Universaliteti i thirrjes islame

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Disa orientalistë morën disa ajete dhe thanë: “Muhamedi nuk ka menduar për universalitetin e thirrjes islame përveçse kur ka qenë në Medinë,  pikërisht vetëm pasi mori nën kontroll pushtetin e gadishullit arabik pas marrëveshjes së Hudejbijes, kur filloi t’u dërgonte letra mbretërve dhe perandorëve, Kisrës, Kajsarit, Nexhashiut dhe Mukaukisit. Para kësaj, në Mekë, ai nuk ka menduar për universalitetin e thirrjes, por  ka menduar vetëm për fisin e tij të afërt dhe për ata që kanë qenë rreth Mekës.” Dhe si argumet për këtë pretendim të tyrin ata kanë sjellë fjalën e Allahut të Lartësuar: “Dhe paralajmëro farefisin tënd më të afërt”[1]dhe fjalën e Tij: “Që të paralajmërosh kryefshatin (Mekën) dhe ata që janë përreth saj.”[2] (Esh-Shura: 7).

Por kjo, në të vërtetë, është një lloj shtrembërimi dhe falsifikimi, sepse ai që do të dijë të vërtetën duhet të lexojë Kuranin dhe të kuptojë çfarë ka në të. Ajetet e Kuranit që janë shpallur në Mekë janë të qarta, të drejtpërdrejta dhe dëshmojnë më së miri për universalitetin e thirrjes. Allahu i Lartësuar thotë: “Ky (Kurani) nuk është ai veçse një këshillë për botët”[3] dhe thotë: “Dhe ai (Kurani) nuk është ai veçse një këshillë për botët.”[4]

Këto janë përmendur në shumë sure të Kuranit fisnik, si në suren “Sad”, suren “Tekvir”, suren “Kalem”. Gjithashtu, Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty veçse mëshirë për botët”[5] “I Madhëruar qoftë Ai që i zbriti dalluesin (Kuranin) robit të Tij që të jetë paralajmërues për botët.”[6] “Thuaj: O njerëz, unë jam i dërguari i Allahut për të gjithë ju.”[7] “Dhe Ne nuk të kemi dërguar veçse për të gjithë njerëzit, si përgëzues dhe paralajmërues.”[8]

Të gjitha këto ajete janë mekase. Është e çuditshme që ajetet që flasin qartë për universalitetin e thirrjes janë mekase me konsensus, dhe kjo tregon se universaliteti i thirrjes nuk ishte diçka që i erdhi në mendje Muhamedit (a.s) vetëm në Medinë, pasi u stabilizua pushteti i tij, por e vërteta është se pas marrëveshjes së Muhamedit (a.s) me Kurejshët dhe pasi iu stabilizua gjendja, ai filloi të mendonte për përhapjen e thirrjes islame jashtë Gadishullit Arabik. Para kësaj, rrethanat nuk e lejonin një gjë të tillë, madje i Dërguari i Allahut (a.s) nuk u la të qetë asnjë ditë.

Ndërsa fjala e Allahut të Lartësuar: “Dhe paralajmëro farefisin tënd më të afërt!”[9] bën pjesë tek ato ajete që kanë lidhje me etapat e thirrjes. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Fillo me veten tënde, pastaj me ata që ke në kujdes.” Njeriu fillon së pari me familjen e vet, pastaj me fqinjët dhe ata rreth tij, dhe më pas e zgjeron fushën e thirrjes hap pas hapi. Kështu, fjala e Allahut: “Dhe paralajmëro farefisin tënd!”, nënkupton fisin Benu Abdu Menaf, pastaj Kurejshët, më pas banorët e Mekës dhe rreth saj. Urtësia e të thirrurit të njerëzve në mënyrë graduale për tek feja nuk bie ndesh me universalitetin e thirrjes. Prandaj, kushdo që merret me çështjet e Kuranit duhet të rendë që ta kuptojë çdo çështje të saj në tërësi dhe të dijë domethënies e saj deri sa të arrijë në mendimin e drejtë e të saktë.

Autor: Jusuf Kardavi

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Shuara: 214.

[2] – Sure Shura: 7.

[3] – Sure Sad: 87.

[4] – Sure Kalem: 52.

[5] – Sure Enbija: 107.

[6] – Sure Furkan: 1.

[7] – Sure A’raf: 158.

[8] – Sure Sebe: 28.

[9] – Sure Shuara: 214.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *