Shtatë gjërat që një burrë dëshiron t’i dëgjojë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Sot do të vazhdojmë këtë seri duke folur për shtatë fjalë që një burrë pëlqen t’i dëgjojë, kështu që burrat mund ta dërgojnë këtë artikull si një dhuratë për bashkëshortet e tyre.

Në artikullin e mëparshëm, kemi folur për shtatë fjalë që gratë pëlqejnë t’i dëgjojnë. Mora shumë komente në lidhje me këtë temë, përfshirë pyetjen se cilat janë fjalët që një burrë dëshiron t’i dëgjojë. Gjithashtu, shumë burra pas publikimit të artikullit erdhën dhe më thanë se bashkëshortet e tyre ua kishin dërguar atë dhe u kishin thënë: “Duam që të na flisni në këtë mënyrë.”

E kam bërë këtë pyetje në Twitter dhe Facebook dhe kam marrë shumë përgjigje, prej të cilave kam zgjedhur këto fjalë që një grua i drejtohet burrit të saj:

Jeta pa ty është bosh

I shtrenjti im dhe kurora e kokës time

Nuk mund të jetoj pa ty

Allahu të shpërbleftë

Çfarë dëshiron për darkë sonte?

Bëj dua për ty dhe për nënën tënde.

Ti vetëm urdhëro!

Unë me gjithë zemër them po

Ti je princi im

Urdhëro, unë jam gati për gjithçka!

Me kënaqësi e me gjithë zemër

Ti je shpirti im.

Po cilat janë ato fjalë të cilat një burrë dëshiron t’i dëgjojë?

Pavarësisht se çfarë është shkruajtur më lart, themi se shtatë gjërat që një burrë dëshiron t’i dëgjojë janë:

1 – Vlerësimi i vetes: Çdo shprehje apo fjalë që shpreh mirënjohje për përpjekjet dhe kontributin e tij është diçka që ai pëlqen ta dëgjojë. Njoh një burrë që ndihet i lumtur kur gruaja e tij e puth çdo muaj në ballë sa herë që ai i dorëzon shpenzimet mujore dhe i thotë: “Allahu ta shtoftë pasurinë dhe të begatoftë! Kjo është nga mirësia dhe përkushtimi yt.”

2 – Lavdërimi i arritjeve: Kur e vlerësoni dhe e lavdëroni për punët, përpjekjet dhe sukseset e tij, ai e pëlqen shumë këtë. Për shembull, mund ta vlerësoni për mundin e tij për familjen apo për përkushtimin e tij në zgjidhjen e ndonjë çështjeje.

Një grua tregonte se burri i saj u angazhua për të përfunduar dokumentet e masterit për të. Ajo e lavdëroi për shpejtësinë e tij në realizimin e punës dhe për shfrytëzimin e kontakteve të tij. Që nga ajo kohë, sa herë që shkonte te familja e tij, ai përsëriste me krenari: “Gruaja ime tha për mua këtë e atë…”, dhe ndihej shumë i lumtur nga fjalët e saj.

3 – Ndjenja e nevojës për të: Kur një grua e bën burrin e saj të ndiejë se ka nevojë për të, ai e përjeton këtë si një shenjë të burrërisë dhe forcës së tij dhe e sheh veten si një pjesë të rëndësishme të jetës së saj.

Një rast që më ka mbetur në mendje ishte kur një burrë u ankua se gruaja e tij nuk e donte dhe se ndjente një largësi mes tyre. Duke analizuar situatën, kuptova se gruaja e tij ishte e pavarur nga ai, pasi familja e saj i ofronte gjithë mbështetjen e nevojshme. I sugjerova që të ndalonte së kërkuari ndihmë nga familja dhe t’i drejtohej burrit për mbështetje.

Pas një kohe, marrëdhënia e tyre ndryshoi. Burri filloi ta donte dhe ta vlerësonte më shumë, duke i plotësuar të gjitha kërkesat e saj. Ai ndjeu se kishte një rol të rëndësishëm në jetën e saj dhe kjo e bëri më të përkushtuar ndaj saj.

4 – Dëgjimi dhe mosndërprerja: Të dish të dëgjosh me vëmendje nuk është thjesht një fjalë, por ka një kuptim shumë të rëndësishëm në botën e burrave. Një burrë e vlerëson atë që e dëgjon me kujdes, dhe nëse gruaja e ndërpret gjatë bisedës, ai e interpreton këtë si mungesë respekti ndaj tij.

Kjo ndryshon nga mënyra se si e përjeton një grua ndërprerjen gjatë bisedës. Në shumicën e rasteve, gratë nuk e shohin ndërprerjen si diçka shqetësuese, por përkundrazi si një shenjë të përfshirjes dhe interesit në bisedë.

5 – Buzëqeshja dhe fytyra e gëzuar: Buzëqeshja është një formë komunikimi joverbal, dhe burrat e duan këtë lloj shprehjeje. Komunikimi ndahet në dy lloje: verbal dhe joverbal, dhe burrat pëlqejnë ta shohin tek gruaja një gjendje shpirtërore të mirë, një buzëqeshje të ëmbël dhe një fytyrë të gëzuar. Ata nuk e pëlqejnë një grua të mrrolur, të trishtuar ose pesimiste.

6 – Besnikëria dhe përkushtimi: Një burrë është i gatshëm të japë gjithë jetën e tij kur gjen përballë një grua besnike, që kujdeset për shtëpinë e saj, menaxhon mirë pasurinë e tij dhe nuk është shpërdoruese apo e tepruar në shpenzime. Në këtë rast, ai është i gatshëm të sakrifikojë të gjithë jetën për të, edhe nëse ajo nuk flet shumë.

7 – Vlerësimi dhe respekti: Një burrë bëhet rob i asaj që e vlerëson dhe e respekton me fjalë dhe vepra. Kjo është përparësia e tij kryesore. Ai mund të durojë çdo të metë te një grua, por nuk mund të durojë mungesën e vlerësimit dhe respektit. Nëse nuk i merr këto, ai është i gatshëm ta sakrifikojë atë dhe ta largojë shpejt nga jeta e tij.

Ka edhe një çështje të rëndësishme që duhet ta dimë në lidhje me burrat, dhe kjo është se sa herë që një burrë plaket, ndryshojnë fjalët që ai i pëlqen dhe lëvizjet që ai i dëshiron. Një djalë 20-vjeçar është ndryshe nga një 40-vjeçar, dhe ata janë ndryshe nga një burrë 60-vjeçar, sepse burrat pëlqejnë ndryshimin dhe rinovimin më shpejt se gratë. Për këtë arsye, gruaja e mençur kujdeset për të ndryshuar fjalët dhe veprimet e saj herë pas here. Kjo e bën burrin të lidhet më shumë me të dhe të jetë i etur për çdo gjë të re që ajo bën, madje edhe në nivelin e fjalëve. Një nga zgjidhjet më të shpejta për të arritur në zemrën e burrit është t’i pyesim “Çfarë do të doje të dëgjoje nga ne?” dhe pastaj t’ia themi atë që ai pëlqen. Kjo gjithashtu e bën burrin të ndihet i vlerësuar dhe i respektuar, gjë që është një nga prioritetet kryesore për të.

Autor: Xhasim Mutaua

Përktheu: Elton Harxhi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.