Muaji Shaban muaji i parapapërgatitjes
Falënderimi i takon Allahut, të Vetmit, Ngadhënjyesit, Rrotulluesit të zemrave dhe shikimeve, Atij që e mbështjell natën mbi ditën dhe ditën mbi natën që ato të jenë kohë të caktuara për veprat dhe matës .
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Allahut, Një e të Vetmit, pa shok; të Plotfuqishmit, Falësit të madh; një dëshmi që ia siguron thënësit të saj Xhenetin, sa përfundim i bukur është ai!
Dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij, i zgjedhuri dhe i përzgjedhuri, bartësi i dritave. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij, bashkëshortet e tij dhe shokët e tij të zgjedhur, me paqe e bekime të pandërprera deri në Ditën e Gjykimit.
Vëllezër të dashur!
Ja ku ditët rrotullohen dhe viti përmbyllet i tëri, për t’u kthyer tek ne muaji Shaban si kujtesë dhe paralajmërim; sikur ai t’u thërrasë zemrave: “Pas meje vjen një muaj madhështor… merrni nga unë përgatitjen tuaj… le të përgatiten ata që duan të përgatiten para se ditët e mia të mbarojnë me shpejtësi dhe t’ju arrijë muaji juaj… unë e kam përcjellë mesazhin… o Allah, Ti dëshmo!”
Çfarë është Shabani?
Shabani u quajt kështu sepse arabët shpërndaheshin dhe lëviznin në të për të kërkuar ujë, pas përfundimit të muajit të shenjtë Rexheb. Ai është muaji ndaj të cilit njerëzit shpesh janë të pakujdesshëm mes Rexhebit dhe Ramazanit, por te Pejgamberi (a.s) ishte një stinë e madhe bindjeje dhe adhurimi.
Pse Pejgamberi (a.s) e shtonte agjërimin në Shaban?
Nga nëna e besimtarëve Aisheja (r.a.) transmetohet se ka thënë: “Pejgamberi (a.s) agjëronte aq shumë sa thoshim: nuk po e ndërpret agjërimin; dhe e ndërpriste aq sa thoshim: nuk po agjëron. Nuk e pashë kurrë të plotësonte agjërimin e një muaji tjetër përveç Ramazanit, dhe nuk e pashë kurrë të agjëronte më shumë se në Shaban.”[1]
Në një transmetim tjetër ajo thotë: “Në asnjë muaj të vitit Pejgamberi (a.s) nuk agjëronte më shumë se në Shaban, dhe thoshte: ‘Merrni nga veprat aq sa mundeni, sepse Allahu nuk lodhet derisa të lodheni ju’; dhe thoshte: ‘Vepra më e dashur tek Allahu është ajo që vazhdon, edhe nëse është e pakët.”[2]
Edhe sahabët e vunë re këtë. Usame ibn Zejdi e pyeti të Dërguarin e Allahut: “O i Dërguari i Allahut! Nuk të shoh të agjërosh ndonjë muaj siç agjëron Shabanin!” Ai (a.s) tha: “Ky është një muaj ndaj të cilit njerëzit janë të pakujdesshëm, mes Rexhebit dhe Ramazanit. Është muaji në të cilin veprat ngrihen te Zoti i botëve, dhe unë dua që vepra ime të ngrihet ndërsa jam agjërues.”[3]
Shabani muaj i ngritjes së veprave
Sa nder i madh është për Shabanin që veprat ngrihen në të te Allahu! Çfarë duam të ngrihet prej veprave tona? Vepra të të pakujdesshmëve apo të përkujtuesve? Zemra të mbushura me armiqësi apo shpirtra të qetë, plot dashuri dhe pastërti?
Muaji i faljes dhe shikimit hyjnor
Nga Ebu Musa el-Esh’ari (r.a.) transmetohet se Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Allahu shikon natën e gjysmës së Shabanit dhe i fal të gjithë krijesat e Tij, përveç idhujtarit dhe atij që mban armiqësi.”[4]
Çfarë madhështie! Çfarë mëshire! Allahu i fal të gjithë, përveç atij që i bën shok Atij ose atij që mban urrejtje në zemër ndaj vëllait të tij musliman.
Mësimi i madh: zemra e pastër
Pejgamberi (a.s) tha për një burrë se është prej banorëve të Xhenetit. Kur u pyet për veprën e tij, ai tha: “Nuk mbart në zemrën time asnjë të keqe ndaj asnjë muslimani dhe nuk e kam zili askënd për një të mirë që Allahu ia ka dhënë.”
Kjo është arsyeja e suksesit gjë që tek një pjesë e mirë e jona mungon.
Sa shumë kemi nevojë për zemra të pastra! Zilia i ha veprat e mira siç zjarri ha drutë; urrejtja pengon faljen, largon mëshirën dhe sjell mjerim.
Shabani mundësi e artë
T’i rregullojmë nijjetet
T’i pastrojmë zemrat nga zilia dhe urrejtja
Ta shtojmë agjërimin sipas sunetit
Ta gjallërojmë natën e gjysmës së Shabanit me namaz, dhikr, dua dhe istigfar
Ta kujtojmë se veprat ngrihen, le të ngrihen vepra të mira dhe zemra të shëndosha
O Allah, na dhuro zemra të shëndosha, shpirtra të qetë dhe moral të drejtë. Na fal neve, prindërit tanë dhe të gjithë muslimanët.
Imam-Hatib: Elton Harxhi
[1] – Buhariu dhe Muslimi.
[2] – Muslimi.
[3] – Nesai.
[4] – Ibn Maxheh.



















