Të kuptuarit modern i Hisba-s

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Hisba, është një sistem islam i rrallë, madje mund të konsiderohet si një nga veçoritë karakteristike të sistemit islam. Asnjë sistem tjetër nuk ka njohur diçka të ngjashme me Hisbe-n në islam, i cili bazohet tek urdhërimi për mirë dhe ndalimi nga e keqja, për të mos thënë që është një mishërim i saj. Prandaj dhe Ibn Halduni e përkufizon me fjalët:”Një funksion fetar i cili hyn tek urdhërimi për mirë dhe ndalimi nga e keqja dhe që zbatohet nga ai qeveris myslimanët.”

Lidhur me përgjegjësitë dhe rolin që i besohej Muhtesib-it në shoqërinë islame, një nga studiuesit bashkëkohorë thotë: ”Komunat dhe bashkitë në kohët moderne, mund t’i kontrollojnë prodhuesit e produkteve të mishit, të bukës dhe ushqimeve, ku mund të marrin pjesë edhe institucionet e shëndetësisë. Por, ne nuk njohim ndonjë ndikim të komunave dhe bashkive, në kontrollin e tregjeve, ku shiten tekstilet dhe produktet e tjera të ndryshme. Sakaq, në profesionet e tjera si ato të mjekëve, farmacistëve, avokatëve, inxhinierëve, mësuesve etj…, nuk ndiqen dhe kontrollohen prej bashkive e komunave. Prandaj themi që kompetencat e Muhtesib-it, janë shumë herë më të gjera sesa ato të një perfekti apo një kryetari bashkie.”

Të gjithë kalifët myslimanë i kanë kushtuar një kujdes të veçantë këtij funksioni, sigurisht dhe dijetarët. Dijaudin ibn Ikhve, përmend disa nga detyrat e Muhtesib-it dhe thotë:”Muhtesib-i duhet t’i urdhërojë bukëpjekësit, që të zgjerojnë oxhakun e furrave, të mbajnë pastër ambientin përreth, të lajnë dhe pastrojnë enët ku gatuhet brumi, i cili nuk duhet të shtypet as me këmbë, as me gjunjë dhe as me bërryla, pasi kështu e përdhos bereqetin. Për të shmangur pikimin e ndonjë pike djersë mbi brumë, personi që merret me këtë punë, duhet të veshë rroba të ngushta me mëngë të gjata, si dhe të vendosë një maskë në fytyrë për të shmangur teshtitjen, sekrecionet e gojës dhe të hundës, të cilat mund të bien në brumë.  Mbi ballë, duhet të shtrëngojë një pëlhurë të bardhë me qëllim që të mos lejojë rrjedhjen e djersës mbi brumë. Duhet të rruajë dhe qimet e dy duarve dhe parakrahëve që të mos përzihen me brumin. Nëse brumin e përgatit ditën, duhet të ketë dhe një person, i cili largon mizat.”

Rëndësia që civilizimi islam i kushton ushtrimit të kontrollit ndaj çdo profesioni, është me interes për publikun e gjerë në radhë të parë, si dhe tregon qëllimin dhe misionin e këtij civilizimi, i cili përmblidhet me fjalët: “Kujdesi ndaj njeriut dhe garantimi i të drejtave të tij, si dhe sigurimi i të gjitha burimeve të mirëqenies dhe lumturisë.”

Këto rregulla të ashpra që vendos Ibn Ikhue për prodhuesit e bukës, për fat të keq, në ditët e sotme nuk respektohen në shumë vende islame. E ç’është më e keqja, kemi filluar të importojmë higjienën dhe etikën nga  perëndimi, duke harruar civilizimin tonë islam, i cili që prej shekujsh vendoste rregulla dhe kritere për të garantuar shëndetin e popullatës myslimane. Kjo, nëpërmjet institucionit të Hisba-s,  e cila garantonte zbatimin e këtyre rregullave dhe kritereve me detaje. Libri “Mealim kurbe fi talebil hisbe” është një enciklopedi orientuese shumë e mirë rreth institucionit të Hisba-s, e cila përmban kritere dhe rregulla të zbatueshme për çdo kohë dhe vend.

Sigurisht që institucioni i Hisba në Islam, shënon kulmin e interesimit të pushtetit politik për sigurimin e mirëqenies së njerëzve, rehatisë dhe garantimit të drejtave, duke shmangur çdo gjë që u shkakton stres, frikë dhe pasiguri. Ajo garanton mbrojtjen materiale dhe shpirtërore të shoqërisë, e shtrirë në çdo cep dhe qoshe,  e pakufizuar veçse nga kufijtë e shijes dhe sigurisë sociale. Pothuaj nuk ekziston asnjë pushtetar bashkëkohor i cili përdor mekanizma dhe institucione të tilla për mbrojtjen e qytetarëve, si institucioni i Hisba-s.

Kjo është e shkuara jonë e lavdishme, lidhur me institucionin dhe funksionin e Muhtesib-it, sakaq e tashmja jonë lë shumë për të dëshiruar.

Hisba në kohët moderne

Në kohët tona, funksioni real i Hisba-s, pothuaj është reduktuar në maksimum, për të mos thënë është shfuqizuar. Sot, disa nga funksionet e Hisba-s, i luajnë komunat dhe institucionet shëndetësore. Por, nuk duhet të harrojmë se Hisba (Urdhërimi për mirë dhe ndalimi nga e keqja) është një koncept shumë i gjerë, i cili përfshin shumë çështje të tjera. Kështu, termi “e mirë” përfshin gjithçka që është e dobishme, kurse “e keqe” gjithçka që është e ligë dhe e dëmshme. Çdo të mirë, fjalë , moral, projekt, apo vepër qoftë, duhet mbështetur, si dhe çdo e ligë, fjalë, vepër, projekt apo ves qoftë, duhet luftuar dhe pastruar. Vetëm kështu i garantojmë shoqërisë një jetë të rehatshme, larg të keqes. Islami është kopja përfundimtare dhe përmbyllëse e mesazhit hyjnor. Ai ka sjellë mekanizma reformuese dhe ndryshues sa herë që në shoqëri përhapet korrupsioni dhe ligësia. Hisba, është një mekanizëm dhe institucion i cili lufton korrupsionin dhe të keqen kur shfaqet në shoqëri, duke e ruajtur këtë të fundit të pastër dhe dëlirë.

Është logjike që institucioni islam i Hisba-s të zhvillohet, me zhvillimin e arkitekturës në shoqëritë islame, gjë e cila na thotë se hapen hapësira të reja dhe të gjera për mirëfunksionimin e këtij mekanizmi, i cili në dorën e ligjit islam, garanton mirëqenien e shoqërisë.

Një nga aspektet moderne ku hyn dhe funksionon Hisba, është mjedisi që dëmtohet çdo ditë. Sot ne të gjithë ankohemi nga ndotja e mjedisit dhe dëmtimi i tij, gjë për të cilën flitet dhe dënohet në mbarë botën. Madje, janë themeluar organizma të ndryshme, të cilat flasin për rreziqet që i kanosen jetës së njeriut.

Padyshim që ndotja e ambientit, përbën rrezik për shëndetin e njeriut. Sondazhet botërore tregojnë rritje të frikshme të të prekurve nga kanceri, për shkak të përdorimit gjithmonë e më të gjerë të pesticideve, kimikateve dhe hormoneve në prodhime të ndryshme. Kësaj, shtoji problemet e depozitimit sidomos të drithërave.

Sheriati e dënon dhe lufton gjithçka që i kanoset dhe e ndot ambientin, duke e konsideruar si një të keqe dhe ligësi të madhe. Kurani e cek diçka të tillë dhe thotë:” Shkatërrimi në tokë dhe në det është shfaqur si pasojë e punëve të këqija të njerëzve…”[1]

Sot, globi ynë tokësor gëlon nga problemet dhe shqetësimet e njerëzve, temperaturat janë në rritje dhe e kanosin, ndryshimet atmosferike pritet të sjellin ndryshime rrënjësore, pesticidet po prishin ajrin dhe tokën…

Kurani na e ndalon të ndotim dhe dëmtojmë ambientin:“dhe mos bëni të këqija e mbrapshti në Tokë!”[2]

“Ka ndonjë njerifjalët e të cilit në jetën e kësaj bote ta bëjnë qejfin dhe që betohet në Allahun për atë që mban në zemër, por që, në të vërtetë, është kundërshtari më i betuar. E, kur largohet, përpiqet të bëjë të këqija në tokë, duke shkatërruar të mbjellat dhe bagëtinë. Por Allahu nuk e do shkatërrimin.”[3]

Sheriati islam ka legjitimuar dhe parimin e parandalimit të keqes, e çfarëdo lloji të jetë dhe kjo vlen edhe për ambientin. Parimi në fjalë, është ai: ”Parandalimi i të keqes, ka prioritet ndaj një interesi dhe dobie.”

Ky qëndrim karshi ambientit, na e shton qëndrueshmërinë dhe rezistencën në luftën kundër ndotjes së ambientit. Secili prej nesh është i obliguar ti manifestojë parimet sublime të fesë tonë, praktikisht, duke mbajtur qëndrim pro ambientit jo vetëm me fjalë. Mbrojtja e ambientit, është një nga parimet e fesë tonë të qytetëruar. Kjo nuk do të arrihet, veçse duke e kuptuar institucionin e Hisba-s, në kuadrin bashkëkohor.

Autor: Dr Muhamed ibnu Salih Ali

Përktheu: Elmaz Fida

[1] – Sure Rum: 41.

[2] – Sure Bekare: 40.

[3] – Sure Bekare: 204.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.