Surja Ali Imran është surja e tretë e Kuranit për nga renditja dhe është një ndër shtatë suret më të gjata të Kuranit. Ajo ka 200 ajete dhe është një sure e cila është shpallur në Medine, pas hixhretit. Tefsirin tematik të sures Ali Imran do ta trajtoj në disa pika: 1 – Emrat e sures Ali Imran, 2 – Vlerat e sures Ali Imran, 3 – Boshti kryesor i sures Ali Imran, 4 – Objektivat kryesore të sures Ali Imran, 5 – Tematikat e sures Ali Imran në rrafshin horizontal, 6 Tematikat e sures Ali Imran në rrafshin vertikal, 7– Bashkërendimet e sures Ali Imran dhe 8 – Orientimet e sures Ali Imran.
1 – Emrat e sures Ali Imran:
A – Ali Imran
Emri më i njohur i kësaj sureje është “Ali Imran” ngase në këtë sure është përmendur “Ali Imran” d.m.th. “familja e Imranit”. Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu e zgjodhi Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit dhe familjen e Imranit mbi popujt e tjerë (të asaj kohe)”[1]
B – Zehra
Me këtë emër e ka përshkruar i Dërguari i Allahut (a.s) i cili ka thënë: “Lexojini dy Zehratë (dritat): suren Bekare dhe suren Ali Imran!”[2]
C – Kenz (thesar)
Me këtë emër e ka quajtur Abdullah ibn Mes’udi (r.a) i cili ka thënë: “Sa thesar i mirë është sure Ali Imran për varfanjakët të cilët çohen natën, falin namaz (e natës) duke kënduar atë.”[3]
Në librat e tefsirit, lexojmë edhe disa emra të tjera me të cilat njihet kjo sure, por këto janë tre emrat më të njohur të kësaj sure, prandaj edhe unë do të mjaftohem me përmendjen e vetëm këtyre emrave.
Autor: Elton Harxhi
[1] – Sure Ali Imran: 33.
[2] – Muslimi (804).
[3] – Darimi (3398).