Teoria e Ibn Haldunit në filozofinë e historisë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Ibn Halduni ka qenë objekt i një kujdesi të veçantë në kohën moderne, duke zgjuar interes të gjerë si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim. Ai ka tërhequr vëmendjen e shkollave shkencore që merren me shkencat humane në përgjithësi, dhe me shkencat shoqërore e mendimin filozofik në veçanti. Por sidomos në fushën e historisë, ai ka fituar një vend të tillë që asnjë tjetër historian mysliman nuk e ka arritur.

Arsyet e përzgjedhjes së figurës së Haldunit

Ajo që është shkruar mbi krijimtarinë e tij të pasur e të shumëllojshme të dijes – e cila përbën një bibliotekë të tërë shkencore, të denjë për një mendimtar mysliman të një qytetërimi të madh, që pati meritën të ruante trashëgiminë e qytetërimeve të lashta dhe t’i pasuronte ato me shkencat e reja të lindura nga dijetarët dhe mendimtarët e vet – e ka bërë Ibn Haldunin një krenari të dijes dhe një burim frymëzimi e mirësie për kombet dhe qytetërimet, si në të shkuarën ashtu edhe në të ardhmen.

Ibn Halduni cilësohet si një nga kulmet më të larta të trashëgimisë intelektuale të njerëzimit dhe një nga shtyllat themelore të qytetërimit islam. Kjo madhështi shfaqet qartë në mendimin e tij novator e pararendës, i cili përfshiu një gamë të gjerë shkencash dhe njohurish historike, shoqërore, qytetëruese e filozofike. Refleksi i këtij mendimi ka qenë objekt studimi për dijetarë e studiues, si arabë ashtu edhe perëndimorë, të cilët e kanë trajtuar veprën e tij si një fenomen enciklopedik shkencor, të lindur nga gjiri i qytetërimit islam dhe të destinuar të ndriçojë hapësirat shkencore të mbarë botës.

Këto studime kanë trajtuar një gamë të gjerë dhe të larmishme të ideve dhe tezave të tij mbi historinë, sociologjinë, logjikën, jurisprudencën, gjuhësinë dhe fusha të tjera. Ibn Halduni i studioi dhe hulumtoi këto disiplina me kujdes, duke sjellë diçka të re ose duke korrigjuar koncepte që i konsideronte të shtrembëruara apo të pasakta, ndërsa vendosi parime, rregulla shkencore dhe metoda të qarta për studimin dhe kërkimin në secilën prej tyre.

Me këtë, Ibn Halduni ka fituar me të drejtë një vëmendje të jashtëzakonshme, të veçantë nga çdo dijetar apo historian tjetër i Islamit. Megjithatë, trashëgimia e tij ende pret të zbulohet më thellë përmes kërkimit, studimit, rianalizimit dhe rivlerësimit, duke vendosur prodhimin e tij shkencor e mendimor nën lente të hulumtimit dhe analizës së kujdesshme. Ai përfaqëson një trashëgimi shkencore me vlera botërore, e cila sjell të reja jo vetëm në metodologjinë e kërkimit historik, por edhe në të gjitha fushat e shkencave humane, duke qenë në harmoni me metodat bashkëkohore të kërkimit shkencor.

Filozofia e historisë tek Ibn Halduni

Ibn Halduni ishte i ngjitur thellësisht me realitetin e tij qytetërues islam, gjë që e shtyu të formonte një filozofi të veçantë të historisë, të lidhur ngushtë me metodologjinë e tij studimore. Kjo metodologji bazohej në hetim të kujdesshëm dhe verifikim të lajmeve, e më pas në interpretimin e tyre në një kuptim qytetërues, duke u mbështetur në parimet themelore të filozofisë së tij për analizën e ngjarjeve. Ai përdorte kritika të thella ndaj ngjarjeve për të nxjerrë kuptime, duke marrë parasysh faktorë të ndryshëm që mundësonin interpretime të shumta të citimeve të tij. Në teorinë e tij mbi filozofinë e historisë, Ibn Halduni mbështetej në disa faktorë ose çelësa, të cilët përfshihen në pikat e mëposhtme:

1 – Ligjet universale dhe shoqërore

Të mishëruara në ligjet që ka vendosur Zoti në natyrë dhe në procesin e zbulimit të tyre; kjo nënkupton sqarimin e ligjeve hyjnore të universit, duke studiuar lindjen, zhvillimin dhe rendin e tyre, marrëdhëniet që lidhen mes tyre, si dhe duke vëzhguar lëvizjen e gjithçkaje brenda këtyre ligjeve të qëndrueshme, të njohura për saktësinë dhe palëkundshmërinë e tyre.

Ligjet shoqërore janë po ashtu një nga ligjet e vendosura nga Zoti, të integruara në strukturën e jetës njerëzore dhe të ndjekura e të zbatuara nga njerëzit. Ato përbëjnë një shkencë që zbulon rregullat hyjnore në shoqëri, duke pasqyruar karakteristikat e saj, larmishmërinë, si dhe dinamikën dhe zhvillimin e vazhdueshëm..

2 – Ndjenja e përkatësisë fisnore

Ibn Halduni e konsideronte këtë ndjenjë si lidhjen shoqërore që bashkon anëtarët e një fisi apo çdo grupi tjetër, duke i shtyrë ata të bashkëpunojnë në kohë të vështira e të mira, në nevojë dhe në aktivitet. Ai vërejti se kjo ndjenjë është më e fortë në jetën nomade dhe mes fiseve, ku shpesh bëhet shkak për mosmarrëveshje ndërmjet tyre. Ajo përbën një nga tiparet kryesore të shoqërisë dhe dobësohet ose zhduket nën ndikimin e fesë, e cila udhëzon drejt heqjes dorë nga çdo formë e fanatizmit fisnor. Po ashtu, kjo ndjenjë zbehet për shkak të zhytjes së njerëzve në luksin e qytetërimit. Ibn Halduni e shihte ndjenjën e përkatësisë fisnore si një kusht themelor për themelimin e shteteve dhe ngritjen e mbretërive, duke e lidhur ngushtë me profetizmin dhe me ekzistencën e shtetit.

3 – Feja

Studimet e Ibn Haldunit u përqendruan mbi strukturën shoqërore dhe shpirtërore të arabëve, si dhe mbi rolin e tyre qytetërues pas shfaqjes dhe përhapjes së Islamit mes tyre. Ai theksoi se feja ushtron një ndikim të fuqishëm në disiplinimin e shpirtit arab, duke u bërë një nxitës i drejtpërdrejtë dhe efektiv drejt ndërtimit qytetërues. Feja ka lënë gjurmë të thella në jetën dhe historinë e arabëve, më të fuqishme se ndikimi i mjedisit, natyrës apo edukimit, duke u shndërruar, në masë të madhe, në faktor kyç dhe vendimtar që formëson të gjitha aspektet e jetës së tyre të përditshme gjatë epokave pas përhapjes së saj.

Metodologjia e Ibn Haldunit dhe termi “Filozofia e Historisë”

Një nga veçoritë më të shquara të metodologjisë së Ibn Haldunit është gjerësia dhe thellësia e saj në kuptimin e filozofisë së historisë, si nga këndvështrimi kohor, ashtu edhe nga ai hapësinor. Ai synonte të studionte historinë në të gjitha dimensionet e saj – kohën dhe hapësirën – duke e bërë atë një historian me vizion gjithëpërfshirës në shkrimet e tij historike, si dhe në shkencën e sociologjisë së popullsisë, ku lidhte këto aspekte me lëvizjet historike. Ibn Halduni vështronte aktivitetin e popullsisë dhe ndikimin e tij mbi rrjedhën e historisë, si dhe ndikimin e historisë mbi strukturën shoqërore, për të arritur tek e vërteta historike në mënyrë të plotë dhe të thelluar.

Metodologjia filozofike dhe qytetëruese që Ibn Halduni përdori në veprat e tij historike nuk kufizohej vetëm në citimin apo detajizimin e ngjarjeve të së kaluarës; ai shtrihej përtej tyre, duke ofruar koncepte dhe metoda analize të thella për transformimet dhe ngjarjet kryesore në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike, madje edhe në artet dhe shkencat që lindën dhe u zhvilluan brenda qytetërimit të popullsisë që ai shqyrtonte.

Kjo qasje pasqyron trajtimin e çështjeve historike përmes një metodologjie qytetëruese, që i jepte prodhimit të tij intelektual një dimension islam. Ai mbështetej fuqimisht në lidhjen midis Islamit dhe Kuranit, duke e parë këtë si mjetin më të rëndësishëm dhe efektiv për të udhëhequr individin dhe shoqërinë drejt ndërtimit të qytetërimit. Filozofia e tij qytetëruese reflektonte mendimin e një dijetari të formuar brenda qytetërimit islam, nga i cili ai rridhte dije dhe përvojë, duke pjekur mendimin e tij dhe duke krijuar një mjedis të pasur dhe unik studimi e hulumtimi shkencor. Me këtë vizion, Ibn Halduni tejkaloi të gjithë historianët, paraardhës dhe pasardhës, për më shumë se katër shekuj.

Ibn Halduni u frymëzua nga metodologjia e historianëve të mëparshëm, si Tabariju dhe Ibn Is’haku, si dhe nga dijetarë e hadithologë të tjerë, të cilët përdornin metodën e vlerësimit kritik të transmetimeve (xherh dhe ta’dil) për të verifikuar saktësinë e teksteve të lidhura me siren dhe hadithet. Ai e aplikoi këtë metodë për pranimin ose refuzimin e lajmeve historike dhe e zhvilloi më tej, duke krijuar një qasje të hollësishme për të verifikuar lajmet dhe për të dalluar të vërtetën nga e pavërteta, duke u bërë kështu pionier në këtë fushë.

Po ashtu, Ibn Halduni ndoqi një metodë të re, e cila ndryshonte nga ajo e historianëve të mëparshëm, të cilët mbështeteshin kryesisht në kronologjitë vjetore dhe renditjen e ngjarjeve sipas viteve. Ai e tejkaloi këtë kufizim, duke organizuar veprën e tij historike, “Al-Ibar”, në libra të ndarë dhe kapituj të ndërtuar me lidhje të brendshme, ku çdo kapitull trajtonte historinë e një shteti veç e veç, duke marrë parasysh ndërveprimet dhe lidhjet midis shteteve, si dhe ngjarjet që ndodhnin në të njëjtën kohë.

Kjo metodë e dalloi Ibn Haldunin nga paraardhësit e tij për shkallën e lartë të organizimit, lidhjen harmonike të ngjarjeve dhe saktësinë në klasifikimin e temave dhe ngjarjeve që ai trajtonte në studime dhe hulumtime. Ai përdori gjithashtu metodën kritike të vlerësimit, pranimit dhe refuzimit të teksteve dhe ngjarjeve historike, duke u mbështetur në metodologjinë që vetë kishte përcaktuar si bazë për shkrimin dhe regjistrimin historik. Kjo qasje e afroi punën e tij shumë pranë metodave të kërkimit bashkëkohor në shkencën e historisë.

Ibn Halduni arriti të tejkalojë metodat e zakonshme të kohës së tij, të ngurtësuara dhe të bazuara në imitim, duke u kthyer te burimet origjinale, duke ndërtuar lidhje të mira dhe duke u mbështetur në vlera dhe ide që rrjedhin nga Kurani dhe Suneti. Ai përfitoi shumë nga njohja e veprave të udhëtarëve dhe gjeografëve arabë, të cilat i siguruan informacion të bollshëm, duke i dhënë shkrimeve të tij besueshmëri dhe vlerë të shtuar, sidomos në fushën e urbanizmit njerëzor, të lidhur me shkencën e gjeografisë dhe ndikimin e saj mbi jetën e njeriut në të gjitha aspektet.

Ibn Halduni tregoi interes të veçantë për fenomenet historike që lidhen me sferat politike, duke u mbështetur në besimin e tij të thellë se fenomenet shoqërore mbi të cilat ato bazohen janë të ndërlikuara, të shumëanshme dhe të ndërthurura, dhe se politika është vetëm një prej degëve të tyre.

Cili është roli i Ibn Haldunit në shkencën shoqërore?

Sipas këtij vizioni të saktë dhe metodologjisë së integruar që ai formoi në studimin e historisë dhe shkrimin e saj, si dhe në fusha të tjera të dijes, Ibn Halduni krijoi një filozofi të re të historisë, të papërcjellë më parë nga ndonjë dijetar, as nga ata që i paraprinë, as nga ata që i pasuan për më shumë se katër shekuj. Filozofia e tij në studimin e historisë solli një shkencë të re që analizonte lëvizjen e shoqërisë njerëzore dhe lidhjen e saj me lëvizjen e historisë. Këtë shkencë e njohën më vonë dijetarët perëndimorë si “sociologji” dhe ia atribuan vetes, ndërsa filozofia e Ibn Haldunit mbeti një shkollë udhëheqëse në historinë dhe sociologjinë e komuniteteve njerëzore.

Edhe pse disa kritikë perëndimorë e mohuan këtë, e vërteta e tij imponon respekt në shumë universitete dhe institucione kërkimore që bazohen në metoda shkencore të pastërta, larg paragjykimeve, politikës, fesë apo racës. Aty, Ibn Halduni dhe mendimi i tij nderohet dhe vlerësohet si një nga dijetarët më të shquar të njerëzimit dhe si simbol i përparimit, primatit dhe zgjuarsisë së qytetërimit islam.

Autor: Ferexh Kindi

Përktheu: Elton Harxhi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *