Dhënia e shembujve në Kuranin Famëlartë është një stil i veçantë dhe një metodë e qartë, që synon afrimin e të vërtetave në mendje, sqarimin e ideve abstrakte dhe bërjen e tyre sa më të afërta me realitetin e prekshëm dhe të ndjeshëm.
Allahu ka sjellë një shembull për shpenzimin e jobesimtarëve, duke thënë: “Shembulli i asaj që shpenzojnë në jetën e kësaj bote është si shembulli i një ere me ngricë, që goditi të mbjellat e një populli që i kishin bërë padrejtësi vetes së tyre dhe i shkatërroi; Allahu nuk u bëri padrejtësi atyre, por ata i bënë padrejtësi vetes së tyre”[1]
Ky është një shembull nga shembujt që Allahu ka sjellë për të sqaruar realitetin e veprave të jobesimtarëve dhe se veprat e tyre nuk peshojnë asgjë në peshoren e Allahut.
Ibn Kajjimi, duke shpjeguar domethënien e këtij shembulli, thotë: “Ky është një shembull që Allahu i Lartësuar e ka sjellë për atë që shpenzon pasurinë e tij jashtë bindjes dhe kënaqësisë së Tij. Ai e ka krahasuar shpenzimin e këtyre njerëzve – pasuritë që i harxhojnë për krenari, lavdi të rreme, fitim lavdërimesh dhe reputacioni, pa synuar me to Fytyrën e Allahut – si dhe shpenzimet që bëjnë për të penguar nga rruga e Allahut dhe ndjekja e të Dërguarve të Tij, me mbjelljen e një bime që pronari e mbjell duke shpresuar dobinë dhe frytin e saj, por që e godet një erë jashtëzakonisht e ftohtë, e cila me të ftohtin e saj djeg gjithçka që kalon nga të mbjellat dhe frutat, duke i shkatërruar dhe i tharë ato.”
Shejh Muhamed Abdo vë në dukje një hollësi të rëndësishme në këtë shembull, duke e konsideruar se “era shkatërruese është shembull i pasurisë që jobesimtarët e shpenzojnë për kënaqësitë e tyre, për pozitën dhe famën, për përhapjen e emrit të tyre dhe për forcimin e fjalës së tyre, duke i penguar nga rruga e Allahut; ndërsa mendjet dhe moralet e shëndosha, që janë themeli i çdo dobie, janë shembulli i të mbjellave. Pra, pasuria që ata shpenzojnë është ajo që ua ka prishur moralin dhe ua ka shkatërruar mendjen, duke i larguar nga vështrimi i drejtë dhe nga meditimi mbi pasojat e veprave.”
Ky shembull tregon, përmes përjetimit dhe vëzhgimit të drejtpërdrejtë, se veprat e jobesimtarëve, sado që të duken të mira në pamje të jashtme, nuk kanë asnjë vlerë tek Allahu, për shkak se janë vepra që burojnë nga njerëz që e kanë mohuar Allahun; për rrjedhojë, u mungon elementi i besimit. Dhe asnjë vepër nuk ka vlerë në peshoren e sheriatit, nëse mungon ky element.
Përfundimi i ajetit nënkupton se shkaku i goditjes së të mbjellave të atyre që mohuan ishte padrejtësia e tyre; ajo është që ua solli erën e përmendur, derisa ua shkatërroi dhe ua thau të mbjellat. Pra, padrejtësia e tyre ishte “era” që shkatërroi veprat dhe shpenzimet e tyre dhe i asgjësoi ato. Allahu nuk u bëri padrejtësi duke mos ua pranuar shpenzimet, por ata vetë u bënë shkak për këtë, sepse nuk besuan; Allahu i Lartësuar e ka bërë besimin kusht për pranimin e veprave. Pasi i njoftoi dhe i paralajmëroi për këtë, ndëshkimi i Tij ndaj tyre nuk ishte padrejtësi.
Nga kjo del se nuk ka shpërblim për sakrificën dhe as vlerë për veprën, përveçse kur ajo lidhet me metodologjinë e besimit dhe kur shtysa e saj është dashuria ndaj Allahut dhe bindja ndaj Tij. Ky është kuptimi që përcjell ky shembull kuranor; pas tij nuk mbetet fjalë për askënd dhe nuk polemizojnë rreth tij veçse ata që polemizojnë për ajetet e Allahut pa dije, pa udhëzim dhe pa argument.
Shejh Muhamed Rida e ka konsideruar se përshkrimi me të cilin përmbyllet shembulli në ajet “nënkupton se fatkeqësitë mund të bien mbi pasuritë e njerëzve, mbi të mbjellat dhe pasardhësit, si ndëshkim për mëkatet që kanë kryer… dhe kjo nuk bie ndesh me shkaqet natyrore të tyre; sepse nuk është e pamundur për Krijuesin e Urtë, i cili ka vendosur ligjet e lidhjes mes shkaqeve dhe pasojave në botën e dukshme, që t’i harmonizojë ato me ligjet e Tij të fshehta për vendosjen e ekuilibrit të drejtësisë mes njerëzve, për t’i udhëzuar drejt asaj që u plotëson përsosmërinë e tyre, qoftë përmes dijes shqisore që fitojnë nga vëzhgimi dhe përvoja, qoftë përmes besimit në të padukshmen që e udhëzon shpallja hyjnore.”
Përfundimi i nxjerrë nga ky shembull është se ata që mohojnë Allahun mund të përfitojnë nga mirësitë e Tij në këtë botë; Allahu mund t’ua zgjerojë furnizimin dhe t’ua shtojë dhuntitë, e ata të shpenzojnë shumë për kënaqësitë dhe epshet e tyre, për rrethin e tyre dhe ndihmësit e tyre; madje mund të japin edhe për nevojtarët ose të themelojnë institucione bamirëse që u shërbejnë interesave dhe synimeve të tyre… Por i gjithë ky shpenzim, në të gjitha format e tij, nuk ka asnjë peshë në peshoren e drejtësisë hyjnore, sepse buron nga jobesimtarë të zhytur në mohimin e tyre ose nga hipokritë të lëkundur në hipokrizinë e tyre.
Sipas kësaj qasje vjen edhe hadithi ku Aishja (r.a.) tregon se ka thënë: “I thashë: O i Dërguari i Allahut! Ibn Xhud’ani, në kohën e injorancës, i mbante lidhjet farefisnore dhe e ushqente të varfrin; a do t’i bëjë dobi kjo?”Ai (a.s) tha: “Nuk i bën dobi, sepse ai asnjëherë nuk ka thënë: O Zoti im, më fal mëkatin tim në Ditën e Gjykimit.”[2]
Përktheu: Elton Harxhi
ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Ali Imran: 117.
[2] – Muslimi.



















