Përse shkenca e Usul Fikhut

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

1- Rëndësia e madhe e shkencës së Usul Fikhut në mesin e dijeve islame. Nëpërmjet kësaj shkence arrihet njohja e ligjeve sheriatike, që Allahu (xh.sh)([1]) ka përcaktuar për veprat e njerëzve, qofshin ato bindje me zemër, shqiptim me gjuhë apo veprim me gjymtyrë, qofshin ligje që kanë lidhje me besimin, adhurimet, marrëdhëniet ndërnjerëzore, moralet apo ligjet penale. Muslimani i ngarkuar me përgjegjësi sheriatike, duke njohur mirë fenë e tij, qëndron brenda kufijve të përcaktuar nga Allahu, synon të arrijë vetëm kënaqësinë e Tij, i përmbush siç duhet detyrimet që i takojnë dhe iu shmanget gjërave të ndaluara. Vetëm kështu, muslimani nuk lëviz nga vendi, që Allahu e ka urdhëruar të qëndrojë dhe i largohet vendit, që Allahu e ka ndaluar të qëndrojë.

2- Vlera e madhe e shkencës së Usul Fikhut. Kjo shkencë është dija më madhështore dhe më e rëndësishme e dijeve islame. Ndryshe konsiderohet si matematika e dijetarëve të Sheriatit. Kjo dije është çelësi për të kuptuar drejt Librin e Allahut dhe Sunetin e Profetit (a.s)([2]), është shkenca që studion me detaje burimet sheriatike: Kuranin, Sunetin, Konsensusin sheriatik (ixhmanë), Analogjinë e ligjit sheriatik (kijasin) dhe burimet e tjera të Sheriatit. Kjo shkencë ujdis çështjet praktike të Fikhut([3]), mbron mendjen e dijetarit (juristit) nga gabimi në deduktimin e ligjeve sheriatike që nxirren nga argumentet e detajizuara sheriatike.

Ibn Halduni (r.h)([4]) ka thënë: “Dije se shkenca e Usul Fikhut është nga shkencat sheriatike më madhështore dhe më me vlerë dhe dobi. Kjo shkencë hulumton dhe studion burimet sheriatike, prej të cilave merren ligjet dhe përgjegjësitë sheriatike”.([5])

3- Kontributi për shpërndarjen e diturisë së dobishme. Profeti (a.s) ka thënë: “Kush e fsheh një dije, do të ndëshkohet në Ditën e Kijametit me një fre prej zjarri”.([6]) Abdullah ibn Mubareku ka thënë: “Pas gradës së profetësisë, nuk di të ketë gradë më të madhe se përhapja e diturisë”.([7])

4- Nevoja e madhe aktuale e muslimanëve për këtë dije: Muslimanët kanë nevojë të madhe për këtë dije, pasi në mesin  e tyre vërehet një dobësim i ndërgjegjësimit sheriatik. Ky dobësim manifestohet me paditurinë dhe mosnjohjen e Sheriatit, apo mosnjohjen e parimeve dhe ligjeve të tij, apo me kuptimin e gabuar të teksteve sheriatike dhe ligjeve të tij. Me ndërgjegjësim sheriatik synohet perceptimi i saktë dhe njohja e duhur e Sheriatit, apo Ligjit hyjnor, që Allahu (xh.sh) ia ka shpallur të Dërguarit të Tij të fundit, Muhamedit (a.s). Sheriati duhet kuptuar në përputhje me qëllimin e Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Muslimani i ndërgjegjshëm e njeh Ligjin (Sheriatin) dhe e kupton siç duhet atë, në përputhje me qëllimin hyjnor. Mekanizmi bazë për njohjen e Sheriatit është shkenca e Usul Fikhut.

5- Nevoja e madhe për mirëpërcaktimin e prioriteteve në ligjërimin islam. Mosnjohja e shkencës së Usul Fikhut ka sjellë amulli në renditjen e prioriteteve të ligjërimit islam në Shqipëri, pasi shumë detaje janë prezantuar si çështje madhore dhe absolute të fesë, ndërsa çështjeve madhore nuk u është dhënë rëndësia e duhur dhe vendi që u takon. Kjo gjë ka sjellë një reflektim të thellë në mesin e shumë hoxhallarëve, të cilët nëse do ta kishin përvetësuar këtë dituri siç duhet, nuk do të kishin rënë në lakun e vendnumërimit apo luftës së panevojshme për kultivimin e detajeve të fesë në kurriz të parimeve madhore të saj.

6- Nevoja për një metodologji të saktë për njohjen dhe prezantimin e fesë. Mungesa e dijes së Usul Fikhut tek shumë prej atyre që kanë studiuar për Islamin, ka sjellë një dukuri të rrezikshme dhe të panjohur më parë në mesin e muslimanëve shqiptarë: lindja e drejtimeve tendencioze dhe me prirje ekstreme, që mohojnë trashëgiminë e pasur juridike dhe usuliste islame. Këto drejtime nuk ndjekin ndonjë metodologji shkencore, por bazohen në informacione të pjesshme fetare, ose në mendime individësh të veshur me petkun fetar, apo në keqinterpretime të qëllimshme apo jo të teksteve sheriatike, apo bashkëveprimit të disa popujve muslimanë me Sheriatin dhe nuk iu referohen dijeve burimore islame. Këto drejtime e konsiderojnë shkencën e Usul Fikhut si dije të parëndësishme apo të pabazë, ndërkohë që dija e Usul Fikhut është shkencë e mirëfilltë islame dhe fryt i pastër i mendjes së muxhtehidëve([8]) muslimanë. Kjo shkencë konsiderohet peshorja, me të cilën vlerësohen metodat, që muxhtehidët kanë ndjekur në deduktimin e dispozitave të ligjeve sheriatike.

7- Nevoja për një maturim të plotë në dhënien e fetvave dhe në mësimin e dijeve fetare. Tregu i fetvasë është i mbushur me fetva dhe kundërfetva, të cilat nuk bazohen në parime dhe norma juridike shkencore, por janë më së shumti deduktime të cekëta, apo transmetim i përvojave të muslimanëve të një vendi të caktuar, që në shumë raste nuk kanë asnjë lidhje me realitetin e vendit tonë, apo bazohet në modelin pyetje-përgjigje të çastit. Shkenca e Usul Fikhut është dituria që ia mbyll të paditurit portën e Ixhtihadit.([9]) Usul Fikhu është kështjella shkencore që nuk mund të pushtohet nga shtirakët e diturisë dhe as nga pretenduesit e saj. Njohja e mirë e Usul Fikhut frenon guximin e tepruar në dhënien e fetvave, siç frenon të folurit për fenë e Allahut pa pasuri dituri.

8- Nevoja për metodologji shkencore në mësimin dhe orientimin fetar. Mungesa e këtyre metodologjive ka sjellë promovimin i metodologjive joshkencore në prezantimin dhe mësimin e fesë. Sfida e një shoqërie është edukimi i brezave. Edukimi i një brezi bazohet në kurrikula, që përfshijnë planifikimin dhe hartimin e kurrikulumit, menaxhimin e kurrikulumit, metodat e mësimdhënies dhe ideologjinë e kurrikulumit. Fatkeqësisht, në shumë raste modeli që ofrohet dhe propagandohet për mësimin dhe orientimin e fesë, është modeli pyetje-përgjigje. Kjo metodë nuk edukon breza, nuk kultivon besim dhe moral, nuk faktorizon muslimanët dhe as nuk u jep atyre rol për të bërë ndryshimin e synuar në shoqëri, por thjesht jep përgjigje për një situatë apo për ngjarje individuale dhe sporadike. Metoda pyetje-përgjigje është mekanizimi i fundit për transmetimin e informacionit fetar, prandaj edhe dijetarët muslimanë kanë shkruar libra fetvash kryesisht nga fundi i jetës së tyre, pas një testimi të gjatë të diturisë së tyre në terren dhe ndër njerëz.

9- Nevoja për të pasuruar akoma më shumë bibliotekën shkencore islame me referenca të kësaj fushe shkencore. Në gjuhën shqipe, librat e këtij profili janë të pakët dhe të pamjaftueshëm, prandaj është detyrë e kohës që biblioteka islame shqiptare të pasurohet edhe me libra të tillë. Gjejmë rastin për të shprehur mirënjohje të thellë ndaj kujtdo që ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuojë në pasurimin dhe përhapjen e dijeve islame burimore, duke e lutur Allahun e Madhëruar që t`i shpërblejë me më të mirën.

10- Vënia në pah e produktivitetit të Sheriatit. Sheriati është Ligji i përjetshëm dhe i përbotshëm, i vlefshëm në çdo kohë dhe vend, për çdo situatë, gjendje dhe aktualitet. Ky pohim është një nga parimet absolute të fesë. Usul Fikhu vërteton këtë pohim dhe e konfirmon produktivitetin dinamik të Sheriatit islam me parimet dhe normat jurudike të tij, ashtu siç çmonton akuzat e pabaza për shterpësi, ngurtësi dhe mospërputhje të Sheriatit me aktualitetet e sotme.

11- Krenaria me përkatësinë ndaj Sheriatit Islam. Sheriati islam është tërësia e ligjeve, që Allahu (xh.sh) ka ligjësuar për robërit e Tij. Pra, Sheriati është vetë feja me të gjithë përbërësit e saj. Kurani fisnik nga fillimi deri në fund është Sheriati islam. Suneti profetik është Sheriat islam. Besimi në Allahun, droja nga Allahu, turpi ndaj Allahut dhe devotshmëria ndaj Tij janë gjithashtu Sheriat islam, prandaj çdo gjë që i konkretizon këto, është zbatim i Sheriatit Islam. Adhurimi ndaj Allahut, mbështetja tek Ai, sinqeriteti ndaj Tij, dhikri dhe duatë që bëhen ndaj Tij, si dhe falënderimi i Tij është Sheriat islam dhe zbatim konkret e praktik i tij. Ligjet sheriatike praktike dhe ligjet penale janë pjesë e Sheriatit islam dhe zbatim i tij. Pajisja me virtytet morale dhe etikat e larta, si drejtësia, bamirësia, vërtetësia, besnikëria, butësia, thjeshtësia, etj, janë Sheriat islam. Po ashtu, largimi nga të gjitha veset është Sheriat islam. Ruajtja e pastërtisë morale, largimi nga haramet dhe mjaftimi me gjërat e lejuara dhe të mira është Sheriat Islam dhe zbatim praktik i tij.

Kërkimi i çdo lloj diturie të dobishme, si dhe mësimi e përhapja e saj është Sheriat islam dhe zbatim praktik i tij. Çdo gjë që realizon, konkretizon apo i shërben objektivave madhorë të Sheriatit, është pjesë thelbësore e Sheriatit dhe zbatim konkret i tij. Martesa, ndihma për të martuar njerëzit, jetesa e mirë mes bashkëshortëve, lindja e fëmijëve, edukimi dhe mësimi i tyre, janë Sheriat islam dhe zbatim konkret i këtij Sheriati. Çdo gjë që kultivon dhe forcon dinjitetin e njeriut, lirinë, sigurinë dhe personalitetin e tij, qoftë koncept konkret apo vlerë morale, është Sheriat Islam dhe zbatim korrekt i tij. Çdo përpjekje apo tentativë për të larguar padrejtësinë, uzurpimin, shtypjen, hegjemoninë, despotizmin, totalitarizmin, tiraninë dhe diktaturën, është nga thelbi i Sheriatit Islam dhe zbatim i tij. Çdo qeveri, parlament, ministri, institucion apo çdo organizim, që është zgjedhur nga njerëzit dhe përmbush këto gjëra, është zbatim i Sheriatit Islam. Urdhërimi për  mirë dhe ndalimi nga e keqja është nga shtyllat e Sheriatit islam, ndërsa ndërgjegjësimi i njerëzve për këto është pjesë e zbatimit konkret të këtij Sheriati.

Bashkëpunimi për mirë dhe për devotshmëri, çdo reformim dhe vepër e dobishme, rregullim apo promovim i të mirës, si dhe pengimi i çdo gjëje të keqe apo të dëmshme në faqen e dheut, madje edhe heqja e një pengese nga rruga, është pjesë e Sheriatit islam. Bamirësia ndaj kafshëve dhe bimëve, ruajtja e resurseve natyrore dhe pasurive nëntoksore është pjesë e Sheriatit Islam. Nuk mund të gjesh një gjë apo një veprim, që të mos ketë vendin e tij në Sheriat. Sheriati Islam mund të përmblidhet në një fjali të vetme: “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë dhe kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë”.([10])

Kushdo që bën një nga këto gjëra, apo jep ndihmën e tij për kryerjen e tyre, konsiderohet veprues dhe zbatues i Sheriatit, pavarësisht nëse është individ, grup, shtet, qeveri, ministër, prijës, qytetar, popull etj. Cilido prej tyre që kundërshton apo shkel këto gjëra, që janë pjesë të Sheriatit, apo ndihmon për shkeljen dhe kundërshtimin e Sheriatit islam, konsiderohet pezullues dhe shpërfillës i Sheriatit në raport me shkeljen dhe kundërshtimin e tij. Gënjeshtra e pezullon Sheriatin, ashtu siç sinqeriteti e mban të gjallë zbatimin e tij. Mashtrimi në studim, në mësimdhënie, në punë, në profesion, në tregti, në shërbime, në zgjedhje, etj., të gjitha janë pezullim i Sheriatit, ndërsa studimi korrekt, përsosja e çdo pune, kryerja e saj me transparencë, etj. janë zbatim i Sheriatit. Thyerja e premtimeve dhe marrëveshjeve është pezullim i Sheriatit, ndërsa përmbushja e tyre është zbatimi i Sheriatit. Ky arsyetim është i vlefshëm për të gjitha pjesët përbërëse të Sheriatit Islam.([11])

Mekanizmi për të zbuluar thesaret e Sheriatit Islam është shkenca e Usul Fikhut dhe fryti i kësaj shkence është Fikhu islam, i cili me të drejtë konsiderohet damari, që gjallëron Sheriatin Islam. Një studim i tillë me objektivitet e mbush zemrën e muslimanit me besim dhe krenari për përkatësinë e tij ndaj këtij Sheriati madhështor.

Autor: Rushit Musallari

([1]) xh.sh: shkurtim i fjalëve “xhel-le sha`nuhu (جَلَّ شَأْنُهُ)” që ka kuptimin “E lartë dhe e dëlirë qoftë çështja e Tij”. Një nga etikat e muslimanit është që kur përmendet Allahu (xh,sh) të thotë fjalë që shprehin madhërim dhe dëlirësim të Allahut. Në vijim të librit kjo shprehje do të vijë e shkurtuar sipas formës (xh.sh).

([2]) a.s: shkurtim i fjalëve “alejhis-selam (عَلَيْهِ السَّلَامُ)” që ka kuptimin “Paqja qoftë mbi të”. Një nga etikat e muslimanit është që kur përmendet Profeti me emër apo me atribut të tij, apo kur përmenden profetët e tjerë,  të thotë: “Alejhis-selam – Paqja qoftë mbi të”, apo “Sal-llall-llahu alejhi ue sel-lem – Paqja dhe begatia e Allahut qoftë mbi të”. Në vijim të librit kjo shprehje do të vijë e shkurtuar sipas formës (a.s).

([3]) Fikhu: kuptimi gjuhësor i kësaj fjale është: njohuri dhe kuptim, ndërsa kuptimi terminologjik i fjalës Fikh është: “Normat juridike islame apo korpusi  i të drejtës islame, ndryshe doktrina e së drejtës islame”.

([4]) r.h: shkurtim i fjalëve “rahmetull-llahi aleji (رَحْمَةُ اللَّهِ عَلْيْهِ)” që ka kuptimin “Allahu e mëshiroftë”. Një nga etikat e muslimanit është që kur përmenden dijetarët e fesë por edhe muslimanët që kanë ndërruar jetë, të thotë: “Allahu e mëshiroftë”. Me qëllim që të mos ngarkohet libri, nuk do ta përmendim pas përmendjes së dijetarëve, por kjo etikë nuk duhet anashkaluar të paktën në të folur.

([5]) – Ibn Haldun, “Mukaddimetu Ibni Haldûn”, v. 2,f. 199, botim i parë i Dar Jarub, Damask, 2004.

([6]) – Hadith i vërtetë. Ebu Daudi (3658); Tirmidhiu (2649); Ibn Maxheh (264); Ibn Hibani (95).

([7]) – Bejhakiu, “Shuabu`l-Iman”, (1262) me varg të mirë transmetuesish.

([8])Ixhtihad: Arsyetimi i pavarur juridik sheriatik që një dijetar bën pasi ka ezauruar të gjithë kapacitetin intelektual që disponon, me qëllim që të arrijë të japë një mendim solid mbi anën juridike të një çështje të caktuar. Ixhtihadi përbën gradën ku arrin muxhtehidi. Në vijim të librit do të përmendet më së shumti në origjinal: ixhtihad.

([9])Muxhtehid: Në aspektin gjuhësor muxhtehid do të thotë: “Personi që shpenzon gjithë kapacitetin e tij”, teksa në terminologjinë islame ka kuptimin: “Dijetar i Fikhut apo dijeve islame, i cili shkarkon gjithë kapacitetin që disponon, për të arritur të japë një mendim solid mbi anën juridike të çështjes”. Pikërisht ky veprim i bërë nga ana e dijetarit të fikhut quhet ixhtihad. Në vijim të librit do të përmendet më së shumti në origjinal: muxhtehid, sh. muxhtehidë.

([10]) – Kurani: Zelzele, ajeti: 7-8.

([11]) – Rajsuni, “Fikhu`th-Theura”, f. 73-76, botimi i parë i Dar Kelime, Kajro, 2013.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *