Njerëzit mund të quhen “krijesa të shqetësuara”, sepse ata nuk janë të kënaqur me ushqime të thjeshta dhe rehatitë e krijuara. Që nga fillimi, ata janë të pushtuar nga një ndjenjë pakënaqësie rreth ambientit të tyre, e cila i nxit ata për të kërkuar perfeksionin.
Mund të themi se, pakënaqësia njerëzore është e lidhur me ekzistencën e tyre thelbësore, pra me shpirtin. Për shembull: nëse të mirat materiale dhe zhvillimet teknologjike do kënaqnin njerëzit, shtetet më të zhvilluara nuk do të kishin regjistruar rritje alarmante të numrit të vetëvrasjeve.
Kështu, problemi është kryesisht shpirtëror. Është shpirti, i cili nxiti Siddhartha-n (emri i parë i Budës) për të lënë rehatitë e pallatit të tij dhe për të kërkuar dritën (ndriçimin e mendjes). I njëjti stimulues ishte motivuesi i parë i Profetit Muhammed (a.s), kur ishte në rininë e tij, ai u vetmua në Shpellën Hira për meditim.
Mund të themi se, shtysa kryesore që i nxit njerëzit për të lënë ngrohtësinë dhe sigurinë e shtëpive të tyre, është etja shpirtërore. Është shpirti ai, i cili nxit njerëzit për të filluar pelegrinazhe të gjata në kërkim të Zotit të tyre.
Nga të gjithë pelegrinazhet, Haxhi është unik, pasi ai në mënyrë efektive shpall Njëshmërinë e Zotit, unitetin e njerëzve dhe unitetin e fesë së Zotit. Shumë jomyslimanë e keqkuptojnë rëndësinë e Mekës, si qendrën e Haxhit.
Ata mendojnë se, kjo gjë ndodh sepse Profeti Muhammed (a.s) u lind në Mekë, e prandaj myslimanët mblidhen në këtë qytet për Haxh. E vërteta është, se Shtëpia e parë, e cila u ndërtua për të adhuruar të Madhin dhe të Vetmin Zot të universit, ishte Qabja në Mekë. Ritet e Haxhit, të kryera nga miliona myslimanë çdo vit, përkujtojnë ngjarje në jetën e familjes së Profetit Ibrahim, “Babai i profetëve”, i cili nderohet dhe respektohet nga çifutët, të krishterët dhe myslimanët.
Kur po bëja tavaf (rrotullimet) rreth Qabes vitin e shkuar gjatë Haxhit, u ndesha me zëra njerëzish, bashkë me thekset e tyre te ndryshme. Njerëz me ngjyra të ndryshme dhe karakteristika fizike tipike të klimave dhe kulturave tjera, të shkrirë në një turmë masive njerëzore, silleshin rreth Qabes ngadalë, e cila si të thuash mund të quhet “Boshti i botës”.
Ti je vetëm një pikë në këtë oqean dhe befas mëson, se gjithë kjo turmë njerëzore është një. Ky ishte një shembull, kur dikush është vërtet i bindur në kuptimin e Haxhit në termat praktikë. Malkolm X (El-Haxh Malik El-Shabazz) ka shkruar rreth eksperiencës së tij:
“Më kujtohet një natë… me asgjë tjetër veç qiellit mbi kokë, qëndroja i zgjuar mes vëllezërve myslimanë të cilët flinin. Mësova që pelegrinë nga çdo vend – nga çdo ngjyrë, klasë dhe pozitë shoqërore; nga më të lartat tek më të rëndomtat – të gjithë gërhisnin në të njëjtën gjuhë”.
Kjo është me të vërtetë përvoja e gjithsecilit në udhëtimin shpirtëror, të quajtur Haxh.
Qëndrimi në Malin e Arafatit është i veçantë. Atje, i gjendur në mesin e turmës, ti je vetëm me Zotin tënd. Çliron zemrën tënde nga barra e çdo mëkati që ke bërë, duke ngritur veten tënde tek Zoti dhe duke u kapur tek Ai.
Ne myslimanët besojmë se kur u krijuam, Zoti na pyeti ne: “A jam unë Zoti juaj?”, e ne iu përgjigjëm: “Po, ne jemi dëshmitarë, se Ti je Zoti ynë”. Gjatë Haxhit, ti e kujton këtë: “O Zot, ne kemi ardhur tek Ti, duke iu përgjigjur thirrjes Tënde. Na fal gabimet tona o Zot, e na prano si krijesat e Tua!”
Pas largimit nga mali i Arafatit dhe Muzdelifeja, arrihet në zonën e Xhemerateve, për të hedhur gurët tek shtyllat. Mbylla sytë dhe mendërisht i drejtova secilin nga gurët që pata hedhur, derisa ata u grumbulluan mbi mua dhe goditën kraharorin tim.
Kjo për arsye se, djalli nuk ishte jashtë atyre shtyllave, por brenda kraharorit tim, duke më pëshpëritur mua.
Nëse gurët që hodha, nuk e goditën djallin brenda meje, kjo është sikur unë nuk e kam kryer ritualin e hedhjes së guralecëve. Kështu, qëndrova dhe u përpoqa për të larguar cytjet e djallit brenda zemrës time dhe i kërkova falje Zotit për të gjithë ndjenjat e këqija, që djalli po injektonte brenda meje.
Janë disa porosi dhe këshilla, se çfarë nuk duhet të kryejnë pelegrinët (haxhinjtë) gjatë kryerjes së Haxhit dhe kam gjetur relativisht më pak këshilla se çfarë duhet të zbatojnë haxhinjtë gjatë haxhit.
Kujto gjithmonë fjalën e Zotit në Kuranin Fisnik:
“…çfarëdo të mirë të bëni, Allahu i di ato. Dhe përgatituni me furnizim (për rrugë), e furnizimi më i mirë është devotshmëria. Prandaj, jini të devotshëm o ju të zotët e mendjes!”[1]
Kjo do të thotë: vazhdo të bësh mirë. Kur jeni në gjendje të devotshmërisë, duhet të hiqni dorë nga të bërit e shumë gjërave të zakonshme.
Për shembull, a je gati për ta përqafuar vëllain tënd, pasi je grindur me të? A je gati për të shtrirë dorën e ndihmës për dikë i cili rrëzohet nga nxitimi?
Në etjen për të fituar shpërblime tek Zoti, ke harruar si t’i fitosh ato në një mënyrë të lehtë. Ji i mirë me vëllain tënd! Pse haxhinjtë e harrojnë shpesh këtë gjë?
Jam i lumtur për një mësim të madh shpirtëror që kam fituar nga kthimi prej Haxhi, të cilin ia them vetes time sërish e sërish, “…çfarëdo të mirë të bëni, Allahu i di ato”.
Nëse haxhi i dikujt është, qëllimisht apo jo qëllimisht, i dominuar nga një kërkim i vazhdueshëm për të mira materiale, ku mbeti pjesa shpirtërore?
Autor: Hasan Hamid
Përktheu: Anderson Marku
[1] – Sure Bekare: 197.