Normat juridike mes pandryeshmërisë dhe fleksibilitetit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Thelbi i artikullit:

Teksti trajton njërën nga veçoritë më të dallueshme të legjislacionit islam: balancën mes pandryshueshmërisë dhe fleksibilitetit. Norma të pandryshueshme janë ato që mbështeten në burime autentike dhe që nuk ndryshojnë me kohën, si çështjet e besimit, adhurimet dhe parimet etike. Ndërsa fleksibiliteti shfaqet në çështjet dytësore dhe praktike, ku mundësohet interpretimi juridik (ixhtihadi) sipas nevojave të kohës dhe vendit. Ky ekuilibër i bën dispozitat islame të qëndrueshme në thelb dhe të adaptueshme në detaje, duke dëshmuar aftësinë e Islamit për të udhëhequr njerëzimin në çdo epokë dhe shoqëri.

Për një pasqyrë më të gjerë dhe të argumentuar, ju ftojmë të lexoni tekstin e mëposhtëm:

Balanca mes të pandryshueshmes dhe të ndryshueshmes në normat juridike përbën një nga veçoritë më të rëndësishme të Islamit, një tipar që e ka bërë këtë fe të udhëheqë njerëzimin për shekuj me radhë dhe që e bën të përshtatshme për të marrë sërish rolin udhëheqës në të ardhmen.

Së pari: Rreth konceptit

Normat juridike ndahen në dy kategori:

1 – Norma juridike të pandryshueshme: Këto janë norma për të cilat debati nuk lejohet dhe nuk lejohet as ndërhyrja për t’i ndryshuar ato. Ato janë çështje për të cilat ka tekste të qarta dhe të pakundërshtueshme nga Kurani ose hadithe të sakta, ose për të cilat ka konsensus (ixhma) të saktë të dijetarëve gjatë tre brezave të parë. Në lidhje me këto norma juridike nuk lejohet përpjekje për interpretim të ri (ixhtihadi), dhe nuk ndryshojnë me ndryshimin e kohës apo vendit. Argument për këtë pandryeshmëri është fjala e Allahut: “Dhe është plotësuar Fjala e Zotit tënd, me të vërtetën dhe drejtësinë. Askush nuk mund t’i ndryshojë fjalët e Tij. Ai është Dëgjuesi, i Dijshmi.”[1]

Ebu Darda (r.a) transmeton se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Çfarë ka bërë Allahu hallall në Librin e Tij, është hallall; çfarë ka bërë haram, është haram; dhe çfarë ka heshtur për të, është falje (lehtësim), prandaj pranoni faljen nga Allahu. Vërtet Allahu nuk ka qenë i shkujdesur.” – pastaj ai lexoi: “Zoti yt nuk është i pakujdesshëm.”
Ky lloj i normave juridike klasifikohen si të pandryshueshmet (theuabit) në Islam.

2 – Norma juridike të ndryshueshme (fleksibël):

Këto përfshijnë dy aspekte:

Aspekti i parë: Çështje të reja që nuk janë përmendur në tekstet hyjnore. Për këto, lejohet nxjerrja e gjykimeve përmes analogjisë (kijasit), interesave të papërcaktuar (el-mesalih el-mursele), analogjisë përjashtimore (istihsanit) dhe mjeteve të tjera të pranuara të jurispudencës, me kusht që këto gjykime të jepen nga njerëz kompetentë.

Aspekti i dytë: Ato norma juridike që janë hipotetike në lidhje me vërtetësinë ose kuptimin e tyre (pra, jo të prerë). Për këto lejohet mendimi njerëzor dhe interpretimi (ixhtihadi).

Këto norma juridike konsiderohen si të ndryshueshme (el-mutegajirat) ose çështje që janë të përshtatshme për interpretim sipas rrethanave të kohës.

Fik’hu (jurisprudence islame) është një përpjekje njerëzore

Mund të themi se ndarja në të pandryshueshme dhe të ndryshueshme i referohet normave juridike dhe jo teksteve në vetvete. Gjithashtu, mund të thuhet se lloji i parë i normave juridike përbën sheriatin, ndërsa lloji i dytë mund të quhet fik’hu (jurisrpudenca islame). Pra, sheriati është produkt hyjnor i pacenueshëm, ku nuk ka vend për ndërhyrjen njerëzore. Ndërkaq, lloji i dytë përbën atë që në literaturën islame njihet si fik’h (jurisprudenca islame), që është rezultat i përpjekjes njerëzore për të nxjerrë gjykime nga burimet hyjnore. Fik’hu, si i tillë, përfaqëson një përpjekje interpretative e cila mund të jetë e saktë ose e pasaktë, pasi askush pas pejgamberëve (a.s) nuk gëzon cilësinë e pagabueshmërisë.

Së dyti: Parimet mbi të cilat mbështetet ideja e pandryshueshmërisë:

Burimi hyjnor: Shoqëria nuk është ajo që ka hartuar metodologjinë hyjnore, që kjo e fundit t’i nënshtrohet asaj apo t’i përshtatet rrethanave të saj; përkundrazi, ajo (metodologjia) është e shpallur nga Allahu i Lartësuar, dhe detyra e njeriut ndaj saj është ta pranojë dhe t’i përgjigjet. Allahu i Madhëruar thotë: “Nuk i takon asnjë besimtari dhe asnjë besimtare, që kur Allahu dhe i Dërguari i Tij kanë vendosur një çështje, ata të kenë më pas zgjedhje në atë çështje të tyre.”[2] Ky ajet nënkupton se duhet të ekzistojë një kornizë e qëndrueshme, brenda së cilës lëviz shoqëria.

Pandryeshmëria e natyrës së shëndoshë (fitres): Meqë natyra njerëzore, për të cilën Allahu thotë: “Natyra e shëndoshë, sipas së cilës Ai i ka krijuar njerëzit[3] nuk ndryshon në thelbin e saj nga një kohë në tjetrën apo nga një popull te tjetri, atëherë, pavarësisht zhvillimeve në çështjet sekondare dhe normat praktike sheriatike, këto nuk janë tjetër veçse mënyra të ndryshme për të arritur te pesë objektivat madhorë, të cilat Allahu i ka lidhur me ruajtjen e gjendjes njerëzore në këtë botë dhe lumturinë e përjetshme në botën tjetër. Këto pesë objektiva madhorë janë: feja, jeta, arsyeja, pasardhësit dhe pasuria.

Pandryeshmëria e Islamit është e lidhur me pandryeshmërinë e gjuhës

Pandryeshmëria e gjuhës: Pandryeshmëria e Islamit në parimet e tij themelore lidhet me pandryeshmërinë e gjuhës, në mënyrë që të ruhen të paprekura konceptet dhe kuptimet origjinale, pa krijuar një hendek midis domethënies gjuhësore të përdorur dhe asaj që përfundimisht kuptohet në formë apo përmbajtje. Kjo, sepse gjykimi ndërtohet mbi një perceptim të saktë. Për shembull, kuptimi juridiko-fetar i namazit nuk mund të ndryshojë, po ashtu edhe i zekatit, haxhit dhe agjërimit. Këto adhurime kanë një kuptim të pandryeshëm që nuk ndryshojnë me kalimin e kohës.

Së treti: Arsyeja e pranisë së fleksibilitetit dhe zhvillimit në legjislacionin islam

Zhvillimi dhe rinovimi i jetës: Njeriu vazhdimisht është në kërkim  për të zbuluar sekretet e jetës dhe për të kuptuar të panjohurën, e cila zbulohet gradualisht. Allahu i Lartësuar thotë: “Ju është dhënë prej dijes vetëm pak.”[4] Prandaj, njeriu nuk duhet të kënaqet me atë që ka mësuar, por duhet të besojë se mbi dijen e tij ka dije edhe më të lartë dhe të kërkojë më shumë dije: “Thuaj: O Zoti im, shtoma dijen!”[5]

Po ashtu, Kurani ka theksuar zhvillimin e jetës dhe sekretet e universit me fjalët: “Do t’u tregojmë argumentet Tona në hapësirat (e gjithësisë) dhe në vetveten e tyre, derisa t’u bëhet e qartë atyre se ai (Kurani) është i vërtetë.”[6]

Madje, Kurani ka aluduar edhe rreth zhvillimit të mjeteve të transportit, me fjalët e Allahut: “Edhe kuajt, mushkat dhe gomerët për t’i hipur dhe për zbukurim. Dhe Ai krijon atë që ju nuk e dini.”[7]

Universaliteti i Islamit: Islami ka ardhur për të gjitha kombet dhe popujt, prandaj ishte e domosdoshme që ai të jetë i aftë të përballojë nevojat e ndryshme të tyre dhe të ecë me të njëjtin hap me qytetërimet ku ata jetojnë, duke përmbushur interesat e tyre të ligjshme, të cilat ndryshojnë dhe zhvillohen në çdo kohë dhe në çdo vend. Për këtë arsye, hartimi i legjislacionit të përshtatshëm për çdo shoqëri bëhet i mundur përmes mbështetjes në ekspertizën dhe përvojën praktike të specialistëve, në mënyrë që dispozitat të jenë në përputhje me realitetin shoqëror dhe të shërbejnë për përmbushjen e interesave të ligjshme në kontekste të ndryshme kohore dhe hapësinore.

Së katërti: Sferat e pandryeshmërisë në legjislacionin islam

Ato përfshijnë: parimet bazë, rregullat themelore, normat e përgjithshme, ligjet hyjnore të pandryshueshme dhe teoritë themelore.

Këto parime përfshijnë çështjet e besimit, siç janë gjashtë shtyllat e imanit, si dhe bindjen se besimi i saktë me të gjitha shtyllat e tij është kusht për vlefshmërinë dhe pranimin e veprave te Allahu. Po ashtu, bindja se feja e pranuar tek Allahu është Islami, dhe se lidhja e vetme e pranueshme për bashkimin e njerëzve është lidhja e besimit, jo ajo e tokës, racës apo ngjyrës.

Këto janë disa prej bazave të qëndrueshme që nuk ndryshojnë, por me kalimin e kohës vetëm sa forcohen dhe rrënjosen më thellë.

Parime të pandryeshmërisë në sheriat

Sa i përket rregullave të përgjithshme dhe parimeve gjithëpërfshirëse, disa prej tyre janë, për shembull, parimi i drejtësisë, i cili është një normë e palëkundur që rregullon marrëdhëniet në familje, në shtet dhe në gjykatë. Po ashtu, është edhe parimi i këshillimit (shura), i përmendur nga Allahu si cilësi e pandryshueshme e besimtarëve, që duhet të vihet në zbatim. Ndër to hyn edhe parimi i barazisë në të drejta dhe detyrime para ligjit dhe në zbatimin e normave juridike, e të tjera si këto.

Ndërsa tek ligjet hyjnore të pandryshueshme, një shembull i tyre është ligji i përplasjes mes së drejtës dhe së kotës, siç thotë Zoti i botëve: “E sikur Allahu të mos i ndihmonte njerëzit e mirë kundër të këqinjve, bota do të ishte shkatërruar.”[8]

Ky është një ligj hyjnor i pandryshueshëm që mbetet i pranishëm në çdo kohë. Në çdo epokë ekzistojnë ata që përfaqësojnë të drejtën dhe ata që i përkasin së kotës, dhe përplasja mes tyre vazhdon pa pushim. Por e drejta, me lejen e Allahut, është ajo që mbetet dhe del në pah, ndërsa e kota shkon drejt zhdukjes dhe venitjes.

Sa i përket teorive themelore, ndër shembujt më të qartë janë: fakti që institucioni i familjes bazohet në martesën e ligjshme dhe jo në marrëdhënie të paligjshme, se mbajtja e përgjegjësisë në familje i përket burrit, se marrëdhënia mes bashkëshortëve duhet të bazohet në sjellje të mirë, se divorci është i ligjshëm, dhe se lejohet poligamia, etj.

Në sistemin ekonomik përmenden disa norma të pandryshueshme si: ndalimi i kamatës, ndalimi i fitimeve të ndyra, obligueshmëria e zekatit, etj.

Në sistemin penal ka norma juridike që nuk i nënshtrohen zhvillimit dhe përparimit, si: dënimi me vdekje për vrasjen me paramendim, dhe prerja e dorës për vjedhje, siç dëshmohet nga fjala e Profetit (a.s), i cili tha: “Sikur të kishte vjedhur Fatimja, vajza e Muhamedit, do t’ia kisha prerë dorën.”[9]

Po ashtu, në ligjin e trashëgimisë ka rregulla të pandryshueshme, si: mashkulli trashëgon sa dy femra, dhe nuk lejohet privimi i të afërmve (prindërve, fëmijëve) dhe bashkëshortëve nga trashëgimia në asnjë rrethanë.

Pandryeshmëria në adhurime dhe moral

Çështjet e adhurimit dhe vlerat etike: Adhurimet në Islam nuk ndryshojnë në formën e tyre, siç është mënyra e sexhdes dhe rukusë, agjërimi dhe koha e tij, mënyra e ihramit dhe tavafit, masa e zekatit, e kështu me radhë.

Po ashtu, edhe virtytet themelore të moralit në një shoqëri, si sinqeriteti, besnikëria, dëlirësia, turpi dhe altruizmi mbeten konstante e të pandryshueshme. Edhe sjelljet e përgjithshme shoqërore, si thënia e emrit të Allahut para ngrënies, përhapja e përshëndetjes (selamit), dhe ndalimi i vetmisë me një të huaj (të gjinisë tjetër), janë të gjitha virtyte thelbësore që nuk mund të neglizhohen nga asnjë shoqëri me dinjitet.

Kështu bëhet e qartë se pandryeshmëria e normave juridike i jep njerëzimit një peshore të drejtë dhe të palëkundur, tek e cila mund të kthehet njeriu për çdo ndjesi, mendim apo botëkuptim që has në jetën e tij. Kjo peshore e mban atë brenda një zone sigurie që e mbron nga humbja dhe devijimi. Ky sistem vlerash i pandryshueshëm në shoqërinë islame është standardi me të cilin gjykojnë si populli ashtu edhe sunduesit, për t’i shpëtuar shtypjes dhe mjerimit në të cilin kanë rënë shoqëritë që janë shkëputur nga besimet dhe konceptet themelore për botën dhe jetën, dhe që kanë filluar të ndryshojnë parimet e tyre siç ndryshojnë veshjet, sipas qejfit të shtëpive të modës. Këta e kanë konsideruar pandryeshmërin si një formë prapambetjeje ndaj përparimit të njerëzimit – sipas pretendimeve të tyre. “Kjo është prej shenjave të Allahut. Atë që e udhëzon Allahu, ai është vërtet i udhëzuar; e atë që e humb Ai, nuk do të gjesh për të ndonjë mbrojtës që e udhëzon.”[10]

Së pesti: Sferat e fleksibilitetit dhe zhvillimit në legjislacionin islam

Aftësia e legjislacionit islam për të qenë fleksibël e bën atë të aftë të përshtatet, të përballojë zhvillimin dhe të jetë në përputhje me çdo situatë të re. Nuk ndodh ndonjë zhvillim i ri, veçse që Islami ka për të një gjykim – ose nëpërmjet një teksti të qartë ose nëpërmjet ixhtihadit – dhe për këtë arsye ai nuk e ka të vështirë përballjen me ngjarjet e reja, nevojat dhe interesat e njerëzve.

Bashkërendimi i të kundërtave

Pohimi nga ana e metodologjisë islame i idesë së zhvillimit dhe fleksibilitetit, bashkë me ruajtjen e elementeve të pandryshueshme, ka bërë që Islami të njohë kundërthëniet shoqërore të jetës dhe t’i konsiderojë ato – siç është rryma pozitive dhe ajo negative – si mjete bashkëpunimi dhe plotësimi, jo si mjete konflikti apo përplasjeje. Sipas Islamit, e vërteta është e përbërë nga dy anë që plotësojnë njëra-tjetrën: individi dhe kolektivi, materia dhe shpirti, arsyeja dhe zemra. Prandaj, Islami e konsideron të nevojshme praninë e këtyre të kundërtave në aparencë dhe kërkon t’i pajtojë ato në mënyrë bashkërenditëse.

Ndërkohë, mendimi perëndimor, deri në epokën e Rilindjes Evropiane, besonte në idenë e pandryeshmërisë që përfaqësohej nga Aristoteli. Më pas, me teorinë e evolucionit biologjik të Darvinit, nisi një ndryshim në mendimin shoqëror, që u përqafua nga Herbert Spencer dhe shkolla e tij. Me filozofinë e Hegelit, ndodhi një kthesë thelbësore, ku u përqafua koncepti i ndryshimit absolut së bashku me idenë e kontradiktës dhe përplasjes, gjë që u kthye më pas në filozofinë materiale, e cila është bërë në ditët e sotme besimi themelor i qytetërimit perëndimor modern.

Sferat  ku ka fleksibilitet në Islam

Çështjet sekondare dhe normat praktike sheriatike që bazohen në argumente hipotetike, si për shembull: mosmarrëveshja për numrin e ushqyerjeve me gji që shkaktojnë ndalim (haram), ku disa dijetarë thonë se mjafton një, ndërsa të tjerë kërkojnë pesë; ose debati për vlefshmërinë e shprehjes së trefishtë të divorcit në një rast të vetëm.

Ndryshimi i mendimit juridik (ixhtihadit) në varësi të kohës dhe vendit, sipas parimit: “Nuk mohohet ndryshimi i normave juridike me ndryshimin e kohërave.”

Mjetet dhe metodat: për shembull, qëllimi për të përmirësuar rendin në Tokë mund të realizohet me mjete të ndryshme, që ndryshojnë nga një epokë në tjetrën. Sot jemi në epokën e satelitëve që mund të zbulojnë thesare në tokë apo pasuri në det… etj.

Mënyrat për të fituar shpërblim (sevap) janë gjithashtu të larmishme: vizita e të sëmurit, ndihma ndaj të dëshpëruarve, kërkimi i dijes, etj.

Zbatimi i parimit të konsultimit (shurës) nuk është i kufizuar në një formë të vetme; përkundrazi, lejohet përditësimi i mënyrës së realizimit të saj, me kusht që të arrihet realisht konsultimi.

Me këtë, Islami dëshmon se është një fe e jetës, jo vetëm e përshtatshme për çdo kohë dhe vend, por edhe rregullatore e tyre, sepse është nga Zoti:, i Cili thotë: “A nuk e di Ai që krijoi, ndërkohë që Ai është i Buti dhe i Dijshmi?”[11]

Autor: Munir Xhumuah

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure En’am: 115.

[2] – Sure Ahzab: 36.

[3] – Sure Rum: 30.

[4] – Sure Isra: 85.

[5] – Sure Taha: 114.

[6] – Sure Fusilet: 53.

[7] – Sure Nahl: 8.

[8] – Sure Bekare: 251.

[9] – Buhariu dhe Muslimi.

[10] – Sure Kehf: 17.

[11] – Sure Mulk: 14.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *