Roli i Profetit Muhamed (a.s) në konsolidimin e vlerave

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Allahu i Madhëruar urdhëron e thotë: “O Profet. Ne të kemi dërguar dëshmitar, përgëzues dhe lajmërues. Të kemi dërguar si ftues për tek Allahu dhe diell ndriçues. Përgëzoi besimtarët se prej Zotit të tyre kanë shpërblim të madh. E mos iu bind mohuesve dhe hipokritëve, mos u merr me ngacmimin e tyre dhe mbështetju Allahut se Ai është mbështetësi më i mirë”

Qëndrueshmëria e kuptimit të vlerës:

Ajo për të cilën shoqëria asnjëherë nuk mund të jetë e panevojshme është pikërisht vlera. E parë si koncept abstrakt ajo mund të barazohet me vetë jetën, madje qetësisht mund të themi se ajo është vetë ekzistenca apo qenia. Sakaq burimet hyjnore islame nuk para merren me përkufizimin teorik apo abstrakt të konceptit të vlerës, por përkundrazi qasja është gjithmonë praktike, konkrete dhe aktive.

Burimi, garancia e ruajtjes, modeli trupëzues apo personifikues në nivel individual dhe komunitar, metodologjia e edukimit dhe ftesës, shpërblimi i korrektësisë ndaj këtyre vlerave, pikat e bashkimit me tjetrin në fushën e këtyre vlerave e të tjera çështje të këtij karakteri, janë ato me të cilat prezantohen vlerat në Islam. Madje janë këto çështje ato në të cilat shprehet roli profetik i konsolidimit të vlerave.

Garancia e ruajtjes:

Cituam pak më sipër se vlerat janë të natyrshme. Allahu i ka mishëruar ato me vetë njeriun që në çastin kur e krijoi atë. Por njeriu është qenie gabimtare dhe e lirë. Sakaq, kjo qenie, duke ushtruar të drejtën e tij të lirisë në një shoqëri jo perfekte, patjetër ndodh që ti bëjë padrejtësi vetes së tij, pra vlerave të tij. Kështu që në mënyrë të ngutshme ka qenë e nevojshme diçka që garanton rikthimin e njeriut tek vlerat e tij apo rivendosjen e harmonisë së njeriut me veten e tij. Roli i Profetit Muhamed (a.s) në këtë fushë konsiston, ndër të tjera, në dy çështje madhore:

Lidhja e vlerave me burimin dhe lidhja e njerëzve me Zotin e tij dhe jo me personin e vetë Muhamedit.

Burimi:

Lidhja e vlerave ngushtësisht me burimin hyjnor garanton, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të domosdoshme, mbrojtjen e këtyre vlerave nga devijimi konceptual dhe ai praktik. Pra ruan konceptimin e drejtë të vlerave por njëkohësisht i mbron ato nga zbatimi jo i saktë.

Një vlerë si ajo e drejtësisë merr një pozitë të veçantë në burimin hyjnor kuranor. Madje ajo na paraqitet e ngërthyer dhe e mishëruar me mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Zotit të gjithësisë. Në suren Nisa, Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që keni besuar, jini gjithmonë dëshmues të drejtë, për hir të Allahut edhe nëse kjo dëshmi është në kundërshtim me interesin e vetvetes suaj apo kundër prindërve dhe të afërmve tuaj. S’ka rëndësi nëse ai ndaj të cilit bëhet dëshmia është pasanik apo i varfër, sepse Allahut ata i dhimbsen më shumë se ç‘ju dhimbsen ju. Mos ndiqni lakmitë dhe egot tuaja e ti shmangeni drejtësisë. E nëse shtrembëroni ose tërhiqeni dijeni se Allahu di hollësisht çka punoni”[1]

Këtë vlerë, Zoti i gjithësisë e kërkon të zbatohet rigorozisht e me paanësi jo vetëm brenda komunitetit të ndjekësve të Muhamedit (a.s), por edhe ndaj çdo kujt tjetër, qoftë ky edhe armik. Në suren Maide, Allahu i Madhëruar thotë: “Urrejtja ndaj një populli që iu pat penguar nga xhamia e shenjtë nuk duhet t’ju shtyjë të silleni në mënyrë të padrejtë ndaj tyre dhe bashkëpunoni në të mirë dhe devotshmëri dhe jo në mëkate e armiqësi dhe frikësojuni Allahut. Ndëshkimi i Tij është shumë i dhimbshëm” [2]

Të njëjtin urdhër e përmend Allahu i Madhëruar në një kontekst tjetër po tek surja Maide: “O ju që keni besuar! Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të Allahut, duke dëshmuar të drejtën dhe të mos ju shtyjë urrejtja ndaj një populli të shkelni drejtësinë. Jini të drejtë sepse ajo është më afër devotshmërisë. Kini droje Allahun se Ai di hollësisht për gjithçka veproni” [3]

Profeti Muhamed (a.s) e trupëzoi në formën më të saktë e më të bukur urdhrin hyjnor të mësipërm, në çastin kur hyri në Mekë si çlirimitar i saj: “Shkoni – u tha mekasve, armiqve të tij – se jeni të lirë”

Juristi i njohur egjiptian, Abdul Kader Audeh thotë: “Nga kredoja (akideja) buron uniteti i ndjenjave, adhurimet përfaqësojnë unitetin e riteve, ndërsa sistemi paraqet unitetin legjislativ. Sheriati ka mishëruar mes dispozitave te fesë dhe jetës së kësaj bote. Besimi i myslimanëve në sheriatin islam i ka garantuar  sheriatit vazhdueshmërinë dhe qëndrueshmërinë, si dhe ka kultivuar tek njerëzit shpirtin e bindjes dhe kënaqësisë ndaj tij. Ky besim i fton ata që të pajisen me virtytet më të larta morale. Po ky besim i ka garantuar sheriatit një forcë të pashtershme  respektimi dhe pranimi nga përqafuesit e tij, veçori që nuk e posedon asnjë ligj tjetër i vendosur nga njerëzit, sado i përsosur të jetë në aspektin parimor dhe aplikativ”

Lidhja me Zotin e gjithësisë dhe jo me personin e Muhamedit (a.s):

Profeti Muhamed (a.s) duke qenë konkretizuesi i parë i këtyre vlerave, propaganduesi dhe ftuesi për tek to, pra Profet i Zotit, ky fakt në vetvete përbënte një rrezik dhe sfidë jo të vogël për brezin e bashkëkohësve të Profetit (a.s). Pra bëhet fjalë për një rrezik me karakter referencial. D.m.th Profetit Muhamed (a.s) i duhej që vazhdimisht të theksonte dhe përforconte se ai është thjesht Profet i Zotit dhe rob i Tij dhe se i vetmi që meriton të adhurohet është vetëm Zoti i gjithësisë. Prandaj herë pas here theksonte: “Unë jam rob i Allahut dhe i dërguar i Tij”. Siç i tha njërit prej shokëve që po dridhej para tij: “Unë jam biri i një gruaje mekase që ka ngrënë bukë të thatë”

Veç ruajtjes nga devijimi konceptual dhe praktik, vlera e kësaj çështje del në pah tek vazhdimësia e rrugës në këto vlera. Pra paqartësia referenciale e vlerave rrezikon vazhdimësinë e rrugës. Kjo u shfaq shumë konkretisht në betejën e Uhudit ku u përhap lajmi se Profeti Muhamed (a.s) u vra. Në këtë çast, pati prej atyre që ikën apo lanë luftën duke menduar se nuk ka vlerë më asnjë lloj qëndrese pas vdekjes së Muhamedit (a.s). Allahu i Madhëruar iu drejtua këtyre dhe të gjithë të tjerëve deri në Ditën e Kijametit “Muhamedi është thjesht profet dhe para tij ka pasur shumë profet të tjerë. Po nëse vdes apo vritet, mos vallë ju do ti ktheni shpinën fesë? E çdo kush që e braktis të vërtetën le ta dijë se Zotit nuk I ka bërë asnjë lloj dëmi, e Allahu do ti shpërblejë falënderuesit” [4]

Ebu Bekri (r.a) e kishte kuptuar shumë mirë se vazhdimësia e misionit të Islamit gëzon jetë nga jeta e pafundme e Zotit të gjithësisë. Ai arriti të qetësojë zemrat e trishtuara nga vdekja e Profetit të Zotit, Muhamedit (a.s) me kthjelltësinë e konceptit të tij: “Kush ka adhuruar Muhamedin le ta dijë se Muhamedi ka vdekur. E kush ka adhuruar Allahun le ta dijë se Allahu është i gjallë e nuk vdes”

Në sajë të këtij koncepti kaq jetik, myslimanët kanë arritur të ndërtojnë raportet e drejta me Zotin e tyre, librin e tyre, profetin e tyre, sahabët e tyre, evliatë e tyre dhe dijetarët e tyre, duke pasur si slogan thënien e Imamit të madh, Malik bin Enes: “Prej çdonjërit pranohet dhe refuzohet fjala, përveç banorit të këtij varri, Profetit të Allahut”, pra ajo që e bën Muhamedin (a.s) të meritueshëm për t’iu bindur është fakti , të qënurit profet , Allahut.

Modeli vetjak profetik është shpëtim i vlerave nga rrethi vicioz i demagogjisë:

Veç rolit të ftuesit dhe propaganduesit të vlerave, Profeti (a.s) pati edhe një rol tjetër të të njëjtit nivel me të parët, atë të paraqitjes së shembullit dhe modelit konkret të përjetësimit të vlerave. Madje kjo është një nga cilësitë kryesore me të cilat na e prezanton Allahu Profetin e Tij: “Dhe për ju, tek Profeti i Allahut,  është modeli më i mirë për ata që synojnë kënaqësinë e Zotit të tyre dhe shpërblimin e ditës së gjykimit”, “Ti o Muhamed gëzon morale shumë të larta”. Ndërsa bashkëshortja e tij e nderuar Aishja (r.a) na e paraqet sjelljen e profetit të mishëruar me vlerat kuranore: “Morali i tij ishte Kurani” apo: “Ai ishte Kurani që ecte në tokë”

Komuniteti i vlerave:

Profeti Muhamed (a.s) arrin të edukojë komunitetin konkretizues të vlerave, i cili në vetvete përbën etalonin vleror për ne dhe brezat që vijnë deri në ditën e fundit. Pikërisht ky fakt është argumenti më i mirë dhe më bindës se vlerat hyjnore nuk janë demagogji apo diçka që i përket botës së ideales, por përkundrazi kemi të bëjmë me një komunitet human, të mangët e gabimtar që arriti të përjetojë vlerat hyjnore në shoqëri dhe më gjerë. Allahu i Madhëruar lavdëron këtë komunitet të përbërë nga popuj dhe etni të ndryshme. Allahu i Madhëruar thotë në suren Hashr: “Edhe ata që përgatiten vendin, pra Medinen, dhe besimin, i duan ata që emigruan tek ta dhe nuk ndjejnë diçka negative nga ajo që u jepet atyre, madje edhe sikur të kishin vetë nevojë për diçka ata u jepnin përparësi vëllezërve të tyre muhaxhir para vetvetes. E kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar” [5]

Profeti (a.s) dhe metodologjia e edukimit me vlerat:

Profeti (a.s) në koordinim dhe harmoni të plotë me sa më sipër, i kushton rëndësi të veçantë metodologjisë së edukimit me vlerat.

Nëse do ti përmblidhnim elementët përbërës të kësaj metodologjie, do të mund ti bashkonim në dy shtylla kryesore. E para: Ndryshimi fillon nga vetja si në rang individual dhe atë shoqëror dhe e dyta: Përqendrimi i energjive tek vetja dhe mos hedhja e fajit tek të tjerët. Të dyja këto shtylla i gjejmë të përmbledhura brenda një ajeti të vetëm në shumë raste. Siç thotë Allahu i Madhëruar: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa të ndryshojnë vetet e tyre”. “O Profet. Ne të kemi dërguar dëshmitar, përgëzues dhe lajmërues. Të kemi dërguar si ftues për tek Allahu dhe diell ndriçues. Përgëzoi besimtarët se prej Zotit të tyre kanë shpërblim të madh. E mos iu bind mohuesve dhe hipokritëve, mos u merr me ngacmimin e tyre dhe mbështetju Allahut se Ai është mbështetësi më i mirë” Nuk ka më punë mirë se ai që fton në rrugë të Allahut, punon mirë dhe deklaron se është mysliman. E mira nuk është njëlloj me të keqen. Prandaj të keqen ktheje me të mirë. E nëse do ta bësh këtë, ai që mes teje dhe atij ka armiqësi do të jetë për ty miku më i mirë. Këtë nuk e arrijnë veçse ata që duruan dhe nuk mund ta arrijnë përveçse fatlumët”

E kështu fillimi nga vetja, realizon daljen e suksesshme dhe përfundimtare nga konfuzioni dhe rrethi vicioz i propagandimit demagogjik të vlerave. Ndërsa përqendrimi i energjive tek vetja, mundëson kursimin e kohës, shfrytëzimin efikas të energjive si dhe shpëtimin nga kthetrat e egra e të mprehta të provokimeve të vazhdueshme. Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë gjendjen e veteve të tyre”

Përvojë për t’u eksportuar (Karakteristikat e metodologjisë edukuese profetike):

Profeti Muhamed (a.s) duke konkretizuar dhe trupëzuar këto vlera tek vetja dhe komuniteti i tij, formësoi mekanizmin kryesor gjigand të promovimit mbarëbotëror të këtyre vlerave.

Është e qartë për të gjithë, e veçanërisht në epokën që po jetojmë, se gjëja që më së shumti shkakton shqetësim dhe parehati janë fjalët dhe vetëm fjalët, pra të pa konkretizuara dhe trupëzuara në punë e vepra. Ndërsa metodologjia profetike e edukimit, e karakterizuar nga të qënurit burimore-hyjnore, e njëkohësisht humane, aktuale dhe ekuilibruar, graduale në zbatim dhe ftesë, e lehtë dhe e mundshme, globale apo gjithëpërfshirëse dhe jo egocentriste, që i lidh njerëzit me Zotin dhe jo me personin, është pikërisht kjo lloj metodologjie që jo vetëm ne si mysliman, por e gjithë bota është nevojtare për të.

Autor: Sabaudin Jashari

[1] – Sure Nisa: 135.

[2] – Sure Maide: 2.

[3] – Sure Maide: 7.

[4] – Sure Ali Imran: 145.

[5] – Sure Hashr: 9.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *