Kjo ndodhi është përmendur në Kuranin fisnik dhe prej saj, ka marrë emrin surja më e madhe e Kuranit, surja Bekare (e lopës). Ngjarjet e kësaj historie zhvillohen diku pranë vendbanimeve të Petra-së në Jordani.
Kjo ndodhi fillon me një familje të varfër, e cila përbëhej nga babai, nëna dhe fëmija i tyre. Kapitali më i madh i kësaj familjeje ishte lopa e tyre e veçantë. Ajo që e bënte të veçantë këtë lopë ishte ngjyra e saj e verdhë e ndezur. Veç kësaj, ngjyrën e verdhë të ndezur nuk e dëmtonte qoftë dhe një qime e bardhë apo e zezë. Një cilësi tjetër e kësaj lope, ishte dhe mosha e saj. Ajo ishte një lopë as e vjetër dhe as e re në moshë. Duke qenë se ishte kapitali më i madh i familjes, e gjithë familja përkujdesej për të. Ata nuk posedonin tokë që ta përdornin për të lëruar tokën, pra lopa nuk ishte e vrarë dhe e lodhur.
Kur babai i mirë dhe i ndershëm ndjeu se po vdiste, e mori të birin pranë dhe i tha: “Unë nuk të lashë pasuri tjetër, përveç kësaj lope. Prandaj, të këshilloj që të kujdesesh për të, të mos e neglizhosh dhe të mos e shesësh, veçse pasi të jesh rritur dhe pjekur.”
Shohim që historia e babait të mirë e të ndershëm, që u lë trashëgimi fëmijëve të tij diçka të shtrenjtë, përsëritet disa herë në Kuran. Herën e parë, e hasëm këtë gjë në historinë e Musait (a.s.) me Hidrin. Tani e hasim në historinë e lopës. Nëse dëshiron që Zoti t’i ruajë dhe të kujdeset për fëmijët e tu, jeto me ndershmëri.
Me vdekjen e babait, kushtet ekonomike të familjes u përkeqësuan. Nën presionin e këtyre kushteve, nëna vendosi ta shiste lopën, pasi edhe kërkesat dhe ofertat ishin të konsiderueshme. Por djali ndërhyn dhe i thotë: “Si vallë e harrove porosinë dhe amanetin e babait?!”
Një nga blerësit i ofroi djalit njëmijë dinarë floriri në këmbim të lopës, por ai refuzoi. Një tjetër i ofroi dhjetëmijë dinarë, por ai sërish refuzoi. Madje u tha: “Edhe nëse më jepni një lopë floriri në përmasat e kësaj, nuk jua jap.”
Kjo ndodhi u drejtohet të gjithë atyre fëmijëve, të cilët pas vdekjes së babait, i shesin aksionet e tij, ndërmarrjet, kompaninë, banesat, fabrikën etj…
Në historinë tonë, gjer tani kemi një baba të ndershëm dhe të mirë, një fëmijë respektues dhe një familje besnike.
Një ndodhi e kundërt
Ndodhitë e historisë kalojnë në një familje tjetër, ku siç duket zhvillohen ngjarje krejtësisht të kundërta nga ato të mësipërmet. Dymbëdhjetë fiset e hebrenjve, ishin ndarë dhe banonin në fshatra të ndryshëm. Në një nga këto fshatra, në Petra, gjendet një djalë i ri krejtësisht i ndryshëm nga i riu, për të cilin folëm më lart. Këtij të riu, i vdes i ati duke e lënë në mjerim dhe fukarallëk. Xhaxhai i tij ishte i pasur dhe kishte vetëm një vajzë. Trashëgimtarët e vetëm të tij ishin vajza dhe vetë nipi i tij, protagonisti i kësaj ndodhie. Ishte xhaxhai ai që përkujdesej për këtë të ri, i cili, edhe kur i jepte ndonjë dyshkë, ia jepte si me pikatore. Këtë e bënte pasi dallonte tek i nipi një të ri të papërmbajtur, të nxituar dhe aspak të pjekur. Nëse do t’i jepte të holla pa kursim, kjo mund ta dëmtonte më shumë nipin.
Nga ana tjetër, nipit nuk i pëlqente një sjellje e tillë. Përse t’i jepte aq pak të holla xhaxhai i tij? Në fund të fundit, a nuk ishte ai një nga trashëgimtarët më të afërt pas vajzës?
Plani për vrasjen e xhaxhait
Duke menduar lidhur me këtë çështje, atij i erdhi në mendje një ide, të martohej me kushërirën e tij dhe kështu të shtinte në dorë sa më shpejt pasuritë e xhaxhait të tij. Por për këtë, atij i duhej të bindë xhaxhain, gjë të cilën e kishte të vështirë, për të mos thënë të pamundur. Kështu, ideja tjetër që i erdhi ndërmend ishte të vriste xhaxhain. Por këtu u tërhoq pak, pasi sipas ligjeve të Musait (a.s.), vrasësi duhej ekzekutuar. E çfarë vlere do të kishte kjo nëse vritej?! Në këtë rast, i erdhi në ndihmë një ide tjetër, krimin t’ia ngjiste dikujt tjetër. Ajo që do t’ia lehtësonte këtë mision, ishte vetë fakti se fiset hebraike e urrenin njëri-tjetrin dhe çdo shkëndijë do të mjaftonte për të shpërthyer një konflikt të nxehtë mes tyre. Kështu, ai synonte që të akuzonte fisin tjetër për vrasjen e xhaxhit të tij. Fisi i tij kishte gatishmërinë maksimale për ta besuar këtë akuzë. Kështu, ai jo vetëm që do të martohej me vajzën e xhaxhait dhe do të trashëgonte pasuritë e tij, por edhe mund të përfitonte nga shpagimi që fisi tjetër do të detyrohej t’ju paguajë për gjakun.
Profeti Musa (a.s.), i kishte ndarë hebrenjtë në dymbëdhjetë fise dhe i kishte larguar nga njëri-tjetri, me qëllim që të shmangte fërkimet dhe konfliktet mes tyre. Ndërkohë që ky djalosh i pacipë, po shkaktonte një konflikt dhe problem pasojat e të cilit ishin katastrofale për hebrenjtë.
Vallë sa të rinj të tillë kemi në vendet tona? Sa të shumtë janë të rinjtë, të cilët nuk kanë haber as nga feja dhe as nga e drejta? A nuk kemi dëgjuar dhe parë të rinj të tillë, të cilët nxisin konflikte mes myslimanëve dhe të krishterëve, mes një shteti dhe një tjetri, mes një krahine dhe një tjetre? Më e keqja është se të rinj të tillë përdorin dhe fenë e besimin për të nxitur luftëra e konflikte mes njerëzve.
Sipas ligjeve të Musait, nëse një i vdekur gjendej në një fis apo fshat dhe nuk gjendej vrasësi, vetë banorët ishin përgjegjës për këtë vrasje. Në një rast të tillë, mblidheshin pesëdhjetë burra nga paria e fisit të akuzuar dhe betoheshin në zot që nuk e kishin vrarë ata. Pas kësaj, akuza për vrasje binte, por fisi apo fshati i akuzuar, duhej të shpaguanin në vlerë monetare familjen e të vrarit.
Zbatimi i planit
Për ta vënë në jetë planin e tij dashakeq, i riu i tha xhaxhait: “O xhaxhai im! Unë dua të filloj një tregti me fisin që banon këtu pranë, por meqë jam i ri kam frikë se do të më shohim me mosbesim. A është e mundur të më shoqërosh gjer tek vendbanimi i tyre, me qëllim që të sigurohen se jam nipi yt dhe i besës?!”. Xhaxhai i tij pranoi dhe të dy u nisën për tek fisi aty pranë. Kur u afruan dhe u sigurua se askush nuk e shihte, djali e vrau xhaxhain e tij dhe menjëherë u kthye në shtëpi, sikur të mos kishte ndodhur gjë. Kur u përhap lajmi i vrasjes, djali filloi të çirrej dhe të ulërinte, duke kërkuar të vihej në vend drejtësia. Racizmi dhe urrejtja mes fiseve ishte aq e madhe saqë ishte gati të shpërthente një konflikt i rrezikshëm. Shohim që hebrenjtë kanë vuajtur nga racizmi dhe urrejtja për tjetrin që nga historia e lashtë.
Objektivi i kësaj ndodhie
Kur panë se gjakrat e ndezën keq, disa të mençur kërkuan ndihmën e Musait (a.s.) për ta qetësuar situatën. Musai (a.s.) nga ana e tij u përpoq të gjente ndonjë dëshmi apo fakt mbi vrasësin, por nuk mundi. Ai e ndjente rrezikun dhe konfliktin e mundshëm.
Në një çast, Xhibrili (a.s.) e urdhëron Musain (a.s.) që të therin një lopë nëse duan të zbulohet vrasësi. Po çfarë lidhjeje ka lopa me një ndodhi të tillë dhe përse duhej therrur ajo?!
Xhibrili (a.s.) i tha që me një pjesë të lopës së therrur ta godisnin trupin e të vrarit. Kjo do të bënte që atij t’i kthehej shpirti, të tregonte se kush e kishte vrarë dhe sërish do të vdiste.
“Dhe, pasi vratë një njeri e u grindët me njëri-tjetrin në lidhje me të, Allahu e nxori në shesh atë që fshihnit ju. Ne ju thamë: “Prekeni të vrarin me një copë të lopës së flijuar!”. Dhe kështu, Allahu do t’i ngjallë të vdekurit dhe do t’ju tregojë mrekullitë e veta, që ju të kuptoni.”[1]
Përse i gjithë ky kalvar për të zbuluar vrasësin? Përse të mos ia tregonte Xhibrili (a.s.) dhe të mbyllej kjo çështje me kaq?!
Përveç të metave që kemi cekur, hebrenjtë kishin dhe një të metë tjetër të madhe, nuk besonin në ringjalljen pas vdekjes. Besimi i tyre në ditën e ringjalljes ishte shumë i zbehtë dhe i cekët. Kjo për shkak të natyrës së tyre materialiste, e cila u kërkonte diçka të prekshme që t’i besonin.
Ndërkohë që tek myslimanët ndryshon, pasi ata besojnë te Zoti, melekët e tij, librat dhe profetët, ditën e kiametit si dhe te caktimi i Zotit, i mirë apo i keq qoftë. Besimi në botën tjetër për myslimanët është nga çështjet e pranuara pa fije dyshimi.
Edukimi nëpërmjet ndodhive
Hebrenjtë kishin probleme me të gjitha shtyllat e besimit, për shkak të materializmit që i karakterizonte. Me qëllim që t’ua shtonte besimin në ringjalljen pas vdekjes, atyre u ndodhi ngjarja e lopës, e cila në vetvete është një formë edukimi nëpërmjet ndodhive dhe historive. Meqë mes tyre ishte gjetur një person i vrarë dhe akuzohej një fis i tërë, ata kërkonin vrasësin me çdo mënyrë. Kjo shfrytëzohet me qëllim që ata të binden mbi një nga çështjet kryesore të fesë, te besimi në ringjallje. Hebrenjtë e kishin të vështirë të besonin teorikisht, atyre u duhej t’i shihnin ngjarjet dhe premtimet të konkretizuara dhe të mishëruara në realitet. Meqë materializmi kishte pushtuar dhe zaptuar mendjet dhe zemrat e tyre, hebrenjtë urdhërohen që me mishin e një lope, të prekin kufomën dhe i vdekuri do të ringjallej, duke u treguar vrasësin e vërtetë.
Më parë, kemi përmendur se Musai (a.s.) me një të goditur shkëmbin me shkopin e tij, kishin shpërthyer dymbëdhjetë burime uji. Ndërkohë që hebrenjtë dhe vetë Musai (a.s.) e prisnin ujin nga qielli, Zoti i lartësuar bën të shpërthejë uji prej aty ku nuk pritej dhe këtë e bën me qëllim që njerëzve t’u shtohet besimi dhe siguria te Zoti. Ai ngjall të vdekurin (të vrarin) me një të gjallë (lopën), bën të shpërthejnë burime uji nga shkëmbi i thatë dhe ndan detin në dy pjesë që të kalojë Musai (a.s.) me popullin e tij. Mesazhi i të gjitha këtyre mrekullive është: ndjejeni praktikisht ekzistencën dhe përkujdesjen e Zotit tuaj.
Përse duhej një lopë dhe jo një kafshë tjetër?
Kjo, sepse në zemrat e Benu Israilëve ekzistonin akoma mbetje nga adhurimi i viçit. Ata nuk e shprehnin diçka të tillë, por Zoti e dinte dhe prandaj e përmend në ajetin: “Dhe, pasi vratë një njeri e u grindët me njëri-tjetrin në lidhje me të, Allahu e nxori në shesh atë që fshihnit ju.“
Ata nuk e adhuronin më viçin, por në zemrat e tyre akoma qëndronte frika, autoriteti dhe shenjtëria e tij. Zoti kërkonte që zemrat e tyre të pastroheshin nga këto mbetje idhujtarie dhe paganizmi. Atyre u kërkohej që lopën ta thernin me duart e tyre dhe me mishin e saj të preknin trupin e të vdekurit. Ndoshta, në një situatë tjetër Benu Israilët do ta kishin të vështirë ta thernin lopën, por duke qenë se kërkohej krimineli i vërtetë, do të pranonin ta thernin.
Mos mendo o vëlla dhe oj motër se mund t’i mashtrosh njerëzit përgjithmonë. Po, mund t’ia hidhni dikujt për një farë kohe, por shumë shpejt marifeti dhe hileja juaj do të dalë sheshit. Por, nëse arrin t’i mashtrosh njerëzit, mos harro se këtë nuk mund ta bësh me Zotin e njerëzve. Hilet dhe mashtrimi do të dalin sheshit, jo me dëshirën tënde, por me vullnetin e Zotit dhe me rrjedhën e ngjarjeve, derisa të demaskohesh.
A do të tallesh me ne?
Kur Musai (a.s.) i urdhëroi Benu Israilët të therrnin një lopë, ata reaguan negativisht.
Kujto kur Musai i tha kombit të vet: “Allahu ju urdhëron të therni një lopë!” Ata thanë: “A do të tallesh me ne?”[2]
Këto fjalë ata ia drejtonin profetit Musa (a.s.), i cili u kishte ndarë detin më dysh dhe u kishte nxjerrë ujë nga shkëmbi. Për këtë, Zoti e komenton këtë sjellje të tyren në ajetin: “Por, pas kësaj, zemrat tuaja u forcuan e u bënë si guri, madje edhe më të forta.”[3]
Zemrat e Benu Israilëve ishin të ngurta dhe të padobishme. Vetë guri, me gjithë ngurtësinë e tij shpeshherë bën që të mbijnë pemë dhe bimë mbi sipërfaqen e tij. Ka shkëmbinj dhe gurë prej të cilëve burojnë lumenj dhe ka syresh të tillë që e lartësojnë Zotin dhe i frikësohen atij. “Por, pas kësaj, zemrat tuaja u forcuan e u bënë si guri, madje edhe më të forta. Në të vërtetë, ka gurë nga të cilët burojnë lumenj, ka të atillë që çahen e nga të cilët rrjedh uji, madje ka edhe syresh që rrëzohen nga frika e Allahut. Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj veprimeve tuaja.”[4]
Po zemrat tona, vallë a janë të ngurta? Çdo vit nga qielli Zoti lëshon me miliarda pika shiu për ta lehtësuar jetën mbi tokë, kurse prej teje o besimtar pret vetëm një pikë loti që loton nga malli për zotin. Vallë sa herë të ka lotuar syri nga malli dhe dashuria që ke për Zotin? Sa herë ke rënë në sexhde dhe nuk ke dashur të ngrihesh prej saj, për shkak të ëmbëlsisë që ndjeje? Sa herë të përkushtohet zemra dhe përhumbesh në meditim për Zotin? A e di cila është cilësia dalluese e besimtarëve të vërtetë?
“Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, fërgëllojnë dhe, kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten.”[5]
Sa herë që përballej me vështirësi dhe probleme, profeti Muhamed (a.s.) kujtonte profetin Musa (a.s.). Vuajtjet e tij dhe reagimi në raste problemesh sikur ia lehtësonin profetit Muhamed (a.s.) misionin dhe përballjen me vështirësitë.
Kur hebrenjtë dyshuan në kërkesën e Musait (a.s.) dhe i thanë “A do të tallesh me ne?” Musai (a.s.) u përgjigj: “Zoti më ruajt!” – tha Musai – “të bëhem unë nga të paditurit!”[6]
Me këtë, ai u thoshte se jeni injorantë dhe xhahilë, por zgjodhi formën më të përshtatshme, me qëllim që të mos i lëndonte drejtpërdrejt. Prej myslimanit kërkohet që të bëjë kujdes në komunikimin me njerëzit. Sot, ka disa ftues, të cilët i shajnë dhe i ofendojnë njerëzit në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ata nuk lënë rast pa humbur pa vënë në dukje të metat e njerëzve dhe të ftuesve të tjerë. Shpeshherë, ata shkëpusin pasazhe nga ligjërimet e ftuesve të tjerë, duke i nxjerrë jashtë kontekstit, dhe i përdorin si argument kundër tyre.
Krahasojeni një sjellje të tillë me atë të Musait (a.s.), i cili edhe pse ndodhej para një populli injorant, kokëbosh dhe të pagdhendur, zgjidhte format më të përshtatshme për t’u treguar nivelin e tyre.
Zvarritjet e Benu Israilëve
Me të dëgjuar zgjidhjen e Musait (a.s.), Benu Israilët, si zakonisht, filluan ta zvarrisin çështjen. Menjëherë filluan të kërkojnë hollësi mbi lopën që duhej të thernin, nëse ishte e re në moshë apo e vjetër, çfarë ngjyre duhej të kishte etj…
Njerëzit u ndanë në katër kategori: Kategoria e parë ishin ata që nuk besonin në jetën tjetër. Për ta, ishte e pamundur dhe e palogjikshme që me mishin e një lope të therur, të ngjallej një i vdekur. Kategoria e dytë, ishin koprracët dhe zemërngushtët, të cilët refuzonin të bënin harxhime dhe të thernin një lopë. Kategoria e tretë, ishin ata që ruanin në zemra shenjtërinë dhe hyjnizimin e lopës, për shkak të viçit të Samiriut më parë. Në kategorinë e katërt, bënin pjesë besimtarët dhe fetarët. Ata besonin në Jetën tjetër dhe nuk e shenjtëronin lopën. Problemi i tyre ishin mendimet ekstreme në çështjet fetare. Edhe pse urdhri i Zotit për të therur “një lopë” ishte i qartë, ata filluan ta zvarrisin çështjen, me pretendimin se urdhrat e Zotit duheshin zbatuar me përpikërinë më të madhe.
Duke qenë i ndërgjegjshëm mbi mundësinë e shfaqjes së një kategorie të tillë në umetin e tij, profeti Muhamed (a.s.) na ka këshilluar që të ruhemi nga çdo lloj ekstremizmi në fe. Ai thotë: “Ju jeni përzgjedhur si lehtësues dhe jo vështirësues”.
Në një hadith tjetër, profeti Muhamed (a.s.) thotë: “U shkatërrofshin ekstremistët!”.
Këtyre katër kategorive, u shtohet dhe një e pestë, ku përfshiheshin të gjithë besimtarët, të cilët donin ta thernin lopën ashtu siç i urdhëroi Musai (a.s.).
Ne nuk duhet të harrojmë se Benu Israilët nuk ishin të gjithë njëlloj. Prej tyre kishte edhe besimtarë të drejtë dhe të ndershëm, ashtu siç kishte gjynahqarë, mohues, koprracë dhe skeptikë. Ne nuk duhet të biem pre e paragjykimeve dhe përgjithësimit.
Benu Israilët dhe lopa e kërkuar
Meqë Benu Israilët kërkuan sqarime mbi lopën që u duhej therur, Zoti i ngarkoi më shumë, duke ua vështirësuar gjetjen e kësaj lope. Nëse do të kishin therur një lopë që në fillim, gjithçka do të kishte përfunduar me aq.
“Kujto kur Musai i tha kombit të vet: “Allahu ju urdhëron të therni një lopë!” Ata thanë: “A do të tallesh me ne?” – “Zoti më ruajt!” – tha Musai – “të bëhem unë nga të paditurit!” Ata thanë: “Lutju Zotit tënd, që të na shpjegojë si duhet të jetë ajo!” Musai tha: “Ajo të jetë një lopë as plakë, as e re, por e mesme; pra, bëni atë që ju është urdhëruar!”[7]
Një imam xhamie, sa herë që lexonte këtë pasazh nga Kurani, e vinte theksin tek fjala “një lopë”. Ajo që u kërkohej çifutëve ishte të thernin një lopë, pa caktuar asnjë cilësi dhe tipar të saj, një lopë të çfarëdoshme.
Sa më shumë sqarime kërkonin, aq më shumë u vështirësohej gjetja e një lope të tillë. “Ata thanë: “Lutju Zotit tënd që të na shpjegojë çfarë ngjyre të ketë ajo!” Musai tha: “Ai thotë se ajo duhet të jetë lopë me ngjyrë të verdhë të ndezur, të cilën e pëlqejnë shikuesit.”[8]
Që këtu, duket që lopa e kërkuar që i plotësonte kriteret ishte ajo e jetimit të lartpërmendur. Meqë ata kërkonin t’i vështirësonin gjërat, Zoti ua vështirësoi akoma më tepër. Jo vetëm në cilësitë e rralla që duhet të plotësonte, por edhe në çmimin e majmë që pronarët e saj do të kërkonin. Atyre do u duhej të paguanin për këtë lopë, peshën e saj në flori.
“Ata thanë: “Lutju Zotit tënd, që të na shpjegojë çfarë lloji të jetë, sepse lopët të gjitha na duken njësoj e ne, në dashtë Zoti, do të udhëzohemi në rrugën e drejtë.”[9]
Këto kritere, bashkë me skeptikët, i kërkonin dhe besimtarët ekstremistë. Mendime dhe ide të tilla i dëgjojmë shpeshherë edhe në kohët e sotme. Shumë prej tyre të thonë: Unë dua ta zbatoj fenë me të gjithë detajet e saj. E përse një shtrëngim i tillë, ndërkohë që Zoti ka krijuar hapësira të konsiderueshme?! Përse duhet ta shtrëngojmë fenë, aty ku e ka lehtësuar Zoti?!
Është pikërisht ky sekreti që surja Bekare ka marrë këtë emër. Nëse kjo sure dhe sidomos kjo ndodhi, kuptohet siç duhet, umeti ynë do i kalonte kollaj shumë probleme dhe vështirësi.
“Musai tha: “Ai thotë se lopa s’duhet të jetë e lodhur nga lërimi apo nga ujitja e tokës, por të jetë e shëndoshë dhe pa asnjë të metë.” Ata thanë: “Tani na the të vërtetën”. Kështu, ata e therën lopën, por desh e lanë pa flijuar.”[10]
Kërkimet mbi këtë lopë, i çuan tek shtëpia e jetimit, i cili kishte trashëguar nga babai i ndershëm vetëm këtë lopë. Sado të vonojë, e drejta dhe e vërteta do të triumfojë. Kështu, jetimi i babait të ndershëm do ta shiste lopën sipas porosisë së të atit, kurse jetimi vrasës do të ndëshkohej për aktin e tij të rëndë.
Gafat e Benu Israilëve
- Ndodhia e malit.
- Zvarritja.
- Ekstremizmi në fe.
- Materializmi i skajshëm.
- Mosbesimi në jetën tjetër.
- Paedukata me profetët.
- Mbetje të paganizmit.
Pro lehtësimit dhe kundër vështirësimit
Hebrenjtë nuk lanë vend pa kërkuar për lopën e përshkruar, derisa e gjetën. Menjëherë i kërkuan djalit jetim që t’ua shiste atë, por ai u tha: “Nuk ua shes, veçse nëse më paguani peshën e lopës flori”. Kjo kërkesë i hutoi fare dhe vajtën iu ankuan Musait (a.s.). Ai ua ktheu: “Ajo është lopa e tij dhe mund ta shesë sa të dojë”.
Meqë ishit ju vetë ata që i vështirësuat dhe i koklavitët gjërat, tashmë duhet ta blini aq sa kërkon pronari i saj.
Tradita e profetit Muhamed (a.s.) ishte që sa herë që vihej mes dy alternativave, zgjidhte atë më të lehtën, nëse nuk ishte haram. Një ndër objektivat e Sheriatit islam është lehtësimi dhe jo koklavitja dhe vështirësimi. Imam Maliku pohon se një myfti i vërtetë, është ai që gjen zgjidhje dhe lehtësira për njerëzit, me qëllim që të mos bien në haram. Ndonjëherë, një pesëpërqindsh që korrigjohet, e shndërron haramin në hallall. Një miku im është trajner i vaterpolos dhe një ditë erdhi tek unë dhe më tha: “Unë hoqa dorë nga stërvitja e skuadrës, pasi shumë dijetarë më thanë se rrobat e notit që veshin lojtarët janë shumë të ngushta dhe përshkruajnë auretin.” Unë i thashë: “Po nëse kur të dilnin nga pishina do të mbuloheshin me peshqirë, a do të konsiderohej kjo haram?!” Ai u mendua pak dhe tha “Besoj se kjo është e mundur”.
Unë i thashë: “Mos harro se duke u marrë me aktivitet sportiv, të rinjtë tanë imunizohen nga përdorimi i lëndëve narkotike dhe i veseve të liga.”
Ata që duhej të paguanin peshën e lopës flori, ishin dy fshatrat, pasi të dy e kishin zvarritur çështjen. Kështu u realizua dhe amaneti i babait të ndershëm, i cili e kishte këshilluar të birin që të kujdesej për lopën. Para se të vdiste, ai i ishte lutur: “Ju lë në dorën e Zotit, tek i cili nuk shkon dëm asgjë!” Kjo lutje është në traditën profetike, ku besimtari para se të udhëtojë dhe ta lërë vetëm familjen, lutet me fjalët: “Ju lë në dorën e Zotit, tek i cili nuk shkon dëm asgjë!”
I vdekuri flet
“Ne ju thamë: “Prekeni të vrarin me një copë të lopës së flijuar!”[11]
Në këtë rast, ata nuk kërkuan sqarime të tjera se cila duhej të ishte copa me të cilin duhej goditur i vdekuri. Është për të ardhur keq se në disa libra tefsiri të myslimanëve, shkruhen faqe të tëra lidhur me pjesën me të cilën goditën të vdekurin. Urdhri ishte i qartë: Prekeni me një copë të lopës.
Me ta prekur të vdekurin me copën e lopës së therur, ai u ngjall dhe Musai (a.s.) e pyeti: “Kush të ka vrarë?” Ai u përgjigj: “Më ka vrarë djali i vëllait tim, me qëllim që të marrë pasurinë time dhe të martohet me vajzën time.” Mandej, ai u shemb i vdekur siç ishte.
Ndodhi të ngjashme, lidhur me ringjalljen e të vdekurve, në Kuran përsëriten disa herë. Një ngjarje e tillë është dhe ajo e banorëve të shpellës, e Uzejrit etj…
Është për t’u çuditur, por në çdo fe dhe kulturë, gjenden histori ku Zoti ka ringjallur njerëz të vdekur, si provë dhe argument për ekzistencën e jetës pas vdekjes.
Por, pas kësaj, zemrat tuaja u forcuan e u bënë si guri
Kjo ndodhi përmbyllet me ajetin: “Por, pas kësaj, zemrat tuaja u forcuan e u bënë si guri, madje edhe më të forta. Në të vërtetë, ka gurë nga të cilët burojnë lumenj, ka të atillë që çahen e nga të cilët rrjedh uji, madje ka edhe syresh që rrëzohen nga frika e Allahut. Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj veprimeve tuaja.”[12]
Pas gjithë atyre mrekullive dhe fakteve të gjalla, hebrenjtë iu kthyen sërish zemrave të ngurta. Mos harrojmë se secili prej nesh përjeton fakte dhe argumente të qarta dhe sërish i kthehet skepticizmit dhe dyshimit.
Historia e lopës, përmendet në Kuran dhe shërben si mesazh për umetin e Muhamedit (a.s.), me qëllim që të mos bien në të njëjtën vorbull. Zoti pret prej teje një pikë loti gjatë Ramazanit. Ai pret që ti t’i përulesh, të bësh sexhde si me gjymtyrë ashtu dhe me zemër. Ai pret që të largohemi dhe të distancohemi nga gjynahet, të cilat kur akumulohen mbi zemër, e nxijnë atë dhe e ndryshkin. Ajo mund të pastrohet sërish me adhurim dhe përkushtim ndaj Zotit.
Autor: Amer Halid
Përktheu: Elmaz Fida
[1] – Sure Bekare: 72-73.
[2] – Sure Bekare: 67.
[3] – Sure Bekare: 74.
[4] – Sure Bekare: 74.
[5] – Sure Enfal: 2.
[6] – Sure Bekare: 67.
[7] – Sure Bekare: 67-68.
[8] – Sure Bekare: 69.
[9] – Sure Bekare: 70.
[10] – Sure Bekare: 71.
[11] – Sure Bekare: 73.
[12] – Sure Bekare: 74.