore nuk e lejon të arrijë të kuptojë se kush është e mira apo e keqja. Ky është një realitet mjaft i hidhur, i cili qëndron në një nivel më të lartë se konceptimi i fëmijës, që është në hapat e para të zhvillimit. Këto lloj metodash e formash janë të frikshme për të dhe njëkohësisht edhe krejtësisht të dështuara. Këto metoda jo efikase skicojnë në intimitetin e fëmijës mbresa dhe gjurmë, të cilat hapin plagë të thella. Është e vërtetë se vendosmëria dhe qëndrimi i prerë ndaj fëmijës janë diçka e mirë dhe e domosdoshme në proçesin e edukimit të tij, por ky qëndrim nuk do të thotë ashpërsi apo rreptësi e tepruar, sepse kjo do të ndikonte negativisht e në asnjë mënyrë nuk do të ishte efikase.

Kushti i Tretë: Si duhet të sillem gjatë rrugës:

Në jetën e përditshme, ne gjithmonë kemi nevojë për shembuj të lartë të moralit, në mënyrë që t’i ndjekim e t’i marrim si shembull. Kurani i Madhëruar na ka udhëhequr drejt kësaj rruge. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: Dhe kjo është rruga ime e drejtë, përmbajuni kësaj e mos ndiqni rrugë të tjera, që t’ju ndajnë nga rruga e Tij. Këto janë porositë e Tij për ju që të jeni të devotshëm.” Gabimi më i madh i njeriut është, kur pretendon se është i pavarur e nuk i përket asnjë lloj ideje të caktuar. Ky koncept është krejt i pavërtetë, sepse s’ka njeri në botë që të mos përqafojë një ide të caktuar. Le të supozojmë për një çast, se filan person nuk i përket asnjë religjioni, ose nuk ka parime të ngulitura në mendjen e tij. A mos do të thotë kjo, se ai nuk i përket askujt?! Jo, kurrsesi! Diçka e tillë është e pamundur. Një njeri i tillë edhe në qoftë se nuk i përket asnjë lloj ideje apo rryme të caktuar, përsëri i përket idesë dhe rrymës, me të cilën përputhen mendimet e tij. Mendimet e tij, të cilat përputhen me një ide janë pjesmarrëse në koncepte, ide e vizualitete të përafërta , burimi i të cilave rrejdh nga ide dhe nocione ekzistuese.

Kështu pra, është absurde të thuash, që njeriu nuk i përket askujt. Përkatësia mbjell tek njeriu mënyrën e të sjellurit, idetë, vizionet dhe aspiratat që njeriu përpiqet t’i realizojë.

Kushti i Katërt: Formimi i ndërgjegjes së plotë:

Çfarë duhet të bëj? Kur njeriu përzgjedh një model të tijin, gjatë kësaj përzgjedhjeje përballet me situata të cilat kanë nevojë për largpamësi në vlerësimin e duhur të modelit të përzgjedhur. Aq sa ç`është i kuptueshëm e i perceptueshëm nocioni i modelit dhe i marrjes së shembullit, po aq do të jetë edhe qëndrimi e sjellja e njeriut afër të vërtetës.

Paqartësia e njeriut në veprimet e kryera nuk ka rezultate të mira. Ndonjëherë, njeriu është në pozicionin e deklarimit të të vërtetës, por ai konsiderohet si një njeri që e ka kaluar cakun. Ndonjëherë, ai duhet të tregohet shumë i matur dhe mëndjeprehtë. Për këtë, ai nuk duhet të flasë e konsiderohet frikacak. Njëherë tjetër, ai përdor një hipokrizi tepër të rrezikshme, por si për çudi konsiderohet diplomat. Profeti Muhamed (a.s.) thotë: “Do të vijë ajo kohë, kur njeriut do t’i thuhet: sa i zgjuar, i shkathët e këmbëngulës qenka filani. Por, në zemrën e tij nuk ka asnjë fije besimi.” Në një thënie tjetër, Profeti (a.s.) thotë: “Nga shenjat e Ditës së Gjykimit janë humbja e dijes dhe vlerësimi i injorancës.”. Allahu i Lartësuar e ka sqaruar në Kuran formimin e ndërgjegjes, e cila e përsos sjelljen e moralin sipas rrugës së duhur. Allahu thotë: E ata të cilët janë përpjekur për hir Tonë, Ne me siguri do t’i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se Allahu është me bamirësit.” Kështu pra,  pa përpjekje dhe mund, njeriu nuk e njeh rrugën e drejtë.

Kushti i Pestë: Cili është vlerësimi i veprës së kryej:

Ndonjëherë, duke hedhur një vështrim të menjëhershëm tek punët që kryen, duket sikur ato janë të pavlefshme e të padobishme. Duke e parë çështjen nga ky këndvështrim, njeriu e humbet besimin dhe bindjen për idenë që përqafon. Profeti Muhamed (a.s.) thotë: “Në qoftë se po ndodh Kijameti dhe dikush prej jush ka në dorë një fidan, atëherë le ta mbjellë atë, përpara se të ndodhë Kijameti.” Sa çudi,  rritjen e këtij filizi nuk do ta përjetojë askush. Askush nuk do t’i vjelë frytet e tij, askush nuk do të ulet nën hijen e tij për të pushuar. Situata është kritike dhe e vështirë, por megjithatë njeriu  në këtë situatë kaq të vështirë, këshillohet që të kryejë një vepër të mirë, sepse vepra e mirë duhet të kryhet sido që të jenë rrethanat.

E vërteta duhet të përmendet e të triumfojë gjithmonë, sepse ajo është e vërtetë, sido që të jenë rezultatet. Po kështu, edhe e shtrembërta duhet të ndalohet e të shfaqet si e tillë, sido që të jenë rezultatet. Egoizmi i shpirtit materialist ka pushtuar një hapësirë të madhe tek shumica e njerëzve. Ky egoizëm materialist i ka penguar dhe ndaluar shumë njerëz të sillen mirë, edhe kur i jepet mundësia. Allahu i Lartësuar e ka obliguar njeriun që puna e tij e mirë të jetë gjithmonë e vazhdueshme deri në vdekje. Allahu i Lartësuar thotë: Adhuroje Zotin deri në vdekje!” Vepra e mirë, komunikimi me të tjerët në formën më të bukur dhe morali i mirë janë lloje të adhurimit.

Kushtet, për të cilat folëm, janë mjaft të domosdoshme për rritjen dhe zhvillimin e njeriut. Në qoftë se duam që fëmijët tanë të jenë të mirë, në rradhë të parë duhet të shikojmë mangësitë dhe boshllëqet tona, që na janë krijuar qysh në vegjëli. Pa plotësimin e këtyre boshllëqeve, nuk do të kemi mundësi të edukojmë fëmijët tanë.

Autor: Ahmed Muadh El Hatib

Përktheu: Elton Harxhi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.