Rastis t`u flasësh shumë njerëzve rreth temave të ndryshme, aq sa krijon bindjen se ua ke sqaruar dhe shpjeguar ato tema me një qartësi të kulluar dhe se ke bërë gjithçka për t`ua përcjellë atë që ke pasur në mendje. Madje, je i sigurt se atyre që u ke folur, i ke lënë me ide të qarta si kristali dhe se e ke përcjellë mesazhin si drita e agimit apo si dielli në kupë të qiellit. Imagjinoje sa e madhe do të jetë habia jote, kur pas pak çastesh zbulon se njerëzit nuk të kanë kuptuar, madje as nuk e kanë marrë vesh fare fjalën tënde. Besoj se e ke konstatuar dhe provuar në shumë raste këtë gjë.
Unë kam bindjen se sekreti i këtij fenomeni qëndron tek njëri apo dy shkaqet e mëposhtme:
I pari: Kriteri, me të cilin vlerësojmë fjalët që themi dhe ato që dëgjojmë, është i ndryshëm tek secili prej nesh, kështu që ndryshon kuptimi dhe perceptimi me ndryshimin e kriterit.
I dyti: Fjala që përçohet, është e pështjelluar dhe e paqartë, pavarësisht se ai që e thotë, mendon se ajo është e qartë dhe e kuptueshme.
Kriteri:
Në fillim dua të përcaktoj kriterin me të cilin e vlerësojmë këtë qartësi. Do të mundohem, që fjala ime të jetë e lehtë, e thjeshtë dhe e kuptueshme për atë që dëshiron të përfitojë. Kam bindjen, se të gjithë pjesëtarët e Umetit pajtohen me mua, se kriteri i vetëm është Libri i Allahut, pasi në të gjejmë freskinë shpirtërore, nga oqeani i tij furnizohemi dhe tek ligjet e tij bazohemi.
O populli ynë!
Kurani Fisnik është libër gjithëpërfshirës, në të cilin Allahu i Madhëruar ka përfshirë bazat e fesë dhe bazat e interesave dhe të gjitha ligjet e kësaj bote, ka urdhëresa dhe ndalesa, që rregullojnë jetën e kësaj bote. Vallë a punojnë muslimanët me atë që urdhëron Kurani? A janë ata plotësisht të bindur për parimet e besimit të përmendur në Kuran? A i kanë kuptuar ata qëllimet, që Allahu u ka sqaruar? A i kanë zbatuar ata ligjet e Tij shoqërore dhe jetësore në të gjitha sferat e jetës”? Nëse përgjigja është pozitive për të gjitha pyetjet e parashtruara, atëherë kemi arritur objektivin madhor. Mirëpo nëse zbulojmë se jemi larg nga rruga e Kuranit, se kemi neglizhuar mësimet dhe udhëresat e tij, atëherë dijeni se misioni ynë është që të kthejmë vetet tona – dhe ata që na pasojnë – në rrugën e Kuranit.
Qëllimi i jetës në Kuran:
Kurani ka përcaktuar synimet e jetës dhe qëllimet e njerëzve në të. Ai na ka treguar se disa njerëz kanë si qëllim të vetëm në jetë ngrënien, pirjen dhe kënaqësitë epshore. Allahu i Madhëruar thotë: “Ndërsa ata që nuk besojnë dhe kënaqen, hanë ashtu siç gëlltisin bagëtia dhe do të kenë Zjarrin si vendbanim”.([1])
Kurani ka sqaruar, se një tjetër kategori njerëzish kanë si objektiv të tyre në jetë vetëm luksin dhe pasurinë e përkohshme. Allahu i Madhëruar thotë: “Njerëzve u është hijeshuar dashuria për gjërat e dëshiruara: për gratë, fëmijët, arin dhe argjendin e grumbulluar, kuajt e bukur, bagëtitë dhe arat e lëruara. Këto janë kënaqësitë e kësaj jete, por tek Allahu është e ardhmja më e mirë”.([2])
Kurani gjithashtu sqaron, se një kategori tjetër njerëzish kanë si qëllim në jetë ndezjen e trazirave civile dhe mbjelljen e ligësive. Allahu i Madhëruar thotë për ta: “Ka ndonjë njeri (hipokrit), fjalët e të cilit në jetën e kësaj bote ta bëjnë qejfin dhe që betohet në Allahun për atë që mban në zemër, por që, në të vërtetë, është kundërshtari (yt) më i betuar. E, kur largohet, përpiqet të bëjë të këqija në tokë, duke shkatërruar të mbjellat dhe bagëtinë. Por Allahu nuk e do shkatërrimin”.([3])
Këto janë një pjesë e aspiratave që disa njerëz kanë në jetë, mirëpo Allahu i Madhëruar i ka mbrojtur dhe dëlirësuar besimtarët nga këto aspirata të ulëta dhe i ka obliguar ata me një mision shumë më të lartë, duke u vënë mbi shpatulla një detyrë fisnike, e cila është: Udhëzimi i njerëzve për tek e vërteta, orientimi i të gjithë njerëzimit për tek e mira dhe ndriçimi i të gjithë botës me diellin e Islamit.
Kjo është ajo që ka thënë Allahu i Madhëruar: “O besimtarë! Përkuluni dhe përuluni në sexhde (para Allahut)! Adhuroni Zotin tuaj dhe bëni vepra të mira për të arritur shpëtimin! Luftoni në rrugën e Allahut, ashtu si duhet luftuar. Ai ju ka zgjedhur dhe nuk ju ka vënë asnjë barrë në fenë tuaj, fenë e babait tuaj, Ibrahimit. Ai ju ka quajtur juve muslimanë qysh më parë (në Shkrimet e Shenjta) dhe në këtë (Kuran), me qëllim që i Dërguari të jetë dëshmitar mbi ju dhe që ju të jeni dëshmitarë mbi njerëzit e tjerë. Prandaj, faleni namazin, jepni zekatin dhe mbështetuni tek Allahu! Ai është Mbrojtësi juaj. Sa Mbrojtës dhe Ndihmëtar i mrekullueshëm është Ai”!([4])
Kjo do të thotë, se Kurani Fisnik i cakton muslimanët si kujdestarë të njerëzimit, u jep atyre të drejtën e mbikëqyrjes dhe sundimit të botës, por vetëm nëse janë në shërbim të kësaj detyre fisnike. Prandaj ky është shqetësimi e misioni ynë dhe jo i perëndimit, është misioni i “Qytetërimit Islam” dhe jo “Qytetërimit të Materializmit”.
Kujdestaria e muslimanit është sakrificë dhe jo përfitim:
Allahu i Madhëruar sqaron se për hir të këtij misioni, besimtari duhet ta sakrifikojë veten, pasurinë e tij vetëm për hatër të Allahut. Besimtari nuk mban asgjë për vete, por e konsideron veten e tij si Vakuf për të arritur suksesin e kësaj ftese dhe për ta përcjellë atë në zemrat e njerëzve. Kjo vërtetohet nga fjala e Allahut të Madhëruar: “Në të vërtetë, Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre, në këmbim të Xhenetit”.([5])
Nga ky ajet kuptohet, se muslimani e konsideron jetën e tij si vakuf për misionin e tij, për të fituar Ahiretin – si shpërblim për sakrificën që bën. Për këtë motiv, muslimani çlirues ishte një mësues i pajisur me të gjitha cilësitë që duhet të ketë një mësues i vërtetë, si: drita, orientimi, mëshira, dhembshuria etj. Çlirimet islame kanë qenë civilizuese, qytetëruese, orientuese, udhëzuese dhe arsimuese. A mund të krahasohen këto çlirime me atë që po bën kolonizatori perëndimor në ditët e sotme?!
Sa afër janë muslimanët me këtë objektiv?
Pash Zotin – o i shtrenjti im – a thua e kanë kapur muslimanët këtë kuptim nga Libri i Allahut?! E, për rrjedhojë shpirtrat e tyre të lartësohen, zemrat e tyre të zbuten, të çlirohen nga robëria e materializmit dhe të pastrohen nga kënaqësitë e epsheve dhe dëshirave, të ngrihen me vetet e tyre mbi vogëlsirat dhe objektivat e parëndësishme, të kthejnë fytyrën e tyre drejt Atij – i Cili ka krijuar qiejt dhe tokën -, të proklamojnë me pastërti fjalën e Allahut, të luftojnë në rrugën e Tij, të përhapin fenë e Tij dhe duke mbrojtur ligjin e Tij të shenjtë! Apo muslimanët janë robër të kënaqësive, epsheve dhe lakmive, që kanë si qëllim një kafshatë të butë, një makinë luksoze, një rrobë të bukur, një gjumë të rehatshëm, një grua fytyrëndritur, një pamje falso apo një titull bosh?
Të vërtetën ka thënë i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!): “Është fatzi, i falimentuar dhe i shkatërruar robi i arit, robi i argjendit dhe robi i një pelerine pambuku”.([6])
Qëllimi është baza, ndërsa puna është pasoja:
Duke ditur se qëllimi është nxitës për të ecur në këtë rrugë, si dhe duke ditur se Umeti ynë e ka të paqartë dhe të turbullt këtë qëllim, e kemi për detyrë që ta sqarojmë dhe përcaktojmë atë. Besoj se deri tani ne e kemi sqaruar dhe përcaktuar atë në një masë të madhe dhe kemi rënë në ujdi, se misioni ynë është të udhëheqim botën dhe të orientojmë të gjithë njerëzimin për tek sistemet efektive të Islamit dhe mësimet e tij, pa të cilat njerëzimi nuk mund të jetojë i lumtur.
O lexues i dashur! Nëse e ke kuptuar këtë, dije se synimi ynë është që të thërrasin njerëzit për tek ky qëllim, në të cilin Kurani i ka ftuar të gjithë pasuesit e tij: “Ai që më pason mua, është i fesë sime; ndërsa për atë që më kundërshton mua, Ti, me të vërtetë, je Falës dhe Mëshirëplotë”.([7])
Kur muslimanët ta kuptojnë siç duhet këtë qëllim dhe ta vënë atë para syve të tyre, vetëm kështu do të largojnë perdet e shkujdesjes, do të ndërgjegjësohen për vatrat e paaftësisë, do të orinetohen drejt mekanizmave të shpëtimit, me të cilat lumturohet jeta e tyre, do të përmirësohen shoqëritë ku jetojnë dhe do të realizojnë aspiratat që kanë.
O musliman fisnik!([8]) Ne të ftojmë për: “Rregullimin e jetës shoqërore Islame, duke reformuar veten mbi këto baza:
1- Të ndjehesh krenar se i përket Allahut të Madhëruar, pasi vetë Ai të ka cilësuar të Tijin (rob i Allahut), të ka dhuruar përkrahjen e Tij dhe të ka zgjedhur për të përhapur mesazhin e Tij tek të gjithë njerëzit.
2- Të vlerësosh siç duhet misionin të cilin Allahu ta ka ngarkuar, prandaj duhet të përgatitesh mjaftueshëm, që të punosh dhe të sakrifikosh për të.
3- Të vlerësosh siç duhet ndikimin e përkushtimit ndaj këtij misioni, apo të braktisjes së luftës dhe përgjegjësisë në rrugën e tij, si në këtë botë edhe në ahiret.
4- Të dish se guri i themelit në përcjelljen e këtij mesazhi është rregullimi i shpirtrave të Umetit Islam, rinovimi i ideve të tij dhe përmirësimi i moralit të tij, sepse gjendja shpirtërore e muslimanëve në këtë kohë, e bën të pamundur punën serioze.
5- Të kesh bindjen se çdo vëlla musliman – kudo që të jetë – është i yti; ti ndjen dhimbje për dhimbjet e tij dhe ndjen gëzim për gëzimet e tij. Çdo pëllëmbë toke ku muslimani thotë: “Lâ ilâhe il-lall-llâh, Muhamed resûlull-llâh” është tokë e mbrojtur nga Allahu, të cilën çdo musliman duhet ta mbrojë, ta ruajë dhe të punojë për mirëqenien e banorëve të saj.
6- Të kesh bindje të sigurtë, se çdo sistem që nuk bazohet në parimet islame dhe nuk ndërtohet mbi themelet e Kuranit fisnik, nuk vlen kurrë për të ndërtuar “Ringritjen Moderne”.
7- Zemra jote të jetë e mbushur me shpresën për sukses. Pesimizmi nuk është nga cilësitë e besimtarëve.
Burimi i qëllimit tone:
Ky është mesazhi, të cilin duam t`ua përcjellin njerëzve dhe Umeti Islam ta kuptojë ashtu siç duhet. Ne jemi të motivuar për të shpëtuar njerëzimin me të gjitha forcat dhe energjitë tona. Ky mesazh pasqyrohet qartë në çdo ajet të Kuranit Fisnik, pasqyrohet me qartësi dhe saktësi në çdo hadith të të Dërguarit (a.s) si dhe manifestohet në të gjitha veprimet e brezit të parë (sahabëve), të cilët janë shembulli më i përsosur në kuptimin e drejtë të Islamit dhe zbatimin e udhëzimeve të tij. Nëse muslimanët e pranojnë këtë mesazh, kjo është provë e besimit të tyre dhe e vërtetësisë së Islamit të tyre. Nëse ata shikojnë diçka të pakëndshme apo të meta në këtë mesazh, atëherë mes nesh dhe atyre qëndron Libri i Allahut të Madhëruar si autoriteti më i drejtë dhe arbitri përfundimtar, duke demonstruar të vërtetën; ose për ne ose kundër nesh: “O Zoti ynë, gjyko drejt midis nesh dhe popullit tonë! Ti je Gjykatësi më i mirë”.([9])
Shtjellim dhe shpjegim më i shkoqitur:
Ka pasur mjaft pyetje të shumë prej vëllezërve tanë, të cilët i duam me gjithë zemër, pasi për të mirën dhe interesin e tyre kemi shkrirë përpjeket, pasurinë dhe jetët tona, duke sakrifikuar edhe vetet tona për realizimin e këtij objektivi, që është: lumturia e Umetit dhe vëllezërve tanë. Për këta vëllezër kemi neglizhuar edhe fëmijët dhe familjet tona.
Sa do të doja që këta vëllezër, të cilët kanë pyetje të tilla, të na vizitojnë dhe të informohen për të rinjtë sytë e të cilëve janë të zgjuar kur të tjerët flenë, mendjet e tyre hulumtojnë, kur të të tjerëve pushojnë “të lumtura”. Dikë prej tyre e gjen të përkulur mbi tavolinën e tij nga pasditja deri në mesnatë, duke punuar me përpjekje, duke medituar thellë. Në fund të muajit, ai ia dorëzon xhematit të tij atë që ka bërë, jep kontribut për misionin e tij, ndërsa pasurinë e tij e vendos në shërbim të qëllimit final. Ai sikur u thotë bijve të popullit të tij, të cilët tregohen të pandjeshëm ndaj sakrificës që bën: “Unë nuk kërkoj prej jush asnjë lloj shpërblimi, pasi atë e kërkoj vetëm nga Allahu i Madhëruar”. Mos e thëntë Allahu, që ne të kërkojmë prej popullit tonë të na e dijë për nder. Ne jemi të këtij populli dhe punojmë për këtë popull. Sakrifica jonë është vetëm një mjet për të tërhequr vëmendjen e popullit tonë, në mënyrë që të mund të kuptojnë misionin tonë dhe t`i përgjigjen ftesës sonë.
Ne dhe politika:
Disa të tjerë thonë se ne jemi grup politik dhe ftesa jonë është politike”. Këta kanë qëllime të tjera pas këtyre shashkave që hedhin. Nuk e di deri kur do të vazhdojë populli ynë duke përhapur dyshime, duke shkëmbyer akuza dhe duke etiketuar njëri-tjetrin me lloj-lloj epitetesh, ndërkohë që ka braktisur qartësinë e sigurtë që e mbështet realiteti dhe e ka zëvendësuar me hamendësime të frymëzuara nga dyshimet.
O populli ynë! Ne ju ftojmë, duke pasur Kuranin në të djathtë, Sunetin në të majtë dhe veprat e të parëve tanë të mirë dhe të devotshëm të këtij populli si shembull. Ne ju ftojmë tek Islami, tek mësimet e normat e tij dhe tek drita e tij. Nëse për ju kjo është politikë, dijeni se kjo është politika jonë. Nëse ata që ju ftojnë në këto parime janë politikanë, atëherë ne jemi njerëzit më të kulluar në politikë dhe për këtë falënderojmë Allahun. Nëse ju keni dëshirë që këtë ta quani politikë, quajeni dhe thoni çfarë të doni, sepse nuk na dëmtojnë emërtimet, përderisa konceptet dhe qëllimet tona janë të qarta.
O populli ynë! Mos lejoni që fjalët t`ju verbojnë ndaj të vërtetave, emërtimet t`ju largojnë nga objektivat dhe sipërfaqësoret e përkohshme t`ju pengojnë nga thelbësorja. Pjesë integrale dhe e pandashme e politikës së Islamit është të sigurojë njeriut lumturinë në këtë botë dhe në botën tjetër. Kjo është politika jonë, prej së cilës nuk heqim dorë dhe për të cilën nuk pranojmë alternativë. Prandaj orientojeni veten drejt kësaj politike, përcilleni tek të tjerët, pasi kështu do të jeni fitimtarë dhe krenar në këtë botë dhe në tjetrën: “Ju me siguri që do ta merrni vesh të vërtetën shumë shpejt”!([10])
Autor: Imam Hasan El Bena
([1]) – Kurani: Muhamed, ajeti: 12.
([2]) – Kurani: Ali Imran, ajeti: 14.
([3]) – Kurani: Bekare, ajeti: 204-205.
([4]) – Kurani: Haxh, ajeti: 77-78.
([5]) – Kurani: Teube, ajeti: 111.
([6]) – Hadith i vërtetë. Buhariu (6273) dhe Taberaniu në “Kebîr”, (422) me tekstin në fjalë.
([7]) – Kurani: Ibrahim, ajeti: 36.
([8]) – Revista “El-Ikhuânu`l-Muslimîn”, nr 2, viti i 2-të i botimit, 26 Muharrem 1353 Hixhri/ 11 Maj 1934, faqja (3-5).
([9]) – Kurani: Araf, ajeti: 89.
([10]) – Kurani: Sad, ajeti: 88.