Vrasja në mbrojtje të pasurisë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Pyetja: A lejohet vrasja e një personi, që përpiqet të më vjedhë dhe ka gjasa të më vrasë po s’ia dhashë pasurinë?

Përgjigja:  

Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut janë mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjarët e tij, shokët e tij dhe cilindo që e ndjek atë, kurse më tej:

Sipas Sheriatit (Ligjit) Islam, vrasja për vetëmbrojtje ose për të mbrojtur nderin apo pasurinë, kur nuk disponohet asnjë mënyrë tjetër përveç saj, nuk konsiderohet vepër penale. Orvatja për vrasje, nëse disponohet ndonjë mënyrë tjetër, është e ndaluar, përveçse nëse janë përdorur dhe gërshetuar të gjitha mënyrat e tjera. Domosdoshmëri është edhe prania e frikës së sigurt, se hajduti mund të vrasë, apo gjëra të tjera të këtyre niveleve. Ndërsa në rastin e thjesht një dyshimi apo hamendësimi, vrasja e hajdutit nuk lejohet të kryhet.

Në “Enciklopedinë Kuvajtiane të Fikhut” vjen:  

Nuk ka kisas-shpagim për personin, që e vret tjetrin për vetëmbrojtje, për të mbrojtur nderin ose për të mbrojtur pasurinë; pasi mbrojtja në rastet në fjalë është e lejuar. Kjo vrasje lejohet, me kushtin që mbrojtja të jetë e pamundur të arrihet në ndonjë mënyrë tjetër.

Në trajtimin e kësaj çështjeje (në faqen “islamweb.net”) vjen:

Fukahatë (dijetarët e jurisprudencës islame) janë në konsensus mbi faktin, se kisasi-shpagimi nuk obligohet në rastin e vrasjes me dashje, nëse ajo nuk bëhet për motive armiqësore, ku me armiqësi nënkuptohet kapërcimi i cakut dhe drejtësisë.

Nëse personi e vret tjetrin bazuar në normat e së drejtës, ose me lejen (firmën) e të vdekurit (si në rastet kirurgjikale, etj), në këtë rast ai nuk vritet për shpagim, sepse këtu nuk kemi të bëjmë me armiqësi. Njëjtë janë edhe vrasja për kisas-shpagim, për një vepër penale të ndëshkueshme me vdekje, për vetëmbrojtje, për mbrojtjen e pasurisë si në rastin e vrasjes së hajdutit dhe kusarit, vrasja gjatë disiplinimit apo vrasja gjatë kurimit mjekësor në përgjithësi. Vrasja në të gjitha këto situata, nuk obligon vrasjen për kisas-shpagim, pasi në to nuk kemi të bëjmë me armiqësi.

Fukahatë (dijetarët e jurisprudencës islame), lidhur me dispozitën e mbrojtjes së jetës apo gjërave të tjera të rëndësisë së lartë, në rastin kur personi kërcënohet me jetë, kanë mendime të ndryshme.

Hanefitë – gjë që përbën dhe mendimin më të saktë tek Malikitë  – janë prononcuar se konfrontimi me banditin-kërcënuesin me jetë, në mbrojtje të jetës apo gjërave të tjera të rëndësisë së lartë, është obligim, pavarësisht nëse banditi-kërcënuesi me jetë është jobesimtar apo musliman, i saktë mendërisht apo i çmendur, i rritur apo i mitur, është bërë pakt armëpushimi paraprak me të apo jo, njeri qoftë apo tjetër gjë. Dijetarët që mbështesin këtë mendim, janë argumentuar me fjalën e Allahut të Lartësuar: “…mos e hidhni veten në rrezik (rrënim)…”[1] pra t’i dorëzohesh banditit, konsiderohet hedhje në rrënim, prandaj konfrontimi dhe luftimi i tij konsiderohet obligim. Po kështu dijetarët e këtij mendimi janë argumentuar edhe me fjalën e Allahut të Lartësuar: “Luftojini ata, derisa të mos jetë trazirë (përçarje)…”[2]; me fjalën e Profetit (a.s): “Kush vritet në mbrojtje të gjakut të vet, është dëshmor”, me fjalën e Profetit (a.s): “Kush shënjon me hekurishte drejt ndokujt prej muslimanëve – duke synuar vrasjen e tij –, gjakmarrja (shpagimi), bëhet obligim”. Është thënë kështu, sepse ashtu siç personit që kërcënohet nga banditët-kërcënuesit me jetë, nuk i lejohet vetëvrasja, po kështu atij nuk i lejohet të lejojë të vritet, si dhe për arsyen se personi në fjalë është i aftë ta mbajë veten gjallë (duke luftuar); për këtë atij i obligohet konfrontimi, ashtu si në rastin e myslimanit, i cili për të mbijetuar imponohet të hajë ngordhësirë apo ngjashëm.

Shafi’itë janë prononcuar, se nëse banditi-kërcënuesin me jetë është jobesimtar dhe i kërcënuari prej tij është mysliman, konfrontimi bëhet obligim, pavarësisht nëse ka pasur ndonjë pakt armëpushimi paraprak me këtë jobesimtar apo nuk ka pasur, duke qenë se në rastin kur nuk është bërë ndonjë pakt armëpushimi me banditin-kërcënuesin me jetë, pakti nuk gëzon dekretim, kurse në rastin kur është bërë një pakt paraprak armëpushimi me banditin-kërcënuesin me jetë, dekretimi i këtij pakti është prishur për shkak të banditizmit të tij, si dhe për shkakun që myslimani t’i dorëzohet jobesimtarit, kjo në fe konsiderohet si poshtërim. Kësaj dispozite i përkasin të gjithë banditët-kërcënuesit me jetë myslimanë, të rënë në vepra penale, të cilat e bëjnë të lejueshme vrasjen e tyre, sikurse kurvari i martuar, personat që meritojnë kategorikisht të vriten për arsye të kusarisë e të tjera vepra penale të këtij niveli.

Po kështu është obligim për myslimanin, që të konfrontohet me kafshën kërcënuese, pasi kafshët theren që njeriu të mbetet gjallë, ndaj nuk ka konsideratë që njeriu t’i dorëzohet asaj. Tek kërcënimet jonjerëzore, hyn edhe rasti kur mbi njeriun ka rënë një amforë[1] dhe nuk ka rrugë tjetër për shpëtimin e tij përveç përmes thyerjes së saj.

Kurse nëse banditi-kërcënuesi me jetë është një musliman, që nuk ka kryer vepra penale të cilat e bëjnë të lejueshme vrasjen e  tij, mendimi juridik më i spikatur është, që të mos bëhet konfrontim-dyluftim me të, madje lejohet dorëzimi, edhe në qoftë se banditi në fjalë është fëmijë apo i çmendur, e edhe nëse është i mundur ose jo konfrontimi me të pa e vrarë, madje disa janë prononcuar se: “Dorëzimi të tillit, është sunet-traditë profetike”, duke e argumentuar këtë me fjalën e Profetit (a.s): “Ji si biri i Ademit”, ku nënkuptohet Habili, si dhe e kanë bazuar këtë në transmetimin, ku vjen se Ehnef ibn Kajsi ka thënë: “Në netët e trazirës dola i armatosur dhe rrugës më takoi Ebu Bekrate, i cili më tha: Ku ke ndërmend të shkosh? I thashë: Dua të ndihmoj djalin e xhaxhai të të Dërguarit të Allahut. Ebu Bekrate më tha: I Dërguari i Allahut ka thënë: “Nëse dy muslimanë i drejtohen njëri-tjetrit me shpatat e tyre, që të dy janë prej banorëve të Zjarrit.’ Iu tha: Mirë ky që është vrasësi, por si kështu për të vrarin? Tha: ‘Faktikisht ai deshi ta vriste shokin e tij’”; merret gjithashtu për bazë edhe historia e vrasjes së Uthmani (r.a,) ku vjen se ai nuk luftoi edhe pse mund që ta bënte një gjë të tillë dhe edhe pse e dinte se ata donin që ta vrisnin. Uthmani (r.a.) i ndaloi rojet e tij, të cilët ishin katërqind vetë në numër, që ta mbronin, duke u thënë atyre: “Ai që e hedh armën e tij është i lirë”; gjë kjo e cila u publikua tek sahabët (shokët e Profetit a.s) r.a. dhe askush prej tyre nuk e komentoi negativisht këtë qëndrim të Uthmanit.

Përkundrejt mendimit juridik më të spikatur që përmendëm, tek Shafi’itë vjen edhe prononcimi, se personi duhet që gjithsesi të konfrontohet me banditin-kërcënuesin me jetë, pra duhet të dyluftojë me të edhe në qoftë se banditi është jobesimtar, edhe në qoftë se ai është musliman, nëse ka paraprakisht pakt armëpushimi, apo edhe kur nuk ka, edhe në qoftë njeri e edhe në mos qoftë njeri; dhe kjo bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: “…mos e hidhni veten në rrezik (rrënim)…”[3]

Tek Shafi’itë prononcohet edhe një thënie e tretë, e cila thotë: “Nëse banditi-kërcënuesi me jetë është i çmendur ose fëmijë, atëherë nuk lejohet që muslimani t’i dorëzohet atij, pasi situata me to qëndron sikurse me kafshët, pra janë të papërgjegjshëm (nuk shkruhen për to gjynahet)”.

Shafi’itë që e lejojnë (dorëzimin në rast banditizmi-kërcënimi me jetë), kanë përjashtuar një sërë rastesh:

1- Nëse ai që kërcënohet nga banditizmi është një dijetar, që në kohën e tij është bërë vatër uniteti, ose kalif i pazëvendësueshëm, ashtu që me vrasjen e tij pësohet një dëmtim i madh, për shkak se atë nuk ka kush ta zëvendësojë, në këtë rast duhet hyrë në konfrontim me banditin-kërcënuesin me jetë.

2- Nëse banditi- kërcënuesi me jetë tenton ta gjymtojë të kërcënuarin, atëherë del si detyrë konfrontimi me të…

Dijetari El Edhra’i [Allahu e mëshiroftë] thotë: “Konfrontimi-luftimi në rast kërcënimi me gjymtim, edhe nëse hamendësohet se ai nuk do ngjasë, është detyrim. E njëjta vlen edhe për personin, që mendohet se me vrasjes e tij vijnë një sërë ligësish në dëm të gruas, pasurisë dhe fëmijëve”.

3- Kadi Husejni thotë: “Personi që kërcënohet me jetë, nëse ka mundësi të konfrontohet me banditin-kërcënuesin me jetë pa e vrarë, atëherë le ta bëjë një gjë të tillë, përndryshe jo”.

Hanbelitë janë të mendimit, se konfrontimi me banditin-kërcënuesin me jetë, është obligim kur kjo gjë ndodh jashtë kohës së trazirës, nisur nga fjala e Allahut të Lartësuar: “…mos e hidhni veten në rrezik (rrënim)…”[4]; dhe sepse ashtu siç personit i ndalohet vetëvrasja, po kështu atij i ndalohet edhe që të lejojë të vritet. Ndërsa në kohën e trazirës, personi nuk e ka detyrim të bëjë rezistencë në mbrojtje të vetvetes, nisur nga fjala e të Dërguarit të Allahut: “Nëse frikësohesh se mos të verbon shkëlqimi i shpatës, hidhe rrobën tënde mbi kokën tënde”, si dhe nisur nga fakti se Uthmani (r.a.) nuk u konfrontua me ata, që komplotuan kundër tij, edhe pse ai ishte i aftë për diçka të tillë, por ai i ndaloi edhe të tjerët të futeshin në konfrontim luftarak dhe bëri durim që të mos binte në të. Nëse kjo s’do ishte e lejuar, sahabët (shokët e Profetit a.s) do ta kishin komentuar negativisht këtë veprim të Uthmanit (r.a.)

Kur i kërcënuari me jetë e vret banditin- kërcënuesin me jetë për vetëmbrojtje apo ngjashëm me këtë, në këtë rast maxhoranca e dijetarëve janë të mendimit, se ai nuk ka rënë në mëkat dhe nuk duhet ta kompensojë vrasjen me asgjë, as me kisas-shpagim, as me zhdëmtim financiar, as me shlyerje, as me vlerë monetare, pasi ai kështu është i urdhëruar të veprojë. Kurse nëse banditi- kërcënuesi me jetë e vret personin, atëherë ndaj tij duhet marrë masa penale e kisasit-gjakmarrjes.

Hanefitë janë në kundërshtim të mendimit të maxhorancës së fukahave (dijetarëve të jursiprudencës islame), sa i përket kompensimit të vrasjes së kërcënuesit me jetë. Ata janë të mendimit, se i kërcënuari duhet ta kompensojë kafshën që e ka kërcënuar, nëse ajo është e tjetërkujt, pasi në këtë rast, ai ka dëmtuar pasurinë e tjetrit për të mbijetuar, sikurse bën personi që për të mbijetuar detyrohet të hajë nga ushqimi i tjetrit. Hanefitë të njëjtën gjë sikurse për kafshën, e thonë edhe për rastin, kur kërcënuesi është nga njerëzit e papërgjegjshëm, sikurse fëmija dhe i çmenduri, pra duhet t’i kompensojë ata nëse i vret, pasi kjo kategori njerëzish nuk e kanë në dorë vetveten, ndaj dhe nëse ata deklarojnë apostazi (felëshim), kundër tyre nuk merret masë penale… Por në rastin kur personi ka vrarë një fëmijë apo të çmendur për arsye të kërcënimit me jetë, ai kompenson me zhdëmtim, jo me kisas-shpagim, për shkak të pranisë së justifikimit, që në këtë rast është vetëmbrojtja nga kërcënimi me jetë, teksa ajo çfarë detyrohet të japë vrasësi i kafshës, është vlera e saj.

Konfrontimi me banditin-kërcënuesin me jetës duhet të bëhet me sa më pak pasoja. Kështu, nëse kërcënimi i tij mund të shmanget me fjalë ose duke thirrur njerëzit për ndihmë, në këtë rast nuk lejohet goditja e tij; atëherë kur kërcënimi i tij mund të shmanget me goditje me dorë, në këtë rast nuk lejohet që ai të goditet me kamxhik; atëherë kur kërcënimi i tij mund të shmanget përmes goditjes me kamxhik, në këtë rast nuk lejohet që ai të goditet me shkop dhe atëherë kur kërcënimi i tij mund të shmanget përmes gjymtimit të tij, në këtë rast nuk lejohet të shmanget kërcënimi i tij duke e vrarë; pasi veprimi më i ashpër është lejuar vetëm në rast domosdoshmërie dhe domosdoshmëria për të vepruar ashpër rrëzohet, kur është i mundur reagimi me pasoja më të lehta.

Në kornizën e kësaj konsiderate, nëse është e mundur të shmanget kërcënimi i tij me diçka tjetër, sikurse të hidhet në ujë apo zjarr, të thyhet këmba e tij, të vendoset një izolues ose kanal, ose diçka tjetër, në këtë rast nuk bën që ai të goditet; apo nëse është e mundur të goditet me një goditje neutralizuese, në këtë rast nuk duhet të veprohet me të më ashpër sesa kaq, pasi kësisoj është arritur të bëhet mbrojtja prej kërcënimit të tij… Konsiderata në këtë rast varet nga mendimi i balancuar i të kërcënuarit, prandaj nuk mjafton që i kërcënuari të hamendësojë apo të dyshojë se ai po kërcënohet me jetë, por vetëm në rastet kur ai është i sigurt për këtë gjë. Nëse radhitja e përmendur nuk respektohet dhe dilet nga hierarkia e këtyre veprimeve, në një kohë që është e mundur mbrojtja prej kërcënimit me veprim më të lehtë se veprimi i kryer, në këtë rast duhet të jepet kompensim. Kështu, nëse kërcënuesi merr arratinë dhe i kërcënuari i qepet pas derisa e arrin dhe pastaj e vret, në këtë rast kompensimi është kisasi-shpagimi ose zhdëmtimi. Po kështu nëse i kërcënuari e godet për vetëmbrojtje kërcënuesin dhe i pret (të themi) dorën e djathtë, gjë që e bën kërcënuesin t’ia mbathë, por i kërcënuari në ikje e sipër i pret atij edhe këmbën, në këtë rast duhet t’i nënshtrohet kompensimit me kisas-shpagim ose zhdëmtim financiar; nëse kërcënuesi vdes prej hemorragjisë së dy gjymtimeve, i kërcënuari duhet të paguaj gjysmë zhdëmtimi, pasi kërcënuesi në fakt vdiq prej dy veprimeve, njëri prej të cilëve ishte i lejuar dhe tjetri i ndaluar.

Nga sa u tha më lart, fukahatë (dijetarët e jurisprudencës islame) kanë përjashtuar disa aspekte, prej të cilave përmendim:

1- Nëse kërcënuesi konfrontohet me kamxhik, shkop apo të ngjashme dhe i kërcënuari nuk gjen tjetër veçse thikë apo bajonetë, këtij të fundit i lejohet përdorimi i saj, pasi ai s’mund të vetëmbrohet pa të dhe nuk ka ndonjë faj pse s’iu gjend me vete ndonjë kamxhik, shkop apo diçka e ngjashme.

2- Nëse konfrontimi midis tyre acarohet aq shumë, sa është e vështirë të evitohet kërcënimi me jetë, në këtë rast të kërcënuarit i takon të mbrohet me çfarë të ketë, pa i dhënë prioritet hierarkisë së veprimeve më të lehta të mundshme, që u përmendën më herët.

3- Nëse i kërcënuari arrin në mendimin, se kërcënuesi nuk shmanget ndryshe, por vetëm duke e vrarë atë, në këtë rast ai mund ta vrasë atë, pa bërë kujdes për hierarkinë e lartpërmendur. E njëjta gjë vlen edhe kur i kërcënuari frikësohet, se nëse s’e vret ai i pari, atëherë do të vritet prej kërcënuesit. Pra në këtë rast atij i takon ta godasë për vdekje ose ta gjymtojë kërcënuesin.

4- I kërcënuari duhet besuar, kur hidhet pista e pamundësisë së mbrojtjes së tij, përveçse në formën e përdorur prej tij dhe kjo bëhet nisur nga vështirësia për t’u paraqitur fakte dhe prova mbi të kundërtën.

5- Nëse kërcënuesi është person, që ka kryer një vepër penale, që e bën të lejueshme vrasjen e tij, sikurse felëshuesi, kusari apo kurvari i martuar, në këtë rast për t’u mbrojtur prej kërcënimit të tij nuk obligohet hierarkia e veprimeve të lartëpërmendura, por të kërcënuarit i takon ta tentojë vrasjen e kërcënuesit me jetë, pasi ai është një person i pa imunizuar.

Allahu është më i dijshmi.

[1] – Sure Bekare: 195.

[2] – Sure Enfal: 39.

[3] – Sure Bekare: 195.

[4] – Sure Bekare: 195.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *