Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) fali namaazin bashkë me ne, më pas u kthye me fytyrë nga ne dhe tha: “Ndërsa një burrë po ngiste lopën, hypi mbi të dhe filloi ta godiste. Ajo (lopa) i tha: Ne nuk jemi krijuar për këtë gjë. Ne jemi krijuar për të lëruar tokën. Njerëzit thanë: Subhanallah. Lopë që flet?! Ai (a.s) tha: Unë, Ebu Bekri dhe Omeri e besojmë këtë. Ndërkohë që ata të dy nuk ishin prezent. Pastaj Profeti (a.s) vazhdoi: “Ndërsa një burrë ishte duke ruajtur kopenë me dhenë, një ujk sulmoi kopenë dhe mori një dele. Burri e ndoqi, e arriti dhe e shpëtoi delen. Ujku i tha: Kush do ta ruajë atë në ditën e kafshëve të egra, ditën ku nuk do të ketë bari tjetër përveç meje. Njerëzit thanë: Subhanallah?! Ujk që flet?! Ai (a.s) tha: Unë, Ebu Bekri dhe Omeri e besojmë këtë. Ndërkohë që ata të dy nuk ishin prezent.”[1]
Unë, Ebu Bekri dhe Omeri
Lexoje këtë shprehje me zemër, medito rreth saj, përsërite leximin e saj disa herë. Po sikur emri yt të ndodhej në këtë shprehje?! Ajo është një shprehje që të rrënqeth mishin, zemra dridhet dhe shpirti qetësohet. Duke medituar rreth këtyre fjalëve ajo që na vjen ndërmend është se Unë:nënkupton statusin e profetësisë. Ebu Bekri: statusin e besimit të sinqertë dhe Omeri: statusin e dalluesit midis të mirës dhe të keqes.
Statusi i profetësisë:
Profeti (a.s) na lajmëron se ai beson se lopa dhe ujku kanë folur. Ai (a.s) beson se një gjë e tillë ka ndodhur sepse ai është i Dërguar nga Allahu që i vjen shpallja. Ai (a.s) e di se lajme të tilla janë të vërteta, sepse e ka lajmëruar Allahu i Lartësuar. Ashtu sikurse Profeti Isa (a.s) e lajmëronte popullin e tij se çfarë ata depozitonin në shtëpitë e tyre. Allahu i Lartësuar thotë: “Unë ju lajmëroj për atë që hani dhe atë që depzitoni në shtëpitë e juaja.”[2]
Është detyrë e çdo muslimani që të besojë në të gjitha fjalët të cilat Profeti (a.s) ka thënë se kanë ndodhur, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Ai nuk flet nga mendja e tij”[3] Është detyrë e çdo muslimani që të besojë fjalët e Kuranit dhe të Profetit (a.s) sado i çuditshëm që të jetë lajmi dhe sado të papranueshme të jenë ato për logjikën tonë të mangët.
Mirëpo përse Profeti (a.s) dëshmon për besimin e Ebu Bekrit dhe të Omerit rreth këtyre ndodhive, ndërkohë që ata nuk ishin prezentë?! Profeti (a.s) dëshmoi për besimin e Ebu Bekrit dhe Omerit sepse e dinte shumë mirë që ata të dy po të kishin dëgjuar fjalët e Profetit (a.s) nuk do të kishin hezituar aspak në fjalët e tij, por menjëherë do të besonin.
Statusi i Ebu Bekrit:
Ky hadith flet qartë për statusin e lartë të Ebu Bekrit, sepse megjithëse ai nuk e dinte se çfarë kishte thënë Profeti (a.s) do të besonte menjëherë kur ta merrte vesh lajmin. Më parë, Profeti (a.s) kishte dëshmuar për besimin e tij të sinqertë. Kjo ishte një prej veçorive dalluese të Ebu Bekrit. Kur Profeti (a.s) i njofoti banorët e Mekës se kishte shkuar për një natë në xhaminë Aksa dhe prej andej ishte ngjitur në qiell, ata e kundërshtuan dhe nuk i besuan fjalët e tij. Menjëherë shkuan tek Ebu Bekri dhe i thanë: Dëgjo se çfarë ka thënë shoku yt! Ai thotë se mbrëmë ka shkuar në xhaminë Aksa, prej andej është ngjitur në qiej e më pas është kthyer përsëri në Tokë. Ai pretendon se e ka bërë këtë brenda një nate, kurse ne duam një muaj që të shkojmë atje dhe një muaj që të kthehemi?! Ebu Bekri tha: A kështu ka thënë? Ata thanë: Po, kështu ka thënë. Ebu Bekri tha: Nëse ai e ka thënë këtë fjalë, ai është i sinqertë. Ata thanë: Si e beson një gjë të tillë?! Ai tha: Unë besoj më tepër se kaq, besoj lajmin e zbritur nga qielli e jo më se ai ka shkuar në xhaminë Aksa?! Qysh pas kësaj ndodhie, Ebu Bekri mori titullin “Es Sidik” që do të thotë i sinqertë në besim.
Statusi i Omerit
Qysh në çastin që besimi depërtoi në zemrën e tij e deri në fund të jetës së tij ka qenë “El Faruk” ndarësi midis të vërtetës dhe të shtrembrës. Ai e mbrojti fenë dhe muslimanët nga idhujtarët e Mekës dhe sillej drejt me muslimanët.
Nëpërmjet tij, Allahu e forcoi pozitën e Islamit në Mekë, sepse ai ishte “El Faruk”
Ai ishte shkaku kryesor që u çliruan vende si Persia dhe “Bejtul Makdis” sepse ai ishte “El Faruk”
Islami i tij ishte çlirim për muslimanët, hixhreti i tij triumf dhe prijësia e tij mëshirë sepse ai ishte “El Faruk”
Ai e kishte shumë frikë Allahun e Lartësuar saqë nga e qajtmja e tepërt ju krijuan dy viza në faqe, sepse ai ishte “El Faruk”
Shejtani ndiqte një rrugë tjetër nga ajo që ndiqte ai dhe largohej prej tij sepse ai ishte “El Faruk”
Ai ishte Omeri dhe a e njeh me të vërtetë se kush ishte Omeri?
A mund që të jesh si Omeri, të ndash midis të vërtetës dhe të shtrembrës, midis udhëzimit dhe humbjes, midis..Ti mund të thuash që kjo është shumë e thjeshtë, kurse unë them se kjo ka të bëjë me devotshmërinë dhe përkushtimin e njeriut. Kjo është shumë e vërtetë, nëse je i devotshëm, Allahu do të të bëjë të aftë që të ndash midis të vërtetës dhe të shtremëbërtës. Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Nëse i frikësoheni Allahut, Ai do t’ju japë aftësinë e të gjykuarit drejt.”[4]
Së fundmi e lus Allahun që të na japë besim të sinqertë, aftësi për të bërë dallimin midis të vërtetës dhe të shtrembërtës dhe të pasojmë rrugën e Profetit (a.s).
Autor: Mustafa Shejhun
Përktheu: Elton Harxhi
[1] Buhariu (3471).
[2] Sure Ali Imran: 49.
[3] Sure El Kamer: 3.
[4] Sure El Enfal: 29.



















