Ajo çka deri para pak kohësh trajtohej si një mit konspirativ, tashmë po shohim se me Gazën po kthehet në një realitet të dhimbshëm paralajmërues për të gjithë fqinjët kufitarë të Izraelit.
Tashmë “Izraeli i Madh” i paralajmëruar prej gati më shumë se një shekulli po hedh hapat e parë drejt realizimit të tij pas instalimit të Shtetit të Izraelit më 1948 dhe me një kushtetutë, ku nuk shprehen normalisht as kufijtë kombëtarë, si për të shprehur synimet ekspansioniste të asaj kohe përdrejt një të ardhme të afërt.
Në çerekun e dytë të shek. XX bota diplomatike u përball me orekset e Hitlerit për lebensraum (hapësira jetike), ku kjo kërkesë ideologjike për ekspansion të Gjermanisë e fokusonte vëmendjen drejt Lindjes pra, Polonisë, Çekosllovakisë, Rumanisë etj.
Viktima të kësaj Gjermanie të Madhe pavarësisht se nuk kishin një shtet kombëtar të tyren, u bënë edhe hebrenjtë, si pakica që përbënin rrezik dhe duheshin zhdukur. Tashmë janë fakt i kryer getot e Varshavës dhe kampet e ndryshme të përqendrimit në Mathauzen e gjetkë, si dhe fushatat spastruese naziste jo vetëm në Gjermani po edhe në territoret që hynë nën kontrollin e tyre ushtarak.
Gjithsesi ëndrra e “Izraelit të Madh” është e hershme dhe hap pas hapi ka filluar të bëhet realitet pas 1967, ku haptas e ku fshehtas e shohim në sulmet e ndryshme ushtarake e diplomatike, si dhe së fundmi në aneksimin arbitrar që po ju bëhet Bregut Lindor dhe Perëndimor të Palestinës.
Pak histori
Termi “Izraeli i Madh” (ose Eretz Yisrael HaShlema në hebraisht) nuk është një emërtim zyrtar shtetëror, por një koncept politik e ideologjik, që i referohet një hapësire më të madhe gjeografike se kufijtë aktualë të shtetit të Izraelit.
Origjina e idesë
Koncepti lidhet me interpretimin e disa pasazheve biblike (p.sh. Zanafilla 15: 18 dhe Ligji i Përtërirë 11: 24), ku Zoti ju premton tokë pasardhësve të Abrahamit. Në shek. XX, ai mori formë politike në lëvizjen nacionaliste “Revisioniste” të Vladimir Jabotinsky-t, dhe më pas në platforma të djathta si Likud. Jo të gjithë izraelitët e mbështesin këtë ide — ajo është e diskutueshme edhe brenda vetë shoqërisë izraelite.
Gjeografia sipas konceptit varet nga interpretimi, por zakonisht përfshin:
Izraelin aktual (brenda kufijve të tij të njohur ndërkombëtarisht para 1967)
Bregun Perëndimor (Judea dhe Samaria në terminologjinë izraelite)
Rripin e Gazës
Lindjen e Jordanit (pra, një pjesë ose e gjithë Jordania e sotme)
Ndonjëherë përfshin edhe pjesë të Libanit jugor, Sinait (Egjipt) dhe Sirisë jugperëndimore (pjesë e Golanit e përtej tij). Në formën më “maksimaliste”, kufijtë e Izraelit të Madh sipas interpretimit biblik shtrihen nga lumi Nil në perëndim deri te lumi Eufrat në lindje. Në formën më “politike” moderne, zakonisht nënkupton të gjithë territorin nga Mesdheu deri në lumin Jordan, me mundësi zgjerimi në Jordani.
Pak nga realpolitika e sotme
Arabia Saudite e refuzon hartën e “Izraelit të Madh”, që anekson pjesë të Jordanisë, Libanit dhe Sirisë dhe së bashku me Turqinë janë dy fuqitë më të mëdha diplomatike që mund t’i kundërvihen synimeve ekspansioniste izraelite. Deklarimet e Netanyahu-t dhe vendosmëria e tij e shprehur me sulmet e vazhdueshme në Gaza, aneksimin e Bregut Perëndimor, sulmet në Libanin jugor dhe së fundmi me trazirat e shkaktuara përmes milicive druze në Siri, tregojnë qartazi se ky projekt nuk është vetëm fjalë.
Pyetjes së ish-deputetit dhe tashmë gazetar Sharon Gal në lidhje me një Izrael të Madh, pasi e pyeti kryeministrin Netanyahu, nëse mendonte se është në një mision në emër të popullit hebre, Netanyahu përgjigjet se është “në një mision brezash – ka breza hebrenjsh që ëndërruan të vinin këtu dhe breza hebrenjsh që do të vijnë pas nesh”.
“Pra, nëse po pyetni nëse kam një ndjenjë misioni, historikisht dhe shpirtërisht, përgjigjja është po,” thotë ai.
Nga ajo sa u tha më sipër del, që dy vendet e radhës më të rrezikuara sipas kësaj ëndrre të çmendur për “lebensraum-hapësirë jetike” të Izraelit proracist dhe antiarab janë Jordania dhe Egjipti. Lumi Jordan dhe ëndrrat sioniste për t’u pagëzuar në lumin e shenjtë, si dhe gadishulli i Sinait dhe malin ku Moisiut ju zbritën dhjetë urdhëresat.
Autor: Roald Hysa